Pali dhe Thesalonikasit (2 Thesalonikasve 1:3-12)

A. Borxhi i Palit për të falënderuar (1:3-5)

1:3 Letra fillon me falënderimin e shenjtorëve. Të lexosh këtë do të thotë të dëgjosh rrahjet e zemrës së një shërbëtori të vërtetë të Krishtit ndërsa gëzohet me bijtë e tij të dashur frymërorë. Për të falënderimi ishte një detyrë e vazhdueshme ndaj Perëndisë dhe ishte një detyrë e duhur përsa i përket besimit dhe dashurisë së të krishterëve. Besimi i tyre kishte bërë hapa të mëdhenj dhe secili prej tyre, pa përjashtim, po tregonte gjithnjë e më tepër dashuri ndaj njëri-tjetrit. Kjo ishte përgjigjja e lutjes së apostullit (1 Thes. 3:10,12).

Vini re rendin: së pari besimi, pastaj dashuria. “Besimi na lidh me burimin e përjetshëm të dashurisë në Vetë Perëndinë” – shkruan C. H. Mackintosh-i – “dhe rrjedhoja e domosdoshme është se zemrat tona derdhen në dashuri për të gjithë ata që i përkasin Atij”.

1:4 Rritja e tyre frymërore bëri që Pali dhe shoqëruesit e tij të krenoheshin për ta në kishat e tjera të Perëndisë. Ata kishin mbetur të qëndrueshëm dhe plot besim pavarësisht nga përndjekjet që po hiqnin. Qëndresë këtu do të thotë qëndrueshmëri apo këmbëngulje.

1:5 Fakti që ata po qëndronin kaq guximshëm ndaj përndjekjeve dhe mundimeve ishte një tregues i marrëveshjes së drejtë të Perëndisë. Ai po i mbështeste ata, duke i forcuar, duke u dhënë zemër. Nëse ata nuk kishin marrë fuqinë e Tij hyjnore, ata kurrë nuk do të kishin qenë të aftë të tregonin një qëndresë dhe një besim të tillë në vuajtje për Krishtin.

Durimi i tyre heroik vërtetoi se ata ishin të denjë për mbretërinë e Perëndisë. Kjo nuk do të thotë se çdo meritë vetjake u jepte atyre të drejtën të futeshin në mbretërinë e Perëndisë; vetëm me anë të meritës së Krishtit mund të futet dikush atje. Por ata që vuajnë për interes të mbretërisë këtu tregojnë se ata janë midis atyre që do të mbretërojnë me Të në atë ditë të ardhshme (Rom. 8:17; 2 Tim. 2:12).

E. W. Rogers-i, duke komentuar fjalinë që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë, pohon:

Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë njerëzore. Nga ana e sovranitetit hyjnor ne jemi pranuar për të qenë pjesëmarrës të trashëgimisë së shenjtorëve në dritë dhe ky pranim është vetëm për shkak të bashkimit tonë me Krishtin në vdekjen dhe ringjalljen e Tij. Ne kemi marrë hir në të Dashurin, duke mos pasur asgjë në vetvete, qoftë para, qoftë pas se të shpëtoheshim. Por Perëndia bën të mundur që njerëzit e Tij të përjetojnë përndjekje dhe mundime që të zhvillojë në ta shkëlqimin moral që i bën ata “qytetarë të denjë” të asaj mbretërie.

Disa nga apostujt u gëzuan se u quajtën të denjë për të vuajtur në emër të Jezusit. Lutja e Palit për thesalonikasit, që Perëndia t’i quante ata të denjë për thirrjen e tyre, nuk ka të bëjë fare me shtimin e ndonjë gjëje ndaj veprës së Krishtit. Kryqi e bën besimtarin të denjë për pozicionin e tij në mbretëri, por durimi dhe besimi në mundim tregon që ai është i denjë nga ana morale dhe praktike. Midis pjesëtarëve të ndonjë shoqërie tokësore ka nga ata që janë të padenjë. Pali u lut që të mos ishte kështu midis shenjtorëve [2].

B. Gjykimi i drejtë i Perëndisë (1:6-10)

1:6 Veprimi i drejtë i Perëndisë shihet në dy mënyra – ndëshkimi për përndjekësit dhe pastaj prehje për të përndjekurit.

