A. Gjykimet mbi Judën dhe Jerusalemin me shfaqje të shkëlqyera të lavdisë (kapitujt 1-5)
1. Padia e Perëndisë kundër Izraelit (kapitulli 1) 1:1 Vargu i parë i Isaias është shumë i ngjashëm me titullin; referimet e tij historike janë trajtuar tek hyrja. 1:2,3 Tërë gjithësia thirret të bëjë një gjyq me Perëndinë si Gjykatës dhe me Judën dhe Jerusalemin si mbrojtës. Paditë janë kundër popullit si bij të pabindur, të cilët janë rebeluar kundër Perëndisë dhe kanë dështuar në të treguarit e mirënjohjes dhe të përkushtimit të natyrshëm që mund të pritej nga një kafshë shtëpiake! 1:4-6Populli është fajtor për paudhësinë e rënduar duke i kthyer krahët të Shenjtit. Ndëshkimet e Perëndisë nuk kanë çuar në një rezultat të mirë, edhe pse trupi është mbuluar me plagë, vurrata dhe plagë të hapura. 1:7-9 Duke filluar nga vargu 7, profeti përshkruan të ardhmen sikur të kenë ndodhur tashmë [5]. Pushtuesit armiq e kishin bërë Judën të shkretuar. Jerusalemi, bija e Sionit, është si një karakoll i papërpunuar dhe i përkohshëm, duke qëndruar thatanik midis rrënimit. Por pa hirin e Perëndisë, i cili kurseu një mbetje të vogël, shkatërrimi do të ishte i plotë, si ai i Sodomës e Gomorës. 1:10-15Krerët dhe populli i Jerusalemit (i Sodomës dhe Gomorës) duhet të kuptojnë se Perëndia përçmon ritet pa realitet, flijimet pa bindje, dhuratat pa dhurues. Për aq kohë sa populli do të jetojë në mëkat, pjesëmarrja e tyre në shërbesat e tempullit është një shkelje fyese e oborreve të Tij. Përzierja e paudhësisë dhe e mbledhjes së shenjtë është e urryer për Të. Ai nuk do t’u kushtojë vëmendje duarve të tyre të shtrira apo lutjeve të shumta. Vaini (W. E. Vine) paralajmëron besimtarët për të njëjtin rrezik sot: Feja e jashtme e thjeshtë nuk është kurrë një mantel për të mbuluar paudhësinë. Zoti zbuloi gjithçka me anë të padive të Tij të forta te Mateu 23. Ndërthurja fajtore në judaizëm është zhvilluar së tepërmi në krishterim. Ndërgjegjja e një besimtari mund të bëhet aq e regjur, saqë mund të praktikojë fenë ndërsa jeton në mëkat [6]. 1:16,17 Ajo që duhet të bënin ata ishte që të laheshin përmes pendimit dhe braktisjes të së keqes, më pas të praktikonin paanësinë dhe drejtësinë shoqërore. 1:18-20 Nëse ata ndjekin këtë fill arsyetimi hyjnor, atëherë do të pastrohen nga mëkatet më të pista dhe do të shijojnë gjërat më të mira që Perëndia ka siguruar për ta. Është kuptimplotë që kapitulli i parë i profetit ungjillor, emri i të cilit do të thotë “shpëtimi i Jehovahut”, të përmbajë ftesën fitimtare të ungjillit: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi”. Arsyetimi hyjnor, pranuar me anë të besimit, na mëson se ka pastrim nga mëkati, se ky pastrim nuk vjen fare si rrjedhojë e meritës apo e përpjekjes njerëzore, por vetëm përmes shpengimit që Zoti Jezus përmbushi, me anë të derdhjes së gjakut të Tij në kryq. Kush mund t’i njohë turmat që i janë përgjigjur ftesës së Isaias 1:18? Dhe kjo ftesë vlen ende! Por në rast se populli refuzon dhe rebelohet, atëherë i pret lufta dhe shkatërrimi. 1:21-23 Jerusalemi nuk është më një qytet i besnikërisë, i drejtësisë dhe ndershmërisë. Ai tashmë është një qytet prostitutë, një strehë vrasësish. Gjërat e tij më të mira janë prishur dhe princat e tij janë horra. Ryshfeti dhe padrejtësia gjenden kudo. 1:24-31Prandaj, Perëndia do të derdhë zemërimin e Tij mbi ata që tregojnë me mëkatet e tyre se janë kundërshtarët e Tij. Gjykimet e Tij do të pastrojnë tërë papastërtinë dhe do t’i kthejnë Jerusalemit lavdinë e tij të mëparshme. Drejtësia e Tij do të sigurojë çlirimin e atyre që do të pendohen. Emri i përbërë i Perëndisë, Zoti i ushtrive, siguron pashmangshmërinë e gjykimeve të përshkruara. Por mëkatarët do të shkatërrohen. Idhujtarëve do t’u vijë turp për altarët e tyre (lisat dhe kopshtet). Ata vetë do të jenë si një lis me gjethe të fishkura dhe një kopsht i tharë pa ujë. Udhëheqësit që mbështeten në forcat e tyre (njeriu i fortë) do të jenë si kallamishte krejt e djegshme, ndezur nga shkëndija e veprave të tyre të liga. 2. Bekimet e ardhshme përmes pastrimit (kapitujt 2-4) 2:1-3Biri i Amotsit shikon tashmë përtej kaosit të tashëm te mbretëria e lavdishme e Mesias. Në atë ditë Jerusalemi do të vendoset si kryeqyteti fetar dhe politik i botës. Kombet pagane do të bëjnë pelegrinazh në Sion për të adhuruar dhe për të marrë udhëzime hyjnore. 2:4 Mbreti do të zgjidhë problemet ndërkombëtare dhe grindjet e popujve. Si rrjedhojë, do të ketë çarmatim universal [7]. Fondet e harxhuara më parë në municione do të harxhohen në pajisje agro-kulturore. Këto vargje hyrëse i ngjajnë Mikeas 4:1-3, qoftë ngaqë janë frymëzuar nga i njëjti Frymë e Shenjtë, qoftë ngaqë i njëjti profet mund të ketë cituar pjesën tjetër. 2:5 E ardhmja e lavdishme e mbretërisë së Krishtit e shtyn Isaian të thërrasë popullin e Judës që të pendohet menjëherë. 2:6-9 Më pas, duke iu drejtuar Perëndisë, Isaia rrëfen me hollësi mëkatet që e çuan kombin në fatkeqësi. Në vend që të shikonte Zotin, populli këshillohej me hyjni nga Lindja dhe ushtrojnë magjinë si filistenjtë. Ata bënë aleanca të ndaluara me paganët. Duke mos iu bindur ligjit të Perëndisë, ata grumbulluan thesare financiare, kuaj dhe qerre, duke besuar në to për siguri. Ata adhuruan idhujt që vetë i kishin bërë. Këto janë arsyet pse Perëndia i ka përulur dhe nuk i fal. Shprehja “janë plot me praktika lindore” përshkruan me të drejtë popullaritetin e tashëm të fesë lindore në vendet perëndimore. 2:10,11 Duke iu kthyer tani popullit, parashikuesi i paralajmëron të kërkojnë strehë nga tmerri i ardhshëm i zemërimit të Jehovahut, i cili do të ulë vështrimin krenar të njeriut. 2:12-18 Në një kalim të menjëhershëm Isaia hidhet menjëherë në gjykimet e ditës së Zotit, që do të pararendë mbretërinë e Krishtit. Zoti i ushtrive do të merret me tërë arrogancën njerëzore, qoftë atë individuale (cedrave dhe lisave), qeveritë (malet dhe kodrat), forcat ushtarake (kullat dhe muret) apo tregtinë (anijet dhe të gjitha gjërat e këndshme) [8]. Kryelartësia e njeriut do të asgjësohet dhe vetëm Zoti do të lartësohet. Idhujt do të lihen mënjanë. 2:19-22 Njerëzit do të kërkojnë strehë për t’u fshehur. Do të bëhet e qartë se te njeriu ikanak është e kotë të kesh besë. Vetëm Zoti është i denjë për besimin e pandarë të popullit të Tij. 3:1-5 Në atë ditë, për të cilën lexojmë te 2:20, Zoti do të heqë udhëheqësinë përgjegjëse, tek e cila ka pasur varësi populli. Humbja e bukës dhe ujit mund t’u referohet kushteve të zisë, por këtu buka dhe uji mund të simbolizojnë udhëheqësit kryesorë, siç shihet te vargu pasues. Do të ketë një mungesë udhëheqësish të aftë e të pjekur në çdo fushë të jetës. Do të jetë një kohë shtypjeje, anarkie, pafytyrësie, mosrespekti dhe mosbindjeje. 3:6-8 Njerëzit do të përpiqen të caktojnë një të afërm që të marrë përsipër “këtë shkatërrim“, por ky i fundit nuk do të pranojë, meqë nuk ka as bukë, as mantel në shtëpinë e tij. Dhe askush nuk do të fajësohet për fatkeqësinë, thotë Isaia, veç popullit. 3:9-12 Në vargun 9 profeti fillon një seri prej tetë “mjerimesh”, dy në këtë kapitull dhe gjashtë në kapitullin 5. I pari akuzon popullsinë për anësi dhe turpësi. I dyti i qorton për ligësinë e tyre, por premton bekim ndaj mbetjes së drejtë. Një fryt i mëkatit të tyre është se ata po drejtohen nga njerëzit pa përvojë dhe të papjekur (fëmijët), nga të dobëtit (gratë) dhe nga mashtruesit. 3:13-15 Në këto vargje Zoti thërret Izraelin në gjyq. Bëhen paditë. Ai pyet drejtuesit për pasurimin në kurriz të të varfërve (përmes ryshfetit dhe rrëmbimit, pa dyshim). Meqë vendimi është “fajtor”, shpallet dënimi. 3:16-24 Më pas kemi një padi të ashpër kundër grave të Judës për krenarinë, sjelljet e tyre provokuese, veshjet e shtrenjta dhe gurët e çmuar. Fytyrat mbi të cilat kanë hedhur kozmetikë të shtrenjtë do të mbulohen me zgjebe. Trupat e tyre do të zhvishen nga tërë stolitë. Në vend që të jenë gra elegante, ato do të bëhen endacake të llangosura – duke kundërmuar erë të keqe nga trupi, të lidhura me litarë, kokat e tyre të rrojtura, vetëm pëlhura për të veshur, të damkosura për t’i njohur të tjerët. 3:25-4:1 Një fatkeqësi tjetër do të jetë humbja e njerëzve të tyre në betejë. Dhjetimi i popullsisë mashkullore do të drejtojë shtatë gra për t’i propozuar agresivisht një burri, duke premtuar të mbahen vetë për aq kohë sa do të mbajnë emrin e tij dhe kështu t’i shpëtojnë turpit të tmerrshëm të mosmartesës dhe vdekjes pa fëmijë. 4:2-6 Pjesa tjetër e kapitullit 4 hedh dritë mbi mbretërinë plot lavdi të Krishtit. Ai është Filizi i vargut 2, gjithë shkëlqim dhe lavdi. Methju Henri (Matthew Henry) komenton: Ai është filizi i Zotit, njeriu filiz; ky është një ndër emrat e Tij profetikë, shërbëtori filiz (Zak. 3:8; 6:12), filizi i drejtësisë (Jer. 23:5; 33:15), një degëz e dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz i mbirë nga rrënjët e tij (kapitulli 11:1) dhe kjo, ashtu siç mendojnë disa, preket shkarazi kur quhet nazireo, Mt. 2:23. Këtu quhet filizi i Zotit, sepse është mbjellë nga vetë fuqia e Tij dhe lulëzon për lëvdim të Tij. Parafraza e lashtë kaldease këtu shkruan: Krishti apo Mesia i Zotit [9]. Ai është gjithashtu fryti i parë i tokës, me të cilin mburren izraelitët e përtërirë. Jobesimtarët do të jenë shkatërruar nga Zoti Jezus në Ardhjen e Tij të Dytë. Judenjtë e shpëtuar, mbetur në Jerusalem, do të quhen të shenjtë. Pastrimi në vargun 4 është përmbushur me anë të shfarosjes dhe jo ungjillit. Mali i Sionit do të mbulohet nga një tendë reje… ditën dhe zjarri flakërues gjatë natës, simbol i kujdesit dhe mbrojtjes së Perëndisë. 