A. Othnieli (3:7-11)
3:7,8 Njerëzit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit duke u martuar me paganët dhe më vonë duke adhuruar idhujt e tyre. Papastërtia dhe imoraliteti (v. 6) i çuan në idhujtari (v. 7). Perëndia i kishte paralajmëruar ata më parë për pasojat e rënda të përzierjes me banorët e Kanaanit. Ata ishin një popull i shenjtë dhe duhej të qëndronin të ndarë nga ndotja nëse njihnin bekimin e Perëndisë (LiP. 7:3-6). Perëndia ndëshkoi Izraelin, duke e lënë kombin në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë. Emri i tij do të thotë Kush, njeri me ligësi të dyfishtë. 3:9-11 Në përgjigje ndaj thirrjes së penduar të popullit të Tij, Zotiu dha një çlirimtar, Othnielin, një nip i Kalebit, për t’i çliruar nga armiku i tyre dhe për të sjellë dyzet vjet paqe. Othnieli (luani i Perëndisë) më parë kishte pushtuar Kirjath-Seferin (qyteti i librit), duke e ndryshuar në Defir (një orakull i gjallë). Kjo është ajo që bën besimi në Fjalën e Perëndisë.B. Ehudi (3:12-30)
3:12-14 Në ciklin e dytë Izraeli u nënshtrua nga Egloni, mbret i Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet. 3:15-30 Udhëheqësi ushtarak, të cilit Perëndia i dha Izraelin këtë radhë, ishte Ehudi, një njeri mëngjarash nga fisi i Beniaminit. Ai u caktua nga populli për të marrë dhuratën, haraçin e mbretit Eglon. Ai gjithashtu fshehu një shpatë me dy tehe… në brez poshtë veshjes. Pasi u dorëzua dhurata, mbretit nuk i shkoi mendja për keq nga vartësi i tij jude. Atëherë Ehudi kërkoi një takim privat për t’i thënë diçka… fshehurazi. Kur të gjithë shërbëtorët u larguan, Ehudi e vrau mbretin dhe u largua. Kur u zbulua vrasja, Ehudi kishte mbledhur njerëzit e Izraelit duke marshuar kundër Moabit dhe mundën rreth dhjetë mijë ushtarë të tërhequr. Më pas Izraeli gëzoi paqe tetëdhjetë vjet me radhë. Kur përsiatja (Geri, v. 15) sjell lëvdimin (Ehudin), sunduesi i botës (Egloni) ndëshkohet nga shpata e mprehtë me dy tehe (Bibla), edhe kur Fjala përdoret nga një mëngjarash. Othnieli ishte nga Juda, fisi më i fuqishëm në Izrael. Ehudi ishte nga Beniamini, tashmë fisi më i vogël. Perëndia mund të përdorë qoftë më të madhin, qoftë më të voglin për të siguruar fitoren, meqë fuqia gjithsesi vjen prej Tij. Njerëzit janë thjesht mjete të çlirimit dhe jo fillesat e tij.C. Shamgari (3:31)
3:31 Vetëm një varg i kushtohet këtij gjyqtari. Ai vrau gjashtëqind filistenj me një hosten qesh (një vegël e mprehtë me majë, përdorur për të ngarë qetë). Ky është një prej rasteve te libri i Gjyqtarëve ku Perëndia përdor një “gjë të dobët” për të siguruar një fitore të madhe. Një shtegtar (Shamgari) që përdor Fjalën e Perëndisë (hosten qesh – shikoni Pred. 12:11) mund të shpartallojë endacakët (filistenjtë) midis popullit të Perëndisë.Shtypësi | Domethënia apo simboli | Vitet e shtypjes | Çlirimtari | Domethënia | Vitet e paqes | Referimi |
Kushan-Rishathaimi,Mbret i Mesopotamisë | Kush – njeri i një ligësie të dyfishtë.Vetëpërlëvdim, krenari | 8 | Othnieli | Luan i Perëndisë (fuqia e Perëndisë) | 40 | 3:7-11 |
Egloni, Mbret i Moabit | Cikël i rrëfimit botëror | 18 | Ehudi | Madhëri | 80 | 13:12-30 |
Filistenjtë | Endacakë në mes të popullit të Perëndisë apo fe mishërore | Shamgari | I huaj apo shtegtar | 3:31 | ||
JabiniMbret i Hatsorit në Kanaan Me krye-komandant Siseran | Intelekt i kuptueshëm apo njerëzorVendbanim | 20 | Debora Baraku | Bletë Vetëtimë | 40 | 4:1-5:31 |
Madianitët | Zënkë, grindje e botës | 7 | Gedeoni (Jerubaali)Abimeleku, një pushtues Tola Jairi | Prerësi (Le të lutet Baali për vetveten apo luftëtari i Baalit)Ati im ishte mbret Krimb Dritëdhënës | 40 | 6:1-8:35 9:1-57 10:1,2 10:3-5 |
Amonitët | Racionalizmi apo doktrina e rreme | 18 | JefteuIbtsani Eloni Abdoni | Ai do të hapëDomethënie e paqartë Domethënie e paqartë Shërbim | 67 10 8 | 10:6-12:712:8-15 |
Filistenjtë | Fe mishërore | 40 | Sansoni | Diell i vogël | 20 | 13:1-16:31 |
D. Debora dhe Baraku (kapitujt 4,5)
1. Historia e tyre në prozë (kapitulli 4) 4:1-3 Shtypësi tjetër ishte Jabini, mbret i fortesës kanaanite të Hatsorit. Komandanti i ushtrisë së tij ishte Sisera. Me ushtrinë krenare prej nëntëqind qerresh të hekurta lufte ai i mbajti izraelitët nën kthetra për njëzet vjet. 4:4-9 Perëndia nuk nxori një burrë këtë herë. Ai nxori një pjesë të “seksit të dobët”, një profete që quhej Debora (nuk është rregull që një grua të zërë një vend me pushtet frymëror, por kjo ishte një kohë tatëpjete. Ajo nuk duhet përdorur si shembull i rolit të gruas në kishën sot, meqë ajo është një përjashtim dhe jo një rregull. Gjithashtu, këtu bëhet fjalë për Izraelin dhe jo për kishën). Debora urdhëroi Barakun të shkonte në veri për të sulmuar forcat e Siserës, por ai nuk pranoi të shkonte nëse ajo nuk do të shkonte me të. Për shkak të kundërshtimit të tij për të shkuar iu tha që fitorja mbi Siserën do t’i jepej një gruaje dhe jo atij. 4:10-16 Debora mori nismën për të thirrur Barakun dhe për t’i dhënë urdhër që të fuste Siserën në betejë, ashtu siç kishte urdhëruar Zoti. Por Baraku, jo Debora, lëvdohet për besimin e tij te Hebrenjve 11:32. Edhe pse deri diku në fillim ngurroi, ai iu bind Zotit me anë të besimit dhe e çliroi Izraelin (sipas versionit NIV, Hobabi në vargun 11 duhet të renditet si “kunatii Moisiut” dhe jo vjehrri, si te versioni NKJV). Baraku haptas tregoi forcën e tij me 10.000 veta në shpatet jugore të malit Tabor. Sisera pa ditur u bë karremi i tij. Ai dhe qerret e tij kaluan shtratin e thatë të Kishonit në vaun në jug të Haroshethit. Ata marshuan në juglindje përgjatë rrugës së lashtë drejt Taanakut. Izraelitët nga jugu, nga Efraimi, u futën në luginë në Jenin (5:14) dhe bashkuan forcat me Barakun dhe trupat e tij veriore në luginën poshtë Taanakut, në jug të Kishonit. Debora bëri thirrje për sulm (14). Këmbësorë kundër qerreve! Në çastin vendimtar filloi të bjerë shi, duke e kthyer tokën në baltë, duke pështjelluar plotësisht qerret dhe kuajt (5:4). Përparësia e plotë tashmë ishte e këmbësorisë. …Baraku shtoi sulmin. Sisera u nda nga njerëzit e tij dhe u largua. Trupat pa udhëheqës, të pamësuar për të luftuar më këmbë, vrapuan për në bazë. Shirat vazhdonin dhe Kishoni u fry si një përrua. Ata që nuk u vranë nga izraelitët gjatë ndjekjes, u rrëmbyen nga Kishoni ndërsa u përpoqën të kalonin vaun për në Harosheth… [v. 10-16; kr. 5:20,21]. – (Shënime të përditshme të Skripçër Juniën {Scripture Union}). 