9 qershor

[no_toc]

9 qershor | çdo ditë me radhë

«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!» (Zbulesa 4:8).

Kur flasim për shenjtërinë e Perëndisë, ne duam të themi që Ai është frymërisht dhe moralisht i përsosur në mendimet, veprimet, motivet e Tij dhe në çdo rrugë tjetër. Ai është absolutisht pa mëkat dhe ndotje. Ai s’mund të jetë ndryshe, veçse i pastër.

Dëshmia shkrimore [biblike] për shenjtërinë e Tij është e bollshme. Ja disa shembuj. «Unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë» (Lev. 19:2). «Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti» (1 Sam. 2:2). «O Zot, Perëndia im, i shenjti im […] Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë» (Hab. 1:12, 13). «Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vetë nuk tundon asnjeri» (Jakobit 1:13). «Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë» (1 Gjonit 1:5b). «Vetëm ti je i Shenjtë» (Zbulesa 15:4).

Edhe yjet nuk janë të pastër në sytë e tij (Job. 25:5). Priftëria dhe sistemi i sakrificave i Dhiatës së Re mësoi, midis gjërave të tjera, shenjtërinë e Perëndisë. Ato mësuan se mëkati kishte sjellë një distancë midis Perëndisë dhe njeriut, që duhet të ketë një ndërmjetës për të lidhur këtë të çarë dhe se mund të afrohesh te një Perëndi i shenjtë vetëm mbi bazën e gjakut të një viktime të flijuar.

Gjithashtu shenjtëria e Perëndisë u tregua në një mënyrë unike në Kryq. Kur Ai hodhi vështrimin nga lart dhe pa Birin e Tij duke mbartur mëkatet tona, Perëndia e braktisi të Dashurin e Tij për ato tri orë të tmerrshme të errësirës.

Zbatimi i gjithë kësaj për ne është i qartë. Vullneti i Perëndisë është që të jemi të shenjtë: «Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj» (1 Thes. 4:3). «Ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj» (1 Pjetrit 1:15).

Mendimet mbi shenjtërinë e Perëndisë duhet të prodhojnë në ne edhe një ndjenjë të thellë nderimi dhe respektimi të thellë. Sikurse Ai i tha Moisiut: «Hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë» (Eksodi 3:5).

T. Bini (T. Binney) u mrekullua me shenjtërinë që kërkohet për të qëndruar në praninë e Perëndisë.

Dritë e përjetshme! Dritë e përjetshme!
Sa i pastër duhet të jetë shpirti
kur, i vendosur brenda dritës sate zhbiruese,
ai nuk tkurret, por me ëndje të qetë
mund të jetojë dhe të të shoh Ty.

Zemrat tona tejmbushen me adhurim kur kuptojmë se ne e kemi këtë pastërti të domosdoshme që na është llogaritur [dhënë] neve përmes besimit në Zotin Jezus.