3. Ndëshkimi i Izraelit për mëkatin (kapitulli 5) 5:1,2 Në këngën që këndon Isaia për të dashurin e tij (Jehovahun apo Zotin, versioni NKJ), ai rrëfen me hollësi kujdesin e ëmbël të Zotit për vreshtin e Tij. Perëndia ka zgjedhur vendin më të mirë, ka mbjellë tokën, mbolli hardhi të cilësisë më të mirë, e mbrojti dhe përgatiti një trokull me shpresën e një vjeljeje të mbarë. Në vend të vjeljes që priste (bindjen, falënderimin, dashurinë, adhurimin, shërbimin), Ai gjeti rrush të egër e me aromë të keqe (mosbindje, rebelim, idhujtari). 5:3-6 I zemëruar Zoti pyet Judën çfarë mund të kishte bërë tjetër dhe pse mori një të vjelë të mjerë. Më pas Ai shpall ndëshkimin e ardhshëm. Ai do ta heqë gardhin mbrojtës të Judës. Vendi do të pushtohet dhe do të kthehet në një shkretëtirë. Do të kthehet në ferra dhe gjemba dhe do të vuajë nga thatësira. E tërë kjo pararend, pa dyshim, robërinë e ardhshme. 5:7 Shkaku është i qartë: kur Perëndia priste ndershmëri dhe drejtësi nga Izraeli dhe Juda, Ai nuk mori gjë tjetër veç vrasjes dhe britmës së të shtypurit. 5:8-10 Te vargjet 8-23 kemi gjashtë mjerime, që vijojnë nga kapitulli 3. Mjerimet shpallen si vijon: Mjerimi i parë: Pronarët lakmitarë të tokës, që përpiqen të bëjnë për vete tregun e pronave të patundshme për të ngritur çmimin e shtëpive dhe e tokave, megjithatë pronarët banojnë në një shkëlqim të vetmuar. Robëria do të lërë shumë shtëpi të zbrazura dhe toka do të prodhojë vetëm të korra të pjesshme. Hardhitë që rriten në dy hektarë tokë do të prodhojnë vetëm 23 litra verë. Dhjetë shinikë farë do të prodhojnë vetëm një shinik grurë. 5:11-17Mjerimi i dytë: Pijanecët e njohur do të pijnë nga mëngjesi… deri në mbrëmje. Ata festojnë dhe bëjnë aheng duke përçmuar plotësisht Perëndinë dhe veprën e Tij. Për shkak të kësaj sjelljeje të pamenduar, mërgimi po afrohej. Njeriu i rëndësishëm dhe turma do të vuajnë nga zia e bukës dhe vdekja. Asnjë njeri nuk do t’i shpëtojë përuljes. Por Perëndia do ta tregojë Veten me anë të gjykimit të Tij të drejtë kur barinjtë e huaj beduinë do të kullosin bagëtitë e tyre në rrënojat e Izraelit. 5:18,19Mjerimi i tretë: Gënjeshtarët e pafytyrë dhe sfiduesit e Perëndisë, që shkojnë pas mëkatit dhe tërheqin fajin dhe ndëshkimin mbi vete. Ata e sfidojnë Perëndinë të shpejtojë ndëshkimin që i ka kërcënuar. 5:20Mjerimi i katërt: Ata që zhdukin dallimet morale, duke mohuar ndryshimin midis së mirës dhe së keqes. 5:21Mjerimi i pestë: Njerëzit e mashtruar të cilëve nuk mund t’u thuhet asgjë. 5:22,23Mjerimi i gjashtë: Gjyqtarët që janë heronj në pirje dhe që përdhosin të drejtën përmes marrjes së ryshfeteve. 5:24,25 Këta njerëz të këqij, që nuk kanë respekt për Fjalën e Perëndisë, do të përpihen si bari në një zjarr fushe. Perëndia do ta çojë popullin e Tij në gjyq, duke bërë që malet të tronditen dhe rrugët të mbushen me kufoma. Por nuk ka mbaruar ende! 5:26-30Ai… do t’u fërshëllejë babilonasve të vijnë. Shikoni ushtritë e tyre që po afrohen – në kushte mjaft të mira fizike, të pajisur në mënyrë të përsosur, të armatosur më së miri. Kuajt dhe qerret afrohen shpejt dhe egërsisht. Trupat vërviten si një luan mbi popullsinë, më pas e çojnë popullin në mërgim. Kjo është një ditë e zymtë për Judën!B. Thirrja, pastrimi dhe detyra e Isaias (kapitulli 6)
6:1Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah [10], Isaia pati një vegim të Mbretit të mbretërve. Mësojmë nga Gjoni 12:39-41 se Mbreti që pa nuk ishte tjetër veçse Zoti Jezu Krisht. Xheningsi (F. C. Jennings) komenton: Ai, ashtu si Gjoni në Patmos, merret “në Frymë” dhe shikon Adohn-in (emri i Perëndisë si Zoti më i lartë nga të gjithë; dhe këtu, ashtu si te Romakëve 9:5: “Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë”) me çdo shoqërim të shkëlqimit madhështor, të ulur në Fron, që vetë është “i lartë dhe i përlëvduar”, sepse “Froni i Tij sundon mbi gjithçka”; megjithatë, ndërsa rri ulur në këtë Fron të butë, cepi i veshjes së Tij mbush atë tempull të lavdishëm [11]. 6:2-5 Në pritje të Tij ishin qeniet hyjnore që quhen serafinë [12], me “katër krahë për nderim dhe dy për të shërbyer”. Këta kremtojnë shenjtërinë e Perëndisë dhe kërkojnë që shërbëtorët e Perëndisë të pastrohen para se t’i shërbejnë Atij. Vegimi solli bindje të thellë për mëkat te profeti, më pas e çoi në vendin e rrëfimit. 6:6-8 Kjo menjëherë u pasua nga pastrimi. Vetëm atëherë mund ta dëgjonte Isaia thirrjen e Zotit. Ai e shenjtëroi menjëherë veten ndaj Zotit dhe më pas iu dha detyra. 6:9,10 Ai duhej t’i shpallte Fjalën e Zotit popullit. Ata do të ishin të verbër juridikisht dhe do të ngurtësoheshin përmes refuzimit të mesazhit. Vargjet 9 e 10 nuk përshkruajnë qëllimin e shërbesës së Isaias, por rezultatin e pashmangshëm të saj. Këto vargje citohen në DhR për të shpjeguar refuzimin prej Izraelit të Mesias. Vaini (Vine) shkruan: Populli ishte shthurur aq keq në rrugët e tij, saqë kishte shkuar përtej mundësisë për t’u kthyer dhe shëruar. Një njeri mund ta ngurtësojë aq shumë veten në të keqe, saqë mund ta bëjë gjendjen e tij të patjetërsueshme dhe kjo sjell gjykimin shpagues të Perëndisë mbi të [13]. 6:11-13 Pyetja: “Deri kur?” do të thotë për sa kohë do të zgjasë gjykimi i Perëndisë mbi popullin e Tij. Përgjigjja ishte: “Derisa qytetet të shkatërrohen dhe të jenë pa banorë, shtëpitë të mos kenë njeri dhe vendi të jetë i shkretuar dhe i pikëlluar dhe derisa Zoti të ketë larguar njerëzinë“. Perëndia do të kursejë një pjesë (një e dhjeta), por edhe kjo pjesë do ta kalojë mundimin e madh. Ky brez i shenjtë është si një trung i gjallë i një peme të madhe që mbijeton pasi është shkatërruar pjesa tjetër e pemëve.C. Libri i Emanuelit (kapitujt 7-12)
1. Lindja e mrekullueshme e Mesias (kapitulli 7) 7:1,2 Kapitujt 7-12 janë quajtur Libri i Emanuelit për shkak të profecive të tyre rreth Krishtit. Midis kapitujve 6 dhe 7 Isaia e kalon mbretërimin e Jothamit dhe nis rrëfimin gjatë kohës së Ashazit. Kjo është koha kur Siria dhe Izraeli (Efraimi) kishin bërë një aleancë kundër Judës dhe po kërcënonin Jerusalemin. 7:3Isaia dhe biri i tij Shear-Jashubi [14] dalin për të takuar mbretin Ashaz… në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit. Mbase mbreti kishte shkuar atje për të siguruar mbrojtjen e furnizimit me ujë të qytetit. Ara e larësit ishte vendi ku njerëzit ndenin në diell rrobat e tyre të sapolara. 7:4-9 Zoti e siguron Ashazin përmes profetit se ai nuk duhej të kishte frikë. Mbretërit e Sirisë dhe të Izraelit (Retsini dhe Pekahu) nuk janë gjë tjetër veçse dy mbeturina të urës së zjarrit që nxjerr tym, në prag të shfarosjes. Edhe pse konfederata planifikonte të sulmonte Judën dhe të vendosin një farë biri të Tabeelit si mbret kukull, plani do të dështonte plotësisht (Siria dhe Izraeli e pushtuan Judën, por shtypja u rrit kur asirianët përparuan). Ashtu siç është e sigurt se Damasku është kryeqytet-shteti i Sirisë dhe i pari i tij është Retsini, është po aq e sigurt se Izraeli do të pushtohej brenda gjashtëdhjetë e pesë viteve (shikoni 2 i Mbreterve 17 për përmbushjen e kësaj). Ashtu siç është e sigurt që Samaria është kryeqyteti i Izraelit dhe i pari i tij është Pekahu, po kështu, me siguri, Ashazi do të hiqej nga froni nëse nuk i beson Fjalës së Zotit. 7:10-13Zoti e udhëzon Ashazin të kërkojënjë shenjë, në tokë apo në qiej, që aleanca midis Sirisë dhe Izraelit nuk do të fitonte mbi Judën. Duke mos dashur ta braktiste besimin e tij tek Asiria për mbrojtje, Ashazi nuk pranon, me mëshirë dhe përulësi tallëse. Zoti nuk e miraton qëndrimin e mbretit, por megjithatë i jep shenjën. Vaini (Vine) komenton: Meqë Ashazi nuk pranoi të kërkonte shenjën, Zoti do të jepte një ndër të zgjedhurit e Tij dhe një shenjë, rrezja e së cilës do të shtrihej në rrethana përtej atyre të kohës së Ashazit dhe do të sillte në majë profecitë dhe premtimet lidhur me “shtëpinë e Davidit”. Ashazi dhe njerëzit e atij lloji nuk deshën të ndanin bekimet dhe lavditë e përmbushjes së shenjës [15]. 7:14 Ashtu si shumë profeci, kjo duket se ka pasur një përmbushje të mëparshme (në kohën e Ashazit) dhe, më vonë, përmbushje të plotë (në Ardhjen e Parë të Krishtit). Vargu 14 pa diskutim flet për Krishtin – një Fëmijë nga një virgjëreshë [16], emri i të cilit tregon se Ai është Emanueli, Perëndia me ne. Përsëri po citojmë Vainin (Vine): “Ja”, tek Isaia, paraqet gjithmonë diçka që ka të bëjë me rrethanat e së ardhmes. Zgjedhja e fjalës almah është domethënëse, e veçantë nga bethulah (një vajzë që jeton me prindërit e saj dhe që nuk ishte premtuar për martesë); ajo tregon dikë që është e pjekur dhe gati për t’u martuar [17]. 7:15-17 Vargjet 15 e 16 mund t’i referohen birit të dytë të Isaias, Maher-Shalal-Hash-Bazit, për të cilin thuhet se ishte një shenjë te 8:18. Ky fëmijë i lindur nga një virgjëreshë do të jetojë në varfëri (duke ngrënë ajkë dhe mjaltë), derisa të arrijë moshën e arsyes. Por para se të arrijë atë moshë, tokat e Sirisë dhe të Izraelit do të braktisen nga dy mbretërit e tij dhe kështu aleanca që Juda kishte frikë nuk do të vlejë më. Por Perëndia do ta ndëshkojë gjithashtu Judën përmes sulmeve të befasishme të mbretit të Asirisë. Po si? 7:18-22 Perëndia do t’u fërshëllejë mizave (Egjiptit) dhe bletëve (Asirisë) dhe ata do të vërshojnë mbi Judë. Asiria do të jetë brisku i marrë hua nga Perëndia, duke sjellë turp dhe fatkeqësi. Xheninksi (Jennings) shënon: E mjerë do të jetë Juda në atë ditë, sepse shuma e pasurisë së një njeriu do të jetë një viç e dy dele apo dhi, megjithatë, aq e bollshme do të jetë kullota e lënë në tokat e papunuara, saqë edhe tri krijesa do t’i japin tërë ushqimin për të cilin ka nevojë, apo mund të gjejë me të vërtetë [18]. 7:23-25 Toka që më parë prodhonte të korra të mbara do të mbushet me ferra dhe gjemba. Nuk do të jetë më e plugueshme, do të vlejë vetëm për qetë dhe dhentë. 