A. Mbreti Roboam (kapitujt 11,12)
11:1-4 Kur Roboami u kthye në Jerusalem, Zoti ndërhyri me anë të profetit Shemajah për të parandaluar luftën civile. Ai i tha Roboamit të pranonte status quo-në, sepse “kjo gjë vjen nga Unë”. Roboami nuk e kishte dëgjuar këshillën e mirë më parë, por kësaj here po. Pati gjithmonë grindje midis dy mbretërive (12:15), por lufta në kuptimin e plotë të fjalës u shmang. Shprehja “tërë Izraeli në Judë dhe Beniamin” (v. 3) i referohet tërë Mbretërisë Jugore që ishte besnike ndaj dinastisë së Davidit. 11:5-12 Pjesa më e madhe e kohës së mbretërimit kaloi për ndërtimin e qyteteve të mbrojtjes së Judës. Qytetet e fortifikuara, që ndodheshin në jug të Jerusalemit, tregonin se ai kishte frikë sulmin nga Egjipti. 11:13-17 Ndërkohë Jeroboami e zhyti Mbretërinë e Veriut në idhujtari të madhe (1 i Mbreterve 12), duke bërë që ata priftërinj dhe levitë që i ishin besnikë Zotit të largoheshin për në Judë. Ata u ndoqën nga të gjithë ata që kishin një zemër për Perëndinë dhe në këtë mënyrë mbretëria e Roboamit u forcua. Atyre u kushtoi shumë të shkonin në Jerusalem, sepse lanë pas tokat e tyre për kullotë, pronat e tyre dhe miqtë. 11:18-23Roboami ishte një poligam, edhe pse nuk u krahasua me të atin në këtë pikë! Ai mori tetëmbëdhjetë bashkëshorte dhe shtatëdhjetë konkubina dhe i lindën njëzet e tetë djem dhe gjashtëdhjetë vajza. Gratë që përmenden me emër ishin izraelite nga familja mbretërore dhe jo gra pagane. 12:1-4 Ndërsa 1 i Mbreterve 14:22-24 përmend disa nga hollësitë e apostazisë së Roboamit, Kronikat thonë thjesht se “Roboami braktisi ligjin e Zotit” dhe “nuk u vu me zemrën e tij në kërkim të Zotit” (v. 14). Kaluan pesë vjet të shkurtër që pas vdekjes së Salomonit, monarkut të fuqishëm, dhe egjiptianët ishin afër dyerve të Jerusalemit për t’i marrë thesaret. Qytetet e fortifikuara të Roboamit nuk mbrojtën asgjë. Shishaku pushtoi Judën jo për shkak të epërsisë ushtarake egjiptiane, por për shkak të pabesisë së Judës ndaj Jehovahut. 12:5-8 Kur profeti Shemajah shkoi te Roboami për herë të dytë (shikoni 11:2) dhe paraqiti kumtin e tij të rrënimit, mbreti dhe krerët e Judës u përulën para Zotit dhe pranuan drejtësinë e Tij në gjykimin e ardhshëm. Menjëherë mirësia dhe hiri i Zotit solli çlirimin, por jo pa një mësim të dhimbshëm për të kuptuar ndryshimin midis shërbimit ndaj Jehovahut dhe shërbimit ndaj pushtuesve të tyre. 12:9-12 Populli u kursye, por mbretëria u plaçkit. Roboami u përpoq të rregullonte gjërat sa më shumë të ishte e mundur. Ai bëri mburoja prej bronzi në vend të atyre prej ari, duke ilustruar pa dashje se prania dhe favori (ari) i Perëndisë ishin zëvendësuar nga gjykimi (bronzi) i Tij [13]. 12:13-16 Historia e Roboamit përfundon me pohimin se ai veproi keq dhe pushoi bashkë me etërit e tij. Ndryshimi midis Roboamit dhe gjyshit të tij, Davidit, mund të shihet duke krahasuar Psalmin 27:8 me vargun 14. Davidi kërkoi fytyrën e Zotit. Roboami jo.B. Mbreti Abijah (kapitulli 13)
13:1-3Abijahu, e ëma e të cilit quhej Mikajah [14], ishte mbreti i radhës dhe mbretëroi tre vjet në Jerusalem. 1 i Mbreterve 15 përmend mëkatin e tij, duke thënë se nuk e ndoqi Zotin, si Davidi. Por Libri i Kronikave anashkalon çdo gjë rreth mbretërimit të tij veç një beteje me Jeroboamin. 13:4-12 Në fjalimin e tij para betejës, Abijahu e kujtoi Jeroboamin se Perëndia ia kishte dhënë mbretërinë Davidit dhe pasardhjes së tij. Jeroboamiu rebelua kundër dinastisë së Davidit dhe kishte formuar një grup njerëzish të neveritshëm dhe horra … kundër Roboamit kur ky i fundit ishte i pambrojtur. Izraeli shpresoi të siguronte fitoren për shkak të numrit të tij më të madh dhe viçave të artë. Izraeli kishte ngritur një priftëri të rreme, njerëzit e së cilës mund të hynin pa autorizim hyjnor. Juda, nga ana tjetër, zbatonte priftërinë levitike, që ende po i shërbente Zotit sipas mënyrës së caktuar. Perëndia ishte Kreu i ushtrisë së Judës dhe priftërinjtë e Tij përdorën buritë kumbonjëse … duke i rënë alarmit kundër Izraelit. Kështu, për fiset e veriut ishte marrëzi të luftonin kundër Zotit, Perëndisë. 13:13-18 Në vend që të dëgjonin Abijahun, Jeroboami thuri një pritë. Kur u afruan te Juda, njerëzit i klithën Zotit dhe priftërinjtë u ranë borive. Zoti u përgjigj duke i dhënë Judës një fitore të madhe. Nga radhët e izraelitëve ranë të vdekur pesëqind mijë luftëtarë të zgjedhur – një çmim i madh i paguar ngaqë u larguan nga Perëndia! 13:19-22Abijahu pushtoi territore të tjera, edhe pse nuk e nënshtroi plotësisht Izraelin. Humbjet ishin shkatërruese për Jeroboamin, që më vonë u godit nga Zoti. Por Abijahu u bë i fuqishëm dhe i begatë.C. Mbreti Asa (kapitujt 14-16)
14:1,2 Tre kapitujt që vijojnë na paraqesin një raport të shkurtër të Asës dhe mbretërimit të tij dyzetenjëvjeçar. 1 i Mbreterve 15:9-24 duhet të lexohet bashkë me këta kapituj. Vargu 1 është një urë nga kapitulli i mëparshëm. Bibla hebraike e fillon kapitullin 14 me vargun 2. 14:3-8 Burimi i mbretërimit paqësor të Asës ishte qëndrimi i zemrës së tij ndaj Jehovahut. Ai hoqi shumë nga mëkatet e etërve të tij dhe e nxiti popullin e tij të kërkojë Zotin, duke e drejtuar vetë udhën, duke pastruar me zell mbretërinë nga idhujtaria [15]. Gjatë kësaj kohe paqeje Asa ndërtoi qytetet e tij dhe mblodhi një ushtri të madhe. 14:9-15 Paqja e Judës u prish nga një ushtri … etiopase … prej një mijë burrash dhe me treqind qerre. Forca më e vogël e Judës doli fitimtare për shkak të besimit të tyre në Jehovahun. Armiku u mund bindshëm. Lutja e Asës në vargun 11 është e shkurtër dhe drejt e në temë. Nuk ka kohë në betejë për të thënë shumë llafe, por lutjet e dala nga nevoja e dëshpëruar janë shumë të frytshme nëse lutja e dikujt është në një marrëdhënie e drejtë me Perëndinë, ashtu siç qe ajo e Asës. Meqë ai e ndoqi Zotin në paqe, ai e dinte se Zoti do të kujdesej për të në luftë. Lufta filloi në Mareshah, një qytet në Judë dhe përfundoi deri në Gherar, një qytet që i përkiste filistenjve. Shumë u vranë, u mor bagëti dhe plaçkë shumë e madhe dhe kafshët u çuan për në Jerusalem. 15:1-6Asa dhe njerëzit e tij festonin për suksesin e tyre të fundit kundër morisë së madhe. Ndërsa u kthyen në Jerusalem, Zoti pati një mësim për ta. Së pari, Azarisahu u kujtoi atyre se Zoti ishte me ta, sepse ata e kishin ndjekur atë. Por … Ai do t’i braktistenë rast se ata do ta braktisnin Atë. Dhe historia tregoi më tepër se një herë se Izraeli e kishte braktisur Perëndinë e tij. Për rrjedhojë, ata nuk gëzuan siguri dhe vazhdimisht mundeshin nga armiqtë e tyre. Por kur kombi e kërkonte … Zotin, ata e gjenin Atë gjithmonë të gatshëm për të falur dhe për t’i ripërtërirë. 