V. 9 Në dukje Gjoni ia kishte shkruar këtë rresht kishës, por kjo letër u interceptua [u uzurpua] nga një njeri që quhej Diotref, që i jepte shumë rëndësi vetes së vet. Ai ishte një diktator virtual në asamble. Mëkati i tij ishte krenaria e vendit, një ego e fryrë dhe një xhelozi e dhunshme për sa i përket të drejtave të tij, të cilat pa dyshim i mbronte si pavarësia e kishës lokale. Diotrefi kishte harruar se Krishti është Kreu i kishës – nëse e ka ditur ndonjëherë! Ai kishte harruar se Fryma e Shenjtë është famullitari apo përfaqësuesi i Krishtit në kishë. Asnjë njeri i thjeshtë nuk ka të drejtë të marrë përsipër detyra, të marrë vendime, të pranojë apo të mos pranojë. Një sjellje e tillë është katolicizmi romak dhe Perëndia e urren. Pa dyshim që Diotrefi e shfajësonte sjelljen e tij duke thënë se përpiqej për të vërtetën. Por kjo ishte, në fakt, një gënjeshtër! Ai po i shkaktonte një dëm të madh të vërtetës duke mos i pranuar apostujt me pretekstin se ishte besnik ndaj Perëndisë. Dhe jo vetëm Gjoni, por edhe vëllezërit e tjerë gjithashtu.
V. 10 Ai jo vetëm që nuk i pranonte këta besimtarë të vërtetë, por përjashtonte nga kisha ata që i pranonin. Ai ishte një krijesë e marrë që kërkonte pushtet, duke folur kundër shërbëtorëve të vërtetë të Perëndisë me fjalë të liga. Gjoni do ta kujtojë atë herën tjetër kur do të bëjë një vizitë në këtë asamble! Këta papë egoistë nuk mund të rrinë pa u paditur hapur prej fjalës së Perëndisë. Vazhdueshmëria e tyre në fuqi mbështetet në takimet e fshehta dhe në një mbretëri frike dhe ndroje.
V. 11 Gaji nxitet të kthehet nga një sjellje e tillë e ligë dhe të ndjekë të mirën. Veprat e mira janë një provë e përbashkësisë me Perëndinë. Duke qenë kështu, apostulli hedh dyshime të rënda për sa i përket gjendjes frymërore të Diotrefit.