Dymbëdhjetë vargjet e para të kapitullit tre kanë të bëjnë me gjuhën (gjithashtu përmendet tek 1:19, 26; 2:12; 4:11; 5:12). Ashtu si një doktor i moshuar shqyrton gjuhën e një pacienti për të zbuluar diagnozën, kështu Jakobi provon shëndetin frymëror të dikujt duke parë bashkëbisedimin e tij. Vetë-diagnostikimi fillon me mëkatet e të folurit. Jakobi do të binte dakort me një njeri të mprehtë që tha: “Kontrolloje gjuhën. Është në një vend i lagur ku mund të rrëshqasësh kollaj.”.
3:1 Subjekti paraqitet me një paralajmërim kundër dëshirës së nxituar për t’u bërë një mësues i fjalës së Perëndisë. Megjithëse gjuha nuk përmendet saktësisht, nënkuptimi është që ai që e përdor gjuhën për të dhënë mësime në fjalën e Perëndisë merr përsipër një përgjegjësi tjetër përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve. Fjalët “mos u bëni shumë mësues” mund të parafrazohen: “Mos kini tepër ambicje për t’u bërë mësues.”. Kjo nuk duhet interpretuar si një ndalim kundër përdorimit të dhuntisë së dikujt që është thirrur nga Perëndia për të mësuar të tjerët. Ky është thjesht një lajmërim që shërbesa e tij nuk duhet marrë në mënyrë të shkujdesshme. Ata që mësojnë Fjalën e së Vërtetës do të marrin një gjykim më të rëndë nëse nuk praktikojnë atë që mësojnë.
Është një përgjegjësi e madhe të mësosh Biblën. Mësuesi duhet të jetë i përgatitur për t’iu bindur asaj që ai mëson në fjalën. Ai nuk mund t’i udhëheqë të tjerët përtej asaj që ai vetë ka praktikuar. Niveli i ndikimit mbi të tjerët do të përcaktohet në masën e përparimit të tij. Mësuesi i bën të tjerët sipas imazhit të tij; ai i bën ata si veten e tij. Nëse ai e dobëson ose nuk e pranon kuptimin e qartë të ndonjë Shkrimi, ai pengon rritjen e nxënësve të tij. Nëse ai mbyll një sy ndaj mëkatit, ai i nxit ata të jetojnë një jetë jo të shenjtë. Asnjë libër tjetër nuk u bën kërkesa të tilla lexuesve sa Dhiata e Re. Ajo bën thirrje për një zotim të plotë ndaj Zotit Jezus. Ky libër ngulmon që Jezusi duhet të jetë Zoti në çdo pjesë të jetës së një besimtari. Është një çështje serioze që mësohet në këtë libër!
3:2 Jakobi zhvendoset nga shërbesa e veçantë e mësimit në fushën e përgjithshme të bashkëbisedimit. Ne të gjithë jemi të prirur për të gabuar në shumë gjëra por nëse ndokush do ta kontrollojë gjuhën, në mënyrë që të mos bëjë mëkate të të folurit, ai është në të vërtetë një njeri i pjekur dhe i përmbajtur. Nëse dikush do të kontrollojë mirë të folurën e tij, ai gjithashtu nuk duhet të ketë vështirësi për të vepruar me vetëkontroll në fushat e tjera të jetës së tij. Sigurisht, Zoti Jezus është i vetmi që e ka bërë këtë plotësisht, por në një farë mënyre gjithsecili prej nesh mund të bëhet i përsosur, d.m.th i matur, i plotë dhe i disiplinuar.
3:3 Në këtë varg jepen pesë figura ose tablo të gjuhës. Së pari, gjuha krahasohet me një kapistër. Kapistrat janë rripa që vendosen mbi kokën e kuajve dhe që mbajnë frerët në gojën e kuajve. Frerët janë të lidhur së bashku me litarët. Edhe pse freri vetë është një pjesë çeliku e vogël, nëse dikush ka vetëm pak kontroll mbi të, ai mund të kontrollojë lëvizjet e kalit. Po kështu gjuha mund të drejtojë jetën – ose për të mirën ose për të keqen.
3:4 Figura e dytë është një timon. Në krahasim me anijen, timoni është shumë i vogël. Ai peshon sa një pjesë e vogël e anijes. Për shembull, anija “Mbretëresha Elizabeta” ishte 83.673 tonë. Timoni i asaj anijeje ishte vetëm 140 tonë më pak se dy të dhjetat e një përqindjeje të anijes. Mirëpo kur timoni kthehet, ai kontrollon drejtimin e anijes. Duket e pabesueshme që një njeri mund të kontrollojë një anije kaq të madhe me një pajisje relativisht të vogël. Mirëpo, pikërisht kjo ndodh. Si rrjedhim, nuk duhet të nënvlerësojmë fuqinë e gjuhës nga masa e saj. Edhe pse është një gjymtyrë e vogël e trupit, dhe relativisht e fshehur, ajo mund të krenohet me arritjet e mira dhe të këqija.