William-i thotë:

Veprimi i Perëndisë duke lejuar popullin e Tij të përndiqet dhe lejimin e ekzistencës së përndjekësve të tij, kishte një qëllim të dyfishtë – së pari, për të provuar përshtatshmërinë e popullit të Tij për qeverisje (v. 5) dhe së dyti, për të treguar përshtatshmërinë e përndjekësve të tyre për gjykim [3].

1:7 Ashtu si Perëndia po derdhte ndëshkim ndaj armiqve të popullit të Tij, po kështu Ai do të shpërblejë me prehje ata që vuajnë për emrin e Tij.

Ne nuk duhet të arrijmë në përfundimin nga vargu 7 se shenjtorët që vuajnë nuk do të çlirohen nga prova derisa Krishti të kthehet nga qielli me zjarr flakërues. Kur një besimtar vdes, ai merr prehjen. Besimtarët e gjallë do të shijojnë prehjen nga tërë shtrëngimet në kohën e Rrëmbimit. Në fakt, ky varg na mëson që shenjtorët do të shihen (nga bota) duke shijuar prehjen KUR Zoti do të derdhë gjykimin e Tij mbi kundërshtarët e Tij.

Koha e shpagimit të drejtë të Perëndisë është kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet. Shpagimi për të paperëndishmit dhe prehja për besimtarët janë përfshirë në ardhjen e Tij. Cilës fazë të ardhjes së Krishtit po i referohet këtu? Është e qartë se kjo i referohet fazës së tretë – shfaqjes së ardhjes së Tij, kur Ai të kthehet me shenjtorët e Tij në tokë [zbulimi i Tij].

RRËMBIMI DHE ZBULIMI

Por dikush mund të pyesë: “Nga e di ti se Rrëmbimi dhe Zbulimi janë ndodhi të veçanta?”. Përgjigjja është se ato janë dalluar në Shkrim në mënyrat e mëposhtme:

Rrëmbimi Zbulimi
1. Krishti do të vijë në ajër (1 Thes. 4:17). 1. Ai do të vijë në tokë (Zak. 14:4).
2. Ai do të vijë për shenjtorët e Tij (1 Thes. 4:16,17). 2. Ai do të vijë me shenjtorët e Tij (1 Thes. 3:13; Juda 14).
3. Rrëmbimi është një mister, d.m.th., një e vërtetë e panjohur në kohët e DhV (1 e Korintasve 15:51). 3. Zbulesa nuk është një mister; ajo është tema e shumë profecive të DhV (Ps. 72; Is. 11; Zak. 14).
4. Ardhja e Krishtit për shenjtorët e Tij nuk është thënë se do të paraprihet nga shenja qiellore. 4. Ardhja e Tij me shenjtorët e Tij do të paralajmërohet nga shenja në qiej (Mt. 24:29,30).
5. Rrëmbimi njëjtësohet me Ditën e Krishtit (1 e Korintasve 1:8; 2 e Korintasve 1:14; Filip. 1:6,10). 5. Zbulimi njëjtësohet me Ditën e Zotit (2 Thes. 2:1-12, Teksti NU).
6. Rrëmbimi paraqitet si një kohë bekimi (1 Thes. 4:18). 6. Theksi kryesor i Zbulesës është gjykimi (2 Thes. 2:8-12).
7. Rrëmbimi do të ndodhë për një çast, sa hap e mbyll sytë (1 e Korintasve 15:52). Kjo nënkupton së tepërmi se nuk do të dëshmohet nga bota. 7. Zbulimi do të jetë i dukshëm për mbarë botën (Mt. 24:27; Zbu. 1:7).
8. Rrëmbimi duket se përfshin së pari kishën (Gjon. 14:1-4; 1 e Korintasve 15:51-58; 1 Thes. 4:13-18). 8. Zbulimi përfshin së pari Izraelin, pastaj edhe kombet johebrenj (Mt. 24:1-25:46).
9. Krishti do të vijë si Ylli i ndritshëm i mëngjesit (Zbu. 22:16). 9. Ai do të vijë si Dielli i Drejtësisë me shërimin në krahët e Tij (Mal. 4:2).
10. Rrëmbimi nuk përmendet në Ungjijtë Sinoptikë, por hamendësohet disa herë në Ungjillin sipas Gjonit. 10. Zbulimi është karakteristikë në Ungjijtë Sinoptikë, por nuk përmendet te Ungjilli sipas Gjonit.
11. Ata që janë marrë janë marrë për bekim (1 Thes. 4:13-18). Ata që mbeten lihen për gjykim (1 Thes. 5:1-3). 11. Ata që janë marrë, janë marrë për gjykim. Ata që janë lënë, janë lënë për bekim (Mt. 24:37-41).
12. Asnjë sistem për matjen e datës nuk jepet për ngjarjet para Rrëmbimit. 12. Një sistem i përpunuar për matjen e datës jepet për Zbulimin, si për shembull 1260 ditë, 42 muaj, tre vjet e gjysmë (shikoni Dan. 7:25; 12:7,11,12. Zbu. 11:2; 12:14; 13:5).
13. Titulli “Bir i Njeriut” nuk përdoret asnjëherë në pjesët që flasin për Rrëmbimin. 13. Për Zbulimin flitet si ardhja e Birit të Njeriut (Mt. 16:28; 24:27,30,39; 26:64; Mark. 13:26; Lu. 21:27).

