Jeta e Davidit deri te vdekja e Saulit (1 Samuelit 16-30)

A. Vajosja nga Samueli (16:1-13)

16:1-3 Ndërsa Samueli ishte i trishtuar për Saulin, Zoti i tha atij troç të përballej me faktin se Sauli ishte hedhur poshtë; Perëndia kishte zgjedhur një njeri tjetër për të udhëhequr popullin e Tij. Samueli duhej të shkonte në Betlem për të vajosur… njërin prej bijveIsait për të qenë mbret. Të bërit gjërat fshehtas nuk është e njëjta gjë me mashtrimin. Perëndia nuk po i thoshte Samuelit të gënjente rreth qëllimeve të tij në Betlem; ai në të vërtetë ofroi një flijim atje. Por vajosja e mbretit ishte një çështje e fshehtë për të mos u zbuluar për shumë vite. 16:4-13 Kur Samueli shkoi në Betlem, pleqtë u drodhën. Pasi ftoi Isanë dhe bijtë e tij për në festën e flijimit, ai i pa burrat me radhë, i bindur se mbreti i ardhshëm ishte para tij. Samueli duhej të kishte mësuar nga përvoja e tij me Saulin se njeriu i jashtëm nuk është aq i rëndësishëm sa njeriu i brendshëm (13:14). Perëndia gjykon zemrën (v. 7). Parimi i vargut 7 ka qenë gjithmonë i vërtetë: Njerëzit gjykojnë nga pamja, veshja dhe gjërat e jashtme. Por sot televizionet dhe gazetat nxisin pamjen e gabuar duke përdorur njerëz të famshëm në reklama, televizione dhe postera, deri në atë pikë saqë njerëzit e zakonshëm nuk duken aq kënaqës sa duhet. Sauli ishte i gjatë, ezmer dhe i pashëm. Në fakt, gjithashtu Davidi ishte me pamje të hijshme (v. 12), por dukej shumë i ri për shërbesa të mëdha. Fatkeqësisht kisha, sidomos në televizion, ka theksuar shpesh jo anën frymërore, por joshjen sipërfaqësore – me rrjedhoja shkatërrimtare kur bien këta idhuj të televizionit. Davidi duhej shkonte në festë. Ai ishte aq i vogël në sytë e të atit saqë Isai ishte i sigurt se profeti nuk do të interesohej për të. Por Zoti ishte shumë i interesuar për djalin bari dhe Samueli, duke iu bindur zërit të Perëndisë, vajosiDavidin. Që nga ajo ditë e më pas Fryma e Zotit zbriti fuqishëm te Davidi dhe u largua nga Sauli. Duhej të kalonin vite para se Davidi të vinte kurorën e Saulit, por që nga ajo ditë e më pas mbretëria ishte i sigurt për Davidin.

B. Shërbimi ndaj Saulit (16:14-23)

Rreth kësaj kohe Sauli filloi të mundohej nga një formë çrregullimi mendor prej një fryme të keqe. Shprehja: “një frym i keq nga ana e Zotit” shpjegohet me faktin se ajo që Perëndia lejon, zakonisht në Shkrimet shkruhet si ajo që Ai e bën. Dr. Rendëll Shorti (Rendle Short) analizon problemin e mbretit si vijon: Mbreti Saul mund të diagnostikohet si një shembull tipik i sëmundjes së marrëzisë depresive. Periudhat e errësirës së thellë me shpërthime të rastësishme dhune vrasëse duke mos pasur arsye të veçantë, zhgënjimi që njerëzit po komplotojnë kundër tij… janë të pagabueshme [15]. Shërbëtorët e Saulit hodhën idenë që mbreti të gjente një të talentuar në muzikë për ta qetësuar. U përmend emri i Davidit dhe Sauli dërgoi njerëz që ta thërrisnin. Vargu 18 tregon se Davidi ishte bërë i njohur, edhe para se të ndeshej me Goliathin. Muzika e tij dukej se e qetësonte mbretin nga depresioni. Sauli e pëlqente aq shumë atë, saqë e bëri Davidin shqyrtarin e tij vetjak.

C. Mundja e Goliathit (kapitulli 17)

17:1-11 Filistenjtë i mblodhën trupat e tyre për luftë afër luginës së Elahut, në jugperëndim të Jerusalemit dhe jo larg nga Gathi. Sauli dhe ushtria e tij u mblodhën aty afër, duke pasur luginën e Elahut midis tyre. Një kampion i quajtur Goliath doli nga kampi i filistenjve çdo ditë për dyzet ditë, duke sfiduar ushtritë e Izraelit për t’i dërguar atij një kundërshtar të denjë. Nuk pati asnjë vullnetar. Ky gjigant ishte rreth tre metra i lartë dhe armatura e tij peshonte të paktën 79 kg. Vetëm maja e ushtës së tij peshonte mbi 6 kg. Armët e rënda nuk ishin problem për Goliathin, meqë ai vetë mund të peshonte midis 272 dhe 340 kilogramëve (mbase edhe më tepër, në varësi të strukturës së trupit të tij). Kjo i jepte atij shumë më tepër forcë se një njeriu normal. 17:12-30 Një herë, kur Davidi po u çonte ushqim tre vëllezërve të tij më të rritur te fronti i betejës, ai dëgjoi talljet e gjigantit dhe pa frikën në fytyrat e ushtarëve hebrenj. Ai pyeti se çfarë do t’i bënin atij burri që do t’i mbyllte gojë atij shtaze krekosëse. Eliabi, vëllai i tij më i madh, e qortoi, mbase për të fshehur frikën e vet, por Davidi nguli këmbë duke kërkuar çmimin që do të merrte ai burrë që do të vriste gjigantin. 17:31-40 Sauli shumë shpejt mësoi se kishin gjetur një djalosh për të luftuar për Izraelin dhe Davidin e çuan para tij. Kur Sauli pa Davidin, ai pati dyshime të natyrshme rreth aftësive të djaloshit. Por Davidi kishte njohur fuqinë e Perëndisë duke vepruar përmes tij kur ai kishte mbrojtur bagëtitë e tij kundër luanit dhe ariut. Ai e kishte provuar Perëndinë në fshehtësi; tani ai mund të mbështetej në Perëndinë publikisht. Duke parë guximin dhe vendosmërinë e tij, Sauli i dha armaturën e vet, por Davidi nuk e vuri, sepse ishte një pengesë për të. Në vend të kësaj, ai doli para i armatosur me pesë gurë të lëmuar, hobenë, shkopin dhe fuqinë e Perëndisë së gjallë! 17:41-54 Kur Goliathi pa Davidin, që ishte rreth të njëzetave në atë kohë, ai u zemërua se Izraeli po e fyente duke i dërguar dikë që në sytë e tij ishte një fëmijë dhe duhej të luftonte me të. Por Davidi nuk tregoi shenja frike ndërsa iu përgjigj mallkimeve të gjigantit. Ai pati besim të plotë se Zoti do t’i jepte atij fitoren. Ndërsa Goliathi filloi t’i afrohej, Davidi hodhi me hobenë gurin e parë, duke e goditur atë në ballë. Pastaj Davidi përdori shpatën e filisteut për ta vrarë duke i prerë kokën. Kur filistenjtë e panë këtë ikën me vrap duke u ndjekur me të katra nga Izraeli. 