Femohuesit zbulohen (Juda 3-16)

V3 Në fillim Juda kishte si qëllim të shkruante për shpëtimin e mrekullueshëm që është zotërim i përbashkët i të gjithë besimtarëve. Por Fryma e Perëndisë ndikoi mbi këtë autor aq shumë sa që ky ndjeu nevojën të shkruante për diçka tjetër. Një kumtesë e thjeshtë tani nuk mjafton; kjo duhet të jetë një thirrje e zjarrtë që të fuqizojë lexuesit. Kjo duhet të nxisë ata aq shumë sa që të luftojnë me zell për besimin. Të vërtetat e shenjta të Krishterimit sulmohen, dhe përpjekjet tashmë ishin nisur që të shkatërrojnë dalngadalë doktrinat themelore të mëdha. Njerëzit e Perëndisë duhet të qëndrojnë me ngulm mbi frymëzimin, pagabueshmërinë, autoritetin dhe mjaftueshmërinë e Fjalës së Shenjtë të Perëndisë.

Duke luftuar për besimin, besimtari duhet të flasë dhe të sillet si një i krishterë. Siç ka shkruar Pali, “shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm” (2Tim 2:24). Ai duhet të luftojë pa qenë sherrxhi, dhe të dëshmojë pa prishur dëshminë e tij.

Ajo për të cilën luftojmë me zell është besimi që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë. Vini re këtë! Jo, “një herë,” por “një herë e përgjithmonë.” Mbledhja e doktrinave është e përfunduar. Kanuni ka mbaruar. Asnjë gjë nuk mund t’i shtohet. “Nëse ajo është e re, nuk është e vërtetë, dhe nëse ajo është e vërtetë, nuk është e re.” Kur një mësues pretendon të ketë bërë një zbulim që është mbi dhe matanë çfarë është gjetur në Bibël, ne e refuzojmë menjëherë. Kjo është përgjigjja jonë ndaj udhëheqësve të kulteve të rreme që vijnë nga librat e tyre dhe pretendojnë që ato kanë të njëjtin autoritet me Shkrimet.

V4 Natyra e kërcënimit zbulohet në vargun 4. Bashkësia e krishtere ishte duke qenë depërtuar nga mashtruesit. Disa njerëz depërtuan ndërmjet besimtarëve pa u vënë re. Ajo ishte një lëvizje spiune që vepronte fshehurazi dhe me mashtrim.

Ata njerëz ishin shënuar që nga fillimi për këtë dënim. Duket në fillim që kjo do të thotë që Perëndia i zgjodhi ata njerëz që të dënohen. Por kjo nuk është e vërtetë. Bibla kurrë nuk na mëson që disa janë zgjedhur që të dënohen. Kur njerëzit shpëtohen, kjo është nëpërmjet hirit sovran të Perëndisë. Por kur njerëzit humbasin kjo është për shkakun e mëkatit dhe mosbindjes të tyre.

Kjo shprehje do të thotë që dënimi i femohuesve ka qenë i caktuar që moti. Nëse njerëzit zgjedhin vetë që të largohen nga besimi i krishterë, atëherë dënimi i tyre është njëlloj si dënimi i izraelitëve në shkretëtirë që nuk besuan, i engjëjve që u rebeluan, dhe Sodomitëve. Ata nuk janë paracaktuar që të rrëzohen, por kur ata mohojnë vullnetarisht besimin [nëpërmjet apostazisë] ata vuajnë ndëshkimin e paracaktuar për të gjithë femohuesit.

Dy karakteristikat kryesore të këtyre njerëzve të pabesë janë sjellja e tyre e shthurur dhe doktrina e tyre e korruptuar. Me sjelljen ata e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet. Ata shtrembërojnë lirinë e krishterë në “lirinë”që njerëzit mund të mëkatojnë. Në doktrinat e tyre ata mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi [2], dhe Zotin tonë Jezu Krisht. Ata mohojnë të drejtën absolute të Tij që të mbretërojë, hyjninë e Tij, vdekjen zëvendësuese të Tij, dhe ringjalljen e Tij. Në fakt, ata mohojnë çdo doktrinë themelore rreth Personit dhe veprës së Tij. Duke pranuar liberalizmin e gjerë në sferën frymërore, ata kundërshtojnë me zell Ungjillin, vlerën e gjakut të çmuar të Krishtit, dhe faktin që Krishti është rruga e vetme për shpëtim.

