Letra drejtuar Hebrenjve

Nuk ka pjesë të tjera të Shkrimit autorësia e të cilave është kaq e diskutueshme, por frymëzimi i së cilës është më i padiskutueshmi.Conybeare dhe Howson

I. Vendi unik në Kanun

Letra e Hebrenjve është e përveçme në DhR për shumë arsye. Ndërsa ajo nuk u nis si një letër, dhe as nuk mbaron kështu, është e qartë se është nisur nga a për në Itali (Heb. 13:24), kah një grupi të caktuar, mbase të krishterësh hebrenj. Është sugjeruar se i është drejtuar fillimisht një kishe të vogël që mblidhej në një shtëpi dhe kështu që nuk kishte lidhje me një bashkësi të madhe dhe të famshme për të ruajtur traditën e fillesës dhe vendmbërritjes së saj. Stili është më letrari në DhR. Ai është poetik dhe plot citime nga Septuaginta (versioni i të Shtatëdhjetëve). Ajo ka një fjalor të gjerë dhe përdor gjuhën greke shumë saktë në kohët e foljes dhe hollësi të tjera.

Edhe pse shumë judaike nga njëra anë (është krahasuar me Levitikun), paralajmërimet kundër largimit nga realiteti i vdekjes së Krishtit drejt riteve të thjeshta fetare, janë të nevojshme gjithmonë për krishterimin. Për këtë qëllim libri është i një rëndësie të madhe.

II. Autorësia

Letra e Hebrenjve është anonime, edhe pse disa botime të hershme të KJV-së vendosnin emrin e Palit si autor të librit. Kisha e hershme Lindore (Dionisi dhe Klementi, të dy nga Aleksandria) sugjeronin Palin si autorin e saj. Pas shumë dyshimesh, kjo paraqitje mbizotëroi që nga koha e Athanasius-it, kështu që perëndimorët ranë dakort më në fund. Megjithatë, vetëm disa sot e quajnë Palin autor. Origeni pranon se përmbajtja ishte si e Palit, dhe ka disa shprehje të Palit në të, por stili në origjinal është i ndryshëm nga ai i Palit (kjo nuk përjashton autorësinë e Palit, sepse një gjeni letrar mund ta ndryshojë stilin e tij).

Disa autorë të mundshëm janë sugjeruar me kalimin e viteve: Lluka, stili i të cilit është i ngjashëm dhe i cili ishte i njohur me predikimin e Palit, Barnabës, Silës, Filipit, madje të Akuilës dhe Prishilës.

Luteri sugjeron Apollos-in, një njeri që i përshtatet në stil dhe përmbajtje librit: madhështor në Shkrimet e DhV dhe shumë i rrjedhshëm (Aleksandria, qyteti i tij i lindjes, njihet për retorikën e saj). Një argument kundër Apollos është se asnjë traditë aleksandriane nuk ruan një teori të tillë, një situatë të papëlqyer nëse e ka shkruar një aleksandrinas vendas.

Për disa arsye Zoti ka parë të udhës të lërë të panjohur autorin. Një sugjerim është se Pali e shkroi atë, por me qëllim mbuloi autorësinë për shkak të paragjykimeve të judenjve kundër tij. Ndërsa kjo mund të jetë e vërtetë, fjalët e lashta të Origen-it janë me vend të thuhen: “Por atë që shkroi Letrën vetëm Perëndia e njeh me siguri”.

III. Data

Në dallim me autorësinë anonime njerëzore, është e mundur që t’i caktojmë një datë të përafërt Letrës.

Prova e jashtme e paraqet si një shkrim të shekullit të parë, meqë Klementi nga Roma e përdorte këtë libër (rreth vitit 95 pas K.). Ndërsa Polikarpi dhe Justin-i, martiri, e citojnë këtë letër, ata nuk e përmendin autorin. Dionisi i Aleksandrisë e citon Letrën e Hebrenjve si të Palit, dhe Klementi i Aleksandrisë thotë se Pali e shkroi atë në hebraisht dhe Lluka e përktheu (libri, në fakt, nuk duket si përkthim). Ireneusi dhe Hipolitusi nuk mendojnë se Pali e ka shkruar Letrën e Hebrenjve dhe Tertuliani mendonte se e ka shkruar Barnaba.

Nga ana e brendshme duket se shkrimtari i përket një brezi të dytë të krishterësh (Heb. 2:3; 13:7), kështu që nuk është shumë e hershme si ajo e Jakobit apo E Para e Thesalonikasve (kr. Heb. 10:32). Meqë nuk na përmendet asnjë luftë e judenjve (që filloi në vitin 66 pas K.) dhe flijimet e tempullit po vazhdonin akoma (Heb. 8:4; 9:6; 12:27; 13:10), mund të mendojmë si të mundshme një datë mbase pas vitit 66 dhe me siguri para shkatërrimit të Jeruzalemit (70). Përndjekjet përmenden (Heb. 12:4), por besimtarët “nuk kishin qëndruar deri në gjak”. Nëse Italia është vendmbërritja e letrës, përndjekja e përgjakur e Neronit (viti 64 pas K.) do ta çonte letrën më pas në kohë, të paktën në mesvitin 64. Vitet 63-65 është një datë e mundshme.

