Gjenealogjitë (1 Kronikave 1-9)

Nëntë kapitujt e parë të 1 Kronikave përmbajnë tabelat e gjenealogjisë, ose “pemët e familjes”, ashtu siç pëlqejmë t’i quajmë. Gjenealogjitë ishin shumë të rëndësishme për judenjtë, duke u përpjekur të ruanin ndarjet e tyre fisnore. Pas pështjellimit të robërisë, ishte gjithashtu e rëndësishme të rivendoseshin gjenealogjitë mbretërore dhe priftërore. Ka disa pjesë në këta kapituj ku emrat e disave ndryshojnë nga ata të dhënë në pjesë të tjera të Biblës. Ka arsye të ndryshme për këto mospërputhje në dukje. Ndonjëherë një njeri kishte më shumë se një emër. Nuk është për t’u çuditur që disa emra kanë ndryshuar në shqiptim me kalimin e kohës. Mbi të gjitha, ekziston një mijëvjeçar midis disa gjenealogjive te Zanafilla dhe pjesëve të barasvlefshme këtu te Libri i Kronikave (1400-400 para K.). Në shumë raste kemi të bëjmë me gabime të kopjuesit. Një vështrim në gjuhën hebraike do të tregojë se sa thjesht mund të ndodhë një gjë e tillë. Këto “mospërputhje” nuk mund ta pengojnë studentin serioz, meqë shumë prej tyre nuk ekzistonin në dokumentet origjinale dhe në asnjë mënyrë nuk prek doktrinat e mëdha të besimit [8].

A. Nga Adami tek Abrahami (1:1-27)

Libri i Zanafillës duket sikur ka qenë burimi i këtyre gjenealogjive. Vargjet 1-4 kthehen te Zanafilla 5 (Adami deri te Noeu). Vargjet 5-23 paraqisin pasardhësit e Noeut, ashtu siç regjistrohen te Zanafilla 10. Nga Zanafilla 11 vjen gjenealogjia e Abrahamit (v. 24-27).

B. Nga Abrahami te Izraeli (1:28-54)

Pasardhësit natyrorë të Abrahamit te Zanafilla 25 jepen te vargjet 28-33. Pasardhësit e Isakut, birit të premtimit, shtjellohen më pas. Esau, nga Zanafilla 36, përmendet në vargjet 35-54, duke qartësuar kështu udhën për pasardhësit e Jakobit (Izraelit). Kapitujt 2 deri në 9 paraqesin pasuesit e Izraelit. Këtu në kapitullin e parë shkrimtari i Kronikave e ngushton vështrimin nga Adami, ati i racës njerëzore, te Jakobi, ati i dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Ai menjëherë i heq të gjithë nga skena, përveç kombit të zgjedhur. Këtu kemi gjithashtu fillimin e gjenealogjisë së Mesias (krahasoni me Lluka 3:34-38).