Kush janë këta njerëz? Ata janë të ashtuquajtur shërbëtorë të ungjillit. Ata mbajnë pozita si udhëheqës në Krishterim. Disa janë peshkopë, ose anëtarë të këshillave të krishterë, ose pedagogë në shkolla fetare. Por të gjithë ata kanë një gjë të përbashkët – ata janë kundër Krishtit të Biblës dhe kanë trilluar për vetveten një “Krisht liberal” [3] ose “Krisht të ri” [4] duke e zhveshur nga lavdia, madhështia, zotërimi, dhe autoriteti.

V5 Nuk ka dyshim rreth përqendrimit të Perëndisë ndaj këtyre femohuesve. Ai e ka zbuluar disa herë në DhV. Tani Juda dëshiron t’i kujtojë lexuesit e tij për tre shembuj të tillë – izraelitët që nuk besuan, engjëjt që mëkatuan, dhe njerëzit e Sodomës dhe Gomorës.

Shembulli i parë është Izraeli në shkretëtirë: Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan (shih Num 13, 14; 1Kor 10:5-10). Perëndia i kishte premtuar tokën e Kanaanit izraelitëve. Në atë premtim ishte fuqizimi i plotë për të cilin ata kishin nevojë. Por ata pranuan raportimin e spiunëve në Kadesh dhe u rebeluan kundër Zotit. Si rezultat, të gjithë burrat mbi moshën 20 vjeç kur dolën nga Egjipti humbën në shkretëtirë me përjashtim të Kalebit dhe Jozueut (shih Heb 3:16-19).

V6 Shembulli i dytë i rebelimit dhe femohimit është ai i engjëjve që mëkatuan. Si u rebeluan? Ne dimë vetëm këtë me siguri, që ata nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, por e lanë banimin e tyre, dhe tani janë të ruajtur me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe

Duket nga Shkrimi që kanë qenë të paktën dy raste të apostazisë së engjëjve. Një herë ndodhi kur Luciferi ra dhe bashkë me të në rebelimin e tij shumë qenie engjëllore të tjera. Ata engjëj të rrëzuar nuk janë të lidhur në kohën e tashme. Djalli dhe demonët e tij luftojnë me zell kundër Zotit dhe njerëzve të Tij.

Juda dhe Pjetri i referohen apostazisë tjetër të engjëjve (2Pje 2:4). Mësuesit biblikë kanë opinione të ndryshme për domethënien e kësaj ngjarjeje. Çfarë ne sugjerojmë është një pikëpamje personale, jo një pretendim dogmatik.

Ne besojmë që Juda i referohet Zanafillës 6:1-7. Djemtë e Perëndisë e lanë banimin e tyre (si qenie engjëllore), zbritën në tokë në trajtën njerëzore, dhe morën për gra vajzat e njerëzve. Ky bashkim martesor ishte në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë dhe ishte një neveri përpara Tij. Ndoshta vargu 4 sugjeron që këto martesa jonatyrale prodhuan fëmijë shumë të shthurur me fuqi të mbinatyrshme. Nëse kjo është e vërtetë apo jo, është e qartë që Perëndia ishte jashtë mase i pakënaqur me ligësinë e njeriut në këtë kohë dhe vendosi të shkatërronte botën me një përmbytje.

Janë tre kundërvënie në lidhjen me këtë pikëpamje: (1) Pjesa te Zanafilla nuk përmend engjëj, por vetëm “bijtë e Perëndisë.” (2) Engjëjt nuk janë as meshkuj as femra. (3) Engjëjt nuk martohen.

Është e vërtetë që engjëjt nuk janë përmendur, por është gjithashtu e vërtetë që fraza “bijtë e Perëndisë” u referohet engjëjve në gjuhën semitike (shih Job 1:6; 2:1).