17:55-58 Këto vargje [16] duket se përmbajnë një problem: Është e çuditshme që Sauli nuk e njohu Davidin kur ai tashmë e kishte caktuar si shqyrtarin e tij (16:21). Megjithatë, duhet të vihet re se nuk shkruhet se Sauli nuk e dinte se kush ishte heroi i vogël; thuhet thjesht se pyeti: “Bir i kujt është ky njeri?“. Sauli mund ta kishte harruar fare lehtë sfondin familjar të Davidit. Uilliamsi komenton: Sauli, duke premtuar çlirimin nga taksat për familjen e fitimtarit dhe dorën e vajzës së tij për ta martuar me një prikë të mirë, natyrshëm i kërkon Abnerit informata rreth babait të Davidit dhe vendin e tij në shoqëri… [17]. Kjo duket se miratohet nga fakti se Davidi më vonë shprehu padenjësinë e tij për të qenë dhëndri i mbretit (18:18). Majkëll Grifithsi (Michael Griffiths) bën një zbatim të mirë: Si Jonathani (kapitulli 14), po ashtu edhe Davidi ndërmorën një veprim në një front të vogël atje ku ishin, por ajo që bënë i çoi në fitore të mëdha. Edhe ne duhet të bëjmë punën pjesë-pjesë. Ne nuk mund të shpresojmë se mund ta sulmojmë tërë forcën armike, por nuk kemi pse ta bëjmë një gjë të tillë. Ka një punë për Jezusin gati në “frontin” tënd. Jemi thirrur të jemi të guximshëm atje ku jemi. Perëndia do të kujdeset për pjesën tjetër kur, si rrjedhojë e veprimit tonë, beteja do të përhapet në të gjithë frontin [18].

D. Martesa me Mikalin (kapitulli 18)

18:1-5 Midis Jonathanit dhe Davidit shpërtheu një miqësi e thellë dhe e gjatë. Ata ishin njerëz të ngjashëm, duke zotëruar çdokush atë cilësi të rrallë të guximit të vërtetë. Jonathani ishte pasuesi i ligjshëm i fronit të babait të tij, por duke i dhënë mantelinDavidit ai tregoi se ishte gati të paraprinte të drejtën e tij për ta parë Davidin të kurorëzuar në vend të tij. 18:6-16 Ndërsa Davidi vazhdonte të fitonte betejë pas beteje, Sauli bëhej tejet xheloz. Kur dëgjoi këngët e grave që lavdëronin Davidin me tepër se atë, ai u mbush me zemërim. Perëndia ndonjëherë përdor të keqen për të ndëshkuar të keqen; prandaj ai e lejoi Saulin të mundohej nga një frymë i keq (v. 10). Dy herë mbreti u përpoq të vriste Davidin, por të dyja herët Davidi iu shmang. Më pas Sauli e bëri komandant të një mijë ushtarëve, mbase duke menduar se Davidi do të vritej duke luftuar me filistenjtë (duket se ai më parë ka pasur një komandë më të madhe). Por Zoti ishte me Davidin dhe këto bëma sulmonin vëmendjen e tërë Izraelit. 18:17-30 Bija e mbretit i ishte premtuar njeriut që do të vriste gjigantin filiste, kështu Merabi, bija e tij më e madhe, iu ofrua Davidit. Megjithatë, më parë duheshin fituar të tjera fitore. Sauli ndërkohë shpresonte se Davidi do të vritej. Kur Davidi shprehu padenjësinë e tij shoqërore për të qenë dhëndri i mbretit, Merabin ia dhanë një njeriu tjetër, gjë e cila ishte një mënyrë e Saulit për të përulur Davidin. Por bija më e vogël e Saulit, Mikali, e dashuronte Davidin dhe Sauli pranoi t’ia japë atë atij, nëse ai siguronte një prikë prej njëqind lafsha filistenjsh. Përsëri Sauli shpresonte ta vriste Davidin me anë të filistenjve. Por Davidi nuk do të hiqej kaq lehtë. Ai u kthye me prikën e çuditshme, madje me dyfishin e saj dhe fitoi Mikalin si nusen e tij. Ndërsa suksesi i vazhdueshëm ushtarak e bëri të qartë se Zoti ishte me Davidin, urrejtja dhe frika e Saulit ndaj tij vazhdonte të rritej.

E. Largimi nga Sauli (kapitujt 19-26)

1. Besnikëria e Jonathanit (kapitujt 19,20) 19:1-7 Kur Jonathani kuptoi se ati i tij kishte si qëllim të vriste Davidin, ai e këshilloi Davidin të fshihej në një vend të fshehtë ndërsa ai do të përpiqej të qetësonte mbretin. Duke arsyetuar me Saulin rreth Davidit, Jonathani i kujtoi trimërinë, besnikërinë dhe suksesin e Davidit kundër armiqve të Izraelit. Ai nuk kishte bërë asgjë për të merituar vdekjen. Sauli u pajtua përkohësisht dhe Davidi u kthye në pozitën e tij në oborrin mbretëror. 19:8-10 Por kur filloi përsëri lufta, Davidi u shqua edhe një herë tjetër dhe xhelozia e Saulit u ndez përsëri. Fryma i keq u kthye dhe Sauli u orvat të gozhdonte Davidin në mur me shtizën e tij. Kjo ishte hera e tretë që nuk arriti ta godiste. Davidi mezi shpëtoi jetën e tij. 19:11-17 Po atë natë Mbreti Saul dërgoi lajmëtarë për ta vrarë Davidin në shtëpinë e tij. Mikali dëgjoi për komplotin dhe e ndihmoi të shpëtonte duke vendosur idhullin e shtëpisë në shtratin e tij (idhulli mbase i përkiste asaj, meqë Davidi nuk ka qenë kurrë një idhujtar). Kur Sauli dërgoi njerëzit për të kapur Davidin, dredhia e saj u zbulua. 19:18-23 Por edhe këtë herë Davidi shpëtoi. Ai shkoi në Ramah për të takuar Samuelin. Njerëzit e Perëndisë shkojnë te njerëzit e tjerë të Perëndisë në kohë problemesh. Tri herë lajmëtarët e Saulit dështuan për ta kapur Davidin, sepse, kur këta iu afruan profetëve që ishin me Samuelin, ata vetë filluan të profetizonin nën kontrollin e Frymës së Perëndisë. Më vonë, kur vetë Sauli e ndoqi Davidin, ai gjithashtu u mbërthye nga fuqia e Perëndisë. Kjo fuqi hyjnore ishte e njëjta gjë me kthimin. 