Përshendetja, lavderimi dhe lutja e Palit (Filipianëve 1:1-11)

1:1 Pali dhe Timoteu janë lidhur së bashku në hapjen e kësaj letre. Kjo nuk do të thotë që Timoteu ndihmoi në shkruarjen e kësaj letre. Ai kishte qenë me Palin kur ai vizitoi për herë të parë Filipinë, kështu që ai njihej nga të shenjtët atje. Tani Timoteu është me Palin në kohën që apostulli hapën këtë letër.

Pali tani ishte një burrë më i vjetër (Filemon 9), ndërkohë që Timoteu ishte ende i ri. Kështu rinia dhe pleqëria ishin bashkuar në shërbesën e Më Të Mirit prej zotërinjve. Jowett e ka thënë shumë bukur: “Është bashkimi i pranverës dhe i vjeshtës; i entuziazmit dhe eksperiencës; i vrullit dhe urtësisë; i shpresës së butë dhe sigurisë së qetë dhe të pasur.” [2]

Të dy janë përshkruar si shërbëtorë të Jezu Krishtit. Të dy e donin Zotërinë e tyre. Lidhjet e Kalvarit i bashkua ata në shërbesën e Shpëtimtarit të tyre përgjithmonë.

Letra u është drejtuar të gjithë shenjtorëve në Jezu Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët. Fjala gjithë shfaqet shpesh në këtë Letër. Interesimi i ngrohtë i Palit ishte për të gjithë njerëzit e Zotit.

Shenjtorëve në Jezu Krisht që janë në Filipi përshkruan pozicionin e dyfishtë të besimtarëve. Përsa i përket statusit frymëror, ata ishin veçuar nga Perëndia në Krishtin Jezus. Përsa i përket vendndodhjes lokale, ata ishin në Filipi. Dy vende në të njëjtën kohë!

Më pas apostulli përmend peshkopët dhe dhjakët. Peshkopët ishin pleqtë apo mbikëqyrësit në asamble – ata që interesoheshin në mënyrë baritore për tufën e Perëndisë dhe që e drejtonin tufën me shembullin e tyre të perëndishëm. Dhjakët, në anën tjetër, ishin shërbëtorët e Kishës që kryesisht merreshin me çështjet e saj materiale, si financimi, etj..

Vetëm këto tre grupe ndodheshin në Kishë – shenjtorët, peshkopët dhe dhjakët. Nëse do të ishte ndonjë klerik i ngarkuar me ndonjë detyrë Pali do ta kishte përmendur edhe atë. Në vend të kësaj ai flet vetëm për peshkopë (në shumës) dhe dhjakë (edhe kjo në shumës).

Këtu ne kemi një paraqitje të rëndësishme të thjeshtësisë së jetës së Kishës në ditët e hershme të saj. Shenjtorët janë përmendur të parët, më pas drejtuesit e tyre frymërorë dhe së fundi shërbëtorët e tyre të përkohshëm. Kjo është e gjitha!

1:2 Në përshëndetjen e tij karakteristike Pali u dëshiron të shenjtëve hir dhe paqe. E para nuk është pikërisht hiri që vjen tek një mëkatar në kohën e kthimit të tij sesa hiri që ai duhet të marrë gjithmonë pranë fronit të hirit për t’i qenë ndihmuar në çdo kohë nevoje (Heb. 4:16). Në të njëjtën mënyrë, paqja që Pali dëshiron me gjithë shpirt për ta nuk është dhe aq paqja me Perëndinë sa paqja e Perëndisë që vjen nëpërmjet lutjes dhe falënderimit (4:6, 7).

Të dyja bekimet vijnë nga Perëndia Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht. Apostulli nderon Birin ashtu siç nderon Atin (Gjo. 5:23). Nuk ka asnjë dyshim që për Palin, Jezus Krishti është Perëndi.

1:3 Tani Pali shpërthen në një këngë falënderimi. Por kjo nuk është fare e re për apostullin. Muret e burgut filipian kishin ushtuar këngët e Palit dhe Silës në vizitën e tyre të parë atje. Ndërkohë që shkruan këto fjalë, ai ndoshta është një i burgosur në Romë – por ende është duke kënduar “këngë në natë.” I pamposhtshmi Pal! Sa herë që i kujtonte filipianët në zemrën e tij zgjoheshin falënderime. Ata jo vetëm që ishin fëmijët e tij në besim, por në shumë mënyra ata kishin provuar se ishin një kishë model.

1:4 Në çdo lutje, ai përgjërohej për filipianët me gëzim. Për të ishte një kënaqësi e sinqertë të lutej për ata – jo një punë e mërzitshme dhe e lodhshme. Nga kjo dhe nga shumë pjesë të tjera nga shkrimet e Palit ne mësojmë që ai ishte një njeri i lutjes. Nuk është e nevojshme të shohim më tepër për arsyen për të cilën ai ishte përdorur në një mënyrë të mrekullueshme nga Perëndia. Kur ne kujtojmë shtrirjen e udhëtimeve të tij dhe masën e madhe të krishterëve që njihte ai, ne mrekullohemi që ai interesohej për ta në një mënyrë kaq personale.

1:5 Arsyeja e veçantë për falënderimin e tij ishte pjesëmarrja e tyre në ungjill nga dita e parë deri tani. Pjesëmarrja mund të përfshijë ndihmë financiare, por përfshin gjithashtu një mbështetje me lutje dhe një përkushtim me gjithë zemër në përhapjen e lajmit të mirë. Kur Pali përmend ditën e parë, dikush mund të jetë duke menduar nëse roja i burgut ishte ende gjallë kur kjo letër u lexua publikisht në asamblenë e Filipisë. Nëse ishte kështu, kjo përmendje e parathënies së Palit tek besimtarët filipianë me siguri që do të kishte goditur një tel të ndjeshëm të zemrës së tij.

