Profecia e tretë: Dita e njezetekatërt e muajit të nëntë (Hagai 2:10-19)

A. Flijimet e ofruara në altar ishin të papastra për aq kohë sa tempulli ishte në rrënoja (2:10-14)
Profecia e tretë u dha në ditën e njëzetekatërt të muajit të nëntë. Popullit iu tha t’u bënin priftërinjve dy pyetje: 1. Në qoftë se mishi i shenjtëruar, mbajtur në cepin e rrobës, duhet të prekte ushqime të tjera, a do të bëheshin këto ushqime të shenjtëruara? Priftërinjtë u përgjigjen saktë: “Jo!“. 2. Në qoftë se dikush… që është bërë i papastër me anë të prekjes së një kufome, prek këto ushqime, a i bën ato të papastra? Priftërinjtë u përgjigjën saktë, duke thënë: “Po!“. Me fjalë të tjera, u bë e qartë si vijon: “Ai që është i shenjtë nuk kalon shenjtëri te ndonjë gjë tjetër, por ai që është i ndotur komunikon ndotje” [3]. Ose, për ta thënë me fjalë të tjera: “Vepra dhe adhurimi nuk e shenjtërojnë mëkatin, por mëkati ndot veprën dhe adhurimin” [4]. Kjo ishte një kujtesë për popullin se ofertat e tyre për Perëndinë ishin të ndotura dhe se ata vetë ishin të papastër për aq kohë sa tempulli ishte i rrënuar.
B. Para se të hidheshin themelet e tempullit, populli vuajti nga pamjaftueshmëria (2:15-17)
Para se të fillonin të ndërtonin tempullin, ata kishin përjetuar mungesën e grurit dhe të verës dhe të korrat e tyre kishin pësuar plasjen, ndryshkun dhe breshrin. Megjithatë, vonesat e tyre të pafundme në rindërtim kishin sjellë ndëshkimin e Perëndisë me anë të vështirësive dhe mungesave.
C. Nëse ata do të rifillonin punën në tempull, Zoti do t’i bekonte (2:18,19)
Por që nga dita që do të hidhnin themelet e tempullit të Zotit, Perëndia do t’i bekonte.