4:17-24 Duke kërkuar strehë në drejtim të çadrës së Jaelës, gruaja e Heberit, Keneut i dha ushqim dhe fjetje Siserës. Ndërsa po flinte, Jaela i nguli një kunj të çadrës… në tëmth. Ndërsa Baraku vazhdonte kërkimin, Jaela e ftoi për të parë kufomën e armikut të tij. Në këtë mënyrë u përmbush profecia e Deborës në vargun 9. Perëndia përdori një bletë të thjeshtë (Deborën) për të hedhur poshtë arsyen njerëzore (Jabinin), kur lartonte veten kundër njohjes së Perëndisë. Gjykimi ra mbi armikun si vetëtimë (Baraku). Jaela (alpiniste) përdori një kunj çadre (dëshmia e jetës së saj shtegtare) për të hedhur poshtë pretendimet e të madhit. Çekiçi flet për Fjalën (Jer. 23:29). 2. Historia e tyre në këngë (kapitulli 5) 5:1-5 Kënga e Deborës me Barakun është një klasikë e letërsisë së frymëzuar. Pasi ka filluar me bekoni Zotin, Debora kujton marshimin triumfues të Zotit kur izraelitët u larguan nga kufijtë e Edomit për të shkuar drejt Tokës së Premtuar. Çdo kundërshtim shkrihet para madhështisë së Zotit, Perëndisë së Izraelit. 5:6,7 Më pas përshkruan gjendjen në kohën e Shamgarit. Rreziqet ishin të tilla saqë rrugët ishin të shkreta. Kalimtarët përdorën rrugë të tjera për të shmangur grabitqarët. Fshatarët nuk guxonin të dilnin nga shtëpitë e tyre – pra, derisa doli… Debora. 5:8 Ngaqë njerëzit ishin kthyer te idhujt vendi ishte pushtuar nga lufta e gjakderdhja dhe Izraeli nuk kishte armë për të luftuar. 5:9-15 Por kur Perëndia nxori Deborën dhe Barakun, disa nga udhëheqësit e Izraelit dhe disa nga njerëzit dolën guximshëm për të dhënë ndihmë. Ata ishin burra nga Efraimi, nga Beniamini, nga Makiri (fisi i Manasit) dhe nga Zabuloni e Isakari. 5:16,17 Më pas Debora kujtoi ata që nuk e kishin ndihmuar. Rubeni kishte vendime të mëdha të zemrës, por qëndroi midis të ngujuarve. Galaadi (Gadi) nuk e kaloi Jordanin për t’u futur në betejë. Dani qëndroi mbi anijet dhe Asheri u ul duarkryq pranë bregut të detit. Shkrimi përmend me kujdes ata që luftuan në betejë dhe ata që qëndruan pa bërë gjë, duke mos dashur të rrezikonin sigurinë e tyre për çështjen e Jehovahut. Dhe e njëjta gjë ndodh edhe sot: Zoti e di se cili po përballet veprueshëm me botën e djallin dhe cili rri pas i ulur e vetëm shikon. Ka një kohë për shpërblimin që po vjen, por ka gjithashtu edhe një kohë për humbjen (1 e Korintasve 3:10-15). 5:18-22Zabuloni dhe Neftali ishin të guximshëm, duke rrezikuar jetët e tyre për Jehovahun pa u shpërblyer (por nuk morën asnjë plaçkë prej argjendi). Ata ishin në kulmin e betejës kundër mbretërve të Kanaanit. Forcat e natyrës ishin në anën e tyre, sepse ata ishin në anën e Zotit. 5:23-27Merozi u caktua për mallkim, sepse nuk pranoi të shkonte në ndihmë të Jehovahut. Njerëzit e këtij qyteti qëndruan asnjanës kur duhej ndihma kundër armikut. Por Jaela, që jetonte në një çadër, u bekua për guximin dhe mençurinë duke vrarë Siserën. Nëna e Zotit tonë është gruaja tjetër e vetme që quhet e bekuara midis grave (Lluka 1:42). 5:28-31 Ndërkohë e ëma e Siserës po shikonte nga dritarja, duke pritur për djalin e saj që të kthehej me plaçkën e fitores. Gratë e saj e siguruan se ai do të jetë duke ndarë plaçkën me njerëzit e tij. Por Sisera nuk do të kthehej më kurrë. Dhe i tillë qoftë fati për të gjithë armiqtë e Jehovahut. Nga ana tjetër, ata që duan Zotin qofshin si dielli që lind. Kapitulli mbyllet me shprehjen se vendi pati qetësi për dyzet vjet pas vdekjes së Siserës.E. Gedeoni (6:1-8:32)
1. Thirrja e Gedeonit për shërbim (kapitulli 6) 6:1-6 Në ciklin tjetër izraelitët u pushtuan nga madianitët. Këta ishin banda beduinësh plaçkitës që ndërmorën bastisje mbi të korrat e izraelitëve, duke grabitur vendin si karkaleca dhe duke vjedhur bagëtinë. Ligësia e Izraelit e çoi në varfëri, skllavëri dhe frikë. Ata që i kishte pushtuar më parë Izraeli ishin të zotët e tij. Kur largohemi nga Zoti si të krishterë, zakonet e vjetra na skllavërojnë dhe na varfërojnë. 6:7-16 Kur Izraeli i thirri Zotit për ndihmë, një profet u dërgua në fillim për t’i kujtuar idhujtarinë e tyre. Atëherë Engjëlli i Zotit, për të cilin besojmë se është Krishti para mishërimit (shikoni esenë më poshtë), iu shfaq një njeriu të Manasit që quhej Gedeon ndërsa po shinte grurin në mënyrë të fshehtë për ta shpëtuar nga madianitët. Engjëlli i tha këtij “luftëtari trim” se Perëndia do ta përdorte për të çliruar Izraelin nga Madiani. Pavarësisht nga protestat e Gedeonit, Engjëlli e përsëriti thirrjen e tij për këtë detyrë të rëndësishme.ENGJËLLI I ZOTIT
Engjëlli i Zotit (Jehovah) është Zoti Jezus Krisht në një shfaqje para mishërimit. Studimi i pjesës në të cilën përmendet e tregon qartë se Ai është Perëndia dhe se Ai është Personi i Dytë i Trinisë. Së pari, Shkrimi tregon se Ai është Perëndia. Kur Ai iu shfaq Agarit, ajo pranoi se ishte në praninë e Perëndisë; ajo iu drejtua Atij si “Perëndia që shikon” (Zanafilla 16:13). Duke i folur Abrahamit në malin Moriah, Engjëlli e njëjtësoi Veten si “Zoti” (Heb. YHWH, ose Jehovahu; Zanafilla 22:16). Jakobi e dëgjoi Engjëllin ta paraqiste Veten si Perëndia i Bethelit (Zanafilla 31:11-13). Duke bekuar Jozefin, Izraeli përdori emrat “Perëndi” dhe “Engjëll” në mënyrë të ndërkëmbyer (Zanafilla 48:15,16). Te shkurrja që digjej ishte “Engjëlli i Zotit” që u shfaq (Eksodi 3:2), por Moisiu “fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë” (Eksodi 3:6). Zoti që doli para Izraelit në një kolonë reje (Eksodi 13:21) nuk ishte tjetër veç “Engjëlli i Zotit” (Eksodi 14:19). Gedeoni pati frikë se do të vdiste, sepse, duke parë Engjëllin e Zotit, ai kishte parë Perëndinë (Gjyq. 6:22,23). Engjëlli i Zotit i tha