Përtëritja e Izraelit dhe ndëshkimi i armiqve të tij (Ezekieli 33-39)

Nga kapitulli 33 deri në fund të librit Ezekieli merret kryesisht me përtëritjen e Izraelit dhe rindërtimin e tempullit.

A. Caktimi përsëri i profetit si roje (kapitulli 33)

33:1-9 Në këtë kapitull Ezekieli krahasohet me një roje. Nëse ai e paralajmëron popullin në mënyrë besnike, por ata nuk e dëgjojnë, atëherë ata do të jenë përgjegjës për shkatërrimin e tyre. Nëse ai nuk arrin ta paralajmërojë popullin dhe ata humbasin, Perëndia për gjakun e tyre do t’i kërkojë llogari dorës së rojës. Perëndia e quan Ezekielin përgjegjës për shtëpinë e Izraelit. Pyetja lind për çdo besimtar: për kë do të na quajë Perëndia përgjegjës? Kujt do t’i dëshmojmë? Kë duhet të paralajmërojmë? Kushërinjtë, shokët e punës, fqinjët, miqtë? Kjo është një përgjegjësi solemne dhe ne dëmtojmë shpirtin tonë nëse nuk e kryejmë këtë gjë me besnikëri. 33:10-20 Populli pyet me dëshpërim: “Si do të mund të jetojmë?“. Sa shumë njerëz sot kanë humbur çdo shpresë dhe janë në depresion e dëshpërim. Përgjigjja e Zotit është: Pendohuni! Ka shpresë për mëkatarin më të keq, por shpresa e vetme është largimi nga mëkati dhe jo të jetuarit në të. Populli qahej se marrëveshjet e Perëndisë me ta nuk ishin të drejta, por Ai e mohon këtë, duke i kujtuar ata se Ai do ta falë të pabesin që rrëfen dhe braktis mëkatin e tij; gjithashtu, Ai do të ndëshkojë atë që është i drejtë, por që kthehet në pabesi. 33:21,22 Goja e Ezekielit u hap dhe ai nuk ishte më memec në çastin kur një i arratisur nga Jerusalemi erdhi dhe shpalli: “Qyteti është pushtuar” (shikoni 24:27). 33:23-29 Këto vargje i referohen në pamje të parë disa judenjve që kishin mbetur në vendin e Izraelit pas rënies së Jerusalemit. Ata diskutonin se nëse një njeri, Abrahami, kishte marrë zotërimin e vendit, sa më tepër të drejtë ishin ata si grup për këtë. Por Perëndia shikonte cilësinë, jo sasinë. Ata edhe tani po kryenin forma të ndryshme idhujtarie dhe vendi duhet të pastrohej nga gjëra të tilla të neveritshme që dëshmonin kundër tyre. Ata nuk ishin pasardhës të vërtetë (frymërorë) të Abrahamit. Rrëfimi i tyre i jashtëm nuk do t’i shpëtonte ata nga gjykimi, sepse Perëndia nuk shikon fjalët e thjeshta, por jetën (krahasoni Jakobin 2:14). 33:30-33 Popullit i pëlqente ta dëgjonte Ezekielin, por nuk kishin si qëllim t’u bindeshin fjalëve të tij! Kur profecitë tij do të përmbusheshin, ata do të pranojnë që në mes tyre ka pasur një profet. Ne duhet të shkojmë te Fjala e Perëndisë me qëllimin për t’iu bindur dhe duke shqyrtuar vazhdimisht zemrat tona, që të mos dështojmë së zbatuari atë që dëgjojmë. Përgjigjja më e mirë ndaj një predikimi nuk është: “Ky ishte një mesazh i mirë, por “Perëndia më foli mua; duhet të bëj diçka”.