2. Toka e mrekullueshme e Mesias (kapitujt 8-10) 8:1-4 Zoti e udhëzon Isaian të shkruajë: “Maher-Shalal-Hash-Baz” në një pllakë me shkronja të qarta dhe të merrte dy dëshmitarë, priftin Uria dhe Zakarian, birin e Jaberekiahut, që më vonë do ta vërtetojnë mesazhin. Emri do të thotë: “shpejto plaçkën, nxito prenë” dhe tregon shkatërrimin e Sirisë dhe të Izraelit nga Asiria. Zoti e interpreton domethënien kur e drejton Isaian t’i vërë këtë emër fëmijës së tij të sapolindur. 8:5-10Zoti ka akoma një fjalë për Izraelin. Ngaqë populli i Mbretërisë Veriore kishte përçmuar ujërat e Siloeut që rrjedhin ëmbël, ata do të përmbyteshin nga lumi, pra, Eufrati. Siloeu (quajtur “Siloam” te Gjoni 9:7) ishte burimi i fshehtë i ujit të Jerusalemit dhe këtu është përdorur si një simbol i fjalës së hirit të Perëndisë apo të besimit në Zotin. Eufrati simbolizon Asirinë që do të pushtojë Izraelin dhe Sirinë. Ajo do të pushtojë gjithashtu Judën, duke përfshirë cepin e tokës së Emanuelit, por jo me sukses të plotë – vetëm derisa të arrijë te qafa. Armiqtë e Judës do të bëhen copë-copë, pavarësisht nga planet dhe përgatitjet e tyre. 8:11-15 Isaia lajmërohet nga Jehovahu që të mos bashkohet me atë popull në frikën e tyre ndaj përbetimit kundër tyre, por të besojnë vetëm në Zotin. Ai do të jetë një shenjtërore për tërë ata që mbështeten në Të, por edhe një gur pengese ndaj gjithë të tjerëve. 8:16-18 Isaia urdhëron që fjala e Zotit të ruhet nga dishepuj besnikë, derisa historia të shënojë përmbushjen e saj. Profeti do të presëZotinqë është larguar tani nga populli i Tij dhe do të ketë shpresë tek Ai. Isaia (Jehovahu shpëton), Shearjashubi (një mbetje do të kthehet) dhe Maher-Shalal-Hash-Bazi (shpejto plaçkën, nxito prenë) janë, nga vetë emri që nënkuptojnë, shenja dhe një parashikues të mëshirës së Perëndisë ndaj Izraelit dhe gjykim ndaj armiqve të tyre. 8:19 Profeti paralajmëron popullin e tij kundër atyre që ndërmjetësojnë në frymë me mediumet dhe me magjistarët. Njerëzit duhet të kthehen te Perëndia i gjallë, jo t’u kthehen të vdekurve për llogari të të gjallëve. Përkushtimi i sotëm ndaj okultizmit nuk është një gjë e re: Para çdo krize të madhe në çështjet njerëzore ka pasur një shpërthim të spiritizmit. Kështu ndodhi me Judën dhe Izraelin para robërisë së tyre. Kështu ndodhi në kohën e mishërimit dhe të vdekjes shlyese të Krishtit. Kështu ndodh edhe sot. Perëndia ka siguruar gjithçka që duhet për drejtimin dhe nevojat tona frymërore në Shkrimet e së vërtetës (2 Tim. 3:16,17) [19]. 8:20-22 Çdo mësues duhet të provohet nga fjala e Perëndisë. Nëse mësimi i tyre nuk përkon me Shkrimin, “nuk ka dritë” në ta. Të gjithë ata që keqdrejtohen si endacakë, do të enden të rraskapitur dhe të uritur, duke mallkuar Perëndinë dhe mbretin për kërkesën e tyre; do ta kthejnë vështrimin nga qielli dhe toka për qetësi, por nuk do të gjejnë gjë tjetër veç errësirës dhe territmë të dendur. 9:1-5 [vargu 8:23 në shqip duhet të jetë vargu 9:1] Tani vihemi përballë ardhjes së Mesias. Trualli verior i Izraelit, quajtur vendi i Neftalit, që ishte shpërfillur nga pushtuesit, do të jetë i lavdishëm (Galileja e kombeve ishte shtëpia e fëmijërisë së Shpëtimtarit dhe skena e një pjese të shërbesës së tij publike). Ardhja e Parë e Krishtit i solli dritë Galilesë. Ardhja e Tij e Dytë do t’i sjellë gëzim kombit dhe do t’u japë fund skllavërisë dhe luftës. 9:6 Ardhja e Parë përshkruhet te vargu 6a [5a]: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë“. Fjalia e parë flet për anën e Tij njerëzore, ndërsa e dyta për atë hyjnore. Pjesa tjetër e vargut flet për Ardhjen e Dytë: mbi supet e tij do të mbështetet perandoria – Ai do të mbretërojë si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotëve. Pjesa tjetër e vargut përshkruan lavditë e Tij vetjake: do të quhet… i admirueshëm – kjo fjalë është një emër, jo mbiemër, dhe flet për Personin dhe veprën e Tij. Këshilltar – dituria e Tij në qeverisje. Perëndi i fuqishëm – i gjithëfuqishëm, Sundues më i lartë. Atë i përjetshëm – apo më mirë Ati (apo “Burimi”) i përjetësisë. Duke qenë Vetë i përjetshëm, Ai u jep jetën e përjetshme atyre që besojnë në Të. Vaini (Vine) komenton: “Kemi të bëjmë me një zbulim të dyfishtë në këtë varg: 1. Ai banon dhe zotëron përjetësinë (57:15); 2. Ai është i dashur, i butë, i dhembshur, një Mësues, Trajner dhe Parashikues i mençur” [20]. Princ i paqes (Sar-Shalom) – Ai që në fund do të sjellë paqe në këtë botë të pështjelluar. 9:6Perandoria e tij do të jetë e gjerë, paqësore dhe e pafund. Ulur mbi fronin e Davidit Ai do të sundojë me anë të mençurisë dhe të drejtësisë. Si do të ndodhë e gjitha kjo? Kujdesi xheloz i Perëndisë për popullin e Tij ka për ta bërë një gjë të tillë. 9:7-12 Përsëri profeti kthehet te gjëmimet e gjykimit, duke e ndarë mesazhin e tij në katër faza, secila duke mbaruar me refrenin: “Megjithatë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë” (v. 11,16,20,10:4). I paprekur nga ndëshkimi i mëparshëm, Izraeli kërcënon në kryelartësinë dhe arrogancën e tij për t’u rindërtuar më i lavdishëm se kurrë. Por Zoti premton se ai do të sulmohet prej sirëve nga lindja dhe filistenjve nga perëndimi. 9:13-16 Ai paralajmëron më tutje për shkatërrimin e plotë të popullsisë, nga plaku i nderuar te profeti që u mëson të tjerëve gënjeshtra. Ngaqë mbizotëron pabesia, zemërimi i Zotit nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë – në gjykim dhe jo në mëshirë. 9:17-20 Për shkak të ligësisë së përgjithshme toka do të digjet nga zjarri i luftës civile, i anarkisë, zisë së bukës, plaçkitjes dhe kanibalizmit. 10:1-4 Ndaj këtyre krerëve që u mohojnë drejtësinë të mjerëve, shtypin të varfrit dhe hartojnë vendime të padrejta shpallet një mjerim. Kur do të bjerë gjykimi i Perëndisë, ata do të humbin tërë pasurinë që kanë fituar përmes ryshfeteve dhe rrëmbimeve. 10:5-11 Perëndia do ta përdorë Asirinë për të ndëshkuar Judën. Por asirianët kanë plane më të mëdha se kaq! Qëllimi i saj është të ndërtojë një perandori botërore përmes pushtimit. Ajo mburret se princat e saj (apo komandantët) janë tërë mbretërit e saj, që qytetet në ‘shtegun’ e tyre nuk janë më të mëdha se ato që ka pushtuar dhe se idhujt e Izraelit dhe të Judës nuk krahasohen me ata të mbretërive që ka pushtuar ose nuk krahasohen me veten [Asirinë]. 10:12-19 Po Perëndia do të dënojë krenarinë dhe arrogancën e mbretit të Asirisë. Ky i fundit ia kushton suksesin e tij forcës dhe diturisë së tij. Shufra dhe shkopi në duart e Zotit nuk duhet të mburren kundër duarve që i mbajnë. Një fatkeqësi e tmerrshme do të godasë luftëtarët e fuqishëm asirë, që quhen gjithashtu lavdia e tij dhe lavdia e pyllit të tij dhe e fushës pjellore të tij. Drita e Izraelit është Zoti dhe ferrat dhe gjembat janë trupat asire. Të mbijetuarit e atyre trupave do të katandisen në një numër aq të vogël, saqë edhe një fëmijë do të mund t’i numërojë. 10:20-23Atë ditë… pjesa që mbetet e Izraelit… nuk do të mbështeten më mbi asirianët, ashtu si Ashazi, por… në të vërtetë mbi Zotin. Një pjesë e kësaj profecie ka të bëjë me Ardhjen e Dytë. 10:24-27 Edhe pse mbreti asir do të marshojë kundër Jerusalemit nga veriu, populli i Judës nuk duhet të ketë frikë, sepse Zoti i ushtrive do të ndërhyjë, ashtu siç ka vepruar kundër Madianit dhe Egjiptit, dhe Juda do të çlirohet nga frika e pushtimit asir. 10:28-34 Qytetet e përmendura krijojnë një përshkrim grafik e me ngjyra të rrugës marshuese të asirëve. Kudo ku afrohen pushtuesit ka frikë dhe luftime. Së fundi ata shfaqen afër kodrës së Jerusalemit. Pastaj Zoti ndërhyn dhe shkatërron ushtrinë, oficerët dhe njerëzit, sikur të priste një pyll. 3. Mbretëria mijëvjeçare e Mesias (kapitujt 11,12) 11:1 Isaia 11 është një ndër pjesët më të mëdha mbi Mijëvjeçarin, qoftë në DhV, qoftë në DhR. Me anë të një pjesë të shpejtë kalimtare, aq të shpeshta te profetët, përballemi tani me Ardhjen e Dytë të Krishtit. Së pari shohim paraardhjen e Birit të Davidit, një degëz e dalë nga trungu i Isaias [21], që ishte babai i Davidit (1 Sam. 17:12). 11:2 Vajosja e Mesias me Frymën e Zotit shprehet në tri çifte cilësish frymërore. Vaini (W. E. Vine) i shpjegon qartë dhe saktë: I pari, “fryma e diturisë dhe e zgjuarsisë“, lidhet me fuqitë e mendjes: dituria dallon natyrën e gjërave, zgjuarsia ndryshimet e tyre. I dyti, “fryma e këshillës dhe e fuqisë“, lidhet me veprimtarinë praktike: këshilla është aftësia për të nxjerrë përfundime të drejta, fuqia është forca e ushtruar në praktikimin e tyre. Çifti i tretë, “fryma e njohurisë dhe e frikës së Zotit“, ka të bëjë me përbashkësinë me Jehovahun; njohuria këtu është një njohje ndaj Jehovahut (që të dyja kanë të bëjnë me Jehovahun); Vetë Krishti ka thënë: “ju ende s’e keni njohur (ginosko, pra, nuk keni filluar ta njihni Atë), kurse unë e njoh (oida, pra, unë e njoh Atë me intuitë dhe plotësisht)”, Gjoni 8:55 [22]. 11:3-5 Më pas përshkruhet drejtësia e sundimit të Krishtit në vargje poetike madhështore; më pas ndëshkimi i Tij për të pabesin, drejtësia e Tij vetjake dhe mbretëria e Tij e paqes dhe sigurisë. 11:6-9a Edhe kafshët e egra do t’i nënshtrohen sundimit të Mesias, duke bërë të mundur që një foshnjë gjiritë lozë mbi vrimën e gjarprit [23]. 11:9b Një ndër premtimet më të lavdishme në tërë Shkrimin e Shenjtë është pjesa e dytë e vargut 9, duke treguar arsyen për kushtet ideale gjatë Mbretërisë Mijëvjeçare. 11:10-16 Mesia do të jetë një flamur, duke i tërhequr kombet drejt Vetes dhe froni i autoritetit të Tij do të jetë i lavdishëm. Zoti do të mbledhë mbetjen e popullit të Tij nga tërë drejtimet e horizontit. Juda dhe Izraeli (Efraimi) do të jetojnë së bashku në paqe dhe do të sundojnë mbi armiqtë e tyre – filistenjtë, edomitët, moabitët dhe amonitët. Gjuha e detit të Egjiptit (Deti i Kuq) do të thahet dhe lumi (Eufrati) do të katandiset në shtatë kanale, në mënyrë që judenjtë të kthehen në vend. Një rrugë do të lidhë Asirinë dhe Izraelin, në mënyrë që kthimi nga veriu të jetë i lehtë. 12:1-6 Në ditën e artë mijëvjeçare Izraeli do të këndojë këngë falënderimi dhe besimi. Me gëzim mbetja e shpëtuar do të shuajë etjen e saj duke e nxjerrë ujin nga burimet e shpëtimit. Izraeli do të këndojë gjithashtu si misionari i Perëndisë te kombet, duke i ftuar ato të shkojnë te Krishti për shpëtim.D. Gjykimi mbi kombet (kapitujt 13-24)
