Ardhja e parë e Birit të Perëndisë (Gjoni 1:1-18)

1. PROLOG: ARDHJA E PARË E BIRIT TË PERËNDISË (1:1-18)

Gjoni e fillon Ungjillin e tij duke folur për Fjalën – por fillimisht ai nuk shpjegon kush ose çfarë është Fjala. Një fjalë është një pjesë përbërëse e ligjëratës me anë të së cilës ne shprehim veten tek të tjerët. Por Gjoni nuk po shkruan përreth ligjëratës, por për më tepër përreth një Personi. Ai Person është Zoti Jezus Krisht, Biri i Perëndisë. Perëndia e shprehu në mënyrë të plotë vetveten përpara njerëzimit në Personin e Zotit Jezus. Duke ardhur në botë, Krishti zbuloi në mënyrë të përsosur përpara syve tanë se si është Perëndia. Duke vdekur në kryq për ne, Ai na tregoi se sa shumë na do ne Perëndia. Kështu Krishti është Fjala e gjallë e Perëndisë dhënë njeriut, shprehja e mendimeve të Perëndisë.

A. Fjala në përjetësi dhe kohë (1:1-5)

1:1 Në fillim ishte Fjala. Ai Vetë nuk pati një fillim, por ekzistoi nga përjetësia. Aq larg sa mund të shkojë pas mendja e njeriut, Zoti Jezus ishte atje. Ai nuk u krijua kurrë. Ai nuk pati një fillim. (Një gjenealogji do të ishte pavend në këtë Ungjill të Birit të Perëndisë). Fjala ishte pranë Perëndisë. Ai kishte një personalitet të veçantë dhe dallues. Ai nuk ishte thjesht një ide, një mendim, ose ndonjë lloj shembulli i turbullt e i pasaktë, por një Person i vërtetë që jetoi me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi. Ai jo vetëm që banonte me Perëndinë, por Ai Vetë ishte Perëndi.

Bibla mëson që ka vetëm një Perëndi dhe që ka tre Persona në Vetë Hyjninë – Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Të tre këta Persona janë Perëndi. Në këtë varg, janë përmendur dy nga Personat e Hyjnisë – Perëndia At dhe Perëndia Bir. Është thënia e parë e qartë ndër shumë thënie të tjera në këtë Ungjill që tregon se Jezus Krishti është Perëndi. Nuk mjafton të thuash që Ai është “një perëndi,” që Ai është si Perëndia, ose që Ai është hyjnor. Bibla mëson që Ai është Perëndi.

1:2 Vargu 2 mund të duket thjesht si një përsëritje e asaj që është thënë, por në të vërtetë nuk është kështu. Ky varg mëson që personaliteti dhe hyjnishmëria e Krishtit ishin pa fillim. Ai nuk u bë një person për herë të parë kur u lind si një foshnjë në Betlehem. Dhe as u bë një perëndi pas ringjalljes së Tij, siç disa të tjerë mësojnë sot. Ai është Perëndi nga gjithë përjetësia.

1:3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij. Ai Vetë nuk ishte një qenie e krijuar; për më tepër Ai ishte Krijuesi i gjithçkaje. Kjo përfshin njerëzimin, kafshët, planetet qiellore, engjëjt – të gjitha gjërat e dukshme dhe të padukshme. Pa Atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Nuk mund të ketë asnjë përjashtim të mundshëm. Nëse diçka u bë, u bë prej Tij. Ai Krijues, Ai është sigurisht, superior mbi çdo gjë që Ai ka krijuar. Të tre Personat e Hyjnisë ishin të përfshirë në veprën e krijimit: “Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla. 1:1). “Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave” (Zanafilla. 1:2). “Të gjitha gjërat u krijuan me anë të Tij (Krishtit) dhe për Të ” (Kolosianeve 1:16b).

1:4 Në Atë ishte jeta. Kjo nuk do të thotë thjesht që Ai zotëronte jetë, por që Ai ishte dhe është burimi i jetës. Fjala këtu përfshin si jetën fizike ashtu edhe jetën frymërore. Kur lindim ne marrim jetë fizike. Kur lindim përsëri, ne marrim jetë frymërore. Të dyja vijnë nga Ai.