E zëmë, pra, se këto janë dy ngjarje të veçanta, megjithatë, nga e dimë se ato nuk do të ndodhin afërsisht në të njëjtën kohë? Nga e dimë ne se ato janë të ndara nga një periudhë kohe? Këtu mund të përmendim tri fille prove:

1. I pari mbështetet në profecinë e shtatë javëve të Danielit (Dan. 9:25-27). Ne tani po jetojmë në Epokën e ndërmjetme të Kishës, midis javës së gjashtëdhjetë e nëntë dhe shtatëdhjetë. Java e shtatëdhjetë është Periudha e Mundimit të Madh të shtatë viteve. Kisha do të merret për të shkuar në qiell para Periudhës së Mundimit të Madh (Rom. 5:9; 1 Thes. 1:10; 1 Thes. 5:9; Zbu. 3:10). Ardhja e Krishtit për të mbretëruar do të ndodhë pas javës së shtatëdhjetë (Dan. 9:24; Mt. 24).

2. Filli i dytë i provës për një periudhë kohe midis Rrëmbimit dhe Zbulimit mbështetet në strukturën e librit të Zbulesës. Në tre kapitujt e parë, kisha shihet në tokë. Kapitulli 4 deri në 19:10 përshkruan Periudhën e Mundimit të Madh kur zemërimi i Perëndisë do të derdhet mbi botën që nuk e ka pranuar Birin e Tij. Kisha nuk përmendet se ndodhet në tokë gjatë kësaj periudhe. Kisha siç duket është marrë në qiell në fund të kapitullit 3. Te Zbulesa 19:11 Krishti kthehet në tokë për të nënshtruar armiqtë e Tij dhe për të vendosur mbretërinë e Tij, në fund të Periudhës së Mundimit të Madh.

3. Ka një konsideratë të tretë që flet patjetër për një periudhë kohe midis ardhjes së Krishtit për shenjtorët dhe ardhjes së Tij me shenjtorët. Në kohën e Rrëmbimit tërë besimtarët janë hequr nga bota dhe u janë dhënë trupa të përlëvduar. Megjithatë kur Krishti të kthehet për të mbretëruar, do të ketë besimtarë në tokë që akoma nuk kanë trupa të përlëvduar që do të lindin dhe do të rrisin fëmijë gjatë kohës së Mijëvjeçarit (Is. 11:6,8). Nga dolën këta besimtarë? Do të ketë një periudhë kohe midis Rrëmbimit dhe Zbulimit gjatë së cilës ata do të kthehen.

Tani te vargu 7 kemi mbërritjen e Zotit Jezu Krisht në fuqi dhe në lavdi të madhe. Ai shoqërohet nga engjëjt me anë të të cilëve shfaqet fuqia e Tij.

1:8 Zjarri flakërues mund të jetë një referim i Shekinahut, resë së lavdishme që simbolizonte praninë e Perëndisë (Eks. 16:10). Ose mund të jetë një figurë e gjykimit të ashpër që do të derdhet (Ps. 50:3; Is. 66:15). Mbase është kjo e fundit.

