Kjo letër i jep Timoteut disa prova të dokumentarizuara të autorizimit të tij për të vepruar si përfaqësuesi i apostullit. Në mënyrë të drejtpërdrejtë letra merret me jetën dhe veprimtarinë vetjake të vetë Timoteut.D. Edmond Hiebert
I. Vendi unik në Kanun
Ata që ia heqin kishës Letrat Baritore duke mos i quajtur si letrat e vërteta të Apostullit Pal i bëjnë një dëm të madh besimit. Ne dyshojmë se problemi i madh për ta nuk mbështetet shumë në të ashtuquajturin “fjalor të Palit”, sesa në mënyrën se si Pali i ka bashkuar ato fjalë! Ato dënojnë para kohe ato gjëra që këta njerëz bëjnë dhe mësojnë.
E vërteta, e bukura dhe forca frymërore e 1 Timoteut vjen te secili duke përsiatur (pa paragjykim) mbi tekstin. Në fakt, shumë nga ata që mohojnë autorësinë e Palit e ndiejnë këtë kaq fuqishëm saqë ndihen të detyruar të hedhin mendimin se pjesë të letrave të vërteta të Palit u endën në veprën e shkëlqyer falsifikuese! Për shembull, skeptiku francez i shekullit të kaluar, Ernest Renan, shkruan: “Disa pjesë nga këto letra janë aq të bukura saqë ne nuk mund të shmangim mundësinë që falsifikuesi të ketë pasur në dorë ndonjë shënim autentik të Palit, të cilin ai e ka bashkëngjitur në kompozimin e tij apostullor”{{1}}.
A nuk është më e thjeshtë të pranojmë mësimin e afërt universal të kishës që nga kohët e hershme, se këto janë – në tërë plotësinë e tyre – “shënime autentike të Palit”?
Te Letra e Parë drejtuar Timoteut gjendet një zbulim shumë i rëndësishëm mbi rregullin e kishës, shërbesën e grave, zyrtarët e kishës dhe si duhet të jetojë njeriu i Perëndisë i drejtuar nga një model i shkëlqyer, nga vetë Pali.
II. Autorësia
Shikoni Hyrjen e Letrave Baritore për një shtjellim të autorësisë së 1 Timoteut.
III. Data
Gati të gjithë konservatorët pranojnë se 1 Timoteut është letra e parë baritore e shkruar, pastaj Letra e Titit dhe së fundi e Dyta e Timoteut, vetëm pak kohë para vdekjes së Palit. Nëse Pali u lirua nga shtëpia që kishte marrë me qira në vitin 61 pas K., duke lënë një afat për udhëtimin e tij, është e mundshme një datë para vitit 64 dhe 66. Letra ka gjasa të jetë shkruar në Greqi.
IV. Sfondi dhe Temat
Tema e 1 Timoteut jepet shumë qartë te 3:14,15:
Po t’i shkruaj këto gjëra duke shpresuar që të vij së shpejti te ti, por, po u vonova, të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës.
Pali pohon këtu shumë thjesht se ka një standard në sjellje për kishën e Perëndisë dhe se ai po i shkruan Timoteut që ai të ishte i aftë ta dinte.
Nuk është e mjaftueshme t’i thuash një fëmije që sillet keq: “Sillu mirë!”, nëse fëmija nuk e di se si të sillet mirë. Atij i duhet thënë në fillim se çfarë është sjellja e mirë. 1 Timoteut e bën këtë për birin e Perëndisë në lidhje me kishën e Perëndisë.
Një vështrim i përmbledhur i kapitujve të ndryshëm mbështet temën që përshkruam më lart. Kapitulli 2 na tregon se si duhet të jetë sjellja në lidhje me lutjen publike dhe rolin e grave në publik. Kapitulli 3 paraqet kërkesa për ata që do të zënë vendin e përgjegjësisë dhe të udhëheqësisë në asamble. Kapitulli 5 thekson përgjegjësinë e asamblesë ndaj vejushave.
PËRMBLEDHJE
I. PËRSHËNDETJE (1:1,2)
II. DETYRA E TIMOTEUT (1:3-20)
A. Detyra për t’u mbyllur gojën mësuesve të rremë (1:3-11)
B. Falënderime për hirin e vërtetë të Perëndisë (1:12-17)
C. Rikonfirmimi i detyrës së Timoteut (1:18-20)
III. UDHËZIME RRETH JETËS SË KISHËS (2:1-3:16)
A. Rreth lutjes (2:1-7)
B. Rreth burrave dhe grave (2:8-15)
C. Rreth pleqve dhe dhjakëve (3:1-13)
D. Rreth sjelljes në kishë (3:14-16)
IV. APOSTAZIA NË KISHË (4:1-16)
A. Paralajmërime kundër apostazisë kanosëse (4:1-5)
B. Udhëzime të duhura në prag të apostazisë kanosëse (4:6-16)
V. UDHËZIME TË VEÇANTA RRETH KLASAVE TË NDRYSHME TË BESIMTARËVE (5:1-6:2)
A. Grupmoshat e ndryshme (5:1,2)
B. Vejushat (5:3-16)
C. Pleqtë (5:17-25)
D. Shërbëtorët dhe zotërinjtë (6:1,2)
VI. MËSUESIT E RREMË DHE DASHURIA PËR PARA (6:3-10)
VII. DETYRA TË FUNDIT TË TIMOTEUT (6:11-21)
[[1]](Hyrje te 1 Timoteut) Cituar nga L’Eglise chrétienne, f. 95, nga George Salmon tek A Historical Introduction to the Study of the Books of the New Testament, f. 413.[[1]]