1. Gjykimi mbi Babiloninë (13:1-14:23) 13:1-5 Njëmbëdhjetë kapitujt që vijojnë përmbajnë profeci kundër kombeve pagane. Kombi i parë është Babilonia, fuqia botërore që shtypi Asirinë (rreth viteve 609 para K.). Te kapitulli 13 shikojmë Babiloninë që pushtohet nga medët e persët (viti 539 para K.). Megjithatë, disa nga profecitë shikojnë përtej kësaj ngjarjeje: te shkatërrimi përfundimtar i Babilonisë në fund të Mundimit të Madh (Zbulesa 17,18). Perëndia mbledh ushtrinë medo-perse (“Atyre që më janë shenjtëruar mua“), që të hyjnë në portat e princave (qyteti i Babilonisë) dhe për të shkatërruar mbarë dheun. 13:6-13 Më pas përshkruhen tmerret e fatkeqësisë – frikë dhe dhembje, lëvizje të tmerrshme të trupave qiellorë dhe një zvogëlim i tmerrshëm i popullsisë. Disa nga këto vargje shikojnë përtej triumfit medo-pers: te dita e Zotit, që do të prekë tërë botën dhe do të shoqërohet me kataklizma në qiej. 13:14-22 Do të ketë një turmë që do të dalë nga Babilonia, të huaj që kthehen në vendet e tyre. Ata që do të mbeten, do të vuajnë mizori të patregueshme. Vargjet 19-22 kanë pësuar një përmbushje të pjesshme [24], por shpalosja e plotë do të ndodhë në të ardhmen. Ka disa vështirësi lidhur me profecitë e shkatërrimit të Babilonisë, si për qytetin, ashtu edhe për vendin (Is. 13:6-22; 14:4-23; 21:2-9; 47:1-11; Jer. 25:12-14; 50; 51). Për shembull, pushtimi i qytetit nga medët (Is. 13:17) në vitin 539 para K. nuk rezulton në një shkatërrim të ngjashëm me atë të Sodomës dhe të Gomorës (Is. 13:19); nuk e lë qytetin të braktisur përgjithmonë (Is. 13:20-22); nuk u krye prej një kombi nga veriu – Medo-Persia ishte në lindje (Jer. 50:3); nuk rezultoi në gjithë Izrael që kërkonte Zotin apo kthehet në Sion (Jer. 50:4-5) (një mbetje po, por jo gjithë Izrael), dhe nuk përfshin shembjen e mureve dhe djegien e portave (Jer. 51:58). Kur ndeshemi me një vështirësi të tillë, si arrijmë ta zgjidhim? Së pari, miratojmë përsëri besimin tonë të plotë në Fjalën e Perëndisë. Nëse ka ndonjë vështirësi, kjo vjen për shkak të njohjes sonë të pakët. Por kujtojmë se profetët kishin zakonisht një mënyrë shkrirjeje të së ardhmes së afërt dhe asaj të largët, pa treguar gjithmonë shenjat e kohëve. Me fjalë të tjera, një profeci mund të kishte një përmbushje vendore e të pjesshme dhe një përmbushje të largët e të plotë. Babilonia është një rast i tillë. Nuk janë përmbushur të gjitha profecitë. Disa prej tyre mbeten ende për të ardhmen. Babilonia është vënë në listë për të luajtur një rol të rëndësishëm gjatë Mundimit të Madh. Por rrënimi i saj është caktuar tashmë me ngjyra të gjalla te Zbulesa 17 e 18. Para Ardhjes së Dytë të Krishtit, tërë profecitë rreth shkatërrimit të Babilonisë do të përmbushen krejtësisht. Ajo që është e paqartë për ne sot, do të jetë tepër e qartë për ata që do të jetojnë në atë kohë. 14:1,2Zoti në keqardhjen e Tij do të përtërijë Izraelin përsëri në vendin e tyre. Kombet pagane do të ndihmojnë në kthimin dhe do të jetojnë në paqe me popullin e Perëndisë. Pronarët e mëparshëm të Izraelit do të jenë robërit e tij. Jakobi dhe shtëpia e Izraelit përfaqëson judenjtë në robëri në Babiloni. Zgjedhja e tyre nga Zoti do të thotë çlirimi nga vendi i robërisë dhe vendosja përsëri në vendin e tyre. Ata të huaj që do të kapen pas shtëpisë së Izraelit janë prozelitët nga Babilonia. Populli që do t’i çojë përsëri në vendin e tyre ka të bëjë me tërheqjen e favorshme të Kirit dhe të të tjerëve që ndihmuan judenjtë në kthimin e tyre. 14:3-11 I çliruar nga përndjekja dhe skllavëria e rëndë, Izraeli do të këndojë një këngë tallëse kundër mbretit të Babilonisë. Zoti e ka thyer fuqinë e tij dhe i ka dhënë fund tiranisë së tij – madje edhe pyjet që nuk do të zhvishen më nga ushtritë e tij. Më në fund paqe! Banorët e Sheolit ndodhen atje për ta përshëndetur, duke u gëzuar se edhe atij i është hequr fuqia. Salltaneti dhe buja e mbretit të Babilonisë ka kaluar. Muzika e pallatit mbretëror ka reshtur. Ai fle në një çarçaf vemjesh dhe mbulohet nga një mbulesë krimbash. 14:12-17 Ndërsa vazhdon kënga tallëse tema, duket se shtrihet nga rënia e mbretit të Babilonisë te rënia e atij që e kishte shtyrë, Satani vetë (Luciferi [25]). Ryriu (Ryrie) shkruan se kjo është “pa tjetër një referim për Satanin, për shkak të përshkrimit të ngjashëm prej Krishtit (Luka 10:18) dhe papërshtatshmërisë së shprehjeve të Is. 14:13,14 për buzët e ndonjë tjetri veç Satanit (krahasoni 1 Tim. 3:6)” [26]. Ngaqë ky yll i ditës, bir i agimit, shpalli me krenari dëshirën e tij mbi atë të Perëndisë, ai u dëbua nga qielli. Vargjet 13 e 14 shkruajnë për përsëritjen e shprehjes së njohur “Unë do të” të Satanit në sfidën e tij ndaj Perëndisë. Në fund ai do të hidhet në Sheol, një objekt çudie. Banorët e Sheolit do të mrekullohen, se dikush që ka ushtruar një fuqi të madhe do të bjerë aq poshtë. 14:18-21 Duke u kthyer te mbreti i Babilonisë, kënga përmend se ndërsa pjesa më e madhe e mbretërve prehen në varre madhështore, atij i mohohet një varrosje e hijshme. Ai nuk do të ketë as lapidar dhe pasardhja e tij mbretërore (fëmijët e tij) do të vritet. 14:22,23 Qyteti i Babilonisë do të shpopullohet dhe do të spastrohet nga fshesa e Perëndisë. 2. Gjykimi mbi Asirinë (14:24-27) Tema tashmë ndryshon në shkatërrimin e asirëve, që kishin sundim mbi Babiloninë në atë kohë. Ushtritë e Asirisë do të shtypen në malet e Izraelit [27]. Përmbushja e plotë e kësaj profecie do të ndodhë gjatë periudhës së Mundimit të Madh, kur mbreti i Veriut do të mundet ndërsa përpiqet të pushtojë tokën e Emanuelit. 3. Gjykimi mbi Filistinë (14:28-32) 14:28-31Filistia nuk duhet të gëzohet me vdekjen e Ashazit, nipit (këtu quajtur shufra) të Uziahut që kishte goditur filistenjtë (2 i Kronikave 26:6,7). Një pasardhës tjetër, Ezekia, do t’i sulmonte si një nepërkë dhe një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues (shikoni 2 i Mbreterve 18:8). Më pas të varfrit dhe nevojtarët e Perëndisë do të jenë të sigurt, por Zoti do t’i vizitojë filistenjtë me uri dhe do të shkatërrojë të mbijetuarit. Asirët pushtues do të vijnë nga veriu si një re tymi. Megjithatë, njerëzit e Perëndisë do të jenë të sigurt në Jerusalem. 14:32 Nëse ndonjë lajmëtar pagan do të pyesë se çfarë po ndodh, do t’i thuhet se Zoti po përmbush premtimet e Tij ndaj Sionit dhe po mbron banorët e Jerusalemit. 4. Gjykimi mbi Moabin (kapitujt 15,16) 15:1-7 Isaia këndon një vajtim elokuent rreth rrënimit të Moabit. Dy qytetet e tij të fortifikuara, Ari dhe Kiri, do të shkatërrohen papritmas. Qytetet dhe fshatrat e vogla janë zhytur në zi. Edhe Isaia mallëngjehet për refugjatët ndërsa ata ikin nga vendi. Peizazhi është zhdukur dhe njerëzit largohen përgjatë kufirit me çfarëdo lloj mjeti shpëtimi. 15:8,9Britmat shtrihen në gjithë territorin e Moabit. Emri i qytetit të Didonit (i ligur) në vargun 2 bëhet Dimon në vargun 9 – mbase një lojë fjalësh, meqë Dimon i ngjan fjalës hebraike dam (gjak). Kështu “ujërat e Dimonit janë plot me gjak“. Edhe ata që do të largohen, do të sulmohen nga një luan. 16:1,2 Përshkrimi i shkretimit të Moabit vazhdon në kapitullin 16. Moabitët që janë larguar për në Sela (Petra, kryeqyteti i Edomit) për strehim, këshillohen t’i dërgojnë si haraç një qengj sunduesit të vendit (mbretit të Judës), në malin e bijës së Sionit (Jerusalemit), ashtu siç kishin dërguar më parë qengja në Samari (2 i Mbreterve 3:4). Njerëzit janë tepër të shqetësuar për shkak të fatkeqësisë së tyre të ardhshme. 16:3-5 Zoti e këshillon Moabin të fshehë judenjtë e shpërndarë të Perëndisë, ashtu si në hijen e natës, për të siguruar një shenjtërore dhe strehë për ta. Shkatërruesi, tirani dhe shtypësi do të reshtin dhe Zoti do të mbretërojë në fronin… e Davidit… në dhembshuri…, në besnikëri, gjykim dhe drejtësi. 16:6-12 Rënia e Moabit shkaktohet nga krenaria dhe fodullëku i tij. Në tërë vendin ka zi të madhe. Fushat jopjellore të Heshbonit janë djerrë dhe hardhitë luksoze të Sibmahut janë prishur. Përsëri vetë profeti mban zi për rrënimin e madh. Kur Moabi t’i lutet idhujve të tij, nuk do të vijë asnjë ndihmë. 16:13,14 Profecive të mëparshme të Perëndisë rreth rënies së Moabit u shtohet tani informacioni se këto gjëra do të ndodhin brenda tre vjetëve, sa vitet e një argati me mëditje – pra, asnjë minutë më gjatë sesa koha e caktuar. 5. Gjykimi mbi Damaskun (kapitulli 17) 17:1-3 Orakulli i tretë parashikon rrafshimin e Damaskut, kryeqytet-shteti i Sirisë dhe qytetet e tij përqark. Për shkak të aleancës së tij me Sirinë, Efraimi (Izraeli) do të pësojë të njëjtën rënie. Efraimi do të jetë pa mbrojtjen e tij, Damasku pa mbretërinë e tij dhe sirët e mbijetuar pa lavdinë e tyre. Damasku u shkatërrua nga ushtritë asire më 732 para K. dhe Samaria ra dhjetë vjet më vonë. 17:4-6 Në ditën e gjykimit të tij Izraeli do të pësojë fatkeqësi dhe do të mundohet. Do të zhvishet si fusha pas korrjes në luginën e Refaimit – vetëm një mbetje e vogël do të lihet. 