B. Barinjtë e rremë dhe Bariu i Mirë (kapitulli 34)

34:1-6 Barinjtë (krerët) interesoheshin për veten e tyre dhe jo për mirëqenien e deleve (popullit). Ata sundonin mbi to me ashpërsi dhe delet ishin shpërndarë. Sot shumë udhëheqës fetarë nuk e kanë kuptuar mësimin e të shërbyerit ndaj deleve. Ata e ngatërrojnë “shërbesën” e tyre me qëllimin për të fituar. Ne mund të lavdërojmë Perëndinë për udhëheqësit që shërbejnë me zell, si shembuj për tufën. Zoti e lejoi kopenëshpërndahej në fillim për të parandaluar dëme të mëtejshme (v. 10). Jetsi (Yates) e përshkruan shumë mirë situatën: Një pikturë që të këput shpirtin paraqitet predikuesit e pabesë të kohës së Ezekielit. Kopeja është shpërndarë, e shkujdesur dhe e uritur, ndërsa barinjtë egoistë përkëdhelin veten dhe zhyten në plogështi e luks, pa menduar fare për përgjegjësinë e tyre. Ata kujdesen që të kërkojnë ushqimin, veshjen, rehatinë e tyre, por as që duan t’ia dinë për të tjerët për asnjë çast [29]. 34:7-10 Prandaj Perëndia është i vendosur t’i shpëtojë delet e Tij nga këta barinj të rremë. Por tërë kohën Ai e ka pasur bekimin në mendje dhe kështu do t’i mbledhë delet dhe do të kujdeset për nevojat e secilës. Bekimi më i madh do të jetë marrëdhënia midis Zotit dhe deleve të Tij, një përbashkësi intime midis Perëndisë dhe njeriut. 34:11-16 Ai do të jetë Bariu i tyre dhe do t’i mbledhë vend dhe do të kryesojë mbi to (gjatë Mijëvjeçarit). Ungjilltari Moudi (D. L. Moody) e skicon këndshëm shërbesën e Perëndisë për delet e Tij: Vini re shprehjet “Unë do të” të Zotit Perëndi për delet e Tij. Bariu dhe delja: v. 11. Unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem. v. 12. Unë… do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë. v. 13. Unë… do t’i nxjerr nga popujt. v. 13. Unë… do t’i çoj përsëri në tokën e tyre. v. 13. Unë…. do t’i mbledh nga vende të ndryshme. v. 14. Unë… do t’i kullot. v. 15. Unë… do t’i bëj të pushojnë. v. 16. Unë do të kërkoj të humburën. v. 16. Unë… do ta forcoj të sëmurën. Ka shumë dele të dobëta në tufën e Perëndisë, por asnjë në kullotën e tij [30]. Disa njerëz, duke përfshirë edhe disa lloj predikuesish, përpiqen të hedhin idenë se Perëndia i DhV është një Hyjni i ashpër dhe jo i dashur, në dallim nga Perëndia i paraqitur në DhR [31]. Xhon Tejlori lidh së bashku për ne në mënyrë të mrekullueshme zbulimet e Perëndisë si Bari në të dyja Dhiatat: Figura e bariut që kërkon të humburën, në vargun 12, është një hije e rëndësishme e shëmbëlltyrës së deles së humbur (Luka 15:4 e në vazhdim), të cilën Zoti ynë e mbështeti pa dyshim në këtë pjesë tek Ezekieli. Ajo ilustron më qartë se çdo gjë tjetër cilësitë e ëmbla dhe të dashura të Perëndisë së Dhiatës së Vjetër dhe lëshon një goditje therëse për ata që përpiqen të futin spica midis Jehovahut, Perëndisë së Izraelit dhe Perëndisë e Atit të Zotit tonë Jezu Krisht. Nuk është as pjesa e vetme që flet për bariun e mirë (krahasoni Psalmet 78:52 e në vazhdim; 79:13; 80:1; Is. 40:11; 49:9 e në vazhdim; Jer. 31:10) [32]. 34:17-24 Zoti, Zoti do t’i shpëtojë gjithashtu delet e Tij të vërteta nga barinjtë e rremë që janë egoistë dhe mizorë. “Shërbëtori im David” në vargun 23 e 24 i referohet Zotit Jezus, që është pasardhës i Davidit. I krishteri hebre, David Baroni, shpjegon: Edhe judenjtë e shpjegonin emrin “David” në këto pjesë si Mesian, Birin e madh të Davidit, në të cilin janë përqendruar tërë premtimet e shtëpisë së Davidit. Kështu Kimshi (Kimchi), në komentin e tij të Ezekielit 34:23, thotë: “Shërbëtori im David, pra, Mesia që do të çelë nga fara e tij në kohën e shpëtimit”: dhe në vargun 24 të kapitullit 37 ai vë re: “Mbreti Mesi: emri i Tij do të jetë nga fara e Davidit”. Dhe kështu, praktikisht, bëjnë tërë komentuesit judenj [33]. 34:25-31 Këtu përshkruhet siguria dhe begatia e deleve të Perëndisë gjatë mbretërimit të ardhshëm të Krishtit. Nën një besëlidhje paqeje (v. 25) do të ketë shira bekimi (v. 26) dhe një kopsht me famë të madhe (v. 29). Forma ideale e qeverisjes është një monarki mirëbërëse, absolute, me Krishtin si Mbret.

