Planifikimi i shfarosjes së Judenjve (Esteri 3-4)

A. Biseda e Hamanit me mbretin (kapitulli 3)

3:1 Fjalët “Mbas këtyre ngjarjeve” tregojnë një interval pesëvjeçar midis kapitujve 2 e 3. Figura e fundit e rëndësishme në dramën e Esterit del në skenë në vargun 1, Hamani, biri i Hamedathas. Nuk na thuhet pse u ngrit në rang, por historia e mëtejshme tregon qartë se dora përtej asaj të mbretit ishte ajo e Satanit. Hamani ishte një agagit, një pasardhës i mbretërve të amalekitëve (Agag ishte një titull mbretëror). Zoti kishte shpallur luftë të përjetshme kundër amalekut (Eksodi 17:8-16). Libri i Esterit ka të bëjë me betejën e fundit të regjistruar në këtë luftë (shikoni gjithashtu 1 Sam. 15:32; 30:1-10; 1 i Kronikave 4:43). 3:2-6 Me anë të një urdhri zyrtar, para Hamanit duhej të binin përmbys si i dyti pas mbretit. Por Mardokeu nuk pranoi të përkulej para një njeriu të thjeshtë, sidomos para një amalekiti. Frika ndaj Perëndisë mposhte çdo frikë ndaj njeriut. Ligji i Moisiut nuk ndalonte shfaqjen e respektit të duhur ndaj njerëzve në pushtet, por ndalonte adhurimin e çdo gjëje veç Perëndisë. Mbretërit lindorë zakonisht kërkonin të adhuroheshin. Shokët punëtorë të Mardokeut u përpoqën të fitonin favor në sytë e Hamanit duke treguar kundërshtimin e tij. Hamani ishte një njeri egoist dhe shfaqja e mosrespektit të dukshëm të Mardokeut e tërboi atë së tepërmi. Në vend që të merrej vetëm me Mardokeun, ai ndërmori një plan për të shfarosur tërë judenjtëmbretëri! 3:7-11 Hapi i parë i Hamanit ishte të hidhte short për të vendosur një datë të përshtatshme për ekzekutimin në masë. Me anë të një rastësie në pamje të parë, data e treguar ishte gati një vit më vonë. Dikush ka thënë: “Edhe yshtja varej nga rrotat e qerreve hyjnore”. Perëndia lejoi kohë të mjaftueshme për të prishur planin e Hamanit. “Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti” (Fja. 16:33). Më pas Hamani iu afrua mbretit me një njoftim të zjarrtë rreth judenjve, duke i keqparaqitur ata si një rrezik për mbretërinë. Ai e nxiti që të dilte një dekret që të shfaroseshin. Sipas ligjit të medo-persëve, ky dekret, kur të ishte shpallur, nuk mund të ndryshohej apo të tërhiqej. Si një nxitje tjetër, Hamani ofroi të paguante dhjetë mijë talenta argjendithesaret e mbretit, të boshatisur tashmë nga humbjet e mbretit në Greqi. Asueroja e vulosi dekretin me vdekje me unazën e vulën e tij, duke dënuar me vdekje mijëra burra, gra e fëmijë të pafajshëm për t’u flijuar në altarin e krenarisë së Hamanit. Vargu 11 mund të nënkuptojë se paratë e marra nga të vdekurit do t’i përkisnin Hamanit. 3:12-15 Kopje të urdhrit të ekzekutimit u dërguan me vendosmëri të madhe, duke caktuar ditën e trembëdhjetë të muajit të parë për barbarizmën. Në pallatin mbretëror Asueroja dhe Hamani të vetëkënaqur ishin ulur të pinin, por qytet kishte mëdyshje të mëdha. Irving Jenseni komenton rreth kësaj: Fjalia e fundit e kapitullit 3 është domethënëse: “Por qyteti i Suzës ishte tmerruar” (versioni KJ). Jo vetëm judenjtë, por edhe johebrenjtë reaguan ndaj këtij shembulli mizor të despotizmit të dhunshëm. Ndonjëherë turma e ka gabim, por jo gjithmonë. Këtu kemi një situatë kur një mbret dhe kryeministri i tij ishin nga ana e pakicës me pushtet të pakufishëm që e kishte gabim. Por tërë njerëzit – kombet dhe individët – duhet të njohin Pushtetin më të lartë – Perëndinë. Dekreti i mbretit u shpall dhe u dërgua, por Mbreti i mbretërve e kishte fjalën e fundit [9].

