Periudha kalimtare historike: libri I Ezekielit (Isaia 36-39)

Kapitujt 36 deri 39, të quajtur ndonjëherë “Libri i Ezekias”, formojnë ndarjen historike të Librit të Isaias. Përveç 38:9-20 ato janë gati një përsëritje e 2 i Mbreterve 18:13,17 – 2 i Mbreterve 20:19.

A. Çlirimi i Ezekias nga Asiria (kapitujt 36,37)

1. Mospërfillja asire ndaj Perëndisë (kapitulli 36) 36:1-3 Në kapitullin 36 Rabshakehu (fjalë për fjalë kryekupëmbajtësi, por përdorur për një qeveritar apo krye i një stafi), një lajmëtar i mbretit të Asirisë, takon tre delegatë të Ezekias pranë ujësjellësit të hauzit të sipërm, në rrugën e arës së larësit. Ky është i njëjti vend ku Ashazi kishte qëndruar kur iu përkul me besim Asirisë, në vend që t’i përkulej Jehovahut, për ta shpëtuar nga aleanca siro-efraimite (7:3). 36:4-10Rabshakehu i paralajmëron se është marrëzi të besosh në premtimet nga Egjipti, sepse ajo mbretëri e ulët do të lëndojë gjithkënd që mbështetet në të. Çdo mëtimi për të besuar në Jehovahun ai i përgjigjet duke thënë se Ezekia kishte hequr vendet e larta dhe altarët e Jehovahut. Kjo ishte qoftë padituri, qoftë keqparaqitje e hapur; Ezekia kishte hequr vendet e larta të idhujve dhe kishte forcuar adhurimin e Jehovahut në tempull. Rabshakehu tallet më tej duke thënë se mbreti i Judës nuk mund të siguronte kalorës të mjaftueshëm nëse Senakeribi do t’i dhuronte dy mijë kuaj. Meqë Juda nuk kishte arsenal të mjaftueshëm, si mund të shpresonin ata të mundnin asirianët, edhe me ndihmën e Egjiptit? Së fundi, ai paraqet në mënyrë të rreme se Zoti i ka udhëhequr asirianët që të shkatërrojnë Judën. 36:11-20 Lajmëtarët e Ezekias patën frikë se mburrjet dhe kërcënimet e pacipa të Rabshakehut, të shprehura në hebraisht, do të shkatërronin moralin e njerëzve të Judës, kështu që ata i kërkojnë të flasë në gjuhën aramaike. Ai jo vetëm nuk pranon, por fillon një fjalim tjetër me zë të lartë, duke hedhur padinë se Ezekia po e mashtron popullin me siguri të rreme. Ai u premton njerëzve të Judës ushqim të bollshëm nëse ata i dorëzohen atij, shto rivendosjen në një vend pjellorie të barabartë. Ai rendit një seri qytetesh të pushtuara (përfshi Samarinë), perënditë e të cilave nuk kanë mundur t’i shpëtojnë nga fuqia e madhe shkatërruese asire dhe me qëllim pyet se çfarë shansi ka Jerusalemi. Rabshakehu vendos me arrogancë që populli i Perëndisë duhet të dorëzohet. 36:21,22 Duke ndjekur urdhrin e mbretit të tyre, njerëzit e Ezekias nuk u përpoqën t’i përgjigjeshin atij, por shkuan dhe ia bënë të njohura fjalët mbretit. 2. Shkatërrimi i Asirisë nga Perëndia (kapitulli 37) 37:1-4Kur mbreti Ezekia dëgjoi atë që kishte thënë Rabshakehu, zhytet në trishtim. Pasi shkon në tempull, dërgon një delegacion për tek Isaia për t’i thënë: “Fëmijët janë duke lindur, por nuk ka forcë për t’i pjellë“. Ashtu siç tregon Aleksandri (J. A. Alexander), kjo metaforë është “shprehëse e dhimbjes tepër të madhe, e rrezikut të papritur, ngutjes kritike, dobësisë së plotë dhe varësisë së plotë të ndihmës nga të tjerët” [43]. Me një ndrojtje që tejkalon besimin, Ezekia hedh idenë se mbase Jehovahu ka dëgjuarfjalët tallëse të Rabshakehut dhe do ta ndëshkojë atë. 37:5-7 Më pas Zoti e siguron mbretin përmes Isaias se nuk ka arsye pse të ketë frikë nga mbreti i Asirisë. Zoti do të dërgojë përmbi Senakeribin një frymë (mbase një frymë hutimi) në mënyrë që, duke dëgjuar lajmin, ai do të kthehet në vendin e tij dhe do të vritej atje. 37:8-13 Kur Rabshakehu do të lërë Jerusalemin për t’u bashkuar me Senakeribin, ai sheh se ky i fundit ka ndryshuar drejtimin e sulmit të tij nga Lakishi për në Libnah, pesëmbëdhjetë kilometra në veriperëndim. Një pjesë tjetër e ushtrisë, sigurisht, po rrethonte Jerusalemin. Atëherë, i shqetësuar nga lajmi që Tirhakahu, një etiopas që sundonte në Egjipt, vendosi ta sulmonte, Senakeribi i dërgon lajmëtarë Ezekias me një letër blasfemuese, të ngjashme me fjalimin që Rabshakehu kishte bërë. Ai citon marrëzinë e besimit në Jehovahun duke rinumëruar fitoret historike të mbretërve të Asirisë. 