Letra e parë e Gjonit

Nuk jemi thirrur të ndjekim ecjen e Krishtit në det, por ecjen e Tij të zakontë.Martin Luter

I. Vendi unik në Kanun

Letra e Parë e Gjonit është si një album fotografik familjar. Ajo përshkruan ata që janë pjesëtarë të familjes së Perëndisë. Ashtu siç u ngjajnë fëmijët prindërve të tyre, po kështu edhe fëmijët e Perëndisë kanë ngjashmërinë e Tij. Kjo letër përshkruan këtë ngjashmëri. Kur një njeri bëhet fëmijë i Perëndisë ai merr jetën e Perëndisë – jetën e përjetshme. Të gjithë ata që e kanë këtë jetë e tregojnë këtë në mënyra të përcaktuara. Kështu për shembull, ata pranojnë Jezu Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre, e duan Perëndinë, i duan fëmijët e Perëndisë, u binden urdhrave të Tij dhe nuk priren drejt mëkatit. Këto, pra, janë disa nga vulat e jetës së përjetshme. Gjoni e shkroi këtë letër në mënyrë që të gjithë ata që kanë këto veçori familjare të dinë se kanë jetën e përjetshme (1 Gjonit 5:13).

E Para e Gjonit është e pazakontë në shumë mënyra. Edhe pse është një letër e dërguar, as autori as personi të cilit i drejtohet letra nuk përmenden. Pa diskutim, ata e njihnin mirë njëri-tjetrin. Një gjë tjetër për t’u vënë re përsa i përket këtij libri të dashur është se shprehen të vërteta tejet të thella në fjali të shkurtra dhe të thjeshta, me një fjalor të harmonizuar. Kush ka thënë se e vërteta e thellë duhet të shkojë me fjali të përbëra [të gjata, të vështira, dhe të ndërlikuara]? Kemi frikë se ajo që shumë njerëz marrëzisht e quajnë “predikim të thellë” është vetëm diçka e zymtë apo e paqartë.

E Para e Gjonit meriton meditime të gjata dhe një studim të sinqertë. Stili përsëritës në dukje haset shpesh me ndryshime të vogla – dhe janë këto hije kuptimi që duhet të vihen re.

II. Autorësia

Prova e jashtme e autorësisë së 1 e Gjonit është e hershme dhe e fortë. Në mënyrë të veçantë ata që e citojnë letrën si të Gjonit, autor i ungjillit të katërt, janë: Irenaeus-i, Klement-i i Aleksandrisë, Tertulian-i, Origen-i dhe nxënësi i tij, Dionysius-i.

Ashtu si autori i Letrës së Hebrenjve, shkrimtari i 1 e Gjonit nuk e përmend emrin e tij. Në dallim nga Letra e Hebrenjve, 1 e Gjonit ka prova të brendshme bindëse për autorësinë e saj.

Katër vargjet e para tregojnë se shkrimtari e njihte mirë Krishtin dhe se ka kaluar kohë me Të. Kjo tregon mundësitë e autorësisë në mënyrë të konsiderueshme dhe përkon me traditën se është apostulli Gjon.

Këtë e përforcon edhe toni apostolik i letrës: autori shkruan me autoritet, me butësinë e një udhëheqësi të moshuar frymëror (“djemtë e mi”) dhe gjithashtu me një ton dogmatik.

Mendimi, fjalori (“qëndrimi”, “drita”, “e reja”, “urdhri”, “fjala” etj.) dhe shprehjet (“jeta e përjetshme”, “dha jetën e vet”, “kalon nga vdekja në jetë”, “Shpëtimtar i botës”, “heq mëkatin”, “veprat e djallit” dhe të tjera) përkojnë me ungjillin e katërt dhe me dy letrat e tjera të Gjonit.

Stili hebraik i paralelizmit dhe struktura e thjeshtë e fjalive karakterizojnë si ungjillin ashtu dhe letrën. Me pak fjalë, nëse pranojmë ungjillin e katërt të shkruar nga apostulli Gjon, duhet të pranojmë pa dyshim se edhe letra është shkruar nga ai.

III. Data

Disa besojnë se Gjoni i shkroi tri letrat e tij kanunore në vitet 60 pas K. në Jerusalem, para se romakët ta shkatërronin atë. Zakonisht, pranohet një datë e mëvonshme në shekullin e parë (vitet 80-95 pas K.).

