Triumfi i Birit të Perëndisë (Gjoni 20)

A. Varri bosh (20:1-10)

20:1 Dita e parë e javës ishte e diela. Maria Magdalena shkoi tek varri përpara agimit. Ka mundësi që varri të ishte një dhomë e vogël e gdhendur në anën e ndonjë kodre ose shkëmbi. Pa dyshim që guri kishte formën e një monedhe – i rrumbullakët dhe i sheshtë. Ai kishte këtë formë për t’u përshtatur me pjesën e përparme të një varri, me qëllim që ai të mbyllte. Kur Maria shkoi atje, guri ishte hequr nga varri. Kjo gjë, kishte ndodhur incidentalisht pas ringjalljes së Krishtit, siç mësojmë në Mateu 28.

20:2 Maria menjëherë vrapoi për tek Pjetri dhe Gjoni me shpalljen e saj tronditëse që dikush e kishte hequr trupin e Zotit nga varri. Ajo nuk tha se kush e kishte bërë këtë gjë, por foli shumës për të treguar që kjo ishte gjithçka që ajo dinte. Besnikëria dhe përkushtimi i grave në kryqëzimin dhe ringjalljen e Zotit tonë, janë dy gjëra që duhet të vihen re. Dishepujt e kishin braktisur Zotin dhe ia kishin mbathur. Gratë qëndruan aty pa marrë parasysh rrezikun që i kanosej jetëve të tyre. Këto gjëra nuk janë pa domethënie.

20:3, 4 Është e vështirë të imagjinosh se çfarë ishin duke menduar Pjetri dhe Gjoni ndërkohë që kishin ikur me shpejtësi jashtë qytetit për të shkuar në kopshtin afër Kalvarit. Gjoni ishte ndoshta më i ri sesa Pjetri dhe arriti tek varri i pari.

20:5 Ka të ngjarë që varri përpara kishte një hapje të ulët dhe për të hyrë në të dikujt i duhej të përkulej. Gjoni pa pëlhurat prej liri që ishin në varr. A ishin zhvështjellë ato nga trupi apo ishin në formën në të cilën ishin mbështjellë? Ne dyshojmë që kjo e fundit të ishte e vërtetë. E përsëri ai nuk hyri në varr.

20:6, 7 Në këtë kohë Pjetri kishte mbërritur dhe u fut në varr pa hezituar. Ka diçka në sjelljen e tij impulsive që na bën ne të ndjejmë një lloj dashamirësie ndaj tij. Edhe ai i pa pëlhurat prej liri, por trupi i Shpëtimtarit nuk ishte atje.

Detaji për rizën është shtuar për të treguar që nisja e Zotit ishte një nisje pa nxitim dhe me rregull. Nëse dikush e kishte vjedhur trupin, ai nuk do të kishte treguar kujdes për të rregulluar rrobat!

20:8 Gjoni hyri në varr dhe pa një rregullim të pëlhurës prej liri dhe të rizës. Por kur thuhet që ai pa dhe besoi, domethënia tejkalon të parit fizik. Kjo do të thotë që ai kuptoi. Përpara tij ishin provat e ringjalljes së Krishtit. Ato tregonin se çfarë kishte ndodhur, dhe ai … besoi.

20:9 Deri tani, dishepujt nuk kishin kuptuar me të vërtetë Shkrimet e DhV të cilat thonin se Mesia duhet të ringjallej së vdekurish. Vetë Zoti u kishte thënë atyre vazhdimisht, por ata nuk kishin arritur ta kuptonin këtë. Gjoni ishte i pari që e kuptoi.

20:10 Pastaj dishepujt u kthyen aty ku qëndronin – ndoshta në Jerusalem. Pa dyshim që ata arritën në përfundimin që nuk kishte vlerë të prisnin tek varri. Ishte më mirë të shkonin dhe t’u thoshin dishepujve të tjerë për atë që kishin parë.

B. Shfaqja e Jezusit Maria Magdalenës (20:11-18)

20:11 Dy fjalët e para janë mahnitëse – Por Maria. Dy dishepujt e tjerë shkuan në shtëpi, por Maria … Përsëri këtu ne kemi dashurinë dhe përkushtimin e një gruaje. Asaj i ishte falur shumë; prandaj, ajo donte shumë. Ajo vigjëlonte jashtë varrit, duke qarë sepse ashtu si ajo mendonte, trupi ishte vjedhur, ndoshta nga armiqtë e Zotit.

20:12 Kësaj here, kur ajo pa brenda, pa dy engjëj, që qëndronin aty ku qe trupi i Jezusit. Është mahnitës fakti se si këto gjëra kaq madhështore janë thënë qetësisht dhe pa emocion.