19:24 Sërish njerëzit përsëritën fjalën e urtë rreth Saulit midis profetëve (10:11,12). Sjellja e tij e lëkundur mund t’i ketë ngatërruar ata. Fjala “lakuriq” nuk do të thotë “ashtu siç e ka bërë nëna”. Thjesht do të thotë se Sauli hoqi rrobat e tij të jashtme, simbolin e mbretërisë së tij. Ndërsa Perëndia e mbajti të shtrirë përtokë tërë atë ditë dhe tërë atë natë, Davidi shpëtoi (20:1). Vargu 24 nuk bie në kundërshtim me 15:34,35, që thotë: “Samueli nuk shkoi për ta parë më Saulin”. Këtu ishte Sauli që shkoi te profeti dhe kjo rastësisht dhe papritur. 20:1-3 Pasi u largua nga Najothi, Davidi shkoi te Jonathani dhe u përpoq të kuptonte pse Sauli kishte si qëllim që ta shfaroste atë. Në pamje të parë Jonathani nuk dinte asgjë rreth përpjekjeve të vazhdueshme të të atit ndaj jetës së Davidit. Davidi shpjegoi se mbreti nuk do t’ia tregonte planet e tij Jonathanit, për shkak të miqësisë që ekzistonte midis tij dhe Davidit. 20:4-9 U propozua një provë që do të tregonte qartë nëse Davidi ishte në rrezik apo jo. Në vend që të zinte vendin e tij në tryezën mbretërore për festën mujore, Davidi nuk do të paraqitej. Nëse Sauli pyeste për mungesën e tij, Jonathani do t’i shpjegonte se ai kishte shkuar për të bërë flijimin vjetor në Betlem (kjo mund të ketë qenë e vërtetë, edhe pse udhëtimi nuk tregohet në Shkrim. Nëse do të ishte gënjeshtër, thjesht tregohet si një fakt që nuk miratohet nga Perëndia). Në qoftë se Sauli nuk kundërshtonte, kjo do të tregonte se nuk kishte rrezik për Davidin; por në rast se mbreti zemërohej, ngaqë Davidi i kishte shpëtuar një herë tjetër nga duart, atëherë Jonathani do të mësonte se Davidi ishte në rrezik të madh. 20:10-17 Jonathani i premtoi të shkonin ndër fusha dhe ditën e tretë do t’i bënte të ditur Davidit se si kishin shkuar gjërat me anë të mjeteve të një shenje të caktuar më parë. Mbase duke kuptuar rrjedhojën e tërë kësaj, Jonathani i kërkoi Davidit të tregonte dashurinë besnike të Zotit ndaj tij dhe ndaj shtëpisë së tij kur do të merrte fuqinë. Del qartë nga vargjet 14-17 se Jonathani besoi se Davidi do të ishte mbret; por ai miratoi përsëri dashurinë e tij ndaj Davidit edhe pse kuptoi që të drejtat e fronit, që i takonin atij, do të ishin të Davidit. Çfarë përkushtim joegoist! 20:18-23 Këto vargje tregojnë me hollësi shenjën me anë të së cilës Davidi do të njoftohej për qëndrimin e mbretit. Jonathani do të shkonte ndër fusha dhe do të hidhte disa shigjeta afër një shkëmbi ku do të qëndronte i fshehur Davidi. Drejtimet nga do të shkonte djaloshi për të mbledhur shigjetat do t’i tregonin Davidit që të largohej për të shpëtuar jetën, apo për t’u kthyer në oborr pa asnjë rrezik. Ne mund të çuditemi se pse Jonathani shestoi tërë këtë skenë për të komunikuar me Davidin kur më vonë shkoi dhe foli me të drejtpërdrejt. Në këtë kohë ai mbase nuk mund ta ketë ditur se do të kishte mundësi ta takonte Davidin e të fliste me të. 20:24-34 Natën e parë të festës Sauli nuk tha asgjë rreth mungesës së Davidit, duke arsyetuar me vete se mbase ishte i papastër ceremonialisht. Por ditën e dytë, kur pyeti Jonathanin se ku ndodhej Davidi dhe pasi mori përgjigjen se kishte shkuar në Betlem, Sauli nuk e mbajti zemërimin, duke paditur Jonathanin se po përkrahte njeriun që do t’i merrte nderin atij dhe nënës së tij. Gjuha e tij ishte e ashpër dhe mënyra e tij e të sjellurit edhe më shumë ndërsa u përpoq ta mbërthente birin e tij pas murit, duke ia kaluar përkohësisht urrejtjen e tij ndaj Davidit Jonathanit. 20:35-42 Mëngjesin e ditës së tretë u dha shenja e caktuar dhe frika e Davidit u vërtetua. Ata qanë në krahët e njëri-tjetrit; tani ata duhej të bënin rrugë të ndara, nuk do të shijonin më shoqërinë e njëri-tjetrit. Davidi po haste pengesa, një pjesë e domosdoshme e planit të Perëndisë për ta përgatitur atë për fronin. Jonathani u kthye në oborrin e tij mbretëror, duke i mbetur besnik atit të tij, edhe pse e dinte me siguri se ai nuk do të ishte mbreti pasues i Izraelit. A duhej të kishte ikur ai me Davidin? A ishte e drejtë që t’i qëndronte besnik babait të tij, edhe pse Zoti e kishte refuzuar Saulin si mbret? 2. Mirësia e Ahimelekut ndaj Davidit (kapitulli 21) Edhe burrat e mëdhenj kanë këmbë balte. Davidi nuk bën përjashtim. Ky kapitull i trishtuar tregon gënjeshtrat e tij para tabernakullit, vendosur tashmë në Nob (v. 1-9) dhe marrëzia e tij e shtirur para filistenjve (v. 10-15). 21:1-6 Davidi kishte shkuar te Samueli (kapitulli 19) e Jonathani (kapitulli 20) dhe tani shkon te kryeprifti gjatë largimit të tij nga Sauli. Ahimeleku kishte frikë nga Davidi dhe u çudit se pse po udhëtonte vetëm (ai kishte disa miq që e prisnin në një vend tjetër – v. 2; Mat. 12:3). Davidi gënjeu duke thënë se ishte në një mision të fshehtë për mbretin. Më pas Davidi kërkoi pak bukë. Por ajo që ishte e mundshme ishte vetëm buka e paraqitjes, buka e shenjtëruar që përdorej në tabernakull për adhurim. Prifti ia ofroi atë Davidit, duke kërkuar siguri që njerëzit e tij nuk ishin të papastër ceremonialisht dhe që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale brenda disa ditëve. Davidi tha se njerëzit e tij ishin të pastër, por edhe ishin të shenjtë (të veçuar) nga virtyti i misionit të tyre të veçantë. Shekspiri kishte të drejtë kur tha: “Oh çfarë rrjete të koklavitur endim kur praktikojmë për herë të parë mashtrimin!”