Profecitë e së ardhmes së afërt (Danieli 11:1-35)

A. Pushtimi grek i Medo-Persisë (11:1-3)

Edhe pse i takonin së ardhmes kur u shkruan, vargjet 1-35 janë tashmë histori e shkruar. Vargjet 36-45 i takojnë ende së ardhmes. Personi në vetën e tretë te vargu 1 mund t’i referohet Mikaelit, përmendur në vargun e mëparshëm, apo Darit. Vargu 2 flet për fuqinë e katër mbretërve të Persisë dhe kundërshtimin e kësaj të fundit ndaj Javanit. Katër mbretërit ishin Kambisisi, Pseudo-Smerdisi, Dari I (Histaspes) dhe Kserksi I (Asuero). Aleksandri i Madh ishte mbreti i fuqishëm, i cili ia hoqi fuqinë botërore Persisë për t’ia dhënë Greqisë.

B. Prishja e perandorisë greke (11:4-35)

1. Luftërat midis Egjiptit dhe Sirisë (11:4-20) 11:4 Kur vdiq Aleksandri, mbretëria e tij u nda në katër pjesë, Egjipti, Siro-Babilonia, Azia e Vogël dhe Greqia. Sunduesi i Egjiptit ishte mbreti i jugut, ndërsa sunduesi i Siro-Babilonisë mbreti i veriut. Asnjë nga pasuesit e Aleksandrit nuk ishte midis trashëgimtarëve të tij, por ata ishin gjeneralët e tij. 11:5,6 Vargjet 5-35 përshkruajnë gjendjen e luftës që zgjati rreth dy shekuj midis këtyre dy mbretërive të fundit. Mbreti i parë i jugut ishte Ptolemeu I dhe një ndër ata që do të bëhej më i fortë nga ai ishte Seleuku I i Sirisë. Këta të dy ishin aleatë në fillim, më pas kundërshtarë [14]. Më vonë Berenisi, bija e Ptolemeut II, u martua me Antiokun II, mbretin e Sirisë, për të afruar të dyja kombet, por dredhia dështoi në një furi intrigash dhe vrasjesh. 11:7-9 Ptolemeu III, një vëlla i Berenisës, sulmoi me sukses mbretërinë e Seleukut Kallinik, duke u kthyer në Egjipt me robër dhe plaçkë të madhe. Dy vjet më vonë Seleuku organizoi një sulm të pasuksesshëm kundër Egjiptit. 11:10-17 Bijtë e tij treguan se ishin më të suksesshëm, sidomos Antioku III. Vargjet 10-20 përshkruajnë se si periudha e betejës luhatet midis Veriut dhe Jugut. Vargu 17b tregon se si Antioku III bëri një marrëveshje me Egjiptin, duke i dhënë bijën e tij Kleopatra (jo mbretëresha e famshme apo e njohur e Egjiptit) që të martuar me Ptolemeun V, por ajo dezertoi për t’u vënë në anën e Egjiptit. 11:18-20 Kur Antioku III u përpoq të pushtonte Greqinë, ai u mund nga romakët në Termopile e Magnezia dhe u kthye në vendin e tij për të vdekur në një kryengritje. Pasuesi i tij, Seleuku Pilopater, u bë i poshtër për shkak të tagrambledhjes për lavdinë e mbretërisë, Izraelit. Ai vdiq në mënyrë të mistershme, mbase i helmuar. 2. Mbretërimi i të ligut Antioku Epifan (11:21-35) 11:21,22 Vargu 21 na çon në ngritjen e Antiokut Epifan, “briri i vogël” i Danielit 8. Ky njeri i neveritshëm e fitoi me anë të intrigave fronin që i takonte me të drejtë nipit të tij. Mbretëritë u përmbysën nga fuqia e tij e madhe ushtarake dhe kryeprifti jude, Onia, kreu i një aleance, u vra. 11:23,24 Antioku bëri marrëveshje me kombe të ndryshme, sidomos me Egjiptin, por gjithmonë për përfitimet e veta. Kur plaçkiti një krahinë të pushtuar, e përdori pasurinë për zgjeruar fuqinë e tij. 11:25,26 Fushata e tij kundër Egjiptit përmendet në mënyrë të veçantë: mbreti i jugut nuk ishte i zoti t’i bënte ballë, pjesërisht për shkak të tradhtisë midis ndjekësve të tij. 11:27,28 Për rrjedhojë, të dy mbretërit e Sirisë dhe të Egjiptit bënë konferenca hipokrite dhe mashtruese. Kur Antioku u kthye në vendin e tij, ai filloi ta drejtonte armiqësinë e tij kundër Izraelit, duke shkaktuar vrasje dhe shkatërrim të madh. 11:29-31 Herën tjetër kur Antioku marshoi kundër Egjiptit, e mundën romakët (anijet e Kitimit) afër Aleksandrisë. Duke u kthyer përmes Palestinës, ai shfaqi zemërimin e tij kundër Izraelit. Disa judenj besimmohues bashkëpunuan me të. Ai e ndërpreu flijimin e përditshëm dhe urdhëroi që të ngrihej një idhull në shenjtërore. Sipas historisë ai e ndoti tempullin duke ofruar një dosë mbi altar. Besëlidhja e shenjtë (v. 28, 30, 32) i referohet besimit të judenjve, me theksim të veçantë sistemit të flijimeve. 11:32-35 Këto vepra të dhunshme sollën revoltën e Makabejve, drejtuar nga Juda Makabeu (“çekiçi”) dhe familja e tij. Judenjtë besimmohues u bashkuan me Antiokun, por judenjtë besnikë ishin të fortë dhe bënë vepra të mëdha. Ishte një kohë e tmerrshme vrasjesh nga njëra anë, por shkëlqimi dhe gjallërimi frymëror nga ana tjetër.