IV. Sfondi dhe Temat

Në përgjithësi, Letra e Hebrenjve shtjellon betejat e mëdha zhvilluar në lënien e një sistemi fetar në një tjetër. Këtu paraqitet shkëputja nga lidhja e vjetër, stresi dhe tensioni i tjetërsimeve dhe shtypja e madhe e ushtruar ndaj “tradhtarëve” me qëllim që të kthehen.

Por në këtë letër problemi nuk ishte thjesht një çështje për lënien e sistemit të vjetër për një të ri të së njëjtës vlerë. Por për më tepër ishte një çështje e lënies së judaizmit për Krishtin, dhe ashtu siç e tregon shkrimtari, kjo kërkonte braktisje të hijeve për thelbin, ritualen për realitetin, parësoren për përfundimtaren, të përkohshmen për të përhershmen – me një fjalë, të mirën për më të mirën.

Problemi del nga braktisja e popullores për jopopulloren, më të madhen për më të voglën, dhe shtypësit për të shtypurit. Dhe kjo solli shumë probleme të rënda.

Letra u shkrua ndaj njerëzve me sfond judaik. Këta hebrenj kishin dëgjuar ungjillin të predikuar nga apostujt dhe të tjerët gjatë ditëve të hershme të kishës dhe kishin parë mrekullitë e madhërishme të Frymës së Shenjtë që miratoi lajmin. Ata i ishin përgjigjur lajmit të mirë në një prej këtyre tri mënyrave:

  1. Disa besuan në Zotin Jezu Krisht dhe u shpëtuan me të vërtetë.
  2. Disa rrëfyen se ishin bërë të krishterë, u pagëzuan dhe zunë vend në asambletë e tyre lokale. Megjithatë, ata nuk ishin lindur kurrë sërish nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë.
  3. Të tjerë e refuzuan hapur lajmin e shpëtimit.

Letra jonë merret me dy klasat e para – hebrenjtë e shpëtuar me të vërtetë dhe ata që nuk kishin gjë tjetër veç lustrës së jashtme të krishterë.

Kur një jude braktiste besimin e etërve të tij, ai shihej si një tradhtar dhe kundërshtar (meshummed) dhe zakonisht ndëshkohej me një apo me shumë nga mënyrat që vijojnë:

  • Heqja e të drejtës së trashëgimisë nga familja e tij;
  • Nxjerrja jashtë bashkësisë së Izraelit;
  • Humbja e vendit të punës;
  • Humbja e pasurisë;
  • Ngacmime mendore dhe tortura fizike;
  • Përqeshje publike;
  • Burgosje;
  • Vrasje.

Sigurisht, gjithmonë ekzistonte një rrugëdalje. Nëse do të mohonte Krishtin dhe të kthehej në judaizëm, ai nuk do të përndiqej më. Ndërsa lexojmë në rreshtat e kësaj letre, mund të nxjerrim disa nga argumentet e përdorur për të bindur dikë për t’u kthyer në judaizëm:

  • Trashëgimia e pasur e profetëve;
  • Shërbesa e shtuar e engjëjve në historinë e popullit të lashtë të Perëndisë;
  • Bashkimi me ilustrimet e dhëna nga ligji i Moisiut;
  • Lidhjet kombëtare me ushtrinë e shkëlqyer të udhëhequr nga Jozueu;
  • Lavdia e priftërisë së Aaronit;
  • Shenjtërorja e shenjtë ku Perëndia vendosi të banonte midis popullit të Tij;
  • Besëlidhja e ligjit të dhënë nga Perëndia përmes Moisiut;
  • Pajisjet hyjnore të vendosura në shenjtërore dhe veli i mrekullueshëm;
  • shërbesat në shenjtërore dhe në mënyrë të veçantë rituali i Ditës së madhe të Shlyerjes (Yom Kippur, dita më e rëndësishme në kalendarin judaik).

Ne pothuajse mund të dëgjojmë judenjtë e shekullit të parë që paraqesin lavditë e fesë së tyre të lashtë dhe plot rite, pastaj të pyesim me një vështrim përbuzës: “Çfarë keni ju të krishterët? Ne kemi të gjitha këto. Çfarë keni ju? Asgjë tjetër veç një dhome të sipërme, një tryeze dhe pak bukë e verë në tryezë! A mos doni të thoni se keni lënë gjithçka vetëm për kaq?”.