. Buka e paraqitjes sapo ishte hequr nga vendi i shenjtë dhe iu dha Davidit. Te Mateu 12:3,4 Zoti Jezus miratoi përdorimin e palejueshëm të bukës së paraqitjes, duke hamendësuar se kishte mëkat në Izrael dhe Davidi përfaqësonte çështjen e drejtësisë. Nëse Davidi do të kishte vendin e tij të drejtë në fron, nuk do të ishte e nevojshme të lypte për bukë. Ligji që ndalonte përdorimin përdhosës të bukës nuk kishte si qëllim të ndalte një vepër mëshire si kjo. 21:7-9 Doegu, një shërbëtor i Saulit, qëndronte para Zotit në Nob në atë kohë. Edhe pse ishte një edomit, ai ishte kthyer në fenë e hebrenjve dhe qëndronte me anë të një kushti, nga papastërtia, apo nga ndonjë kërkesë tjetër ceremoniale. Ai vëzhgoi bashkëpunimin e Ahimelekut me Davidin dhe i çoi njoftim Saulit. Ndërkohë, Davidi bëri një kërkesë të dytë, këtë herë për shpatë. Përsëri ai gënjeu, duke thënë se ishte në një mision të ngutshëm për mbretin. Iu paraqit shpata e Goliathit dhe Davidi e mori me dëshirë të madhe, duke shpallur se nuk kishte gjë tjetër që ia kalonte. Ai kishte besuar në Zotin për të vrarë gjigantin, por po besonte tani në shpatën e armikut të vrarë. 21:10-15 Atë ditë Davidi u largua nga Izraeli dhe iku në qytetin e Gathit, vendlindjen e Goliathit. Këtu ai, mbreti i vajosur i Izraelit, kërkoi strehë midis armiqve të popullit të Perëndisë. Kur filistenjtë filluan të dyshonin ndaj tij, ai u detyrua të sillej si i marrë për të shpëtuar jetën e tij. De Rothshildi (De Rothschild) vë re se Davidi e dinte mirë “se marrëzia u quajt e paprekshme, si e goditur, por e mbrojtur nga Hyjnia” [19]. Dhe kështu psalmisti i Izraelit lëshoi jargë në mjekrën e tij ndërsa shkarraviste mbi kanatet e dyerve. Për shkak të pashpirtmërisë së popullit të Perëndisë dhe mungesës së besimit nga ana e Davidit, ai u zhyt në sjelljen e tij përçmuese. Por Davidi nxori disa mësime të vlefshme përmes provës së rëndë. Para se të kaloni te kapitulli tjetër, lexoni Psalmin 34, që u shkruajt rreth kësaj kohe. Në këtë psalm nxjerrim mësime të tjera rreth karakterit të Davidit. Ai zotëroi një aftësi të veçantë përtëritjeje që e bëri të aftë të rritej në njohjen e Perëndisë, pavarësisht nga dështimet e tij. 3. Largimi i Davidit dhe vrasja e priftërinjve nga Sauli (kapitulli 22) 22:1,2 Kur Davidi u kthye në Izrael, gjeti strehë në shpellën e Adulamit, në territorin e Judës, në jugperëndim të Betlehemit. Ky u bë një vend për të gjithë ata që ishin në vështirësi, të pakënaqur dhe në borxhe. Davidi këtu është një simbol i Krishtit në mospranimin e Tij të tashëm, duke thirrur zemërlëshuarit pranë Vetes për shpëtim. Në një kohë të shkurtër, një ushtri e vogël prej rreth katërqind vetash u mblodh në Adulam; më vonë ajo do të arrinte në gjashtëqind veta. Në botë këta njerëz nuk e kishin gjetur veten e tyre, por nën komandën e Davidit ata u bënë njerëz me vlerë të madhe (2 i Samuelit 23). 22:3-5 Prindërit e Davidit ishin bashkuar gjithashtu me të. Për shkak të shqetësimit të mirëqenies së tyre, ai udhëtoi Moab për të bërë të mundur që ata të qëndronin atje ndërsa fshihej. Edhe pse Davidi ishte një pasardhës i Ruthit, një moabite (Ruth. 4:17), ai e pati gabim që besoi tek armiqtë e Zotit (tradita thotë se moabitët i vranë prindërit e Davidit). Më pas Davidi u kthye, profeti Gad i tha atij të largohej nga Adulami, kështu që ai shkoipyllin e Herethit, gjithashtu në Judë. 22:6-8 Në Gibeah, në vendin e Beniaminit, Sauli foli me fjalë të mëdha me beniaminitët dhe shërbëtorët e tij kundër Davidit. Ai i pyeti ata nëse Davidi do t’i kishte shpërblyer bujarisht siç kishte bërë ai. Davidi, mbi të gjitha, nuk ishte nga fisi i tyre. Sauli i paditi ata, ngaqë kishin mbajtur të fshehtë komplote kundër jetës së tij. Në këtë kohë ai ishte frikacak dhe pa arsye. Ai shihte çdo njeri kundër tij, edhe vetë birin e tij. 22:9-15 Idumei Doeg, duke pasur mundësinë për të lënë përshtypje te mbreti, i tha Saulit se si Ahimeleku, prifti, e kishte ndihmuar Davidin duke i thënë atij ushqime dhe duke u këshilluar me Zotin lidhur me të. Prifti dhe familja e tij u thirrën menjëherë para mbretit dhe u paditën për mashtrim. Si përgjigje, Ahimeleku përmendi besnikërinë e Davidit ndaj mbretit dhe pafajësinë e tij, sepse ndihmoi një njeri për të cilin besonte se ishte besnik ndaj Saulit. Ai tregoi se kjo nuk ishte hera e parë që ai ishte këshilluar me Zotin për Davidin. Përsa i përket padisë së Saulit se Davidi po rebelohej kundër tij dhe për komplotin e Davidit ku ai po priste Saulin, Ahimeleku tha se nuk dinte asgjë. 22:16-19 Veprimet e Saulit vërtetojnë se ai ishte gati i marrë në këtë kohë. Kur shërbëtorët e tij nuk pranuan të vrisnin priftërinjtë e Zotit, Doegu, një “qen” johebre, në kuptimin e plotë të fjalës, i goditi menjëherë, duke mos menduar shumë se ata ishin priftërinj dhe vrau tetëdhjetë e pesë prej tyre. Sikur kjo të mos mjaftonte, ai gjithashtu sulmoi Nobin, qytetin e Ahimelekut dhe vrau tërë banorët dhe bagëtitë. 22:20-23 Vetëm Abiathari mbijetoi; ai u strehua pranë Davidit dhe i tha atij atë që kishte ndodhur. Atëherë ai qëndroi me Davidin dhe shërbeu si kryeprift, ndërsa më vonë u hoq nga detyra prej Salomonit (1 i Mbreterve 2:27). Në një farë kuptimi vdekja e priftërinjve ishte rrjedhojë e gënjeshtrës dhe mashtrimit të Davidit (v. 22). Në një kuptim tjetër ishte gjykimi i Perëndisë mbi shtëpinë e Elit (2:31-36; 3:11-14). Por vetë Sauli duhet të mbajë pjesën më të madhe të turpit për masakrën, meqë ai dha urdhrin për të. Profeti (Gadi), prifti (Abiathari) dhe mbreti (Davidi), të gjithë në mërgim, simbolizojnë Krishtin sot ndërsa po pret derisa armiqtë e Tij të bëhen stol i këmbëve të Tij dhe derisa froni i Tij të vendoset në tokë. 4. Tradhtia e Kejlahut (kapitulli 23) 23:1-5 E njoftuan Davidin se qyteti i Kejlahut, në jug të Adulamit, po sulmohej nga filistenjtë. I drejtuar nga Zoti, ai luftoi kundër armikut, çliroi qytetin dhe zuri rob një tufë të stërmadhe bagëtie. 