20:13 Maria nuk dukej se kishte frikë apo habi. Ajo iu përgjigj pyetjes së tyre sikur kjo të ishte një përvojë krejt normale. Duket qartë nga përgjigjja e saj që ajo ende nuk e kishte kuptuar që Jezusi ishte ngritur dhe ishte përsëri i gjallë.

20:14 Në këtë moment, diçka e shtyu atë të shikonte mbrapa. Ishte Vetë Jezusi, por ajo nuk e njohu. Ishte ende herët në mëngjes dhe ndoshta dita nuk kishte aguar ende. Ajo kishte qenë duke qarë për një kohë të gjatë dhe pa dyshim që të parët i ishte turbulluar. Gjithashtu ka mundësi që Perëndia nuk e bëri të mundur që Zoti të njihej prej saj deri në kohën e duhur.

20:15 Zoti i dinte përgjigjet e këtyre pyetjeve; por Ai dëshironte që t’i dëgjonte nga vetë buzët e saj. Ajo mendoi se Ai ishte kopshtari. Shpëtimtari i botës mund të jetë shumë afër njerëzve dhe përsëri të mos njihet prej tyre. Ai zakonisht vjen në një pamje të ulët, jo si ata që janë të mëdhenj këtu mbi tokë. Në përgjigjen e saj, Maria nuk e emëroi Zotin. Tre herë ajo iu referua Jezusit me fjalën Ai. Ishte vetëm një Personi me të cilin ajo ishte duke u marrë, dhe nuk e ndiente të domosdoshme ta identifikonte Atë.

20:16 Maria tani dëgjoi një zë të njohur për të që e thirri me emër. Nuk kishte përse të gabonte – ishte Jezusi! Ajo e quajti Atë Rabboni, që do të thotë “Mësuesi im i madh.” Në të vërtetë, ajo ishte ende duke e menduar Atë si Mësuesi i Madh që ajo kishte njohur. Ajo nuk e kuptoi që Ai tani ishte më shumë sesa Mësuesi i saj – Ai ishte Zoti dhe Shpëtimtari i saj. Kështu Zoti përgatiti t’i shpjegonte asaj mënyrën më të re dhe më të plotë me të cilën ajo do ta njihte Atë më tej.

20:17 Maria e kishte njohur Jezusin personalisht si një Njeri. Ajo kishte parë të kryheshin mrekulli prej Tij gjatë kohës që Ai ishte trupërisht i pranishëm këtu në tokë. Kështu që ajo doli në përfundimin që nëse Ai nuk ishte me të në një mënyrë të dukshme, atëherë ajo nuk mund të shpresonte për bekime. Zoti duhet të korrigjonte të menduarit e saj. Ai tha, “Mos më prek thjesht si një Njeri prej mishi. Unë ende nuk jam ngjitur tek Ati im. Kur Unë të kthehem në qiell Fryma e Shenjtë do të dërgohet në tokë. Kur të vijë Ai, do të më zbulojë Mua në zemrat tuaja në një mënyrë me të cilën nuk më keni njohur kurrë më parë. Unë do të jem më afër me ju sesa kisha mundësi të isha kur ndodhesha këtu gjatë jetës sime.”

Më pas Ai i tha Marisë të shkonte tek vëllezërit e Tij dhe t’u tregonte për një marrëdhënie të re që ka filluar. Për herë të parë, Zoti iu drejtua dishepujve si “vëllezërit e mi.” Ata duhet ta dinin që Ati i Tij ishte Ati i tyre, dhe Perëndia i Tij ishte Perëndia i tyre. Deri në këtë moment besimtarët nuk ishin “bij” dhe “trashëgimtarë të Perëndisë.”

Zoti Jezus nuk tha, “Ati ynë,” por “Ati im dhe Ati juaj.” Arsyeja është që Perëndia është Ati i Tij ndryshe nga çfarë është Ati ynë. Perëndia është Ati i Zotit Jezus që nga përjetësia. Krishti është Biri i një brezi të përjetshëm. Biri është i barabartë me Atin. Ne jemi bij të Perëndisë me anë të birësimit. Është një marrëdhënie që fillon në momentin e shpëtimit dhe vazhdon përgjithmonë. Si bij të Perëndisë, ne nuk jemi të barabartë me Perëndinë dhe nuk do të jemi kurrë.

20:18 Maria Magdalena iu bind urdhëresës që iu dha dhe u bë ashtu siç ka thënë dikush “apostulli i apostujve.” A mund të dyshojmë ne mbi faktin që ky privilegj i madh iu dha asaj si një shpërblim për përkushtimin e saj ndaj Krishtit?

