A. Dashuria (4:7-21)
4:7,8 Këtu Gjoni përmbledh temën e dashurisë për vëllanë. Ai thekson se dashuria është një detyrë, në përputhje me karakterin e Perëndisë. Ashtu siç është përmendur më parë, Gjoni nuk po mendon për dashurinë që është e zakonshme për të gjithë njerëzit, por për atë dashuri që i është dhënë fëmijëve të Perëndisë, e cila është vendosur në ata që janë lindur sërish. Dashuria është nga Perëndia që nga fillimi dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Kjo nuk do të thotë se Perëndia do. Kjo është e vërtetë, por Gjoni po thekson se Perëndia është dashuri. Dashuri është natyra e Tij. Nuk ka dashuri në kuptimin e vërtetë, veç asaj që e ka burimin në Të. Fjalët “Perëndia është dashuri” janë të vlefshme për të gjitha gjuhët e tokës apo qiellit. G. S. Barrett i quan:
fjalët më të mëdha të folura ndonjëherë në gjuhën njerëzore, fjalët më të mëdha në tërë Biblën… Është e pamundur të sugjerosh madje edhe përshkrimin më të shkurtër të gjithçkaje që mund të përmbajnë këto fjalë, sepse asnjë njeri apo intelekt i krijuar nuk mund, apo nuk do të mund të kuptojë domethënien e tyre të pamasë; por mund të themi me nderim të thellë se kjo fjali që ka të bëjë me Perëndinë përmban çelësin e çdo vepre dhe rruge të Perëndisë… misterin e krijimit,… shpengimin… dhe Qenien e Vetë Perëndisë [6].
4:9,10 Në vargun që pason kemi përshkrimin e shfaqjes së dashurisë së Perëndisë në tri kohë. Në të shkuarën, u shfaq në ne si mëkatarë në dhuratën e Birit të tij të vetëmlindur (4:9-11). Në të tashmen, na u shfaq neve si shenjtorë duke banuar në ne (4:12-16). Në të ardhmen, do të shfaqet duke na dhënë guxim në ditën e gjykimit.
Para së gjithash, atëherë, ne kemi dashurinë e Perëndisë të shfaqur ndaj nesh si mëkatarë. Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij dhe për shlyerjen [7] e mëkateve tona. Ne ishim të vdekur duke pasur nevojë për jetë dhe ishim fajtorë duke pasur nevojë për shlyerje. Shprehja: “Birin e tij të vetëmlindurin” jep idenë e marrëdhënies së vetme të cilën asnjë bir tjetër nuk mund ta ketë. Kjo e bën dashurinë e Perëndisë më tepër të paharrueshme, që Ai do të dërgonte Birin e Tij të vetëm në botë që ne të jetojmë përmes Tij.
Dashuria e Perëndisë nuk na u tregua sepse ne e deshëm më së pari Atë. Ne nuk e deshëm; në fakt, ne ishin armiqtë e Tij dhe e kemi urryer Atë. Me fjalë të tjera, Ai nuk na deshi sepse ne e deshëm Atë, por Ai na deshi pavarësisht nga antagonizmi ynë i hidhur. Dhe si na e ka treguar Ai dashurinë e Tij? Duke dërguar Birin e Tij si për të shlyer mëkatet tona. Shlyerje do të thotë kryerje e detyrimit, apo një zgjidhje e çështjes së mëkatit.
Disa liberalë mendojnë për dashurinë e Perëndisë veças veprës së shpengimit të Krishtit. Gjoni i lidh këtu të dyja duke mos pasur më të voglën kontradiktë. Denney komenton:
Vini re paradoksin kumbues të këtij vargu, se Perëndia është dashuri dhe zemërim dhe se dashuria e Tij siguron shlyerjen që largon zemërimin e Tij nga ne. Në vend që të gjejë një kontrast midis dashurisë dhe shlyerjes, apostulli nuk mund të shpjegojë asnjë ide dashurie ndaj askujt, përveçse duke lidhur shlyerjen me dashuri [8].
