Hagai

Disa profetë ia kanë dalë mbanë të përmbledhin në pak rreshta kaq shumë mendime frymërore, ndër ta është Hagai.Frank E. Gaebelein

I. Vendi unik në Kanun

Theksi unik i këtij libri të dytë të shkurtër në DhV është i thjeshtë: rindërtimi i tempullit! Mbetja që ishte kthyer në Palestinë për të rindërtuar e kishte ndërprerë punën për gjashtëmbëdhjetë vjet dhe kështu Hagai u urdhërua të nxiste judenjtë e përgjumur që t’i përvisheshin punës. Hagai e shtrin mesazhin e tij duke përfshirë gjykimin mbi kombet e paperëndishme, po ashtu edhe lavdinë e ardhshme të popullit të Perëndisë.

II. Autorësia

Hagai mund të ketë lindur në një festë judaike meqë emri i tij do të thotë “festiv”. Ai është karakteri i vetëm në DhV me këtë emër. Ose, mbase është quajtur me këtë emër nga të afërm besimtarë me shpresën e një përtëritjeje të ardhshme të gëzuar, meqë ka gjasa të ketë lindur në mërgim.

Hagai është i pari nga tre profetët që ka shërbyer pas kthimit nga Babilonia, bashkë me Zakarian dhe Malakian. Esdra e përmend Hagain [Axhe] te 5:1 dhe 6:14, por njohja jonë për jetën e tij gati-gati është fare e vogël. Kjo tregon për rëndësinë e mesazhit dhe të Perëndisë, i Cili i ngarkoi profetit detyrën, kundër prirjes moderne (dhe të vjetër) për të përlëvduar predikuesin{{1}}.

III. Data

Libri i Hagait është shkruar saktësisht më 520 para K.: “Në vitin e dytë të mbretit Dar” (Dari I).

IV. Sfondi dhe tema

Si një profet pas mërgimit, Hagai u kthye në vendin e Izraelit kur Zorobabeli udhëhoqi grupin e parë nga Babilonia. Shërbesa e tij ishte të nxiste popullin për të rindërtuar tempullin (Esdra 5:1).

Shprehja-kyçe është: “‘Unë jam me ju’ – thotë Zoti” (Hag. 1:13; 2:4). Shprehje të tjera domethënëse janë: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!” (Hag. 1:5,7; 2:15,18) dhe: “Ji i fortë” (Hag. 2:4).

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. PROFECIA E PARË: DITA E PARË E MUAJIT TË GJASHTË (kapitulli 1)
A. Qortimi për moskokëçarjen në rindërtimin e tempullit (1:1-4)
B. Dështimi për të rindërtuar përfundoi në pamjaftueshmëri dhe thatësirë (1:5-11)
C. I nxitur nga Hagai populli rifilloi punën në tempull (1:12-15)
II. PROFECIA E DYTË: DITA E NJËZETENJËTË E MUAJIT TË SHTATË (2:1-9)
A. Përsëri profeti i jep zemër popullit me sigurinë e pranisë së Zotit (2:1-5)
B. Lavdia e tempullit të ardhshëm do të kalojë lavdinë e shkuarit (2:6-9)
III. PROFECIA E TRETË: DITA E NJËZETEKATËRT E MUAJIT TË NËNTË (2:10-19)
A. Flijimet e ofruara në altar ishin të papastra për aq kohë sa tempulli ishte në rrënoja (2:10-14)
B. Para se të hidheshin themelet e tempullit, populli vuajti nga pamjaftueshmëria (2:15-17)
C. Nëse ata do të rifillonin punën në tempull, Zoti do t’i bekonte (2:18,19)
IV. PROFECIA E KATËRT: DITA E NJËZETEKATËRT E MUAJIT TË NËNTË (2:20-23)
A. Nxitja e popullit nga premtimi i mposhtjes së mbretërive pagane dhe vendosja e mbretërisë së Mesias

[[1]] (Hyrje) Dr. Howard Hendricks ka një shprehje plot ngjyra për këtë prirje të njohur për t’i hedhur lavdi predikuesve të suksesshëm pas një predikimi: “Lavdërimi i ceremonisë së krimbit”.[[1]]
[previous][next]