Esteri

Libri i Esterit na paraqet një segment të historisë së judenjve, e cila nuk paraqitet gjetiu në Bibël. Për shembull, këtu mësojmë rreth fillesës së festës së Purimit, e cila, siç e dimë mirë, kremtohet nga populli jude deri në ditën e sotme.Carl Armerding

1. Vendi unik në Kanun

Një judeu rus iu bë një pyetje nga një perëndimor se cili do të ishte rezultati nëse BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) do të shtonte politikat e saj antisemite. “Ah, mbase një festë hebreje!”. Kur iu kërkua një shpjegim për këtë, judeu tha: “Faraoni u përpoq të zhdukte hebrenjtë dhe rezultati qe Pashka; Hamani u përpoq të shfaroste popullin tonë dhe rezultati qe Purimi; Antioku Epifan u përpoq të na mashtrojë dhe rezultati qe Hanukahu!”.

Libri i Esterit shpjegon fillesën e festës së Purimit, një festë aq shumëngjyrëshe judaike, saqë zhurmëtarët fishkëllejnë sa herë që përmendet emri i Hamanit në leximin publik vjetor të librit.

Libri i Esterit është unik në disa mënyra. Ai na flet për historinë e judenjve jopraktikues [1], që parapëlqyen më tepër begatinë në Persi [2], sesa shtrëngesat e mbetjes së vogël që u kthye në Jerusalem nën udhëheqjen e Zorobabelit (Esdra 2). Te ky libër, përveç agjërimit, mungon çdo referim tjetër i fesë.

Një cilësi tjetër e spikatshme e librit është se emri i Perëndisë [3] nuk gjendet, një fakt që ka shkaktuar paqartësi për vendin e tij në Shkrim. Por Sidlou Baksteri (J. Sidlow Baxter) tregon se emri Jehovah gjendet i fshehur katër herë si një akrostik (1:20; 5:4; 5:13; 7:7), gjithmonë në një pikë thelbësore në histori. Gjithashtu emri Ehyeh (Unë jam ai që jam) gjendet një herë në një formë akrostike (7:5). “Kjo nuk mund të jetë e rastësishme” – shkruan Skroxhi (Scroggie) – “dhe vështirësia e ndërtimit të formave të tilla do të jetë e dukshme për çdo njeri që i kërkon” [4].

Meqë pak të krishterë e njohin hebraishten dhe shkrimi akrostik është një formë e vështirë letrare që të kuptohet pa shembuj, po citojmë një përpjekje artistike dhe të zgjuar të Artur Piersonit (Arthur T. Pierson) në çiftin e vargjeve që rimojnë. Ai përdor fjalën ZOT për YHWH. Vini re se, ashtu si në origjinal, shembulli përdor shkronjat e para. Gjithashtu emri i fshehur “Z-O-T” shkruhet së mbrapshti. Kjo është paralele me hebraishten origjinale:

Esteri 1:20 Tërë, O Zonjat, do të nderojnë bashkëshortët e tyre, nga më i madhi deri te më i vogli” [5].

Edhe pse emri i Perëndisë nuk shfaqet hapur, prania dhe fuqia e Tij shfaqen qartë ndërsa siguron çlirimin për popullin e Tij, përmes një serie “rastësish” të planifikuara. Edhe pse emri i Jehovahut nuk shoqërohet hapur me ata që qëndruan me dashje në Babiloni në vend që të ktheheshin në qytetin dhe vendin e tyre, kujdesi i Tij për ta nuk mund të vihet në diskutim. Ata ishin ende populli i Tij dhe Ai do t’i mbronte nga anti(kundër)semitizmi (frymëzuar nga djalli), që u përpoq t’i shfaroste. Perëndia është Autori i tërë historisë, edhe sikur Ai të mos e firmoste emrin e Tij në fund të çdo faqeje.

Poezia e Xhejms Rasëll Louellit (James Russell Lowell) është një koment i përshtatshëm për Librin e Esterit:

I shkujdesur duket hakmarrësi i madh:
Faqet e historisë të shkruar ruajnë
një çengel të vdekjes në errësirë,
mes sistemit të vjetër e Fjalës.
E vërteta në trekëmbëshin e vdekjes përgjithmonë;
e gabuara gjithmonë në fron.
Por ai trekëmbësh luhat të ardhmen;
dhe përtej dritës së dobët e të panjohur,
brenda hijes,qëndron Perëndia,
duke ruajtur të Tijtë.

Esteri nuk citohet në DhR dhe deri tani asnjë pjesë nuk është gjetur në Pergamenat e Detit të Vdekur. Për këtë dhe arsye të tjera, disa (madje dhe disa judenj) kanë vënë në diskutim vendosjen e Librit të Esterit në Bibël. Megjithatë, libri përmban mësime të mrekullueshme mbi besnikërinë e Perëndisë, edhe kur populli i Tij është i pabindur.