4:11 Gjoni tani forcon mësimin e një dashurie të tillë në ne: “Në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.”. Kushtorja në qoftë se këtu nuk shpreh dyshim, por më tepër është përdorur në kuptimin “meqë”. Meqë Perëndia ka treguar dashurinë e Tij në ata që tashmë janë populli i Tij, edhe ne duhet të duam ata që janë pjesëtarë me ne të familjes së Tij të bekuar.
4:12,13 Dashuria e Perëndisë është shfaqur në ne në kohën e tashme duke banuar në ne. Apostulli thotë: “Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.”. Te Gjoni 1:18 lexojmë: “Askush nuk e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.”. Në ungjillin e Gjonit shohim se Perëndia i padukshëm është bërë i njohur ndaj botës me anë të Zotit Jezu Krisht. Këtu kemi shprehjen “askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë” të përsëritur në letrën e Gjonit. Por tani Perëndia i është shfaqur botës, jo përmes Krishtit, sepse Ai është kthyer në qiell dhe tani është në të djathtë të Perëndisë. Por Perëndia i është shfaqur tashmë botës përmes besimtarëve. Sa e mrekullueshme është që ne tani jemi përgjigjja e Perëndisë ndaj nevojës së njeriut për ta parë Atë! Dhe kur ne duam njëri-tjetrin dashuria e tij është e përsosur në ne. Kjo do të thotë se dashuria e Perëndisë ndaj nesh ka arritur qëllimin e saj. Ne nuk kemi pasur kurrë si qëllim të jemi stacionet e fundit të bekimeve të Perëndisë, por vetëm kanalet. Dashuria e Perëndisë na është dhënë jo që ta mbajmë për vete, por që të mund të përhapet përmes nesh te të tjerët. Kur e duam njëri-tjetrin në këtë mënyrë kjo është provë se jemi në Të dhe ai në ne dhe se ne kemi marrë nga Fryma e Tij. Ne duhet të ndalojmë për të soditur të mrekulluar qëndrimin e Tij në ne dhe qëndrimin tonë në Të.
4:14 Gjoni tani shton dëshminë e tërë apostujve: “Ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës.”. Ky është një pohim i fortë i dashurisë hyjnore në veprim. “Ati e dërgoi Birin” përshkruan qëllimin e pakufishëm të veprës së Krishtit. W.E. Vine ka shkruar se “qëllimi i misionit të Tij ishte i pakufishëm për sa i përket njerëzimit, dhe vetëm mospendimi dhe mosbesimi i njeriut i vë kufi frytshmërisë së tij [9].”.
4:15 Bekimi i qëndrimit të Vetë Perëndisë në dikë është privilegji i çdo njeriu që rrëfen se Jezusi është Biri i Perëndisë. Këtu përsëri nuk kemi rrëfimin e një pëlqimi të thjeshtë intelektual, por një rrëfim që përfshin zotimin e dikujt ndaj Zotit Jezu Krisht. Asnjë marrëdhënie e ngushtë nuk është e mundur për dikë veçse të qëndrojë në Perëndinë dhe që Perëndia të qëndrojë në të. Është e vështirë për ne të përfytyrojmë një marrëdhënie të tillë, por duhet ta krahasojmë atë, në mbretërinë natyrore, me një mashë në zjarr, me një sfungjer në ujë apo me një tullumbace në ajër. Në secilin prej rasteve, objekti është në një element dhe elementi është në objekt.
4:16 Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Perëndia është dashuri dhe kjo dashuri duhet të gjejë një objekt. Ky objekt i veçantë i dashurisë së Perëndisë është shoqëria e tërë atyre që janë lindur në familje. Nëse unë do të jem në përbashkësi me Perëndinë, atëherë duhet të dua ata që do Ai.