37:14-20Ezekia ndoqi rrugën e mirë për ta çuar letrën në tempull dhe e shpalosi para Zotit. Në një lutje të shkurtër, por prekëse, që tregon besimin e madh të mbretit, ai i kërkon Perëndisë të çlirojë Judën nga mbreti i Asirisë, në mënyrë që “të gjitha mbretëritë e tokës të njohin që ti vetëm je Zoti“. 37:21-29 Jehovahu përgjigjet përmes Isaias me një poemë që në fillim e paraqet Jerusalemin si virgjëreshë, duke tallur Senakeribin ndërsa do të mundet. Më pas Jehovahu u drejtohet asirëve duke u kërkuar llogari për talljen ndaj Vetë Zotit dhe për lavdërimin sikur ta kishte pushtuar tashmë Judën dhe Egjiptin. Perëndia i thotë Senakeribit se ai është vetëm një vegël në dorën e Jehovahut, duke bërë atë që kishte planifikuar me kohë që ta bënte. I njëjti Zot, që njeh gjithçka rreth mbretit të lig, do ta kthejë atë në Asiri si një kafshë me unazëflegrat e hundëve. 37:30-32 Pastaj duke iu kthyer Ezekias, Zoti e siguron atë se, edhe pse ushqimi do të jetë i kufizuar sivjet dhe vitin që vjen për shkak të sulmit asir, të korrat do të kthehen si normalisht vitin e tretë. Njerëzit që kanë gërmuar në Jerusalem në përgatitje për një rrethim do të dalin dhe do të fillojnë jetën normale. Zelli i Jehovahut për popullin e Tij do ta sigurojë një gjë të tillë. 37:33-35Zoti e siguron Ezekian se mbreti i Asirisë nuk do të futet në Jerusalem, apo të afrohet për ta sulmuar. Perëndia do të mbrojë qytetin dhe do ta kthejë mbrapsht pushtuesin në atë rrugë nga ka ardhur. 37:36 Dhe kështu ndodhi. Engjëlli i Zotit doli dhe goditi njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë ushtarë asirë gjatë natës. Një ndër poemat e mëdha në gjuhën angleze, shkruar më 1815, e dramatizon këtë ngjarje. Meqë shumë njerëz nuk kanë mundësi ta lexojnë vetë në bibliotekë, nuk kërkojmë ndjesë që e kemi paraqitur të gjithën: SHKATËRRIMI I SENAKERIBIT Asiri u vërsul si ujku ndaj tufës dhe kohortat e tij shkëlqenin ar dhe në të kuqërremë; dhe shkëlqimi i heshtave ishte si yjet në det, kur vala blu lëkundet natën në Galilenë e thellë. Ashtu si gjethet e pyllit kur vera është e gjelbër, kur në perëndim moritë me flamujt e tyre shfaqen: ashtu si gjethet e pyllit kur vjeshta fryn, moritë të nesërmen thahen dhe shpërndahen. Sepse Engjëlli i Vdekjes hap krahët e tij në shakullinë, dhe lëshon frymë në fytyrën e armikut ndërsa kalon; dhe sytë e të gjumurve dyllosen për vdekje e ngrijnë, dhe zemrat e tyre, tash të rënduara, pushuan përgjithmonë! Dhe atje prehet gërdalla me flegrat e zgjeruara, po përmes tyre s’nxirrte frymëmarrjen e krenarisë së vet; dhe shkumëzimi i psherëtimës së tij ngelet i bardhë në livadh, dhe i ftohtë ashtu si spërkatja e valës që shkëmbin godet. Dhe atje prehet kalorësi qafëpërdredhur e meit, me vesën në flokët e tij dhe ndryshk në parzmoren e tij: dhe çadrat ishin të heshtura – të vetëm flamujt – heshtat të pangritura – të pazë boritë. Dhe vejushat e Ashurit vajtojnë me zë të lartë, dhe idhujt janë thyer në tempullin e Baalit; dhe forca e paganëve, goditur nga shpata, shkrihet si borë nga vështrimi i Zotit! [44] – Xhorxh Gordon, Lord Bajroni (1788 – 1824) 37:37,38Senakeribi u kthye në Ninive, duke mbetur i vrarë nga bijtë e tij Adramalek dhe Sharetser në tempullin e idhujve të tij.

