A. Lavdërimi i Palit për thesalonikasit (1:2-10)
1:2,3 Sa herë që Pali lutej përmendte thesalonikasit (A jemi ne kaq besnik në përmendjen e vëllezërve dhe motrave të krishterë?). Dhe ai lutej gjithnjë me falënderime për ta, duke kujtuar vazhdimisht veprën e tyre të besimit, mundimin e tyre të dashurisë dhe qëndrueshmërinë e tyre të shpresës.
Vepra e tyre e besimit mbase i referohet kthimit të tyre te Perëndia. Ky përshkrim i besimit si vepër na kujton ndodhinë kur disa njerëz i thanë Jezusit: “‘Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?’ Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ‘Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar'” (Gjon. 6:28,29). Në këtë kuptim besimi është një vepër. Por nuk është punë e rëndë, me anë të së cilës një njeri mund të fitojë merita apo me anë të së cilës mund të mburret. Në fakt është vepra e vetme që njeriu mund të kryejë pa ia hequr Krishtit lavdinë e Tij si Shpëtimtar dhe pa mohuar gjendjen dhe pozicionin e vet si një mëkatar pa shpresë. Besimi është një vepër që nuk ka meritë, me anë të së cilës krijesa pranon Krijuesin e saj dhe mëkatari pranon Shpëtimtarin e tij. Shprehja veprën e besimit përfshin gjithashtu jetën e besimit që pason kthimin te Zoti.
Përveç veprës së besimit, Pali kujton mundimin e tyre të dashurisë. Kjo flet për shërbimin e tyre për Perëndinë të shtyrë nga dashuria për Zotin Jezus. Krishterimi nuk është një jetë që duhet duruar për hir të detyrës, por shërbimi ndaj një Personi për hir të dashurisë. Të jesh skllavi i Tij do të thotë liri e përsosur dhe “dashuria për Të e bën punën e rëndë – hyjnore”. Krahasuar me dashurinë, shtysa për përfitim është një nxitje e lirë dhe pa shije. Dashuria për Krishtin bën shërbimin që paraja nuk mund ta bëjë. Thesalonikasit ishin një dëshmi e gjallë e këtij fakti.
Së fundi, Pali ishte mirënjohës për qëndrueshmërinë e tyre të shpresës. Kjo flet për qëndrueshmërinë e tyre duke pritur Jezusin. Ata kishin hequr përndjekje si pasojë e qëndrimit të tyre të pathyer për Krishtin. Por asnjë e çarë nuk ishte shfaqur në atë që Filipsi e quan “durimin e tyre të pastër këmbëngulës”.
Vendi i kujtesës tregohet nga fjalët përpara Perëndisë, Atit tonë. Ndërsa Pali futej në praninë e Perëndisë në lutje, ai rrëfen me hollësi lindjen dhe rritjen frymërore të shenjtorëve dhe shpërthen në falënderime për besimin, dashurinë dhe shpresën e tyre.
1:4 Apostulli ishte i sigurt se këta shenjtorë ishin zgjedhur prej Perëndisë para themelimit të botës. Por nga e dinte ai? A mos kishte ai parandjenja të mbinatyrshme? Jo, ai e dinte se ata ishin midis të zgjedhurve nga mënyra se si kishin pranuar ungjillin.
Doktrina e zgjedhjes [4] mëson se Perëndia zgjedh disa njerëz në Krishtin para themelimit të botës (Efesianeve 1:4). Ajo nuk mëson se Ai zgjedh disa për t’i dënuar. Nëse njerëzit janë të humbur përfundimisht, është për shkak të mëkatit dhe mosbesimit të tyre.
Po Bibla që mëson zgjedhjen mëson gjithashtu për përgjegjësinë njerëzore apo zgjedhjen e lirë të njeriut. Perëndia bën një ofertë të vërtetë shpëtimi ndaj gjithë njerëzve kudo ku janë. Cilido shkon te Krishti do të gjejë një mikpritje të ngrohtë.
Këto dy doktrina, zgjedhja dhe liria e zgjedhjes, krijojnë një konflikt të papajtueshëm në mendjen njerëzore. Por Bibla i mëson të dyja dhe kështu ne duhet t’i besojmë të dyja edhe pse nuk mund t’i harmonizojmë.
Ne nuk e dimë se cilët janë të zgjedhurit dhe kështu ne duhet t’ia çojmë ungjillin tërë botës. Mëkatarët nuk duhet ta përdorin doktrinën e zgjedhjes si një përligjje të mosbesimit. Nëse ata do të pendohen dhe do të besojnë në Zotin Jezus Krisht, Perëndia do t’i shpëtojë ata.
1:5 Me shprehjen “ungjilli ynë” Pali nuk nënkupton një mesazh tjetër nga ai i apostujve të tjerë. Përmbajtja ishte e njëjtë; ndryshimi ishte te lajmëtarët. Thesalonikasit nuk ishin sjellë me mesazhin si me një shkrim të thjeshtë letrar; ata e pranuan atë, sigurisht me fjalë, por jo vetëm me fjalë.
Ai shkoi tek ata me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje: 1. Me fuqi: mesazhi veproi në jetët e tyre me energji të mbinatyrshme, duke sjellë në ta bindje për mëkat, pendim dhe kthim. 2. Me Frymën e Shenjtë: fuqia u prodhua nga Fryma e Shenjtë. 3. Me shumë bindje: Pali e predikonte me besim të madh mesazhin. Thesalonikasit e pranuan atë me shumë bindje si fjalën e Perëndisë. Rrjedhoja në jetët e tyre ishte bindja e plotë e besimit.
Pali tani i kujton ata për sjelljen e tij ndërsa ishte me ta. Ai jo vetëm predikoi ungjillin, por jetoi një jetë sipas tij. Predikimi më i mirë është një jetë e shenjtë.
1:6 Prandaj Pali mund të thoshte: “Ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit”. Dikush mund të priste që ai të thoshte: “të Zotit dhe tanët”, duke përmendur Zotin në fillim. Por këtu ai po jep rendin e përvojës së tyre. Njohja e tyre e parë e Zotit Jezus qe në jetën e apostullit.
Është e udhës të mendojmë se njerëzit duhet të shikojnë Krishtin në ne. Ne duhet të jemi të zotë të themi me Palin: “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit” (1 e Korintasve 11:1).
Vini re se ata pranuan fjalën në mes të një pikëllimi të madh dhe me gëzim. Kështu e kishin imituar ata Zotin dhe apostujt. Nga ana e jashtme kishte pikëllim të madh, nga ana e brendshme kishte gëzim. Kjo është një ndërthurje e pazakontë! Për njeriun e botës është e pamundur të përjetojë gëzim dhe pikëllim në të njëjtën kohë; për të brenga është e kundërta e gëzimit. I krishteri ka gëzimin e Frymës së Shenjtë, gëzim i cili është i pavarur nga rrethanat; për të e kundërta e gëzimit është mëkati.