15:7 Meqë Asa po ndiqte Jehovahun, Azarisahu i dha zemër që të kapej pas veprave të mira. Duke e veçuar nga rrëfimi i tij historik, vargu 7 ia vlen të mbahet mend: “Por ju jeni të fortë dhe mos lini që krahët tuaja të dobësohen, sepse puna juaj do të shpërblehet”. Vargu parallel për besimtarët sot është 1 Korintasve 15:58. 15:8-15 “Oded” (v. 8) mbase i referohet birit të Odedit, Azarisahut (shikoni shënimet fundore të versionit NKJ). Mbreti iu përgjigj fjalëve të profetit me entuziazëm të vërtetë. Ai e vazhdoi programin reformues menjëherë, duke hequr idhuj të tjerë (krahasoni 14:3), jo vetëm nga vendi i tij i Judës, por edhe nga qytetet … e Efraimit, që i kishte pushtuar në betejë. Ai ripërtëriu altarin në tempull dhe e shenjtëroi atë me flijime. Ai kërkoi një mbledhje solemne në Jerusalem, duke ia ofruar një pjesë të plaçkës etiopase Zotit në altar dhe bëri që populli të zotohej … se do të kërkonte Zotin. Ai nuk la vend për të pabindur – të gjithë ata që nuk e kishin zbatuar besëlidhjen duhej të ekzekutoheshin (v. 13). 15:16-19 Asa gjithashtu hoqi gjyshen e tij (jo nënën e tij [16]) nga pozita e saj si nëna-mbretëreshë dhe shkatërroi shëmbëlltyrën e neveritshme. Për komentin e vargut 17 shikoni shënimin te 14:3-8. Thesaret u çuan në tempull, në vend që të çoheshin jashtë. Kjo punë u shpërblye ashtu siç kishte premtuar Zoti përmes Azarias dhe ai pati paqe. 16:1 Më vonë gjatë mbretërisë së Asas [17], Baasha, mbret i Izraelit u përpoq ta parandalonte popullin e tij që të mos bashkohej me Asën, duke fortifikuar Ramahun, një qytet jo shumë larg Jerusalemit. 16:2-6Asa iu kthye ndihmës së njeriut, në vend që të besonte në krahun e Zotit, ashtu siç kishte bërë më parë kur u pushtua nga etiopasit. Ai dërgoi thesarin e Zotit për të blerë ndihmën e Ben-Hadadit. Mbreti sir sulmoi … Izraelin nga veriu dhe e detyroi Baashën të tërhiqej nga Ramahu për të mbrojtur kufijtë e tij veriorë. Skema e Asës në pamje të parë funksionoi, por Perëndisë nuk i pëlqeu një gjë e tillë. 16:7-10 Fundi me siguri nuk përligj mjetet në sytë e Jehovahut, kështu që Ai dërgoi profetin e Tij Hanan për t’i folur Asës. Hanani paditi me guxim mbretin, ngaqë kishte vepruar si një i pamend. A nuk e kishte shpëtuar … Zoti nga etiopasit? A nuk kujdesej vazhdimisht Perëndia për njerëzit me të cilët mund të punonte? Meqë Asa kishte vendosur të luftonte sipas mishit, atëherë do të kishte luftëra që nga ajo kohë e tutje. Asa u indinjua. Në vend që të dëgjonte fjalën e Zotit, ashtu siç kishte vepruar më parë (15:8), e futi Hananin në burg. 16:11-14 Asa vendosi të punonte në kundërshtim me rrugën e Zotit, kështu Zoti e mundoi me një sëmundje nga këmbët. Por ai ende nuk pranoi të pendohej dhe të kthehej te Jehovahu. Ai iu drejtua mjekëve dhe pak më vonë vdiq. Disa mendojnë se mjekët mund të kenë qenë magjistarë apo shërues spiritistë. Pavarësisht nga vdekja e tij e hidhur, Asa ishte një ndër mbretërit më të mirë të Judës (15:17). Populli mbajti zi të madhe për vdekjen e tij. Djegia e vargut 14 ka të bëjë me djegien e temjanit, jo me djegien e trupit.D. Mbreti Jozafat (kapitujt 17-20)
17:1-5Jozafati pasoi atin e tij dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet (20:31). Këtij i kushtohet më tepër vend te 2 Kronikave 17-20, sesa te Mbretërve. Materiali në kapitullin 17 nuk paraqitet te 1 Mbretërve. Sapo hipi në fron, Jozafati… forcoi mbretërinë e tij kundër Izraelit. Ai e fortifikoimbretërinë e tij, por e fshehta e kësaj mbretërie të suksesshme ishte se ndoqiZotin, ashtu siç kishte vepruar Davidi. Është interesant fakti se sa shpesh përdoret Davidi si standard me anë të të cilit duhet të matet çdo mbret. Nëse ata ecnin sipas shembullit të tij, begatonin dhe bekoheshin. Nëse jo, dështonin. Vendi gëzonte paqe në kohën e Jozafatit dhe armiqtë e tij paguanin haraç (v. 10-12). 17:6-9 Fjala e Perëndisë kishte përparësi të madhe në jetën e Jozafatit. Ai ishte xheloz në ndjekjen e parimeve të Tij dhe u bindej me gëzim. Ai gjithashtu e bëri rregull të mbretërisë së tij, duke dërguar një komision të veçantë princash, levitësh dhe pritërinjsh për të ndrequr popullin në rrugët e Zotit, duke iu bindur urdhrave të Perëndisë te Ligji i Përtërirë 6:6, e vargjet në vazhdim. 17:10-19 Duke u bekuar nga Jehovahu, Jozafati u bë gjithnjë e më i madh. Dhe çfarë ushtrie kishte! Roboami ishte nisur mbi gjashtë vjet më parë me 180 000 burra. Tashmë forca ushtarake e Judës përbëhej nga 1 160 000 burra, duke mos numëruar ata që ndodheshin në qytetet e fortifikuara. Shumë nga këta burra kishin dezertuar nga Izraeli, sepse kishin parë se Zoti ishte me Judën. Ishte shumë e keqe që Jozafati nuk e përdori fuqinë e tij ushtarake më me zgjuarsi, ashtu siç do ta shohim në kapitullin 18. 18:1 Deri në këtë pikë Izraeli dhe Juda ishin treguar armiqësore ndaj njëra-tjetrës. Por biri i Jozafatit u martua me të bijën e Ashabit (21:5,6), duke lidhur kështu një aleancë midis dy mbretërive. 18:2-7Ashabi i kërkoi Jozafatit ta ndihmonte për të sulmuar sirët, që kishin pushtuar një pjesë të territorit të Izraelit (krahasoni 1 i Mbreterve 22:3,4). Menjëherë Jozafati i dha ndihmën e kërkuar Ashabit, por hodhi idenë se ata në fillim duhej të konsultoheshin me fjalën e Zotit. Për këtë Ashabi dërgoi njerëz për të takuar profetët, të cilët të gjithë, njëzëri, parashikuan sukses. Megjithatë ata mund të mos kenë qenë shumë të bindur, sepse Jozafati, që kishte një masë dallimi frymëror, kërkoi “një profet … të Zotit“, sikur të nënkuptonte se të katërqind vetat të mbledhur nuk kishin folur me Jehovahun. Duket se edhe Ashabi e njihte ndryshimin midis profetëve të tij dhe një profeti të vërtetë. Por Mikajahu, me anë të të cilit mund të merrnin fjalën e Zotit, urrehej nga Ashabi, sepse ai gjithnjë parashikonte të keqen për mbretin. 18:8-11 Kur e thirrën Mikahajun, Sedekia përmblodhi në mënyrë teatrale se si do të shkatërroheshin sirët (mbase dy brirët që kishte vendosur simbolizonin dy mbretërit hebrenj). Të gjithë profetët e tjerë të mbretit ishin dakort. Mudi (D. L. Moody) komenton: Ashabi kishte predikuesit dhe profetët e tij. Një njeri i prishur do të gjejë dikë që t’i predikojë sipas qejfit të tij [18]. 18:12,13 Ndërkohë Mikajahu po shtrëngohej nga lajmëtari i mbretit të binte dakort me profetët e tjerë në parathënien e fitores, por Mikajahu premtoi vetëm të shpallte fjalën e Zotit. Vargu 13 duhet të jetë motoja e çdo predikuesi dhe të krishteri: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall”. 18:14-17 Në fillim Mikajahu u hoq se binte dakort me të tjerët, por u pa menjëherë qartë se ai nuk ishte serioz. Kur Ashabi iu përgjërua që të fliste të vërtetën, ai foli për mundjen e ardhshme të Izraelit dhe për vdekjen e Ashabit. 