Epilogu: Triumfi i Jobit (Jobi 42:7-17)

A. Qortimi dhe ripërtëritja drejtuar miqve të Jobit (42:7-9)

Më pas Zoti qorton rëndë Elifazin dhe dy miqtë e tij [46] për keqparaqitjen e Tij. Ata kishin ngulur këmbë se tërë vuajtja është ndëshkim për mëkatin. Kjo nuk ishte e vërtetë në rastin e Jobit. Si bindje ndaj urdhrit hyjnor, ata më pas ofruan një olokaust të madh (shtatë dema dhe shtatë desh). Jobi shërbeu si ndërmjetës duke u lutur për miqtë e tij dhe si rrjedhojë nga ata u hoq zemërimi dhe Jobi u pranua.

B. Ripërtëritja e begatisë së Jobit (42:10-17)

42:10-12 Sapo Jobi u lut për ta, Zoti i ktheu dyfish në krahasim me atë që Jobi kishte më parë: dyfishin e deleve, deveve, qeve dhe gomerëve. 42:13-17 Ai pati gjithashtu shtatë bij dhe tri bija, që dyfishuan familjen e tij, meqë mbase i kishte të parët në qiell. Jobi jetoi njëqind e dyzet vjeç. Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para. Kështu Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë. Dhe në tërë këtë histori Jobi nuk e mallkoi Perëndinë ashtu siç e kishte paditur Satanai. Është një prekje e dashur e hirit të Perëndisë që Jobi, i cili ishte shpërfytyruar aq shumë nga sëmundja e tij, pas ripërtëritjes së tij pati vajza që ishin tejet të bukura (etërve u pëlqen të mburren me vajzat e tyre të dashura!). Domethëniet e emrave të tyre janë ndërtuese [47]: Jemimah (pëllumb), Ketsiah (kasia, një lëvozhgë me aromë kanelle) dhe Keren-Hapuk (prekël e stolisjes së syrit [48]). Jobi u dha atyre edhe një trashëgimi me vëllezërit e tyre, gjë e cila mbase nuk ishte një praktikë e zakontë në epokën patriarkale.