Libri i parë i Kronikave

Kronikat kanë një karakter e bukuri të vetën dhe një pasuri morale, përtej çdo gjëje, sepse fillon dhe tregon se në rrënimin e gjithçkaje qëndron qëllimi i Perëndisë. Me këtë duhet të ngushëllojmë veten në kohën e tanishme. Ka një gjendje të rrënuar në botën e krishterë; por qëllimet e Perëndisë nuk dështojnë kurrë dhe ata që kanë besim i japin siguri vetes dhe gjejnë ngushëllim në qëndrueshmërinë e qëllimit të Perëndisë.William Kelly

Kronikat, që në fillim kanë qenë një libër i madh, zënë vendin e fundit në Biblën hebraike [1]. Titulli hebraik do të thotë “Gazeta” (e përditshmja), ose fjalë për fjalë “Fjalët e ditës”. Titulli në përkthimin grek (LXX) është “Harresë” (Paralipomena), një titull i pafat dhe çorientues [2]. Titulli ynë i shkëlqyer në anglisht rrjedh nga Vulgata latine e Jeronimit.

Meqë në pamje të parë 1 Kronikave duket se përsërit 1 e 2 Samuelit dhe 2 Kronikave përfshin të njëjtin material si 1 e 2 Mbretërve, çfarë ane të veçantë paraqisin Kronikat? Kronikat tregojnë ndryshime të dukshme nga librat e Samuelit dhe Mbretërve. Këta libra theksojnë anën historike të gjërave, ndërsa Kronikat atë frymërore. Kështu Kronikat përqendrohen në mbretërimin e Davidit dhe pasuesit e tij, në tempullin dhe adhuruesit e tij. Ato na japin hollësi që nuk gjenden më parë rreth priftërinjve, levitëve, muzikantëve, këngëtarëve dhe derëtarëve. Ato merren me mbartjen e arkës në Jerusalem, përgatitjen për ndërtimin e tempullit dhe reformat e disa mbretërve të mirë të Judës. Mbretëria veriore përmendet vetëm në marrëveshjet e saj me dinastinë e Davidit. Shkrimtari i Kronikave anashkalon historitë tragjike të Amnonit, Absalomit, Adonijahut dhe pabesinë e Salomonit. Kështu librat e Kronikave nuk janë aspak një përsëritje e panevojshme. Për më tepër, janë një interpretim frymëror i historisë që shfaqet në librat e mëparshëm.

Çështjet e mbretërisë së çdo mbreti u regjistruan rregullisht në një libër (1 i Mbreterve 14:29; 15:7 etj.). Pa dyshim që pjesët te Samueli dhe Mbretërit janë marrë nga ky burim i përbashkët, të cilat janë të njëjta me ato te Kronikat.

Disa i kanë kritikuar Kronikat si të paplota, ngaqë nuk e përfshijnë historinë e rëndësishme të periudhës e cila diskutohet [3]. Megjithatë, me perceptimin e zakonshëm frymëror, Uilliam Kelli (William Kelly) tregon se si Kronikat, si të gjithë librat e tjerë të frymëzuar, pasqyrojnë atë që ka dashur Fryma e Shenjtë:

Këto përmbledhje dëshmish të Perëndisë, që janë bashkuar në librin e Kronikave…, janë vetëm një pjesë; ato me qëllim janë vetëm një pjesë. Perëndia mund të na kishte dhënë një plotësi të tyre po të donte, por kjo nuk mund të vinte prej Tij. Vetë Perëndia ka planifikuar dhe është mjaftuar të shënojë ndjenjën e Tij për rrënimin e Izraelit, duke dhënë vetëm pjesë të shkëputura të informacionit këtu e atje. Nuk ka asgjë me të vërtetë të plotë. Te të dy librat e Kronikave zbatohet ky parim. Kjo zakonisht i çon në një mëdyshje të madhe njerëzit që duan t’i studiojnë, sepse ata, duke i parë ata me një vështrim të thjeshtë, nuk mund t’i kuptojnë. Ata i mendojnë këta libra të tërë të prishur. Por nuk është kështu. Këta libra janë shkruar, në mënyrë të mençur dhe të vullnetshme, nga Fryma e Perëndisë [4].