Pikëllimi që duronin ata ishte përndjekja që pasonte kthimin e tyre.
1:7 Thesalonikasit u bënë të krishterët shembullorë. Së pari, shembulli i tyre i gëzimit në mes të përndjekjeve ishte një shembull për besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë, që do të thotë, gjithë të krishterëve në Greqi.
1:8 Por dëshmia e tyre nuk u ndal aty. Ata po prodhonin të krishterë. Ashtu si valëzimet në një pellg, fjala e Perëndisë u përhap në vendet përreth. Së pari në Maqedoni dhe në Akai, pastaj në çdo vend. Shumë shpejt lajmi i besimit të tyre te Perëndia u përhap aq shumë saqë Pali nuk kishte nevojë të fliste për të; njerëzit tashmë e dinin vetë.
Ne nuk duhet të jemi stacionet e fundit të bekimeve tona, por kanale përmes të cilave ato mund t’u kalojnë të tjerëve. Perëndia ndriçon në zemrat tona në mënyrë që drita t’u ndriçojë të tjerëve (2 Kor. 4:6, përkthimi JND). Nëse kemi pirë me të vërtetë ujin e shpëtimit, atëherë lumenjtë e ujit të gjallë do të shpërthejnë përreth nesh (Gjon. 7:37,38).
1:9 Tashmë flitej nga të gjithë se kur apostulli dhe kolegët e tij shkuan në Thesaloniki ata u kishin bërë një mikpritje mbretërore. Gjithashtu dihej nga të gjithë se një shndërrim i çuditshëm kishte ndodhur në jetët e shumë njerëzve. Ata u kthyen nga idhujt e tyre te Perëndia dhe ia kishin dorëzuar vullnetin e tyre Perëndisë si shërbëtorë.
Vini re se ata u kthyen nga idhujt te Perëndia. Nuk ishte se atyre u kishte ardhur në majë të hundës me idhujt e tyre dhe po e provonin një herë me Perëndinë. Jo, ata u kthyen… te Perëndia dhe u kënaqën në Të saqë hodhën idhujt e tyre.
Është ai shikim që thyen Pjetrin,
është ajo fytyrë që pa Stefanin,
është ajo zemër që qau me Marinë,
që mund të të largojë nga idhujt.
Ora Rowan
Le të mos humbim ndjenjën e rrëqethjes dhe shtangies që nënkuptohet në këtë rrëfim. Dy burra shkojnë në një qytet pagan me fjalën e Zotit. Ata predikojnë ungjillin me fuqinë e Frymës. Ndodh mrekullia e rilindjes: burra dhe gra bëhen aq të afërt me Shpëtimtarin saqë braktisin idhujt e tyre. Pastaj shikon një asamble besimtarësh që lavdërojnë Perëndinë duke jetuar në shenjtëri, duke duruar me guxim përndjekjen dhe duke i çuar të tjerët te Krishti. Me të vërtetë shërbimi i Zotit është thirrja më e lartë!
1:10 Thesalonikasit jo vetëm që po i shërbenin Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë (në dallim me idhujt që janë pa jetë dhe të rremë), por ata po prisnin Zotin Jezus. Vini re hollësitë e pritjes së tyre:
- Personi – Birin e tij;
-
Vendi – prej qiejve;
-
Siguria – të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish;
-
Emri i çmuar – Jezusin;
-
E ardhmja – që na çliron nga zemërimi që po vjen.
Prandaj kemi te vargjet 9 e 10 tre aspektet e përvojës së thesalonikasve:
- Kthimi (krahasoni veprën e besimit, v. 3);
-
Shërbimi (krahasoni mundimin e dashurisë, v. 3);
-
Pritja (krahasoni qëndrueshmërinë e shpresës, v. 3).
G. R.Harding Wood-i [5] i shtjellon si vijon:
- Ndjekja – shikimi drejt Perëndisë;
-
Shërbimi – shikimi në fushat [mundësi për të shërbyer];
-
Pritja – pritja për Jezusin.
Thesalonikasit po prisnin prej qiejve Birin e Perëndisë. Kjo nënkupton mundësinë e ardhjes së Tij gjatë jetës së tyre, në fakt, në çdo çast gjatë jetës së tyre. Fakti që Zoti Jezus mund të kthehet në çdo çast është shpresa e të krishterit. Kjo gjendet në shumë pjesë të DhR, disa prej të cilave gjenden më poshtë:
Luka 12:36 – “Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre”.
Romakëve 8:23 – “…duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë”.
1 Korintasve 11:26 – “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë”.
2 Korintasve 5:2 – “Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshiruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore”.
Galatasve 5:5 – “Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë”.
Filipianëve 3:20 – “…qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht”.
Filipianëve 4:5 – “Zoti është afër”.
Titi 2:13 – “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht”.
Hebrenjve 9:28 – “…do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim”.
Jakobi 5:7-9 – “Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit… sepse ardhja e Zotit është afër… ja, gjykatësi është te dera”.
1 Pjetrit 4:7 – “Tashmë fundi i të gjithave u afrua”.
1 Gjonit 3:3 – “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai”.
Juda 21 – “…duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme”.
Zbulesa 3:11 – “Ja, unë vij shpejt”; 22:7 – “Ja, unë vij shpejt”; 22:12 – “Dhe ja, unë vij shpejt”; 22:20 – “‘Po, unë vij shpejt.’ Amen. Po, eja, Zoti Jezus”.
I krishteri e di se ai mund të kalojë përmes vdekjes, por di gjithashtu se Zoti mund të vijë në çdo çast dhe se, në atë ngjarje, ai do të shkojë në qiell pa vdekur.
Asnjë profeci e Shkrimit nuk ka nevojë të përmbushet para ardhjes së Krishtit për njerëzit e Tij. Në programin profetik të Perëndisë ngjarja tjetër e madhe që do të ndodhë është Rrëmbimi.
Ne nuk mund të presim për kthimin e Zotit në çdo çast nëse duhet që ndonjë ndodhi apo periudhë kohe të ndërfutet [midis të tashmes sonë dhe Rrëmbimit]. Pozicioni doktrinal që Rrëmbimi ndodh para Mundimit të Madh është i vetmi që u lejon besimtarëve të presin për ardhjen e Krishtit sot. Të tjera pikëpamje të çojnë në braktisjen e pozicionit doktrinal të të kthyerit të Tij në çdo çast.
Ai që ne presim është Jezusi, Çlirimtari ynë nga zemërimi që po vjen. Ky përshkrim i Shpëtimtarit që do të vijë mund të kuptohet në dy mënyra:
- Ai na çliron nga ndëshkimi i përjetshëm i mëkateve tona. Në kryq Ai duroi zemërimin e Perëndisë kundër mëkateve tona. Përmes besimit në Të, ne kemi vlerën e veprës së Tij të hedhur në llogarinë tonë. Që tani e tutje nuk ka dënim për ne sepse jemi në Krishtin Jezus (Rom. 8:1).
