Kalbja fetare, morale dhe politike (Gjyqëtarët 17-21)

Kjo pjesë e fundit e Gjyqtarëve është gati si një shtojcë e librit. Përsa i përket kohës, kapitujt 17-21 nuk përparojnë në kronologji. Për më tepër ato japin një shikim të shpejtë rrënqethës të gjendjes së ulët fetare, morale dhe politike në të cilën ishte zhytur Izraeli gjatë periudhës së gjyqtarëve. Libri i vogël i Ruthit, në mënyrë të ngjashme, nuk e përparon historinë e gjyqtarëve në kohë, por, në dallim me të, jep një shikim të shpejtë magjepsës të pjesës së mbetur besnike gjatë kësaj epoke të zymtë në historinë e hebrenjve.

A. Themelimi fetar i Mikahut (kapitulli 17)

17:1-4 Rrëfimi i parë është ai i prishjes fetare. Mikahu, një njeri i Efraimit, kishte vjedhur një mijë e njëqind sikla argjendi nga nëna e tij. Ajo, nga ana e saj, kishte mallkuar hajdutin, duke mos e ditur se ai ishte biri i vet. Në pamje të parë, ai pati frikë nga rrjedhoja e mallkimit, kështu që ia ktheu argjendin asaj. Kështu ajo e hoqi mallkimin dhe e bekoi për kthimin e argjendit. Kështu tani ajo mund ta përdorte për qëllimin e caktuar. Ajo mori dyqind sikla argjendi dhe urdhëroi të bëheshin dy idhuj prej tyre. Njëri ishte një shëmbëlltyrë e gdhendur druri dhe i lyer me argjend. Figura me derdhje u bë tërësisht prej argjendi. 17:5,6Mikahu i vuri idhujtnjë shtëpi idhujsh bashkë me idhujt e shtëpisë së tij (terafim). Ai vendosi gjithashtu të ngrinte një priftëri për familjen e tij, kështu që bëri një efod (veshja priftërore) dhe shenjtëroi një nga bijtë e tij për të qenë ai prift. Sigurisht, kjo ishte në kundërshtim me ligjin e Perëndisë, që ndalonte një efraimit të ishte një prift. Në fakt, e tërë procedura ishte në kundërshtim me ligjin e Moisiut. 17:7-13 Pak më vonë një levit që jetonte në Betlem, midis popullit të Judës, shkoi në vendin kodrinor të Efraimit duke kërkuar një vend për të qëndruar (Ai duhej të merrej me shërbimin e Jehovahut dhe të mbahej me të dhjetën e kombit, por meqë izraelitët nuk i bindeshin ligjit, ai ishte i detyruar të kërkonte punë). Mikahu i ofroi atij një pozitë si prift në familjen e tij. Edhe pse ky njeri ishte një levit, ai nuk ishte nga familja e Aaronit, prandaj nuk plotësonte kushtet për të shërbyer si prift. Megjithatë Mikahu i ofroi një pagë, ushqim e veshje dhe leviti pranoi të shërbente. Leviti duhej t’i bënte të ditur Mikahut faktin se tërë këto gjëra ishin në kundërshtim me urdhrin e Perëndisë. Në vend të kësaj, ai pohoi në heshtje duke pranuar pagën dhe përfitimet e tjera joshëse, duke vulosur, në fakt, buzët e tij për të mos shpallur këshillat e plota të Perëndisë. Fjala për të përshkruar gjendjen e ndodhive në këtë kapitull është “pështjellim”: paraja e vjedhur përdoret për idhujt dhe kërkohet bekimi i Zotit për hajdutin (v. 2); altari individual zëvendësoi adhurimin e tabernakullit; levitët dhe njerëzit e thjeshtë caktohen si priftërinj; idhujt përdoren në adhurimin e Jehovahut. Dhe Mikahu hamendësoi se Zoti do ta bekonte në gjithçka kishte bërë (v. 13)! Ky pështjellim buroi nga zemra e njeriut (v. 6). Nëse ligji i Perëndisë do të ishte zbatuar në atë kohë në Izrael, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga këto gjëra. “Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes” (Fja. 14:12), ashtu siç do ta shohim në kapitullin tjetër.