23:6-12 Kur Sauli dëgjoi se Davidi ishte në Kejlah, ai vendosi ta zinte atje në kurth. Por Davidi e zbuloi komplotin dhe i kërkoi Zotit drejtim se ku duhej të shkonte më pas. A do të ishte ai i sigurt në Kirjah? A do të ktheheshin banorët e qytetit me Saulin pavarësisht nga nderi që u kishte treguar ai? Përmes efodit që kishte marrë me vete Abiathari dhe në mënyrë të veçantë me Urimin dhe Thumimin, Perëndia zbuloi se, kur do të vinte Sauli, populli mosmirënjohës do ta tradhtonte Davidin. 23:13-18 Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij u larguan në drejtim të shkretëtirës së Zifit, në juglindje të Hebronit. Por edhe atje ata u përndoqën pa mëshirë. Në këtë vend Jonathani takoi Davidin dhe i dha zemër në Zotin. Çfarë shërbese e domosdoshme sot! Kisha do të përfitojë së tepërmi nëse do të kishte më tepër inkurajues përqark. Vetëm ata që kanë përjetuar fuqinë e një fjale përforcuese të folur në kohën e duhur njohin bekimet që i sjell shpirtit. Dashuria e Jonathanit për Davidin ishte vetëmohuese. Ai e siguroi Davidin se Perëndia do të përmbushte qëllimin e Tij për të, pavarësisht nga Sauli. Një njeri që ishte një mik, si Jonathani, është fatlum. Pse nuk qëndroi me Davidin dhe u kthye në shtëpi është një enigmë [20]. 23:19-29 Zifenjtë e tradhtuan gjithashtu Davidin, duke i çuar lajm Saulit se ku ndodhej ai dhe duke i premtuar ta dorëzonin të arratisurin në duart e mbretit. Kur Davidi dëgjoi se Sauli po afrohej, ai u largua në shkretëtirën e Maonit, duke e pasur Saulin këmba-këmbës. Atëherë kur dukej se do të dorëzohej, filistenjtë sulmuan Izraelin dhe Sauli u detyrua të linte ndjekjen. Pa dashje, armiqtë e Izraelit shërbyen si një aleat për mbretin e mohuar të Izraelit. Më pas biri i Isait udhëtoi në En-Gedi, në bregun perëndimore të Detit të Vdekur. 5. Kursimi i jetës së Saulit (kapitulli 24) 24:1-7 Pasi ishte çliruar kanosja e filistenjve, Sauli u kthye në kërkim të Davidit. Ai e gjeti atë në shkëmbinjtë e thepisur të En-Gedit. Atje mbreti hyri në një nga shpellat për të pushuar. Shpella që ai zgjodhi nuk ishte e zbrazur. Më thellë saj, njeriu që ai po ndiqte pa mëshirë po mbante njerëzit e tij që të mos i merrnin jetën mbretit! Ata menduan se Perëndia e kishte lënë Saulin në duart e tyre. Por Davidi nuk kishte marrë asnjë urdhër nga Perëndia që ta merrte mbretërinë me forcë. Ai ishte i kënaqur të priste kohën dhe metodën e Perëndisë. Edhe kur e kishte prerë cepin e mantelit të mbretit, ndërgjegjja e tij e vriste. Ai nuk e mori lehtësisht faktin se Sauli ishte vajosur si mbret i Izraelit. Perëndia duhej ta hiqte këtë mbret; Davidi duhej ta respektonte atë derisa Zoti ta hiqte vetë. 24:8-15 Pasi Sauli u largua, Davidi doli nga shpella dhe i thirri atij. Duke u përkulur para mbretit, Davidi i tha atij se njoftimet përgojuese që ai kishte dëgjuar nuk ishin të vërteta. Po atë ditë Davidi mund t’i kishte marrë jetën, por nuk kishte dashur, sepse Sauli ishte i vajosuri i Zotit. Pjesa e mantelit në duart e Davidit ishte tregues i mirësisë së tij. Një njeri i lig mund të ishte hakmarrë, por Davidi nuk e kishte një dëshirë të tillë. Ai e pyeti Saulin pse e kishte ndërmarrë këtë ndjekje të pamëshirshme kundër atij që ishte i padëmshëm dhe pa domethënie, si një qen i ngordhur dhe si një plesht. 24:16-22 I prekur përkohësisht nga fjalët e Davidit, Sauli pranoi drejtësinë e sjelljes së Davidit dhe ligësinë e vet. Për t’u çuditur është fakti se ai pranoi që Davidi një ditë do të mbretëronteIzrael dhe ai e shtyu Davidin të bënte një betim solemn: që do të sillej me mirësi me familjen e tij. Atëherë Sauli u largua paqësisht. Por pushimi që Davidi gëzoi ishte i shkurtër. Sauli shumë shpejt e harroi mirësinë e tij. Në fjalët e Davidit ndaj Saulit ai dy herë përmendi Zotin për të vepruar si gjykatës. Ai ishte më shumë i kënaqur ta linte çështjen e tij në duart e Perëndisë, sesa të bënte atë që dukej e drejtë për njeriun natyror. Një ndër gjërat që Pjetri kujtoi për Zotin tonë ishte se “kur e fyen, [Ai] nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht” (1 Pje. 2:23). Perëndia na ndihmoftë të jemi plotësisht të qetë përballë vështirësive! 6. Çmenduria e Nabalit (kapitulli 25) 25:1-9 Vdekja e Samuelit çoi drejt përfundimit të periudhës së gjyqtarëve. Kombi ishte bërë tashmë një monarki. Pasardhësit e Davidit do të zinin fronin e Izraelit përgjithmonë, duke qenë Krishti përmbushja e premtimit. Respekti i madh që kishte fituar Samueli tregohet nga trishtimi që mbërtheu anembanë kombin kur vdiq. Pas vdekjes së profetit, Davidi zbriti në shkretëtirën e Paranit, në pjesën jugore të Judës, mbase për t’u larguar sa më larg nga Sauli dhe skemave të tij vrasëse. Karmeli i përmendur në vargun 2 nuk ishte mali Karmel, që ndodhet në veri, por një qytet afër Maonit. Nabali ishte duke qethur delet e tij atje dhe Davidi, sipas zakonit, dërgoi disa të rinj për t’i kërkuar një dhuratë në këmbim të mbrojtjes që kishte treguar ndaj bagëtive të Nabalit. 