-
Por Ai gjithashtu na çliron nga periudha e ardhshme e gjykimit kur zemërimi i Perëndisë do të derdhet në botën që nuk e ka pranuar Birin e Tij. Kjo periudhë njihet si Mundimi i Madh dhe koha e Mundimit të Jakobit (Dan. 9:27; Mt. 24:4-28; 1 Thes. 5:1-11; 2 Thes. 2:1-12; Zbulesa 6:1-19:10).
B. Paraqitja e shërbesës, mesazhit dhe sjelljes së Palit në Thesaloniki (2:1-12)
2:1 Në pjesën e fundit të 1:5, Pali shkurtimisht përmendi tërthorazi karakterin dhe sjelljen e tij ndërsa ishte në Thesaloniki. Tani ai thellohet në përmbledhje më të gjëra të shërbesës, mesazhit dhe stilit të tij të jetës.
Çështja është se shërbesa parësore e një të krishteri është shërbesa e karakterit. Ajo që ne jemi është më tepër e rëndësishme nga ato që kemi thënë. Ndikimi ynë i pavetëdijshëm flet me zë më të lartë se ndikimi ynë i vetëdijshëm. James Denney ka thënë:
Karakteri i një të krishteri është i tërë kapitali që ai ka për të çuar përpara biznesin e tij. Në shumë aspekte të tjera një njeri mund të vazhdojë, pavarësisht nga karakteri që ka, nëse ka një tepricë në bankë. Por një i krishterë që ka humbur karakterin e tij ka humbur gjithçka [6].
Dëshmori misionar Jim Eliot ka shkruar në ditarin e tij:
Në punën frymërore, duke përjashtuar të tjerat, karakteri i punëtorit vendos cilësinë e punës së tij. Shelli dhe Bajroni mund të ishin imoralë dhe akoma mund të shkruanin poezi të mira. Vagneri mund të ishte i ndyrë dhe mund të prodhonte akoma muzikë të mirë. Por nuk mund të jetë kështu në punën e Perëndisë. Pali mund t’i referohej karakterit dhe mënyrës të tij të të jetuarit si provë e asaj që u thoshte thesalonikasve. Nëntë herë në këtë letër të parë drejtuar thesalonikasve ai thotë: “Ju e dini”, duke iu referuar vëzhgimit të thesalonikasve ndaj jetës private po ashtu edhe saj publike të Palit. Pali shkoi në Thesaloniki dhe bëri një jetë që ilustroi atë që predikoi; ajo shkoi përtej ilustrimit në provën bindëse. Mos u habit që shumë punë që u kryen në emrin e Mbretërisë janë me cilësi të dobët. Shiko vetëm karakterin moral të punëtorit [7].
Mbase në këto vargje apostulli po mbron veten kundër padive të rreme të kritikëve të tij. Sido që të jetë, ai së pari u kujton thesalonikasve se shërbesa e tij ishte e suksesshme. Ata vetë po shihnin provat që vepra e tij kishte qenë e frytshme. Ata e dinin se vizita e tij nuk qe e kotë. Ata vetë ishin kthyer dhe ishte themeluar një asamble.
2:2 Pastaj shërbesa e tij ishte e guximshme. Kundërshtimi i hidhur dhe trajtimi i keq në Filipi, duke përfshirë edhe burgosjen e tij me Silën, nuk tuti, shkurajoi apo frikësoi atë. Ai nguli këmbë në Thesaloniki. Atje, me guximin që vetëm Perëndia mund të japë, ai predikoi ungjillin përballë shumë përpjekjesh. Një njeri me pak forcë mund të ketë menduar për arsyet e shumta teologjike se pse Perëndia e thirri atë për dëgjues të pëlqyeshëm. Por jo Pali! Ai predikoi mesazhin pa frikë pavarësisht nga kundërshtimi i madh, gjë e cila ishte një rrjedhojë e mbushjes me Frymën.
2:3 Nxitja e apostullit për të besuar ungjillin ishte e vërtetë në burimin e saj, e pastër në shtysën e saj dhe besnike në metodën e saj. Për sa i përket burimit, ajo nuk doli nga doktrina e rremë, por nga e vërteta e Perëndisë. Për sa i përket nxitjes, apostulli i shikonte thesalonikasit pa egoizëm, me mirësinë e tyre përpara dhe jo me ndonjë dëshirë tjetër apo dëshirë të papastër. Për sa i përket metodës, nuk kishte asnjë komplot të mençur për të mashtruar ata. Në pamje të parë, armiqtë e tij xhelozë po e padisnin atë për herezi, dëshira lakmuese dhe për dinakëri.
2:4 Për Palin shërbesa ishte një shërbim i shenjtë. Ai ishte një shërbëtor, i miratuar prej Perëndisë dhe ungjilli ishte thesari i çmuar që i ishte besuar atij nga Perëndia. Përgjegjësia e tij ishte t’i pëlqente Perëndisë me anë të shpalljes besnike të mesazhit, pavarësisht se cilat mund të ishin reagimet e njerëzve. Ishte e qartë për të se ai nuk mund t’u pëlqente si Perëndisë ashtu edhe njeriut njëkohësisht, prandaj ai zgjodhi t’i pëlqente Perëndisë, që provon zemrat tona dhe që shpërblen paanësisht.
Një shërbëtor është i detyruar t’i pëlqejë atij që e paguan atë. Predikuesit mund të tundohen ndonjëherë të ruajnë tërë të vërtetën pa e thënë nga frika e ndikimit të atyre që e paguajnë për ta mbështetur atë. Por Perëndia është Pronari dhe Ai e di se kur mesazhi hollohet apo shtypet.
2:5 Në vargjet 5-12 Pali paraqet një rrëfim të sjelljes së tij në Thesaloniki; duke bërë një gjë të tillë, ai ka lënë një shembull të shkëlqyer për tërë shërbëtorët e Krishtit.
Së pari, ai kurrë nuk u përkul ndaj lakmive apo mossinqeritetit [dinakërisë, mashtrimit] për të arritur fryte. Fjalët e tij qenë të ndershme e transparente dhe shtysat e tij ishin pa hipokrizi.
Së dyti, ai kurrë nuk e përdori veprën e Zotit si një motiv poshtë të cilit mund të fshihte dëshirat egoiste për t’u pasuruar. Shërbesa e tij nuk ishte një burim i rremë lakmie.
Për të hedhur poshtë çdo padi lakmie, ai u bën thirrje shenjtorëve. Por për të hedhur poshtë çdo mendim lakmie, ai i bën thirrje Perëndisë, që është i Vetmi që mund të lexojë zemrat.
