Këngët e Bitëllsave ka mundësi të shpjegojnë krishterimin po aq sa Bibla, thotë peshkopi [Fragment]
Bibla është bërë banale dhe këngët rok janë shpesh më të efektshme për të shprehur krishterimin, ka pohuar një peshkop i lartë.
Reverenti Nik Bajnes (Nick Baines), peshkop i Kroidonit, u ka bërë thirrje kishave që të përdorin sukseset muzikore të bandave të tilla si U2 dhe Bitëlls në shërbesat e tyre.
Ndër artistët e spikatur që kanë eksploruar tema të krishtera në muzikën e tyre përfshihen Erik Klepton, Bob Dilan dhe Xhon Lenon, i cili ka pohuar se Bitëllsat ishin më të mëdhenj se Jezusi.
«Për shumë njerëz gjuha e Biblës është bërë e paarritshme dhe, megjithatë, autorët e këngëve pop mund të bëjnë një lidhje me njerëzit, sepse gjuha e tyre është e freskët», tha ai.
«Ata janë në gjendje që ta drejtojnë imagjinatën tonë drejt një mënyre mendimi rreth Perëndisë, ndaj së cilës në gjuhën e kishës jemi bërë të shurdhër».
«Bibla është një koleksion librash i mahnitshëm që ne kemi lejuar të bëhet banale. Për shumë njerëz ajo është një libër i mbyllur dhe t’iu kërkosh atyre që ta lexojnë është një kauzë e humbur, gjë e cila është një tragjedi».
«Këngët hyjnë më tepër brenda një shpirti, sesa thjesht leximi i një libri të lashtë», shtoi ai. «Shpresoj se ata do të zgjohen para Perëndisë dhe kjo do t’i bëjë që të dëshirojnë leximin e disa prej historive në Bibël».
(Wynne-Jones, Këngët e Bitëllsave ka mundësi të shpjegojnë krishterimin po aq sa Bibla, London Telegraph Online, 19 tetor 2008).
[THIRRJA E BEREASVE: Kjo vetëm sa do t’i largojë njerëzit më shumë nga Bibla. Siç kanë nxjerrë në pah edhe të tjerë, Xhon Lenon dhe Joko Ono ishin tepër të përfshirë në okultizëm, ku Lenoni blinte shumë literaturë okulti (Patterson, «Banorë ferri para gjyqit: Përralla nga varreza e rokenrollit», Dowling Press, fq. 181). Më 1974 Joko Ono pagoi okultistin Xhon Grin (John Green) për të lexuar karta taroti për veten e saj. «Me kalimin e kohës ai u bë këshilltari, njeriu i besuar dhe miku i Lenonit. Deri në tetor të 1980, ai punoi nga afër me të. Ata bënë çdo gjë sipas «kartave»». (Revista e këngëve, Shku. 1984, fq. 16). «Njerëzit u punësuan dhe u hoqën nga puna sipas rezultateve që dolën nga leximi i kartave tarot, Charlie Swan; «Këshilli i parashikuesve», një klasifikimi i astrologëve […] të pavarur; dhe konsultimet e vetë Jokos me zodiakun dhe Librin e Numrave» (Rosen, Njeriu askund: Ditët e fundit të Xhon Lenonit, «Arkivat e shpejta amerikane», fq. 38)].