9 nëntor

[no_toc]

9 nëntor

«Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?» (Jakobit 2:14).

Jakobi nuk thotë se njeriu në vargun e sotëm ka besim. Vetë njeriu thotë se ka besim, por nëse do të kishte vërtet besim shpëtues, ai do të kishte edhe vepra. Besimi i tij është thjesht me fjalë dhe ky lloj besimi nuk mund të shpëtojë askënd. Fjalët pa vepra janë të vdekura.

Shpëtimi nuk është me anë të veprave. Nuk është as nëpërmjet besimit plus veprave. Por është nëpërmjet atij lloj besimi që rezulton në vepra të mira.

Përse atëherë thotë Jakobi në vargun 24 se njeriu shfajësohet nga veprat? A nuk është kjo një kontradiktë e prerë e mësimit të Palit se ne shfajësohemi nëpërmjet besimit? Në fakt, nuk ka asnjë kontradiktë. Të dyja janë të vërteta. Fakti është se ka gjashtë aspekte të ndryshme të shfajësimit në Dhiatën e Re, si më poshtë:

Ne shfajësohemi nga Perëndia (Rom. 8:33) – Ai është i Vetmi që na llogarit të drejtë.

Ne shfajësohemi me anë të hirit (Rom. 3:24) – Perëndia na e jep shfajësimin si një dhuratë falas, të pamerituar.

Ne shfajësohemi me anë të besimit (Rom. 5:1) – ne e marrim këtë dhuratë duke besuar në Zotin Jezus Krisht.

Ne shfajësohemi me anë të gjakut (Rom. 5:9) – gjaku i çmuar i Krishtit është çmimi që u pagua për shfajësimin tonë.

Ne shfajësohemi me anë të fuqisë (Rom. 4:25) – fuqia që e ngriti Jezusin, Zotin tonë, nga të vdekurit është fuqia që e bën të mundur shfajësimin tonë.

Ne shfajësohemi me anë të veprave (Jakobit 2:24) – veprat e mira janë evidenca e jashtme për të gjithë që ne jemi shfajësuar me të vërtetë.

Nuk mjafton të dëshmojmë për përvojën e kthimit në besim. Ne duhet ta demonstrojmë atë me veprat e mira që e pasojnë pashmangshmërisht lindjen e re.

Besimi është i padukshëm. Ai është një veprim i padukshëm që ndodh midis shpirtit dhe Perëndisë. Njerëzit nuk mund ta shohin besimin tonë. Por ata mund të shohin veprat e mira që janë fryti i besimit shpëtues. Ata kanë arsye të mira të dyshojnë besimin tonë nëse nuk i shohin veprat.

Vepra e mirë e Abrahamit ishte gatishmëria e tij për të vrarë të birin si një ofertë për Perëndinë (Jakobit 2:21). Vepra e mirë e Rahabit ishte braktisja e vendit të saj (Jakobit 2:25). Arsyeja që këto ishin vepra «të mira» është për shkak se ato demonstruan besim në Jehovain. Përndryshe do të kishin qenë vepra të këqija, pra, vrasje dhe tradhti.

[previous][next]