18:18-22 Gjithashtu Mikajahu shpjegoi pse profetët e Ashabit po i jepnin dëshmi të rreme: ata ishin të pushtuar nga një frymë e gënjeshtrës që Zoti dërgoi, për shkak të ligësisë së Ashabit. Tashmë Ashabi ishte objekti i gjykimit, ashtu siç ishte profetizuar më parë nga Elia (1 i Mbreterve 21:19-24). Methju Henri komenton: Fakti që djalli mashtron njerëzit nuk ndodh pa lejimin hyjnor dhe, megjithatë, edhe në këtë rast Perëndia e përdor për qëllimet e Tij … Kështu Mikajahu i dha Ashabit një paralajmërim të drejtë, jo vetëm rrezikun nëse do të shkonte në luftë, por rrezikun në besimin e atyre që i jepnin zemër që të vazhdonte [19]. 18:23-26 Mikajahu vuajti për ndershmërinë e tij. Sedekia e goditi me një shpullë dhe Ashabi e burgosi duke i dhënë vetëm bukë e ujë, mbase duke pasur qëllim ta vriste. Që të dyve Mikajahu iu përgjigj duke thënë se Zoti do ta vërtetonte se po thoshte të vërtetën. Shkrimi nuk na thotë se çfarë i ndodhi Sedekias, por dimë se Ashabi u vra në betejë, sipas fjalës së Jehovahut. 18:27-29 Fjalët e profetit duhet të kenë pasur një ndikim tek Ashabi, sepse u përpoq të vishej ndryshe, për t’i shpëtuar, kështu, gjykimit të Perëndisë. Ai hodhi idenë që Jozafati të vishte rrobat e veta mbretërore, ndërsa vetë ai veshi uniformën e një ushtari. 18:30-34 Por fjala e Zotit u krye. Jozafati u lirua nga sirët, pasi mori një mësim rreth rreziqeve të aleancave jo të shenjta (2 Kor. 6:14). Ashabi nuk u lirua. Perëndia drejtoi një shigjetë, në dukje rastësisht, midis lidhjeve të parzmores së tij dhe kur perëndoi dielli ai vdiq. 19:1-5 Kur shikuesi Jehu, biri i Hananit, që ishte gjithashtu një profet, e qortoi Jozafatin për aleancën e tij me Ashabin, ai u kundërpërgjigj me pendim. Marrëdhënia e tij me Ashabin idhujtar kishte sjellë një shembull të keq për nënshtetasit e tij. Kështu mbreti shkoi në tërë mbretërinë e tij për t’i sjellë ata përsëri te Zoti. Ai gjithashtu vendosi një sistem ligjor në përputhje me Ligjin e Moisiut (LiP. 16:18-20). Kjo, bashkë me shpërndarjen e mësuesve në tërë vendin (17:7-9), tregoi respektin e madh të Jozafatit për Shkrimin. Këto veprime shfaqën gjithashtu shqetësimin e tij për nënshtetasit e tij dhe dëshirën e tij për të vepruar besnikërisht si mëkëmbës i Jehovahut. 19:6-11 Nxitjet e mbretit u morën nga ligji (v. 10). Ai përforcoi urdhrat fillestare të Zotit ndaj atyre që do të vepronin si gjyqtarë midis popullit të Tij. Meqë ata gjykonin popullin e besëlidhjes së Perëndisë dhe meqë Ai shikonte gjithçka që bëhej, gjyqtarët duhej të kishin frikë nga Zoti dhe të “tregonin kujdes“. Gjyqtarët u vendosën gjithashtu në kryeqytet, Jerusalem, ku mund të shqyrtoheshin çështjet e vështira. Prifti më i lartë Amariah kishte detyrën e çështjeve fetare dhe Zebadiahu, kreu i fisit të Judës, ishte përgjegjës për të zgjidhur çështjet civile. Levitët shërbenin si gjyqtarë. 20:1-6 ” – Një shumicë e madhe është nisur kundër teje që përtej detit” (disa dorëshkrime hebraike shkruajnë “Edomi” në vend të “Siria” në vargun 2 [20]). Jozafati u alarmua me të drejtë. Ai shpalli një agjërim dhe e thirri popullin në tempull, ku iu lut Zotit. Kjo është “lutja e tretë e mbretit” tek 2 Kronikave (shikoni gjithashtu lutjen e Salomonit, kapitulli 6, dhe atë të Asës, 14:11). 20:7-13 Jozafati i kujtoi Zotit se judenjtë ishin populli i Tij i besëlidhjes. Tempulli, ku po lutej Jozafati, ishte shenjtërorja e Perëndisë dhe vendi ku Ai kishte premtuar se do t’i dëgjonte dhe do t’i përgjigjej lutjes. Atyre ndaj të cilëve Izraeli kishte treguar mirësi po vinin për ta shkatërruar dhe për të marrë vendin e tij. Jozafati e mbylli kërkesën e tij mallëngjyese dhe së bashku me tërë Judën … rrinin më këmbë përpara Zotit, duke pritur për përgjigjen e Tij. 20:14-17Fryma e Zotit foli përmes Jahazielit, duke e larguar frikën që kishte përfshirë kombin. Beteja ishte e Perëndisë; populli duhej vetëm të hidhej në luftë të nesërmen dhe të shihte se çfarë do të bënte Ai. 20:18-21 Me besim populli u gëzua për fitoren e tij edhe para se të kryhej ajo. Mëngjesin vijues ata u çuan në agim për të parë se çfarë kishte bërë Zoti. Ata marshuan drejt fushës së betejës sikur po shkonin në dasëm, duke pasur si udhëdrejtues këngëtarët. 20:22-30 Perëndia pështjelloi armikun kur dëgjoi popullin e Tij që po këndonte këngën e tij të besimit. Ai i ngatërroi kundërshtarët në mënyrë që të luftonin dhe të shfarosnin njëri-tjetrin. Kur ata të Judës arritën, gjëja e vetme që kishte ngelur për të bërë ishte të mblidhnin plaçkën, një detyrë që zgjati tri ditë. Me gëzim të madh ata lëvduan Zotin dhe u kthyen në Jerusalem duke kënduar. Mbretëritë fqinje e morën vesh këtë dhe Juda gëzoi paqe. 20:31-34 Ashtu siç bëhet zakonisht jepet një përmbledhje e mbretërisë së Jozafatit. Pavarësisht nga përpjekjet e tij, ai nuk qe i zoti ta shtypte idhujtarinë. Por, në përgjithësi, mbretëria e tij qe një mbretëri e mirë. Ai u përpoq të bënte të mirën dhe, edhe pse nuk ishte i përsosur, zakonisht bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Perëndisë. 20:35-37 Ky është një shkrim që vjen pas rreth bashkëpunimit të Jozafatit me Ashaziahun, mbretin e lig të Izraelit. Ata ndërtuan anije … në Etsion-Geber për të udhëtuar në Tarshish, por Zoti e prishi projektin, ashtu siç u shpall nga profeti që quhej Eliezer. Jozafati ishte gjashtëdhjetë vjeç kur vdiq. Biri i tij, Jehorami, që mbretëroi bashkë me të, mbretëroi pas tij në fronin e Judës (21:1).E. Mbreti Jehoram (kapitulli 21)
21:1-3 Duke filluar me mbretërinë e Jehoramit, historia e shkruar tek 2 Kronikave është për teposhtë tërë rrugën, duke përfunduar në fatkeqësi dhe robëri. Në vargun 2 kemi dy Azariahë si vëllezër të Jehoramit. Versioni NKJ përdor shqiptimin tjetër te njëri Azariah – Azaryah. 21:4-6 Mbreti i pestë i Judës vendosi të ecte në rrugën e mbretërve të Izraelit në vend të rrugës së Davidit. Jehorami ishte një vrasës dhe një idhujtar. Ai, në mënyrë të pamëshirshme, vrau me shpatë tërë vëllezërit e tij për të forcuar fronin e tij. Shkrimi nuk na lë në dyshime rreth ndikimit të keq që e shtyu Jehoramin të vepronte aq ligësisht: gruaja e tij ishte bija e Ashabit (v. 6). Më parë Jozafati e kishte dashur këtë martesë midis dy mbretërive dhe tashmë Juda ishte prekur nga e njëjta paudhësi që rrënoi Izraelin. E bija e Ashabit, Athaliahu, ishte një mjet në duart e Satanit për të sjellë gjykimin mbi popullin e Perëndisë. 21:7 Por Zoti kujtoi besëlidhjen bërë me Davidin dhe nuk veproi me aq ashpërsi me Jehoramin dhe Judën sa me Ashabin dhe Izraelin (“një llambë” do të thotë një pasardhës për të shërbyer si mbret). Megjithatë, Juda duhej të vuante shumë për shkak të këtij bashkimi jo të shenjtë. 