2:6 Këtu shfaqet edhe një veçori tjetër mbresëlënëse e karakterit të këtij njeriu të madh të Perëndisë. Si apostuj të Krishtit, ai dhe kolegët e tij, kishin të drejtë për mbështetje financiare (quajtur këtu lavdi) nga thesalonikasit. Por ata ishin të vendosur që nuk do të ishin barrë për ta, kështu që ata punuan ditë e natë për të plotësuar nevojat e tyre. Në Korint ishte ndryshe. Atje Pali punoi që të mos linte shkas që kritikët e tij ta padisnin për predikim për para. Në Thesaloniki ai punoi ngaqë shenjtorët ishin të varfër dhe të përndjekur dhe ai nuk donte të ishte një barrë më tepër për ta.
2:7 Në vend që të bëheshin zot të trashëgimisë së Perëndisë, ai ishte zemërbutë me ta ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Pali e kishte kuptuar se të kthyerit e rinj në besim kishin nevojë për përkujdesje dhe ai vazhdoi këtë shërbesë me tërë merakun e një mëndeshe të përkushtuar.
2:8 Aq e thellë ishte dashuria e tij për ta, saqë ai ishte në ankth për të ndarë me ta ato që kishte në vend që të merrte prej tyre. Ai nuk ishte një përhapës i ftohtë dhe i sipërfaqshëm i ungjillit të Perëndisë, por një njeri që jepte shpirtin për të tjerët. Ai i donte ata dhe dashuria nuk vë re çmimin. Ashtu si Zoti i tij ai nuk erdhi që të shërbehej, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij (Marku 10:45).
2:9 Një provë për të treguar se Pali nuk ishte egoist është kjo: ne e shohim atë duke punuar si një çadërbërës për të siguruar jetesën në mënyrë që t’u shërbente njerëzve pa qenë barrë për ta. Ndërsa është e vërtetë se predikuesit të ungjillit i takon mbështetja financiare nga të krishterët e tjerë, është për t’u lavdëruar kur e shohim atë duke mos parë të drejtat e tij, herë pas here. Një shërbëtor i vërtetë i Krishtit do të vazhdojë të predikojë ungjillin nëse merr para apo ka një punë për të financuar veten. Vini re shprehjet lodhjen dhe mundimin dhe kemi punuar ditë e natë. Ungjilli nuk u kushtoi thesalonikasve asnjë qindarkë, por Palit i kushtoi shumë.
2:10 Besimtarët mund të dëshmonin për sjelljen shembullore të Palit ndaj tyre; dhe Perëndia gjithashtu ishte një Dëshmitar që ai ishte i përkushtuar (apo i shenjtë), i drejtë (apo i paanshëm) dhe i patëmetë. I shenjtë, domethënë, i veçuar për Perëndinë nga mëkati. I drejtë ishte në karakter dhe sjellje. I patëmetë ishte ndaj Perëndisë dhe njerëzve. Nëse predikimi më i mirë është jeta e shenjtë atëherë Pali ishte një predikues i madh. Jo si një predikues, rrjedhshmëria [në të folur] e të cilit ishte më e madhe se sjellja e tij: kur ai ishte në podium, njerëzit donin që ai të mos zbriste që andej, por kur nuk ishte në të, ata donin që ai të mos hipte më!
2:11 Në vargun 7 ai e krahasoi veten me një mëndeshë; tani ai e ndërron figurën duke u paraqitur si një baba i përkushtuar. Nëse e para hedh idenë e butësisë dhe dashurisë, e dyta hedh idenë e urtësisë dhe këshillës. Si një baba ai i këshilloi ata për të bërë një jetë të shenjtë, ai i nxiti ata të këmbëngulnin në Zotin pavarësisht nga përndjekjet dhe ai dëshmoi rreth bekimeve të bindjes ndaj vullnetit dhe fjalës së Perëndisë.
2:12 Qëllimi i shërbesës së Palit ishte që shenjtorët të ecnin denjësisht për Perëndinë, që i thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij.
Në veten tonë ne nuk jemi të denjë para Perëndisë apo për një vend në qiell; denjësia e vetme që kemi gjendet në Zotin Jezus Krisht. Por si bij të Perëndisë ne duhet të ecim denjësisht sipas thirrjes më të lartë. Ne mund ta bëjmë një gjë të tillë duke iu nënshtruar kontrollit të Frymës së Shenjtë dhe duke rrëfyer dhe braktisur mëkatin në jetët tona vazhdimisht.
Të gjithë ata që janë shpëtuar i janë nënshtruar mbretërisë së Perëndisë. Tani ajo mbretëri është e padukshme dhe Mbreti mungon. Por mësimet morale dhe etike të mbretërisë vlejnë edhe për ne. Kur Zoti Jezus do të kthehet për të mbretëruar, mbretëria do të shfaqet hapur dhe atë ditë ne do të marrim pjesë në lavdinë e Mbretit.
C. Paraqitja e përgjigjes së thesalonikasve ndaj Ungjillit (2:13-16)
2:13 Tani apostulli rrok një temë tjetër që sapo e kishte prekur te 1:5a – përgjigjja e thesalonikasve ndaj predikimit të ungjillit. Kur ata pranuan mesazhin, domethënë e dëgjuan atë, ata nuk e pranuan si fjalën e njerëzve, por si fjalën e Perëndisë.
Pali ishte tejet mirënjohës për pritjen dhe pranimin e tyre të mesazhit. Ky është një shembull tjetër i të mosqenurit egoist nga ana e tij. Shumë prej nesh dëshirojnë që njerëzit t’i besojnë asaj që ne themi thjesht sepse e themi ne. Por fjala e njeriut formon një themel të pasigurt besimi. Vetëm Perëndia mund të besohet plotësisht dhe vetëm atëherë kur besohet fjala e Tij vijnë frytet në zemrat dhe jetët e njerëzve. Kjo u ndodhi thesalonikasve – fjala po vepronte duke sjellë fryt në jetët e tyre, sepse ata besuan. Walter Scott-i ka shkruar:
Fjala e Tij – Bibla – është e frymëzuar në tërë librat dhe pjesët e saj siç u shkruan në fillim. Ajo është autoriteti ynë i vetëm në çdo gjë, për çdo rrethanë dhe për çdo kohë. Duhet një brez që të tronditet nga Fjala e Perëndisë. Ajo është udha e jetës; drejtimi ynë, drita jonë, mbrojtësi ynë moral. Lavdi Perëndisë për këtë Vëllim të Shenjtë [8].
