Magna Karta e lirisë frymërore për gjithë botën dhe për të gjitha kohërat.Charles R. Erdman
I. Vendi unik në Kanun
Një përqindje e madhe e popujve anglisht-folës, ashtu si dhe francezët, janë me origjinë Kelte, pra Skoceze, Irlandeze ose Britanike. Këto grupe etnike veçanërisht do të jenë të magjepsur të dinë që një nga letrat e hershme të Palit u ishte shkruar prejardhësve të tyre (“Galati,” “Kelt” dhe “Galë” janë të gjitha fjalë të lidhura me njëra-tjetrën).
Rreth 278 p.e.s. një numër i madh i këtyre Galëve të Europës emigruan atje ku sot quhet Turqi. Kufijtë e tyre u bënë të qëndrueshëm dhe shteti i tyre u quajt “Galatia.” Shumë njerëz mendojnë që mund t’i shohin tiparet “Keltët” në disa gjëra, p.sh. në paqëndrueshmërinë e Galatasve (në Veprat e Apostujve 13 dhe Gal. 3:1).
Sidoqoftë, letra e drejtuar Galatasve përmbush një rol kryesor në Krishterimin e hershëm. Megjithëse shpesh është parë si një “skica e parë” e Romakëve (përderisa mbulon Ungjillin e hirit, Abrahamin, ligjin etj., në mënyrë të ngjashme), Galatasve është një përpjekje e ashpër, e zjarrtë për të shpëtuar Krishterimin nga të kthyerit në një sekt mesianik të Judaizmit legal. Se si reaguan vetë Galatasit ne nuk e dimë, por Ungjilli i hirit, pa veprat e ligjit, triumfoi dhe Krishterimi vazhdoi të jetë një besim mbarëbotëror.
Gjatë Reformacionit Protestant, Letra e Galatasve u bë kaq e rëndësishme për Luterin saqë ai iu referua librit si “Kaethe im” (emri i dashur për gruan e tij). Komentari i tij mbi Galatasve ndikoi jo vetëm studiuesit e Biblës, por edhe njerëzit e zakonshëm, dhe ende botohet dhe studiohet.
II. Autorësia
E vërteta që Galatasve është një Letër e Palit s’është vënë kurrë në një dyshim serioz. Ajo është cituar si letër e Palit nga Polikarpi, Ignatius, Justin Martyr, Origeni, Ireneus, Tertuliani dhe Klementi i Aleksandrisë. Është renditur në kanunin Muratorian si e Palit dhe ndoshta, për shkak të gjuhës së saj të fortë anti-Judaiste, merr vendin e parë në Apostolikun e Marcionit. Kështu pra evidenca e jashtme është mjaft e fuqishme.
Evidenca e brendshme për autorësinë e Palit fillon me referimet personale në Gal. 1:1 dhe Gal. 5:2 dhe shënimi pranë fundit (Gal. 6:11) që ai e shkruajti me shkronja të mëdha. Shpesh kjo merret për t’iu referuar një sëmundjeje të mundshme të syve të apostullit. Mbështetja e evidencës përfshin faktin që galatasit njëherë do të ishin gati të shkulnin dhe sytë e tyre për t’ia dhënë Palit. Shumë shënime historike përputhen me Veprat. Polemizmi mbi rrethprerjen dhe nëse Pali ishte një apostull i vërtetë apo jo, ishin tema të ndezura në vitet 50 e.s. dhe 60 e.s., por jo më pas.
III. Data
Data e Letrës varet në kuptimin e saktë të shprehjeve “kishat e Galatisë” dhe “Galatasit.” Nëse i referohet pjesës jugore të Azisë së Vogël, ka mundësi të jetë një datë e hershme, madje dhe përpara këshillit të Jeruzalemit (Veprat e Apostujve 15). Nëse flitet për pjesën veriore, duhet kërkuar një datë më e vonë.
Gjeografikisht termi “Galati” përdorej për veriun dhe politikisht për jugun – provinca Romake e Galatisë.
Teoria e Galatisë së Veriut ishte e qëndrueshme deri në 1800-ën dhe ende mbrohet nga studiuesit gjermanë. Nuk ka fakte që Pali u shërbeu ndonjëherë galatasve të asaj zone, por kjo nuk e përjashton me siguri këtë gjë.