3:5, 6 Një krahasim tjetër i gjuhës është një zjarr. Një shkrepëse e ndezur e hedhur pa kujdes, mund të shkaktojë një zjarr të madh. Gjithashtu zjarri mund të ndezë gjithë pyllin duke lënë një grumbull të madh rrënojash. Çfarë mundësish për shkatërrim dhe rrënim, pra, ka një shkrepëse e vogël! Një nga katastrofat më të mëdha të historisë ishte zjarri i Çikagos më 1871. Tradita thotë që zjarri filloi kur lopa e zonjës Oliri (O’Leary) goditi fenerin e saj. Nëse kjo ishte e vërtetë apo jo, zjarri vazhdoi për tri ditë dhe treti më shumë se gjysmën e sipërfaqes së qytetit. 250 veta vdiqën, 100.000 humbën shtëpitë e tyre, dhe shumë prona u shkatërruan me një vlerë prej 175.000.000 dollarësh amerikanë. Gjuha është si një shkrepëse e vogël ose si një fener i përmbysur. Fuqitë e saj për ligësi janë pothuajse të pafundme. Jakobi flet për të si për një botë paudhësie….midis gjymtyrëve tona. Fjala botë këtu përdoret për të shprehur pafundësi. Ne shpeshherë e përdorim atë në këtë kuptim; për shembull, një botë plot me shqetësime. Kjo do të thotë një masë e madhe shqetësimesh. Gjuha edhe pse është e vogël, ka mundësi të mëdha ligësish në të.
Mënyra në të cilën zjarri i të folurit të lig përhapet është ilustruar me anë të bashkëbisedimit midis dy grave në Bruklin. Njëra prej tyre tha: “Tili më tha mua që ti i kishe thënë asaj atë sekret që unë të kisha thënë për të mos ia thënë asaj.”. Tjetra iu përgjigj: “Kjo është një gjë e pandershme. Unë i thashë Tilit që të mos të të tregonte ty atë që unë i thashë asaj.”. Folësja e parë iu përgjigj: “Unë i thashë Tilit që nuk do të të tregoja atë që ajo më tha, kështu që mos i thuaj asaj çfarë të thashë tani.”.
Gjuha mund ta ndotë të gjithë trupin. Dikush mund ta prishë të gjithë personalitetin duke e përdorur gjuhën për të shpifur, abuzuar, blasfemuar dhe për t’u betuar.
Chappel-i shkruan:
Kritiku dëmton veten e tij……. Sharësi nuk mund të merret me argëtimet e tij të pëlqyera pa u marrë (në duart dhe në zemrën e tij) me disa nga shpifjet që ai hedh kundër të tjerëve. Sa shpesh ne kemi kaluar nëpërmjet një përvoje të tillë pa një ndjenjë fëlliqësie! Megjithatë kjo nuk ishte fare qëllimi ynë. Ne shpresonin në mënyrë të kotë që duke sharë të tjerët mund të shtonim vlerësimin e dikujt për pastërtinë tonë. Ne ishim shumë të marrë për të besuar që ne mund të ngrinim veten tonë duke shembur tjetrin. Ne ishim mjaft të verbër për të imagjinuar se duke vendosur dinamit poshtë shtëpisë së të afërmit tonë ne mund të forconim themelet e shtëpisë tonë. . . Në përpjekjet tona për të dëmtuar të tjerët ne mund të kemi sukses, por gjithmonë do të shkaktojmë dëmtim më të madh mbi veten tonë. [7]
Gjuha ndez ecjen (timonin) e natyrës. Ky është “timoni” që është vendosur në lëvizje që nga lindja. Ajo përshkruan gjithë rrethin e aktivitetit njerëzor. Një gjuhë e ligë fëlliq jo vetëm jetën vetjake të njeriut por gjithashtu ndot edhe të gjithë veprimtarinë e tij. Ajo ndikon “të gjithë ligësinë në gjithë njeriun për gjithë jetën”. Një gjuhë e ligë ndizet nga Gehena. Ferri është burimi i të folurës së ligë. E folura e ligë është djallëzore në karakterin saj. Fjala e përdorur për ferr është Gehena; përveç këtij shembulli, është përdorur vetëm nga Zoti Jezus në Dhiatën e Re.
