«Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon» (Filipianeve 4:13).
Është e lehtë që ta keqkuptojmë një varg si ky. Ne e lexojmë atë dhe mendojmë menjëherë për qindra gjëra që nuk mund t’i bëjmë dot. Në sferën fizike, për shembull, ne mendojmë për ndonjë shkathtësi sportive qesharake që kërkon fuqi të mbinatyrshme. Ose mendojmë për ndonjë arritje të madhe mendore që gjendet përtej nesh. Dhe kështu fjalët bëhen për ne torturë në vend që të jenë ngushëllim.
Sigurisht, ajo çfarë do të thotë, në fakt, ky varg është se Zoti do të na japë fuqi për të bërë çdo gjë që Ai dëshiron që ne të bëjmë. Brenda rrethit të vullnetit të Tij nuk ka asnjë pamundësi.
Pjetri e dinte këtë sekret. Ai e dinte se, i ngelur në vetvete, ai nuk mund të ecte mbi ujë. Por ai e dinte gjithashtu se nëse Zoti e urdhëronte ta bënte, atëherë ai mund ta bënte atë. Sapo Jezusi i tha, «Eja», Pjetri doli nga barka dhe eci me hapa të mëdhenj përmes ujit drejt Tij.
Zakonisht një mal nuk do të hidhet në det me urdhrin tim. Por nëse ai mal qëndron midis meje dhe kryerjes së vullnetit të Perëndisë, atëherë unë mund të them, «Luaj vendit» dhe ai do të lëvizë.
Ajo ku ky varg përqendrohet është se «urdhërimet e Tij janë aftësimet e Tij». Prandaj Ai do të sigurojë forcën për të përballuar çdo sprovë. Ai do të më aftësojë për t’i rezistuar çdo tundimi dhe për të mposhtur çdo ves. Ai do të më forcojë që të kem një jetë të pastër të mendimeve, që të kem motive të pastra dhe që gjithmonë të bëj atë gjë që i pëlqen zemrës së Tij.
Nëse nuk po e marr forcën për të kryer diçka, nëse kërcënohem me rënie fizike, mendore ose emocionale, atëherë mund të dyshoj me vend nëse e kam humbur vullnetin e Tij dhe jam duke kërkuar dëshirat e mia. Është e mundshme të bëjmë punë për Perëndinë që mund të mos jetë puna e Perëndisë. Punë të tilla nuk e përmbajnë premtimin e fuqisë së Tij.
Prandaj është e rëndësishme të dimë se jemi duke përparuar në rrjedhën e planeve të Tij. Atëherë mund të kemi sigurinë e gëzueshme se hiri i Tij do të na mbajë dhe fuqizojë.