25:10-13 Por Nabali iu përgjigj shërbëtorëve të Davidit në një mënyrë egoiste dhe të ashpër, aq sa Davidi u zemërua dhe u nis drejt Karmelit me rreth katërqind veta për të ndëshkuar Nabalin dhe shtëpinë e tij. 25:14-22 Gruaja e bukur e Nabalit, Abigaili, mësoi për rrezikun që kishte nxitur burri i saj me anë të sjelljes së keqe. Ajo menjëherë mblodhi një sasi të madhe produkti ushqimor dhe doli për të takuar Davidin. Ndërsa Davidi iu afrua Karmelit, ai po mendonte për të mirën që i kishte treguar Nabalit dhe përçmimin që Nabali kishte treguar ndaj tij. 25:23-31 Kur Abigaili takoi Davidin, ajo ra përmbys në këmbët e tij dhe i drejtoi një lutje imponuese dhe të suksesshme. Ajo në fillim pranoi se burri i saj e kishte hak emrin e tij (Nabal do të thotë i marrë apo i përçmuar). Kur njerëzit e Davidit kishin shkuar më parë, ajo nuk dinte gjë për këtë. Ndërsa kërkoi falje, ajo i kujtoi atij se Zoti e kishte penguar atë nga derdhja e gjakut dhe se Perëndia do të ndëshkonte armiqtë e tij – edhe Nabalin. Ajo tregoi mençuri të vërtetë frymërore për atë që ishte Davidi, i vajosuri i Zotit, dhe e lavdëroi atë sinqerisht ngaqë kishte luftuar betejat e Zotit. Sa më e mirë do të ishte kur ai të bëhej mbret nëse nuk do t’i duhej të shikonte pas në kohën kur iu desh të shtrinte dorën e tij dhe të merrte hak për veten e tij, në vend që të linte armiqtë e tij për hakmarrjen e Zotit! 25:32-35 Davidi u prek thellë nga këto fjalë diplomacie dhe e falënderoi atë ngaqë e ndaloi që të shkatërronte Nabalin. Zoti e di se si të sjellë njerëzit e drejtë në jetët tona për të na drejtuar dhe paralajmëruar. Ne duhet ta falënderojmë që Ai bën një gjë të tillë. Këshilla e Abigailit ishte e frytshme; dhurata e saj bujare u pranua. Davidi u largua nga Nabali me Zotin. Perëndia nuk priti shumë për të vepruar. Disa mund të argumentojnë se Abigaili dhunoi urdhrin e Perëndisë duke mos u këshilluar me të shoqin dhe duke përdorur pushtet mbi të. Megjithatë Bibla nuk thotë se ajo veproi gabimisht. Nga ana tjetër, ajo shpëtoi Nabalin dhe shtëpinë e saj nga shfarosja me anë të veprimit të saj të shpejtë. 25:36-44 Kur Abigaili u kthye në shtëpi, Nabali ishte i dehur xurxull. Ajo priti deri të nesërmen për t’i treguar atij se çfarë kishte ndodhur. Kur ai e mori vesh, u kap nga një paralizë, nga pika apo nga një infarkt zemre. Dhjetë ditë më vonë ai vdiq, duke lënë pas tërë pasuritë që kishte mbledhur në mënyrë egoiste për veten. Duke dëgjuar për vdekjen e Nabalit, Davidi menjëherë i dërgoi një propozim martese Abigailit, të cilin ajo e priti me përulësi të madhe. Davidi kishte marrë gjithashtu edhe një grua tjetër, Ahinoamin, gjatë kohës që ai fshihej. Ndërkohë, Mikali, gruaja e tij e parë, ishte martuar me një burrë tjetër. Në këtë histori shohim përsëri se kushdo që ngre lart vetveten do të përulet (Nabali u vra nga Perëndia) dhe ajo që përuli veten u ngrit lart (Abigaili u bë gruaja e mbretit, Lluka 14:11). 7. Kursimi i dytë i jetës së Saulit (kapitulli 26) 26:1-4 Përsëri zifenjtë ia raportuan vendndodhjen e Davidit Saulit (krahasoni 23:19). Sauli menjëherë mblodhi një forcë pesë herë më të madhe në numër se grupi i vogël i Davidit dhe zbriti në drejtim të shkretëtirës së Zifit. Nuk na thuhet se çfarë ndodhi që Sauli u nxit përsëri në këtë veprim. Kur këta të dy u ndanë pak kohë më parë, u duk sikur u pajtuan (kapitulli 24). Mbase njerëzit e ligj kishin nxitur përsëri urrejtjen e mbretit (shikoni v. 19). 26:5-12 Davidi e zbuloi kampin e Saulit dhe në mbrëmje ai dhe të afërmit e tij, Abishai, duke u ndërfutur në kamp, shkuan atje ku po flinte Sauli. Një gjumë i thellë nga Zoti e bëri të mundur këtë. Abishai donte ta godiste mbretin me një goditje të vetme, por Davidi e ndaloi që të bënte një veprim të tillë, sepse, edhe pse Sauli ishte një njeri i lig, ishte i vajosuri i Zotit. Ishte përgjegjësia e Zotit të merrej me të. Davidi mori shtizën e Saulit dhe kanën e ujit e u largua. 26:13-16 Kur Davidi ishte i sigurt jashtë kampit, ai ngriti zërin e tij dhe u tall me Abnerin për shkujdesjen e tij në ruajtjen e mbretit. Një shkujdesje e tillë meritonte vdekjen. Kana dhe shtiza që Davidi kishte marrë foli për çlirimin e dytë të Saulit nga vdekja prej dorës së tij. 26:17-20 Ajo që e habiste akoma Davidin ishte fakti se pse mbreti Saul po e ndiqte akoma atë pa reshtur kur i kishte treguar se nuk kishte ndërmend t’i bënte keq. Në rast se Zoti e kishte nxitur Saulin kundër Davidit, atëherë Davidi mund ta kënaqte Atë duke paraqitur një blatim flijues. Por në rast se njerëzit e kishin nxitur armiqësinë e Saulit, atëherë ata do të mallkoheshin, sepse ata po e largonin Davidin nga shenjtërorja e vetme ku mund ta adhuronin Perëndinë. Shprehja: “Shko t’u shërbesh perëndive të tjera” (v. 19b) ishte ajo që thoshin këta njerëz të ligj me anë të veprimeve të tyre, nëse jo me anë të fjalëve të tyre. Davidi kërkoi që të mos vdiste “larg pranisë së Zotit”, pra, në një vend të huaj (v. 20, versioni NASB). Sauli gjuante një plesht, ashtu siç gjuajnë një thëllëzë nëpër male. 26:21-25 Sauli në pamje të parë u pendua kur kuptoi se Davidi i kishte kursyer përsëri jetën. Ai pranoi se Davidi ishte më i drejtë se ai, sepse ai kërkonte jetën e tij pa shkak, ndërsa Davidi e kurseu jetën e Saulit, edhe pse mund ta kishte vrarë si vetëmbrojtje. Davidi i bëri një kërkesë të fundit Zotit për të mbajtur mend drejtësinë e tij. Atëherë Sauli iu përgjigj Davidit me një bekim e profeci me madhështi të ardhshme për “birin e tij David [21]. Davidi vazhdoi rrugën e tij dhe Sauli u kthye në qytetin e vet.

