9 gusht

[no_toc]

9 gusht

«Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi» (Luka 5:28).

Përfytyrojeni Levin të ulur pranë një tavoline përgjatë rrugës, duke mbledhur taksa nga ata që kalonin afër. Nëse ka qenë një taksambledhës tipik, ai fuste në xhep shuma të konsiderueshme të parave, në vend që t’ia dorëzonte ato qeverisë së përbuzur romake.

Në këtë ditë të veçantë Jezusi kaloi aty dhe tha: «Ndiqmë». Një rizgjim i pamasë frymëror ndodhi në jetën e Levit. Ai pa demaskimin e mëkateve të tij. Ai kuptoi boshllëkun e jetës së tij. Ai dëgjoi premtimin e gjërave më të mira. Përgjigjja e tij ishe e menjëhershme. «Ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi».

Duke vepruar kështu ai parashikoi rreshtat kuptimplotë të Ami Karmikaelit: «Dëgjova thirrjen e Tij, «Eja, ndiqmë!»/ Kjo mjaftonte./ Ari im tokësor u zbeh,/ shpirti im shkoi pas Tij,/ u ngrita dhe e ndoqa:/ Kjo mjaftonte./ Kush nuk do ta ndjekë / nëse e dëgjon Atë ta thërrasë?»

Por Levi ose Mateu siç njihet më mirë, kuptoi pak atë ditë kur iu përgjigj thirrjes së Krishtit për gjërat e mëdha që do të rridhnin nga bindja e tij.

Së pari, sigurisht, ai përjetoi bekimin tepër të çmuar të shpëtimit. Që atëherë ai i konsumoi sandalet e tij nga gishtat dhe jo më nga thembrat. Që atëherë ai kishte më shumë gëzim edhe kur ishte i trishtuar, sesa kishte më parë kur ishte i gëzuar. Që atëherë ai mund të thoshte me fjalët e Xhorxh Ued Robinsonit (George Wade Robinson), «diçka jeton në çdo ngjyrim, që sytë pa Krishtin nuk e kanë parë kurrë».

Më pas Mateu u bë edhe një nga Dymbëdhjetë Apostujt. Ai jetoi me Zotin Jezus, dëgjoi mësimet e Tij të pakrahasueshme, u bë një dëshmitar i ringjalljes së Tij, u dërgua me mesazhin e lavdishëm dhe, në fund, e dha jetën e tij për Shpëtimtarin.

Mateut iu dha privilegji i pashprehur që të shkruajë ungjillin e parë. Ne thamë që ai i la të gjitha, por Zoti e lejoi atë ta mbante penën. Ajo penë u përdor për ta portretizuar Zotin Jezus si Mbretin e vërtetë të judenjve.

Po, Mateu i la të gjitha, por duke vepruar kështu, ai i fitoi të gjitha dhe gjeti arsyen e vërtetë të ekzistencës.

Ekziston një kuptim ku thirrja e Krishtit vjen te çdo burrë, grua, djalë dhe vajzë. Ne mund t’i përgjigjemi ose mund ta refuzojmë. Nëse i përgjigjemi, Ai na bekon përtej ëndrrave tona më të çuditshme. Nëse e refuzojmë, Ai gjen të tjerë për ta ndjekur. Por ne nuk mund të gjejmë një Krisht më të mirë për të ndjekur.

[previous][next]