2:14 Çfarë frytesh kishte prodhuar Bibla në jetët e atyre besimtarëve? Jo vetëm që ishin shpëtuar, por ishin bërë të zotë që të ishin të qëndrueshëm përballë përndjekjes së ashpër. Kjo ishte një provë e mirë e realitetit të kthimit të tyre në besim. Me anë të durimit të tyre të qëndrueshëm, ata u bënë imituesit e kishave të krishtera të Perëndisë që janë në Jude. Ndryshimi i vetëm ishte se thesalonikasit vuajtën prej duarve të bashkëkombasve të tyre johebrenj, ndërsa besimtarët në Jude u përndoqën nga judenjtë.
2:15 Duke përmendur judenjtë Pali hedh një padi ndaj tyre si kryekundërshtarë të ungjillit. Dhe cili mund ta dinte më mirë se ai? Një herë e një kohë ai kishte qenë një drejtues i atyre judenjve që përpiqeshin të asgjësonin besimin e krishterë. Pastaj pas kthimit të tij në besim ai ndjeu vetë tehun e mprehtë të shpatës së përndjekjes së tyre.
Mëkati më i madh i judenjve ishte vrasja e Zotit Jezus. Ndërsa kryqëzimi u krye nga romakët, ishin judenjtë që i nxitën ata të bënin një gjë të tillë. Ky ishte kulmi i shekuj përndjekjesh të profetëve të Perëndisë të dërguar te kombi i Izraelit (Mt. 21:33-39).
Në epokën e krishterë ata kishin përndjekur Palin dhe apostujt e tjerë, duke menduar gabimisht se po i pëlqenin Perëndisë. Veprimet e tyre nuk i pëlqenin Atij dhe u bënë armiq me të gjithë njerëzit.
2:16 Duke mos qenë të kënaqur se kishin kundërshtuar ungjillin, ata ishin të vendosur të ndalonin Palin dhe shoqëruesit e tij që të predikonin mesazhin johebrenjve. Asgjë tjetër nuk i tërbonte më tepër sesa kur dëgjonin se johebrenjtë mund të shpëtohen në të njëjtën mënyrë si judenjtë.
Duke kundërshtuar vullnetin e Perëndisë, ata po vazhdonin detyrën në atë pikë ku e kishin lënë etërit: për ta mbushur vazhdimisht masën e mëkateve të tyre. Ishte njëlloj sikur të mbanin kupën e fajit të tyre plot në çdo kohë.
Por shkatërrimi i tyre po shpallej, sepse zemërimi arriti mbi ta më në fund. Pali nuk e cilëson se çfarë nënkupton me zemërim. Mbase është një pohim i përgjithshëm i gjykimit që i pret si pasojë e tërë masës së fajit. Ne e dimë se brenda njëzet vjetëve (70 pas K.) Jerusalemi do të shkatërrohej dhe judenjtë që mbijetuan do të shpërndaheshin anembanë tokës.
Nga pjesë si kjo, disa kanë hedhur idenë se Pali ishte antisemit dhe se DhR është një libër antisemit. E vërteta është se Pali kishte një dashuri të madhe për bashkëkombasit e tij judenj dhe do të donte më mirë të ishte i ndarë nga Krishti nëse kjo do të sillte shpëtimin e tyre (Rom. 9:1-3). Edhe pse shërbesa e tij qe drejtuar kryesisht ndaj johebrenjve, ai kurrë nuk e humbi peshën e ungjillizimit të judenjve.
Ajo që apostulli thotë këtu për udhëheqësit judenj është fakti historik dhe jo fjalë të tij fyese. Dhe ne duhet të kujtojmë se Perëndia e shtyu atë të shkruante atë që shkroi. Antisemitizmi është jo i krishterë dhe nuk mund të përligjet në asnjë rrethanë. Por nuk është antisemitike të thuash se judenjtë janë paditur nga Perëndia për vdekjen e Birit të Tij (Veprat e Apostujve 2:23), ashtu si johebrenjtë janë përgjegjës për pjesën e tyre (1 e Korintasve 2:8).
D. Shpjegimi i pamundësisë së Palit për t’u kthyer në Thesaloniki (2:17-20)
2:17 Në katër vargjet që vijojnë apostulli shpjegon pamundësinë e tij për t’u kthyer në Thesaloniki. Mbase kritikët e tij grindavecë e padisnin atë për frikë për shkak të kundërshtimit që kishte hasur atje.
Pali, së pari, e bën të qartë se ndarja ishte vetëm fizike. Shprehja “mbetëm pa ju” do të thotë se ata ishin jetimë nga largimi i atit të tyre frymëror. Megjithatë, interesi i tij i dashur për ta nuk ishte pakësuar. Vini re fjalët që shprehin shkallën e lartë të dashurisë së tij: u përpoqëm edhe më shumë, nga malli i madh.
2:18 Dy herë ishte përpjekur ai të kthehej në Thesaloniki, por dy herë Satani e pengoi. Natyra e saktë e kundërshtimit të Satanit nuk dihet gjithmonë.
As nuk e dimë se si Pali ishte i sigurt nëse ishte djalli që e pengoi apo jo Zoti. Te Veprat e Apostujve 16:6 ne lexojmë se Pali dhe grupi i tij u penguan nga Fryma e Shenjtë për të predikuar fjalën në Azi. Në vargun tjetër ata u përpoqën të shkonin në Bitini, por Fryma nuk i lejoi ata të shkonin. Si mund ta dimë ne kur pengon Fryma dhe kur djalli? Mbase një mënyrë është kjo: kur ne e dimë se po bëjmë vullnetin e Perëndisë, çdo pengesë që del nuk është vepra e Frymës, por ajo e djallit. Gjithashtu, Satani përpiqet të pengojë sa herë që bekon Perëndia. Por Perëndia gjithmonë u bën ballë kundërshtimeve të Satanit. Në këtë rast të veçantë, paaftësia e Palit për të shkuar në Thesaloniki çoi në shkrimin e kësaj letre. Letra, nga ana tjetër, bëri që Perëndia të merrte lavdi dhe ne u bekuam.
2:19 Pse ishte kaq i interesuar apostulli të kthehej te besimtarët thesalonikas? Sepse ata ishin bijtë e tij në Zotin. Ai i kishte çuar ata te Krishti dhe ndihej përgjegjës për rritjen e tyre frymërore. Ai e dinte se duhet të jepte llogari për ta një ditë. Ata ishin shpresa e tij e shpërblimit në Gjykatën e Krishtit. Ai donte që të mund të gëzohej në ta. Ata do të ishin kurora e tij e lavdisë përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij.
Duket qartë nga ky varg se Pali priste të njihte thesalonikasit në qiell. Dhe rrjedh nga kjo që ne gjithashtu do të njohim të dashurit tanë në qiell.
Në vargun 19 Pali flet për bijtë e tij në besim si kurora e tij. Diku tjetër në DhR lexojmë për kurora të tjera: kurora e drejtësisë (2 Tim. 4:8); kurora e jetës (Jak. 1:12; Zbulesa 2:10); kurora e lavdisë (1 Pjetrit 5:4) – që të gjitha të paprishshme (1 e Korintasve 9:25).