Letra e Hebrenjve është me të vërtetë një përgjigje ndaj kësaj pyetjeje: “Çfarë keni?”. Me një fjalë, përgjigjja është Krishti. Në të ne kemi:

  • Një që është më i madh se profetët;
  • Një që është më i madh se engjëjt;
  • Një që është më i madh se Moisiu;
  • Një që është më i madh se Jozueu;
  • Atë, priftëria e të cilit është më e lartë nga ajo e Aaronit;
  • Atë që shërben në një shenjtërore më të mirë;
  • Atë që ka bërë një besëlidhje më të mirë;
  • Atë që është kundërtipi i pajisjeve dhe velit tipik;
  • Atë, oferta e të cilit, e bërë një herë e përgjithmonë për mëkatin, që është më i lartë se flijimet e përsëritura të demave dhe cjepëve.

Ashtu si yjet që humbasin shkëlqimin në lavdinë e madhe të diellit, po kështu edhe tipat dhe hijet e judaizmit zbehen në domethënie para lavdisë së madhe të Personit dhe veprës së Zotit Jezus.

Megjithatë ekzistonte akoma problemi i përndjekjes. Ata që rrëfenin se ishin ndjekës të Zotit Jezus përballeshin me kundërshtimin e hidhur dhe fanatik. Për besimtarët e vërtetë kjo mund të çonte në rrezikun e shkurajimit dhe dëshpërimit. Prandaj atyre duhet t’u jepej zemër për të pasur besim në premtimet e Perëndisë. Ata kishin nevojë për durim në pritje të shpërblimit të ardhshëm.

Për ata që ishin të krishterë vetëm për emër, ekzistonte rreziku i apostazisë. Pasi kishin rrëfyer se kishin pranuar Krishtin, ata mund ta braktisnin Atë dhe të ktheheshin te feja rituale. Kjo ishte njësoj sikur të shkelje Birin e Perëndisë, përdhosje ndaj gjakut të Tij dhe fyerje ndaj Frymës së Shenjtë. Për këtë mëkat me dëshirë nuk kishte pendim apo falje. Kundër këtij mëkati ka paralajmërime të përsëritura në Letrën e Hebrenjve. Te Heb. 2:1 përshkruhet si shkarje nga lajmi i Krishtit. Te Heb. 3:7-19 është mëkati i rebelimit apo i ngurtësimit të zemrës. Te Heb. 6:6 është rrëzimi apo kryerja e apostazisë. Te Heb. 10:25 është lënia pas dore nga të mbledhurit bashkë. Te Heb. 10:26 është mëkati me dashje apo i hapur. Te Heb. 12:16 flitet për atë që shet të drejtën e parëbirnisë për një gjellë të vetme. Së fundi te Heb. 12:25 quhet refuzim për të dëgjuar Atë që ka folur nga qielli. Por të gjitha këto paralajmërime drejtohen kundër aspekteve të ndryshme të të njëjtit mëkat – mëkatit të apostazisë.

Lajmi i Hebrenjve është aktual sot ashtu siç ka qenë në shekullin e parë të kishës. Ne duhet të mbajmë gjithmonë ndër mend privilegjet dhe bekimet e përjetshme që janë tonat në Krishtin. Ne kemi nevojë për nxitje për të duruar në ballë të kundërshtimeve dhe vështirësive, dhe të gjithë ata që rrëfejnë se janë besimtarë duhet të paralajmërohen kundër kthimit në fenë ceremoniale pasi kanë provuar dhe parë se Zoti është i mirë.

PËRMBLEDHJE

I. KRISHTI MË I LARTË NË PERSONIN E TIJ (1:1-4:13)
   A. Krishti më i lartë se profetët (1:1-3)
   B. Krishti më i lartë se engjëjt (1:4-2:18)
   C. Krishti më i lartë se Moisiu dhe Jozueu (3:1-4:13)
II. KRISHTI MË I LARTË NË PRIFTËRINË E TIJ (4:14-10:18)
   A. Kryepriftëria e Krishtit më e lartë se ajo e Aaronit (4:14-7:28)
   B. Shërbesa e Krishtit më e lartë se ajo e Aaronit (kap. 8)
   C. Oferta e Krishtit më e lartë se flijimet e Dhjatës së Vjetër (9:1-10:18)
III. PARALAJMËRIME DHE NXITJE (10:19-13:17)
   A. Paralajmërime për të mos përçmuar Krishtin (10:19-39)
   B. Nxitje për besim me anë të shembujve të Dhjatës së Vjetër (kap. 11)
   C. Nxitje për shpresë në Krishtin (kap. 12)
   D. Nxitje ndaj hireve të ndryshme të krishtera (13:1-17)
IV. BEKIME TË FUNDIT (13:18:25)

[previous][next]