4:17 Në këtë dashuria u përsos në ne. Nuk është dashuria jonë që u bë e përsosur, por dashuria e Perëndisë është bërë e përsosur në ne. Gjoni po na flet për kohët e ardhshme kur do të qëndrojmë para Zotit. Do të jetë me guxim dhe siguri apo do të jetë me tmerr kërcëllues? Përgjigjja është se do të jetë me guxim, ose siguri, sepse dashuria e përsosur e ka zgjidhur çështjen e mëkatit një herë e përgjithmonë. Arsyeja, për siguri në atë ditë që do të vijë, jepet në fjalët “sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë.”. Zoti Jezus është tani në qiell, duke hedhur gjykimin pas krahëve. Ai erdhi një herë në botë dhe vuajti ndëshkimin që meritonin mëkatet tona. Por Ai e ka kryer veprën e shpengimit dhe kështu që nuk do të merret më me çështjen e mëkatit. Sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë, që do të thotë, mëkatet tona u gjykuan në kryqin e Kalvarit dhe ne mund të këndojmë me besim:
Vdekja dhe gjykimi pas krahëve janë,
Hiri dhe lavdia më pret;
Çdo tallaz mbi Jezusin ra,
Atje harxhuan fuqinë e tyre më të madhe.
Znj. J. A. Trench
Ashtu siç është larguar gjykimi për Të, po kështu edhe ne nuk do të dënohemi.
4:18 Meqë kemi njohur dashurinë e Perëndisë, nuk kemi frikë se mos humbim. Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën. Është dashuria e Tij e përsosur që e nxjerr jashtë frikën. Unë jam i sigurt për dashurinë e Zotit para së gjithash, sepse Ai dërgoi Birin e Tij për të vdekur për mua. Së dyti, unë e di se Ai më do ngaqë banon në mua në këtë çast. Së treti, mund të shoh të ardhmen me besim dhe pa frikë. Me të vërtetë, frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri. Dashuria e Perëndisë nuk lejon të veprojë në jetët e atyre që e kanë frikë Atë. Ata nuk kanë shkuar tek Ai me pendim dhe nuk kanë marrë faljen e mëkateve.
4:19 Ne e duam atë [10], sepse ai na deshi i pari. Arsyeja e vetme që ne e duam është sepse Ai na deshi i pari. Dhjetë urdhërimet kërkojnë që një njeri të dojë Perëndinë dhe të afërmin e tij, por ligji nuk mund të prodhojë këtë dashuri. Si mund të sigurojë, pra, Perëndia këtë dashuri që kërkon drejtësia e Tij? Ai e zgjidhi këtë problem duke dërguar Birin e Tij për të vdekur për ne. Një dashuri e tillë e mrekullueshme bën që zemrat tona të kthehen tek Ai. Ne themi: “Ti ke derdhur gjak dhe ke vdekur për mua; që tani e tutje do të jetoj për Ty.”.
4:20 Gjoni thekson kotësinë e rrëfimit të dashurisë ndaj Perëndisë ndërsa në të njëjtën kohë urrehet vëllai. Ashtu si spicat i afrohen qendrës së gomës, po kështu ata afrohen ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, sa më shumë i afrohemi Zotit, aq më tepër do të duam besimtarët. Ne nuk duam aspak më tepër Zotin sesa duam një nga ndjekësit e Tij më të vegjël. Gjoni argumenton pamundësinë e dashjes së Perëndisë të cilin nuk e kemi parë nëse nuk duam vëllezërit që i kemi parë.
4:21 Gjoni e mbyll këtë pjesë duke përsëritur urdhërimin që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.
B. Doktrina e shëndoshë (5:1a)
Gjoni tani përfundon me provat e jetës. Këtu ai përmbledh provën e doktrinës, ose ne mund ta quajmë provën e besimit. Në tri vargjet e para, na jepen rezultatet e besimit. Këto janë, së pari, lindja hyjnore, pastaj dashuria për Perëndinë, pastaj dashuria ndaj besimtarëve dhe së fundi bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Para së gjithash, ne kemi lindjen hyjnore: Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia. Fjala “beson” këtu nuk flet për një besim të thjeshtë intelektual të faktit, por për më tepër: për një përkushtim të jetës sate ndaj Jezusit si Krishtit.