B. Mikahu dhe danitët (kapitulli 18)

18:1-6 Gati në të njëjtën kohë, njerëzit e fisit të danitëve vendosën të kërkonin territor shtesë për t’u vendosur. (Kur vargu 1 thotë se Dani nuk kishte asnjë trashëgimi, kjo nuk do të thotë se atyre nuk iu dha asnjë vend kur u nda në fillim Kanaani [Joz. 19:40-48], por se pjesa e tyre, më e vogla nga dymbëdhjetë pjesët, ishte shumë e vogël për ta). Kur disa nga zbuluesit e tyre shkuan pranë shtëpisë së Mikahut në vendin kodrinor të Efraimit, ata njohën zërin e të riut levit dhe i kërkuan siguri për bekimet hyjnore të planeve të tyre. 18:7-13 Pesë burra nga Dani shkuan për të parë qytetin verior të Laishit, duke e gjetur të qetë dhe të sigurt. Për më tepër, ata nuk mbanin marrëdhënie me askënd, pra, ata ishin një bashkësi paqedashëse, “duke mos pasur asnjë traktat ndihme të dyanshme me popujt fqinjë” [13]. Duke e marrë gjendjen e tyre të pambrojtur si një dhuratë nga Perëndia, gjashtëqind burra të armatosur të familjes së danitëve u drejtuan për në Laish. 18:14-26 Më vonë, kur pesë burrat e Danit po marshonin në veri për të pushtuar Laishin, ata hynë në shtëpinë e Mikahut dhe konfiskuan tërë idhujt. Pas një proteste të shtruar, leviti me gëzim iu bind urdhrit të tyre për t’i shërbyer fisit të Danit si një prift dhe jo t’i shërbente shtëpisë së Mikahut. Kur Mikahu dhe disa nga bashkëqytetarët e tij dolën për të kundërshtuar danitët për këtë vjedhje të perëndive të tij, atij iu tha të rrinte në heshtje dhe u dërgua në shtëpi duarbosh. 18:27-31 Atëherë danitët i vunë flakën qytetit paqësor të Laishit dhe e ndryshuan emrin e qytetit Dan. Ata ngritën shëmbëlltyrën e gdhendur dhe caktuan Jonathanin, bir i Gershomit, bir i Moisiut (NKJV) dhe bijtë e tij si priftërinj. Pranohet përgjithësisht se, te Gjyqtarët, emrin ‘Manas’ (KJV, NASB) duhet ta lexojmë ‘Moisi’ – emri është fshehur nga kopjuesit judenj për të parandaluar turpin e hamendësuar rënë mbi Moisiun, rrjedhojë e idhujtarisë së nipit të tij [14]. Hamendësohet se Jonathan është emri i levitit të përmendur më parë. Qyteti i Danit u bë një qytet idhujtar që nga kjo kohë e më pas. Në këtë vend, më vonë, Jeroboami ngriti një nga viçat e artë. Nuk dihet nëse robëria e përmendur në vargun 30 i referohet robërisë filistease të asaj zone (për shembull 1 Sam. 4:11) apo asaj asire (2 i Mbreterve 15:29). Jo të gjithë danitët shkuan në Laish (v. 11) dhe jo të gjithë ranë në idhujtari. Disa qëndruan në vendin e tyre, midis Judës dhe Efraimit. Sansoni, pjesëtari më i famshëm i këtij fisi, ishte nga ky grup i fundit i danitëve.