C. Rrënimi i Edomit (kapitulli 35)

35:1-7 Mali Seir është Edomi. Ky vend paditet këtu nga Zoti për shkak të urrejtjes së tij të përhershme për judenjtë, gëzimit të tij kur ra Jerusalemi, mizoria e tij ndaj refugjatëve dhe plani i tij për të pushtuar vendin e Izraelit. Edomi donte bekimin, por nuk e donte Zotin. Larg Zotit Jezus ne nuk mund të bekohemi dhe kjo është e vërtetë edhe sot. Edomi është caktuar për shkretim të përjetshëm, duke prerë tërë rrjetin e tregtisë (v. 7). 35:8-15 Edomi blasfemonte judenjtë dhe i trajtonte ata si armiq. Por Zoti e identifikonte Veten e Tij me popullin e Tij. Ata ishin nën disiplinë, por jo të mohuar. Edomi nuk arrinte ta dallonte ndryshimin. Meqenëse Edomi u gëzua për shkretimin e Izraelit, gjithë toka do të gëzohet për shkatërrimin e Edomit. Perëndisë nuk i vjen mirë kur besimtarët gëzohen fshehurazi për rënien e armiqve të besimit. Dashuria që është e vërtetë nuk ndien as edhe më të voglën kënaqësi kur të tjerët lëndohen, qofshin miq apo armiq.

D. Përtëritja e vendit dhe e popullit (kapitulli 36)

Kapitulli 36 është quajtur “Ungjilli sipas Ezekielit”, kryesisht për vargjet 25-30. 36:1-7 Kombet që pushtuan vendin e Izraelit dhe tallën popullin e Perëndisë, sidomos kombi i Edomit, do të ndëshkohen nga Jehovahu. 36:8-15 Qytetet dhe fshatrat e Izraelit do të banohen, vendi do të jetë më pjellor dhe i begatë se kurrë, dhe kombet e tjera nuk do ta përqeshin më Izraelin. 36:16-21 Jo vetëm që do të përtërihej vendi, por edhe populli do të kthehej në vend. Arsyet e mërgimit të tyre ishin gjakderdhja dhe idhujtaria; ata bënë që emri i Perëndisë të përdhosej midis kombeve ku kishin shkuar. 36:22,23 Pali e citon vargun 22 te Romakëve 2:24 në padinë e tij për paqëndrueshmërinë judaike në lidhje me paganët dhe ligjin. Për ta çuar në vend emrin e Tij dhe jo për hir të Izraelit, Perëndia do ta përtërijë popullin në vendlindjen e tij. 36:24-29a Vargjet 24-29 përshkruajnë ripërtëritjen frymërore të Izraelit. Perëndia do t’i pastrojë ata, do t’u japë një zemër të re dhe një shpirt të ri (lindja e re) dhe do t’i shpëtojë ata nga të gjitha ndyrësirat. Kaili (Keil) e komenton në këtë mënyrë këtë pjesë të rëndësishme: Pastrimi nga mëkatet, që përkon me shfajësimin dhe nuk duhet të ngatërrohet me shenjtërimin…, pasohet nga rilindja me Frymën e Shenjtë, që heq zemrën tonë të vjetër prej guri dhe vë brenda një zemër të re mishi, në mënyrë që njeriu të mund të përmbushë urdhërimet e Perëndisë dhe të ecë në risinë e jetës [34]. Kur Zoti ynë u çudit me paditurinë e Nikodemit rreth lindjes së re, kjo pjesë tek Ezekieli është me siguri një ndër tekstet më kryesore, të cilin Ai priste që Nikodemi ta njihte, si një mësues i Izraelit (Gjoni 3:10). 36:29b,30 Korrja e grurit dhe vjelja e frutave do të jenë të pareshtura dhe ata nuk do të vuajnë më kurrë nga uria. Zoti do të bëjë tërë këto gjëra, jo se e meritojnë, po për nder të emrit të Tij. 36:31-38 Kombet përqark do të pranojnë Perëndia e ka populluar përsëri dhe e ka mbushur me bimësi vendin. Njerëzit do të jenë të shumtë si kopetë e kafshëve në Jerusalem në festat e tij solemne. Këto profeci kanë pasur një përmbushje të pjesshme kur judenjtë u kthyen në vend nga Babilonia, por përmbushja e plotë pret mbretërinë e ardhshme të Krishtit. Izraeli modern fitoi pavarësinë më 1948. Judenjtë ende po shterojnë në vend në mosbesim. Së shpejti do të vijë edhe koha e Zotit.