C. Dashuria dhe bindja që sjell (5:1b-3)
5:1b Nëse me të vërtetë kemi lindur nga Perëndia, atëherë do ta duam Atë. Dhe jo vetëm kaq, por gjithashtu do të duam edhe bijtë e Tij. Është mirë të vëmë re këtu se ne duhet të duam të gjithë besimtarët dhe jo vetëm ata që i përkasin një grupi të veçantë.
5:2, 3 Rezultati i katërt i besimit është bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Nga kjo ne dimë t’i duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Ata që janë me të vërtetë të shpëtuar dallohen nga një dëshirë për të bërë vullnetin e Perëndisë. Dashuria jonë për Perëndinë shprehet në bindjen e vullnetshme ndaj urdhërimeve të Tij. Zoti Jezus ka thënë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.”.
Kur Gjoni thotë se urdhërimet e tij nuk janë të rënda, ai nuk nënkupton se nuk janë të vështira, por më tepër që ato janë gjërat e duhura që njerëzit e lindur sërish pëlqejnë t’i bëjnë. Kur i thoni një nëne të kujdeset për fëmijën e saj, po i thoni diçka që ajo pëlqen ta bëjë. Urdhërimet e Zotit janë gjërat më të mira për ne dhe gjërat në të cilat natyra jonë e re merr një kënaqësi të madhe.
D. Besimi që mposht botën (5:4,5)
5:4 Pastaj mësojmë të fshehtën e fitores mbi botën. Sistemi i botës është një skemë e madhe tundimi, që përpiqet gjithmonë për të na larguar nga Perëndia dhe nga ajo që është e përjetshme, duke u përpjekur të na mbajë të zënë me gjëra që janë të përkohshme dhe epshore. Njerëzit e botës janë të përpirë plotësisht nga gjërat e tokës dhe ndjenjave. Ata janë bërë viktima të gjërave kalimtare.
Vetëm njeriu që ka lindur me të vërtetë nga Perëndia e mund botën, sepse prej besimit ai mund të mposhtë gjërat e kësaj bote që humbasin dhe mund t’i shohë gjërat sipas perspektivës së vërtetë dhe të përjetshme. Prandaj ai që me të vërtetë e mund botën nuk është shkencëtari, filozofi apo psikologu i madh, por besimtari i thjeshtë, i cili kupton se gjërat që shihen janë të përkohshme dhe ato që nuk shihen të përjetshme. Një pamje lavdie e Perëndisë në fytyrën e Jezusit venit lavdinë e kësaj bote.
5:5 Ashtu siç e kemi parë, tema e kësaj pjese është besimi si një provë e jetës së përjetshme. Gjoni sapo ka përmendur se ai që e mund botën është ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë. Tashmë ai vazhdon të shtjellojë të vërtetën rreth veprës së Zotit Jezu Krisht.
E. Doktrina e shëndoshë (5:6-12)
5:6 Ai thotë: “Ky është ai që erdhi me anë të ujit e gjakut.”. Një diskutim i madh ka dalë për sa i përket domethënies së këtyre fjalëve. Disa mendojnë se uji dhe gjaku i referohen asaj që rrjedh nga brinja e Shpëtimtarit (Gjoni 19:34). Të tjerë mendojnë se uji i referohet Frymës së Perëndisë dhe se gjaku i referohet gjakut të derdhur në Kalvar. Të tjerë besojnë se kjo është një reference e lindjes natyrore, ku uji dhe gjaku janë përbërës. Ne duam t’ju paraqesim një interpretim të katërt që merr në veçanti parasysh herezinë gnostike, të cilën apostulli po përpiqet ta luftojë në këtë letër.