Nuk ka asnjë thënie në Bibël që thotë që engjëjt janë pa gjini. Engjëjt nganjëherë u shfaqën në tokë në trajtë njerëzore me gjymtyrë njerëzore dhe oreks njerëzor (shih Zan 18:2,22; 19:1, 3-5).

Bibla nuk thotë që engjëjt nuk martohen, por vetëm që në qiell nuk martohen, as martojnë (Mat 22:30).

Nga të gjitha ngjarjet që referohen këtu, gjëja kryesore është që këta engjëj e lanë sferën që Perëndia kishte për ata. Tani ata janë me pranga dhe në errësirë për gjyqin e ditës së madhe kur ata do të marrin dënimin e tyre në ferr.

V7 Shembulli i tretë i apostazisë që Juda përmend është shembulli i Sodomës dhe Gomorës edhe qyteteve përreth (Zan 18:16-19:29). Fjala paraprake “posi” tregon që mëkati i Sodomitëve i ngjante mëkatit të engjëjve që ishte imoralitet i shthurur, diçka që ishte krejtësisht kundër natyrës dhe një neveri përpara Perëndisë.

Mëkati specifik i shthurjes diskutohet nga Pali në Romakët: “edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre” (Rom 1:26b-27). Njerëzit e Sodomës, Gomorës, Admahut, dhe Ceboimit (Zan 14:2) ishin dhënë jashtë mase pas homoseksualitetit. Mëkati përshkruhet kështu “u dhanë pas çoroditjesh seksuale,” që do të thotë që ata bënin diçka krejtësisht kundër normës natyrore që Perëndia ka caktuar.

A është një rastësi që shumë femohues të ditëve të sotme mbrojnë publikisht homoseksualitetin dhe bëjnë fushata që të legalizohet kur ai bëhet midis dy të rriturve që janë dakord midis njëri-tjetrit?

Qytetet e Sodomës dhe Gomorës u janë vënë atyre përpara si një shembull, duke pësuar ndëshkimin e një zjarri të përjetshëm. Kjo shprehje e fundit “një zjarri të përjetshëm” nuk do të thotë se zjarri që shkatërroi qytetet e liga është i përjetshëm, por simbolizon ndëshkimin e përjetshëm që zbatohet në mënyrë efektive me fuqi shkatërruese, i cili do të bjerë mbi të gjithë rebelët.

V8 Tani Juda kthehet tek tema e femohuesve të ditëve të sotme dhe përshkruan mëkatet, dënimin, shëmbëlltyrat e tyre në natyrë, dhe fatin, veprat dhe fjalët e tyre të pabesa (v8-16).

E para, lexojmë për mëkatet e tyre. Duke ëndërruar ata ndotin mishin. Mendjet e tyre janë të ndotura. Duke jetuar në një botë që është e mbushur me fantazi mishore, me kalimin e kohës ata gjejnë përmbushjen e ëndrrave të tyre duke kryer imoralitet siç bënë njerëzit e Sodomës.

Ata përbuzin pushtetin. Ata janë rebelë kundër Perëndisë dhe qeveritarëve. Ata mbështetin shkeljen e ligjit dhe anarkinë. Emrat e tyre janë shkruar në listën e anëtarëve të organizatave që janë të përkushtuara që t’i hedhin poshtë qeveritë.

Ata blasfemojnë kundër dinjiteteve. S’kanë respekt kur thuhet që “nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia” (Rom 13:1b). Ata e përbuzin urdhërimin hyjnor, “Mos blasfemo Perëndinë dhe mos mallko princin e popullit tënd” (Eks 22:28). Ata flasin pa respekt dhe me përbuzje kundër pushtetit qoftë hyjnor, qoftë engjëllor, ose qoftë njerëzor.