2:20 Shenjtorët ishin lavdia dhe gëzimi i tij. Ai kishte shpenzuar në personalitetin njerëzor dhe shpërblimi i tij ishin bijtë dhe bijat frymërore që do të adhuronin Qengjin e Perëndisë në tërë përjetësinë.
ARDHJA E ZOTIT
Në vargun 19 kemi përdorimin e parë të fjalës ardhja te 1 Thesalonikasve, e cila ka të bëjë me kthimin e Zotit. Meqë kjo është tema më e rëndësishme e kësaj letre, do të ndalemi pak këtu për të dhënë një shpjegim të asaj që ne besojmë se është mësimi i shkrimit rreth kësaj teme.
Ka tri fjalë kryesore greke të përdorura në DhR që i referohen kthimit të Krishtit:
parousia (pa-rou-SI-a): ardhja dhe prania e mëpasshme; [shkronjat e mëdha tregojnë ku bie theksi]
apokalupsis (a-po-KA-lup-sis): i zbuluar, zbulesë;
epiphaneia (e-pi-FA-ne-i-a): shfaqje.
Fjala më tepër e përdorur është parousia. Ajo do të thotë prani apo ardhje pranë. Vine thotë se tregon qoftë një mbërritje ashtu edhe një prani të mëpasshme. Kur ne mendojmë për ardhjen e Zotit, ne duhet të mendojmë për të jo vetëm si për një ngjarje të përkohshme, por dhe si për një periudhë kohe.
Edhe në shqip, fjala ardhje përdoret në këtë mënyrë. Për shembull: “Ardhja e Krishtit në Galile i solli shërim një turme të madhe”. Këtu ne nuk nënkuptojnë ditën që ai mbërriti në Galile, por tërë periudhën e kohës që Ai kaloi në atë zonë. Kështu kur mendojmë për ardhjen e Krishtit, ne duhet të mendojmë për një periudhë kohe më tepër se për një ngjarje të veçuar.
Tani nëse marrim të tëra përsëritjet e parousia-s në DhR, gjejmë se përshkruajnë një periudhë kohe me: 1. një fillim, 2. një vazhdim, 3. një shfaqje dhe 4. një pikë kulmore.
- Fillesa e parousia-s është Rrëmbimi. Ai përshkruhet në pjesët që vijojnë (fjala që del nga përkthimi i parousia-s do të jetë me shkronja të pjerrëta në çdo rast):
Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij.” (1 e Korintasve 15:22,23).
Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije për sa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur. Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.” (1 Thes. 4:13-18).
Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të . . .” (2 Thes. 2:1).
Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, derisa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njëri-tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera…” (Jak. 5:7-9).
Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para Tij…” (1 Gjonit 2:28).
- Vazhdimësia e parousia-s përfshin Gjykatën e Krishtit kur do të jepen shpërblimet për besimtarët, për shërbimin e tyre besnik:
Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij?” (1 Thes. 2:19).
Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Thes. 5:23).
Një ndodhi tjetër që mund të përfshihet në vazhdimësinë e parousia-s është Dasma e Madhe e Qengjit. Nga vendndodhja e saj në librin e Zbulesës ne dimë se do të ndodhë pak para mbretërimit të lavdishëm të Krishtit. Ne e përfshijmë atë këtu edhe pse fjala ardhje nuk përdoret në lidhje me të.
Dhe dëgjova një si zë i një turme të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta, që thoshte: “Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi! Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve”. Dhe më tha: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit”” (Zbulesa 19:6-9).
- Shfaqja e ardhjes së Krishtit është kthimi i Tij në tokë në fuqi dhe lavdi të madhe për të mbretëruar si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. Rrëmbimi nuk do të shihet nga bota; ajo do të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Por çdo sy do të shohë Krishtin kur të vijë të mbretërojë. Prandaj quhet shfaqja e parousia-s së Tij. Kjo është faza e tretë e ardhjes së Tij.
Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?”” (Mt. 24:3).
Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.” (Mt. 24:27).
Dhe (ata) nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut (Mt. 24:39).
Për të bërë të patundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij.” (1 Thes. 3:13).
Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.” (2 Thes. 2:8).
Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përrallave të sajuara me mjeshtëri, por sepse jemi dëshmitarë okularë të madhështisë së tij.” (2 Pje. 1:16) (Këtu Pjetri po flet rreth shfaqjes së parousia-s së Krishtit siç u parashikua në Shpërfytyrimin në Mal).
- Së fundi kemi pikën kulmore të parousia-s. Ajo paraqitet në vargjet që vijojnë:
Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.” (2 Pje. 3:4).
Në këtë kapitull lexojmë për tallësit që do të dalin në ditët e fundit, duke mohuar mundësinë e kthimit të Krishtit. Çfarë aspekti të parousia-s nënkuptojnë ata?
A po i referohen ata Rrëmbimit? Jo. Ata mbase nuk dinë asgjë për rrëmbimin. A po i referohen ata ardhjes së Krishtit për të mbretëruar? Jo. I tërë konteksti tregon se ata po përqeshnin ndëshkimin përfundimtar të gjithë keqbërësve nga Zoti. Ata nënkuptojnë një gjykim të fundit, që shkon drejt pikës kulmore të Perëndisë në tokë, apo ajo që ata e quajnë “fundi i botës”. Argumenti i tyre është se ata nuk kanë pse të shqetësohen. Perëndia nuk ka ndërhyrë në histori dhe Ai nuk do të ndërhyjë në të ardhmen. Kështu ata ndihen të lirë të vazhdojnë në fjalët dhe veprat e tyre të këqija.
Pjetri u përgjigjet përqeshjeve të tyre duke treguar kohën, pas mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit, kur qiejt dhe toka, ashtu siç i shohim tani, do të shkatërrohen plotësisht. Kjo pikë kulmore e parousia-s të Krishtit është pas Mijëvjeçarit dhe në përurimin e gjendjes së përjetshme.
Përveç parousia-s, dy fjalët e tjera që janë përdorur në gjuhën origjinale të DhR për të përshkruar ardhjen e Zotit janë apokalupsis dhe epiphaneia.
Apokalupsis do të thotë i zbuluar apo Zbulesë. Studiuesit e Biblës kanë krijuar dy grupe mendimesh: nëse ai gjithmonë i referohet fazës së tretë të ardhjes së Krishtit – ardhjes së Tij në tokë në fuqi dhe lavdi – apo mund t’i referohet gjithashtu Rrëmbimit kur Ai do t’i shfaqet kishës.
Në vargjet që vijojnë mund t’i referohet si Rrëmbimit ashtu edhe ardhjes në tokë për të mbretëruar mbi të.