Ashtu siç është përmendur më parë, gnostikët besonin se Krishti zbriti mbi Jezusin kur ky u pagëzua dhe u largua nga Ai para kryqëzimit, pra, në kopshtin e Gjetsemanit. Me fjalë të tjera, ata thoshin: “Krishti nuk vdiq në kryq, por Jezusi-njeri vdiq.”. Kjo, sigurisht, i zhvesh veprës së Tij çdo vlerë shlyese për mëkatet e të tjerëve. Ne sugjerojmë se Gjoni po përdor ujin si emblemë të pagëzimit të Jezusit dhe gjakun si një simbol të vdekjes së Tij shlyese. Këto janë dy stacionet e fundit të shërbesës së Tij publike. Gjoni po thotë se Jezusi ishte njëkohësisht edhe Krisht kur vdiq në kryq, po ashtu edhe kur u pagëzua në lumin Jordan. Ky është ai që erdhi me anë të ujit e gjakut – jo vetëm me anë të ujit (të cilin pranojnë gnostikët), por me anë të ujit e me anë të gjakut. Duket sikur zemra njerëzore po përpiqet në mënyrë të vazhdueshme të çlirojë vetveten nga doktrina e shlyerjes. Njerëzit do të pëlqenin ta kishin Zotin Jezus si njeriun e përsosur, shembullin ideal, i cili na ka dhënë një kod moral të mrekullueshëm. Por këtu Gjoni ngul këmbë se Zoti Jezus jo vetëm është njeri i përsosur, por edhe Perëndi i Përsosur, gjithashtu dhe, se i Njëjti që u pagëzua në lumin Jordan dha jetën e Tij si flijim për mëkatarët. Njerëzit i thonë Krishtit: “Zbrit nga kryqi dhe ne do të të besojmë ty.”. Nëse ata do të zhdukin kryqin nga mendimet e tyre do të ishin të lumtur. Por Gjoni thotë: “Jo. Ju nuk mund ta ndani Zotin Jezu Krisht nga vepra e Tij shpenguese në Kalvar.”.
Fryma është ai që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta. Kjo do të thotë se Fryma e Shenjtë e Perëndisë dëshmon gjithmonë për të vërtetën rreth Zotit Jezus që Gjoni po shpall. Ai jep dëshmi se Krishti nuk erdhi vetëm me ujë, por me ujë dhe me gjak, sepse kjo është e vërteta e Perëndisë.
5:7, 8 Gjithmonë ka shqetësuar disa të krishterë të zellshëm për të mësuar, që disa fjalë të vargjeve 7 dhe 8 (siç gjenden në versionet KJV dhe NKJV) gjenden vetëm në disa dorëshkrime greke të DhR [11]. Por kjo nuk ndikon fare të vërtetën e frymëzimit të Shkrimeve. Disa mendojnë se është e rëndësishme t’i mbajmë këto fjalë sepse ato përmendin tre Personat e Trinitetit. Megjithatë, e vërteta e Trinitetit nuk varet vetëm nga këto vargje, por gjendet në shumë pjesë të tjera të Shkrimeve.
Pasi ka folur në vargjet e mëparshme për Personin dhe veprën e Krishtit, Gjoni tashmë vazhdon të shpallë vërtetësinë e besimit tonë në Të. Ai thotë se tre janë ata që dëshmojnë (fjalët “mbi dhe” nuk duhet të përfshihen): Fryma, uji dhe gjaku; dhe këta të tre janë të një mendimi. Megjithëse Fjala e Perëndisë duhet të jetë e mjaftueshme për ne, si bazë e besimit, Ai denjon të na japë një dëshmi të trefishtë rreth të vërtetës. Para së gjithash, Fryma e Perëndisë jep dëshmi për të vërtetën se Jezu Krishti është Perëndi dhe se Ai është Shpëtimtari i vetëm i botës. Dëshmia e Frymës gjendet në fjalën e shkruar të Perëndisë.