V9 Në lidhje me këtë, ata sillen në mënyrë aq të habitshme që madje kryeengjëlli Mikael do ta refuzonte. Kur Mikaeli debatonte me djallin për trupin e Moisiut, ai nuk guxoi të shqiptojë një gjykim fyes, por tha thjesht: “Zoti të qortoftë!” Këtu Juda na tregon për një ngjarje që nuk gjendet në asnjë vend tjetër në Bibël. Natyrisht pyetja shtrohet, “Nga kush e mori ai këtë informacion?”

Disa thonë që ky informacion ishte transmetuar brez pas brezi nëpërmjet traditës. Ndoshta kjo është e vërtetë.

Shpjegimi më bindës është që informacioni iu zbulua Judës me anë të të njëjtit personi – Frymës të Shenjtë që e ka frymëzuar atë që të shkruante Letrën.

Ne nuk kemi asnjë dije specifike përse debati u ngrit midis Mikaelit dhe Satanit për trupin e Moisiut. Ne dimë që Perëndia e varrosi Moisiun në një luginë të Moabit. Ka mundësi që Satani kishte dëshirë të gjente vendin që të ndërtonte një altar. Atëherë Izraeli do të kryente idhujtari duke i adhuruar kockat e Moisiut. Si përfaqësuesi engjëllor i njerëzve të Izraelit (Dan 10:21), Mikaeli do të vepronte që të mbronte njerëzit nga kjo formë e idhujtarisë duke fshehur varrin.

Por pika kryesore është kjo: Megjithëse Mikaeli është një kryeengjëll, të cilin Perëndia do ta përdorë që të hedhë poshtë Satanin nga qielli (Zbu 12:7-9), ai nuk guxoi t’i thotë një gjykim fyes atij që mbretëron në sferën e demonëve. Ai e la këtë qortim të duhur në dorën e Perëndisë.

V10 Kokëfortë dhe të papërulur, femohuesit flasin keq për të gjitha gjërat që nuk i dinë. Ata nuk kuptojnë që në çdo shoqëri të rregullt, duhet të ekzistojë pushteti dhe që njerëzit duhet t’i nënshtrohen. Por ata sillen me arrogancë dhe rebelim.

Sidoqoftë ata njohin shumë mirë instinktet natyrale, d.m.th. kënaqësitë e oreksit të mishit. Me mendjen e kafshëve pa arsye, ata dorëzojnë vetveten që të bëjnë imoralitet dhe si rezultat prishin veten.

V11 Një gjykim i ashpër bie mbi ata. Mjerë ata! Për shkakun e një zemre të ngurtësuar dhe të papenduar, ata mbledhin për veten e tyre zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë (Rom 2:5).

Karriera e tyre përshkruhet si një rënie që çdo ditë merr më shumë shpejtësi. E para, ata kanë marrë rrugën e Kainit. E dyta, ata u dhanë pas çoroditjes së Balaamit për fitim. Së fundi, ata mbaruan në rebelimin e Koreut. Gabimi dhe apostazia çojnë gjithmonë njerëz tek humnera e shkatërrimit dhe pastaj në humbje poshtë.

Rruga e Kainit është thjesht refuzimi i shpëtimit me anë të gjakut të një viktime sakrifikuese (Zan 4). Është përpjekja e njeriut që t’i pëlqejë Perëndisë nëpërmjet veprave njerëzore. C.H. Mackintosh thotë, “Zgjidhja e Perëndisë që të pastrojë njeriun refuzohet, dhe zgjidhja e njeriut që të përmirësojë vetveten e zëvendëson zgjidhjen e Perëndisë. Kjo është rruga e Kainit.” Pa diskutim, besimi tek veprat njerëzore gjithmonë e urren hirin dhe objektet e hirit. Dhe me kalimin e kohës kjo urrejtje çon në persekutim dhe vrasje (1 Gjo 3:15).

Çoroditja e Balaamit është dëshira të bëhesh i pasur me anë të fitimit fetar. Balaami tha që ishte një profet i Perëndisë, por ai ishte lakmues, dhe i gatshëm të përdorte dhuntinë e tij profetike për para (Num 22-24). Pesë herë Balaku i dha para që të mallkonte Izraelin, dhe Balaami ishte gjithmonë i gatshëm ta bënte. Por Perëndia e frenoi me forcë. Shumë gjëra që ai tha ishin të vërteta dhe të bukura, por ai ishte një profet që kërkonte para si një rrogëtar. Ai nuk pati sukses të mallkonte burrat e Izraelit, por me kalimin e kohës pati sukses duke i çuar në mëkat me bijat e Moabit (Num 25:1-5).