17:7-11 Atëherë populli do të kthehet te Perëndia i vërtetë e i gjallë, Krijuesi i vet, i Shenjti i Izraelit, dhe do të heqë dorë nga gjithçka që ka të bëjë me idhujtarinë. Qytetet e fortifikuara do të shkretohen ashtu si qytetet e hivenjve dhe të amorenjve pasi izraelitët i kishin pushtuar. Dhe pse do të ndodhë e tërë kjo? Sepse populli i Perëndisë ka harruar Atë dhe është kthyer te shartesat e huaja, pra, aleancat, fetë dhe zakonet e huaja. Vjelja do të jetë fatkeqe. 17:12-14 Duke filluar me vargun 12 dhe duke vazhduar përmes kapitullit 18, kemi një interval të shkurtër me dy lëvizje, secili duke filluar me termin “Mjerë“. Lëvizja e parë paraqet kombet johebrease, që vërshojnë kundër Izraelit me zhurmën e tmerrshme të luftës moderne. Por menjëherë ato kthehen mbrapsht nga Zoti dhe kërcënimi i Izraelit hiqet brenda natës, ashtu si në rastin e shkatërrimit të ushtrisë asire. 6. Gjykimi mbi tokat pa emër në Afrikë (kapitulli 18) Ky nuk është një “mjerim“ [28], por një “ou”, duke bërë thirrje për një komb të panjohur miqësor, që dërgon lajmëtarë te populli i Izraelit (v. 2,7). Shprehja “me krahë të zhurmshëm” mund të hedhë idenë e dëshirës për të mbrojtur popullin jude. Në të njëjtën kohë, kombet e tjera pagane zënë pre popullin e Perëndisë, ndërsa Ai do të shikojë në heshtje. Por Perëndia do t’i shkatërrojë, duke ua lënë kufomat e tyre kafshëve të tokës dhe zogjve grabitqarë. Izraeli do të shkojë atëherë në malin Sion si një ofertë për Zotin. Vargu 7 mund të lexohet më mirë: “Në atë kohë oferta që do t’i çohet Jehovahut do të jetë e një kombi të shpërndarë dhe të rrënuar…” (JND), sesa “nga një popull…”. Kjo flet për ripërtëritjen e Izraelit në Ardhjen e Dytë të Krishtit. 7. Gjykimi mbi Egjiptin (kapitujt 19,20) 19:1-3 Kur Zoti zbret në gjykim mbi Egjipt, idhujt do të lëkunden dhe populli do të frikësohet. Do të plasë lufta civile dhe truri më i mirë qeverisës do të mbështetet më kot tek idhujt dhe forma të ndryshme spiritizmi (magjistarët). 19:4-10 Një tiran i ashpër… do të sundojë vendin. Thatësira e egër do të shterë burimet e ujit, duke shkaktuar shkatërrimin e të korrave, duke goditur industrinë e peshkut, duke mbyllur uzinat tekstile dhe duke sjellë rrënim në çdo segment të popullsisë, qoftë krerëve apo njerëzve të thjeshtë. 19:11-15Këshilltarët më të mirë të faraonit, që jetojnë në Tsoan dhe Nof, nuk do të kenë dituri për t’u përballur me situatën. Në fakt, këshilla e tyre i ka sjellë fatkeqësi Egjiptit, kështu që situata tani është e pashpresë. Pesëmbëdhjetë vargjet e para janë përmbushur tashmë. Duke pasuar vdekjen e Tirhakahut, që sundonte në Egjipt në kohën e profecisë së Isaias, vendi u nda nga grindjet civile. Egjipti u nda në dymbëdhjetë mbretëri, të gjitha nën sundimin e Asirisë. Së fundi, vendi u bashkua përsëri nën Psametikusin, “padroni i ashpër” i vargut 4. Pjesa tjetër e kapitullit është ende e papërmbushur. 19:16,17 Kur Perëndia të tundë grushtin e Tij, popullsia do të tronditet nga tmerri. Përmendja e thjeshtë e Judës do të bëjë që zemrat e egjiptianëve të fundosen. 19:18-20 Por vendit të Egjiptit i premtohet edhe ripërtëritje. Pesë qytete do të bëhen qendra për adhurimin e Jehovahut, përfshi Heliopolisin (qyteti i Diellit), i quajtur gjithashtu qyteti i shkatërrimit. Atë ditë do të ketë në mes të vendit të Egjiptit një altar kushtuar Zotit dhe një shtyllë të ngritur për Zotin pranë kufirit të tij, duke qenë që të dy dëshmitarë të Zotit. Jozefusi (Josephus) na tregon se profecia e vargut 19 u përmbush në vitin 1 para K. kur Oniasi, kryeprifti, duke u larguar nga Jerusalemi, mori leje të ndërtonte një altar në Egjipt. Por domethënia e plotë e profecisë është pa dyshim mijëvjeçare. 19:21,22 Gjykimet e Perëndisë mbi Egjiptin do të bëjnë që populli të adhurojë Atë. 19:23Një rrugë do të kalojë nga Egjipti (përmes Izraelit) në Asiri me kalime pa pengesa. Kombet do të bashkohen në adhurimin e Jehovahut. 19:24,25Izraeli, i treti me Egjiptin dhe me Asirinë: pra, ata do të përbëjnë një aleancë të trefishtë, duke gëzuar bekimet e mbretërisë së Krishtit. Vini re përsëritjen e shprehjes “atë ditë” (v. 16,18,19,21,23,24). 20:1-6 Më 711 para K., Tartani, apo kryekomandanti i Sargonit, mbret i Asirisë, pushtoi qytetin palestinez Ashdodin. Në atë kohë Zoti i tha Isaias të ecte lakuriq (i zhveshur – jo fare lakuriq) dhe zbathur…, si shenjë dhe paralajmërim i përuljes trevjeçare që do të vinte kundër Egjiptit dhe Etiopisë kur do të pushtoheshin nga Asiria. Atëherë populli i Judës do të shohë marrëzinë e besimit tek Egjipti për t’u mbrojtur kundër Asirisë (disa komentues hedhin idenë se vargjet 5 e 6 u referohen filistenjve, apo si filistenjve ashtu edhe Judës, pra, tërë vendit të Palestinës) [29]. 8. Gjykimi mbi Babiloninë (21:1-10) 21:1-4 Tre orakujt e kapitullit 21 sjellin lajme të këqija për Babiloninë, Edomin dhe Arabinë. Shkretëtira e detit është Babilonia, mbase ajo pjesë e Babilonisë ngjitur me Gjirin Persik. Shkatërrimi do të vrumbullitë mbi të si shakullinat… nga shkretëtira. Ngaqë ende shkatërron dhe plaçkit, do të ulet nga persët (Elami) dhe medët (Medi). Babilonia nuk do t’i bëjë më të tjerët të rënkojnë ashtu si robërit judenj. Vegimi është aq i tmerrshëm, saqë e bën Isaian me ankth të fortë. 21:5 Ndërsa krerët bëjnë festë e aheng në siguri të hamendësuar, papritur dëgjohet thirrja për luftë (“Vajosni mburojat“). Referimi, sigurisht, është për festën e Belshazarit (Dan. 5). 21:6-10Zoti udhëzon Isaian të caktojë një rojë për të përshkruar turmat sulmuese, sidomos njësitë e panumërta kalorësiake. Pas pritjes me ditë e net, ai njofton përparimin e kalorësve në çifte. Kjo mund të hedhë idenë e medëve e persëve. Më pas, me një sokëllimë si prej luani, ai shpall rënien e Babilonisë dhe të fesë së saj idhujtare. Shpallja është një mesazh ngushëllimi për Izraelin, një komb që është shirë dhe shoshitur nga Babilonia. Është gjë e mirë të kujtojmë se kjo profeci është bërë rreth dyqind vjet para rënies babilonase. Edhe ne mund të jemi roje për mbretërinë e Perëndisë: Roja është ai që qëndron në këshillat e Perëndisë, njeh atë që do të ndodhë dhe bën kujdes për ngjarjen. Po kështu tani, ai që mëson nga Shkrimet e plota atë që ka paracaktuar Perëndia, duke dalluar qëllimet e Tij, jo me anë të interpretimeve spekulative, por duke krahasuar Shkrimin me Shkrimin dhe duke pranuar se ajo që është bërë e qartë, është e aftë të paralajmërojë dhe të nxisë të tjerët. Ai qëndron mbi kullën e vrojtimit (vargu 7) në përbashkësi me Perëndinë [30]. 9. Gjykimi mbi Dumahun (Edomin; 21:11,12) Dumahu është Idumea apo Edomi. Një edomit i mbushur me ankth pyet rojën se në ç’pikë ka shkuar nata, pra, nëse kërcënimi asir ka mbaruar. Përgjigjja është: Nata e trazirës suaj të tashme do të përfundojë dhe një ditë e re do të agojë, por shpejt do të vijë një natë tjetër. Nëse kërkon një përgjigje ngushëlluese për pyetjet e tua plot ankth së pari duhet “të kthehesh”, një fjalë që do të thotë gjithashtu “të pendohesh”. Vetëm atëherë përgjigjja do të jetë ashtu siç e shpreson; nata e vuajtjes sate do të përfundojë dhe një mëngjes i ri i shkëlqyer çlirimi do të agojë mbi ty [31]. 10. Gjykimi mbi Arabinë (21:13-17) Edhe për Arabinë priten probleme. Karvanët do ta kalojnë (fshihen) natën në pyje nga ushtria asire dhe ata që do të largohen nga kasaphana do të vuajnë uri dhe etje të tmerrshme. Zoti ka shpallur se lavdia e Arabisë do të zhduket… për një vit dhe vetëm disa nga luftëtarët e saj të famshëm do të mbijetojnë. Shprehja “viti i një argati me mëditje” do të thotë asnjë ditë më tepër se një vit. 11. Gjykimi mbi Jerusalemin (kapitulli 22) 22:1-5Lugina e Vegimit i referohet Jerusalemit (shikoni v. 9-11). Qyteti është në rrethim. Populli po grumbullohet mbi çatitë për të parë armikun te dyert. Rrugët e qytetit që dikur ishte në festë janë mbushur me viktima nga plagë. Krerët dhe populli që përpiqen të shpëtojnë zihen robër pa luftuar. Vetë Isaia nuk ngushëllohet ndërsa shikon gjykimin kërcënues të Perëndisë mbi Jerusalem. 22:6-11Elami dhe Kiri janë njësitë jugore e veriore të ushtrisë babilonase. Qerret dhe kalorësia e tyre mbushin luginat rreth qytetit. Judenjtë thurin plane për t’i bërë ballë rrethimit. Ata kontrollojnë armatimin (pallatin e Pyllit), shkatërrojnë shtëpitë për të marrë gurë për të rindërtuar muret, përpiqen të nxjerrin një burim uji me mjete rrethanore. Ata bëjnë gjithçka, por nuk shikojnë tek Ai që i ka bërë dhe që u ka drejtuar fatkeqësinë dhe e ka planifikuar prej një kohe të gjatë më parë. 22:12-14 Në kohën kur Zoti po i thërret për pendim, ata jetojnë në shthurje dhe në mënyrë të pashpirt. Për këtë nuk do të falen. 22:15-19Shebna, administratori i pallatit mbretëror në oborrin e Ezekias, po përgatit për vete një varr të stolisur. Perëndia i thotë përmes Isaias se përpjekjet e tij janë të kota. Zoti do ta flakë në robëri si një top pambuku dhe do të vdesë në një vend të huaj, në mënyrë që të kujtohet për një kohë të gjatë. Mbase Shebna udhëhoqi grupin që përkrahte aleancën me Egjiptin. 22:20-24 Pasi Shebna është zhgraduar, Eliakimi (Perëndia do të vendosë) zë vendin e tij. Si një simbol i Zotit Jezus, Eliakimi do të jetë një sundimtar i përgjegjshëm dhe i dhembshur me autoritet të plotë. Atij do t’i jepet çelësi i shtëpisë së Davidit [32] për të kontrolluar dhomat mbretërore dhe për të zgjedhur shërbëtorët në shtëpinë mbretërore (Te Zbulesa 3:7, për Zotin Jezus thuhet se ka çelësin e shtëpisë së Davidit). Eliakimi do të vendoset fort në pozitën e tij dhe do të ketë autoritet të plotë në fushën e tij të shërbimit. 22:25 Meqë Eliakimi është qartë gozhda e ngulur në vend të sigurt (v. 23a), heqja dhe rënia e tij mund t’i referohet robërisë së shtëpisë së Judës, për të cilën ai ishte përfaqësues. 