Pastaj është dëshmia e ujit. Ne besojmë se kjo ka të bëjë me atë që ndodhi në pagëzimin e Zotit Jezus. Në atë ngjarje, Perëndia hapi qiejt dhe shpalli hapur: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”. Prandaj Perëndia Atë i shtoi dëshminë e Vet Perëndisë Frymë për sa i përket Personit të Krishtit.
Së fundi, është dëshmia e gjakut. Në kryq, Zoti Jezus dha dëshmi rreth Vetes së Tij se ishte Biri i Perëndisë. Askush nuk ia hoqi jetën; Ai e dha Vetë atë. Nëse do të ishte një njeri i thjeshtë, nuk do ta kishte bërë këtë. Gjaku i Zotit Jezu Krisht dëshmon se çështja e mëkatit është zgjidhur një herë e përgjithmonë për kënaqësinë e Perëndisë. Të gjithë këta të tre dëshmojnë se janë të një mendimi, që do të thotë se janë të bashkuar në dëshminë rreth përsosmërisë së Personit dhe veprës së Krishtit.
5:9 Tani Gjoni del në pah me një argument: “Në qoftë se ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe.”. Në jetën tonë të përditshme, vazhdimisht pranojmë fjalën e njerëzve që kemi afër. Nëse nuk e bëjmë këtë, punët do të jenë në amulli dhe jeta shoqërore do të ishte e pamundur. Ne pranojmë dëshminë e njerëzve që mund të gabojnë dhe mund të mashtrojnë. Nëse bëjmë këtë në jetën tonë të përditshme, aq më tepër duhet t’i besojmë fjalës së Perëndisë, që nuk mund të dështojë dhe gënjejë. Është më e paarsyeshme të mos i besosh Perëndisë. Dëshmia e Tij është plotësisht e besueshme.
5:10 Kur një njeri pranon dëshminë e Tij rreth Birit të Tij, Perëndia vulos të vërtetën duke i thënë atij dëshminë e Frymës në vetvete. Nga ana tjetër, nëse një njeri mashtron Perëndinë, ai e bën Atë gënjeshtar; sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij. Njerëzit mendojnë se mund të pranojnë apo të mos pranojnë dëshminë e Perëndisë rreth Krishtit, por Gjoni u bën të ditur se të mos e pranosh atë do të thotë ta bësh Perëndinë të pandershëm.
5:11 Tani Gjoni përmbledh lajmin e krishterë: “Dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij.”. Çfarë të vërtetash të mrekullueshme ka këtu, domethënë, se Perëndia u ka dhënë jetën e përjetshme njerëzve dhe se burimi i kësaj jete është në Birin e Tij.
5:12 Nga kjo, përfundimi është i pashmangshëm. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën. Mësimi është i pagabueshëm. Jeta e përjetshme nuk gjendet në arsimimin, filozofinë, shkencën, veprat e mira, fenë ose kishën. Për të pasur jetën një njeri duhet të ketë Birin e Perëndisë. Nga ana tjetër, ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën, që do të thotë, jetën e vërtetë. Jeta e përjetshme është e pandashme nga Jezu Krishti.
F. Siguria përmes Fjalës (5:13)
Kemi arritur në pjesën përfundimtare të Letrës. Para së gjithash, Gjoni pohon me termat më të qartë se pse ka shkruar pjesët e mëparshme. Qëllimi është që ata që besojnë në emrin e Birit të Perëndisë, të dinë se kanë jetën e përjetshme. Nëse ke veçoritë e atyre që janë bij të Perëndisë, atëherë mund të dish se ke lindur në familjen e Perëndisë. Ky varg na mëson gjithashtu një tjetër të vërtetë të çmuar, domethënë, se siguria e shpëtimit vjen përmes fjalës së Perëndisë. Gjoni i shkroi këto gjëra që njerëzit të dinë se kanë jetën e përjetshme. Me fjalë të tjera, Shkrimi u shkrua që ata që besojnë në Zotin Jezus të kenë sigurinë se janë të shpëtuar. Nuk ka pse të shpresohet, hamendësohet, ndihet, apo të kërkohet me duar në errësirë. Nuk është hamendësi për dikë të thotë se është i shpëtuar. Gjoni shpall në mënyrën më të qartë të mundur se ata që me të vërtetë besojnë në Zotin Jezus të dinë se kanë jetën e përjetshme.