F. Banimi në Filisti (kapitujt 27-30)

1. Pranimi i Tsiklagut (kapitulli 27) 27:1-4 Shtrëngimi psikologjik që shkaktohej nga lëvizja e vazhdueshme nga një vend në tjetrin një hap përpara i vdekjes më në fund e mundi Davidin. Në vend të kujdesit të mrekullueshëm të Zotit për të, besimi i Davidit u lëkund. Ai kishte harruar faktin se ishte mbreti i vajosur i Izraelit. A e kishte caktuar atë Perëndia mbret dhe pastaj do të lejonte të vritej para se të mbretëronte? A do ta çlironte Perëndia atë nga dora e Goliathit vetëm për ta lënë në duart e Saulit? Jo, por rrethanat nxisin shpërqendrimi të perspektivës së dikujt. Rreziku i tashëm zakonisht errëson premtimet e Perëndisë. Davidi u largua përsëri nga vendi i filistenjve dhe u lidh me Akishin mbretin e Gathit. Kishte kaluar shumë kohë që nga hera e fundit në Gath, dhe Akishi mbase e dinte se ai ishte një i arratisur. Ky mbret pagan e mirëpriti ngrohtësisht, duke parë në të një luftëtar trim dhe një aleat kundër Izraelit. Ky nuk është patjetër i njëjti Akish që Davidi takoi te 21:10, meqë “Akish” ishte një emër mbretëror midis filistenjve [22]. Kur Sauli dëgjoi që Davidi kishte ikur nga vendi, reshti së ndjekuri. 27:5-7 Herën e fundit që Davidi kishte qenë në Gath (kapitulli 21) shërbëtorët e Akishit kishin dyshuar për të dhe ishin përpjekur ta vrisnin. Davidi nuk e kishte harruar këtë. Me një shfaqje thjeshtësie, tashmë nuk pranoi të banonte në kryeqytet dhe kërkoi një qytet për vete. Atij iu dha Tsiklagu, një qytet afër kufirit të Izraelit që në fillim i përkiste Judës (Joz. 15:31). 27:8-12 Gjatë muajit të gjashtëmbëdhjetë të qëndrimit të tij me filistenjtë, Davidi sulmoi geshuritët, girzitët dhe amalekitët. Këta njerëz ishin banorë paganë të Kanaanit, shkatërrimi i të cilëve ishte urdhëruar nga Perëndia (Eksodi 17:14; Joz. 13:13; 1 Sam. 15:2,3). Edhe pse në mërgim, Davidi po luftonte betejat e Zotit. Kjo përbën gati një paradoks: ai mund të besonte në Zotin si Ai që e ruante për fitoren mbi armiqtë e Izraelit, por nuk mund t’I besonte Atij për mbrojtjen nga Sauli! 2. Rrënimi i paracaktuar i Saulit (kapitulli 28) 28:1,2 Tashmë pozita e Davidit u bë tepër e vështirë. Filistenjtë po shkonin në luftë kundër Izraelit dhe Davidi u urdhërua nga mbreti të bashkohej me ta. Ndaj këtij urdhri ai u duk sikur pranoi, edhe pse fjalët e tij në vargun 2 shprehin dy kuptime – “Ti ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt për të të ndihmuar” ose “Ti ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt për të të mashtruar!”. Akishi zgjodhi domethënien e parë dhe e bëri Davidin një pjesëtar të truprojës së tij vetjake. 28:3-8 Ushtritë rivale u mblodhën në pjesën veriperëndimore të Izraelit në fushën e Esdraelonit (lugina e Armagedonit). Filistenjtë erdhën të fushojnë në Shunem dhe Izraeli në Gilboa. Kur Sauli nuk arriti të merrte një përgjigje nga Zoti, as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve, u kërkoi një medium. Më parë ai kishte urdhëruar që tërë mediumët në Izrael të vriteshin apo të dëboheshin sipas ligjit. Kur mori vesh se një medium ndodhej në rrethinat e qytetit të En-Dorit, Sauli u vesh ndryshe dhe u nis për tek ajo për të kërkuar këshillë nga të vdekurit. 28:9,10 Shqetësimi i parë i mediumes ishte siguria e saj. Ajo e kujtoi vizitorin e saj për vendimin e mbretit kundër mediumëve dhe shortarëve. Se si Sauli mund t’i premtonte mbrojtje në emrin e Zotit, i Cili kishte shpallur vdekjen e njerëzve të tillë, ose se si mediumi mund të ishte i sigurt me anë të një betimi ndaj Perëndisë, është një enigmë. 28:11-14 Komentuesit nuk janë në një mendje për atë që ka ndodhur më pas. Disa mendojnë se një frymë e ligë u shtir si Samueli, ndërsa të tjerë mendojnë se Perëndia e ndërpreu seancën papritur duke lejuar të shfaqej Samueli i vërtetë. Mendimi i dytë pëlqehet më tepër për këto arsye: mediumja u tromaks nga shfaqja e papritur e Samuelit në vend të frymëve familjare me të cilët lidhej zakonisht. Gjithashtu, teksti cilëson se ishte Samueli. Së fundi, fryma profetizoi me saktësi se çfarë do të ndodhte ditën e nesërme. 28:15-19 Sauli i tha Samuelit se pse e kishte thirrur nga mbretëria e të vdekurve. Qortimi i Samuelit mund ta ketë prerë thellë mbretin. A mendonte ai se mund ta ndihmonte Samueli ndërsa Perëndia, të cilit i kishte shërbyer Samueli, rrinte në heshtje? Në vend të kësaj, Samueli miratoi frikën më të thellë të Saulit. Mbretëria do t’i hiqej atij dhe do t’i jepej Davidit, ashtu siç kishte thënë më parë. Filistenjtë do ta mundnin Izraelin ditën e nesërme e Sauli dhe bijtë e tij do të bashkoheshin me Samuelin në vdekje. Kjo nuk do të thotë se ata do të kishin të njëjtin fat të përjetshëm. Nëse i gjykojmë nga frytet e tyre, duket se Sauli ishte një jobesimtar, ndërsa Jonathani ishte një njeri i besimit. 28:20-25 Tërë mëkatet e Saulit do të binin mbi të para se të binte nata. Me vështirësi mundi të hante diçka para se të rifillonte rrugën e tij. Viçi i majmë u ther, por jo për shkak të kremtimit. Fshehur në heshtjen e errët, njeriu i dënuar hëngri ushqimin e tij të fundit para se të zhdukej në errësirë. 