12. Gjykimi mbi Tiron (kapitulli 23) 23:1-5 Duke u kthyer nga Tarshishi (mbase nënkuptohet Spanja këtu), detarët nga Tiroja marrin njoftim për rënien e qytetit kur shkojnë në Qipro (Kitim). Duke i pasur shtëpitë të shkatërruara dhe duke mos pasur as port për t’u kthyer, ata ulërijnë të tmerruar. Tregtarët e Sidonit qëndrojnë në heshtje varri ndërsa kujtojnë se si fqinjët e tyre tiroanë kishin përshkuar detin duke sjellë grurë nga Nili i Sipërm (Shihori), se si kishin qenë tregtarë të kombeve. Sidoni, qyteti-mëmë i Tiros, mbushet me turp, ndërsa valët që godasin rrënojat e Tiros duken se jehojnë vajtimin e qytetit. Është njëlloj sikur Tiro të mos kishte pasur kurrë fëmijë si banorë të tij! Edhe Egjiptido të hidhërohet për lajmin e humbjes së klientit të tij më të mirë. 23:6-9 Për tiroanët na thuhet se kërkojnë strehë në një vend të largët, në Spanjë (Tarshish). Një herë e një kohë banorë të një qyteti të begatë, këmbët e tyre tani i çojnë në toka të largëta. Dhe kush e solli këtë tmerr në Tiro, me tërë fuqinë, pasuritë dhe lavdinë që kishte? Ishte Zoti i ushtrive – i vendosur për të errur krenarinë e çfarëdo shkëlqimi njerëzor. 23:10-17 Duke menduar sulmin e Nebukadnetsarit ndaj Tiros, u thuhet njerëzve të shpëtojnë në vendet e tjera, duke u shpërndarë si Nili (pra, si lumi Eufrat që kalon në shumë vende). Perëndia ka ngritur Babiloninë për të shkatërruar qytetin tregtar (Kanaanin). Edhe sikur refugjatët të arratisen në Kitim (Qipro), nuk do të gjejnë prehje. Profeti çuditet që një komb në hije me fillesa të dobëta, themeluar nga Asiria, të katandisë në një grumbull gërmadhash Tiron. Tiroja do të harrohet gjatë shtatëdhjetë vjetëve të monarkisë kaldease. Në fund të kësaj kohe ai do të rifillojë me gëzim kurvërinë e tij tregtare me të gjitha mbretëritë e botës mbi faqen e dheut. 23:18 “Fitimi nga tregtia… dhe paga e Tiros” ka të bëjë me Ardhjen e Dytë të Krishtit, kur “bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata” (Psa. 45:12). Thesaret e saj do të jenë një ofertë e shenjtë për Zotin. 13. Gjykimi mbi tërë tokën (kapitulli 24) 24:1-3 Gjykimet e Perëndisë duket se fillojnë me tokën e Izraelit, por ato shtrihen duke përfshirë tërë tokën dhe madje të ligjtë në qiej. “Toka” mund të përkthehet gjithashtu “vendi” dhe referimi i priftit në vargun 2 hedh idenë se në vargjet 1-3 merret parasysh vendi i Izraelit. Vini re se si ndryshon teksti midis vendit dhe popullit. Shkatërrimi është kataklizmik dhe prek të gjitha klasat e popullsisë. 24:4-13 Përmendja e “botës” në vargun 4 hedh idenë se skena e gjykimit është zgjeruar. Shkaku i ndotjes mbarëbotërore është se njerëzit kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme. Disa e marrin këtë si referim për besëlidhjen e bërë me Noeun (Zanafilla 9:16), por ajo besëlidhje pa kushte varej plotësisht nga Perëndia. Të tjerë mendojnë se i referohet ligjit të Moisiut, por ai iu dha vetëm Izraelit dhe për të nuk thuhet se është një besëlidhje e përjetshme. Komentari i diturisë së Biblës (The Bible Knowledge Commentary) thotë se është “besëlidhja që populli, në mënyrë të padyshimtë, kishte me Perëndinë për t’iu bindur Fjalës së Tij” [33]. Qyteti i rrëmujës mund të nënkuptojë Jerusalemin, por në kuptimin e plotë të fjalës mund të përfshijë tërë civilizimin qytetar. 24:14-20 Një mbetje e ruajtur dëgjohet t’i këndojë lavde Jehovahut (versioni NKJ, Zotit) për hirin e Tij shpëtues. Më pas profeti mban zi për tmerret e paimagjinueshme të Mundimit të Madh. Ajo do të jetë një kohë tradhtie. Shpëtimi do të jetë i pamundur. Toka do të bjerë si një i dehur, sikur të goditej nga një shkundje mamuthi. Ajo do të bjerë për të mos u ngritur më. 24:21-23 Edhe moritë e liga në vendet qiellore do të gjykohen. Kjo përkon me Zbulesën 19:19,20; 20:1-3. Mbretërit e dheut që kanë shërbyer si kukullat e tyre do të pësojnë të njëjtin gjykim në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Lavdia e pashoqe e Zotit do të turpërojë diellin dhe hënën.E. Libri i këngëve (kapitujt 25-27)
1. Kënga e lavdërimit të Izraelit për bekimet e mbretërisë (kapitulli 25) 25:1-5 Kapitujt 25-27 janë quajtur “Libri i këngëve”. Këtu mbetja e përtërirë e judenjve lavdëron Zotin për çlirimin e Tij nga Mundimi i Madh. Qytetet armike (duke mos përmendur në mënyrë të veçantë ndonjë qytet) janë bërë copë-copë, duke bërë që johebrenjtë të pranojnë fuqinë e Jehovahut. Perëndia ka qenë për popullin e Tij gjithçka që ata kanë pasur nevojë. 25:6-9 Në malin Sion Zoti shtron një banket gëzimi të thellë frymëror. Ai heq cipën e paditurisë, mbulesën e verbërisë satanike që ka mbuluar gjithë kombet. Ai del fitimtar mbi vdekjen (duke ringjallur shenjtorët e Mundimit të Madh që kanë vdekur), zhduk brengën dhe heq shenjën nga populli jude. Mbetja do të thotë: “Ja, ky është Perëndia ynë: tek Ai kemi shpresuar…, të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!”. 25:10-12 Armiqtë e Izraelit, përfaqësues i të cilëve është Moabi, do të shkelet në mënyrë të turpshme. Perëndia krahasohet me një notar në vargun 11, duke shtrirë duart e tij në gjykim në mes të moabitëve. 2. Kënga e Judës për Shkëmbin e Përjetshëm (kapitulli 26) 26:1-4 Të kthyer në vendin e tyre, mbetja e përtërirë kremton jetën e besimit dhe të varësisë. Qyteti i Perëndisë është një kontrast me qytetin e njeriut (24:10). Kombi i drejtë (Izraeli i shpenguar) përjeton një paqe të përsosur, që vjen nga mbështetja e fortë tek Jehovahu. Për vargun 3 shkrimtari i dëgjuar i himneve të baptistëve amerikanë, Filip Blis (Philip P. Bliss), thoshte shpesh: “Më pëlqen ky varg më tepër se çdo varg tjetër në Bibël: ‘Ti i ruan një paqe të përsosur mendjes që pushon te Ti; sepse kjo ka besim te Ti'” [34]. Mëydi (Moody) e lidhte vargun 3 dhe 4 me fjalët që vijojnë: “Pema e paqes i ka të kapura rrënjët e saj në plasaritjet e Shkëmbit të Përjetshëm” [35]. Ata kuptojnë në fund se “Zoti (hebraisht YAH, një formë e shkurtuar e YHWH), është shkëmbi i përjetshëm”, apo është forca e përjetshme (versioni NKJ). Nga kjo shprehje August Topladi (Augustus Toplady) mori idenë për një ndër himnet më të mëdhenj në gjuhën angleze: “Shkëmbi i përjetshëm”. Duke kërkuar strehë te një plasaritje në një vend të thepisur shkëmbor gjatë një stuhie të dhunshme, ai shkroi: Shkëmb epokash hapur rri, le të fshihem unë te Ti. Gjaku, uji i Tëndes brinjë le të jenë dyfish shërim. Nga mëkati të më lajë, nga të tij’t fuqi e faj. Kur kjo jetë të kalojë, dhe syt’ vdekja t’m’i mbulojë. Kur lart’sirat t’ kapërcej dhe në fron Ty do të gjej, Shkëmb epokash hapur rri, që të fshihet unë te Ti. 26:5,6 Qytetërimi krenar i njeriut është ulur deri në pikën ku … qytetin e lartë e shkelin këmbët e të varfrit dhe hapat e mjeranëve. 26:7-15 Vargjet 7-19 duken se rrëfejnë me hollësi lutjet e mbetjes kur do të kalojë përmes Mundimit të Madh. Zoti ka sheshuar rrugën për ta dhe ata kanë pritur me zell që Ai të shfaqej. Vetëm kur Perëndia do të veprojë në gjykim i pabesi do ta mësojë drejtësinë. Dora e Perëndisë është ngritur në gatishmëri, por kur të bjerë në zemërim, ata do të mbeten të hutuar dhe atëherë do të ketë paqe për Izraelin. Mbetja është kryesuar nga shumë zotë paganë, por Perëndia është Zoti i tyre i vërtetë dhe i vetëm. Kombet që kanë lënduar Izraelin nuk do të rijetojnë për ta lënduar përsëri popullin e Perëndisë. Ky varg nuk e mohon ringjalljen trupore të të pabesit; por premton thjesht se fuqitë pagane nuk do të ripërtërihen më. 26:16-19 Por pasi Izraeli kalon përmes dhimbjeve të rënda, të ngjashme me ato të lindjes së fëmijës, që në pamje të parë nuk kanë sjellë asgjë, kombi do të gëzojë një ringjallje. Jehovahu i përgjigjet lutjes së popullit të Tij me një premtim të përcaktuar të ripërtëritjes kombëtare kur vesa e freskët e një drite (Fryma e Shenjtë) do të përhapet në vend. 26:20,21 Ndërkohë, Zoti këshillon mbetjen besnike të popullit të Tij që të fshihet në dhomat e fshehta ndërsa Ai do të derdhë zemërimin e Tij mbi botën besimmohuese. 3. Kënga e Perëndisë për Izraelin e shpenguar (kapitulli 27) 27:1 Në atë ditëZoti, Jehovahu, do të ndëshkojë… Leviathanin, gjarprin e shkathët (Asirinë), gjarprin Leviathan dredha-dredha (Babiloninë) dhe do të vrasë përbindëshin që është në det (Egjiptin). Disa komentues i kuptojnë të tre përbindëshat si simbole të Babilonisë. Të tjerë i shohin si simbol të Satanit që u jep forcë fuqive të botës; ai quhet gjarpri dhe dragoi (Zanafilla 3:1; Zbulesa 12:3; 13:2; 16:13). 27:2-6Atë ditë Perëndia do të gëzohet me vreshtin e Tij të shpenguar, që jep verë të kuqërremtë (Izraeli) me këngë. Ai do ta ruajë natën e ditën. Ai nuk ruan më zemërim kundër popullit të Tij. Nëse do të ngrihet ndonjë fuqi e keqe [komb] kundër kësaj mbetjeje, Ai do t’i djegë të gjitha tok si ferrat dhe gjembat. Do të ishte më mirë për këto kombe të kthehen te Zoti për mbrojtje dhe paqe. Gjatë Mijëvjeçarit Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë, dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte. 27:7-9 Perëndia nuk është sjellë me Izraelin si me sovranët e tij paganë! Jo, ndëshkimi i Tij ndaj Izraelit ka qenë me masë dhe i kufizuar. Ai i çoi në mërgim për t’i pastruar nga mëkati i idhujtarisë. Ky synim do të arrihet kur Izraeli do të shkatërrojë plotësisht çdo dukje asherimi. 27:10,11 Ndërkohë, Jerusalemi shihet në rrënoja, ashtu siç duket nga viçat që kullosin në gëmusha dhe gratë që mbledhin degë për zjarr. Dhe kjo ka ardhur ngaqë populli nuk ka treguar dallim frymëror. 27:12,13 Në atë ditë… Zoti do të shijë të vërtetin dhe të rremin brenda vendit të Izraelit. Atëherë Ai do t’i mbledhë përsëri ata judenj që janë shpërndarë në kombet e tilla pagane si Asiria dhe Egjipti. Përsëri në vendin e tyre ata do të mblidhen në Jerusalem dhe do të adhurojnë Zotin.F. Rënia dhe ngritja përsëri e Izraelit dhe e Jerusalemit (kapitujt 28-35)