21:8-15 Edomitët, që ia kishin pasur frikën Judës gjatë kohës së Jozafatit (17:10), tashmë ngritën krye. Libnahu, një qytet në Judë, ngriti gjithashtu krye. Jehorami i çoi gjërat më keq, duke e udhëhequr popullin e tij gjithnjë e më tej në idhujtari. Edhe profecia e Elias, çuar me një letër mbretit, dështoi për ta kthyer atë nga rruga e së keqes. Jehorami e njihte me siguri shërbesën e fuqishme të profetit në Izrael, por u tregua po aq jo i përgjegjshëm ndaj tij, sa edhe Ashabi. Elia u rrëmbye në qiell gjatë mbretërimit të Jozafatit (2 i Mbreterve 2:11). Meqë Jehorami mbretëroi me të atin rreth pesë vjet, Elia mund të ketë qenë gjallë kur është çuar ky mesazh. Ose profeti mund ta kishte shkruar letrën me anë të udhëzimit hyjnor dhe mund t’ia ketë dhënë Eliseut për t’ia dhënë mbretit në kohën e duhur. 21:16,17Filistenjtë dhe arabët … morën me vete tërë pasuritë e Jehoramit dhe familjen e tij, përveç Jehoahazit, më të voglit prej bijve të tij (i quajtur zakonisht Ashaziah). Meqë kishte vrarë familjen e të atit, ky ndëshkim dukej se i shkonte për shtat krimit të tij. 21:18-20 Jehorami vdiq duke hequr mundime nga një sëmundje e pashërueshme në zorrë. Ai iku nga kjo jetë pa lënë keqardhje. Meqë nuk kishte ecur si mbretërit e tjerë në jetë, nuk e varrosën me ta kur vdiq.F. Mbreti Ashaziah (22:1-9)
22:1-9 Problemi i shkaktuar nga shoqërimi me shtëpinë e Ashabit tashmë mbërriti deri në brezin e tretë. Ashaziahu (i njëjtë me Jehoahazin, 21:17 dhe Azariahu (versioni NKJ), v. 6) u bë mbret pas vdekjes së Jehoramit. Ai ishte tridhjetë e dy [21] (versioni NKJ) vjeç në atë kohë. E ëma që quhej Athaliah, një bijë e Omrit, vazhdoi ndikimin e saj të dëmshëm në Judë pas vdekjes së të shoqit. Ajo ishte këshilltarja kryesore e të birit për të bërë të keqen – “për shkatërrimin e tij“. Ashaziahu ishte kursyer (v. 1) që të mbeste një bir i Davidit në fron, por ai u tregua mosmirënjohës, duke përsëritur mëkatet e të atit. Ai u bashkua me Jehoramin (Joramin) për të luftuar kundër … Sirisë. Jehu dhe njerëzit e tij e gjetën Ashaziahun të fshehur në Samari dhe e vranë. Shërbëtorët e mbretit i bënë një varrim të hijshëm (2 i Mbreterve 9:28), sepse ishte nipi i Jozafatit të perëndishëm. Ashaziahu nuk la djalë aq të madh sa të merrte në duar mbretërinë.G. Pushtimi nga mbretëresha Athaliah (22:10-23:21)
22:10-12 Duke humbur të shoqin dhe tashmë edhe djalin, Athaliahu u ul vetë në fron, duke vrarë tërë nipërit e saj! Satani ishte shtytësi i padukshëm pas kësaj vrasjeje të pamëshirshme të familjes mbretërore, duke u përpjekur të zhdukte pasardhjen mesianike, ashtu siç kishte bërë më parë dhe do të përpiqej ta bënte përsëri. Por, meqë premtimi i Zanafillës 3:15 garantonte ruajtjen e pasardhjes nga Zoti, nëpërmjet së cilës do të rridhte Zoti Jezus, Jehovahu e shtyu Jehoshabeathin ta fshihte nipin e saj, Joasin. Ajo e fshehu në tempull, ku i shoqi i Jehoshabeathit, prifti Jehojada, u kujdes për të për gjashtë vjet. 2 Mbretërve 8-11 jep më tepër hollësi rreth këtyre ngjarjeve dhe gjithashtu tregon paralelisht atë që ndodhte në Izrael në atë kohë. 23:1-7 Kur pa se Joasi ishte bërë i madh, Jehojada priti rastin e volitshëm që sunduesi të ulej në fronin e Davidit. Por vitin e shtatë ai thirri princat e levitët dhe komplotoi për rrëzimin e Athaliahut. Fjala përshkoi mbretërinë dhe shumë u futën në një besëlidhje për ta vënë Joasin në fronin e të atit. Fjalët në vargun 6b: “Tërë populli do t’i përmbahet urdhrit të Zotit” do të thotë se ata duhej të zbatonin ligjin që ndalonte hyrjen në tempull (shikoni v. 6a). Levitët dhe princat morën detyrat e tyre dhe një ditë e shtunë u zgjodh si një ditë vendimtare. 23:8-11 Ndërsa klasat e reja shkuan në tempull, klasat e vjetra nuk ishin liruar; kështu Jehojada mundi të mblidhte një numër të madh njerëzish pa lënë hije dyshimi. Njerëzit u armatosën me armët e Davidit, që ndodheshin në shtëpinë e Perëndisë dhe, kur tërë përgatitjet u plotësuan, Joasi shtatëvjeçar u nxor nga tempulli dhe i vunë kurorën. Atij iu dha një kopje e ligjit (Dëshmisë) në përputhje me fjalët e Moisiut (LiP. 17:18-20). Disa mendojnë se kjo ishte kopja origjinale që ishte vënë në arkë (Eksodi 25:21; 2 i Kronikave 5:10). 23:12-15 Mbretëresha Athaliah … shkoi drejt popullit, në drejtim të shtëpisë së Zotit për të hetuar gëzimin e britmat dhe gjeti një rival foshnjë, të cilin e mendonte se kishte vdekur, por tashmë kishte vënë në kokë një kurorë mbretërore. Por ajo që e ka alarmuar më tepër ka qenë fakti që populli rrinte i vendosur pas tij. Askush nuk e dëgjonte padinë e saj për tradhti. Mbi të gjitha ajo ishte pushtuesja, jo Joasi. Jehojada urdhëroi që ta vrisnin, por jo brenda tempullit. Kështu e çuan te porta e kuajve, ku e vranë për barbarizmat që kishte kryer në Judë. 23:16-19 Duke e hequr qafe Athaliahun, reforma u ndryshua. Jehojada dhe populli u betuan të ishin të Zotit. Për të treguar zotimin e tyre, shkatërruan tempullin e Baalit dhe vranë Matanin, priftin e Baalit. Si një prift, Jehojada ishte i ndjeshëm rreth tempullit dhe adhurimit hyjnor. Një ndër gjërat e para që bëri ishte rregullimi i shërbimit në tempull, ashtu siç ishte urdhëruar nga Moisiu dhe Davidi. Levitëve dhe priftërinjve u besoi detyrën e tyre. Shenjtëria e tempullit nuk duhej të trajtohej më si një gjë e lehtë; derëtarët duhej të mbanin larg njerëzit e papastër ceremonialisht. Jehojada e dinte se reforma duhej të fillonte nga shtëpia e Perëndisë. 23:20,21 Joasi u mor nga shtëpia e Zotit. Populli priste me shpresë jetesën nën Joasin, duke qenë mirënjohës se një bir i Davidit u ul në fronin e Judës edhe një herë tjetër.H. Mbreti Joas (kapitulli 24)
24:1-3Joasi ishte vetëm shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet. Joasi bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë kohës që jetoi prifti Jehojada. Madje edhe dy gratë e tij u zgjodhën për të nga ky prift me peshë i Perëndisë. 24:4-14 Për të restauruar tempullin, Joasi urdhëroi levitët të ndërmerrnin mbledhjen e fondeve në të gjithë Izraelin. Kur levitëtnuk treguan asnjë nxitim, ai u mërzit me Jehojadën. Së fundi bënë një arkë dhe e vunë para tempullit dhe populli u urdhërua të vendoste “taksën e tij të tempullit” [22]. Më pas kjo merrej dhe u shpërndahej punëtorëve që e kthyen përsëri shtëpinë e Perëndisë në gjendjen e saj origjinale dhe e përforcuan atë [23]. 24:15-19 Kur Jehojada … vdiq, pas një jete të gjatë e frytdhënëse, e nderuan, duke e varrosur me mbretërit, një nder i pazakontë për dikë që nuk ishte mbret. Por pasi u largua ndikimi i tij i perëndishëm, Joasi u kthye tek idhujtarët për të marrë këshilla, gjë që solli shkatërrimin e mbretërisë së tij. Jehovahu dërgoi profetë për ta paralajmëruar, por në vend që të pendohej, udhëheqësi i Judës u rebelua. 