Jeta ishte drita e njerëzve. I Njëjti që na furnizon me jetë është gjithashtu drita e njerëzve. Ai siguron drejtimin e duhur për njeriun. Është diçka tjetër të ekzistosh dhe diçka tjetër të dish si të jetosh, të dish qëllimin e vërtetë të jetës dhe të dish rrugën për në qiell. I Njëjti që na dha jetë është Ai që siguron për ne dritën e shtegut ku ecim.

Ka shtatë tituj të mrekullueshëm për Zotin Jezus Krisht në këtë kapitull hapës të Ungjillit. Ai është quajtur (1) Fjala (v 1, 14); (2) Drita (v 5, 7); (3) Qengji i Perëndisë (v 29, 36); (4) Biri i Perëndisë (34, 49); (5) Krishti (Mesia) (v 41); (6) Mbreti i Izraelit ( v 49); dhe (7) Biri i Njeriut (v 51). Katër titujt e parë, secili prej të cilëve është përmendur të paktën dy herë, duken sikur kanë një përdorim universal. Tri titujt e fundit, secili prej të cilëve është përmendur vetëm një herë, janë përdorur fillimisht nga Izraeli, populli i lashtë i Perëndisë.

1:5 Drita shkëlqen në errësirë. Hyrja e mëkatit solli errësirë në mendjet e njerëzve. Ai e futi botën në një errësirë, në kuptimin që njerëzit përgjithësisht as e njihnin dhe as nuk donin ta njihnin Perëndinë. Zoti Jezus erdhi në këtë errësirë – si një dritë që ndriçon në një vend të errët.

Errësira nuk e kuptoi. Kjo mund të ketë kuptimin që errësira nuk e kuptoi Zotin Jezus kur Ai erdhi në botë. Njerëzit nuk e kuptuan kush ishte Ai në të vërtetë, ose përse kishte ardhur. Një kuptim tjetër është dhënë në shkrimin e NKJV: errësira nuk e mposhti atë. Këtu mendimi mund të jetë që kundërshtimi dhe armiqësia e njeriut nuk e pengoi dritën e vërtetë të shkëlqente.

B. Shërbesa e Gjon Pagëzorit (1:6-8)

1:6 Vargu 6 i referohet Gjon Pagëzorit, jo Gjonit që shkroi këtë Ungjill. Gjon Pagëzori u dërgua nga Perëndia si një pararendës i Zotit Jezus. Misioni i tij ishte të shpallte ardhjen e Krishtit dhe t’u tregonte njerëzve se duhet të bëheshin gati për ta pranuar Atë.

1:7 Ai erdhi për të dëshmuar faktin se Jezusi ishte me të vërtetë Drita e botës, kështu që të gjithë njerëzit të mund të vendosnin besimin e tyre tek Ai.

1:8 Nëse Gjoni do të ishte përpjekur për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve mbi veten e tij, ai nuk do të kishte qenë besnik ndaj detyrës që i ishte ngarkuar. Ai i drejtonte njerëzit tek Jezusi dhe jo tek vetvetja.