Manoahut se emri i Tij ishte i mrekullueshëm (Gjyq. 13:18), një ndër emrat e Perëndisë (Isa. 9:5). Kur Jakobi luftoi me Engjëllin, ai luftoi me Perëndinë (Os. 12:4,5). Këto janë prova bindëse se sa herë që përmendet emri i Engjëllit të Zotit në DhV nënkuptohet Hyjnia. Xhon Uollvurdi (John F. Walvoord) (ashtu siç citohet nga Sheferi {Chafer}) jep katër argumente për ta mbështetur këtë: “a. Personi i dytë është Perëndia i dukshëm i Dhiatës së Re. b. Engjëlli i Jehovahut i Dhiatës së Vjetër nuk shfaqet më pas mishërimit të Krishtit. c. Si Engjëlli i Jehovahut, ashtu edhe Krishti janë dërguar nga Perëndia. d. Engjëlli i Jehovahut nuk mund të jetë as Ati, as Fryma e Shenjtë” [4]. Përsa i përket provës së katërt, Uollvurdi (Walvoord) vazhdon të shpjegojë se Ati dhe Fryma janë të padukshëm për njeriun (atributi i të qenurit jolëndor). Ai përfundon: “Nuk ka as edhe një arsye të vetme për të mohuar se Engjëlli i Zotit është Personi i dytë i Trinisë, çdo fakt i njohur tregon njëjtësimin e Tij si Krishti i Dhiatës së Re”. Duke qenë Engjëlli i Jehovahut, Krishti dallohet nga engjëjt e tjerë, sepse nuk është i krijuar. Fjalët e përkthyer Engjëll [5] në të dyja Dhiatat do të thonë “lajmëtar”: Ai është Lajmëtari i Jehovahut. Prandaj, siç thotë edhe Sheferi (Chafer), “Ai është një ‘engjëll’ vetëm për nga detyra”. 6:17-24 Duke kuptuar se po fliste me Zotin, Gedeoni kërkoi një shenjë. Më pas ai u përgatit për të ofruarnjë kec dhe kuleç pa maja. Kur Engjëlli… preku ofertën me shkopin e tij dhe kjo u dogj nga një flakë, Gedeoni kuptoi se ishte në praninë e Zotit dhe pati frikë se mos vdiste. Por Zoti e siguroi me fjalët: “Paqja qoftë me ty“, dhe Gedeoni më pas ndërtoi një altar dhe ia vuri emrin Jehovah-Shalom (Zoti është Paqe). 6:25-32 Atë natë, duke iu bindur Zotit, Gedeoni shkatërroi një altar që ati i tij e kishte ngritur për Baalin dhe Asherahun që ndodhej pranë tij dhe në vend të tyre ngriti një altar tjetër kushtuar Jehovahut. Në mëngjes njerëzit e qytetit ishin gati ta vrisnin për veprimin e tij të guximshëm. Por ati i tij, Joashi, ndërhyri duke thënë se nëse Baali ishte me të vërtetë zoti, ai do të ishte i aftë ta mbronte veten. Joashi shpalli se gjithkush që do të përkrahte çështjen e Baalit do të ekzekutohej. Gedeonit iu vu nofka Jerubaal, që do të thotë: “Le të luftojë Baali (për veten)”. Disa njerëz mund ta fajësojnë Gedeonin që e shembi altarin natën për shkak të frikës. Por nuk duhet të harrojmë se ai iu bind Zotit. Frika ndaj Tij nuk e ndaloi për t’iu bindur. Të gjithë ne kemi frikë dhe frika në vetvete nuk është e gabuar. Por kur ajo na largon nga të bindurit ndaj Zotit, atëherë është bërë një pengesë për besimin dhe është mëkat. 6:33-35 Në këtë kohë madianitët, amalekitët dhe bijtë e lindjes u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit pasi kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jizreelit [apo Jezreelit]. Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni dhe ai mblodhi një ushtri nga fiset e Manasit, Asherit, Zabulonit dhe Neftalit. Abiezeri (v. 34) ishte një paraardhës i Gedeonit. Emri i tij përdoret këtu (tekstin hebraik) si një emër fisi (abiezeritët, NKJV) për pasardhësit e tij që ishin gjallë. Shikoni gjithashtu 8:2. 6:36-40 Para se Gedeoni të shkonte në betejë, ai dëshiroi një shenjë fitoreje nga Perëndia. Shenja e parë ndodhi kur vesa ra në gëzofin e tij prej leshi, por jo në vendin përreth. E dyta ndodhi po atë natë, kur vesa ra në gjithë vendin, por jo mbi gëzof. Gëzofi i Gedeonit zakonisht keqkuptohet nga të krishterët. Ka dy gjëra rreth kësaj ndodhie që duhet të kemi parasysh: Gedeoni nuk po priste drejtim nga gëzofi, por miratim. Perëndia i kishte thënë më parë se çfarë do të bënte. Gedeoni vetëm po kërkonte sigurinë e suksesit. Njerëzit që “vendosin një gëzofi” që të gjejnë vullnetin e Zotit në një çështje po keqpërdorin pjesën. Së dyti, Gedeoni kërkoi një shenjë të mbinatyrshme, jo një shenjë natyrore. Nga ana natyrore, ajo që kërkoi Gedeoni nuk do të kishte ndodhur pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Perëndisë. Sot njerëzit përdorin gjëra si “gëzofi” që mund të ndodhin natyrshëm, pa ndërhyrjen hyjnore. Kjo, gjithashtu, është një mënyrë e gabuar për të përdorur historinë. Ajo që shohim këtu është përfillja e Perëndisë ndaj një njeriu me besim të dobët për ta siguruar për fitoren. Vetëm Perëndia mund të japë sot një siguri të tillë në përgjigje të lutjes. 2. Treqindëshja e Gedeonit (kapitulli 7) 7:1-3 Në mënyrë që fitorja kundër Madianit të dukej se ishte hyjnore, Zoti në fillim e zvogëloi ushtrinë e Gedeonit nga 32.000 në dhjetë mijë, duke dërguar ata që kishin frikë dhe zemërdobëtit në shtëpi, ashtu siç urdhëronte ligji (LiP. 20:8). 7:4-8 Që ta zvogëlonte edhe më ushtrinë, Perëndia i vuri në provë ushtarët te lumi. Ata që e morën shtruar duke u gjunjëzuar për të pirë ujë u hoqën. Ata, nga ana tjetër, që e lëpinë ujin si qeni dhe u larguan menjëherë u mbajtën në ushtri. Ata ishin treqind veta. 7: 9-14 Më pas Zoti e drejtoi Gedeonin për të vizituar rrethinat e kampit të madianitëvenatën. I shoqëruar nga Purahu, shërbëtori i tij, Gedeoni shkoi në pjesën më të largët të fushimit të armikut. Atje dëgjoi një madianit që po i thoshte mikut të tij për një ëndërr që kishte parë, në të cilën një bukë prej elbi ishte rrokullisur mbi çadrën e madianitëve, duke e shtypur atë. Miku e kuptoi domethënien e ëndrrës se Izraeli do të mundte Madianin. Buka prej elbi ishte ushqimi i njerëzve të thjeshtë bujq dhe përfaqësonte Izraelin. Çadra përfaqëson ushtritë e madianitëve. 