Kur Perëndia do të hakmerret kjo nuk është një hakmarrje e padrejtë, por shpagim i drejtë. Nuk duhet të mendojmë për “larje hesapesh”, por më tepër plotësimi i ndëshkimit që kërkon karakteri i Tij i shenjtë dhe i drejtë. Ai nuk kënaqet me vdekjen e të pabesit (Ezek. 18:32).

Pali përshkruan dy klasa që do të caktohen për shpagim:

1. Atyre që nuk njohin Perëndi janë ata që kanë kundërshtuar njohjen e Perëndisë së vërtetë siç është zbuluar në krijim dhe në ndërgjegje (Rom. 1,2). Ata edhe mund të mos e kenë dëgjuar kurrë ungjillin.

2. Të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht janë ata që e kanë dëgjuar ungjillin dhe nuk e kanë pranuar atë. Ungjilli nuk është thjesht një pohim faktesh për t’u besuar, por një Person që duhet t’i bindesh. Besimi sipas DhR nënkupton bindje.

1:9 Ata do të ndëshkohen. Një perëndi që nuk ndëshkon mëkatin nuk është fare perëndi. Ideja se Perëndia i dashurisë nuk duhet të ndëshkojë mëkatin anashkalon faktin se Perëndia është gjithashtu i shenjtë dhe duhet të bëjë atë që është moralisht e drejtë.

Natyra e ndëshkimit këtu përkufizohet si shkatërrim i përjetshëm. Fjala e përkthyer shpeshherë “i përjetshëm” apo “i përhershëm” (aionios) përdoret 70 herë në DhR. Tri herë mund të nënkuptojë “epoka ose kohë të kufizuara” (Rom. 16:25; 2 Tim. 1:9; Tit. 1:2). Herët e tjera [edhe këtu] nënkupton [epoka] të përjetshme apo të pafundme. Kjo përdoret te Romakëve 16:26 për të përshkruar ekzistencën e pafundme të Perëndisë.

Shkatërrim nuk do të thotë kurrë shfarosje ose asgjësim. Do të thotë humbje e mirëqenies, apo shkatërrim përsa i përket qëllimit të ekzistencës. Kacekët që Zoti Jezus përshkruan te Luka 5:37 “u shkatërruan” (e njëjta rrënjë fjale që përdoret këtu). Ato nuk reshtën së ekzistuari, por u shkatërruan përsa i përket përdorimit.

Kjo pjesë përdoret zakonisht nga ata që mendojnë se kisha do të rrëmbehet pas Mundimit të Madh për të vërtetuar pozitën e tyre. Ata mendojnë se kjo pjesë thotë se besimtarët nuk do të marrin prehje dhe përndjekësit e tyre nuk do të ndëshkohen derisa Krishti të kthehet për të mbretëruar dhe kjo do të ndodhë në fund të Mundimit të Madh. Prandaj, ata dalin në përfundimin se shpresa e besimtarëve është Rrëmbimi pas Mundimit të Madh.

Ajo që nuk shohin ata është se thesalonikasit për të cilët u shkrua kjo letër kishin vdekur tashmë dhe tashmë kishin shijuar prehjen me Zotin në qiell. Në mënyrë të ngjashme, përndjekësit e tyre kishin vdekur tashmë dhe po vuanin në Hades.

Pse, pra, duket sikur Pali thotë se këto kushte nuk do të ndodhin derisa të kthehet Krishti në tokë në fuqi dhe lavdi të madhe? Arsyeja është se kjo do të jetë koha kur këto kushte do t’i shfaqen hapur botës. Pastaj bota do të shohë se thesalonikasit kishin të drejtë dhe përndjekësit e tyre e kishin gabim. Shenjtorët do t’i shohim të shijojnë prehjen kur të kthehen me Krishtin në lavdi. Shkatërrimi i armiqve të Zotit në fund të Mundimit të Madh do të jetë një shfaqje publike e rrënimit të të gjithëve atyre që kanë munduar popullin e Perëndisë në çdo epokë.