3:7 Figura e katërt me të cilën gjuha është krahasuar është një krijesë e egër dhe pazbutshme. Të gjitha llojet e kafshëve të egra, zogjve, gjarpërinjve dhe kafshëve ujore mund të zbuten. Sot është e zakonshme të shikosh elefantë të zbutur, luanë, tigra, shpendë grabitqarë, gjarpërinj, delfinë dhe peshq. Plini liston shembuj të krijesave të zbutura në kohën e tij: elefantë, luanë dhe tigra ndërmjet kafshëve të egra; shqiponja ndërmjet shpendëve; nëpërka dhe gjarpërinjtë e tjerë; krokodila dhe peshq të ndryshëm ndërmjet banorëve të ujit. Të argumentosh që jo çdo lloj krijese është zbutur është të mos e kuptosh në thelb Jakobin; nuk ka asnjë arsye për të mos besuar që çdo lloj krijese mund të zbutet nga njeriu, duke i dhënë kohën e duhur dhe këmbëngulje.
Robert G. Lee e shpreh këtë gjë në mënyrë shumë të bukur:
Çfarë ka bërë njeriu me elefantët e mëdhenj? Ai ka pushtuar shtëpitë e tyre në xhungël, i ka ngrehur kurth atyre, i ka edukuar, i ka marrë ata për të ngarkuar lëndë druri, për të shtyrë vagona të ngarkuar etj. Çfarë ka bërë njeriu me tigrat syjeshil të Bengalit? Ai i ka kapur ata, i ka mësuar dhe i ka bërë ata shokë loje. Çfarë ka bërë njeriu me luanët e fortë dhe të egër afrikanë? Ai ka kapur shumë prej tyre dhe i ka mësuar ata të hidhen midis rrethit metalik prej zjarri, të ngasin kuajt, të ulen në piedestale të larta, edhe pse janë të uritur nuk e prekin mishin që është në putrat e tyre, ata janë mësuar që të shtrihen, të ngrihen, të vrapojnë, të ulërijnë kur urdhërohen nga zëri i njeriut, ose kur njeriu përplas kamxhikun. Njëherë pashë (vite më parë në cirk) një luan të hapte gojën e tij të madhe dhe grabitqare dhe ta mbante atë të hapur ndërsa stërvitësi i tij po fuste kokën thellë në gojën e luanit dhe ta mbante atë brenda për një minutë të tërë.
Çfarë ka bërë njeriu me gjarprin e madh? Ose me pitonin e madh? Shko në cirk dhe shih vajza, të brishta si një lule, që mbështjellin këta përbindësha të tmerrshëm rreth trupit të tyre. Shko te shfaqjet e kafshëve dhe shqyrto se si njeriu ka bërë që leopardët me njolla dhe jaguarët gjakpirës të jenë të parrezikshëm dhe të shtangur përballë tij. Shko në shfaqje dhe shih pleshtat e stërvitur, shih çakejt e uritur që shtrihen me qengjin e butë, shih pëllumbin dhe shqiponjën të ngrenë folenë së bashku, shih ujkun dhe lepurin të luajnë së bashku. [8]
3:8 Por suksesi i njeriut me kafshët e egra është më i madh se suksesi në fushën e gjuhës së tij. Nëse ne jemi të ndershëm, duhet të pranojmë që kjo është e vërtetë në jetët tona. Për shkak të rënies, ne e kemi humbur sundimin në pjesët e vogla të mishit. Natyra njerëzore nuk e ka aftësinë ose fuqinë të qeverisë këtë gjymtyrë të vogël. Vetëm Perëndia mund ta vërë nën kontroll.
Jakobi e karakterizon gjuhën si një të keqe të papërmbajtshme. Duke e lidhur këtë shprehje me fjalët plot me helm vdekjeprurës ne besojmë që Jakobi ka ndërmend një gjarpër agresiv, me një helm tej mase helmues. Një pikë ose dy pika mund të jenë fatale. Kështu gjuha mund të helmojë mendjet dhe të vrasë njerëzit. Ne të gjithë e dimë se sa e lehtë është që të bësh thashetheme për të tjerët. Sa herë ne jemi marrë me sharje hakmarrëse. Dhe shpeshherë pa asnjë lloj arsyeje ne i kemi nënvlerësuar të tjerët, i kemi kritikuar dhe poshtëruar ata. Kush mund ta masë lëndimin e shkaktuar, lotët e derdhura, zemrat e thyera dhe reputacionet e shkatërruara? Dhe kush mund ta masë mjerimin që ka sjellë gjuha në jetët tona dhe në familjet tona? Hidhërimi brenda zemrës sonë, turpi për të kërkuar falje dhe pasojat negative në shëndetin tonë. Prindërit të cilët në mënyrë të hapur kanë kritikuar besimtarët, kanë parë fëmijët e tyre të përvetësojnë të njëjtën frymë kritike dhe të largohen nga bashkësia me të krishterët. Çmimi që duhet të paguajmë për përdorimin e padisiplinuar të gjuhës sonë është shumë i madh.