7:15-20 Mbase mendimi i ushtrisë së tij të zvogëluar rindezi frikën e Gedeonit dhe me të drejtë. Perëndia i kishte kërkuar të përballej kundër 135.000 vetave me një ushtri prej 300 vetash (8:10)! Por kjo fjalë nga goja e armiqve forcoi besimin e tij. Si kundërpërgjigje ai në fillim adhuroi (v. 15), pastaj luftoi. I siguruar për fitoren, Gedeoni u kthye në kampin e Izraelit dhe u bëri thirrje njerëzve të tij për luftë. Pasi e ndau ushtrinë në tre grupime me nga njëqind vetë secili, ai armatosi njerëzit e tij me një bori dhe me një shtambë balte me një pishtar brenda. Ata marshuan drejt anëve të kampit të madianitëve dhe, sipas sinjalit të caktuar, të gjithë u ranë borive dhe thyen enët prej balte, që drita e pishtarëve të ishte e dukshme dhe bërtitën: “Shpata e Zotit dhe e Gedeonit“. Interpretimi hyjnor i kësaj ndodhie jepet te 2 Korintasve 4:7. Trupat tanë janë enët prej balte. Vetëm kur dorëzohemi në vdekje për nder të Jezusit ndriçon te të tjerët drita e njohjes së lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezus Krishtit. 7:21-25 Në përshtjellim dhe frikë, madianitët filluan të sulmonin njëri-tjetrin, pastaj ikën me vrap. Në fillim ata u ndoqën nga njerëzit e fisit të Neftalit, të Asherit dhe të tërë Manasit. Por tërë burrat e Efraimit u thirrën për t’u bashkuar duke marrë vaun e Jordanit dhe për të shfarosur armikun ndërsa ai po përpiqej të largohej përgjatë lumit. Efraimitët ia dolën mbanë duke kapur dhe vrarë dy nga princat e Madianit: Orebin (korb) dhe Zeebin (ujk). Rreth udhëheqësisë në veprimet e Gedeonit mund të nxjerrim mësime. Udhëheqësi duhet të jetë plotësisht i bindur për atë që do të bëjë para se të drejtojë të tjerët. Ai, para së gjithash, duhet të jetë një adhurues, duke i lënë Perëndisë vendin e duhur (v. 15). Ai duhet të drejtojë me anë të shembullit të tij (v. 17). Ai duhet të jetë i kujdesshëm që besimi të vihet sipas radhës – së pari te Perëndia, pastaj te mjetet që zgjedh Ai (v. 18). 3. Fitorja e Gedeonit mbi filistenjtë (8:1-32) 8:1-3 Në fillim burrat e Efraimit u zemëruan me Gedeonin, sepse nuk ishin ftuar ta ndihmonin menjëherë. Por kur Gedeoni u kujtoi se kapja prej tyre e dy princave ishte më e shquar se çdo gjë tjetër që kishte bërë, ata u qetësuan. Ashtu siç e shpjeguam më parë, Abiezeri (v. 2) i referohet Gedeonit dhe njerëzve të tij. 8:4-7 Judenjtë e Sukothit nuk pranuan t’u jepnin ushqim Gedeonit dhe treqind burrave të tij të uritur, sepse kishin frikë nga ndonjë masakër shfarosëse prej madianitëve nëse do të mundeshin. Gedeoni kërcënoi se do ta copëtonte (hebraisht rrah grurin) mishin e tyre me gjembat dhe me ferrate shkretëtirës kur Zoti do t’i jepte në dorë Zebahun dhe Tsalmunain. 8:8,9Burrat e Penuelit iu përgjigjën negativisht kërkesës së Gedeonit për ushqim. Kërcënimi i tij ndaj tyre ishte se kur të kthehej në paqe, ai do të rrëzonte kalanë e tyre. 8:10-17 Gedeoni e mbajti fjalën. Ai zuri dy mbretërit madianitë dhe e shpartalloi tërë ushtrinë. Me ndihmën e listës së shkruar prej një të riu informues, Gedeoni u dha një mësimshtatëdhjetë e shtatë burrave drejtues të Sukothit. Koheni (Cohen) thotë: Kjo formë ndëshkimi “përshkruhet në Republikën e Platonit, si forma e ndëshkimit që binte mbi kriminelët më të këqinj” [7]. Të diturit Kimqi (Rabbis Kimchi) dhe Rashi e panë këtë si një shprehje frazeologjike që do të thotë: “i goditur me dhunë”. Të tjerë shpjegojnë se ai [Gedeoni] i kërcënoi se do t’i hidhte të gjithë të zhveshur në një shtrat me gjemba dhe ferra, si grurë në makinën shirëse [8]. Përsa i përket Penuelit, Gedeoni rrëzoi kalanë dhe gjithashtu vrau njerëzit e qytetit. “Përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin” (Fja 15:1). E vërteta e parë ilustrohet në vargjet 1-3 me përgjigjen e Gedeonit ndaj efraimitëve. E vërteta e dytë ilustrohet në vargjet 4-17 me fjalët e njerëzve të Sukothit dhe Penuelit. 8:18-21Zebahu dhe Tsalmunai kishin vrarë disa nga njerëzit e Gedeonit në Tabor, kështu që ai urdhëroi djalin e tij më të vogël, Jetherin, që t’i vriste. Ai kishte frikë, sepse ishte ende i ri… kështu Gedeoni e kreu vetë punën. 8:22,23Burrat e Izraelit i kërkuan Gedeonit të bëhej mbreti i tyre, duke treguar se sa përshtypje u kishin lënë aftësitë e tij ushtarake. Ata i dhanë lavdi njeriut në vend të Perëndisë (kr. 7:2). Por Gedeoni në mënyrë fisnike nuk pranoi për veten dhe për bijtë e tij, duke treguar se vetëm Zoti kishte të drejtën të mbretëronte mbi ta. 8:24-27 Por, pasi i bëri ballë një tundimi, Gedeoni ra në një tjetër. Ai kërkoi vathët prej ari, që izraelitët i kishin marrë nga madianitët (të njohur gjithashtu si ismaelitë; kr. Eksodi 32:1-6). Me to Gedeoni bëri një efod, rrobë si përparësja e priftit. Kur e vendosi në Ofrah, ai u bë një objekt adhurimi idhujtar dhe një lak për Izraelin, duke i larguar nga Shilohu dhe tabernakulli. “Ai nuk pranoi të bëhej mbret, por dëshiroi priftërinë”. 8:28-32 Pas pushtimit të madianitëve, Izraeli shijoi paqe për dyzet vjet. Një përmendje e veçantë është fakti se Gedeoni… pati shumë gra dhe këto lindën shtatëdhjetë fëmijë. Gjithashtu, ai pati një konkubinë… në Sikem, e cila i lindi… një djalë, që i vunë emrin Abimelek. Dy karakteristika të personalitetit të shumëfishtë të Gedeonit zbulohen në këtë kapitull. Ndjekja e pamëshirshme e tij ndaj madianitëve tregoi një tërësi dhe plotësi në zbatimin e urdhrave të Zotit? Edhe pse ishte i lodhur, edhe pse tashmë kishte bërë një punë të madhe dhe edhe pse asnjë nuk mund ta ndihmonte, ai vazhdoi derisa ismaelitët u shfarosën dhe mbretërit e tyre vdiqën në këmbët e tij. Apostulli Pal pati një prirje të tillë, vetëm se e tregoi atë në luftën frymërore (Filip. 3:12-14). Karakteristika e dytë është negative: ai kërkoi dhe pranoi vathët prej ari nga plaçka si shpërblim i mundjes së ismaelitëve (v. 24) dhe kjo u shndërrua në një lak për Gedeonin, familjen dhe vendin e tij. Krahasoni këtë me sjelljen e Abrahamit te Zanafilla 14:21-24. Ne duhet të përpiqemi me drejtimin e Perëndisë për t’u futur në garë me virtytet e Gedeonit dhe për të shmangur veset e tij.F. Pushtimi i Abimelekut (8:33-9:57)