C. Shfaqja e Jezusit dishepujve (20:19-23)

20:19 Tani ishte mbrëmja e së dielës. Dishepujt ishin mbledhur së bashku, ndoshta në dhomën e sipërme ku ata ishin takuar tre netë më parë. Dyert ishin të mbyllura nga frika e Judenjve. Papritur ata panë Jezusin duke qëndruar në mes tyre, dhe dëgjuan një zë që thoshte, “Paqe.” Duket qartë që Zoti hyri në dhomë pa hapur dyert. Kjo ishte një mrekulli. Duhet të mos harrojmë që trupi i Tij pas ringjalljes ishte një trup me mish dhe me kocka. E përsëri Ai kishte fuqinë për të kaluar pengesat dhe të vepronte ndryshe, i pavarur nga ligjet e natyrës. Fjalët “Paqja me ju!” kanë një domethënie të re tani sepse Krishti ka bërë paqe me anë të gjakut të Tij derdhur në kryq. Ata që janë shfajësuar me anë të besimit kanë paqe me Perëndinë.

20:20 Pasi u shpalli atyre paqe, Ai u tregoi atyre shenjat e pasionit të Tij, me anë të së cilit paqja ishte siguruar. Ata panë shenjat e gozhdëve dhe plagën e shkaktuar nga shtija. Kur panë se ishte me të vërtetë Zoti, gëzimi përshkoi zemrat e tyre. Ai kishte bërë atë që kishte thënë se do të bënte. Ai ishte ringjallur prej së vdekurish. Zoti i ringjallur është burimi i gëzimit të krishterë.

20:21 Vargu 21 është shumë i bukur. Besimtarët nuk duhet ta gëzojnë paqen në mënyrë egoiste. Ata duhet ta ndajnë atë me të tjerët. Kështu Ai i dërgon ata në botë, ashtu si Ati e pati dërguar Atë:

Krishti erdhi në botë si një Person i varfër.

Ai erdhi si një Shërbëtor.

Ai e zbrazi vetveten.

Ai u kënaq duke bërë vullnetin e Atit.

Ai e identifikoi Vetveten me njeriun.

Ai shkoi kudo duke bërë të mirën.

Ai e bëri gjithçka me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Qëllimi i Tij ishte kryqi.

Tani Ai u tha dishepujve, “Unë po ju dërgoj juve.”

20:22 Ky është një nga vargjet më të vështirë të Ungjillit. Ne lexojmë që Jezusi hukati mbi dishepujt dhe u tha, “Merrni Frymën e Shenjtë.” Vështirësia qëndron në faktin se Fryma e Shenjtë u dha më vonë në Ditën e Rrëshajave. Atëherë si mund t’i thoshte Zoti këto fjalë kur ngjarja ende nuk kishte ndodhur?

Janë ofruar disa shpjegime: (1) Disa sugjerojnë që Zoti thjesht ishte duke bërë një premtim të asaj që ata do të merrnin në Ditën e Rrëshajave. Ky është një shpjegim i pamjaftueshëm. (2) Disa thonë që ajo që po thoshte në të vërtetë Shpëtimtari ishte kjo: “Merrni Frymë të Shenjtë,” më tepër sesa “Merrni Frymën e Shenjtë.” Nga kjo ata nxjerrin që dishepujt nuk e morën Frymën e Shenjtë në gjithë plotësinë e Tij në atë kohë, por vetëm një lloj shërbese të Frymës, si për shembull njohuri më të madhe për të vërtetën, ose fuqi dhe drejtim për misionin e tyre. Ata thonë që dishepujt morën një garanci apo një parashijim të Frymës së Shenjtë. (3) Të tjerët thonë që këtu kishte një derdhje të plotë të Frymës së Shenjtë mbi dishepujt. Kjo duket ndryshe me atë që është thënë në Luka 24:49 dhe Veprat e apostujve 1:4, 5, 8, ku ardhja e Frymë së Shenjtë tregohej si diçka që do të ndodhte në të ardhmen. Duket qartë nga Gjoni 7:39 që Fryma nuk do të vinte në plotësinë e Tij derisa Jezusi të përlëvdohej, pra derisa Ai të ishte kthyer në qiell.

20:23 Ky është një varg tjetër i vështirë, përreth të cilit ka pasur shumë mendime të kundërta. (1) Një pikëpamje është që Jezusi aktualisht u dha apostujve të Tij (dhe pasuesve të tyre) fuqinë për të falur mëkatet apo për t’i mbajtur ato. Kjo bie drejtpërdrejt në kundërshtim me mësimet e Biblës që thonë se vetëm Perëndia mund t’i falë mëkatet (Luka 5:21). (2) Gaebelein citon një pikëpamje të dytë: “Fuqia e premtuar dhe autoriteti i dhënë ka të bëjë me predikimin e Ungjillin, me shpalljen e bazave me të cilat mëkatet mund të falen, dhe nëse këto baza nuk pranohen, atëherë mëkatet mbeten.” (3) Një pikëpamje e tretë (që është e ngjashme me të dytën), dhe ajo që ne pranojmë, është që dishepujve iu dha e drejta që të shpallnin faljen e mëkateve.