C. Ardhja e parë e Birit të Perëndisë (1:9-18)

1:9 Ai ishte drita e vërtetë. Persona të tjerë nëpër shekuj kishin shpallur se ishin drejtues dhe shpëtimtarë, por Ai për të cilin Gjoni dëshmonte ishte drita e vërtetë, drita më e mirë dhe më e vërtetë. Një përkthim tjetër i këtij vargu është “Drita e vërtetë, e cila, duke ardhur në botë i jep dritë çdo njeriu.” Me fjalë të tjera, shprehja që vjen në botë mund të përshkruajë dritën e vërtetë dhe jo vetëm çdo njeri që lind në këtë botë. Ishte pikërisht me anë të ardhjes së dritës së vërtetë në botë që çdo njeriu iu dha dritë. Kjo nuk do të thotë që çdo njeri mori një njohuri të brendshme në lidhje me Krishtin. Dhe as do të thotë që të gjithë njerëzit kanë dëgjuar për Zotin Jezus në një kohë apo në një tjetër. Për më tepër, do të thotë që Drita shkëlqen mbi gjithë njerëzit, pa dallim kombësie, race apo ngjyre. Gjithashtu do të thotë që duke shkëlqyer mbi të gjithë njerëzit, Zoti Jezus ka zbuluar njerëzit në karakterin e tyre të vërtetë. Me ardhjen e Tij në këtë botë si një Njeri i përsosur, Ai tregoi se sa të papërsosur janë njerëzit e tjerë. Kur një dhomë është në errësirë ju nuk mund të shihni pluhurin mbi mobiljet. Por kur drita ndizet, dhoma duket ashtu siç është në të vërtetë. Në të njëjtën mënyrë, ndriçimi i dritës së vërtetë zbuloi se si është njeriu në të vërtetë.

1:10 Nga koha e lindjes së Tij në Betlehem dhe deri në ditën kur Ai u kthye në qiell, Ai ishte në po këtë botë ku ne jetojmë sot. Ai e solli në jetë botën dhe ishte me të drejtë Pronari i saj. Në vend që ta njihnin Atë si Krijues, njerëzit menduan që Ai ishte një njeri si gjithë të tjerët. Ata e trajtuan si një të huaj dhe të dëbuar.

1:11 Ai erdhi në shtëpinë e vet (sipas NKJV “në gjërat e Tij” apo “në zotërimet e Tij”). Ai nuk po cënonte pronën e dikujt tjetër. Për më tepër, po jetonte në një planet të cilin e kishte krijuar Vetë. Të vetët (njerëzit) nuk e pranuan. Në një kuptim të përgjithshëm, kjo mund t’i referohet gjithë njerëzimit, dhe është e vërtetë që shumica e njerëzimit e hodhën poshtë Atë. Por në një kuptim të veçantë, kombi Jude ishte populli i Tij i zgjedhur tokësor. Kur Ai erdhi në botë, Ai iu paraqit Judenjve si Mesia i tyre, por ata nuk e pranuan.

1:12 Kështu tani Ai ia ofron Vetveten gjithë njerëzimit përsëri, dhe atyre që e pranojnë Atë, Ai u jep të drejtën ose autoritetin të bëhen bij të Perëndisë.

Ky varg tregon mjaft qartë se si ne mund të bëhemi bij të Perëndisë. Nuk është me anë të veprave të mira, jo me anë të anëtarësisë në kishë, jo duke bërë më të mirën që mundemi – por duke e pranuar Atë, duke besuar në emrin e Tij.

1:13 Në kuptimin fizik që dikush të bëhet bir, atij i duhet të lindë. Kështu edhe për t’u bërë një bir i Perëndisë, dikush duhet të kalojë një lindje të dytë. Kjo njihet si lindja e re, ose kthimi, ose të qenurit i shpëtuar. Ky varg na tregon tre mënyra me anë të së cilave lindja e re nuk ndodh, dhe një mënyrë me anë të së cilës ajo ndodh. Së pari, tre mënyrat me anë të së cilave ne nuk lindim përsëri. Jo nga gjaku. Kjo do të thotë që një person nuk bëhet i krishterë duke patur prindër të krishterë. Shpëtimi nuk kalohet me anë të gjakut nga prindërit tek fëmijët. Nuk është nga vullneti i mishit. Me fjalë të tjera, një person nuk ka fuqi në mishin e tij për të prodhuar lindjen e re. Megjithëse ai duhet të ketë dëshirë të plotë për të qenë i shpëtuar, vullneti i tij nuk mjafton për ta shpëtuar. Jo nga vullneti i njeriut. Askush nuk mund të shpëtojë një njeri. Një predikues, p.sh., mund të dëshirojë shumë që një person të shpëtohet, por ai nuk ka fuqi për të prodhuar këtë lindje të mrekullueshme. Atëherë si ndodh kjo lindje? Përgjigjja gjendet në fjalët por nga Perëndia. Kjo do të thotë thjesht që fuqia për të prodhuar lindjen e re nuk qëndron në asgjë dhe në asnjë njeri, por vetëm tek Perëndia.