G. Besimi në lutje (5:14-17)
5:14, 15 Kur e dimë se kemi jetë të përjetshme, mund të themi me plot gojë se mund të shkojmë para Zotit me siguri. Gjoni përshkruan këtë siguri në vargun 14 dhe 15. Ne e dimë që… nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të Perëndisë, ai… plotëson lutjet tonat. Në të vërtetë ne duhet të kemi frikë të lutemi për diçka që nuk është sipas vullnetit të Tij. Mbase dikush mund të thotë: “Por si mund ta njoh vullnetin e Perëndisë?”. Në përgjithësi, përgjigjja është se vullneti i Perëndisë na është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë dhe, kështu, ne duhet të studiojmë Fjalën në mënyrë që të njohim më mirë se cili është vullneti i Perëndisë dhe se si mund të lutemi me më tepër zgjuarsi.
5:16 Gjoni jep një çast në të cilin besimtari mund të ketë siguri në lutje, por ai gjithashtu citon një shembull ku siguria është e pamundur. Nëse dikush sheh vëllanë e vet se kryen një mëkat që nuk çon në vdekje, le t’i lutet Perëndisë, dhe ai do t’i japë jetën, atyre që bëjnë mëkat që nuk çon në vdekje. Kjo, në pamje të parë, është një rast në të cilin një i krishterë shikon një besimtar që kryen gjëra që janë mëkat. Por kjo nuk është një situatë e jashtëzakonshme ku ai njeri që kryen atë mëkat do të disiplinohet me vdekje. Përkundrazi, në këtë rast, besimtari mund të kërkojë përtëritjen e atij që ka gabuar dhe Perëndia do t’i japë jetën besimtarit, për ata që nuk bëjnë mëkat që çon në vdekje.
Nga ana tjetër, ka mëkat që çon në vdekje thotë apostulli; nuk them që ai të lutet për këtë.
MËKATI
QË ÇON NË VDEKJE
Është e pamundur të themi me siguri të plotë se çfarë është mëkati që çon në vdekje dhe, mbase, drejtimi më i sigurt për të ndjekur është të rendisim interpretime të ndryshme të pranuara dhe pastaj të themi se cili mendojmë se është më i sakti.
1. Disa mendojnë se mëkati që çon në vdekje ka të bëjë me mëkatin që një besimtar e kryen vazhdimisht dhe që nuk është rrëfyer nga ai. Tek 1 Korintasve 11:30 lexojmë se disa kishin vdekur sepse merrnin pjesë në Darkën e Zotit pa shqyrtuar vetveten.
2. Të tjerë mendojnë se ka të bëjë me mëkatin e vrasjes. Nëse një i krishterë vret një njeri tjetër, në një çast nisur nga ndjenjat, atëherë nuk jemi të detyruar të lutemi për çlirimin e tij nga dënimi me vdekje, sepse Perëndia ka shpallur tashmë se është vullneti i Tij që “cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri.”.
3. Të tjerë mendojnë se ka të bëjë me blasfeminë kundër Frymës së Shenjtë. Zoti Jezus ka thënë se ata që thonë se mrekullitë e Tij kryhen me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve, kishin kryer mëkatin e pafalshëm dhe se nuk kishte falje për këtë mëkat as në këtë botë as në atë tjetër.
4. Të tjerë mendojnë se është ndonjë formë e veçantë mëkati, si ai i kryer nga Moisiu, Aaroni, Anania, apo Safira dhe për të cilët Perëndia dërgoi gjykimin e Tij.