Si Balaami, mësuesit e rremë të ditëve të sotme janë dinakë dhe bindës. Ata mund të flasin njëkohësisht të vërtetën dhe të rremën. Ata mbysin të vërtetën që të rriten rrogat e tyre. Parimi kryesor është që ata janë lakmues duke kërkuar të kthejnë shtëpinë e Perëndisë në një shtëpi tregtarësh.

Krishterimi i sotëm është i përzier me majanë e tregtisë fetare për fitim personal. Nëse motivi fitimprurës mund të hiqet, shumë gjëra që tani janë bërë në emrin e Krishtit do të ndalohen menjëherë. C.A. Coates paralajmëron:

Njeriu është aq i poshtër sa që ai fiton për veten me anë të shërbesës së Perëndisë. Kjo është pika më e ulët e poshtërsisë së njeriut. Zoti ka një gjykim të saktë mbi këtë. Ne shohim që Krishterimi është i mbushur me gjëra të tilla, dhe duhet të mbrojmë veten që të mos hyjë kjo frymë. [5]

Arsyeja e tretë për “mjerimin” që Juda deklaroi është që këta mësues të rremë mbaruan në rebelimin e Koreut. Bashkë me Dathanin dhe Abiramin, Koreu u rebelua kundër udhëheqjes së Moisiut dhe Aaronit dhe dëshiruan të kryenin përgjegjësitë e priftërinjve (Num 16). Duke bërë këtë ata me të vërtetë e përbuznin Zotin. Për mosnënshtrimin e tyre, dheu u ça poshtë tyre,

toka hapi gojën e saj dhe i gëlltiti. Pra, Perëndia shfaqi pakënaqësinë e Tij me veprimin e rebelimit kundër atyre të cilët Ai i kishte caktuar si përfaqësues.

V12 Tani Juda zgjedh pesë ilustrime nga natyra që të tregojë karakterin dhe fatin e femohuesve. Moffatt thotë që “qielli, toka, dhe deti janë përdorur si ilustrime të karakterit të këtyre njerëzve.”

Këta janë njolla në agapitë tuaja [6] të cilët të krishterët e hershëm i patën në Darkën e Zotit. Ata nuk kanë frikë nga Perëndia, as nga njeriu, dhe kullotin veten më shumë se tufën. Ata tërheqin të tjerët që të braktisin besimin.

Ata janë re pa ujë. Duket që ata premtojnë shi për tokën, por pastaj janë shtyrë [7] sa andej këndej nga erërat duke lënë zhgënjim dhe pakënaqësi.

Ata janë drurë vjeshte pa fruta. Dyfish të vdekur do të thotë me të vërtetë të vdekur, ose do të thotë të vdekur në degët dhe në trungun. Edhe ata janë të shkulur me rrënjë, si të shkulur nga toka prej një ere të fortë duke mos lënë ndonjë trung, d.m.th. asnjë burim të jetës për të ardhmen.

V13 Ata janë valë deti të egra, të pakontrolluara dhe të zhurmshme. Por më në fund, gjëja e vetme që mbetet është shkuma e paudhësive të tyre. Ata mburren në atë gjë për të cilën duhet të kenë turp. Në fund, shërbesa e tyre nuk lë asnjë gjë me vlerë.

Së fundi, ata janë yje të këputur për të cilët është ruajtur terri i errësirës për gjithmonë. Yje të këputur janë trupa qiellore që nuk lëvizin në orbita të rregullta. Ata janë pa vlerë për qëllimin e lundrimit. Sa i përshtatshëm është ky përshkrim për mësuesit e rremë! Është e pamundur të marrësh drejtim frymëror nga këta meteorë fetarë që ndriçohen për një çast, dhe pastaj zhduken në errësirë si fishekzjarrët.