B. Sëmundja dhe shërimi i Ezekias (kapitulli 38)

38:1-8 Kapitulli 38 nuk ndjek kapitullin 37 kronologjikisht, sepse në vargun 6 Ezekias i premtohet çlirim nga kërcënimi asir, ndërkohë, në fund të kapitullit të mëparshëm, ai kërcënim kishte mbaruar tashmë. Kur Ezekia sëmuret rëndë, ai lutet me zell për të zgjatur jetën dhe Perëndia i Davidit, atit të tij, i jep atij edhe pesëmbëdhjetëvjet të tjera. Si shenjë se ai do të shërohej dhe se Senakeribi do të tërhiqej, Perëndia premton të bëjë që të sprapset dhjetë shkallare hija që për efekt të diellit është zgjatur mbi shkallaret e Ashazit. Hebraishtja e vargut 8 është e vështirë, por duket se Ashazi kishte ndërtuar një obelisk me shkallare që të çonin në të për kohën e rrëfimit dhe se Perëndia, në mënyrë të mrekullueshme, bëri që hija të sprapset dhjetë shkallare ndërsa Ezekia shikonte. 38:9-15 Për të kremtuar shërimin e tij, Ezekia shkroi një poemë apo psalm. Kjo është pjesa e veçantë e ndarjes historike; kjo nuk gjendet tek 2 Mbretërve. Ajo hapet me trishtimin që e kishte kapur mbretin kur dëgjoi se do të vdiste në kulmin e ditëve të tij. Ai nuk do ta shihte më Zotin [YAH], po, Zotin, pra, nuk do të përjetonte mirësinë e Zotit dhe do të hiqej nga pjesa tjetër e njerëzimit. Jeta e tij po mbaronte ashtu siç hiqet një çadër barinjsh, apo një stof i mbaruar që këputet nga tezgjahu. Ai përshkruan ndjenjën e tij të dëshpërimit, hidhërimin, përgjërimin e zellshëm dhe gjendjen e tij pa fuqi nën goditjen e Perëndisë. 38:16-20 Por në vargun 16 kemi një ndryshim. Ezekia pranon se me këto gjëra [hidhërime] njerëzit jetojnë dhe se ato kanë një ndikim përfitues në karakterin e njeriut. Tani Perëndia e ka çliruar nga vdekja, një tregues ky për mbretin se Zoti i ka falur mëkatet e tij. Vargu 18 pasqyron pamjen e paqartë për gjendjen jashtë trupit që kishin shenjtorët e DhV. Tashmë, ngaqë është gjallë, ai mund ta falënderojë Zotin dhe t’u tregojë bijve për besnikërinë e Perëndisë. Ai është i vendosur të lëvdojë Jehovahun tërë ditët e jetës së tij. 38:21,22 Këto dy vargje përkojnë kronologjikisht midis vargjeve 6 e 7. Duke i vënë ato atje, shkruan Kelli (Kelly), “Perëndia tregon interesin e Tij ndaj të vetëve, pavarësisht nga sëmundja e tyre dhe shpjegon mjetet e përdorura dhe arsyen pse është dhënë shenja” [45]. Methju Henri (Matthew Henry) nxjerr dy mësime të mira nga shërimi i kësaj pjese: 1. Se premtimet e Perëndisë kanë si qëllim jo të zëvendësojnë, por të shpejtojnë dhe të nxisin përdorimin e mjeteve. Ezekia është i sigurt se do të shërohet dhe, megjithatë, ai duhet të merrte një jaki prej fiqsh, dhe ta vendoste mbi ulcerë, v. 21. Ne nuk besojmë në Perëndinë, por e tundojmë atë nëse, kur i lutemi për ndihmë, nuk i shoqërojmë lutjet me veprat tona… 2. Se qëllimi kryesor që duhet të synojmë, duke dëshiruar jetë dhe shëndet, është që të mund të përlëvdojmë Perëndinë, të bëjmë të mirën, të përmirësohemi në njohje e hir dhe të jemi gati për qiellin [46].

C. Mëkati i Ezekias (kapitulli 39)

39:1-7 Kapitulli 39 paraqet gabimin trashanik të Ezekias, duke ia treguar tërë burimet e tij një delegacioni që kishte ardhur nga mbreti i Babilonisë, gjoja për ta uruar për shërimin e tij. Ezekia mbase shpresonte që babilonasit ta ndihmonin Judën kundër kërcënimit të Asirisë. Kur Isaia dëgjoi atë që kishte ndodhur, ai shpalli gjykimin e Perëndisë. Juda do të çohej në robëri nga babilonasit. Bijtë e mbretit do t’i bënin eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë. Kjo profeci u bë shtatëdhjetë vjet përpara se të ndodhte një gjë e tillë, kur Asiria, jo Babilonia, ishte kërcënimi më i madh për Judën. 39:8 Përgjigjja e Ezekias, “Fjala e Zotit është e mirë“, pasqyron nënshtrimin e tij dhe gjithashtu besimin e tij se ai vetë nuk do të jetonte për ta parë këtë fatkeqësi.