5. Një shpjegim i fundit është se bëhet fjalë për mëkatin e apostazisë dhe ne besojmë se ky është shpjegimi që i shkon përshtat më mirë kontekstit. Një femohues [apostat] është ai që dëgjon të vërtetat e mëdha të besimit të krishterë, është bindur në mendje se Jezusi është Krishti, ka bërë rrëfimin se është i krishterë, edhe pse nuk është shpëtuar me të vërtetë. Pasi ka shijuar gjërat e mira të krishterimit, ai heq dorë plotësisht nga ato dhe hedh poshtë Zotin Jezu Krisht. Tek Hebrenjve 6 mësojmë se ky mëkat çon në vdekje. Ata që kryejnë këtë mëkat nuk kanë rrugë shpëtimi, meqë “ata, për veten e tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.” Në tërë këtë letër Gjoni ka pasur gnostikët në mendje. Këta mësues të rremë kishin qenë më parë në mesin e të krishterëve. Kishin rrëfyer se ishin të krishterë. Kishin njohur faktet e besimit, por pastaj i kthyen shpinën Zotit Jezus dhe pranuan një mësim që mohonte plotësisht hyjninë e Tij dhe mjaftueshmërinë e veprës së Tij shlyese. Një i krishterë nuk mund të ketë liri në lutje për përtëritjen e diçkaje nga një gjë e tillë, sepse Perëndia ka treguar tashmë në fjalën e Tij se ata kanë mëkatuar për vdekje.
5:17 Çdo paudhësi është mëkat; por ka mëkat që nuk çon në vdekje. Ka ndryshime të dukshme në shkallët e mëkatit dhe ka mëkate që nuk janë të një natyre serioze sa për të çuar në vdekje.
H. Njohja e të vërtetave frymërore (5:18-20)
5:18 Duke filluar me vargun 18 Gjoni e çon letrën e tij drejt një fundi madhështor duke përsëritur siguritë e mëdha të besimit të krishterë. Ne dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton. Për këtë mund të jemi të sigurt, se dikush që ka natyrën hyjnore nuk vazhdon të praktikojë mëkatin. Arsyeja është kjo: Ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij [12], dhe i ligu nuk e prek atë. Ashtu si në 3:9 kjo i referohet besimtarit të vërtetë që e ruan veten e tij përmes natyrës së tij hyjnore. Vetëm një njeri i tillë mund të mbetet i padëmtuar nga i ligu.
5:19 Përgjigjja e krishterë ndaj atyre që rrëfejnë se kanë një njohuri më të lartë është: Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota dergjet në ligësi. Me Gjonin nuk mund të kemi përzierje fjalësh. Ai shikon vetëm dy anë: në Të apo në ligësi. Të gjithë njerëzit ose janë të shpëtuar ose janë të humbur dhe pozicioni i tyre varet nga marrëdhënia e tyre me Jezu Krishtin. Dëgjo këtë, o gnostik!
5:20 E vërteta e tretë e madhe është ajo e Mishërimit. Ne dimë se Biri i Perëndisë erdhi. Kjo është tema me të cilën Gjoni nisi këtë letër dhe me të cilën tani po e mbyll. Ardhja e Zotit Jezus na zbuloi Atë që është i vërteti, domethënë, i vërteti Perëndi. Perëndia Atë mund të njihet vetëm përmes Zotit Jezu Krisht. “I vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është Ai që e ka bërë të njohur.”. Pastaj Gjoni shton: dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht. Përsëri theksi vihet në faktin që nëse jemi vetëm në Jezu Krishtin mund të jemi në Perëndinë. “Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.”. Ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme. Me fjalë të tjera, Gjoni po mëson atë që mohonin gnostikët, pra, se Jezu Krishti është Perëndi dhe se jeta e përjetshme gjendet vetëm në Të.