Në veçanti që kur zoti William Ramsay e bëri të njohur teorinë e Galatisë së Jugut, ajo u mbështet gjerësisht nga Britania e Madhe dhe nga Amerika e Veriut. Përderisa Lluka i lë një vend të madh në Veprat punës misionare të Palit në atë zonë (Antiokisë në Psidi, Ikoniumit, Listrës dhe Derbës) ka mundësi që apostulli mund t’u ketë shkruar të kthyerve në besim aty. Përderisa Pali ungjillizoi Galatinë Jugore në Udhëtimin e tij të Parë Misionar dhe i vizitoi përsëri në të Dytin, një datë e hershme është e mundshme për letrën e Galatasve. Nëse Letra ishte shkruar përpara këshillit të Jeruzalemit të Veprave 15 (49 e.s.) kjo do të shpjegonte përse çështja e rrethprerjes ishte ende një çështje në diskutim. Theodor Zahn, një drejtues shkollar konservativ gjerman, e daton letrën e Galatasve gjatë udhëtimit të Dytë Misionar të Palit, nga Korinti. Kjo gjë mund ta bëjë atë letrën më të hershme të Palit.
Nëse teoria veriore është e rregullt, atëherë Galatasve ishte shkruar ndoshta në vitet 50; ndoshta 53 ose dhe më pas.
Nëse, teoria jugore është e rregullt, ashtu si dhe ne besojmë dhe veçanërisht nëse Galatasve ishte shkruar përpara se Pali të ndiqte këshillin në Jeruzalem, gjë që caktoi çështjen e rrethprerjes për të krishterët Johebrenj, libri mund të datohet në 48 e.s.
IV. Sfondi dhe Tema
Gjatë udhëtimeve të tij të hershme misionare, apostulli Pal vizitoi Azinë e Vogël duke shpallur mesazhin e lavdishëm që shpëtimi është vetëm nëpërmjet besimit në Krishtin. Shumë nga ata që e dëgjuan, u shpëtuan dhe shumë kisha u formuan, shumë prej të cilave në Galati. Banuesit e Galatisë njiheshin si luftëdashës, jo të qetë dhe të paqëndrueshëm.
Pasi Pali ishte larguar nga kjo zonë, mësuesit e rremë hynë nëpër kisha dhe paraqitën doktrinë të gabuar. Ata mësonin që shpëtimi ishte nëpërmjet besimit në Krishtin plus zbatimit të ligjit. Mesazhi i tyre ishte një përzierje e Krishterimit dhe Judaizmit, e hirit dhe e ligjit [legalizëm], e Krishtit dhe e Moisiut. Gjithashtu ata përpiqeshin t’i largonin Galatasit nga Pali duke u thënë që ai nuk ishte një apostull i vërtetë i Zotit dhe kështu mesazhi i tij nuk ishte i besueshëm. Ata kërkonin të shkatërronin besimin tek mesazhi i Palit duke shkatërruar besimin tek Pali. Shumë nga të krishterët e Galatisë u ndikuan nga sugjerimet e tyre të liga.
Çfarë dhimbje dhe zhgënjim duhet të ketë mbushur zemrën e Palit kur këto lajme nga Galatia arritën tek ai! A kishte qenë e kotë puna e tij tek këta njerëz? A mund të rrezikoheshin akoma të krishterët nga ato mësime Judaiste dhe ligjore? Pali mori një veprim të shpejtë dhe të prerë. Ai mori penën e tij dhe shkroi këtë letër indinjuese tek fëmijët e tij të dashur në besim. Në të ai paraqet karakterin e vërtetë të shpëtimit si i dhënë prej hirit nga fillimi dhe deri në fund, i pafituar nga zbatimi i ligjit, qoftë i plotë apo i pjesshëm. Veprat e mira nuk janë një kusht për shpëtim, por një fryt i tij. I krishteri është i vdekur për ligjin; ai jeton një jetë të shenjtëruar, jo me anë të përpjekjeve të tij, por me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë të Perëndisë që banon në të.
Përmbledhje
- PERSONALE: PALI MBRON AUTORITETIN E TIJ (kap. 1,2)
A. Qëllimi i Palit për shkrimin e letrës (1:1-10)
B. Mbrojtja e Palit për mesazhin dhe shërbesën e tij (1:11-2:10)
C. Pali qorton Pjetrin (2:11-21) - DOKTRINALE: PALI MBRON ÇËSHTJEN E SHFAJËSIMIT NËPËRMJET BESIMIT (3:1-5:1)
A. E vërteta e madhe e Ungjillit (3:1-9)
B. Ligji kundër Premtimit (3:10-18)
C. Qëllimi i Ligjit (3:19-29)
D. Fëmijë dhe Bij (4:1-16)
E. Zgjedhë apo Liri (4:17-5:1) - PRAKTIKE: PALI MBRON LIRINË E KRISHTERE NË FRYMË (5:2-6:18)
A. Rreziku i legalizmit (5:2-15)
B. Fuqi për Shenjtëri (5:16-25)
C. Këshilla praktike (5:26-6:10)
D. Përfundim (6:11-18)