«Mos shiko vetëm për interesat e tua personale, por edhe për interesat e të tjerëve» (Filipianeve 2:4, NASB).
Fjala kyç në Filipianëve 2 është «të tjerët». Zoti Jezus jetoi për të tjerët. Pali jetoi për të tjerët. Timoteu jetoi për të tjerët. Epafroditi jetoi për të tjerët. Edhe ne duhet të jetojmë për të tjerët.
Na thuhet për ta bërë këtë jo vetëm se është e drejtë, por edhe se kjo është për të mirën tonë. Nëse ndonjëherë është e kushtueshme që të jetosh për të tjerët, është akoma më e kushtueshme për të mos vepruar kështu.
Shoqëria jonë është e mbushur me njerëz që jetojnë vetëm për interesat e tyre personale. Në vend që të angazhohen duke u shërbyer të tjerëve, ata ulen në shtëpi duke rënë në mendime. Ata mendojnë për çdo dhimbje dhe vuajtje të vogël dhe bëhen shpejt hipokondriakë (maniakë pas shëndetit) të konfirmuar. Në vetminë e tyre ata ankohen që askush nuk interesohet për ta dhe shpejt zhyten në keqardhje për vetveten. Sa më shumë kohë kalojnë duke menduar për veten, aq më të dëshpëruar bëhen. Jeta bëhet një tmerr i madh i errësirës. Shpejt ata shkojnë te doktori dhe gëlltitin sasi shumë të mëdha pilulash – pilula që nuk mund të kurojnë kurrë egoizmin (përqendrimin te vetvetja). Më pas ata frekuentojnë krevatin e psikiatrit për të gjetur disi lehtësim për mërzinë dhe lodhjen me jetën.
Terapia më e mirë për njerëz të tillë është një jetë shërbimi për të tjerët. Ka njerëz të mbyllur për t’u vizituar. Ka qytetarë të moshuar që kanë nevojë për një mik. Ka spitale që pranojnë ndihmë vullnetare. Ka njerëz që mund të gëzohen nga një letër a një kartolinë. Ka misionarë që mirëpresin lajme nga shtëpia (dhe ndoshta ata mund të përdorin pak gjelbërim për të gjallëruar skenën). Ka shpirtra për t’u shpëtuar dhe të krishterë për t’u mësuar. Shkurt, nuk ka asnjë justifikim që dikush të jetë i mërzitur. Ka mjaft gjëra për të bërë që ta mbushin jetën e dikujt me aktivitete produktive. Dhe gjatë këtij procesi duke jetuar për të tjerët, ne e zgjerojmë rrethin tonë të miqve, i bëjmë jetët tona më interesante dhe gjejmë plotësim dhe kënaqësi. P. M. Derham tha: «Një zemër që është plot me dhembshuri për të tjerët ka më pak gjasa që të thithet nga dhimbjet e saj dhe të helmohet nga keqardhja për vetveten».
Të tjerët, po, Zot, të tjerët,
le të jetë kjo motoja ime.
Më ndihmo që jetoj për të tjerët
që të mund të jetoj si Ty.