Kaq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezu Krishtit.” (1 e Korintasve 1:7).
Që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit.” (1 Pjetrit 1:7).
Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit.” (1 Pjetrit 1:13).
Por gëzohuni, duke qenë pjesëtarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.” (1 Pjetrit 4:13).
Në një pjesë tjetër kjo fjalë duket se i referohet shumë qartë ardhjes së Krishtit për të mbretëruar:
Kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet…” (2 Thes. 1:7).
Epiphaneia do të thotë shfaqje apo një dukje. Përsëri, disa mendojnë se i referohet shfaqjes së Krishtit për shenjtorët e Tij dhe shfaqjes së Tij me shenjtorët e Tij; të tjerë thonë se i referohet vetëm kësaj të fundit. Fjala gjendet në pjesët që vijojnë:
Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit (fjalë për fjalë shfaqjes) e ardhjes së tij.” (2 Thes. 2:8).
Ta ruash këtë urdhërim pa njolla e të meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht.” (1 Tim. 6:14).
Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij.” (2 Tim 4:1).
Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.” (2 Tim. 4:8).
Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.” (Titi 2:13).
Vargu i parë dhe i tretë përshkruajnë qartë shfaqjen e Krishtit për botën. Të tjerët mund t’i referohen edhe Rrëmbimit. E vetmja gjë që është e qartë si për Rrëmbimin ashtu edhe për ardhjen e Krishtit për të mbretëruar vihen para besimtarit si ngjarje që mezi presin të kryhen. Në kohën e Rrëmbimit, ai do ta shohë Shpëtimtarin dhe do të marrë trupin e përlëvduar. Kur Krishti do të kthehet në tokë, besimtari do të shfaqet me Të në lavdi (Kol. 3:4). Në këtë kohë shpërblimi i besimtarit do të shfaqet. Këto shpërblime janë dhënë më parë në Gjykatën e Krishtit, por ato shihen nga të gjithë kur do të mbretërojë Krishti. Cilat do të jenë shpërblimet? Te Luka 19:17-19 ka një ide se ato kanë të bëjnë me sundime vendesh gjatë Mijëvjeçarit. Një njeri bëhet sundimtar mbi dhjetë qytete dhe një tjetër në pesë.
Duke studiuar referencat e ndryshme të ardhjes së Zotit, ne kemi parë se kjo gjë i referohet më shumë një periudhe kohe sesa një ngjarjeje të vetme dhe se kjo periudhë kohe ka faza apo hapa të ndryshëm. Ka një fillim, një vazhdim, një shfaqje dhe një pikë kulmore. Fillon me Rrëmbimin, përfshin Gjykatën e Krishtit, do të shfaqet hapur kur Krishti do të kthehet mbi tokë dhe do të mbarojë kur qiejt dhe toka, siç i shohim tani, do të shkatërrohen nga zjarri.
E. Misioni i Timoteut në Thesaloniki (3:1-10)
Fjalët besimi juaj hasen pesë herë në kapitullin 3 (v. 2,5,6,7,10) dhe janë fjalë-kyçe për të kuptuar pjesën. Thesalonikasit po kalonin përndjekje të ashpra dhe Pali mezi priste të dinte se si po u bënte ballë provave besimi i tyre. Prandaj kapitulli është një mësim për rëndësinë e punës së mëtejshme. Nuk është e mjaftueshme të çosh mëkatarët te Shpëtimtari. Ata duhen ndihmuar të rriten në hir dhe në njohjen e Zotit.
3:1 Në kapitullin 3 ne vazhdojmë të dëgjojmë rrahjen e zemrës së Palit ndërsa ai shpreh interesin e tij të pavdekshëm për shenjtorët e Thesalonikisë. Ndërsa ai ishte në Athinë pati një dëshirë të zjarrtë për të ditur se si po vazhdonin të kthyerit e tij. Satani kishte penguar kthimin e tij. Së fundi, ai nuk mund të rrinte më duarkryq; ai vendosi të çonte Timoteun në Thesaloniki, ndërsa ai mbeti vetëm, në Athinë (ne, na janë zgjedhje stilistikore [d.m.th ai përdor ‘ne’ por kuptimi është ‘unë’]). Ka një farë trishtimi duke menduar për të si të mbetur vetëm. Pamja e një qyteti të madh nuk e tërhiqte atë; ai ishte ngarkuar për kujdesin e kishave.
3:2 Vini re “shkallët” pas emrit të Timoteut: vëllanë tonë dhe shërbenjës të Perëndisë, dhe bashkëpunëtorin tonë në predikimin e ungjillit të Krishtit. Fjala shërbenjës [9] këtu dhe në vende të tjera të DhR thjesht do të thotë shërbëtor. Ideja e një klase të veçuar, njohur si murgj ose klerikë, lindi vite më vonë.
Çfarë privilegji për Timoteun të shërbente gjatë periudhës së tij si nxënës me vëllanë e dashur Pal! Tani që ishte provuar dërgohet vetëm në mision në Thesaloniki.
Qëllimi i udhëtimit ishte të fuqizonte shenjtorët dhe t’u jepte zemër atyre në besim. Ata ishin përndjekur për shkak të rrëfimit të tyre të Krishtit. Kjo ishte një kohë kritike për të kthyerit e rinj; Satani mbase po u shtinte në mendje mendime dinake se ata e kishin gabim që ishin bërë të krishterë!
Do të ishte interesante të dëgjonin Timoteun ndërsa i mësonte ata të prisnin kundërshtimet, që t’i duronin me guxim dhe të gëzoheshin në to. Ata kishin nevojë për nxitje për të mos u shtypur nën kundërshtime.
3:3 Në mes të përndjekjes do të ishte e lehtë për thesalonikasit që të mendonin se ishte e çuditshme pse duhet të vuanin ashpër dhe të habiteshin pse Perëndia nuk po kënaqej me ta. Timoteu u kujtoi atyre se nuk ishte fare e çuditshme: kjo është e zakonshme për të krishterët, kështu ata nuk duhet të lëkundeshin apo t’i lëshonte zemra.
3:4 Pali i kujton ata se edhe kur ishte në Thesaloniki ai u thoshte zakonisht atyre se të krishterët ishin caktuar për pikëllime. Parandjenja e tij u vërtetua në jetët e tyre. Sa mirë e dinin ata!
Provat përbëjnë një disiplinë të domosdoshme në jetët tona:
- Ato vërtetojnë realitetin e besimit tonë dhe mënjanojnë ata që janë vetëm rrëfyes që vetëm thonë se janë të krishterë. (1 Pjetrit 1:7).
-
Ato na bëjnë të aftë të ngushëllojmë dhe t’u japim zemër të tjerëve që po kalojnë përmes provash (2 Kor. 1:4).