B. Biseda e Mardokeut me mbretëreshën (kapitulli 4)

4:1-3 Popullsia judaike u habit ndërsa lajmi u përhap në tërë vendin. Gjithmonë ka trishtim kur mbretëron e keqja. Mardokeu veshi rrobën e zisë dhe vajtoi përgjatë qytetit, derisa mbërriti te porta e mbretit, përtej së cilës nuk mund të shkonte, sepse ata që ishin të mbuluar me një thes nuk lejoheshin në praninë e mbretit. Ai e dinte se vetë ishte synimi kryesor i urrejtjes së Hamanit. Fati që priste kombin e tij ishte shkaktuar pa dashje nga ai. 4:4-9 Meqë zakoni e ndalonte Esterin të largohej nga zona e saj në pallatin e mbretit, ajo dërgoi një shërbëtor për të marrë disa rroba për Mardokeun që të mos dukej i veshur me thes nga mbreti e të vritej. Por Mardokeu nuk pranoi ta maskonte ankthin e tij. Kur Hathaku, shërbëtori vetjak i Esterit, erdhi të zbulonte pse vazhdonte të mbante zi, Mardokeu i tregoi tërë historinë. Një kopje e tekstit të dekretit iu dërgua mbretëreshës bashkë me një urdhër për të përdorur detyrën e saj që të ndërmjetësonte në favor të popullit të saj. 4:10-12 Esteri iu përgjigj Mardokeut duke i kujtuar se ishte dënim kapital [vdekje] të dilje para mbretit e paftuar, nëse nuk e kursente jetën e atij që futej pa leje duke shtrirë skeptrin e tij prej ari. Ajo i tregoi për një tjetër ndërlikim që do ta bënte një veprim të tillë dyfish të rrezikshëm: ajo nuk ishte thirrur nga Asueroja për tridhjetë ditë, gjë që tregonte se ajo mund të kishte ndjellë, deri diku, mospëlqimin e tij. 4:13,14 Përgjigjja e Mardokeut ndaj arsyetimit të Esterit qëlloi drejt e në shenjë: Ajo nuk do të shpëtonte ndërsa pjesa tjetër e judenjve do të vritej, edhe pse ishte mbretëreshë. Nëse nuk do të pranonte të vepronte tani, dikush tjetër do të ngrihej për ta çliruar popullin e Tij, por ajo do të vdiste. Dhe mbase kjo mundësi për të shpëtuar popullin e saj ishte arsyeja pse ishte ngritur në fron. Fjalët e vargut 14 duhet të sfidojnë secilin prej nesh: “Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?”. Edhe pse disa prej nesh nuk do ta kenë pozitën e Esterit, çdo besimtar ka një rol thelbësor për të luajtur në planin e ardhshëm të Perëndisë. 4:15-17 Duke e marrë vendimin e saj, Esteri udhëzoi tërë judenjtëagjëronin me të për tri ditë. Atëherë do të dilte para mbretit. Methju Puli (Matthew Poole) komenton fjalët e famshme dhe heroike të Esterit: “Në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”: Edhe sikur rreziku im të jetë i madh dhe i dukshëm, duke marrë parasysh qartësinë e atij ligji, pasigurinë e mendjes së mbretit dhe ashpërsinë që kishte treguar me paraardhësen time, Vashtin, në vend që të anashkaloj detyrën time ndaj Perëndisë dhe popullit të Tij, do të dal para mbretit dhe do ta dorëzoj veten me gëzim e besim në parashikimin e Perëndisë për sigurinë dhe suksesin tim [10]. Qëndrimi i krishterë në rrethanat e vështira e të lodhshme nuk duhet të jetë qëndrim fatalizmi, por optimizmi, në mënyrë të veçantë kur afrohemi para fronit qiellor për hir e për ndihmë në kohë nevoje. Ne kemi liri hyrjeje me guxim e besim; skeptri i faljes së Perëndisë është drejtuar ndaj nesh në Kalvar. “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16).