1. Mjerim për Efraimin/Izraelin (kapitulli 28) 28:1-4 Samaria ishte kurora e kryelartësisë, lulja e fishkur e të dehurve… të Izraelit (Efraimit). Qyteti në majë të kodrës ishte si një kurorë që shikonte poshtë luginës pjellore të popullit të mposhtur nga vera, kënaqësia, materializmi dhe seksi. Pushtuesit asirë janë gati për të përpirë qytetin sikur të ishte një fik i pjekur në qershor. 28:5,6Zoti i ushtrive do të jetë një kurorë lavdie e pavyshkur për pjesën tjetër besnike kur do të kthehet për të vendosur mbretërinë e Tij. Ai do të fuqizojë udhëheqësit për të ekzekutuar gjykimin dhe për të sprapsur armikun deri te portat e qytetit të Tij. 28:7,8 Profeti i kthehet Judës. Ashtu si Izraeli, edhe ata janë të dehur dhe zhgërryhen në të vjellat dhe ndyrësirat e tryezave. Edhe prifti dhe profeti janë përzier. 28:9,10 Udhëheqësit fetarë tallen me Perëndinë, duke u ankuar se Ai përdor të folura foshnjore kur u flet atyre. A mendon Zoti se po merret me çunakë, duke i mësuar me rrokje (në hebraisht)? [36]. 28:11-13 “Në rregull” – thotë Perëndia – “meqë ju nuk doni të dëgjoni gjuhën time të thjeshtë e të kuptueshme, do t’ju dërgoj një pushtues të huaj (asirinë) në mesin tuaj”. Gjuha e tyre e huaj do të jetë një shenjë gjykimi mbi popullin që refuzoi Perëndinë kur Ai u ofronte më kot atyre prehje dhe aftësinë për t’u administruar prehjen të tjerëve. Për sa i përket Zotit, ashtu siç e paraqet Xheninksi (Jennings), Ai do të vazhdojë të flasë me fjalët më të thjeshta dhe më të qarta; por kjo do të ndodhë që tërë përgjegjësia e mospranimit të tyre t’u ngarkohet, jo fshehtësisë së mesazhit, por atyre që nuk e kanë pranuar [37]. 28:14,15 Sunduesit e Judës mburreshin për besëlidhjen e tyre me Egjiptin, sikur të ishte çlirim nga sulmi asir, por aleanca e tyre nënkuptonte vdekje dhe Sheol për ta. Ata po u besonin gënjeshtrave dhe falsitetit (sigurisht, besëlidhja me vdekjen dhe pakti me Sheolin nuk ishte fjalë për fjalë një marrëveshje. Mendimi duket se është se Juda mendonte se ishte në rregull me vdekjen dhe Sheolin dhe nuk kishte pse të kishte frikë, për shkak të aleancës së saj me Egjiptin. Disa komentues e shohin këtë besëlidhje si simbolizim të aleancës së ardhshme midis Izraelit dhe Bishës [Dan. 9:27]). 28:16,17 Perëndia e ka caktuar Mesian si objektin e vetëm të denjë të besimit, një themel të sigurt. Ata që mbështeten në Të nuk do të kenë frikë kurrë. Nën mbretërinë e Tij gjithçka do të provojë të drejtën dhe drejtësinë dhe gjykimi do të pastrojë çdo objekt të rremë besimi. 28:18-22 Politikat e fuqishme të Judës nuk do të arrijnë ta mbrojnë atë kur të vijnë pushtuesit. Populli do ta kuptojë shumë vonë të vërtetën e asaj që ka thënë Perëndia. Shtrati do të jetë i shkurtër, mbulesa tepër e ngushtë, pra, besëlidhja ka dështuar në sigurimin e ngushëllimit dhe të mbrojtjes së dëshiruar. Zoti Perëndi do të ngrihet në gjykim kundër popullit të Tij, ashtu siç ka vepruar më parë kundër armiqve të tyre – një gjykim që ishte plotësisht i panjohur për Të. Nëse ata tallen, vetëm sa do të shtojnë skllavërinë e tyre në këtë mënyrë. 28:23-29 Ashtu siç tregon Herbert Vandër Lugt (Herbert Vander Lugt), profeti ilustron rrugën me anë të së cilës Perëndia sillet me bijtë e Tij, duke cituar tri aspekte të një vepre të mëparshme. Së pari, ai shpall se bujku nuk vazhdon ta lërojë tokën pafundësisht, por ndalet kur është gati për mbjellje (v. 24). Në të njëjtën mënyrë, provat tona marrin fund sapo arrijnë qëllimet e Tij në jetët tona. Atëherë profeti thotë se bujku mbjell farën e tij me dallim, duke hequr koprën, por duke hedhur grurin në brazdë (v. 25,26). Kjo na siguron se Zoti zgjedh me kujdes disiplinën e përshtatur sipas nevojës sonë të veçantë. Së fundi, Isaia paraqet punëtorin që shin të korrat e tij. Me kujdes të madh ai rreh koprën me një shkop të lehtë dhe godet barin e gjumit me një më të rëndë. Për grurin ai përdor një rrotë aq të rëndë sa të mos e shtypë (v. 27,28). Kështu Shumë i Larti përdor prekjen më të ëmbël të mundshme për gjendjen tonë, duke mos lejuar që një pikëllim të jetë më i madh nga sa mund ta mbajmë [38]. 2. Mjerimi për Arielin/Jerusalemin (kapitulli 29) 29:1-4Arieli është qyteti i privilegjuar i Jerusalemit, ku… Davidi kishte qeveritarët e tij. Populli atje mund të bënte ceremonitë fetare vit pas viti, por Perëndia do t’i sjellë ankth qytetit, që të mos jetë gjë tjetër veç Ariel. Emri Ariel ka dy kuptime: “luan i Perëndisë” dhe “altar” (shikoni Eze. 43:15,16, ku ariel është përkthyer vatër altari). Njerëzit i tij janë viktima për flijim. 29:5-8 Megjithatë Perëndia do të ndërhyjë papritmas dhe armiqtë do të dëbohen si pluhur i hollë dhe byku i shpërndarë. Sapo armiqtë të mendojnë se do ta përpijnë plotësisht Jerusalemin, ata do të zhduken nga sytë këmbët ashtu siç zgjohesh pas një ëndrre. 29:9-12 Verbëria e ligë e popullit kishte sjellë verbëri gjyqësore mbi ta dhe shikonin rreth e rrotull si të dehur. Fjala e Perëndisë është e pandryshueshme ndaj tyre. Për disa është një libër i vulosur, për të tjerë i palexueshëm. Gjithsecili ka një justifikim. 29:13,14 Ngaqë feja e tyre është plotësisht e jashtme dhe frika e tyre e vetme ndaj Perëndisë është një çështje e besimeve të mësuara përmendësh, Perëndia do të kryejë një vepër të mbinatyrshme gjykimi, duke hequr mendjet më të mprehta të diturisë dhe të dallimit. “Mrekullia” në vargun 14 i referohet pushtimit të Senakeribit. Vaini (W. E. Vine) shkruan: Sunduesit e Judës u përpoqën të mbështeteshin tek Egjipti për ndihmë. Kjo ishte pjesë e zgjuarsisë politike nga pikëpamja natyrore; në sytë e Perëndisë ishte një vepër rebelimi; prandaj Perëndia e bëri sigurinë të kotë, duke e kthyer Judën në një gjendje të pashpresë, që ata të mund të varen vetëm nga Perëndia [39]. Sot “mrekullia” është kryer nga ungjilli (shikoni 1 Kor. 1:18-25). 29:15,16 Një mjerim shpallet kundër sunduesve mashtrues që po bëjnë komplote me Egjiptin, sikur Perëndia të mos i shikonte. Ata e marrin gjithçka kokëposhtë, duke e vënë argjilën në vendin e poçarit dhe anasjelltas, duke mohuar kështu fuqinë dhe njohjen e Perëndisë. 29:17-21 Por po vjen një ditë çlirimi kur Perëndia do t’i kthejë gjërat mbrapsht. Ajo që tani është një pyll i egër (Libani) do të jetë një pemishte dhe ajo që tani quhet një pemishte do të shihet si asgjë tjetër veç një pylli që e mbulojnë barishtet. Atëherë të shurdhët do të kuptojnë, sytë e të verbërve kanë për të parë, të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti. Shtypësi dhe tallësi nuk do të jenë më – gjithashtu edhe ata kritikues për vogëlsira që janë përpjekur të zënë në gabim të drejtin! 29:22-24 Vargjet mbyllëse përshkruajnë mbetjen besimtare, të quajtur këtu Jakobi. Turpi dhe qortimi do të jenë një gjë e së shkuarës. Bijtë e Jakobit do të kuptojnë se si Perëndia ka ndërhyrë për të mirën e tyre dhe do ta nderojnë Atë për këtë. Ata që gjykojnë keq dhe murmurisin do të jenë në gjendje të kuptojnë mësime frymërore. 3. Mjerimi për aleancën me Egjiptin (kapitujt 30,31) 30:1-7Bijtë rebelë janë politikanët e Judës që kanë bërë një pakt me Egjiptin kundër Asirisë. Meqë nuk ekziston asnjë provë historike për një aleancë të tillë, mund ta mendojmë që kjo është një aleancë e ardhshme. Juda do të mësojë se tek Egjipti nuk ia vlen të kesh besim. Shihen karvanët që mbartin haraçe nga Juda për në Egjipt, përmes fushave të rrezikshme në Neghev (jug), por, megjithëse të dërguarit judenj kanë shkuar deri në Tsoan dhe Hanes, tërë projekti është caktuar të dështojë. Perëndia e quan Egjiptin “Rahab-Hem-Shebeth” (Rahabi që ulet ende). 30:8-14 Le të ruhet për pasardhjen se marrëveshja me Egjiptin (dhe tërë besimi i tillë i vënë në vendin e gabuar) është një mohim i qartë i ligjit të Zotit përmes profetëve të Tij. Juda do të shohë se Egjipti është një mur i mjerë mbrojtjeje. Në fakt muri i lartë do të rrëzohet dhe do të thyhet. Do të copëtohet plotësisht si një enë balte, duke mos mbetur asnjë copë e madhe për t’u përdorur në shtëpitë e vogla. 30:15-17 Perëndia i ka thënë Judës: “Shpëtimi yt varet duke u kthyer tek Unë dhe duke u mbështetur tek Unë. Forca juaj varet nga besimi i plotë në Mua, më shumë sesa te lufta e tërbuar ndaj Egjiptit”. Por Juda tha: “Jo, ne do të fluturojmë kundër armikut”. Perëndia u përgjigjet: “Ju do të fluturoni, në rregull, por në tërheqje dhe frikë! Ju do të ndiqeni nga forca jo të armatosura mirë, derisa të mbeteni si një flamur i vetëm e thatanik mbi një kodër“. 30:18-25 Megjithatë Zoti do të presë për t’ju dhënë hir. “Perëndia pret derisa fatkeqësia e zgjedhjes sonë të na ketë mësuar marrëzinë e asaj zgjedhjeje”. Kur Juda të kthehet te Zoti, Ai do të jetë Mësuesi, Drejtuesi, Dhuruesi i shiut, i pjellorisë dhe begatisë, Shëruesi, Shkëmbi dhe Mbrojtësi. Populli i Tij “do të heqë mënjanë idhujt e tyre si leckë e ndotur, duke bërtitur pas tyre: ‘Çfarë spastrimi i mirë!'”. 30:26-33Drita e fortë e vargut 26 duhet kuptuar si simbol i lavdisë dhe drejtësisë. Kombet e paperëndishme do të shoshen në një sitë shkatërrimi. Asiria do të goditet nga Zoti dhe çdo goditje ndëshkimi do të shoqërohet nga një muzikë kremtuese nga Juda. Zjarri përvëlues i Tofetit (ferrit) është gati të mirëpresë mbretin e lig. 31:1-3 Perëndia është kundër atyre që shkojnë në Egjipt në kërkim të ndihmës, që besojnë te kuajt…, qerret… dhe kalorësit për fitore. Ai do të ngrihet kundër shtëpisë së njerëzve të këqij (Judës) dhe kundër ndihmës (Egjiptit) së atyre që bëjnë paudhësi (Judës). Ndihmësi (Egjipti) do të pengohet dhe i mbrojturi (Juda) do të rrëzohet. 