C. Pasardhësit e Izraelit (kapitujt 2-8)

1. Juda (2:1-4:23) Juda ishte kreu i fisit më të madh dhe kryesori në bekim e premtim dhe kështu gjenealogjia e tij është e para dhe më e gjata që shtjellohet (2:3-4:23). Gjenealogjitë e dy pasardhësve të Judës shtjellohen në mënyrë më të plotë – Kalebi: 2:18-20, 42-55 (ky nuk është Kalebi i Numrave 13; shikoni 4:15) dhe Davidi: 3:1-24. Disa shënime historike janë shpërndarë midis gjenealogjive. Këto janë gjëra mbi të cilat Fryma e Shenjtë kërkon të tërheqë vëmendjen tonë, pikat e interesimit në këtë shtrirje panoramike të historisë së Izraelit. Në gjenealogjitë e Judës, marrëveshjet e Perëndisë me dy njerëzit e ligj dhe bekimet e Tij ndaj një njeriu të drejtë na tërheqin vëmendjen tonë. “Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i keq në sytë e Zotit, i cili e bëri të vdesë” (2:3). Ai ishte pasardhësi i martesës së Judës me Shuan, një grua kanaanease (Zanafilla 38:1-10). Nuk na thuhet se çfarë bëri, por vetëm se ishte i keq në sytë e Zotit. Ligësia e tij i kushtoi privilegjet e tij si i parëlindur, vendin e tij në gjenealogjinë e Mesias dhe po ashtu jetën. Emri i tij u bë një njollë e zezë në regjistrimin familjar për tërë brezat që e shikonin. Njerëzit duhej të mendoheshin mirë para se t’i bënin gjërat, para se të ishte tepër vonë. “Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë te Zoti do të bëhen zotër të tokës” (Psalmi 37:9). Historia e Akanit (2:7) gjendet te Jozueu 7. Ai “pa”, “pati një dëshirë të madhe” dhe “mori” (Joz. 7:21) gjërat që nuk lejoheshin të merreshin në Jeriko. Ai solli një problem në Izrael, sepse, për shkak të mëkatit të tij, vdiqën tridhjetë e gjashtë njerëz në sulmin e pasuksesshëm kundër Ait. Ai u zbulua nga Zoti dhe ai e familja e tij u ekzekutuan. “Jabesin e nderonin më tepër se vëllezërit” (4:9). Këtu kemi një njeri që kishte një koncept të gjerë për Perëndinë dhe e nderoi Atë duke kërkuar bekimet e Tij. Jabesi ishte një njeri besimi dhe Zotit i tërhoqi vëmendjen kjo. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Heb. 11:6). Ajronsajdi (Ironside) komenton: Lutja e tij është e katërfishtë: “Sikur të më bekoje”, pra, “Më jep lumturi të vërtetë”. Kjo gjendet vetëm nëse qëndrojmë dhe ecim me Perëndinë. “Zgjeroji kufijtë e mi”. Ai nuk ishte i kënaqur që të ecte para vetëm me atë që kishte. Ai donte të hynte dhe donte të gëzonte më tepër nga trashëgimia e Zotit. “Dora jote të ishte me mua”. Ai besoi në kujdesin mbrojtës të Perëndisë. Dhe së fundi, u lut: “Të më ruante nga e keqja që të mos vuaj!”. Mëkati është e vetmja gjë që mund të robërojë një fëmijë të Perëndisë për gëzimin e tij në Zotin [9]. Jabesi kërkoi dhe u shpërblye. Perëndia na forcoftë që të ndjekim shembullin e tij! Bithiahu (4:18) është një ndër gratë e pakta të përmendura në këto gjenealogji. Ajo ishte bija e Faraonit, por tani po jetonte me popullin e zgjedhur. Emri i saj do të thotë bija e Jehovahut. Një mospërputhje në pamje të parë duhet të përmendet para se të vazhdojmë. Te 2:15 Davidi quhet biri i shtatë i Isait ndërsa tek 1 i Samuelit 16:10,11 dhe 17:12 ai është i teti. Një nga bijtë e Isait do të ketë vdekur pa fëmijë, apo para se të martohej, dhe kështu nuk është përfshirë nga shkrimtari i Kronikave. 2. Simeoni (4:24-43) 4:24-43 Më pas vjen Simeoni, djali i dytë i Jakobit, mbase për shkak të lidhjes së ngushtë të fisit të tij me Judën. Pjesa e Simonit në Tokën e Premtuar ishte brenda territorit të Judës (Joz. 19:9). Qytetet e renditura te 4:28-33 ishin trashëgimia e tyre. Megjithatë, më vonë në histori ata pushtuan toka të tjera. 