Shembulli i Palit, Timoteut dhe Epafroditit, shembull i ngjashëm me atë të Krishtit (Filipianëve 2:17-30)

Në pjesën e mëparshme Pali tregoi Zotin Jezus si shembulli kryesor i ndjenjës së përulur. Por disa mund të tundohen e të thonë, “Oh po Ai është Perëndi dhe ne jemi të vdekshëm.” Kështu Pali tani jep tre shembuj njerëzish që shfaqën ndjenjën e Krishtit – ai, Timoteu dhe Epafroditi. Nëse Krishti është dielli, atëherë këta të tre janë hëna, që reflektojnë lavdinë e diellit. Ata janë drita në botën e errët.

2:17 Apostulli përdor një ilustrim shumë të bukur për të përshkruar shërbesën e filipianëve dhe të vetes së tij. Ai përdor shembullin e marrë si nga Judenjtë ashtu edhe nga paganët, atë të derdhjes së libacionit mbi një flijim kur ai ofrohet.

Ai i quan filipianët ofrues. Besimi i tyre është flijimi. Vetë Pali është libacioni. Ai do të ishte i lumtur të derdhej si martir në flijimin dhe shërbesën e besimit të tyre.

Williams komenton:

Apostulli krahason vet-sakrificën dhe energjinë e filipianëve me atë të tijën, duke rritur të tyren dhe duke zvogëluar të tijën. Ata së bashku ishin duke dhënë jetët e tyre për hir të ungjillit, por veprimet e tyre ai i shikon si një sakrificë e madhe dhe të tijën si një derdhje mbi të. Nën këtë figurë të të folurit, ai flet për vdekjen e tij të afërt si një martir. [13]

Nëse ky do të ishte fati i tij, ai gëzonte dhe ngazëllonte që duhet të ishte kështu.

2:18 Po ashtu, filipianët duhet të gëzonin dhe të ngazëllonin me Palin. Ata nuk duhet ta shikonin martirizimin e tij të mundshëm si një tragjedi, por ta uronin atë për një udhëtim kaq të lavdishëm për në shtëpi.

2:19 Deri në këtë pikë, Pali ka cituar dy shembuj të dashurisë vet-sakrifikuese – Zotin Jezus dhe veten e tij. Të dy kishin dëshirë të derdhnin jetët e tyre në vdekje. Mbeten edhe dy shembuj të vetmohimit – Timoteu dhe Epafroditi.

Apostulli shpreson të dërgojë Timoteun në Filipi në një të ardhme të afërt me qëllim që ai të inkurajohej me anë të lajmeve në lidhje me ta.

2:20 Mes shokëve të Palit, Timoteu ishte unik në kujdesin e tij joegoist për kushtet frymërore të filipianëve. Pali nuk kishte asnjë tjetër që të mund të dërgonte tek ata me të njëjtin besim që kishte tek Timoteu. Në të vërtetë ky është një lavdërim i lartë për një të ri si Timoteu!

2:21 Të tjerët ishin zhytur në oqeanin e interesave të tyre. Ata ishin kaq të zënë me shqetësimet e kësaj jete saqë nuk kishin kohë për gjërat e Jezus Krishtit. A është ky një mesazh për ne sot në botën tonë të vogël të shtëpive, televizorëve dhe gjërave të tjera? (Shiko Llu. 8:14).

2:22 Timoteu ishte biri në besim i apostullit dhe ai e luajti pjesën me besnikëri të vërtetë. Ata e njihnin karakterin e tij të provuar, vlerën e tij të vërtetë, si një bir që i shërben të atit, Timoteu i shërbeu Palit punën e predikimit të ungjillit.

2:23, 24 Ngaqë Timoteu e kishte treguar veten e tij në prova të ndryshme, Pali shpresonte ta dërgonte atë tek Filipianët sapo mësoi për apelin e tij nga Cezari. Pa dyshim që ky është kuptimi i shprehjes porsa të kem sistemuar komplet gjërat e mia. Ai shpreson që apeli i tij do të dalë me sukses dhe që ai do të lihej i lirë që të mund t’i vizitonte filipianët edhe njëherë tjetër.

2:25 Më pas ne shohim ndjenjën e Krishtit tek Epafroditi. Nuk mund të jemi tepër të sigurt nëse ky është i njëjti burrë me Epafranë e Kolosianëve 4:12. Sidoqoftë, ai jetonte në Filipi dhe ishte një lajmëtar për asamblenë atje.

Pali flet për të si (1) vëllai im; (2) bashkëpunëtori im; (3) bashkëluftëtari im. Titulli i parë flet për dashuri, i dyti për punë të rëndë dhe i treti për luftë. Ai ishte një njeri që mund të punonte me të tjerët dhe kjo sigurisht që është diçka thelbësore në jetën dhe shërbesën e krishterë. Është diçka tjetër që një besimtar të punojë i pavarur, duke bërë gjithçka vetë. Por është shumë më e vështirë të punosh me të tjerët, të luash “rolin dytësor”, të marrësh parasysh dallimet individuale, t’i nënshtrosh dëshirat dhe opinionet e tua për të mirë të grupit. Le të jemi bashkëpunëtorë dhe bashkluftëtarë!