C. Leviti dhe konkubina e tij (kapitulli 19)

19:1-12 Tani arrijmë në një histori me një prishje të pabesueshme morale – historia e levitit dhe e konkubinës së tij. Ky levit i veçantë kishte një konkubinë që kishte ardhur nga Betlemi i Judës. Ajo e braktisi atë për t’u kthyer në shtëpinë e saj dhe jetonte si një prostitutë. Ai shkoi në shtëpinë e të atit për ta marrë dhe qëndroi atje ditë me radhë. Sa herë që përpiqej të largohej me konkubinën e tij, ati i saj e bindte të qëndronte edhe pak më tepër. Më në fund ai u largua, në mbrëmjen e ditës së pestë, me shërbëtorin e tij, me dy gomerët e tij të shaluar dhe me konkubinën e tij. Ishte mbrëmje vonë kur ata shkuan në Jebus, që është Jeruzalemi, por nuk u ndalën sepse ai qytet banohej akoma nga jebusenjtë paganë. Xhorxh Uilliamsi (George Williams) vëzhgon: Do të kishte qenë më mirë për levitin ta kishte kaluar natën me paganët, sesa me bijtë e ashtuquajtur të Perëndisë, sepse këta të fundit ishin bërë më të këqinj sesa të parët [15]. 19:13-21 Në perëndim të diellit ata shkuan në Gibeah, në territorin e Beniaminit. Askush nuk ofroi vendqëndrim për karvanin, kështu që leviti u çlodh përkohësisht në rrugë. Më pas një plak efraimit që jetonte në Gibeah doli i gatshëm t’i bujte në shtëpinë e tij dhe oferta u pranua. 19:22-24 Atë mbrëmje një grup të shthururish seksualë rrethuan shtëpinë dhe kërkuan që leviti të dilte jashtë. Hera e vetme që lexojmë për një sjellje të tillë të shthurur është në kohën e Lotit (Zanafilla 19). Fatkeqësisht për gruan, nuk kishte engjëj mbrojtës të pranishëm në Gibeah, ashtu siç pati në Sodomë. Që të dyja rastet patën pasoja të ashpra për sulmuesit. Zoti ka neveri për homoseksualizmin. Shthurja njerëzore zor se zhytet më poshtë [se kaq]. I zoti u përpoq të kënaqte këta beniaminitë duke ofruar vajzën e tij të virgjër dhe konkubinën e levitit. Artur Kundëlli (Arthur Cundall) komenton mbi sjelljen e tyre si vijon: I shqetësuar për traditën e pranuar të mikpritjes plaku ishte gati të shkelte një pikë e cila, për lexuesin modern, duket pafundësisht më e rëndësishme: kujdesi dhe mbrojtja e të dobëtit dhe e të pafuqishmit. Gratë vlerësoheshin më pak në botën e lashtë. Sidoqoftë, gratë gëzojnë pozicionin e tyre të tashëm për shkak të parimeve të besimit judaik dhe, në mënyrë të veçantë, ndriçimit që ka ardhur përmes besimit të krishterë. Plaku ishte gati më tepër t’ua flijonte vajzën e tij të virgjër dhe konkubinën e levitit epsheve të shtrembra të rrethuesve, sesa të lejonte të pësonte ndonjë dëm mysafiri i tij kryesor [16]. 19:25-30 Së fundi, duke pasur frikë për kokën e vet, leviti frikacak ua dërgoi konkubinën e tij atyre. Si rrjedhojë e abuzimit të tyre të lig dhe të dëmshëm ndaj saj, ajo vdiq atë natë. Pa përligjur beniaminitët, duhet të tregojmë se nëse ajo nuk do t’ia kishte dhënë veten prostitucionit kohë më parë (v. 2), ajo nuk do të kishte pësuar vdekjen e një prostitute. Mëkati, në mënyrë të pamëshirshme, shpërblen ndjekësit e tij. Leviti gjeti trupin e saj në pragun e derës të nesërmen në mëngjes. Ai ishte aq i zemëruar për një gabim të tillë trashanik të ndodhur në Izrael, saqë e preu trupin e saj në dymbëdhjetë copa dhe e shpërndau secilën copë te dymbëdhjetë fiset, duke rrëfyer atë që kishte ndodhur. Kombi i Izraeli u shastis!

