Kapitujt 30-33 përmbajnë mesazhe shprese, çlirimi dhe janë shenja e shndritshme në një libër që merret përgjithësisht me gjykimet. Klajd Fransiskoja (Clyde T. Francisco) i karakterizon këto si më poshtë:
Kurrë më nuk u shkruan pjesë kaq të prekshme si ato që gjenden në këtë pjesë të Jeremias. Megjithëse pjesa më e madhe e mesazhit të tij kishte të bënte me gjykimin dhe rrënimin, kur ëndërroi për të ardhmen, ai mund të predikonte në mënyrën që parapëlqente me të vërtetë. Tërë zemra e tij ishte pjesë e këtyre predikimeve [33].
Kthimi nga robëria ishte vetëm një përmbushje e pjesshme; këta kapituj pararendin kohët e fundit dhe përtëritjen përfundimtare.
Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme, sepse përmban pjesën e besëlidhjes së re e të famshme, e cila parashikon gjallërimin e kombit të Izraelit. Kjo do të ndodhë vetëm pas “kohës së ankthit për Jakobin” (Mundimit të Madh) te 30:4-17. Perëndia i mban besëlidhjet e Tij, në dallim me pikëpamjet e disave. Jeremias i thuhet të blejë një arë për të treguar sigurinë e përtëritjes.
A. Mbledhja përsëri e robërve (kapitulli 30)
30:1-11 Si Izraeli ashtu edhe Juda do të mblidhen përsëri. Së pari do të jetë një kohë ankthi për Jakobin (Mundimi i Madh), më pas Perëndia do të thyejë fuqinë e johebrenjve ndaj popullit të Tij. Premtimi se Perëndia do të ngjallë për ta Davidin, mbretin e tyre, kuptohet përgjithësisht se nënkupton Zotin Jezus, farën e Davidit. Megjithatë, disa e marrin sikur nënkupton Davidin, të ringjallur prej së vdekurish. 30:12-17 Edhe pse e keqja e kombit duket tashmë e pashërueshme, Perëndia do të shërojë plagët e tyre, do të plaçkitë grabitësit e tyre. 30:18-24 Këto vargje përshkruajnë kushtet idilike që do të mbizotërojnë gjatë Mijëvjeçarit. Dy vargjet e fundit të kapitullit përshkruajnë gjykimin e Perëndisë mbi të pafetë; kjo pararend bekimin e Tij mbi Izraelin, ashtu siç duket në kapitullin që vijon.B. Përtëritja e vendit (31:1-30)
31:1-20 Me fjalë të dashura Zoti premton të përtërijë Izraelin, fiset veriore; populli do të kthehet nga mbarë bota; ata do të mbushen me këngë në vend të vajit; vajtimi i Rakelës është një shprehje figurative që nënkupton dhimbjen që u shkaktua kur robërit shkuan në mërgim. Kjo do të reshtë kur Izraeli të pendohet dhe Perëndia të falë. Mateu e citon vargun 15 në lidhje me masakrën e fëmijëve nga Herodi (Mt. 2:18). Kelli komenton: Është shumë e bukur të shohim se Fryma e Shenjtë… i përshtat asaj ndodhie pjesën rreth dhimbjes, por jo atë të gëzimit… Ai i referohet vetëm asaj që u përmbush. Atëherë kishte vuajtje të hidhur, edhe në vendlindjen e mbretit. Në atë vend kishte ankth të thellë ndërkohë që duhej të kishte gëzim të madh. Lindja e Mesias duhet të kishte qenë shenja e gëzimit universal në vendin e Izraelit. Dhe kjo do të kishte ndodhur nëse do të kishin pasur besim në Perëndinë dhe premtimin e Tij, por nuk kishte. Për më tepër, meqë gjendja e popullit ishte e një mosbesimi të turpshëm, kishte një pushtues edomit në fron. Kështu, dhuna dhe mashtrimi mbizotëronin në vend dhe Rakela qante për fëmijët e saj dhe nuk mund të ngushëllohej, sepse ata nuk ishin më… Kështu Fryma e Shenjtë e përshtat pjesën e parë të profecisë, por ndalet këtu [34]. 31:21,22 Izraeli i penduar do të kthehet nga rrugët e shënuara me trungje dhe shtylla treguese. Ditët e tij të pabesisë do të mbarojnë, sepse Zoti ka kryer diçka të re: një grua do ta bëjë për vete apo do të përqafojë burrin. Gruaja këtu është Izraeli dhe burri është Jehovahu. “Parashikimi” – shkruan Uilliamsi – “është se virgjëresha e Izraelit do të reshtë së shkuari ‘andej-këtej pas idhujve’ dhe do të ndjekë e do t’i qëndrojë besnik Emanuelit” [35]. Kelli, një studiues i përkushtuar i doktrinës së shëndoshë të padyshimtë, shpjegon pse nuk është i vlefshëm një interpretim i përhapur i vargut 22: Ka qenë e zakontë midis Etërve, po ashtu edhe midis shenjtorëve,… përshtatja e kësaj pjese lindjes së Zotit nga Maria e virgjër, por profecia nuk i referohet fare asaj. Një grua që bën për vete një burrë nuk është fare e njëjta gjë si bërjen për vete të Virgjëreshës dhe lindjen e një biri. Bërja për vete e një burri nuk ka të bëjë fare me lindjen e një fëmije [36]. 31:23-30 Gjithashtu Juda do të përtërihet dhe qytetet e saj do të rindërtohen. Në këtë pikë Jeremia u zgjua nga një gjumë i këndshëm. Si Juda ashtu edhe Izraeli do të popullohet përsëri. Njerëzit do të ndëshkohen për paudhësinë e tyre, jo për mëkatin e etërve të tyre.C. Zbulimi i besëlidhjes së re (31:31-40)
