Mësuesit e rremë dhe dashuria për para (1 Timoteut 6:3-10)

6:3 Tani Pali e kthen vëmendjen e tij ndaj atyre që mund të mësojnë doktrina të reja dhe të çuditshme në kishë. Këta njerëz nuk ndjekin fjalët e shëndosha. Të shëndosha do të thotë këtu fjalë të shëndetshme. Të tilla qenë fjalët e thëna nga Zoti ynë Jezu Krisht kur ishte këtu në tokë dhe që gjenden te Ungjijtë. Të tilla janë tërë mësimet që gjenden në DhR. Kjo është doktrina sipas perëndishmërisë në kuptimin se inkurajon dhe nxit sjellje të perëndishme.

6:4 Njerëz të tillë mbahen me të madh. Ata rrëfejnë se kanë njohuri më të lartë, por nuk dinë asgjë. Ashtu siç e ka përmendur Pali më parë, ata nuk e dinë se për çfarë flasin.

Ata vuajnë nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë. Fjala vuajnë do të thotë të jesh i sëmurë. Këta njerëz nuk janë të shëndetshëm frymërisht dhe në vend që të mësojnë fjalë të shëndetshme, si në vargun e mëparshëm, ata mësojnë fjalë që prodhojnë shenjtorë të sëmurë. Ata ngrejnë çështje të ndryshme që nuk ndërtojnë frymërisht dhe zihen me fjalë.

Meqë gjërat për të cilat flasin nuk janë çështje të doktrinës biblike, nuk gjejnë rrugë për të zgjidhur grindjen. Si pasojë, mësimi i tyre çon në smirë, grindje, të shara, dyshime të këqija. Lenski thotë:

Në grindjet dhe zëniet e tyre me fjalë, njëri ka smirë tjetrin për shkak të aftësisë që zhvillon; ka zënka ndërsa janë në konkurrim dhe kundërshtim me njëri-tjetrin; si rrjedhojë kemi blasfemi, pra, padi të rregulluara me fjalë të shenjta [18].

6:5 Këto debate kota vijnë prej njerëzve me mendje të prishur, pra, së sëmurë. Lenski komenton në mënyrë të mprehtë:

Gjendja e sëmurë e mendjes ka të bëjë me prishjen dhe çrregullimin – aftësitë mendore që nuk funksionojnë më normalisht në fushën morale dhe frymërore. Ata nuk reagojnë normalisht ndaj së vërtetës. I tërë realiteti dhe paraqitja e së vërtetës duhet të prodhojë një reagim pranueshmërie, sidomos realitetet e ungjillit shpëtues hyjnor duhet të prodhojnë këtë fryt. Duhet të jetë një reagim mospranimi ndaj të gjitha gënjeshtrave, mashtrimeve, shthurjeve sidomos kur ato janë të lidhura me fushat morale dhe frymërore… Por kur mendja e prishur ndesh “të vërtetën”, ajo shikon dhe has vetëm kundërshtime; kur ndesh atë që ndryshon nga e vërteta, shikon dhe has arsyet për pranimin e këtij ndryshimi [19].

Gjithashtu, këta njerëz janë të shterur nga e vërteta. Një kohë, ata kishin kapur të vërtetën, por për shkak të mospranimit të dritës, ata u privuan nga ajo e vërtetë që kishin dikur.

Këta njerëz mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi. Në pamje të parë, ata vendosin të jenë mësues të perëndishëm pasi është një profesion për të cilin për pak punë paguhen mirë. “Ata e bëjnë thirrjen më të shenjtë mjet për fitim parash”.

Kjo jo vetëm na kujton për marrjen në punë të barinjve që shfaqen si shërbëtorë të krishterë, por që nuk kanë dashuri reale për të vërtetën, por na bën gjithashtu të mendojmë për tregtimin që është kaq i zakonshëm në krishterim – shitja e indulgjencave [për faljen e mëkateve], lojërat e llotarisë, pazaret dhe shitjes, etj. Largohu prej këtyre [20]. Ne na urdhërohet të largohemi nga rrëfyes të tillë të paperëndishëm.