E. Vegimi i luginës së kockave të thara (37:1-14)

37:1-8 Në vegimin e vargjeve 1 e 2 Ezekieli pa kocka të thata të Izraelit dhe Judës në një luginë. Ai u urdhërua t’u profetizonte kockave se ato do të ngjalleshin. Jetsi (Yates) sjell një zbatim për nevojën tonë për frymëmarrje në jetës e sotme: Profeti paraqet në mënyrë të mbinatyrshme, me realizëm dhe forcë dramatike lajmin ngushëllues se Izraeli mund të shpresojë për të jetuar. Një gjallërim është i mundur! Edhe kockat e thata, pa gilcat, mishin dhe gjakun, mund të jetojnë. Ardhja e Frymës së Perëndisë sjell jetë. E njëjta e vërtetë rrëqethëse është e nevojshme në një botë që ka kocka të thata gjithandej. Ajo që duam është që Fryma e Shenjtë të vijë me fuqinë e Tij të menjëhershme, që një gjallërim i vërtetë të përfshijë tokën (krahasoni gjithashtu Zanafilla 2:7; Zbulesa 11:11) [35]. Herën e parë që foli Fjalën e Perëndisë dejtë, mishi e lëkura i mbuloi kockat. 37:9-14 Herën e dytë ai i profetizoi erës apo frymës dhe shpirti hyri në trup. Kjo parafytyronte përtëritjen kombëtare të Izraelit (v. 11-14): së pari, ripërtëritjen e një populli të vdekur frymërisht dhe, së dyti, ripërtëritjen e tyre. Duhet të vëmë re paralelizmin me rilindjen tonë. Aty duhet të jetë fjala e Zotit (v. 4) dhe Fryma e Perëndisë (v. 9). F. Bashkimi i Izraelit dhe Judës (37:15-28) 37:15-23 Më pas Ezekieli u urdhërua të merrte dy shkopinj, njëri përfaqësonte Judën dhe tjetri Izraelin (Jozefi apo Efraimi). Duke i mbajtur ata njëri pas tjetrit, ai i bashkoi në një gjë të vetme. Kjo donte të thoshte se të dyja mbretëritë, të ndara në kohën e Roboamit, do të bashkoheshin përsëri. Një mbret i vetëm (Mesia) do të mbretërojë mbi të gjithë ata dhe ata do të shpëtohen, do të pastrohen dhe do të përtërihen. 37:24-28 Davidi (këtu Zoti Jezus) do të jetë mbreti dhe populli do t’i bindet Atij hapur. Perëndia do të bëjë një besëlidhje përjetshme paqeje me ta dhe tempulli do të jetë në mes tyre. Kjo i përket ende së ardhmes. Ky kapitull dhe ai që vjen parashikojnë shkatërrimin e armiqve të ardhshëm të Izraelit. Gogu është kreu i armiqve dhe Magogu është vendi i tij. Studiuesit e Biblës nuk përputhen për sa i përket identitetit të Gogut. Në pamje të parë koha e ngjarjeve të përshkruara këtu është pasi Izraeli do të kthehet në vend, por para Mijëvjeçarit. Megjithatë, Gogu dhe Magogu përshkruar te Zbulesa 20:8 i përkasin periudhës pas Mijëvjeçarit.