24:20-27Zakaria shpalli paralajmërimin e Perëndisë ndaj popullit dhe mbreti urdhëroi që ta vrisnin me gurë. Joasi … nuk e kujtoi mirësinë që Jehojada, i ati (apo gjyshi) i Zakarisë [24], kishte treguar ndaj tij. Mbase si përgjigje ndaj lutjes së Zakarisë në çastet e fundit të jetës, Zoti dërgoi një ushtri … me pak veta nga Siria për të plaçkitur Judën dhe për të vrarë zyrtarët dhe princat. Ata që i kishin dhënë këshilla të liga Joasit u vranë dhe vetë Joasi, shumë i sëmurë, u vra nga shërbëtorët e tij. Ashtu si Jeroboami i lig para tij, iu mohua varrimi me mbretërit e Judës. Ngaqë Joasi e braktisi Zotin në fund të jetës së tij, gjithçka që kishte bërë më parë nuk vlente për asnjë. Ai kishte riparuar tempullin dhe e kishte mbushur me pajisje vetëm për t’ia dorëzuar thesaret e tij Hazaelit, sirianit (2 i Mbreterve 12:17,18). Është gjë e mirë të fillosh mirë, por është edhe më e rëndësishme të mbarosh mirë. Apostulli Gjon, duke njohur prirjen që kanë njerëzit “të ngelen në çaste të vështira” na paralajmëron: “Bëni kujdes se mos humbni frytin e gjërave të kryera, por bëni në mënyrë që të merrni një shpërblim të plotë” (2 Gjonit v. 8). 2 Mbretërve 12 paraqet më tepër hollësi rreth jetës dhe mbretërisë së Joasit; shikoni komentimin për atë kapitull.I. Mbreti Amatsiah (kapitulli 25)
25:1-10 Pasi u vendos në fron dhe lau hesapet me vrasësit e të atit sipas ligjit, Amatsiahu e përqendroi vëmendjen e tij në çështjet e jashtme. Edomitët ishin rebeluar kundër Judës gjatë mbretërimit të Jeroboamit (21:10) dhe tashmë Amatsiahu donte t’i vinte nën sundimin e tij. Kështu rekrutoi mercenarë nga Izraeli. Megjithatë, pasi u paralajmërua nga një njeri i Perëndisë, i dërgoi izraelitët në shtëpi, edhe pse ishte i shqetësuar që të mos humbte paratë (tashmë i kishte paguar mercenarët), duke pranuar sigurinë e profetit se Zotimund t’i jepte më tepër se Amatsiahu investoi në mercenarët. 25:11-13Amatsiahu dhe njerëzit e tij vranë dhjetë mijë edomitë dhe më pas kapën gjallë dhjetë mijë të tjerë, të cilët i vranë më vonë, duke i hedhur nga një humnerë. Viktimat e fundit mund të ishin fajtorë që merituan mizorinë e pazakontë, ose Amatsiahu mund të ketë ndjekur një politikë lufte të pranueshme për atë kohë. Mercenarët, të cilët Amatsiahu i kishte dërguar në shtëpi, në Efraim, të zemëruar u vërsulën mbi qytetet e Judës, duke vrarë tre mijë njerëz dhe duke marrë plaçkën. 25:14-21 Kur Amatsiahu filloi adhurimin e idhujve, të cilët i kishte sjellë nga Edomi, një profet e qortoi për mendimin që kishte se perënditë që nuk mund ta çlironin popullin e tyre mund ta ndihmonin atë! Amatsiahu e ndërpreu profetin me një kërcënim, mbase një hamendësim i fshehtë i fatit të Zakarisë, që kishte humbur jetën e tij duke profetizuar kundër atit të Amatsiahut (24:20-22). Profeti iu përgjigj paralajmërimit të mbretit duke thënë: “Unë nuk do të pësoj ndonjë goditje. Meqë ti nuk e ke pranuar këshillën time, ti je ai që do të shfarosesh”. Amatsiahu nuk e dëgjoi këshillën e Perëndisë, por në vend të kësaj u këshillua me oborrtarët e vet. Ai i shpalli marrëzisht luftë Joasit, mbretit të Izraelit, duke kundërshtuar të dëgjonte paralajmërimin e profetit. 25:22-28Juda u mund dhe Amatsiahu u turpërua dhe u varfërua. Jerusalemi u pushtua dhe tempulli u shkretua. Vartësit e Amatsiahut komplotuan kundër tij dhe për këtë u largua nga Jerusalemi. Atë e vranë në Lakish, më pas e çuan në Jerusalem dhe e varrosën.J. Mbreti Uziah (kapitulli 26)
26:1-5 Arsyeja e suksesit të Uziahut jepet që në fillim të kapitullit. Ai bëri atë që është e drejtë dhe kërkoi Perëndinë. Zakaria (jo profeti Zakaria) ishte këshilltari i tij i perëndishëm, një njeri që kuptonte [vullnetin e Perëndisë]. 26:6-15 Ngado shkonte Uziahu, merrte bekime. Ai luftoi me sukses kundër filistenjve e amonitëve dhe shtoi gjithashtu mbrojtjen e Judës. Ai mblodhi një ushtri të zgjedhur dhe grumbulloi armë të fuqishme për ta pajisur këtë ushtri. Ai gjithashtu ndërtoi qytete dhe nxiti zhvillimin agro-kulturor (v. 10). “Makinat” (v. 15) ishin një lloj katapulte. 26:16-23 Por Uziahu u bë krenar. Ai u fut në tempull … për të djegur temjan para Zotit, diçka për të cilën vetëm priftërinjtë ishin të autorizuar. Azariahu dhe tetëdhjetë priftërinj të Zotit, tërë njerëz trima, hynë pas mbretit. Qortimet e priftërinjve zemëruan Uziahun, por, para se të mund të bënte diçka, Zotie kishte goditur me lebër. Atë e nxorën me të shpejtë nga tempulli, vend në të cilin nuk u kthye më. Ai mbeti lebroz që nga ajo ditë e më pas, duke jetuar në një shtëpi të izoluar ndërsa sundonte biri i tij, Jotham. Uziahu nuk u varros në varret e mbretërve, sepse ishte lebroz; atë e groposën në fushën pranë varrezave të mbretërve.K. Mbreti Jotham (kapitulli 27)
27:1-4 Ashtu si ati i tij, Uziahu, Jothami gëzoi paqe, aq sa ndërtoi dhe përmirësoi kryeqytetin e tij dhe qytetet përreth. Ai ndoqi shembullin e të atit, përveç çështjes së mëkatit të Uziahut. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën dhe Jothami nuk duket se ka qenë një reformues. Ai bëri shumë pak për të parandaluar popullin e tij që të mos korruptohej. 27:5-9Amonitët ishin nënshtruar nga Uziahu (26:8), por mbase vdekja e tij i shtyu ata të mos jepnin haraçet e tyre. Jothami … luftoi kundër tyre dhe ata u detyruan të paguanin përsëri haraçin. Forca e tij mbështetet në faktin se ai pyeste Perëndinë në gjithçka që bënte. Ata e varrosën Jothamin në qytetin e Davidit dhe i biri, Ashazi, u bë më pas mbreti i Judës.L. Mbreti Ashaz (kapitulli 28)
28:1-4 Për të njohur historinë e plotë të Ashazit duhet të lexojmë 2 Mbretërve 16 dhe Isaian 7. Ai qe mbreti më i lig që Juda kishte njohur ndonjëherë dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem [25]. Pasi Ashazi u bë mbret menjëherë u zhyt në idhujtari. Ai zgjodhi mbretërit e ligj të Izraelit si shembullin e tij, dhe jo Davidin. Ashazi rigjallëroi ritin e neveritshëm të flijimit të fëmijëve në luginën e Birit të Hinomit, jashtë Jerusalemit. Adhurimi i Molekut nuk ishte praktikuar që në kohën e Salomonit (1 i Mbreterve 11:7), por tani praktikohej dhe nxitej hapur çdo lloj forme idhujtarie dhe veprimesh të neveritshme. 28:5-8 Për shkak të kësaj Zoti solli shumë kundërshtarë kundër Judës. Isaia na tregon se Rezini, mbreti i Sirisë dhe Pekahu, mbreti i Izraelit, bënë aleancë me njëri-tjetrin kundër Jerusalemit. Ata nuk ia dolën mbanë për të përmbysur kryeqytetin, por i shkaktuan një dëm të madh Judës. Izraelitët brenda një dite vranë njëqind e njëzet mijë burra dhe çuan robër … dyqind mijë njerëz. Shumë fisnikë u vranë në këtë kohë. Në këtë kohë, kur Ashazi kërcënohej nga Rezini dhe Pekahu, Perëndia, në hirin e Tij, i dha shtëpisë së Izraelit, përmes Ashazit, premtimin e Emanuelit, që do të lindej nga një virgjëreshë (Isa. 7:14). 