3. Shkarkimi i Davidit nga Akishi (kapitulli 29) 29:1-5 Ndërsa filistenjtë i mblodhën tërë forcat e tyre për betejë, Davidi dhe njerëzit e tij u bashkuan me ta, duke marshuar me Akishin në praparojë të kolonës. Disa nga princat e filistenjve nuk e pranuan me mençuri praninë e Davidit. Ata kuptuan se ai mund t’i tradhtonte gjatë betejës. Si mund të pajtohej ai më mirë me Mbretin Saul veçse duke bërë një rresht me koka filistenjsh? A nuk ishte ai Davidi që ishte lavdëruar se kishte vrarë më tepër filistenj sesa Sauli? 29:6-10 Diskutimet e tyre ishin të arsyeshme, kështu që Akishi i kërkoi Daviditkthehej në Tsiklag. Përgjigjja e Davidit duket e padenjë për një njeri të Perëndisë. Ai protestoi se duhej të lejohej të luftonte kundër armiqve të mbretit, zotërisë tim” – edhe pse këta armiq ishin populli i tij. Davidi e kishte gënjyer Akishin më parë (kapitulli 27) dhe kjo mbase ishte një përpjekje tjetër për të mashtruar filistenjtë. Edhe pse dukej e vështirë të ndodhte, nëse ai kishte si qëllim të luftonte kundër Izraelit, Perëndia e parandaloi dhe e shpëtoi atë nga turpi i vrasjes së izraelitëve dhe i forcimit të krahut të filistenjve kundër tyre. Davidi nuk do të lejohej ta përdorte shpatën e Goliathit kundër Izraelit. 4. Mundja e amalekitëve (kapitulli 30) 30:1-6 Ndërsa Davidi kishte marshuar në veri me ushtritë e Akishit, amalekitët kishin sulmuar Tsiklagun dhe kishin zënë robër gratë dhe të vegjëlit. Kështu, kur Davidi u kthye gjeti vetëm gërmadhat e qytetit të tij. A ishte ky një gjykim i mundshëm i Perëndisë mbi të ngaqë ishte bashkuar me filistenjtë? Nëse është kështu, Davidi tregoi besimin e tij të madh në karakterin e Perëndisë sepse shkoi tek Ai për ngushëllim kur çdo gjë dhe çdokush ishte kundër tij. Ai e dinte se nuk ishte askush që do të kthehej për ta forcuar në një krizë të tillë të madhe përveç Zotit, për të cilin thuhet: “Ai na ka copëtuar, por do të na shërojë; na ka goditur, por do të na mbështjellë” (Os. 6:1). 30:7-15 Pasi kërkoi Zotin, Davidi doli për të ndjekur amalekitët, i sigurt për suksesin. Dyqind nga njerëzit e tij (një e treta) nuk mund të udhëtonin më tutje se përroi i Besorit, sepse ata ishin të shteruar emocionalisht nga humbja e tyre e fundit dhe të lodhur fizikisht nga marshimi i tyre treditor për në Tsiklag. Davidi i la ata atje dhe u drejtua për në jug me katërqind njerëzit e mbetur, të cilët e ndoqën edhe pse ishin të lodhur. Shumë shpejt gjetën në fushë një egjiptas të shqetësuar që ishte braktisur nga pronari i tij amalekit, që e la të vdiste. Atij i dhanë ushqim e ujë dhe menjëherë mblodhi veten. Si këmbim të sigurisë së premtuar, ai e çoi Davidin në kampin e amalekitëve. 30:16-25 Gjëja e fundit që prisnin amalekitët ishte një mysafir surprizë në kremtimin e fitores së tyre. Davidi u hodh si një leopard mbi gazmorët dhe mundi plotësisht forcën më të madhe. Vetëm katërqind të rinj ia mbathën, duke hipur mbi deve. Robërit hebrenj u çliruan pa pësuar asnjë dëm dhe u mor një sasi e madhe plaçke, gjithçka në më pak se njëzet e katër orë. Davidit iu dhanë delet dhe gjedhët e marra nga amalekitët si pjesa e tij; por disa nga njerëzit e tij nuk donin ta ndanin pjesën e mbetur të plaçkës me shokët e tyre që kishin qëndruar në Besor. Davidi e bëri normë që ata që “ruanin plaçkat” do ta ndanin në mënyrë të barabartë plaçkën me ata që kishin shkuar në betejë (shikoni gjithashtu Num. 31:27). 30:26-31 Davidi e ndau plaçkën e tij në dhurata për miq të ndryshëm të Judës. Këto dhurata iu dërguan të gjitha vendeve nga kishte kaluar. Këto tregonin se Perëndia e kishte begatuar kundër armiqve të tij. Ai gjithashtu mund të jetë përpjekur të forconte miqësinë e tij për të fituar mbështetje në betejën e tij kundër Saulit, duke mos kuptuar se Sauli tashmë kishte vdekur.
[previous][next]


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (16:14-23) Arthur Rendle Short, The Bible and Modern Medicine, f. 71. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (17:55-58) Te versioni Septuagint mungojnë këto vargje. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (17:55-58) Williams, Student’s Commentary, f. 152. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (17:55-58) Michael Griffiths, Take My Life, f. 128. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (21:10-15) DeRothschild: nuk është i mundur informacion i mëtejshëm. ↵ Kthehu mbrapa
  6. (23:13-18) Mbase ndjeu një besnikëri ndaj pozitës së të atit edhe pse e dinte se personalisht e kishte gabim. ↵ Kthehu mbrapa
  7. (26:21-25) Këto mund të kenë qenë fjalë të thjeshta. Nga ana tjetër, nëse Sauli do të ishte i sinqertë, mund të kishte qenë një argument që, pavarësisht nga mëkati dhe paranoja e tij, kishte besim në Perëndinë. ↵ Kthehu mbrapa
  8. (27:1-4) Keil dhe Delitzsch, duke hedhur idenë e një mbretërimi pesëdhjetëvjeçar si “të pamundur”, besojnë se i njëjti Akish përmendet në të dy tekstet, po ashtu edhe te 1 i Mbreterve 2:39 (“Samuel”, VII:255). ↵ Kthehu mbrapa