1:14 Fjala u bë mish kur Jezusi u lind si një foshnjë në hanin e Betlehemit. Ai gjithmonë kishte ekzistuar si Biri i Perëndisë me Atin në qiell, por tani zgjodhi të vinte në botë në një trup njerëzor. Ai banoi ndër ne. Nuk ishte vetëm një shfaqje e shkurtër, për të cilën mund të kishte ndonjë keqkuptim ose ndonjë gabim. Perëndia në të vërtetë erdhi në këtë botë dhe jetoi si një Njeri midis njerëzve për tridhjetë e tre vjet.

Dhe ne soditëm lavdinë e Tij. Në Bibël “lavdia” shpesh shpreh dritën e shkëlqyeshme që shihej kur Perëndia ishte i pranishëm. Gjithashtu nënkupton përsosmërinë dhe shkëlqimin e Perëndisë. Kur Zoti Jezus ishte këtu në tokë, Ai e mbuloi me një vel lavdinë e Tij, dhe ky vel ishte trupi i Tij njerëzor. Por kishte dy mënyra me anë të së cilave lavdia e Tij u zbulua. Së pari ishte lavdia e Tij morale. Me anë të kësaj ne kuptojmë shkëlqimin e jetës dhe të karakterit të Tij të përsosur. Në të nuk kishte faj apo njollë. Ai ishte i përsosur në të gjitha rrugët e Tij. Çdo virtyt ishte shfaqur në jetën e Tij në një ekuilibër të përsosur. Ishte gjithashtu edhe shkëlqimi i dukshëm i lavdisë së Tij që u shfaq në Malin e Shpërfytyrimit (Mt. 17:1,2). Në atë kohë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni panë fytyrën e Tij duke shkëlqyer si dielli dhe veshjen e Tij të shndritshme si drita. Këtyre tre dishepujve iu dha një pamje e lavdisë që do të ketë Zoti Jezus kur të kthehet në tokë dhe të mbretërojë për një mijë vjet.

Kur Gjoni tha, “ne soditëm lavdinë e Tij,” ai po i referohet kryesisht lavdisë morale të Zotit Jezus. Ai dhe dishepujt e tjerë soditën mrekullinë e një jete absolutisht të përsosur. Por ka mundësi që Gjoni të ketë përfshirë edhe incidentin që ndodhi në Malin e Shpërfytyrimit. Lavdia që panë dishepujt u tregoi atyre se Ai ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë. Jezusi është i vetëmlinduri i Atit, që do të thotë se Krishti është Biri i vetëm i Perëndisë. Perëndia nuk kishte ndonjë bir tjetër si Ai. Në një mënyrë të gjithë besimtarët janë bij të Perëndisë. Por Jezusi është Biri i Perëndisë – në një klasifikim që i takon vetëm Atij.

Shpëtimtari ishte plot hir dhe të vërtetë. Nga një anë, plot me mirësi të pamerituar për të tjerët, Ai ishte gjithashtu plotësisht i ndershëm dhe i drejtë, dhe kurrë nuk bëri mëkat dhe nuk miratoi të keqen. Për të qenë plotësisht i hirshëm dhe në të njëjtën kohë plotësisht i drejtë është diçka që vetëm Perëndia mund ta bëjë.

1:15 Gjon Pagëzori dëshmoi që Jezusi ishte Biri i Perëndisë. Përpara se Zoti të fillonte shërbesën e Tij publike, Gjoni u kishte treguar njerëzve për Të. Kur Jezusi doli në skenë, Gjoni tha në fakt, “Ky është Ai që unë ju kam përshkruar.” Jezusi erdhi pas Gjonit për sa i përket lindjes dhe shërbesës së Tij. Ai u lind gjashtë muaj pas Gjonit dhe e paraqiti vetveten përpara popullit të Izraelit pasi Gjoni kishte predikuar dhe pagëzuar. Por Jezusi i kishte paraprirë Gjonit. Ai ishte më i madh se Gjoni; Ai ishte i denjë për më shumë nder, arsyeja e thjeshtë ishte sepse Ai ishte përpara Gjonit. Ai ekzistonte nga përjetësia – Biri i Perëndisë.