3. Rubeni, Gadi dhe gjysma e fisit të Manasit (krahu lindor i Jordanit, kapitulli 5) Kapitulli 5 shtjellon fiset transjordanike të Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit. Këtyre fiseve i është lënë një hapësirë e vogël. Ata ishin të parët që shkuan në robëri (5:26). Vargjet 1 e 2 shpjegojnë pse bekimi i parëbirnisë iu dha fiseve të tjera në vend të rubenitëve. Kur Jakobi bekoi bijtë e tij para se të vdiste (Zanafilla 49), ai e kujtoi ligësinë e Rubenit (Zanafilla 35:22) dhe i hoqi atij të drejtën e parësisë. Pjesa e dyfishtë e tokës që i takonte të parëlindurit iu dha Jozefit (përmes Efraimit dhe Manasit) dhe pjesa e dyfishtë përsa i përket udhëheqësisë iu dha Judës. Gaditët renditen te vargjet 11-17 dhe udhëheqësit e gjysmës së Manasit jepen në vargjet 23 e 24. Pjesa tjetër e kapitullit paraqet një rrëfim të shkurtër të fatit të këtyre fiseve. Së bashku ata kishin luftuar me sukses kundër hagarenëve (ismaelitëve, v. 10, 19-22). Duke pasur një ushtri të vogël prej 44 760 burrash, ata mundën një forcë shumë më të madhe armike. Ata besuan në Perëndinë e tyre (v. 20) dhe Ai u dha atyre fitoren dhe plaçkë të madhe (v. 21). Duke u hapur ndaj kombeve idhujtare rreth tyre, ata shumë shpejt u kurvëruan, duke shkuar pas perëndive të popujve të vendit që Perëndia kishte shkatërruar para tyre (v. 25). Ata u kthyen te perënditë që nuk mundën t’i shpëtonin ismaelitët dhe braktisën Perëndinë e vetëm të vërtetë, forca e të cilit i kishte pushtuar. Kështu Perëndia i la në duart e mbretit të Asirisë që i internoi. 4. Levi (kapitulli 6) 6:1-53 Ky kapitull shtjellon bijtë e Levit, pasardhësit e birit të tretë të Jakobit. Vargjet 1-5 dhe 49-53 shtjellojnë familjen më të famshme të këtij fisi, atë të Aaronit. Priftëria e lartë i ishte dhënë Aaronit dhe bijve të tij, dhe kështu përligjet rëndësia e një gjenealogjie të përpiktë nga Aaroni deri në robëri. Samueli (v. 28), biri i Elkanahut (v. 27), ishte një profet i madh dhe gjyqtari i fundit në Izrael, para se Sauli të bëhej mbret. Shërbesa e tij përshkruhet tek 1 i Samuelit. Levi kishte tre bij: Gershomin, Kehathin dhe Merarin. Gjenealogjitë e tyre jepen te vargjet 16-30. Vargjet 31-48 përmbajnë tri gjenealogji: Hemani, një kehathit (v. 33-38); Asafi, një gershomit (v. 39-43) dhe Ethsani, një merarit (v. 44-47). Këta ishin “këngëtarët” që Davidi caktoi që të shërbenin para Zotit (v. 31,32). Hemani ka gjasa të jetë autori i Psalmit 88. Ai ishte një pasardhës i profetit Samuel. Ka psalme që mbajnë emrin e Asafit – për shembull Psalmi 50 dhe Psalmet 73-83. Ethsani ka gjasa të jetë autori i Psalmit 89. 6:54-81 Pjesa e mbetur e kapitullit është një listë e qyteteve dhe e tokave dhënë levitëve nga fiset e tjera. Kjo ishte në përputhje me urdhrin e Zotit me anë të Moisiut (Num. 35:1-8). Urdhri u zbatua me mbikëqyrjen e Jozueut (Joz. 21). 5. Isakari (7:1-5) Gjashtë fise përmenden në kapitullin 7: Isakari (v. 1-5) Beniamini (v. 6-12) Neftali (v. 13) Gjysma e fisit të Manasit (krahu perëndimor i Jordanit, v. 14-19) Efraimi (v. 20-29) Asheri (v. 30-40) Këto gjenealogji nuk janë afërsisht të plota si ato të Judës apo të Levit, mbase ngaqë nuk u takonte as froni, as priftëria. 