6:6 Ashtu si vargu i mëparshëm dha një përkufizim të rremë të “fitimit”, po kështu edhe ky varg jep domethënien e vërtetë të fjalës. Ndërthurja e perëndishmërisë me kënaqjen është një mjet që sjell dobi të madhe. Perëndishmëria pa kënaqjen mund të japë një dëshmi të anshme. Kënaqja pa perëndishmëri nuk do ta dallojë fare një të krishterë. Por të kesh perëndishmëri të vërtetë dhe në të njëjtën kohë të kënaqesh me rrethanat vetjake është më tepër se ç’mund të të japë paraja.

6:7 Ky kapitull sjell një ngjashmëri të ngushtë me mësimet e Zotit Jezus në Predikimin në Mal. Vargu 7 na kujton për mësimin e Tij që ne duhet t’i besojmë Atit tonë qiellor për plotësimin e nevojave tona.

Kemi tre çaste në jetë kur jemi duarbosh – kur lindim, kur shkojmë te Jezusi dhe kur vdesim. Ky varg na kujton për të parin dhe për të fundit. Sepse ne nuk kemi sjellë asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete.

Para se të vdiste Aleksandri i Madh, ai tha: “Kur të vdes, kur të më fusni në arkivol, duart e mia mos m’i mbështillni me rroba, por m’i lini jashtë, që të gjithë të shohin se janë bosh“. Bates-i komenton për këtë:

Po, ato duar që një herë e një kohë mbanin skeptrin më krenar në botë, që një herë e një kohë mbanin shpatën më fitimtare, që një herë e një kohë ishin të mbushura me argjend dhe ar, që një herë e një kohë kishin fuqinë për të shpëtuar apo për të marrë jetë, tani ishin BOSH [21].

6:8 Kënaqja ka të bëjë me të plotësuarit e nevojave më thelbësore të jetës. Ati ynë qiellor e di se ne kemi nevojë <hamë dhe të vishemi dhe ka premtuar që do të na i plotësojë këto nevoja. Pjesa më e madhe e jetës së një jobesimtari vërtitet rreth asaj që do të hajë dhe veshë. I krishteri, më së pari, duhet të kërkojë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij dhe Perëndia do të shohë se atij nuk i mungon thelbi i jetës.

Fjala e përkthyer veshim këtu do të thotë mbulesë dhe mund të përfshijë një vend për të jetuar, po ashtu edhe rroba për t’u veshur. Ne duhet të jemi të kënaqur me atë që të hamë dhe do të veshim dhe me një vend për të jetuar.

6:9 Vargjet 6-9 merren drejtpërdrejt me ata që dëshirojnë të pasurohen domosdoshmërisht. Mëkati i tyre nuk bazohet në të qenurit të pasur, por në lakminë për të qenë të tillë. Ata që dëshirojnë të pasurohen janë njerëz që nuk janë të kënaqur me ushqimin, veshjet dhe banesën, por janë të vendosur për të pasur më tepër.

Dëshira për t’u pasuruar çon në tundim. Për të arritur qëllimin e tij, ai nxitet të përdorë metoda zakonisht jo të ndershme dhe të dhunshme. Metoda të tilla përfshijnë lojërat e fatit, spekulimi, mashtrimi, dhënia e dëshmisë së rreme duke dalë nga betimi, vjedhja dhe madje edhe vrasja. Një njeri i tillë bie gjithashtu në lak apo kurth. Dëshira bëhet aq e fortë saqë ai nuk mund ta çlirojë veten nga kjo gjë. Mbase ai i premton vetes se kur të arrijë një farë shume në llogarinë bankare do të reshtë. Por nuk mundet. Kur të ketë arritur atë qëllim, ai ka dëshirë për më tepër. Dëshira për para sjell me vete shqetësim dhe frikë, që pengojnë shpirtin. Njerëzit që janë të vendosur për t’u bërë të pasur bien në shumë pasione të paarsyeshme. Ekziston dëshira për “të pasur zili se çfarë ka blerë komshiu, dhe pastaj për ta blerë vetë”. Për të ruajtur një nivel shoqëror, ata zakonisht priren të sakrifikojnë disa nga vlerat vërtet të vlefshme në jetë.