D. Lufta me beniaminitët (kapitujt 20,21)

20:1-14 Luftëtarë të zgjedhur nga fiset e Izraelit (përveç Beniaminit) u mblodhën në Mitspah dhe dëgjuan levitin për atë që kishte ndodhur. Ata vendosën të luftonin kundër Gibeahut, por në fillim i dhanë banorëve të Beniaminit një mundësi për të dorëzuarata njerëz fajtorë që t’i ndëshkonin. Kur beniaminitët nuk pranuan, shpërtheu lufta civile. 20:15-48 Kjo ndodhi ka ndodhur jo shumë kohë pas vdekjes së Jozueut dhe brezit të tij, sepse Finehasi ishte kryeprift në atë kohë (v. 28). Fisi i Beniaminit kishte vetëm 26.700 ushtarë, kundër katërqind mijë ushtarëve nga fiset e tjera (v. 15-17). Në betejën e parë Beniamini vrau njëzet e dy mijë burra (v. 18-21), në ndeshjen e dytë ngelën të vrarë tetëmbëdhjetë mijë burra të Izraelit (v. 22-25). Arsyeja se pse Izraeli po kalonte një kohë të vështirë, edhe pse çështja e tyre ishte e drejtë, ishte ngaqë ata vetë nuk po ecnin afër Zotit. Te vargjet 18, 23 dhe 26-28 mund të shohim kombin që detyrohet të përulë veten para Zotit, derisa në fund premtohet suksesi. Në ndërmarrjen e tretë, izraelitët përdorën strategjinë e pritës. Ata i nxorën njerëzit e Beniaminit jashtë qytetit Gibeah, i vunë zjarrin atij dhe më pas vranë një numër prej njëzet e pesë mijë e njëqind burra të Beniaminit ndërsa po arratiseshin drejt shkretëtirës. Më pas ata dogjën tërë qytetet e Beniaminit dhe vranë gratë dhe fëmijët (v. 29-48). Në tri betejat Beniamini humbi 26.100 burra (kr. v. 15,47; duhet të dalim në përfundimin se ata humbën 1.000 në dy ditët e para). Vrasja në vargjet 35 e 44-46 ka të bëjë me rastësitë vetëm në betejën e fundit. Gjashtëqind të mbijetuar gjetën strehë te shkëmbi i Rimonit katër muaj (v. 47). Nëse nuk do të kishte qenë për këtë mbetje, fisi do të ishte shfarosur plotësisht. 21:1-15 Tani njëmbëdhjetë fiset e Izraelit u mbushën me keqardhje, sepse fisi i Beniaminit ishte shfarosur pothuajse plotësisht. Ata nuk donin që ky fis të shfarosej. Megjithatë kishin bërë një betim të nxituar në Mitspah se nuk do t’u jepnin vajzat e tyre si gra burrave të Beniaminit. Zgjidhja e tyre e parë ishte të luftonin kundër Jabesit të Galaadit, në lindje të Jordanit, sepse banorët e tij nuk ndihmuar në luftën kundër Beniaminit. Të gjithë njerëzit u vranë përveç katërqind vajzave që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra. Këto u morën dhe iu dhanë burrave të Beniaminit. 21:16-24 Por ishte e qartë se parashikimi i mëtejshëm duhet të bëhej nëse duhej që fisi të përparonte. Njerëzit e Izraelit ishin betuar se nuk do t’u jepnin vajzat e tyre Beniaminit dhe ata nuk do të kthenin mbrapsht betimin. Kështu gjetën një skemë për t’u lejuar njerëzve të Beniaminit që kishin mbetur gjallë që të merrnin gra për vete nga të rejat që kërcenin në festën e përvitshme (mbase festa e Tabernakujve) në Shiloh. Kur njerëzit e Shilohut u ankuan, fiset e tjera u shpjeguan se kjo ishte e domosdoshme për të parandaluar humbjen e njërit prej fiseve të Izraelit. Kështu Beniamini u kthye në vendin e tij për t’u rimëkëmbur për të ardhmen. Këta kapituj të fundit na kanë dhënë një paraqitje nga afër të dy fiseve në Izrael gjatë periudhës së hershme të gjyqtarëve. Mund të imagjinojmë se çfarë mund të ketë ndodhur me fiset e tjera! Dhe ne e dimë se gjërat u përkeqësuan me kalimin e kohës! Këto histori të tmerrshme tregojnë se sa larg nga Zoti mund të endet një