Kelli paraqet një zbatim të rëndësishëm të situatës në Izrael për gjendjen moderne të ndarë e katolike të popullatës së krishterë në dukje:

Kështu, jam i bindur se parashikimi me anë të hirit të Perëndisë për popullin e Tij në kohën e tanishme duket shumë i dobët, shumë i çrregullt, para një njeriu që hedh një vështrim të thjeshtë; por, kur shikoni më thellë në të, do të shikoni se është sipas mendjes së Perëndisë, dhe mëtimi për të pasur çdo gjë të plotë do të na lërë pa përbashkësinë me mendjen e Tij – vetëm sa do të na bëjë të ndihemi të kënaqur me vetveten, në vend që të ndiejmë me Të për gjendjen e thyer të Kishës së Tij [5].

Libri i Parë dhe i Dytë i Kronikave nuk janë libra të topitur historie. Ata janë një interpretim priftëror i historisë së shenjtë nga Adami deri te kthimi i Izraelit nga robëria babilonase. Ata janë shkruar për ne besimtarët dhe për t’u zbatuar në jetën tonë të përditshme.

II. Autorësia

Shumë komentues e mendojnë Esdrën si autorin dhe përpiluesin e Kronikave. Dy vargjet e fundit të të 2 Kronikave janë të njëjtët si te Libri i Esdrës dhe ka shumë ngjashmëri në stil. Shkrimtari i frymëzuar mbështetet në një numër veprash bashkëkohore për informacionin e tij, ashtu siç mund të shihen në listën e mëposhtme të veprave referuese që përmend:

  1. Libri i shikuesit Samuel (1 i Kronikave 29:29)
  2. Libri i profetit Nathan (1 i Kronikave 29:29)
  3. Libri i shikuesit Gad (1 i Kronikave 29:29)
  4. Profecia e Ahijahut, shilonitit (2 i Kronikave 9:29)
  5. Vegimet e shikuesit Ido (2 i Kronikave 9:29)
  6. Libri i profetit Shemaiah (2 i Kronikave 12:15)
  7. Libri i shikuesit Ido (2 i Kronikave 12:15)
  8. Kronikat e profetit Ido (2 i Kronikave 12:15)
  9. Libri i mbretërve të Izraelit dhe Judës (2 i Kronikave 20:34; 27:7; 32:32)
  10. Historia e librit të mbretërve (2 i Kronikave 24:26)
  11. Vegimi i profetit Isaia (2 i Kronikave 26:22; 32:32)
  12. Thëniet e Hozait [6] (2 i Kronikave 33:19)

III. Data

Kronikat u shkruan pas robërisë (2 i Kronikave 36:22,23). Duke përdorur gjenealogjitë mund të tregojmë datën më të përafërt. Personi i fundit në gjenealogjinë e Davidit, Anani (1 i Kronikave 3:24), është tetë breza pas mbretit Jehoiakin (i quajtur gjithashtu Jekoniah [v.17] apo Koniah [v.17, versioni NKJV]). Këtu jemi në vitin 600 para K. Duke lënë një hapësirë prej njëzet vjetësh për çdo brez, zhvendosemi të paktën në vitin 400 para K. Kronikat nuk mund të jenë shkruar më vonë se ky vit, përndryshe ky shkrimtar i përkushtuar ndaj pasardhjes së Davidit do të kishte përfshirë edhe pasardhës të mëvonshëm të mbretit.

Kështu mund të shohim se Kronikat janë librat e fundit të DhV, afër kohës së Malakisë.

IV. Sfondi dhe tema

Data e fundit e Kronikave na ndihmon gjithashtu të kuptojmë theksin e tyre. Nuk kemi më monarki, por pasardhja mbretërore paraqitet përsëri ashtu siç ka qenë, në përgatitje për Birin e Davidit, Mesian, që duhej të vinte.

Edhe pse monarkia nuk ekziston më, shërbimet në tempull janë ende thelbësore për jetën frymërore të kombit. Graham Skrogiu (W. Graham Scroggie) shkruan:

Përsëri gjithçka që duhej për të adhuruar theksohet këtu: tempulli dhe shërbimet e tij, priftërinjtë, levitët, këngëtarët dhe urrejtja ndaj idhujtarisë. Tregohet se problemet e kombit kishin ardhur për shkak të përçmimit prej tyre të urdhrave të Jehovahut dhe begatia e tyre erdhi si shkak i kthimit të tyre tek Ai. LIBRAT E MBRETËRVE janë politikë dhe mbretërorë, por LIBRAT E KRONIKAVE janë të shenjtë dhe kishtarë [7].