Ata bien gjithashtu në pasione… të dëmshme. Lakmia për pasuri bën që njerëzit të vënë në rrezik shëndetin e tyre dhe shtyjnë në rrezik shpirtrat e tyre. Në të vërtetë, ky është fundi drejt të cilit janë drejtuar. Ata janë aq të zënë me gjërat materiale saqë zhyten në rrënim dhe shkatërrim. Në kërkimin e tyre të pareshtur për ar, ata lënë pas dore shpirtrat e tyre të pavdekshëm. Barnes-i paralajmëron:

Shkatërrimi është i plotë. Ka një shkatërrim të plotë të lumturisë, virtytit, reputacionit dhe shpirtit. Dëshira mbizotëruese për t’u pasuruar çon në një seri marrëzish që shkatërrojnë çdo gjë këtu dhe më pas. Sa familje njerëzore janë shkatërruar kështu! [22].

6:10 Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Jo gjithë të këqijat në botë vijnë nga lakmia për para. Por është pa dyshim një ndër burimet më të mëdha të llojeve të ndryshme të të këqijave. Për shembull, çon në smirë, zili, vjedhje, çnderim, padurim, mosmirënjohje ndaj Perëndisë, egoizëm, mashtrim etj.

Nuk flitet për paranë në vetvete, por për lakmi për para. Paraja mund të përdoret në shërbim për Zotin në shumë mënyra nga mund të rrjedhë e mira. Por këtu kemi dëshirën e pazakontë për para që çon në mëkat dhe turp.

Një e ligë e veçantë e lakmisë për para po përmendet tani, që është largim nga <besimi i <krishterë. Në përpjekjen e tyre të marrë për ar, njerëzit lënë pas dore gjërat frymërore dhe bëhet e vështirë të thuhet nëse ata qenë me të vërtetë të shpëtuar.

Ata jo vetëm që humbën kontrollin e tyre të vlerave frymërore, por ata e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje. Mendoni për dhimbjet që lidhen me lakminë për pasuri! Ka një tragjedi sa për tërë jetën. Është brenga e humbjes së fëmijës në botë. Është trishtimi kur sheh të zhduket pasuria sa hap e mbyll sytë. Është frika e takimit me Perëndinë, qoftë duke qenë të pashpëtuar apo duarbosh.

Peshkopi J. C. Ryle përmbledh:

Paraja, në të vërtetë, është gjëja më e pakënaqshme e pasurisë. Ajo heq, pa dyshim, disa probleme të jetës; por sjell aq sa ka marrë. Ka probleme për ta siguruar. Ka ankth për ta ruajtur. Ka ngasje në përdorimin e saj. Ka faj në keqpërdorimin e saj. Ka brenga në humbjen e saj. Ka mëdyshje në përdorimin e saj. Dy të tretat e tërë smirave, zënkave dhe padive në botë ngrihen nga një çështje e thjeshtë – paraja [23]!

Njeriu më i pasur në botë një herë e një kohë kishte puse nafte, rafineri, naftëmbajtëse dhe turbina naftëpërcjellëse; gjithashtu hotele, një kompani sigurimi jete, një kompani financiare dhe një kompani avionësh. Por ai e kishte rrethuar pronën e tij prej 283 ha me truproja, qen të fortë, mure çeliku, projektorë të fuqishëm, zile dhe sirena. Përveçse kishte frikë nga avionët, anijet dhe njerëzit mashtrues, ai kishte frikë nga sëmundjet ngjitëse, plakjes, dobësimit dhe vdekjes. Ai ishte i vetëm dhe i shqetësuar dhe arriti në përfundimin se paraja nuk mund të blejë lumturinë [24].