8:33-35 Sapo vdiq Gedeoni, Izraeli u kthye te adhurimi i Baalit. Sa shpejt harruan izraelitët bëmat heroike kombëtare të Gedeonit, deri në pikën e keqtrajtimit të pasardhësve të tij dhe të harrimit të çlirimit të Perëndisë! Por a jemi ne më mirë në kujtimin e bekimeve që kemi marrë nga Zoti apo madje nga të afërmit tanë? Turp është për ne, por priremi t’i harrojmë. 9:1-6Abimeleku (ati im ishte mbret), bir i Gedeonit, nuk ishte një gjyqtar i Izraelit, por një pushtues – një njeri që u përpoq të sundonte mbi Izraelin pa pushtetin e duhur. Për të zhdukur çdo gjë që mund të kërcënonte sundimin e tij, ai vrau tërë vëllezërit e tij, përveç Jothamit, birit më të vogël. Duke punuar me kushërinjtë pa kurrfarë vlere në Sikem, ai e bindi popullin e asaj zone që ta pranonin si mbret. Meqë Gedeoni kishte shtatëdhjetë bij (v. 2) dhe nuk u vranë të gjithë, shtatëdhjetët e vargut 5 mund të jenë një numër i rrumbullakosur. 9:7-15 Ungjilli përmban shumë shëmbëlltyra apo histori me një domethënie më të thellë. Këtu kemi një ndër shëmbëlltyrat e pakta të DhV. Jenseni komenton për të si vijon: Kur Jothami dëgjoi për kurorëzimin e Abimelekut, ai nxitoi të ngjitej në majë të malit Gerezim në kohën kur populli ishte mbledhur në luginën poshtë. Nga ajo pikë përparësie zëri i tij mund të dëgjohej përgjatë luginës dhe populli dëgjoi me kujdes shëmbëlltyrën e çuditshme që tha ai. Duke përdorur figurat e një republike të pemëve që zgjedhin një mbret, ai përmblodhi sjelljen e Izraelit. Ai foli për Gedeonin dhe bijtë e tij si pemë ulliri, pemë fiku dhe hardhie, që me mençuri nuk pranuan të linin vendet e caktuara nga Perëndia të frytshmërisë për të ikur dhe për të mbretëruar mbi pemët. Por e lidhi Abimelekun me një ferrë, që jo vetëm etshëm pranoi ftesën, por paralajmëroi se do të shkatërronte kedrat e Libanit nëse pemët nuk do ta zgjidhnin mbret [9]. 9:16-21 Atëherë Jothami guximplotë lajmëroi popullin se nëse ata kishin vepruar drejt që kishin vrarë vëllezërit e tij, atëherë ata mund ta gëzonin sunduesin e tyre të ri. Por në rast se jo, banorët e Sikemit dhe Abimeleku do të futeshin në luftë civile dhe do të shkatërronin njëri-tjetrin. 9:22-33 Kjo është ajo që ndodhi me saktësi. Tre vjet më vonë Perëndia dërgoi një frymë të keqe midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit. Perëndia nuk është autori i së keqes, por Ai e lejon të keqen dhe madje e përdor atë për të përmbushur qëllimet e Tij me njerëzit e këqinj (kr. 1 Sam. 16:14; 1 i Mbreterve 22:19-23). Banorët e Sikemit… plaçkitën ata që udhëtonin në rrugët tregtare afër Sikemit, duke e lënë Abimelekun pa taksat që mblidhte zakonisht (v. 25). Gaali, bir i Ebedit përdori festën e korrjes si rast për të organizuar një kryengritje kundër Abimelekut, duke thënë: “Kush është Abimeleku dhe çfarë është Sikemi, pse duhet t’i shërbejmë?“. Zebuli, qeveria kukull e Sikemit, fshehtas lajmëroi Abimelekun për komplotin dhe e këshilloi të marshonte kundër qytetit… në mëngjes. 9:34-40Kur Gaali… doli… në hyrjen e qytetit në mëngjes, ai mendoi se pa popullin duke zbritur nga maja e maleve. Në fillim Zebuli u hoq se ajo që shihte ishin vetëm hijet, duke shpresuar të fitonte kohë për Abimelekun. Së fundi Gaali kuptoi se ishte njerëzit e Abimelekut, me një grup të dytë që po vinte nga një drejtim tjetër. Atëherë Zebuli e sfidoi të dilte e të luftonte kundër atij sunduesi që e kishte përçmuar. Kur Gaali dhe grupi i tij i paligjshëm iu sul armikut, shumë nga vëllezërit e tij nuk qëndruan dot dhe shumë shpejt ai u ndoq deri në qytet. 9:41-44 Me Abimelekun të fushuar afër Arumahut, Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij nga Sikemi. Të nesërmen… njerëzit e Sikemit dolën në fusha për të punuar, apo për të marrë plaçkën nga njerëzit e rënë. Kur Abimeleku dëgjoi çfarë kishte ndodhur, ai ndau njerëzit e tij në tre grupe dhe ideoi një pritë. Dy grupet duhej të godisnin mbi ta dhe grupi tjetër duhej të shfaroste çdo të tërhequr në qytet. Prita ishte e suksesshme. 9:45 Pas një dite luftimi, qyteti ra. Populli ishte vrarë i tëri dhe qyteti i tyre u sheshua dhe u mboll me kripë (mbjellja me kripë e bën tokën jopjellore; ky ishte një veprim simbolik nga ana e Abimelekut, për të shprehur vendosmërinë e tij që vendi të ishte përgjithmonë një tokë djerrë jopjellore e kripur). 9:46-49 Afër ishte kalaja e Sikemit, ku ishte tempulli i perëndisë Berith. Populli i kalasë fshihej në dhomën e madhe të tempullit. Abimeleku dhe njerëzit e tij mori degë nga pylli afër malit Tsalmon dhe bënë një zjarr të madh përballë kullës kryesore. Pothuajse një mijë veta, gra e burra humbën në ferr. 9:50-57 Duke pushtuar Thebetsin, Abimeleku gjeti rënien e tij. Në kohën që sulmoi një kullë ku shumë nga njerëzit kishin kërkuar strehë, një grua hodhi poshtë pjesën e sipërme të një mokre mbi kokën e Abimelekut. I plagosur rëndë, ai i kërkoi njërit prej njerëzve të tij ta vriste më mirë sesa të thoshin se ishte vrarë nga një grua. Ferra (Abimelek) u shkatërrua, ashtu siç e kishte parashikuar Jothami. Drejtësia ka mënyrat e saj të gjetjes së ndëshkimit për krimin. Abimeleku kishte vrarë vëllezërit e tij mbi një gur (v. 5) dhe një gur shtypi kokën e tij krenare. Ata që jetojnë me dhunë, do të vdesin nga dhuna.G. Tola dhe Jairi (10:1-5)
Tola, nga fisi i Isakarit, qe gjyqtar i Izraelit për njëzet e tre vjet. Ai banonte në krahinën malore të Efraimit. Gjyqtari i radhës ishte Jairi, gaaladiti, që sundoi për njëzet e dy vjet mbi Izrael. Përmenden tridhjetë bijtë e tij që sunduan mbi tridhjetë qytete.H. Jefteu (10:6-12:7)