Le ta ilustrojmë pikën e tretë. Dishepujt shkojnë duke predikuar ungjillin. Disa njerëz pendohen për mëkatet e tyre dhe pranojnë Zotin Jezus. Dishepujve u është dhënë autorizimi për t’u thënë atyre që mëkatet u janë falur. Të tjerët refuzojnë të pendohen dhe nuk duan të besojnë në Krishtin. Dishepujt u thonë atyre që ata janë ende në mëkatet e tyre, dhe nëse vdesin, ata do të zhduken përjetësisht.

Si shtesë e këtij shpjegimi ne duhet të vëmë re gjithashtu që dishepujve u ishte dhënë autoritet i veçantë nga Zoti për t’u marrë me disa mëkate të veçanta. Për shembull në Veprat 5:1-11, Pjetri e përdori këtë fuqi, dhe ajo rezultoi në vdekjen e Ananias dhe Safirës. Pali është parë të mbajë mëkatin e një keqbërësi në 1 e Korintasve 5:3-5, 12, 13, dhe të falë mëkatin në 2 e Korintasve 2:4-8. Në këto raste, është falje nga dënimi i këtyre mëkateve në këtë jetë.

D. Dyshimi i kthyer në besim (20:24-29)

20:24 Ne nuk duhet të pranojmë menjëherë konkluzionin që Thomai duhet fajësuar sepse nuk ishte i pranishëm aty. Nuk është thënë asgjë për të treguar arsyen e mungesës së tij.

20:25 Thomai duhet të fajësohet për qëndrimin e tij mosbesues. Ai donte të kishte një provë të dukshme, të prekshme të ringjalljes së Zotit; ndryshe nuk do të besonte. Ky është qëndrimi i shumë njerëzve sot, por nuk është i arsyeshëm. Madje edhe shkencëtarët besojnë shumë gjëra që nuk mund t’i prekin apo t’i shohin.

20:26 Një javë më vonë Zoti iu shfaq përsëri dishepujve të Tij. Kësaj here Thomai ishte me ta. Përsëri Zoti Jezus hyri në dhomë në një mënyrë të mrekullueshme dhe i përshëndeti ata me të njëjtat fjalë “Paqja me ju!”

20:27 Zoti merrej me butësi dhe durim me ndjekësit e Tij jobesues. Ai e ftoi atë të provonte realitetin e ringjalljes së Tij duke vendosur dorën në plagën e krijuar nga shtiza në brinjën e Tij.

20:28 Thomai u bind. Ne nuk e dimë nëse ai e vuri dorën e tij në brinjën e Zotit apo jo. Por më në fund ai kuptoi që Jezusi ishte ringjallur dhe që Ai ishte Zot dhe Perëndi. John Boys thotë shumë bukur: “Ai shpalli hyjninë të cilën nuk e pa me anë të plagëve që vëzhgoi.”

20:29 Gjëja e rëndësishme që duhet vënë re është që Jezusi pranoi të adhurohej si Perëndi. Nëse Ai do të ishte vetëm një njeri, Ai do ta kishte refuzuar një gjë të tillë. Por besimi i Thomait nuk ishte i atij lloji që e kënaqte shumë Zotin. Ai ishte besim i bazuar në të parit. Më të bekuar janë ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar.

Prova më e sigurt është Fjala e Perëndisë. Nëse Perëndia thotë një gjë, ne e nderojmë Atë duke e besuar Fjalën e Tij; por ne e çnderojmë Atë duke i kërkuar prova shtesë. Ne duhet të besojmë thjesht sepse Ai ka thënë dhe sepse Ai nuk mund të gënjejë dhe nuk mund të gabojë.

E. Qëllimi i ungjillit të Gjonit (20:30, 31)

Në ungjillin e Gjonit nuk janë shënuar të gjitha mrekullitë e bëra nga Jezusi. Fryma e Shenjtë zgjodhi ato shenja që do t’i shërbenin më mirë qëllimit të Tij.

Këtu ne kemi synimin e shkrimit të ungjillit nga ana e Gjonit. Ishte që lexuesit e tij të mund të besonin që Jezusi është Mesia i vërtetë dhe Biri i Perëndisë. Duke besuar, ata do të kenë jetë të përjetshme në emrin e Tij.

A keni besuar ju?


[previous][next]