6. Beniamini (7:6-12) Edhe pse fisi i Beniaminit ishte zvogëluar në 600 burra për shkak të marrëzisë së tyre (Gjyq. 20), duket se ata kishin rifituar forcën dhe madhësinë e tyre. Pasardhësit e Beniaminit renditen përsëri në kapitullin 8. Këtu në kapitullin 7 theksi vihet në lidhje me popullin, ndërsa në kapitullin tjetër në lidhjen e Beniaminit me Saulin dhe Jerusalemin. 7. Neftali (7:13) Katër bijtë e Neftalit quhen bijtë e Bilhahut, sepse ajo ishte nëna e Neftalit. Pasardhës të mëtejshëm të këtyre katër bijve janë anashkaluar [10]. 8. Gjysma e fisit të Manasit (krahu perëndimor i Jordanit, 7:14-19) Pasardhësit e Manasit që jetonin në lindje të Jordanit në Galaad e Bashan u regjistruan te 5:23,24. Kjo pjesë shtjellon gjysmën e fisit që u vendos në Kanaan, në perëndim të Jordanit. Një pasardhës i Manasit, që del në pah në gjenealogji, është Zelofehadi, që kishte vetëm vajza. Ato përmenden te Jozueu 17:3 dhe kujtohen sepse kërkuan trashëgiminë që Zoti u kishte premtuar grave në raste të tilla (shikoni Num. 27:1-11). Gratë judease kishin të drejta në atë kohë kur shumë gra pagane s’kishin. 9. Efraimi (7:20-29) Shkrimtari futet në të thella me fisin e Efraimit, në mënyrë që të tregojë gjenealogjinë e Jozueut, efraimitit më të famshëm të historisë së lashtë. Njerëz që kryejnë bëma për Perëndinë janë një lavdi për familjet e tyre, kujtohen me dashamirësi dhe mbahen si shembuj për brezat pasues. 10. Asheri (7:30-40) Katër bijtë e Asherit dhe motra e tyre Serah përkon me listën te Zanafilla 46:17. Pasardhësit e tyre ishin njerëz të zgjedhur, të fortë dhe trima. 11. Beniamini (kapitulli 8) 8:1-28 Beniamini, Juda dhe disa nga fisi i Simeonit e Levit formuan mbretërinë jugore, që u përfshi në robërinë babilonase. Shumë nga izraelitët që u kthyen në Judë nën drejtimin e Nehemias ishin nga këto fise; prandaj kemi këtë hapësirë të madhe kushtuar këtyre gjenealogjive. Beniaminitët shtjellohen këtu më plotësisht sesa te 7:6-12. Kur i krahasojmë këto dy lista, po ashtu edhe ato që na jepen te Zanafilla 46:21 dhe Numrat 26:38-41, parimet e mëposhtme na ndihmojnë të kuptojmë mospërputhjet në dukje të tilla. 1. Disa burra kishin më tepër se një emër. 2. Shqiptimi i disa emrave ndryshoi me kalimin e kohës. 3. Disa emra mungojnë, sepse burrat vdiqën të rinj apo pa fëmijë. 4. Fjala e përkthyer bir (ben) mund të nënkuptojë bir, nip, stërnip etj. 5. Disa emra janë lënë mënjanë, sepse nuk janë pjesë e qëllimit të shkrimtarit të Kronikave. 8:29-39 Sauli, një beniaminit, ishte mbreti i parë i Izraelit. Gjenealogjia e tij jepet këtu dhe te 9:35-44. Vetëm pasardhësit e birit të tij, Jonathanit, mikut të Davidit, jepen këtu. Merib-Baali (v. 34) është një emër tjetër i Mefiboshethit [11]. Gjenealogjitë e Danit dhe të Zabulonit nuk jepen (Dani lihet mënjanë edhe në pjesë të tjera të Shkrimit, sidomos te Zbulesa 7).

D. Ata që u kthyen nga robëria (9:1-34)

Vargjet 2-9 përmendin shkurtimisht disa nga bijtë e Judës dhe Beniaminit që u kthyen në Jerusalem, prijës në shtëpitë e tyre atërore (v. 9). Vargjet 10-13 përmendin priftërinjtë, ndërsa vargjet 14-34 përmendin levitët e tjerë që u kthyen, duke përshkruar disa nga detyrat e tyre. Një listë tjetër e atyre që u kthyen mund të gjendet te Nehemia 11.

E. Gjenealogjia e Saulit (9:35-44)

Dhjetë vargjet e fundit të kapitulli 9, që janë në dukje të njëjtë me vargjet te 8:29-40, japin gjenealogjinë e Saulit dhe formojnë skenën për pjesën historike të 1 Kronikave (kapitujt 10-29). Historia e Saulit regjistrohet tek 1 i Samuelit 9-31.