28:9-15 Izraelitët kishin si qëllim skllavërimin e vëllezërve të tyre nga Juda, gjë e cila ishte e ndaluar në Ligjin e Moisiut, por Zoti dërgoi një profet për t’i paralajmëruar që të mos e bënin një gjë të tillë, sepse zemërimi i zjarrtë i Zotit ishte kundër tyre. Është e vërtetë që Izraeli kishte qenë mjeti i gjykimit të Perëndisë, por mizoria e tyre nuk përligjej. Disa nga krerët e bijve të Efraimit vepruan drejt duke ia vënë veshin profetit Obed dhe siguruan lirimin e robërve, që më pas u pajisën dhe u ushqyen nga plaçka dhe u kthyen në vendin e tyre. 28:16-27Në atë kohë mbreti Ashaz u shqetësua gjithashtu nga ato kombe që ati i tij i kishte nënshtruar, Edomi dhe Filistia. Por në vend që të kthehej te Zoti në nevojën e tij, Ashazi u kthye te mbreti i Asirisë, Tilgath-Pilneseri. Ai rekrutoi asirët me ar nga tempulli dhe shtëpia e mbretit. Atëherë mbreti i Asirisë e sulmoi Sirinë dhe vrau Rezinin në Damask (2 i Mbreterve 16:9). Kur Ashazi shkoi në Damask për të takuar Tilgath-Pilneserin, ai u dashurua me perënditë e sirëve (2 i Mbreterve 16:8-10). Aleanca e Ashazit me mbretin e Asirisë qe e shtrenjtë, meqë Asiria e mashtroi dhe i mori haraçe të rënda. Por aleanca e tij me idhujt e Sirisë qe fatale, sepse nxiti zemërimin e madh të Jehovahut. Mbreti Ashaz e nguli aq fort idhujtarinë në Judë, saqë edhe Ezekia i mirë, biri i tij, nuk mundi ta çrrënjosë. Kur vdiq Ashazi, nuk e varrosën … në varrezat e mbretërve të Izraelit [26]. Ashazi quhet mbret i Izraelit në vargun 19. Ndonjëherë mbretërve të Judës u jepet ky emër (shikoni 2 i Kronikave 21:2).M. Mbreti Ezekia (kapitujt 29-32)
29:1-11 Bibla i kushton disa kapituj mbretërimit të Ezekias. Atij i kushtohen tre kapituj tek 2 Mbretërve (18-20), katër në Librin e Isaisë (36-39) dhe katër këtu. 2 Kronikave përmend kryesisht marrëveshjet e tij fetare, ndërsa 2 Mbretërve tregon më tepër arritjet e tij politike dhe marrëdhëniet me jashtë. Që të dy librat nxjerrin në pah karakterin dhe përkushtimin e tij të spikatur ndaj Zotit. Ezekia e filloi reformimin e tij me udhëheqësit fetarë. Ai mblodhi priftërinjtë e levitët dhe i urdhëroi të shenjtëroheshin, në fillim vetë, pastaj tempullin. Për shkak të pabesisë nga ana e etërve të tyre, zemërimi i Zotit ishte mbi vend dhe shumë njerëz tashmë ishin vrarë apo ishin çuar robër. Mbreti donte të rregullonte gjërat me Perëndinë dhe i nxiti priftërinjtë e levitët të bënin të njëjtën gjë. 29:12-24Levitët e përmendur me emër në vargjet 12-14 udhëhoqën vëllezërit e tyre, duke iu bindur urdhrit të mbretit. Ata pastruan (v. 18) oborret për tetë ditë, më pas tempullin po për tetë ditë (v. 17). Ata vunë pajisjet në rregull për shërbimin në tempull, më pas i bënë të ditur mbretit Ezekia se ishte kryer gjithçka sipas fjalës së tij. Ezekia ofroi flijim për mëkatin në emër të mbretërisë. Gjaku nga olokausti dhe flijimi për mëkatin u përdor për të pastruar altarin. 29:25-36Priftërinjtë dhe levitët u vunë në vendet e tyre ashtu siç ishin caktuar në kohën e Davidit dhe kënduan e u ranë veglave të shenjta ndërsa ofrohej olokausti. Të gjithë ata që ishin të pranishëm u përulën në adhurim bashkë me levitët dhe ata që u përulën aq shumë sollën olokauste dhe oferta falënderimi. Aq shumë u soll nga kjo dhuratë, saqë priftërinjve iu desh të kërkonin ndihmën e levitëve për të therur kafshët, sepse nuk ishin shenjtëruar shumë priftërinj. Populli u gëzua për shkak të befasisë së gjallërimit dhe ngaqë krijoi një fije shprese për një të ardhme më të mirë për Judën. Por ky ishte vetëm fillimi i reformave të Ezekias. 30:1-5 Kapitulli 30 merret i tëri me rivendosjen e festës së Pashkës nga Ezekia, festë që nuk ishte kremtuar në një mënyrë të tillë që përpara se të ndahej mbretëria (2 i Kronikave 8:13). Në muajin e parë mbreti kishte pastruar tempullin dhe kishte rivendosur shërbesat e tij. Në muajin e dytë ai bëri përgatitjet për të kremtuar Pashkën dhe Festën e Bukëve të Ndorme. Sipas Numrave 9:11 Pashka mund të kremtohej në muajin e dytë nëse një kufomë shkaktonte papastërtinë e dikujt, ose nëse ndodheshin larg në udhëtim. Në rastin e Ezekias, kremtimi në muajin e parë, në kohën e caktuar, nuk ishte i mundur, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm (v. 3). Meqë ishte një festë kombëtare, tërë kombi duhej të ftohej. Kështu u dërguan lajmëtarë në tërë Judën dhe Izraelin për t’u kërkuar njerëzve që të shkonin në Jerusalem. Izraeli ishte një provincë asire në këtë kohë dhe pjesa më e madhe e njerëzve ishin çuar në robëri. Megjithatë, Ezekia mundi t’i ftonte izraelitët që kishin ngelur pa hasur kundërshtinë e asirëve. 30:6-12 Shumë nga izraelitët u tallën me lajmëtarët që i nxitën të ktheheshin te Zoti. Megjithatë, një pjesë e vogël u pendua dhe udhëtoi për në Jerusalem për të kremtuar Pashkën në vitin e parë të mbretërimit të Ezekias, në vitin 716-715 para K. (2 i Kronikave 29:3). 30:13-15 Zelli i popullit i turpëroi priftërinjtë dhe … levitët dhe i nxiti për një vlerësim më të thellë të detyrave të tyre. Qyteti u pastrua nga pisllëku i tij pagan dhe çdo veshje idhujtarie u hodh në përroin e Kidronit. 30:16-27Levitët ndihmuan ata që ishin të papastër nga ana ceremoniale dhe Ezekia u lut që Zoti të mos shikonte me hollësi parregullsitë dhe të pranonte qëndrimin e zemrës së popullit. Dhe Zoti ia plotësoi lutjen. Festa e Bukëve të Ndorme ishte një gëzim i madh për tërë ata që vendosën të kremtonin edhe shtatë ditë të tjera. Mbreti dhe paria dhanë kafshë për këtë festë të madhe dhe pati një gëzim të madh në Jeruzalem. Tërë asambleja mori bekime; gjërat ishin kthyer si në kohët e arta të Izraelit. Edhe një herë tjetër lutjet e priftërinjve të Jehovahut u dëgjuan në qiell. 31:1 Vargu i parë i kapitullit 31 lidhet me vargun përmbyllës të kapitullit të mëparshëm. Kur njerëzit e Izraelit u larguan nga Jerusalemi, shkatërruan idhujt dhe altaret e tyre anembanë në Judë, Beniamin, Efraim dhe Manas, pastaj … u kthyen në shtëpi. 31:2-10 Tashmë Ezekia rindërtoi klasat e priftërinjve dhe të levitëve në bazë të detyrave të tyre, më pas siguroi ushqimin e tyre me anë të së dhjetës. Populli u përgjigj aq bujarisht, saqë hëngrën derisa ishin ngopur dhe mbeti shumë. 31:11-19 Disa dhoma të veçanta duhej të veçoheshin në tempull për të ruajtur tepricat dhe u caktuan njerëz të aftë si mbikëqyrës. Këta përmenden me emër për të treguar se si mban shënim Perëndia çdokënd që shërben në çështjen e Tij. Ndërsa parimi i së dhjetës (dhënies të së dhjetës) nuk është një urdhër në DhR, mësohet praktikimi i dhënies sistematike dhe në bazë të të ardhurave. 31:20,21 Kapitulli mbyllet me një lavdërim për Ezekian. Çdo gjë që bëri për Perëndinë e bëri me gjithë zemër. Nuk do mend që pati mbarësi! 