Përveç kësaj, Pali flet për të si një shërbenjës për nevojat e mia. Kjo na jep ne një të fshehtë tjetër të personalitetit të tij. Ai dëshironte të bënte një punë të zakonshme dhe të përditshme. Shumë veta sot janë të interesuar në punë që janë publike dhe të këndshme. Sa mirënjohës duhet të jemi për ata që kryejnë punët e përditshme në një mënyrë të qetë dhe që nuk duket. Duke bërë një punë të vështirë, Epafroditi e përuli vetveten. Por Perëndia e lartësoi atë duke regjistruar shërbesën e tij besnike në Filipianët 2, që të lexohet nga të gjitha brezat e ardhshëm.

2:26 Të shenjtët e kishin dërguar Epafroditin për të ndihmuar Palin – një udhëtim që zgjaste të paktën 1100 km. Lajmëtari besnik u sëmur si rezultat i kësaj; në fakt ai iu afrua shumë vdekjes. Kjo e shqetësoi shumë atë – jo që ishte vetë i sëmurë, por nuk donte që të shenjtët të dëgjonin për këtë. Nëse ata do ta merrnin vesh një gjë të tillë, do të qortonin vetveten që e kishin dërguar atë në një udhëtim të tillë dhe që kishin rrezikuar jetën e tij. Sigurisht që tek Epafroditi ne shohim një zemër që “s’kishte kohë të merrej me veten.”

Shumë të krishterë kanë zakonin fatkeq të të folurit me hollësi mbi sëmundjet apo operacionet e tyre. Shpesh kjo nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje e mëkateve të jetës së drejtuar nga vetja: mëshirim i vetvetes, shfaqje e vetvetes, preokupim për vetvete.

2:27 Epafroditi ishte i sëmurë për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të. Kjo pjesë ka një vlerë të madhe për ne, për shkak të dritës që hedh mbi subjektin e shërimit hyjnor:

1. Para së gjithash, sëmundja nuk është gjithmonë rezultat i mëkatit. Këtu është një njeri i cili u sëmur për shkak të kryerjes me besnikëri të detyrave të tij (shih v 30), .”.. sepse për veprën e Krishtit ai ishte shumë afër vdekjes.”

2. Së dyti, ne mësojmë që nuk është gjithmonë vullneti i Perëndisë për të shëruar mrekullisht në një moment. Duket që sëmundja e Epafroditit zgjati dhe shërimi i tij erdhi gradualisht (shih gjithashtu 2 Tim 4:20; 3 Gjonit 2).

3. Së treti, ne mësojmë që shërimi është një mëshirë nga Perëndia dhe jo diçka që ne mund ta kërkojmë prej tij si të ishte e drejta jonë.

Pali shton që Perëndia pati mëshirë jo vetëm për Epafroditin, por mbigjithashtu, që ai të mos kishte trishtim mbi trishtim. Apostulli kishte një trishtim të konsiderueshëm në lidhje me burgosjen e tij. Nëse Epafroditi do kishte vdekur ai do të kishte trishtim mbi trishtim.

2:28 Tani që Epafroditi e kishte marrë veten shumë mirë, Pali e kishte dërguar atë në shtëpi me aq shumë ngut. Filipianët do të gëzonin që e kishin përsëri mes tyre vëllain tepër të dashur dhe kjo do ta pakësonte trishtimin e Palit.

2:29 Ata jo vetëm që duhet ta prisnin me gëzim Epafroditin, por edhe duhet ta nderonin këtë njeri të dashur të Perëndisë. Është një privilegj dhe një dinjitet i madh të jesh i zënë me shërbesën e Zotit. Të shenjtët duhet ta njohin këtë, madje edhe kur kjo ka të bëjë me dikë me të cilin ata janë tepër të familjarizuar.

2:30 Siç është përmendur më parë, sëmundja e Epafroditit ishte direkt e lidhur me shërbesën e tij të palodhur për Krishtin. Kjo ka një vlerë tepër të madhe në sytë e Zotit. Është më mirë të konsumohesh për Krishtin sesa të ndryshkesh. Është më mirë të vdesësh në shërbesën për Krishtin sesa të numërohesh thjesht si një statistikë mes atyre që vdesin nga sëmundje apo aksidente.

A sugjerojnë fjalët “për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje” që filipianët kishin lënë pas dore Palin dhe që Epafroditi kishte bërë atë që ata duhet të bënin? Kjo duket e pamundur, sepse ishin të shenjtët në Filipi që e kishin dërguar Epafroditin tek Pali fillimisht.

Ne sugjerojmë që mungesa në shërbesën e tyre ishte pamundësia e tyre për të vizituar Palin personalisht dhe ta ndihmonin atë direkt për shkak të largësisë së tyre nga Roma. Në vend që t’i qortonte ata, apostulli thjesht është duke thënë që Epafroditi si përfaqësues i tyre bëri atë çfarë ata nuk ishin në gjendje të bënin personalisht.