Kush është zgjidhja? Lutu çdo ditë që Zoti të të ruajë nga thashethemet, nga sharje dhe nga e folura e pasjellshme. Mos fol në mënyrë të papërshtatshme kundër askujt; dashuria mbulon një shumicë mëkatesh (1 Pjetrit 4:8). Nëse ne kemi diçka kundër një njeriu tjetër, le të shkojmë drejtpërsëdrejti tek ai, të diskutojmë me dashuri dhe të lutemi së bashku (Mt. 18:15; Llu. 17:3). Le të përpiqemi të shohim Krishtin te vëllezërit tanë në vend që të zmadhojmë dështimet e vogla. Nëse ne fillojmë të themi diçka jo të sjellshme, ose jo të dobishme, le të ndalojmë në mes të fjalisë dhe të shpjegojmë se nëse do të vazhdojmë të diskutojmë, nuk do të ishte ndërtuese. Disa gjëra më mirë le të mbeten të pathëna.
3:9,10 Të përdorësh gjuhën si për qëllime të mira ashtu edhe për për qëllime të këqija është diçka e paqëndrueshme. Është plotësisht anormale. Nuk ka asgjë të natyrshme në të. Brenda një minute një njeri bekon Perëndinë me gjuhën e tij, minutën tjetër ai mallkon ata që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Sa e papajtueshme është që një burim i përbashkët të prodhojë rrjedhoja kaq të kundërta! Një gjendje e tillë nuk duhet të ekzistojë. Gjuha që bekon Perëndinë duhet të ndihmojë njerëzit në vend që t’i plagosë ata. Gjithçka që ne themi duhet të jetë subjekt i një testi të trefishtë: A është e vërtetë? A është e sjellshme? A është e nevojshme? Ne duhet t’i kërkojmë Zotit vazhdimisht që të vendosë një roje para gjuhës sonë (Ps. 141:3) dhe t’i lutemi që fjalët e gjuhës sonë dhe përsiatjet e zemrave tona të mund të pranohen në sytë e Atij që është forca jonë dhe Shpëtimtari ynë (Ps. 19:14). Ne duhet të kujtojmë që gjymtyrët tona te Romakët 12:1 përfshijnë edhe gjuhën tonë.
3:11 Asnjë burim nuk jep ujë të ëmbël dhe të hidhur në të njëjtën kohë. As gjuha nuk duhet të jetë kështu. Rrjedhja e saj duhet të jetë e mirë në mënyrë të njëtrajtshme.
3:12 Ashtu siç uji nga burimi na flet për freskim, kështu edhe frutat nga një pemë fiku flasin për ushqim. Një pemë fiku nuk mund të prodhojë ullinj, dhe as një hardhi të prodhojë fiq. Në natyrë, një pemë prodhon vetëm një lloj fruti. Si ka mundësi atëherë, që gjuha mund të prodhojë dy lloje frytesh – të mirën dhe të keqen?
Kjo pjesë nuk duhet të ngatërrohet me një pjesë të ngjashme te Mateu (7:16-20). Ne jemi të paralajmëruar që nuk mund të presim fruta të mira nga pemë të këqija. Njerëzit e këqinj mund të prodhojnë vetëm vepra të këqija. Këtu ne jemi të paralajmëruar që të mos e përdorim gjuhën për të prodhuar dy lloje të kundërta frytesh.
Asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe ujë të ëmbël në të njëjtën kohë. Duhet të jetë ose njëra ose tjetra. Këto mësime nga natyra janë dhënë për të na kujtuar që e folura jonë duhet të jetë e mirë vazhdimisht.
Kështu Jakobi na vendos në provë për sa i përket gjuhës sonë. Përpara se të largohemi nga kjo pjesë, le t’i bëjmë vetes pyetjet e mëposhtme: A u mësoj të tjerëve gjëra për të cilat unë vetë nuk i jam bindur? A i kritikoj të tjerët mbrapa kurrizit? A është e folura ime vazhdimisht e pastër, ndërtuese dhe e sjellshme? A përdor fjalë që krijojnë një përshtypje të keqe (dreq, të mallkoftë Zoti etj.)? Pas një takimi solemn, a merrem me gjëra të kota ose flas për ndeshje futbolli? A përdor lojëra fjalësh duke përdorur Shkrimet? Duke ritreguar një histori, a e teproj me qëllim që njerëzit të mbeten të habitur? A them vazhdimisht të vërtetën, edhe nëse kjo do të thotë që do të turpërohem, të humbas miqtë dhe paratë?