31:4-9 Perëndia është si një luan që një numër i madh barinjsh (Asiria) përpiqet ta frikësojë. Ose, për të ndryshuar simbolikën, Ai është si një tufë zogjsh, duke qëndruar pezull mbi Jerusalem; Ai është gati të mbrojë dhe të çlirojë qytetin. Kur Izraeli do të kthehet te Zoti, ai do të flakë idhujt e tij. Asirët do të humbasin nga një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Zotit. Shkatërrimi i Senakeribit nuk e shteroi domethënien e këtyre vargjeve, kështu që profecia ruan po ashtu një përmbushje të ardhshme, pra, gjatë Mundimit të Madh. 4. Mbretërimi i Mbretit të Drejtë (kapitulli 32) 32:1-8 Pesë vargjet e para përshkruajnë mbretërinë mijëvjeçare të Krishtit. Ai është mbreti që mbretëron me drejtësi; princat mund të jenë dymbëdhjetë apostujt (shikoni Mt. 19:28). “Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era…” – ai Njeri është Zoti Jezus, që siguron strehë, mbrojtje, freski dhe hije. Verbëria gjyqësore nuk do të prekë më njerëzit, as veshët nuk do të mbyllen për të mos dëgjuar me bindje. Ata që tani marrin vendime të pamenda, do të kenë dallim dhe ata që tani belbëzojnë, do të shprehin vetveten pa ngurrim. Dallimet morale nuk do të turbullohen më. Njeriu i paditur nuk do të nderohet më. Ardhja e Krishtit do të zbulojë njerëzit në dritën e tyre të vërtetë. I marri dhe faqeziu do të shfaqen si të tillë (dhe do të ndëshkohen sipas fajeve të tyre). Fisniku do të shfaqet gjithashtu dhe do të bekohet. Vargjet 6-8 përshkruajnë jetën ashtu siç e pa Isaia në kohën e tij. 32:9-15 Por mbretëria nuk ka ardhur ende. Gratë e Judës po jetojnë ende në luks, bollëk dhe kënaqësi. Shumë shpejt goditja e gjykimit do të bjerë – prishje e të korrave, shpopullim dhe shkretim. Problemet e Judës do të vazhdojnë, derisa… të përhapet Fryma nga lart në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Më pas shkretëtira do të bëhet pemishte dhe ajo që tani quhet pemishte do të jetë si një pyll luksoz. 32:16-20E drejta dhe drejtësia do të depërtojnë çdo aspekt të jetës, duke sjellë paqen, qetësinë, sigurinë dhe besimin. Armiku (pylli) do të sheshohet nga breshri i gjykimit të Perëndisë dhe qyteti (kryeqyteti i tij) do të ulet. Do të jetë një kohë e lumtur, kur populli mund të mbjellë në siguri përkrah ujërave dhe kur kau dhe gomari mund të lërojnë lirshëm pa rrezik. 5. Mjerimi për plaçkitësin/Asirinë (kapitulli 33) 33:1-6 Forca shkatërruese dhe tradhtare e asirëve do të kthehet kundër tyre (v. 1,2). Atëherë populli i Perëndisë i lutet Zotit për çlirim në kohën e tyre të problemeve. Kur Perëndia hyn në veprim, një zhurmë prej rrufeje pështjellon kombet. Tani është radha e judenjve që të sulmojnë trupat e armiqve që largohen dhe që t’i godasin. Krishti është kurorëzuar, duke e mbushur Sionin me barazi dhe drejtësi, duke i bërë ditët të sigurta dhe duke e pasuruar popullin e Tij me një thesar frymëror. 33:7-9 Këto vargje na çojnë në kohën kur Ezekia dërgoi lajmëtarët e paqes te Senakeribi dhe iu dha të paguante një gjobë prej treqind talentesh argjendi dhe tridhjetë talente ari (2 i Mbreterve 18:13-16). Por edhe kjo përpjekje nuk arriti të blinte asirianët. Ai e sulmoi Judën, duke lënë gjurmë shkretimi dhe vuajtjeje. Të dërguarit nga Juda po vajtojnë me hidhërim për shkak të dështimit të misionit të tyre. Asirët kishin shkelur fjalën e vet duke e pushtuar Judën. Vendet më natyrore janë skenat e shkretimit. 33:10-12 Në kohën e duhur Zoti ngrihet për të zgjidhur çështjen me armikun. Me një sarkazëm të hollë, Ai përshkruan asirianët sikur të jenë mbarsur me bykun dhe të kenë lindur kashtën. Me fjalë të tjera, skemat e tyre janë të kota. Me të njëjtin lloj zemërimi me të cilin mburrej para të tjerëve, do të kthehet mbrapsht dhe do të përpijë plotësisht veten. Furra djegëse e gëlqeres dhe ferrishtat flasin për gjykimin e plotë. 33:13-16 Një fjalë u drejtohet johebrenjve të paperëndishëm (ju që jeni larg) dhe judenjve besimmohues në Sion (ju që jeni afër). Në zjarrin e gjykimit të Perëndisë, në djegien e zemërimit të Tij, të vetmit që do të mbijetojnë janë ata që ecin me drejtësi dhe ndahen nga çdo formë e së keqes. 33:17 Më pas, e sigurt dhe e kënaqur, mbetja besimtare do të sodisë bukurinë e mbretit dhe një vend, kufijtë e të cilit janë shumë të gjera. Gordëni (A. J. Gordon) e përshtat këtë varg për një ndër himnet e tij: Unë do të shikoj Mbretin në bukurinë e Tij, në tokën që është fort larg, kur hijet janë ngritur më në fund dhe errësira është kthyer në ditë. Unë do ta shikoj Atë në lëvdim, Qengjin që u vra; atëherë do të kujtoj historinë me tërë turmën e shpenguar! Haleluja, Haleluja! Qengjit që u vra! Haleluja, Haleluja, Haleluja, Amen. 33:18,19 Në sigurinë e mbretërisë ato çaste tmerri do të jenë vetëm një kujtim i largët, kur asirianët peshuan arin e paguar si haraç, kur spiunët e tij numëruan kullat e qytetit duke u përgatitur për ta sulmuar, kur judenjtë dëgjuan gjuhën e huaj të asirëve në mes të tyre. 33:20-22 Në Sionin mijëvjeçar, festat solemne do të kremtohen përsëri. Qyteti do të jetë si një çadër që është ngritur e sigurt dhe përherë. Zoti do të jetë për Sionin gjithçka që një lumë mund të jetë për një qytet – mbrojtje, freski dhe bukuri. Asnjë anije armike me lopata apo anije e fuqishme nuk do të kalojë, sepse Zoti është atje. 33:23,24 Komentuesit nuk bien dakord nëse vargu 23a i referohet Jerusalemit apo armiqve të tij. Nëse i referohet armiqve të Sionit, atëherë paraqet fatin e çdo anijeje që do të ndërmarrë sulme ndaj qytetit. Nëse i referohet Jerusalemit, vargu 23 flet për pabesinë dhe paaftësinë e vetë popullit, i simbolizuar qoftë si i paaftë për të drejtuar anijen e situatës, qoftë, ajo që ka më tepër mundësi, i paaftë për të rregulluar çadrën e tij si vendbanim, me telin, kunjin dhe telajon e duhur [40]. Në mbretëri, edhe çalamani do të mund të marrë pjesë në plaçkitje. Nuk do të ketë më sëmundje dhe paudhësia e popullitdo të përfitojë faljen. 6. Mjerimi ndaj tërë kombeve (kapitulli 34) 34:1-4 Në kapitullin 34 kemi zemërimin e Perëndisë me të gjitha kombet në përgjithësi dhe kundër Edomit në veçanti. Ky i fundit mund të jetë përfaqësuesi i tërë kombeve të tjera. Kur Jehovahu do të gjykojë johebrenjtë (kombet), ajri do të vijë erë e keqe nga kufomat e dekompozuara dhe malet do të shkrihen nga rrjedha e gjakut të tyre. Edhe yjësia e qiellit do të tronditet. 34:5-7Shpata e Zotit, “e ndotur me gjak“, do të bjerë me zemërim në vendin e Edomit, qoftë edhe mbi njerëzit e thjeshtë (qengja, cjep, desh) dhe mbi fisnikët apo krerët (buaj, mëzetër, dema). 34:8Sepse është dita e hakmarrjes së Zotit. Fjala “hakmarrje” ka një rëndësi thelbësore. Ajo nuk do të thotë t’i lash hakun dikujt, ashtu siç e përdorim ne. Ajo i referohet veprimit të Perëndisë në kryerjen e vendimit që Ai, si Gjykatës, ka nxjerrë me të drejtë (Shënime të përditshme të Scripture Union). 34:9-17 Kjo pjesë përshkruan fatin e Edomit – një ferr përvëlues, një shkretim i pabanuar, pushtuar nga zogjtë e mistershëm dhe kafshët e shkretëtirës. Perëndia nuk do të reshtë derisa ai të mbetet pa formë dhe i zbrazët [41]. Nuk do të ketë mbretëri, as mbret, as princa të denjë për emrin e tyre. Rrënojat e tij do të mbulohen nga gjembat dhe do të jenë një shenjtërore për krijesat e çuditshme (që nuk mund të njëjtësohen me siguri). Çdo krijesë e çuditshme do të ketë shokune vet dhe kështu do të riprodhohen dhe Perëndia u ka dhënë atyre rrënojat e Edomit që ta zotërojnë… brez pas brezi. Gjithnjë në këtë kapitull (v. 10,17) do të thotë brez pas brezi. 7. Lavdia e mbretërisë së ardhshme (kapitulli 35) 35:1-7 Pasi janë shkatërruar kombet rebele del në skenë mbretëria e lavdishme e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht. Elemente të asaj periudhe përfshijnë shterpësinë që rritet të tokës dhe praninë vetjake të Zotit në lavdi dhe madhështi. Do të ketë nxitje të ndërsjellë midis shenjtorëve. Çdo lloj paaftësie do të hiqet dhe një gëzim i madh do të kremtojë shndërrimin e shkretëtirës në fusha të ujitura mirë. 35:8-10 Qindra kilometrat e rrugës së shkretëtirës nga mërgimi për në Jerusalem do të bëhen “rruga e shenjtë“, vetëm për popullin e shpenguar të Perëndisë. Kthimi i Izraelit nga shpërndarja mbarëbotërore sjell ndër mend gëzimin dhe harenë që do të shoqërojë kalimin e besimtarëve për në shtëpinë e Atit kur Jezusi të kthehet përsëri. Në disa botime të Biblës, titujt e përmbledhur në krye të faqeve të Isaias shkruajnë: “Bekimet ndaj kishës” dhe “Mallkimet mbi Izraelin”. Në fakt, gati të gjitha këto parashikime (qoftë bekime apo mallkime) kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Izraelin dhe jo me kishën, sepse kisha ishte një e fshehtë [mister] në DhV. Këto parashikime kanë të bëjnë me kishën vetëm me anë të simbolizimeve [si zbatime, jo interpretime] ose me anë të lidhjes që kisha ka me Besëlidhjen e Re. Xheningsi (Jennings) e përçmon këtë trajtim të padrejtë të Izraelit nga shumë të krishterë: Ne fajësojmë me të drejtë ata që marrin tërë premtimet e Dhiatës së Vjetër dhe që lënë vetëm kërcënimet për judenjtë e mjerë, sepse në këtë pikë ata bëjnë një gabim të madh; megjithëse ka një element të vërtetë në vërejtjen e tyre, meqë “të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë ‘po’ dhe në atë [Jezu Krishtin] ‘amen'”. Gabimi i tyre është në thënien se, meqë Perëndia nuk ka ç’i duhet më Izraeli, këto parashikime ngushëlluese vlejnë vetëm për të krishterët, jo për Izraelin si komb! Qoftë falënderuar Perëndia që gjithçka që ka një karakter frymëror [bekimet apo mallkimet] i përket Izraelit: p.sh. ajo që ka të bëjë me bekimet materiale në të cilat Izraeli do të hyjë në bazë të besëlidhjes së re të hirit, që në një kuptim frymëror janë tonat nga i njëjti hir. Por kjo nuk i përmbush këto premtime që i janë dhënë drejtpërdrejt Izraelit si i njëjtësuar me Mesian e tij, Jezusin, dhe që i janë dhënë kohë përpara se të zbulohej Kisha e Perëndisë [42].[previous][next]