G. Shkatërrimi i armiqve të ardhshëm të Izraelit (kapitujt 38, 39)

38:1-16 Perëndia do të tërheqë Gogun dhe aleatët e tij për të grumbulluar ushtarët e tij (v. 1-6). Për Gogun thuhet se është princ i Roshit, [36] i Meshekut dhe i Tubalit, për të cilët disa mendojnë se janë emrat e lashtë të Rusisë, Moskës dhe Tobolskut. Kjo është një mundësi mahnitëse, por nuk ka prova të sakta. Ata do të vërsulen në jug kundër vendit të Izraelit. Judenjtë do të banojnë të sigurt në fshatra pa mure. Perëndia i njeh planet e armikut edhe para mijëra vjetësh. Ai ka një plan për të çliruar popullin e Tij, gjë e cila u jep një ngushëllim të madh besimtarëve. 38:17-23 Më pas forcat e Gogut do të vërshojnë në vend. Por do të ndeshin xhelozinë dhe zemërimin flakërues të Perëndisë. Vendi do të goditet fort nga një tronditje të madhe; njerëzit e Gogut do të tmerrohen nga murtaja, derdhja e gjakut, shiu që zhurin, gurët prej akulli, zjarri dhe squfuri (v. 17-23). Shkatërrimi i armiqve të popullit të Perëndisë na kujton për premtimin e Zotit tek Isaia 54:17: “Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses… Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë”. 39:1-6 Hordhitë e Gogut do të pësojnë shkatërrim të plotë në malet e Izraelit. Përmendja e harkut dhe shigjetave në vargun 3 nuk do të thotë patjetër se armiqtë e ardhshëm do të kthehen të përdorin armët primitive, edhe pse nuk mund të përjashtohet një fakt i tillë. Pse do ta bëjë çdo komb një gjë të tillë? – mund të pyesë dikush. Një shpjegim i mundshëm mund të jetë se për vite me radhë fuqitë e ndryshme ushtarake do të punojnë për të ndërhyrë që të bëjnë të pafunksionueshme çdo armë mekanike, siç janë tanket, avionët etj. Nëse këto nuk do të jenë, do të jetë i domosdoshëm përdorimi përsëri i kuajve dhe i armëve joteknike në luftë. Nga ana tjetër, Maksuell Koderi (S. Maxwell Coder) thotë se fjalët hebraike janë tej mase elastike për t’u përfshirë në mekanikën moderne dhe të ndërlikuar. Prandaj, harqet dhe shigjetat mund të nënkuptojnë raketat dhe silurët. “Kuajt” te 38:4 (fjalë për fjalë “sulmues”) mund të jenë mjete vetëlëvizëse siç janë tanket apo helikopterët. Armët te 39:9, 10 nuk janë bërë patjetër prej druri. Fjala mund të nënkuptojë pajisje ushtarake që janë shtytësit me karburant dhe raketat, besojnë shumë veta [37]. 39:7,8 Zoti do të marrë hak për emrin e Tij të shenjtë atë ditë. 39:9,10 Armët e Gogut, të djegura në male, do të sigurojë karburant për shtatë vjet. Fakti se nuk do të ketë nevojë për dru në fushë apo në pyll për të bërë zjarr duket se mbështet pikëpamjen se armët e shumta dhe të lëna janë bërë në të vërtetë prej druri. 39:11-16 Varrimi i të vdekurve do të ndodhë në Luginën e Hamon-Gogut (turma e Gogut), në lindje të Detit të Vdekur. Kjo detyrë do të kërkojë shtatë muaj. 39:17-20 Kufomat e kuajve dhe kalorësve do të sigurojnë një festë të madhe për zogjtë dhe kafshët grabitqare. 39:21-24 Në atë kohë, kombet do të pranojnë që robëria e Izraelit nuk ishte ngaqë Perëndia ishte i pazoti ta parandalonte, por papastërtia dhe shkeljet e tyre e shtynë për një gjë të tillë. 39:25-29 Përtëritja e Izraelit do të jetë e plotë. Ata do ta harrojnë turpin e tyre dhe do të pranojnë Zotin, i cili do të përhapë Frymën e Tij mbi shtëpinë e Izraelit.