1:16 Të gjithë ata që besojnë në Zotin Jezus marrin furnizime për fuqi frymërore nga mbushullia e Tij. Mbushullia e Tij është aq e madhe saqë Ai mund të sigurojë për të gjithë të krishterët në të gjitha vendet dhe në të gjitha epokat. Shprehja hir mbi hir ndoshta do të thotë “hir me bollëk.” Këtu hiri nënkupton favorin që Perëndia derdh mbi bijtë e Tij të dashur.

1:17 Gjoni vë përballë njëra tjetrës periudhën e DhV dhe atë të DhR. Ligjiu dha nëpërmjet Moisiut nuk ishte një shfaqje e hirit. Ai e urdhëronte njeriun të bindej dhe i dënonte ata me vdekje nëse dështonin në bindjen ndaj tij. Ai u tregonte njerëzve atë që ishte e drejtë, por nuk u jepte fuqinë për të bërë të drejtën. Ligji u dha për t’u treguar njerëzve që ishin mëkatarë, por nuk mund t’i shpëtonte ata nga mëkatet e tyre. Por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezus Krishtit. Ai nuk erdhi për ta gjykuar botën, por për të shpëtuar ata që ishin të padenjë dhe armiq të Tij. Ky është hiri – më i miri i qiellit për më të keqin e botës.

Nëpërmjet Jezus Krishtit nuk erdhi vetëm hiri, por edhe e vërteta. Ai tha për Veten e Vet, “Unë jam … e vërteta.” Ai ishte absolutisht i ndershëm dhe besnik në të gjitha fjalët dhe veprat e Tij. Ai nuk shfaqi hir në kurriz të së vërtetës. Megjithëse i donte mëkatarët, Ai nuk donte mëkatet e tyre. Ai dinte që paga e mëkatit ishte vdekja. Dhe kështu Ai vetë vdiq për të paguar dënimin e vdekjes që ne meritonim, me qëllim që të tregonte mirësi të pamerituar ndaj nesh, duke shpëtuar shpirtrat tanë dhe duke na dhënë një shtëpi në qiell.

1:18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë. Perëndia është Frymë, prandaj është i padukshëm. Ai nuk ka një trup. Megjithëse Ai iu shfaq njerëzve në DhV në një formë të dukshme si një engjëll ose si një njeri, këto shfaqje të tilla nuk zbulonin se çfarë ishte Perëndia në të vërtetë. Ato ishin thjesht shfaqje të përkohshme me anë të së cilave Ai zgjodhi t’u fliste njerëzve të Tij. Zoti Jezus është i vetëmlinduri Bir i Perëndisë; {{1}} Ai është Biri i vetëm i Perëndisë; nuk ka asnjë bir tjetër si Ai. Ai gjithnjë zë një vend të veçantë afërsie me Perëndinë At. Madje edhe kur ishte këtu në tokë, Jezusi ishte ende në gjirin e Atit. Ai ishte një dhe i barabartë me Perëndinë. Ky i Bekuar ka zbuluar përpara syve të njerëzve se si është Perëndia. Kur njerëzit panë Jezusin, ata panë Perëndinë. Ata dëgjuan Perëndinë duke folur. Ata ndjenë dashurinë dhe ngrohtësinë e Perëndisë. Mendimet dhe qëndrimet e Perëndisë ndaj njerëzimit u shpallën në një mënyrë të plotë me anë të Krishtit.

[[1]] (1:18) Teksti kritik (NU në NKJV) shkruan i vetëmlinduri Perëndi. Përkthimi i vetëmlinduri Bir gjendet në shumicën e dorëshkrimeve dhe gjithashtu në 3:16.[[1]]


[previous][next]