-
Ato zhvillojnë disa hire, si për shembull durimin në karakterin tonë (Rom. 5:3).
-
Ato na bëjnë më të zellshëm për të përhapur ungjillin (Veprat e Apostujve 4:29; 5:27-29; 8:3,4).
-
Ato ndihmojnë për të hequr zgjyrën nga jetët tona (Jobi 23:10).
3:5 Apostulli përsërit thelbin e vargjeve 1 e 2: mbasi ai nuk mund të duronte më, ai dërgoi Timoteun për të parë se si po i bënin ballë të krishterët stuhisë. Ankthi i tij i madh ishte që djalli mund t’i kishte futur në lak duke i bërë ata të hiqnin dorë nga dëshmia e tyre aktive e krishterë në këmbim të qetësimit të përndjekjes. Ky është tundimi i sotëm për të hequr dorë nga besnikëria ndaj Krishtit për rehati vetjake, duke anashkaluar kryqin në kërkim të një kurore. Cili prej nesh nuk duhet të lutet: “Më fal, o Zot, sepse zakonisht gjej mënyra për të shmangur dhimbjen dhe sakrificën e dishepullimit. Më forco sot për të ecur me Ty cilido të jetë çmimi”?
Nëse Satani kishte nxitur shenjtorët të hiqnin dorë, atëherë Pali e ndjeu që detyra e tij kishte shkuar kot.
3:6 Timoteu u kthye në Korint nga Thesaloniki me lajme të mira. Së pari, ai e siguroi përsëri Palin për besimin dhe dashurinë e tyre. Ata jo vetëm që po u qëndronin besnikë mësimeve të besimit të krishterë, por po shfaqnin gjithashtu virtytin dallues të dashurisë. Kjo është edhe prova e realitetit – jo vetëm një pranim i jashtëm i besimit të krishterë, por “besimi që vepron me anë të dashurisë” (Gal. 5:6). Jo vetëm “besimin tuaj në Jezu Krishtin”, por gjithashtu “dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve” (Efesianeve 1:15).
A ishte domethënëse që Timoteu përmendi besimin dhe dashurinë e tyre, por duke mos përmendur asnjë referencë për shpresën e tyre? A e kishte tronditur djalli besimin e tyre për kthimin e Krishtit? Ka mundësi. William Lincoln-i ka thënë: “Djalli e urren atë doktrinë, sepse ai e njeh fuqinë e saj në jetët tona.”. Nëse shpresa e tyre ishte me të meta, Pali sigurisht që po përpiqet ta ndreqë atë në këtë letër shprese.
Timoteu i njoftoi gjithashtu se thesalonikasit kishin një kujtim të mirë për apostullin dhe miqtë e tij dhe ata mezi prisnin që të takoheshin me Palin, Silën dhe Timoteun.
3:7 Ky lajm ishte si ujë i freskët për shpirtin e etur të Palit (Fja. 25:25). Në tërë mundimin dhe pikëllimin e tij, ai kishte marrë shumë zemër prej besimit të tyre.
3:8 Ai shpall: “Sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin”. Ankthi, ngaqë nuk dinte gjë, kishte qenë një vdekje e vërtetë për të. Tani ai menjëherë u gjallërua kur mori vesh se gjithçka shkonte mirë. Çfarë komenti është ky për përkushtimin joegoist të këtij njeriu të madh të Perëndisë!
3:9 Fjalët nuk mund të shprehnin plotësisht falënderimin për Perëndinë që mbushte zemrën e Palit. Kupa e tij e gëzimit ishte e tejmbushur sa herë që i kujtonte ata përpara Perëndisë së tij.
3:10 Jeta e lutjes së Palit ishte e zakontë, jo e pavullnetshme: natë e ditë. Ajo ishte tepër e zjarrtë: duke u lutur shumë. Kërkesat e saj ishin të veçanta: që të shohim fytyrën tuaj; dhe ishin joegoiste: që . . . të plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit tuaj.
F. Lutja e veçantë e Palit (3:11-13)
3:11 Kapitulli mbyllet me lutjen e Palit për një udhëtim kthimi tek ata dhe për rritjen e një dashurie më të madhe në ta. Kërkesa i drejtohet Perëndisë, Atit tonë, dhe Zotit tonë Jezu Krisht. Pastaj këto emra në rasën emërore ndiqen nga një folje në njëjës. Ky përdorim tregon hyjninë e Krishtit dhe bashkimin me Perëndinë.
3:12 Thesalonikasit ishin lavdëruar tashmë për shfaqjen e dashurisë së vërtetë të krishterë, por ka gjithmonë vend për rritje. Dhe kështu ai lutet për një masë më të thellë: Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njëri-tjetrin. Dashuria e tyre duhet të shtohej për besimtarët e tjerë dhe për gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe armiqtë e tyre. Shembulli i tyre duhet të ishte dashuria e apostujve: ashtu si edhe ne ndaj jush.
3:13 Fryti i dashurisë në këtë jetë është të qenurit i patëmetë në atë tjetrën. Nëse duam njëri-tjetrin dhe tërë njerëzimin, ne do të jemi pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë kur Krishti do të vijë bashkë me gjithë shenjtorët e tij, sepse dashuria është përmbushja e ligjit (Rom. 13:8; Jak. 2:8).
Dikush e ka parafrazuar këtë lutje si vijon: “Zoti ju jep forcë gjithnjë e më tepër për të kaluar jetët tuaja në interesim të të tjerëve, në mënyrë që Ai t’ju forcojë në karakterin tuaj të krishterë tani, që ju të mund të shfajësoheni nga çdo padi që mund të ngrihet kundër jush . . . “.
Në kapitullin 2 pamë se ardhja e Krishtit ka disa faza apo shkallë: një fillim, një vazhdim, një shfaqje dhe një pikë kulmore. Është faza e tretë për të cilën bën fjalë vargu 13: në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij. Gjykata e Krishtit do të ketë ndodhur tashmë në qiell. Shpërblimet do të jenë shpërndarë. Por këto shpërblime do t’u shfaqen të gjithëve kur Shpëtimtari të kthehet në tokë si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve.
Shenjtorët këtu do të thotë ata besimtarë që janë marrë në qiell në kohën e Rrëmbimit (1 Thes. 4:14). Disa mendojnë se janë engjëj, por Vincent-i thotë se u referohet “njerëzve të shenjtë dhe të përlëvduar të Perëndisë“. Ai thotë se engjëjt nuk kanë të bëjnë fare me këtë letër, por besimtarët e përlëvduar janë të lidhur ngushtë me temën që po shqetësonte thesalonikasit. Ai shton: “Kjo nuk përjashton praninë e engjëjve në ardhjen e Zotit, por kur Pali flet për një prani të tillë, ai thotë me engjëjt e pushtetit të vet, si te 2 Thesalonikasve 1:7″ [10].