1. Mjerimi i Izraelit (10:6-18) 10:6-9 Përsëri lexojmë rrëfimin e zymtë të mënyrës se si bijtë e Izraelit…braktisën Zotin dhe u kthyen në idhujtari. Shërbimi ndaj idhujve e çoi Izraelin në skllavërinë e idhujtarëve. Filistenjtë dhe amorenjtë luftuan kundër judenjve që ndodheshin matanë Jordanit, dhe amonitët gjithashtu kaluan Jordanin për të luftuar edhe kundër Judës…, Beniaminit dhe… Efraimit. Izraeli ishte i pafuqishëm para filistenjve dhe amonitëve, sepse ata braktisën adhurimin e Jehovahut dhe u shërbyen… perëndive të paganëve (v. 6). 10:10-16 Kur izrealitët i klithën Zotit, Ai në fillim nuk e pranoi thirrjen e tyre. Ai përmendi disa raste të çlirimeve të shkuara dhe u kujtoi se pas çdo çlirimi ata i kishin kthyer krahët (v. 13). Por kur ata vazhduan të luten dhe pasi hoqën idhujt e tyre, Perëndia dëgjoi thirrjen e tyre. Vargu 16 na jep disa mendime për zemërbutësinë e madhe të Zotit. Si një atë, Ai u prek nga kërkesa e bijve të Tij kokëfortë. Vuajtjet e tyre bënë që të thërrisnin për mëshirën e Tij. 10:17,18 Ndërsa kapitulli mbyllet, ushtritë e Amonit po fushonin në Galaad dhe bijtë e Izraelitu mblodhën… në Mitspah. Njerëzit e Galaadit po kërkonin një udhëheqës ushtarak (v. 17,18). 2. Mbrojtja e Izraelit nga Jefteu (11:1-28) 11:1-3 Njeriu i ditës ishte Jefteu. Ai përshkruhet si galaaditi…, një njeri i fortë…, trim dhe bir i një prostitute. Pasi nuk ishte pranuar nga bashkëvendasit e tij, ai ishte endur në vendin e Tobit (mbase në Siri), ku u bë udhëheqës i një bande njerëzish të dëshpëruar apo kaçakë. 11:4-11Pleqtë e Galaadit tashmë i kërkuan Jefteut të udhëhiqte ushtritë e Izraelit kundër amonitëve, duke premtuar ta pranonin si kreun e tyre nëse do të mundte armikun. Në një farë mënyre Jefteu na kujton Zotin Jezus: Kishte një hije përsa i përket lindjes së tij dhe ai u mohua nga vëllezërit e vet. Kur u futën në skllavëri, e kujtuan atë dhe e quajtën si shpëtimtarin e tyre; dhe në marrëveshjen për të ndihmuar galaaditët, Jefteu pranoi të ishte shpëtimtari i tyre, por nguli këmbë që të ishte edhe zoti i tyre. 11:12-28 Veprimi i parë i Jefteut ishte dërgimi i lajmëtarëve mbretit të… Amonit, duke i thënë atij një mundësi për të shpjeguar sulmin e tij. Mbreti u ankua se Izraeli kishte vjedhur vendin e tij kur kombi kishte marshuar nga Egjipti për në Kanaan. Jefteu i shpjegoi qartë se nuk ishte ashtu. Zoti kishte udhëzuar popullin e Tij që të mos përzihej me edomitët (LiP. 2:4,5), moabitët (LiP. 2:9) apo amorenjtë (LiP. 2:19) – të gjithë kushërinj të largët të judenjve. Prandaj, izraelitët shkuan rreth vendit të Edomit dhe vendit të Moabit. Megjithatë, kur mbërritën në territorin e amorenjve, u pushtuan nga amorenjtë, mbret i të cilëve ishte Sihoni. Izraeli e pushtoi atë vend duke mundur amorenjtë. Kur mbreti i Amonit nuk pranoi të tërhiqte ushtrinë e tij nga vendi, Jefteu u përgatit për luftë. 3. Betimi i Jefteut (11:29-40) Para se të nisej për luftë, Jefteu lidhi një kusht të nxituar se do t’i kushtonte Zotit çfarë do të dilte nga dyert e shtëpisë së tij për ta pritur nëse do të kthehej fitimtar. Zoti i dha fitoren mbi amorenjtë dhe ndërsa po kthehej në shtëpi vajza e tij doli për ta takuar. Pastaj Jefteu ia ofroi atë Zotit. Ka një mospërputhje të konsiderueshme rreth asaj që i bëri Jefteu vajzës së tij. Një pikëpamje është se ai e vrau atë dhe ia ofroi olokaust Zotit. Kjo është, mbase, domethënia më e dukshme e tekstit, edhe pse ideja e flijimit të njerëzve është e neveritshme dhe nuk është miratuar kurrë nga Perëndia (LiP. 18:9-14). Vetëm kafshët mund të flijoheshin; qeniet njerëzore në fillim përkushtoheshin, më pas shpengoheshin me anë të parasë (Eksodi 13:12,13; Lev. 27:1-8). Pikëpamja tjetër e zakonshme është se Jefteu e dha vajzën e tij për të qenë një virgjëreshë e përjetshme në shërbim ndaj Jehovahut. Ata që mbështesin këtë pikëpamje pohojnë se kushti i Jefteut ishte se çfarë do të dilte nga dyert e shtëpisë së tij…, “do t’i përkasë Zotit, ose do ta ofroj si një olokaust” (v. 31). Ideja e virgjërisë së përjetshme mbështetet fort nga vargjet 37-39. Sido që të jetë, mësimi është se nuk duhet të bëjmë premtime të nxituara. 4. Vrasja e efraimitëve nga Jefteu (12:1-7) 12:1-4Njerëzit e Efraimit ishin xhelozë për fitoren e Jefteut, duke u ankuar se ata nuk kishin marrë pjesë në të. Jefteu u kujtoi atyre se i kishte bërë më kot thirrje për ndihmë. Efraimitët u tallën me njerëzit e Jefteut, galaaditët, duke thënë se ata nuk ishin gjë tjetër veçse ikanakë nga Efraimi (efraimitët ishin sherrxhinj. Ata u kapën me Gedeonin kur ky i fundit pushtoi madianitët [kapitulli 8] dhe tani po ziheshin me Jefteun pa shkak). 12:5,6Jefteu dhe njerëzit e tij i sulmuan efraimitët dhe u prenë rrugën e tyre të shpëtimit pranë vaut të Jordanit. Nuk lejohej askush të kalonte Jordanin nëse nuk detyrohej të thoshte fjalëkalimin: “Shiboleth” (fjalë për fjalë një rrëke rrjedhëse). Efraimitët nuk mund ta shqiptonin saktë këtë fjalë; ata tradhtuan identitetin e tyre duke thënë: “Siboleth” [10]. Jefteu vrau dyzet e dy mijë njerëz të Efraimit pranë… Jordanit – një vrasje e frikshme e bashkëkombasve të vet. Ky lloj dyluftimi midis popullit të Perëndisë është diçka shqetësuese. Gjaku i efraimitëve u përzie me gjakun e bijve të Amonit. Edhe vendet e shndritshme në Gjyqtarët janë ndotur nga fatkeqësia. Ridouti jep një vëzhgim të trishtueshëm: A nuk është një fakt që… ata që kanë hasur dhe kanë kundërshtuar heretikët [një gjë heroike], janë ata që më vonë kanë ndeshur shpatat me vëllezërit e tyre dhe kanë luftuar rreth gjërave që nuk kanë qenë çështje jetësore e të së vërtetës [një gjë e turpshme]? [11]. 12:7 Detyra e Jefteut si gjyqtar zgjati për gjashtë vjet; pastaj ai vdiq dhe u varros në… Galaad. Jefteu përmendet te Hebrenjve 11:32 bashkë me Gedeonin, Barakun dhe Sansonin. Të gjithë këta burra patën gabimet e tyre, por që të gjithë, me radhë, treguan besimin e tyre të madh.I. Ibtsani, Eloni dhe Abdoni (12:8-15)
12:8-10Ibtsani… qe gjyqtar i Izraelit shtatë vjet me radhë. Gjithçka që dimë për të është se ai ishte një vendas i Betlemit që pati tridhjetë bij, të cilët u martuan me gra nga jashtë (pra, jashtë fisit të tij). 12:11,12Eloni ishte i fisit të Zabulonit. Vepra e tij si gjyqtar zgjati dhjetë vjet. Atë e varrosën në Ajalon. 12:13-15Abdoni, bir i Hilelit erdhi nga qyteti i Pirathonit… në krahinën malore të Amalekut… në vendin e Efraimit. Ai qe gjyqtar i Izraelit tetë vjet me radhë. Përmenden në mënyrë të veçantë dyzet bijtë e tij dhe tridhjetë nipat.J. Sansoni (kapitujt 13-16)