32:1-8 Duke i çuar fiset veriore në robëri (2 i Mbreterve 17), asirët po kërcënonin të bënin të njëjtën gjë me Judën. Ezekia, që i kishte paguar më parë haraç Senasheribit (2 i Mbreterve 18:13-16), u detyrua nga asirët të dorëzonte edhe mbretërinë e tij. Kur Senasheribi pushtoi Judën, Ezekia u kundërpërgjigj duke ndërprerë furnizimin me ujëjashtë qytetit, duke rindërtuar dhe riparuar muret e Jerusalemit, duke siguruar ushta dhe oficerë dhe duke i dhënë zemër popullit për t’i drejtuar sytë nga Jehovahu e jo të kishin frikë nga ushtria asire. Kembëll Morgani (G. Campbell Morgan) shkruan: Duket si një përgjigje e çuditshme e Perëndisë ndaj besnikërisë së shërbëtorit të Tij që një armik i fortë të pushtonte mbretërinë në atë kohë. Historia ka nevojë për më tepër hollësi nga ç’paraqiten në këtë ngjarje. Ato mund të gjenden tek 2 Mbretërve 18:7-16. Nga ajo pjesë mësojmë se Ezekia hoqi qafe zgjedhën e mbretit të Asirisë, që ati i tij, Ashaz, kishte rënë dakort ta mbante. Më pas Senasheribi pushtoi Judën; dhe, në një çast dobësie, Ezekia i pagoi një haraç të majmë dhe përsëri ra nën sundimin e tij për t’ia mbyllur gojën me ryshfet. Rezultati nuk qe ai i dëshiruari, sepse Senasheribi tashmë kërkoi një dorëzim pa kushte. Në këtë çast krize që rrodhi nga lëkundja e tij, besimi dhe guximi i tij u ripërtërinë. Ai u fut menjëherë në veprim për të shpërqendruar armikun, duke ndërprerë furnizimin me ujë, duke përforcuar kullat, duke mobilizuar ushtrinë e tij dhe, së fundi, duke siguruar popullin: “Me ne është Dikush më i Madh se ata” [27]. 32:9-19 Ndërsa rrethoi Lakishin, mbreti i Asirisë u tall me Ezekian dhe popullin, duke menduar se Jehovahu nuk ishte më i fuqishëm se perënditë e tjera që kishte pushtuar tashmë dhe hodhi idenë se gjëja e zgjuar që duhej të bënin ishte të mos dëgjonin më Ezekian dhe të dorëzoheshin. Vargu 12 tregon se edhe asirët kishin dëgjuar për reformat e Ezekias. Por Senasheribi nuk kishte bërë mirë llogaritë për dy gjëra: besnikërinë e popullit ndaj mbretit Ezeki dhe fuqinë e Jehovahut. 32:20-23 Pasi Senasheribi u tall me Zotin, Ezekia dhe … Isaia iu kushtuan lutjes dhe Zoti dërgoi një engjëll që shfarosi ushtrinë asire. Senasheribi u kthye në shtëpi i turpëruar dhe më vonë u vra nga bijtë e tij në tempullin e perëndisë së tij. 32:24-26 Mbase sëmundja dhe shërimi i Ezekias ka ndodhur para rrethimit të Senasheribit. Në sëmundjen e tij ai thirri Zotin dhe mori premtimin se do t’i shtohej jeta, e miratuar kjo nga një shenjë, sipas së cilës dielli dukej se lëvizte mbrapsht. Kur nuk mundi t’i përgjigjej ashtu siç duhej mirësisë së tij, Zoti u zemërua me të, po për shkak se ai e përuli veten, ndëshkimi nuk erdhi mbi Judë derisa ai vdiq. 32:27-30 Në mënyrë të veçantë përmenden pasuria dhe nderi i tij dhe kanalizimi që bëri për të sjellë ujë nga një burim në luginën e Kidronit në një rezervuar brenda Jerusalemit (shikoni 2 Mbretërve 20:20 për më tepër hollësi për këtë kanalizim të ujit). 32:31 Nga Babilonia erdhën disa lajmëtarë, të shtyrë nga mrekullitë hyjnore që Perëndia i kishte dhënë Ezekias. Ata ishin të interesuar në këtë çështje, meqë adhuronin diellin dhe yjet. Mbreti u tregoi marrëzisht thesaret e tij, duke ndjellë dëshirën e tyre për t’i pasur, një dëshirë që shumë shpejt u realizua. 32:32,33Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias … është shkruar te libri i profetit Isaia. Kur Ezekia vdiq, e varrosën me të tëra nderet. Në vend të tij mbretëroi biri i tij, Manasi.N. Mbreti Manas (33:1-20)
33:1-11 Edhe pse kishte një baba të tillë të përkushtuar, Manasi pati mbretërinë më të keqe në Judë. Ajo qe gjithashtu mbretëria më e gjatë, zgjati pesëdhjetë e pesë vjet. Lista e mëkateve të Manasit është gjithashtu shumë e gjatë. Ai ndoti qytetin dhe tempullin e Perëndisë me idhujt e tij dhe ripërtëriu praktikën e djegies së fëmijëve për nder të Molekut në luginën e birit të Hinomit. Ai qe një vrasës i pamëshirshëm (2 i Mbreterve 21:16); Josefusi pohon se prej tij urdhëroheshin ekzekutime të përditshme. Tradita thotë se ai vrau profetin Isaia, duke e sharruar më dysh (referenca te Hebrenjve 11:37 “u vranë … me sharrë” mund të përfshijë këtë traditë). Kur Manasi nuk pranoi të dëgjonte Zotin dhe të kthehej nga paudhësia e tij, Zoti e shtyu mbretin e Asirisë ta çonte atë në Babiloni, e cila ndodhej atëherë nën kontrollin e asirëve. 33:12-20 Vetëm e 2 Kronikave e përmend pendimin e Manasit (referenca në vargun 18 nuk është për librat kronikë të Mbretërve, por për një kronikë të zakonshme historie të humbur). Pasi i shërbeu çdo lloj idhulli të neveritshëm për vite me radhë, Manasi mësoi se Zoti është Perëndia dhe u kthye. Ai bëri ç’të mundte për ta kthyer popullin në besnikërinë ndaj Jehovahut dhe për të spastruar idhujtarinë nga mbretëria e tij. Vendet e larta të përmendura në vargun 17 u përdorën për ta larguar Zotin nga Jerusalemi. Kjo ndalohej nga ligji, por megjithatë nuk u ndalua.O. Mbreti Amon (33:21-25)
Pas vdekjes së Manasit biri i tij nuk ndoqi reformat e tij, por mëkatet e tij të mëparshme. Mbreti i ri, Amon, mbretëroi vetëm dy vjet para se të vritej nga shërbëtorët e tij … në shtëpinë e tij. Më pas populli i vendit i ekzekutoi vrasësit e Amonit dhe e zëvendësuan me birin e tij, Josian.P. Mbreti Josia (kapitujt 34,35)
34:1-7Altaret idhujtare që Manasi kishte hequr nga qyteti (33:15) ishin sjellë përsëri nga Amoni dhe populli. Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, mbreti adoleshent, Josia, filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij. Katër vjet më vonë ndërmori reformat e tij. Josia siguroi që të mos përsëritej i njëjti gabim, kështu që shkatërroi plotësisht gjithçka që kishte lidhje me idhujtarinë dhe i dogji apo i bëri pluhur. Ai i zgjeroi reformat e tij deri në kufijtë më të largët të Izraelit. 34:8-18 Ashtu si reformatorët e mëdhenj para tij, ai menjëherë e ktheu vëmendjen te riparimi i tempullit. Një kopje e Librit të Ligjit u gjet më pas dhe u lexua … para mbretit. Çdo ripërtëritje e madhe apo e vogël e besimit të vërtetë ka përfshirë një rigjetje të mësimit të Fjalës së Perëndisë. Reforma e madhe e shekullit të gjashtëmbëdhjetë ishte e ngjashme. 34:19-28 Josia i mori paralajmërimet seriozisht dhe dërgoi njerëz te profetesha Huldah për të parë nëse kishte mbetur ndonjë mundësi mëshire. Fjalët e saj vetëm miratuan se zemërimi i Perëndisë ishte duke ardhur. Megjithatë, Josia do të kursehej, duke mos e parë Judën në ditën e fatkeqësisë, duke qenë se zemra e tij ishte mallëngjyer, ishte përulur dhe kishte besuar Fjalën e Zotit. 34:29-32 Edhe pse Josia e dinte se gjykimi ishte i pashmangshëm, ai ende urdhëroi njerëzit të mblidhen dhe lidhi një besëlidhje me Zotin. Ai e vuri Fjalën e Perëndisë përpara njerëzve në mënyrë që ata të kuptonin se sa e rëndë ishte situata e tyre dhe të shikonin nevojën e thellë për pendim. 