Ja do të vijnë ditët… në të cilat Perëndia do të vendosë një besëlidhje të re me… Izraelin dhe… Judën, jo si ligji, por një besëlidhje hiri. Njerëzve do t’u jepet një natyrë e re morale dhe njohja e Zotit do të jetë universale (shikoni Heb. 8:8-13; 10:15-17). Perëndia vendosi një besëlidhje të re së pari me Izraelin dhe Judën (v. 31). Ndryshe nga Ligji i Moisiut ajo ishte pa kushte. Ajo thekson atë që Perëndia do të bëjë, jo çfarë duhet të bëjë njeriu; vini re përsëritjet e “do të” në vargjet 33 e 34. Jezusi është Ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sepse me anë të Tij janë të sigurta bekimet (Heb. 9:15). Besëlidhja u ratifikua nga gjaku i Tij (Luka 22:20). Kjo nuk do të vlejë për Izraelin si një komb deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Megjithatë, ndërkohë, besimtarët gëzojnë disa nga përfitimet; për shembull, bindja e tyre shtyhet nga hiri, jo nga ligji; Perëndia është Perëndia i tyre dhe ata janë populli i Tij; Perëndia nuk i kujton më mëkatet dhe paudhësitë e tyre. Njohja universale e Zotit (v. 34a) pret Mijëvjeçarin. Ata që do të përpiqen të spastrojnë Izraelin nga faqja e tokës bëjnë mirë të mësojnë vargjet 35 e 36. Izraeli do të pushonte së qeni një komb vetëm kur dhe nëse ligjet e diellit, hënës, yjeve dhe të detit… të binin. Jerusalemi do të ndërtohet përsëri një ditë të ardhshme dhe zonat tani të papastra “do t’i shenjtërohen Zotit“.D. Rindërtimi i qytetit (kapitulli 32)
32:1-5 Tashmë babilonasit kishin rrethuar qytetin. Sedekia e kishte mbyllur Jeremian… në oborrin e burgut ngaqë kishte parashikuar suksesin e babilonasve. Në vargun 4 kemi një ndër tri profecitë që u shpallën rreth Sedekias. Këtu ai thotë se do të shohë mbretin e Babilonisë… ballë për ballë. Tek Ezekieli 12:13 lexojmë se ai nuk do ta shikonte Babiloninë dhe se do të vdiste në Babiloni. Këtu tregohet se si përmbushen këto profeci në dukje kontradiktore: Nebukadnetsari i nxori sytë Sedekias në Riblah, në vendin e Hamathit (2 i Mbreterve 25:7). Më pas Sedekia u çua në Babiloni, por kurrë nuk e pa Babiloninë (sytë e tij ishin nxjerrë) dhe vdiq atje. 32:6-25 Në bindje ndaj Zotit, profeti bleu arën e kushëririt të tij, Hanameelit në Anathoth, për shtatëmbëdhjetë sikla argjendi (Hanameeli kishte shkuar tek ai me ofertën). Kjo ishte një siguri për popullin se Perëndia do ta kthente atë nga Babilonia. Të dyja aktet iu dhanë Barukut për ruajtje në një poç prej balte. Ndërsa shikon babilonasit që rrethojnë Jerusalemin, Jeremia çuditet pse Perëndia i tha të blinte arën në Anathoth. 32:26-44 Përgjigjja e Zotit ndaj Jeremias është klasike: “Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?“. Shpëtimtari mund të zgjidhë çdo problem, ngatërresat e jetës mund të prapësohen. Nuk ka asgjë shumë të vështirë për Jezusin; nuk ka asgjë që Ai të mos e bëjë. – Anonim Edhe pse Perëndia do ta shkatërrojë Jerusalemin për shkak të idhujtarisë së popullit, Ai më vonë do t’i mbledhë të Tijtë dhe do t’i bekojë madhërisht. Prona do të kthehet dhe do të shitet përsëri dhe akti i arës së Anathothit do të jetë ende i vlefshëm në ditët e ardhshme.E. Njohja e besëlidhjes (kapitulli 33)
33:1-16 Ndërsa… Jeremia… qëndronte akoma i mbyllur në oborrin e burgut, Zoti i dha ende premtime të mëtejshme rrëzëllitëse për përtëritjen e Izraelit dhe të Judës; vendi do të popullohet përsëri me njerëz të gëzuar; malet do të mbushen me kope; dhe, gjëja më e mirë, Mesia, “Filizi i drejtësisë“, pasardhës i Davidit, do të vijë. Jerusalemi… do të thirret: “Zoti, drejtësia jonë”. Jehovahu i jep emrin e Tij Izraelit të përtërirë, ashtu siç bën një burrë me nusen e vet dhe ashtu siç bën Krishtin me kishën e Tij (1 Kor. 12:12). 33:17-26 Premtimi i Perëndisë rreth përjetësisë së dinastisë së Davidit dhe priftërisë levitike do të jetë i pathyeshëm si besëlidhja e Perëndisë me ditën dhe me natën. Një pjesë e popullit po padiste Perëndinë për braktisje të dy shtëpive të Tij, Izraelit dhe Judës, dhe po i përçmonin kështu judenjtë si të përzënë, duke mos qenë një popull. Zoti përgjigjet se besëlidhja e Tij me popullin e Tij është aq e vendosur mirë sa edhe ligjet e natyrës. Pasardhësit e Davidit do të jenë aq të panumërt sa ushtria e qiellit dhe rëra e detit.[previous][next]