Ia vlen të vëmë re se që të dyja këto tema – Mesia dhe adhurimi – janë thelbësore për besimtarët e ditëve të sotme.

Libri i Dytë i Kronikave vazhdon atje ku mbaron i pari. Tek 1 Kronikave 29 Davidi cakton Salomonin si pasuesin e tij. Libri i Dytë i Kronikave vazhdon pasardhjen e Davidit nga Salomoni deri te kthimi i pjesës së mbetur të judenjve nga robëria babilonase. Libri i Parë e i Dytë i Mbretërve përfshin kryesisht të njëjtën periudhë kohore, por theksi te librat e Mbretërve vihet më tepër te Izraeli, ndërsa te Kronikave theksi vihet te Juda, ashtu siç e vumë re më parë. Mbretërit e Izraelit përmenden vetëm në lidhje me historinë e Judës. Edhe pse shumë prej materialit është i njëjtë në të dy librat, Kronikat ndonjëherë përmbajnë hollësi që nuk gjenden te Mbretërit, meqenëse janë shkruar më vonë dhe për një qëllim tjetër. Ne do të komentojmë disa nga ndryshimet midis dy librave, por është e pamundur që t’u gjejmë fundin të gjithave. Për këtë qëllim janë shkruar libra të tjerë.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. GJENEALOGJITË (kapitujt 1-9)
A. Nga Adami tek Abrahami (1:1-27)
B. Nga Abrahami tek Izraeli (1:28-54)
C. Pasardhësit e Izraelit (kapitujt 2-8)
1. Juda (2:1-4:23)
2. Simeoni (4:24-43)
3. Rubeni, Gadi dhe gjysma e fisit të Manasit (krahu lindor i Jordanit, kapitulli 5)
4. Levi (kapitulli 6)
5. Isakari (7:1-5)
6. Beniamini (7:6-12)
7. Neftali (7:13)
8. Gjysma e fisit të Manasit (krahu perëndimor i Jordanit, 7:14-19)
9. Efraimi (7:20-29)
10. Asheri (7:30-40)
11. Beniamini (kapitulli 8)
D. Ata që u kthyen nga robëria (9:1-34)
E. Gjenealogjia e Saulit (9:35-44)
II. VDEKJA E SAULIT (kapitulli 10)
III. MBRETËRIA E DAVIDIT (kapitujt 11-29)
A. Ushtria e Davidit (kapitujt 11,12)
1. Luftëtarët trima të Davidit (kapitulli 11)
2. Ndjekësit besnikë të Davidit (kapitulli 12)
B. Davidi çon arkën në Jerusalem (kapitujt 13-16)
C. Dëshira e Davidit për të ndërtuar tempullin dhe përgjigjja e Perëndisë (kapitulli 17)
D. Fitoret e Davidit (kapitujt 18-20)
E. Regjistrimi dhe murtaja (kapitulli 21)
F. Përgatitjet për tempullin (kapitujt 22-26)
1. Materialet, njerëzit dhe shtysat (kapitulli 22)
2. Ndarjet dhe detyrat e levitëve (kapitujt 23-26)
G. Udhëheqësit ushtarakë dhe qeverisës (kapitulli 27)
H. Ditët e fundit të Davidit (kapitujt 28,29)

[1] Prandaj kur Zoti ynë flet për gjakun e Abelit (Zanafilla 4:10,11) deri te gjaku i Zakarisë, birit të Berekiahut (2 i Kronikave 24:20,21), Ai po thotë “nga Zanafilla te Malakia” (apo Zbulesa).[[1]]

[2] Duket sikur shkrimtari i Kronikave mbushi atë që lanë pas dore librat e Samuelit dhe të Mbretërve.[[2]]

[3] Nëse librat e Kronikave do të ishin të ngjashme me librat e Samuelit dhe të Mbretërve, atëherë pa dyshim që do të kritikoheshin si të tepruara.[[3]]

[4] William Kelly, Lectures on the Books of Chronicles, f. 13.[[4]]

[5] William Kelly, Lectures on the Books of Chronicles, f. 13.[[5]]

[6] Versioni Septuagint e përkthen shikues. Fjala hebraike që përkthehet shikues është shumë afër me emrin Hozai.[[6]]

[7] W. Graham Scroggie, Know Your Bible, Vëll. 1, The Old Testament, f. 86.[[7]]