Veçoritë e njerëzve në përbashkësinë e krishterë: Bindja dhe dashuria (1 Gjonit 2:3-11)

2:3 Gjoni jep veçoritë e vërteta të atyre që janë në përbashkësinë e krishterë. E para është bindja. Ne mund të kemi sigurinë që ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Perëndinë nëse jeta jonë karakterizohet nga një dëshirë e mirë për të bërë vullnetin e Tij. Këto vargje u drejtohen pa dyshim gnostikëve që rrëfejnë se kanë një njohuri më të lartë për Perëndinë, por që tregojnë pak interes në zbatimin e urdhrave të Zotit. Gjoni tregon se një njohuri e tillë është e zbrazët dhe e pavlerë.

Gjoni përshkruan bindjen e besimtarit në një mënyrë të trefishtë: zbatimi i urdhërimeve të Tij (v. 3), zbatimi i fjalës së Tij (v. 5), ecja sipas të ecurës së Tij (v. 6). Ka një rritje të përcaktuar në këtë mendim. Të zbatosh urdhërimet e Tij do të thotë t’u bindesh mësimeve të Zotit Jezus ashtu siç paraqiten në DhR. Të zbatosh fjalën e Tij do të thotë jo vetëm bindje ndaj asaj që është shkruar, por një dëshirë për të bërë atë që e dimë se do t’i pëlqejë Atij. Të ecësh ashtu siç ka ecur Ai është një shprehje e plotë e standardit të Perëndisë për njerëzit e Tij: do të thotë të jetosh ashtu siç ka jetuar Jezusi.

2:4 Gjoni nuk nënkupton me këtë se jeta e krishterë ka të bëjë me bindjen e pagabueshme ndaj vullnetit të Perëndisë, por më tepër se i krishteri zakonisht dëshiron të zbatojë urdhërimet e Tij dhe të bëjë ato gjëra që janë të pranueshme në sytë e Tij. Gjoni po shikon rrjedhën e plotë të jetës së njeriut. Nëse dikush thotë se e njeh Perëndinë, por nuk zbaton urdhërimet e Tij, atëherë është e qartë se ai nuk po thotë të vërtetën.

2:5 Nga ana tjetër, kur zbatojmë fjalën e Tij, atëherë dashuria e Perëndisë është përsosur në ne. Dashuria e Perëndisë nuk ka të bëjë me dashurinë tonë ndaj Perëndisë, por më tepër me dashurinë e Tij ndaj nesh. Mendimi është se dashuria e Perëndisë ndaj nesh e ka arritur qëllimin e saj kur ne zbatojmë fjalën e Tij. Ajo e plotëson synimin e saj dhe qëllimin duke prodhuar bindjen ndaj Tij.

2:6 Prandaj, cilido që thotë se qëndron në Të duhet të ecë ashtu si Zoti Jezus ka ecur. Jeta e Tij, ashtu siç tregohet në ungjij, është shembulli dhe drejtimi ynë. Nuk është një jetë që mund ta jetojmë me forcat apo energjinë tonë, por vetëm me fuqinë e Frymës së Shenjtë. Përgjegjësia jonë është të kthejmë jetët tona tek Ai pa ngurrim dhe ta lejojmë Atë të jetojë jetën e Tij në ne dhe nëpërmjet nesh.

2:7 Një veçori tjetër e rëndësishme e besimtarëve të vërtetë është dashuria për vëllezërit. Gjoni thotë se ky që po shkruan nuk është një urdhërim i ri, por një urdhërim i vjetër të cilin e kishin që nga fillimi. Me fjalë të tjera, Zoti Jezus i kishte mësuar dishepujt e Tij ta donin njëri-tjetrin që nga fillimi i shërbesës së Tij tokësore.

Gnostikët gjithmonë thoshin se mësimet e tyre ishin të reja. Por apostulli i nxit lexuesit e tij të provojnë [të krahasojnë] çdo gjë me mësimin e Zotit Jezus kur ishte në tokë. Ekziston gjithnjë rreziku i largimit nga ajo që ishte nga fillimi [1]. Gjoni thotë: “Kthehuni te fillimi dhe do të mësoni se çfarë është e vërtetë.”

2:8 Megjithatë ky urdhërim nuk është vetëm një urdhërim i vjetër, por në një farë kuptimi është gjithashtu i ri. Kur Zoti Jezus ishte këtu, Ai jo vetëm i mësoi dishepujt e Tij ta donin njëri-tjetrin, por Ai u dha një shembull të gjallë të asaj që nënkuptonte. Jeta e Tij karakterizohej nga dashuria për të tjerët. Urdhërimi ishte i vërtetë në Të kur ishte këtu në tokë. Por tani ka një kuptim se si Urdhërimi i Vjetër bëhet i ri. Në këtë kuptim, nuk është vetëm i vërtetë në Zotin Jezus, por gjithashtu edhe në besimtarët. Këta të krishterë kishin qenë më parë paganë, duke jetuar në urrejtje dhe pasione. Tani ata ilustrojnë [shfaqin] dhe marrin ligjin e madh të dashurisë në jetët e tyre.

Prandaj errësira po shkon sa herë njerëzit marrin dritën e ungjillit. Errësira nuk është larguar plotësisht, sepse shumë nuk kanë shkuar te Krishti, por Krishti, drita e vërtetë, tashmë po ndrit dhe sa herë që mëkatarët kthehen tek Ai shpëtohen dhe që nga ai çast e më tej duan besimtarët e tjerë.

2:9-11 Te vargjet 9-11 kemi kontrastin [përqasjen] midis dashurisë që është e rreme dhe asaj që është e vërtetë. Nëse dikush rrëfen se është i krishterë dhe megjithatë urren ata që janë me të vërtetë të krishterë, është një shenjë e sigurt se është ende në errësirë. Kjo shprehje e fundit tregon se nuk bëhet fjalë për një rast kur një besimtar bie në mëkat. Njeriu vazhdon të bëjë atë që ka qenë gjithmonë, fjalë për fjalë, i pashpëtuar. Nga ana tjetër, ai në mënyrë konkrete e do vëllanë e vet, qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bën të bjerë. Kjo nënkupton se vetë njeriu nuk është në rrezik rënieje, ose se nuk do të bëjë që të tjerët të bien. Të dy interpretimet janë të vërteta. Nëse i krishteri po jeton me të vërtetë në lidhje me Zotin, drita ndriçon rrugën e tij dhe asnjë tjetër nuk fyhet për shkak të ndonjë mospërputhjeje të dëshmisë gojore [se “jam një besimtar”] dhe praktikës. Gnostikët i urrenin shumë ata që i qëndronin besnik fjalës së Perëndisë. Kjo vërtetonte se ata ishin në errësirë dhe ecnin në errësirë dhe se ata nuk e dinin se ku po shkonin, sepse errësira kishte verbuar sytë e tyre.

Si për të përshkruar dashurinë vëllazërore për të cilën kishte folur, apostulli tani ndalet për të dërguar urime të dashura atyre që janë pjesëtarë të familjes së Perëndisë.