IV. Sfondi dhe Tema

Në kohën kur po shkruante Gjoni, kishte dalë një sekt i rremë, që njihej si Gnosticizëm (gr. gnosis = njohje). Gnostikët rrëfenin se ishin të krishterë, por shpallnin se kishin njohuri shtesë, më të lartë nga ajo që kishin mësuar apostujt. Ata shpallnin se një njeri nuk mund të ishte plotësisht i mbushur derisa të mos pranonte të “vërtetat” e tyre të thella. Disa mësonin se materia ishte e keqe dhe kështu Njeriu Jezus nuk mund të ishte Perëndi. Ata bënin një dallim midis Jezusit dhe Krishtit. “Krishti” ishte një burim hyjnor që erdhi në Jezusin gjatë pagëzimit dhe u largua nga Ai para se të vdiste, mbase në kopshtin e Gjetsemanit. Sipas tyre, Jezusi vdiq, por Krishti nuk vdiq. Ata këmbëngulnin, ashtu si Michael Green, se “Krishti qiellor ishte shumë i shenjtë dhe frymëror për t’u ndotur nga kontakti i qëndrueshëm me mishin njerëzor.”. Me pak fjalë, ata mohonin mishërimin dhe që Jezu Krishti është si Perëndi ashtu edhe Njeri. Gjoni kuptoi se këta njerëz nuk ishin të krishterë të vërtetë dhe kështu ai paralajmëroi lexuesit e tij nga rreziku i tyre, duke treguar se gnostikët nuk kishin veçoritë e fëmijëve të vërtetë të Perëndisë.

Sipas Gjonit, një njeri ose është një fëmijë i Perëndisë ose nuk është; nuk ka rrugë të mesme. Kjo është arsyeja pse kjo letër është e mbushur me aq kontraste [ose përqasje] të shpeshta si drita dhe errësira, dashuria dhe urrejtja, vdekja dhe jeta, Perëndia dhe djalli. Në të njëjtën kohë, duhet të vihet re se apostulli pëlqen të përshkruajë njerëzit nga sjellja e tyre e zakonshme. Duke bërë dallimin midis të krishterëve dhe jo të krishterëve, për shembull, ai nuk e mbështet përfundimin e tij në një kryerje të vetme të mëkatit, por më tepër në atë çfarë karakterizon një njeri. Edhe një orë e thyer tregon orën e saktë dy herë në çdo njëzet e katër orë! Por një orë e mirë e tregon orën e saktë rregullisht. Kështu, në përgjithësi, sjellja e përditshme e një të krishteri është e shenjtë dhe e drejtë dhe nga kjo ai njihet si një fëmijë i Perëndisë. Gjoni përdor fjalën “di” shumë herë. Gnostikët rrëfenin se njihnin të vërtetën, por këtu Gjoni nxjerr në pah faktet e të vërtetës së besimit të krishterë, që mund të dihen me siguri. Ai e përshkruan Perëndinë si dritë (1 Gjonit 1:5), dashuri (1 Gjonit 4:8,16), i vërtetë (1 Gjonit 5:6) dhe jetë (1 Gjonit 5:20). Kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk është një Person, por për më tepër është burimi i këtyre katër bekimeve. Gjoni gjithashtu flet për Perëndinë e drejtësisë (1 Gjonit 2:29; 3:7), të pastër (1 Gjonit 3:3) dhe të pamëkat (1 Gjonit 3:5).

Ndërsa Gjoni përdor fjalë të thjeshta, mendimet që shpreh janë shpesh të thella dhe ndonjëherë të vështira për t’u kuptuar. Prandaj, ndërsa studiojmë këtë libër, duhet të lutemi që Zoti të na ndihmojë të kuptojmë fjalën e Tij dhe t’i bindemi të vërtetës që na zbulon.

PËRMBLEDHJE

I. PROLOGU: PËRBASHKËSIA E KRISHTERË (1:1-4)
II. MJETET E RUAJTJES SË PËRBASHKËSISË (1:5-2:2)
III. VEÇORITË E NJERËZVE NË PËRBASHKËSINË E KRISHTERË: BINDJA DHE DASHURIA (2:3-11)
IV. ETAPAT E RRITJES NË PËRBASHKËSI (2:12-14)
V. DY RREZIQE TË PËRBASHKËSISË: BOTA DHE MËSUESIT E RREMË (2:15-28)
VI. VEÇORITË E NJERËZVE NË PËRBASHKËSINË E KRISHTERË (VAZHDIM): DREJTËSIA, DASHURIA DHE BESIMI QË SJELL (2:29-3:24)
VII. NEVOJA E DALLIMIT MIDIS TË VËRTETËS DHE GABIMIT (4:1-6)
VIII. VEÇORITË E NJERËZVE NË PËRBASHKËSINË E KRISHTERË (VAZHDIM) (4:7-5:20)
A. Dashuria (4:7-21)
B. Doktrina e shëndoshë (5:1a)
C. Dashuria dhe bindjen që sjell (5:1b-3)
D. Besimi dhe mposhtja e botës (5:4,5)
E. Doktrina e shëndoshë (5:6-12)
F. Siguria nëpërmjet Fjalës (5:13)
G. Besimi në lutje (5:14-17)
H. Njohja e realiteteve frymërore (5:18-20)
IX. THIRRJE PËRFUNDIMTARE (5:21)

[previous][next]