V14 Fati i femohuesve ishte parathënë nga Enoku në brezin e shtatë pas Adamit. Kjo profeci gjendet vetëm në Letrën e Judës. Disa mendojnë që kjo të jetë marrë nga libri i Enokut në Apokrifa, por s’ka provë që ai libër i dyshimtë të ekzistonte në kohën e Judës. Kelly shkruan:

Nga të gjitha anët ai [Libri i Enokut] duket qartas që u shkrua pas shkatërrimit të Jeruzalemit [që do të thotë pas kohës kur u shkrua Letra e Judës], nga një çifut që akoma ishte i bindur që Perëndia do të mbronte Judenjtë. [8]

Ndërsa ne nuk e dimë se si Juda e mori këtë profeci të lashtë, një shpjegim i thjeshtë është që Fryma e Shenjtë ia zbuloi atij siç Ai drejtoi shkrimin e pjesës tjetër të Letrës nëpërmjet frymëzimit.

Profecia fillon: “Ja, Zoti erdhi me mijërat e tij të shenjtë.”[9] Kjo profeci do të përmbushet pjesërisht kur Zoti Jezus kthehet në tokë pas Mundimit të Madh që të shkatërrojë armiqtë e Tij dhe të mbretërojë si Mbret. Do të përmbushet përfundimisht në fundin e sundimit njëmijëvjeçar të Krishtit kur të vdekurit e pabesë gjykohen në Fronin e Madh të Bardhë.

V15 Krishti kthehet të bëjë gjyqin kundër të gjithëve. Pjesa tjetër e vargut tregon që “të gjithë” këtu do të thotë të gjithë ‘të pabesët.” Besimtarët e vërtetë nuk përfshihen këtu. Me anë të besimit në Krishtin, ata nuk gjykohen siç është premtuar në Gjo 5:24, “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.” Si Biri i Njeriut të cilit Perëndia ia dha gjithë gjyqin, Zoti Jezus do të bindë të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë folën kundër tij. Disa herë në këtë varg gjejmë fjalën “të pabesë.” Njerëzit janë të pabesë. Veprat e tyre janë të pabesa. Dhe mënyra me të cilën ata folën kundër Zotit është e pabesë. Shkurt, Zoti do ta dënojë gjithë pabesinë e tyre duke shpallur një dënim mbi ata për shkakun e fajit të tyre.

V16 Fjalët dhe veprat e tyre të pabesa përshkruhen më shumë në këtë varg. Ata janë murmuritës. Ata nuk janë mirënjohës për mëshirën e Perëndisë, por ankohen për fatin e tyre. Fakti që Perëndia e urren këtë sjellje duket qartas nga shkatërrimi i Izraelit në shkretëtirë.

Gjithmonë ata gjejnë faj në Zotin. Përse Ai lejon luftra dhe vuajtje? Përse Ai nuk rregullon të gjitha parregullsitë në shoqëri? Nëse Ai është i plotfuqishëm, përse nuk bën ndonjë gjë me problemet e botës? Edhe gjejnë faj me njerëzit e Perëndisë që ata nuk janë më liberalë në doktrinë dhe praktikë.

Ata ecin sipas pasioneve të tyre duke bërë mëkatet e mishit. Ata janë të parët në mbrojtjen e liberalizmit të gjërave seksuale.

Arroganca në të folurit e tyre tërheq vëmendjen e njerëzve. Pikëpamjet e tyre janë ekstreme në sferat politike, ekonomike dhe shoqërore. Fakti që ata hedhin poshtë doktrinat themelore të krishterë (p.sh. që Perëndia është i vdekur) u jep atyre një reputacion të mirë midis mësuesve fetarë liberalë.

Së fundi, ata janë të zotë me lajka. Ata u bëjnë lajka njerëzve për dobi të vet duke siguruar një rrogë të mirë.

Ky përshkrim është i vërtetë dhe i saktë. Kjo konfirmohet çdo ditë nga lajmet e gazetave të botës.