II. Autorësia

Shkrimtari i këtij libri ishte pa dyshim një jude që njihte zakonet perse dhe hollësitë e pallatit mbretëror (arkeologjia ka miratuar disa nga këto cilësi të veçanta). Ai shkruan si një dëshmitar okular, duke përdorur stilin hebraik të epokës pas mërgimit. Disa kanë hedhur idenë se Esdra ose Nehemia janë autorët e librit. Tradita judaike paraqet idenë e Mardokeut si autor. Në fakt nuk kemi ide se kush e ka shkruar librin e Esterit; mbase shkrimtari njerëzor ishte një figurë jo e rëndësishme nga ana historike. Sido të ketë qenë, ashtu siç e paraqet Komentari i Katedrës: “Këtë nuk mund ta ketë shkruar një jobesimtar në Perëndinë; dhe asnjë besimtar në Perëndinë nuk mund ta lexojë pa iu forcuar besimi me anë të tij”.

III. Data

Esteri 10:2 nënkupton se mbreti Asueros (Ksersi) kishte vdekur tashmë; meqë ai vdiq më 465 para K., kjo do të thotë se libri është shkruar pas kësaj date. Hollësitë e kulturës perse, sipas të dhënave të oborrit mbretëror dhe gjallërisë okulare, paraqesin një datë menjëherë pas vdekjes së Ksersit, diku gjatë mbretërimit të Artaksersit I (464 – 424 para K.). Si zakonisht, kritikët mosbesues mendojnë se libri është shkruar më vonë (në shekullin e tretë apo të dytë para K.).

IV. Sfondi dhe tema

Ngjarjet në këtë libër kanë ndodhur midis kapitujve gjashtë e shtatë të Esdrës, gjatë mbretërimit të Asueros (Ksersit), mbretit të Persisë. Libri merret me judenjtë që vendosën të qëndronin më mirë në Babiloni, sesa të ktheheshin në Jerusalem me mbetjen e kthyer atje nën drejtimin e Zorobabelit (Esdra 2). Emri i tij vjen nga personazhi i saj i veçantë, Ester, jetimja që u bë mbretëreshë. Ester, emri i saj pers, do të thotë “yll” dhe mund të ketë rrjedhur nga perëndesha Ishtar. Hadasah, emri i saj hebraik, do të thotë “mërsinë”.

Asueroja e kishte rezidencën në Shushan (Susa, sipas versionit NKJ), një ndër tri kryeqytetet kryesore në Persi, të tjerët ishin Akmeta (Ekbatana, sipas versionit NASB) dhe Babiloni. Shushani është një emër hebraik dhe do të thotë “zambak” [6]. Profeti Daniel e kaloi atje kohën (Dan. 8). Nehemia shërbeu atje pas kohës së Esterit (Neh. 1). Në këtë vend ndodhi ngjarja jonë, duke filluar në vitin 483 para K. (Ksersi hipi në fron më 486 para K.; kapitulli 1 hapet në vitin e tretë të mbretërisë së tij – v. 3).

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. SHPALLJA E DËBIMIT TË VASHTIT (kapitulli 1)
II. NGRITJA E ESTERIT NË POZITË (kapitulli 2)
III. PLANIFIKIMI I SHFAROSJES SË JUDENJVE (kapitujt 3,4)
A. Biseda e Hamanit me mbretin (kapitulli 3)
B. Biseda e Mardokeut me mbretëreshën (kapitulli 4)
IV. PENGIMI I SHFAROSJES SË JUDENJVE (kapitujt 5-9)
A. Përgjërimi i Esterit dhe zemërimi i Hamanit (kapitulli 5)
B. Përulja e Hamanit dhe nderimi i Mardokeut (kapitulli 6)
C. Padia e Esterit dhe ekzekutimi i Hamanit (kapitulli 7)
D. Ngritja e Mardokeut në pozitë dhe çlirimi i judenjve (kapitulli 8)
E. Shkatërrimi i armikut dhe përurimi i festës së Purimit (kapitulli 9)
V. LARTËSIMI I MARDOKEUT (kapitulli 10)

[1] Një jude jopraktikues është dikush që është pjesë e bashkësisë etnike judaike, por që nuk e praktikon fenë e tij, apo nuk përpiqet të zbatojë Ligjin e Moisiut që ka të bëjë me rregullat dhe traditat e dietetikës.[[1]]

[2] Sot Persia quhet Iran. Gjuha e tyre, farsi (= persishtja), nuk lidhet me arabishten, por përdor një shkrim të ndryshuar arab dhe shumë fjalë arabe nga feja dhe kultura myslimane.[[2]]

[3] Duke menduar ta “zgjidhnin” këtë situatë, disa judenj kanë shtuar shumë pjesë (në greqisht) në tekstet e kronikave të Esterit. Ata nuk e kanë kuptuar se në fakt po shkatërronin mesazhin e librit – veprën në hije të Perëndisë për popullin e Tij, madje edhe për ata që vendosin të jetojnë larg tempullit të Tij në Jerusalem. Këto shtesa mund të gjenden te librat apokrifë dhe kanë një karakter krejt të ndryshëm nga origjinali në hebraisht. Ata shtojnë shumë veprimtari fetare bashkë me disa motive telenovelash. Judenjtë dhe protestantët kanë mohuar me të drejtë këto shtesa apokrife në Fjalën e Perëndisë.[[3]]

[4] W. Graham Scroggie, Know Your Bible, Vëll. I, The Old Testament, f. 96.[[4]]

[5] Cituar nga Scroggie, Know Your Bible, Vëll. I, The Old Testament, f. 96.[[5]]

[6] Emri Suzana vjen nga kjo fjalë në hebraisht që përkthehet zambak.[[6]]