Rrënimi i Belshatsarit shpallur nga dora që shkruan në mur (Danieli 5)
5:1-4Belshatsari ishte djali i Nabonidusit dhe nipi i Nebukadnetsarit (“ati” në v. 2 mund të nënkuptojë gjithashtu “gjyshi”). Ai dha një banket të madh duke i përdorur vazot e shenjta prej ari dhe prej argjendi, që… Nebukadnetsari i kishte vjedhur nga tempulli që ishte në Jerusalem, për një karnavale idhujtare. Mbreti dhe rrethi i tij i të njohurve u dehën me verë dhe lëvduan perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri.
5:5-9 Ndërsa ai dhe lordët e tij po deheshin dhe po dëfreheshin, u dukën gishtërinjtë e dorës së një njeriu, që filluan të shkruajnë në mur. Mbreti i tmerruar ofroi një rrobë të purpurt, një gjerdan ari dhe ngritjen në detyrë, për të qenë një ndër tre udhëheqësit (mbase me Nabonidusin dhe Belshatsarin), atij që do t’i interpretonte shkrimin.
5:10-16 Me mendimin e marrë nga mbretëresha thirrën Danielin për të interpretuar shkrimin [5]. Edhe pas gjithë këtyre viteve dhe ndryshimeve në qeveri, dituria e jashtëzakonshme dhe perëndishmëria e Danielit u kujtua të paktën nga dikush. Kështu Danielin e sollën në prani të mbretit.
5:17-24 Pasi përmblodhi përvojën e Nebukadnetsarit dhe e qortoi ashpër Belshatsarin për përdhosjen e vazove të tempullit duke i përdorur në një festë të dehurish dhe idhujtarësh, Danieli vazhdoi të zbulonte shkrimin dhe domethënien e tij.
5:25-31 Shkrimi ishte MENE, MENE, TEKEL UFARSIN. MENE do të thotë “bëj llogari“. Perëndia kishte bërë llogari Perandorinë Babilonase dhe i kishte dhënë fund. TEKEL [6] do të thotë “peshoj“. Belshatsari u peshua në peshoret dhe u gjet që i mungonte diçka. UFARSIN do të thotë “ndaj” apo ndarje (FARSIN është shumësi i PERES. “U”-ja do të thotë “dhe”). Mbretëria e Belshatsarit u nda dhe iu dha medasve dhe persianëve. Po atë natë ushtritë medo-perse marshuan kundër Babilonisë, vranë Belshatsarin dhe morën sundimin botëror. Dari, medasi, u bë mbreti i ri.