Kjo do të na ndihmojë të kujtojmë se ardhja e Krishtit për të mbretëruar është një kohë shfaqjeje. Megjithëse ajo [ardhja për të mbretëruar] që ka qenë e njohur për shumë kohë me radhë [edhe nga koha e DhV], më në fund do të zbulohet që tërë bota të shohë. Kjo nuk është e vërtetë për Rrëmbimin.

Ndëshkimi i të ligjve gjithashtu përfshin largimin nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij. Të humbësh pa Krishtin do të thotë të jesh pa Të përgjithmonë.

1:10 Ardhja e Tij do të jetë një kohë lavdie për Zotin dhe habie për spektatorët.

Ai do të jetë i lavdëruar në shenjtorët e vet, pra, Ai do të nderohet për shkak të asaj që ka bërë në ta dhe përmes tyre. Shpëtimi, shenjtërimi dhe përlëvdimi i tyre do të jetë meritë e hirit dhe fuqisë së Tij të pashoqe.

Ai do të jetë i admiruar në mes të atyre që kanë besuar [4]. Vëzhguesit e habitur do të kuptojnë ndërsa shohin atë që Ai ka qenë i aftë të bëjë me qenie të tilla njerëzore jopremtuese!

Dhe këtu do të përfshihen edhe besimtarët thesalonikas, sepse ata kanë pranuar dhe besuar dëshminë e apostujve. Ata do të përjetojnë të njëjtën lavdi dhe triumf atë ditë, pra, Ditën e Zbulimit të Jezu Krishtit.

Për ta përmbledhur, ne mund të parafrazojmë vargjet 5-10 si vijon: “Durimi juaj në mes të mundimeve është shumë domethënës. Në gjithë këtë Perëndia po kryen qëllimet e Tij të drejta. Durimi juaj këmbëngulës në përndjekje tregon se ju jeni midis atyre që do të përjetojnë lavdinë e mbretërisë së ardhshme të Krishtit. Nga njëra anë, Perëndia do të derdhë gjykimin mbi ata që ju mundojnë tani. Nga ana tjetër, Ai do të t’ju japë prehje juve që tani mundoheni, bashkë me ne gjithashtu – Pali, Silvani dhe Timoteu. Ai do të gjykojë armiqtë tuaj kur të vijë nga qielli me ekzekutuesit engjëllorë të pushtetit të vet në një zjarr flakërues, duke ndëshkuar ata që janë të paditur ndaj Perëndisë me dashje dhe ata që janë të pabindur ndaj ungjillit me dashje. Këta do të vuajnë shkatërrimin e përjetshëm, qoftë edhe largimin nga fytyra e Zotit dhe nga shfaqja e fuqisë së Tij, kur të kthehet për të qenë i përlëvduar në tërë besimtarët – duke ju përfshirë edhe juve, sepse ju i besuat lajmit të ungjillit që ju predikuam.”.

C. Lutja e Palit për shenjtorët (1:11,12)

1:11 Në vargjet e mëparshme apostulli përshkroi thirrjen e lavdishme të shenjtorëve. Ata janë thirrur për të vuajtur përndjekjen, që kur të vijë koha të jenë të aftë për sundimin në mbretëri. Tani ai lutet që ndërkohë jetët e tyre të quhen të denja për një thirrje kaq të lartë dhe që fuqia e madhe e Perëndisë t’i bëjë të aftë t’i binden çdo shtyse për të bërë të mirën dhe të kryejnë çdo detyrë të ndërmarrë me besim.

1:12 Rrjedhoja do të jetë e dyfishtë. Së pari, do të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ta. Kjo do të thotë se ata do të japin një përfaqësim të përpiktë të Tij në botë dhe kjo do t’i japë Atij lavdi. Pastaj ata, gjithashtu, do të përlëvdohen në Të. Shoqërimi i tyre me Të, Kreun e tyre, do t’i sjellë nder atyre si pjesëtarë të Trupit të Tij.

Kapitulli 1 mbyllet me kujtesën se kjo lutje mund të marrë përgjigje vetëm sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht. Prandaj ai i jep fund një shpjegimi të mrekullueshëm të domethënies dhe rrjedhojës së vuajtjes në jetën e besimtarit. Imagjinoni se sa të nxitur do të kenë qenë thesalonikasit kur kanë lexuar këtë lajm ngushëllues!