1:6 Kur apostulli mendon për fillimin e mbarë që besimtarët kishin bërë në jetën e krishtere, ai është i sigurt se Perëndia do ta përfundojë punën e mirë që kishte filluar.

Punën që mirësia e Tij e filloi

Krahu i forcës së Tij do ta përfundojë;

Premtimi i Tij është Po dhe Amen,

Dhe s’do të humbë kurrë, përpjetë.

-Augustus M. Toplady

Puna e mirë mund t’i referohet shpëtimit të tyre, ose mund të nënkuptojë pjesëmarrjen e tyre aktive financiare në shpalljen e ungjillit. Dita e Krishtit Jezus i referohet kohës së ardhjes së Tij për të çuar në shtëpi në qiell popullin e Tij dhe ndoshta përfshin gjithashtu Gjyqin e Krishtit, kur shërbesa për Të do të shpërblehet.

1:7 Pali ndjehet i shfajësuar duke qenë mirënjohës për filipianët. Në zemrën e tij ai ruan një kujtim të paharueshëm të besnikërisë ndaj tij, qoftë kur ai ishte në prova, në burg, apo në udhëtime në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit. Mbrojtja e ungjillit i referohet shërbesës së të përgjigjurit ndaj kritikëve, ndërkohë që vërtetimi i ungjillit lidhet më tepër me vendosjen e mesazhit në mënyrë të qëndrueshme në zemrat e atyre që tashmë ishin besimtarë. W. E. Vine thotë: “Ungjilli rrëzon armiqtë dhe forcon miqtë e tij në të njëjtën kohë” [3]. Hiri këtu nënkupton forcën e pamerituar të Perëndisë që i jepet besimtarit për të kryer veprën e Perëndisë përballë kundërshtimeve më të ashpra.

1:8 Kujtimi i bashkëpunimit të tyre besnik e bën apostullin të dojë fort të jetë përsëri me ta. Ai thërret Perëndinë të jetë dëshmitari i tij se me sa dashuri të zjarrtë në Jezu Krishtin i do ai ata. Shprehja e dashurisë së Palit është akoma më tepër e paharrueshme kur ne kujtojmë që ai kishte lindur si një Jude dhe tani ishte duke u shkruar njerëzve që kishin një prejardhje Johebrenje. Hiri i Perëndisë kishte thyer urrejtjen e lashtë dhe tani ata ishin një në Krishtin.

1:9 Falënderimi tani i lë vend lutjes. A do të kërkojë Pali pasuri, rehati apo çlirim nga shqetësimet për ta? Jo, ai kërkon që dashuria e tyre të mund të ritet vazhdimisht në njohuri dhe në çdo dallim. Qëllimi kryesor i jetës së një të krishteri është të dojë Perëndinë dhe të afërmin. Por dashuria nuk është vetëm një çështje ndjenjash. Në shërbesën efektive për Zotin, ne duhet të përdorim inteligjencën tonë dhe të ushtrojmë dallim. Ndryshe përpjekjet tona priren për të qenë të kota. Kështu që këtu Pali lutet jo vetëm që filipianët do të vazhdojnë të shfaqin dashuri të krishtere, por që dashuria e tyre do të ushtrohet në njohuri dhe në çdo dallim.

1:10 Dashuria që ndriçohet kështu do t’i lejojë ata të dallojnë gjërat që janë më të mira. Në të gjitha fushat e jetës disa gjëra janë të mira dhe të tjerat janë më të mira. E mira është shpesh armike e më të mirës. Për një shërbesë sa më të efektshme duhen bërë këto dallime.

Dashuria që është e ndriçuar do t’i lejojë ata të shmangin atë që është e dyshimtë apo atë që është tërësisht gabim. Pali i donte ata të pastër [4], që do të thotë, plotësisht transparentë dhe të pafaj duke pasur parasysh ditën e Krishtit. Të jesh pa njollë nuk do të thotë të jesh pa mëkat. Ne të gjithë kryejmë mëkate, por personi i pafajshëm është ai që rrëfen dhe braktis mëkatin, duke kërkuar falje nga ata që u kishte bërë keq dhe duke bërë dëmshpërblim sa herë që është e mundur.

Dita e Krishtit, si në vargun 6, i referohet Rrëmbimit dhe gjykimit pasues të veprave të besimtarit.

1:11 Kërkesa përfundimtare e lutjes së apostullit është që të krishterët të mund të jenë të mbushur me fryte drejtësie, që do të thotë me frytet që prodhon drejtësia, ose me të gjitha virtytet e krishtera që formojnë një jetë të drejtë. Burimi i këtyre virtyteve është Jezus Krishti dhe objekti i tyre është lavdia dhe lëvdimi i Perëndisë. Kjo kërkesë e Palit është plotësisht paralele me fjalët ne Isaia 61:3, “me qëllim që të quhen lisa të drejtësisë (të mbushur me fryte të drejtësisë) mbjellja e Zotit (me anë të Jezus Krishtit) për të paraqitur lavdinë e Tij (për lavdi dhe për lëvdim të Perëndisë.)”

Lehman Strauss ka thënë, “Fjala ‘fryt’ është e lidhur ngushtë me bashkësinë tonë me Krishtin dhe me çfarë kërkon Ai nga ne. Degët në një hardhi kanë si qëllim të japin fryt.” [5]