popull. Këtu shohim së tepërmi frytin e apostazisë që na revolton. Do të ishte mirë sikur ajo që lexuam të kthejë zemrat tona për të ndjekur Zotin, Perëndinë tonë dhe t’i shërbejmë Atij besnikërisht tërë ditët tona. 21:25 Libri i Gjyqtarëve mbyllet me temën e trishtuar që tingëllon në veshët tanë: “Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij“. Ka një episod të shëndoshë në këtë periudhë të errët, por nxirret vetë në pah, që të mos ndotet nga shoqërimi i ngushtë me shthurjen e librit të Gjyqtarëve. Tani do të kthejmë vëmendjen tonë te historia e dëlirë e Ruthit.
SHËNIME
[1] (Hyrje) Këto janë përshtatur gjerësisht nga Grant-i, Jennings-i dhe Ridout-i (shikoni bibliografinë). [2] (2:11-19) Irving L. Jensen, Judges/Ruth, f. 12. [3] (3:5,6) A. Cohen, “Joshua, Judges”, f. 176, 177. [4] Cituar nga Lewis Sperry Chafer në Systematic Theology, V:32. [5] Në hebraisht mal’_k, në greqisht angelos (ndërsa në shqip engjëll). [6] Chafer, Systematic Theology, I:328. [7] (8:10-17) Cohen, “Joshua, Judges”, f. 227. [8] (8:10-17) Cohen, “Joshua, Judges”, f. 227. [9] (9:7-15) Jensen, Judges/Ruth, f. 49. [10] (12:5,6) Disa gjuhë (përfshirë greqishten dhe latinishten) nuk e kanë tingullin “sh”. Kryesisht një dialekt i hebraishtes nuk mund të shqiptojë “sh”-në, apo nuk mund të dallojë “s”-në dhe “sh”-në, të paktën në këtë fjalë. Një situatë e ngjashme ekzistonte në Luftën e Dytë Botërore kur ushtarët amerikanë në detet e jugut zgjodhën fjalën “lalapaluza” si fjalëkalim. Japonezët kishin vështirësi të bënin dallim midis “l”-së dhe “r”-së dhe thoshin “raraparuza”. [11] (12:5,6) Samuel Ridout, Lectures on the Books of Judges and Ruth, f. 177. [12] (16:15-20) C. H. Macintosh, Genesis to Deuteronomy, f. 465. [13] (18:7-13) Cohen, “Joshua, Judges”, f. 291. [14] (18:27-31) John Haley, Alleged Discrepancies of the Bible, f. 338. Në hebraisht bashkëtingëlloret që gërmëzojnë fjalët Moisi dhe Manas janë afërsisht të njëjtat (Mshh dhe Mnshh), kështu që mund të ketë qenë një gabim i kopjuesit. [15] (19:1-12) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 132. [16] (19:22-24) Arthur E. Cundall, Judges and Ruth, f. 197.
BIBLIOGRAFI
(Gjyqtarët dhe Ruthi) Atkinson, David. The Message of Ruth: The Wings of Refuge. Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 1983. Barner, Cyril J. Ruth: An Expositional Commentary. Çikago: Moody Press, 1983. Campbell, Donald K. No Time Neutrality. Wheaton, IL: Scripture Press Publications, Victor Books, 1981. Cohen, A. “Joshua, Judges”, Soncino Books of the Bible. Londër: The Soncino Press, 1967. Cundall, Arthur E. dhe Leon Morris. Judges and Ruth. The Tyndale Old Testament Commentaries, Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 1968. Fausset, A. R. A Critical and Expository Commentary on the Book of Judges. Londër: James Nisbet & Co., 1885. Grant, F. W. “Judges” dhe “Ruth”, në The Numerical Bible, Vëll. 3, Joshua to 2 Samuel. Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, 1977. Jennings, F. C. Judges and Ruth. Nju Jork: Gospel Publishing House, 1905. Jensen, Irving L. Judges/Ruth. Çikago: Moody Press, 1968. Macintosh, C. H. Genesis to Deuteronomy. Neptune, NJ: Loizeaux Brothers, 1989. McGee, J. Vernon. Ruth and Esther: Women of Faith. Nashville: Thomas Nelson Publishers, 1988. Ridout, Samuel. Lectures on the Books of Judges and Ruth. Nju Jork: Loizeaux Bros., 1958.