34:33 Për shkak të udhëheqësisë së tij të fortë, ai mundi të nxiste besnikërinë ndaj Zotit gjatë tërë jetës së tij. Përmbajtja e vargut 33 shtjellohet më me hollësi te 2 Mbretërve 23:4-20. Reforma që pasoi gjetjen e ligjit dhe bërjen e besëlidhjes ishte më tërësore se spastrimi i parë i Josias i mbretërisë së vet. 35:1-6 Ashtu si Ezekia para tij, Josia u dha zemër priftërinjve dhe levitëve për të kryer shërbimin e tyre të caktuar. Ata duhej të vendosnin arkën e shenjtë përsëri në tempull, të organizonin veten në klasat e tyre përkatëse, të merrnin pozicionin e tyre në tempull dhe të pastroheshin e të ishin gati për të kremtuar Pashkën. Ka disa mendime pse ishte hequr arka nga tempulli dhe pse duhej të kthehej tashmë: Priftërinjtë mund ta kenë mbajtur në shpatullat e tyre nga njëri vend në tjetrin për ta mbrojtur nga përdhosja. Manasi apo ndonjë mbret tjetër idhujtar mund të ketë urdhëruar që të hiqej që andej. Ose Joasi mund ta ketë çuar në një vend tjetër ndërsa riparohej tempulli. 35:7-19 Meqë vendi ishte varfëruar nga asirët, Joasi siguroi pjesën më të madhe të kafshëve për festën, ndërsa princat dhe priftërinjtë sollën atë që mundën. Kërkesat sipas ligjit të Moisiut për Pashkën dhe Festën e Bukëve të Ndorme u zbatuan pikë për pikë. Përmes këngëve të lavdërimit mbreti dhe populli kremtuan Pashkën më të spikatur që nga koha e profetit Samuel. Nuk ishte Pashka më e madhe apo më e ndërlikuara, por ishte më e pëlqyera për Jehovahun, mbase për shkak të cilësisë së adhurimit. Kjo Pashkë u kremtua në të njëjtin vit me restaurimin e tempullit (v. 19; kr. 34:8, e vargjet në vazhdim). 35:20-24 Nuk përmendet asgjë rreth trembëdhjetë viteve që vijuan të mbretërimit të Josias. Kur ishte tridhjetë e nëntë vjeç, ai doli për të luftuar kundër Nekos, mbret i Egjiptit. Ushtria egjiptase, nga ana e saj, luftonte me asirët kundër babilonasve (2 i Mbreterve 23:29). Josia nuk mund të imagjinonte se dora e Perëndisë ishte pas lëvizjeve të Nekos dhe nuk i kërkoi Zotit për të parë nëse fjalët e faraonit ishin të vërteta. Edhe pse u vesh me rroba të tjera, u vra në betejë [28]. Populli i tij mbajti zi për humbjen e tij dhe ata që besuan fjalën e Zotit e dinin se me vdekjen e Josias, zemërimi hyjnor ishte te dera (34:22-28). Xhon Uajtkombi (John Whitcomb) komenton rreth kësaj ngjarjeje. Këtu kemi një nga episodet më të çuditshme në historinë e Dhiatës së Vjetër. Mbreti pagan, Neko II i Egjiptit, i bëri të ditur Josias se “Perëndia më ka urdhëruar të shpejtohem” dhe se, nëse Josia do të ndërpriste planin e Perëndisë, Perëndia do ta shfaroste (2 i Kronikave 35:21). Ne menjëherë do ta hedhim me siguri poshtë këtë pohim si propagandë nëse nuk do të kishim shpjegimin e shkrimtarit të Kronikave se Josia “nuk i dëgjoi fjalët e Nekos, që vinin nga goja e Perëndisë”! Për më tepër, duhet t’i besojmë Nekos, sepse Josia u vra. Çfarë do të thotë e gjitha kjo? A e humbi Josia shpëtimin e tij për shkak të mosbindjes? Jo, sepse Huldahu kishte thënë se ai do të vdiste “në paqe” (2 i Kronikave 34:28). A ishte faraoni Neko një profet i Jehovahut? Jo, sepse Perëndia u kishte folur mbretërve paganë drejtpërdrejt në kohë të ndryshme, pa shndërruar domosdoshmërisht zemrat e tyre (shikoni Zanafillën 12:17-20; 20:3-7). Ne mund të dalim në përfundimin se Perëndia donte ta drejtonte ushtrinë egjiptase në Eufrat, në mënyrë që Nebukadnesari të mund ta shkatërronte, ashtu si ushtrinë asire dhe kështu të përmbushte paralajmërimin e Tij se babilonasit do të pushtonin dhe do të ndëshkonin Judën (shikoni Jeremian 25:8-11) [29]. 35:25-27Jeremia … kompozoi një vajtim për vdekjen e Josias. Këngëtarët e kujtuan edhe pas robërisë. Josia ishte një njeri i një Libri; ai jetoi sipas ligjit të Zotit dhe besnikëria e tij ruhet përgjithmonë në Fjalën e Zotit. Te Jeremia 22:16 lexojmë: “Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithçka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?’ – thotë Zoti”. Josia shfaqi me anë të jetës së tij se e njihte Perëndinë. Ai filloi herët të kërkonte Zotin (34:3) dhe iu bind me kujdes dritës që mori më pas. “Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t’i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai” (2 i Mbreterve 23:25).Q. Mbreti Jehoahaz(36:1-3)
Robëria e Judës ndodhi me etapa. Më 605 para K. Nebukadnetsari u fut në Jerusalem, e bëri Jehojakimin vasal dhe i çoi robërit në Babiloni, përfshirë Danielin (2 i Mbreterve 24:1). Më 597 para K. Nebukadnetsari e pushtoi përsëri Jerusalemin, rrëzoi nga froni Jehojakinin dhe mori robër të tjerë, përfshirë Ezekielin (2 i Mbreterve 24:10). Së fundi, më 586 para K. Nebukadnetsari shkatërroi tempullin dhe çoi në robëri të gjithë përveç më të varfërve (2 i Mbreterve 25:1-10). Jehoahazi … mbretëroi vetëm tre muaj, më pas u hoq nga froni prej mbretit egjiptian dhe u detyrua të paguante një haraç të majmë. Ai ishte një njeri i keq, duke mos i ngjarë aspak të atit, Josias (krahasoni 2 i Mbreterve 23:31-34). Atë e çuan në Egjipt, ku dhe vdiq.R. Mbreti Jehojakim (36:4-8)
Eliakimi, i quajtur gjithashtu Jehojakim, ishte vëllai më i madh i Jehoahazit. Ai u vu në fron nga Neko. Mbretërimi i tij njëmbëdhjetëvjeçar u karakterizua nga ligësia dhe u mbyll nga Nebukadnetsari, që plaçkiti tempullin më 605 para K. Nebukadnetsari kishte si qëllim ta çonte Jehojakimin në Babiloni, por nuk ia arriti qëllimit. Edhe pse Libri i Kronikave nuk e përmend këtë fakt, ne e dimë se ai vdiq i turpëruar ndërsa ndodhej ende në Jerusalem, ashtu siç kishte profetizuar Jeremia (Jer. 22:19; 36:30).S. Mbreti Jehojakin (36:9,10)
Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç (versioni NKJ [30]) kur filloi të mbretërojë. Pas një mbretërimi të shkurtër prej tre muajsh dhe dhjetë ditësh, Jehojakini e dorëzoi Jerusalemin dhe i kaloi tridhjetë e shtatë vitet që vijuan të jetës së tij në burg në Babiloni. Pas vdekjes së Nebukadnetsarit, atë e lëshuan dhe e ngritën në një vend nderi (2 i Mbreterve 25:27-30).T. Mbreti Sedekia (36:11-19)
Sedekia, emri tjetër i të cilit ishte Mataniah, ishte një djalë tjetër i Josias. Kur Jehojakini u shfaq i pabesë ndaj babilonasve, ata zgjodhën Sedekian si pasuesin e tij. Ai bëri atë që është e keqe dhe nuk u përul përpara profetit Jeremia. Ai gjithashtu e prishi betimin ndaj Nebukadnetsarit dhe ngriti krye. Jerusalemi përjetoi një rrethim të tmerrshëm që zgjati tetëmbëdhjetë muaj. Kur kaldeasit (babilonasit) e morën qytetin më 586 para K., e shkatërruan atë dhe tempullin. Më pas i çuan të gjithë njerëzit, përveç më të varfërve, në mërgim.[previous][next]