1. Trashëgimia e perëndishme e Sansonit (kapitulli 13) 13:1-3 Për të shtatën herë lexojmë te Gjyqtarët: “Bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit“. Cikli fillon përsëri; këtë herë filistenjtë e skllavëruan Izraelin për dyzet vjet. Kjo ishte shtypja më e gjatë që kishte përjetuar kombi. Ndërsa izraelitët po shtypeshin nga filistenjtë, Engjëlli i Zotit (Krishti) iu shfaq gruas së Manoahut, nga fisi i Danit, dhe shpalli se, edhe pse ajo kishte qenë shterpë, ajo do të bëhej nëna e një fëmije. Barku shterpë është zakonisht një vend fillimi për qëllimet e Perëndisë. Ai nis jetën nga vdekja dhe përdor gjërat që “nuk janë” për të shkatërruar gjërat që janë. 13:4-7 Ky fëmijë duhej të ishte një Nazire, që nga barku i nënës së tij deri në ditën e vdekjes së tij. Ai nuk do të pinte verë, as do të hante rrush apo stafidhe dhe as flokët e tij nuk duheshin prerë. E ëma vetë nuk duhej të përdorte verë ose pije dehëse dhe asgjë të papastër. Për një sfond mbështetës në Shkrim të kushtit të nazireut shikoni Numrat 6:2. Zakonisht, të qenit nazire ishte një kusht, të cilin një njeri e bënte me dëshirën e tij. Por në rastin e Sansonit nazirimi duhej të fillonte nga lindja e tij deri në vdekje. 13:8-14Manoahu u lut për një vizitë tjetër nga Engjëlli i Zotit dhe për udhëzime të tjera. Engjëlli iu shfaq përsëri gruas dhe ajo nxitoi të sillte burrin e saj për të takuar Vizitorin e saj qiellor. Megjithatë, këtë herë nuk u dha asnjë udhëzim tjetër. 13:15-18Atëherë Manoahu u shpreh që të përgatiste ushqim për Engjëllin, duke menduar se ai ishte një njeri i thjeshtë. Engjëlli nuk pranoi të hante me Manoahun, duke mos qenë i një rangu me të. Në vend të kësaj ai propozoi t’i ofrohej një olokaust… Zotit. Kur Manoahu i kërkoi emrin Zotit, mori përgjigjen se ishte një emër I Mrekullueshëm – një ndër emrat e thënë për Zotin Jezus te Isaia 9:5. 13:19-23 Pastaj Manoahu i ofroi një kec… Zotit. Engjëlli… u ngjit në qiell me flakën e altarit, duke treguar qartë se kjo ishte një shfaqje e Vetë Zotit. Atëherë Manoahu bashkë me gruan e tij adhuruan duke rënë përmbys përtokë – një vepër që nuk do të ishte me vend nëse Engjëlli nuk do të kishte qenë Perëndi. Ata panë Zotin, por nuk vdiqën, meqë Perëndia kishte pranuar olokaustin dhe blatimin e ushqimit prej tyre. 13:24,25 Pas kësaj u lind një djalë dhe iu vu emri Sanson (diell i vogël). Menjëherë u bë e qartë se Fryma e Zotit po vepronte fuqishëm në jetën e tij. Disa njerëz në Bibël shfaqin një dallim të tillë force dhe dobësie. Kur mendojmë për Sansonin, zakonisht mendojmë për forcat e tij. Ai vrau një luan pa përdorur asnjë armë (Gjyq. 14:6). Ai vrau tridhjetë filistenj me një dorë të vetme (14:19). Ai këputi litarët me të cilët njerëzit e Judës e kishin lidhur dhe vrau 1.000 filistenj me nofullën e gomarit (15:14-16). Duke shpëtuar nga një kurth që filistenjtë i kishin ngritur, ai shpërtheu portat e Gazës (16:3). Tri herë ai shpëtoi nga mashtrimi i Delilës – një herë duke këputur shtatë tela të freskëta harku me të cilat e kishin lidhur, një herë tjetër duke këputur litarët e rinj, ashtu sikur të ishin fije peri dhe një herë tjetër duke shkulur shulin që shtrëngonte shtatë gërshetat e flokëve të tij pas tezgjahut (16:6-14). Së fundi, ai rrëzoi kolonat e shtëpisë në të cilën filistenjtë po e tallnin, duke vrarë më tepër me vdekjen e tij, sesa me jetën e tij (16:30). Por dobësitë e Sansonit ishin më tepër të dukshme. Ai kishte një dobësi për gratë dhe ishte gati të mos i bindej Perëndisë që të merrte një grua që i pëlqente (14:1-7). Ai gjithashtu nuk iu bind prindërve të tij (14:3). Ai praktikoi mashtrimin (14:9; 16:7,11,13b). Ai u vëllazërua me tridhjetë filistenj, armiqtë e popullit të Perëndisë (14:11-18). Ai i la vend nxehjes dhe hakmarrjes (14:19b; 15:4,5). Ai pati një temperament gjakatar në natyrën e tij (15:4,5). Ai shkoi me një prostitutë (16:1,2). Ai u englendis me të keqen (16:6-14). Ai ia zbuloi të fshehtën e forcës së tij armikut (16:17,18). Ai ishte shumë kyeneç dhe kishte shumë besim te vetja (16:20b). Së fundi, por jo më e vogla, ai prishi kushtin e nazireut (14:9). 2. Festa dhe gjëza e Sansonit (kapitulli 14) 14:1-4 Dëshira e Sansonit për ta bërë të vetën u shfaq menjëherë në vendosmërinë e tij për t’u martuar me një grua filistease – një komb armik i Izraelit. Babai dhe nëna e tij u përpoqën t’i kthenin mendjen, por ai nguli këmbë. Vargu 4 nuk do të thotë se Zoti miratoi mosbindjen e Sansonit, por se Ai premtoi dhe planifikoi që ta përdorte këtë për mirëqenien e Izraelit dhe për ndëshkimin e armiqve. 14:5-7 Rrugës për në Timnah (një qytet filiste) me prindërit e tij Sansoni u kërcënua për vdekje nga një luan. Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi të dhe i dha fuqi të vriste luanin pa u ndihmuar nga njeri. Mbase marrëveshjet për martesën janë bërë në këtë kohë. 14:8,9 Më vonë, kur Sansoni po kthehej në Timnah për të marrë nusen e tij, gjeti mjaltë… në skeletin e luanit që kishte vrarë dhe e hëngri bashkë me të atin dhe të ëmën. Ai nuk u tha se mjalti ishte i ndotur nga kontakti me një trup të ngordhur (si një nazire ai shkeli një pjesë të kushtit të tij duke prekur një kafshë të ngordhur). 14:10-14 Në Timnah, po bëhej një gosti e madhe dhe Sansoni tha një gjëzë, duke u ofruar secilit prej tridhjetë shokëve të tij një shpërblim të mirë nëse do të mund t’ia shpjegonin. Nëse jo, ata do t’i jepnin atij tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash. Gjëza ishte kjo: “Nga gllabëruesi doli ushqimi dhe nga i forti doli e ëmbla”. Sigurisht, kjo kishte të bënte me vrasjen e luanit dhe me gjetjen e mjaltit te skeleti i tij. 14:15-18 Kur njerëzit nuk ia dolën dot që të gjenin përgjigjen e saktë, ata bindën gruan e Sansonit, duke e kërcënuar që të merrte përgjigjen prej tij. Ajo e bëri këtë dhe ua shpjegoi atë tridhjetë të rinjve. Ata shkuan te Sansoni bashkë me përgjigjen dhe i kërkuan veshjet. Atëherë Sansoni kuptoi se ata kishin bashkëpunuar me gruan e tij. 14:19,20 Që të merrte veshjet për të paguar njerëzit, Sansoni i zemëruar vrau tridhjetë njerëz të Ashkelonit dhe u mori plaçkat. Ditën e shtatë, kur martesa duhej të përfundonte, ai u kthye në shtëpi. Gruan e tij ia dhanë shokut të tij, që kishte qenë shoku i tij më i mirë. 3. Masakra shfarosëse e Sansonit (kapitulli 15) 15:1-6 Kur vjehrri i tij nuk pranoi që Sansoni të merrte gruan e tij, Sansoni u hakmor duke lidhur bisht më bisht treqind dhelpra, duke vënë nga një pishtar midis dy bishtave dhe duke i lëshuar kafshët në fushat me grurë, në vreshtat dhe ullishtat. Filistenjtë dëgjuan për shkakun e këtij veprimi gjakatar dhe të neveritshëm dhe u hakmorën, duke i vënë flakën gruas së tij dhe atit të saj. 15:7-13 Përgjigjja e Sansonit ishte duke vrarë një turmë të madhe nga filistenjtë; pastaj u tërhoq në shpellën e shkëmbit të Etamit në territorin e Judës. Por dhuna solli dhunë të mëtejshme. Kur filistenjtë iu vunë pas, njerëzit e Judës i thanë Sansonit se filistenjtë ishin sunduesit e tyre dhe për të shpëtuar lëkurën e tyre ata pranuan ta lidhnin Sansonin fshehtas dhe t’ia dorëzonin armikut. Ata ranë në një mendësi vasale dhe zgjodhën të tradhtonin bashkëkombasin e tyre dhe t’u qëndronin besnik shtypësve të tyre, më tepër sesa të përkrahnin Sansonin dhe të shpëtonin nga zinxhirët e tyre. 15:14-17 Më pas vijon një ndër çastet më të lavdishme të karrierës së Sansonit. Kur e çuan të lidhur, Fryma e Zotit erdhi fuqishëm mbi të. Me një nofull gomari ai vrau një mijë filistenj. Ai e quajti atë vend Ramath-Lehi (Kulmet e nofullës, NKJV). Ka një lojë fjalësh te vargu 16, ashtu sikur të shprehte: “Me një nofull gomari i kam vrarë”, ose “Me një nofull gomari i kam stivuar në grumbull! Me një nofull gomari i kam sulmuar sulmuesit” (Moffatt). Mund të habitemi se pse Zoti i dha një fitore të tillë me anë të një arme të pabesueshme. Sansonit nuk iu lejua të prekte asgjë që ishte e papastër dhe nofulla e gomarit ishte pa dyshim e tillë, duke qenë pjesë e një kafshe të ngordhur. Por kjo armë e pazakontë e bëri më të qartë faktin se fitorja ishte e mbinatyrshme, dhënë nga Perëndia me anë të mjeteve të ulëta. Ky është një shembull i parregullsive të lejuara nga Zoti gjatë një kohe të krizave të mëdha që zakonisht nuk do të lejoheshin. 15:18-20 Si përgjigje ndaj lutjes së Sansonit për ujë, Perëndia në mënyrë të mrekullueshme siguroi një burim uji nga “Kulmet e nofullës”. Ky vend u quajt En-Hakore, Burim i thirrësit (NKJV). Në këtë periudhë të shquar në karrierën e Sansonit Fryma e Perëndisë regjistron gjykimin e tij mbi Izraelin për njëzet vjet. 4. Loja e dyfishtë e Delilës ndaj Sansonit (kapitulli 16) 16:1-3 Drejt fundit të sundimit të tij, epshi i pafre i Sansonit e çoi në shtëpinë e një prostitute në qytetin filiste të Gazës. Njerëzit e qytetit menduan se më në fund e futën në kurth armikun e tyre. Por Sansoni… në mesnatë u ngrit dhe shkuli kanatet e portës së qytetit, po ashtu edhe dy shtalkat e saj… dhe i çoi në majë të malit që ndodhet përballë Hebronit, një largësi rreth gjashtëdhjetë kilometra. 16:4-10 Pastaj Sansoni ra në dashuri me një grua filistease që quhej Delilah. Kur kjo u mor vesh, princat e filistenjve i ofruan një shpërblim të madh nëse ajo do ta joshte Sansonin që të zbulonte të fshehtën e forcës së tij të madhe. Në përpjekjen e saj të parë, Sansoni tha se nëse e lidhnin me shtatë tela të freskëta, ai do të bëhej i dobët. Ajo më pas e lidhi me këto… shtatë tela të freskëta dhe i tha se filistenjtë po vinin ta kapnin. Por Sansoni këputi litarët sikur të ishin një fije shtupe. 16:11,12 Në përpjekjen e dytë, Delila ndoqi idenë e Sansonit duke e lidhur me litarë të rinj dhe duke e paralajmëruar se filistenjtë ishin afruar për ta vrarë. Por përsëri Sansoni i këputi litarët sikur të ishin penj. 16:13,14 Duke lozur akoma me zjarrin, Sansoni i tha Delilës se ai do të ishte i dobët nëse ajo do të endte shtatë gërshetat në flokët e tij dhe pastaj t’i shtrëngonte me majën e tezgjahut. Kur e zgjoi me paralajmërimin se filistenjtë ishin gati për ta kapur, ai u lirua nga tezgjahu dhe nga maja. 16:15-20 Së fundi, Sansoni u thye dhe ia zbuloi Delilës të fshehtën e forcës së tij. Flokët e tij të gjatë, të cilët nuk ishin burimi i fuqisë së tij, ishin treguesi i jashtëm i të qenit një nazire – ndarja e tij për Perëndinë. Ishte marrëdhënia e tij me Perëndinë që e bënte të fortë dhe jo flokët e tij. Por nëse flokët e tij do të priteshin, ai do të ishte i pafuqishëm. Delila e kuptoi tani se ajo kishte mësuar të fshehtën e tij. Kur ai ishte duke fjetur mbi gjunjët e saj, ajo thirri filistenjtë. Njëri prej tyre rroi kokën e tij dhe fuqia e tij e la. Mekintoshi (C. H. Mackintosh) vë re: Prehri i Delilës qe shumë i fortë për zemrën e Sansonit dhe ajo që një mijë filistenj nuk mund ta bënin u bë nga ndikimi i grackës së thurur nga një grua e vetme [12]. Kur Sansoni … u zgjua, ai u përpoq të mblidhte forcat, duke mos e ditur që Zoti e kishte braktisur. 16:21,22 Filistenjtë i nxorën sytë Sansonit dhe e burgosën në Gaza, ku e detyruan të bluante grurin. Dikush e ka përshkruar rënien e tij të trefishtë si “skllavërinë e lidhur, të verbër, shtypëse të mëkatit”. Por dalëngadalë flokët e tij filluan përsëri të rriten. 16:23-31 Kur princat e filistenjve bënë një flijim të madh në kremtim të Dagonit, perëndisë së tyre, ata sollën Sansonin para tyre si një shfaqje të asaj që perëndia i tyre kishte bërë për ta. Gjithashtu, ata e detyruan që t’i zbaviste në festën e tyre. Gjatë festës, Sansoni kapi dy shtyllat qendrore, që mbanin tempullin…, kërkoi ndihmën e Zotit për forcë dhe u përkul mbi shtyllat dhe e shkatërroi ndërtesën. Gjithë populli… u vra. Regjistrimi i trishtë është se Sansoni vrau më tepër duke vdekur, se kur qe gjallë. Ngaqë u miqësua me filistenjtë aq shumë në jetën e tij dhe gratë e tyre qenë për të të papërballueshme, Sansoni tashmë gjendet me filistenjtë në vdekjen e tij, një kufomë midis kufomave në gërmadhat e tempullit të Dagonit. Ndarja do të kishte sjellë për të një vdekje më fisnike. Këtu nxjerrim një mësim serioz, një mësim që duhet ta marrim pa gjykuar shumë. Humbja e ndarjes (shenjtërimit) çon në humbjen e fuqisë dhe vijon rrënimin. T’ia dorëzosh gjymtyrët mëkatit do të thotë të kërkosh vetëshkatërrimin. Trupi i Sansonit u çua në territorin e Danit nga kushërinjtë e tij dhe u varros atje.[previous][next]