Paditë e Zotit kundër Izraelit, përgjigjet e tyre dhe gjykimet e tij kërcënuese (Malakia 1:1-3:15)

PADITË E ZOTIT KUNDËR IZRAELIT, PËRGJIGJET E TYRE DHE GJYKIMET E TIJ KËRCËNUESE (MALAKIA 1:1-3:15)

A. Mosmirënjohja (1:1-5)

Në kapitullin e parë e shohim Zotin duke bërë disa padi kundër popullit dhe përgjigjen e këtij të fundit me mohime të forta. Së pari, Zoti përmend dashurinë e Tij ndaj tyre dhe ata i kërkojnë ta provojë: “Si na ke dashur?”. Ai e bën këtë duke iu kujtuar atyre dashurinë e Tij për Jakobin (nga i cili kishin rrjedhur), mohimin e Tij të Ezaut dhe gjykimet e Tij mbi pasardhësit e tij, edomitët. Sytë e popullitIzraelit do të shohin shkretimin e Edomit dhe ata do të pranojnë madhështinë e Perëndisë.

B. Sakrilegji i priftërinjve (1:6-14)

1:6 Më pas Zoti i padit priftërinjtë për përçmim të emrit të Tij dhe dështim në nderimin e Tij. Ata i kërkojnë prova për sjelljen e tyre të përdhosur.

1:7,8 Zoti i padit ata për dërgim ofertash të ndotura. Ata, gjithashtu, e mohojnë këtë, por Ai u kujton atyre se kanë vepruar sikur çdo gjë të ishte mjaft e mirë për Zotin. Ata i kishin çuar flijime të verbra dhe të çala, të cilat nuk do të guxonin t’ua paraqisnin para qeveritarit të tyre.

1:9 Profeti i nxit ata të pendohen nga mëkatet e tyre, në mënyrë që të pengohet zemërimi i Perëndisë.

1:10 Zoti i ushtrive dëshiron që dikush të mbyllte dyert e tempullit, në mënyrë që flijimet të ndalonin, sepse ato ishin krejt të papranueshme për Të.

1:11 Por Zoti do t’i japë nderin që i takon emrit të Tij midis kombeve edhe pse populli i Tij nuk do ta nderojë.

1:12-14 Judenjtë i përçmonin gjërat e shenjta të tempullit dhe ishin mërzitur së shërbyeri Perëndisë. Një mallkim do të bjerë mbi të gjithë ata që kanë sjellë kafshë me të meta dhe që përfundojnë si flijim për Perëndinë. Arsyeja është se Zoti i ushtrive është një Mbret i madh dhe emri i Tij është i tmerrshëm midis kombeve.

C. Dënimi i priftërinjve (2:1-9)

Priftërinjtë paralajmërohen solemnisht për gjykimin e tmerrshëm nëse nuk pendohen dhe nuk ndryshojnë rrugët e tyre. Atyre u sillet ndër mend se priftërinjtë e lashtë ishin besnikë ndaj besëlidhjes së Perëndisë me Levin, por tashmë priftërinjtë ishin prishur plotësisht dhe kështu Perëndia i kishte bërë të përbuzshëm dhe të neveritshëm përpara gjithë popullit.

D. Ndarja dhe martesat e përziera (2:10-16)

2:10-12 Më pas shtjellohet tema e divorcit dhe e martesës me paganët idhujtarë. Populli i Judës kishte vepruar me pabesi duke u martuar me të huaj, duke shkatërruar kështu solidaritetin e tyre kombëtar. Ata që kishin bërë martesa të përziera do të shfaroseshin.

2:13-16 Populli qante tek altari, ngaqë Zoti nuk pranonte më ofertat e tyre me favor. Dhe pse jo? Sepse Zoti kishte qenë një dëshmitar në martesat e tyre, të cilat po i prishnin tani aq thjeshtë. Ai kishte pasur si synim që ata të ishin një popull i pastër, për të prodhuar një prejardhje nga Perëndia dhe të veçuar nga prishjet e paganëve. Perëndia… e urren divorcin jobiblik dhe dhunën e tij pasuese. Lidhja midis divorcit dhe dhunës shpjegohet nga Ballduini (Baldwin) si vijon:

Ai e shikon divorcin si një mbulim të rrobës së dikujt me dhunë, një shprehje figurative për çdo lloj padrejtësie të madhe, e cila, ashtu si gjaku i një viktime të vrarë, lë shenjën që ta shohin të gjithë [1].

E. Mohimi i shenjtërisë dhe i drejtësisë së Perëndisë (2:17)

Ata e kishin lodhur Zotin duke thënë se Atij nuk i interesonte sjellja e kujtdo që vepronte keq. Ata e sfidonin Atë me hipokrizi për të ndërhyrë duke thënë: “Ku është Perëndia i drejtësisë?”.

F. Parantezë: ardhja e Mesias në gjykim (3:1-6)

3:1 Më pas Perëndia i përgjigjet sfidës së pabesë të vargut të mëparshëm. Ai do të dërgojë lajmëtarin e Tij, një premtim që ka pasur një përmbushje të hershme dhe të pjesshme te Gjon Pagëzori, por pret një përmbushje të mëvonshme dhe të plotë kur Elia (4:5) të përgatisë udhën e Zotit…, engjëllit [lajmëtarit] të besëlidhjes, të cilin e kishin dëshiruar (ironi). Ironia këtu është se kur Ai erdhi më vonë (Ardhja e Tij e Parë), kombi i Izraelit nuk gjeti ëndje në Të, por e kryqëzuan.

3:2-4 Dita e ardhjes së Tij do të jetë Ardhja e Dytë. Zoti do të vijë në gjykim të mëkatit dhe kush do të mund të qëndrojë? Kjo shërbesë pastrimi, e simbolizuar nga pastrimi i tempullit nga Krishti, pret një përmbushje përfundimtare në Ardhjen e Tij të Dytë. Bijtë e Levit (priftërinjtë) do të pastrohen në mënyrë që të bëjnë oferta shenjtërie dhe drejtësiedo të pëlqehen nga Zoti, si në kohët e shkuara.

3:5 Zoti do të ndëshkojë gjithashtu magjistarët, shkelësit e kurorës, ata që bëjnë betime të rreme, vjedhësit e mëditjes së punëtorit, të vesë dhe jetimit, po ashtu edhe që dëbojnë të huajin.

3:6 Fakti që Zoti është i Pandryshueshmi shpjegon ruajtjen e bijve të Jakobit nga shkatërrimi.

G. Zemërpërdalja e popullit (3:7)

Zoti e fton popullin që të kthehet tek Ai, por ata e mohojnë se janë larguar, duke pyetur me hipokrizi: “Si duhet të kthehemi?”.

H. Vjedhja ndaj Perëndisë e të dhjetave dhe ofertave (3:8-12)

Sipas Ligjit të Moisiut izraelitëve u kërkohej t’i jepnin të dhjetën e tërë prodhimeve dhe të gjësë së gjallë Zotit (ose mund ta shpengonin atë me para dhe të shtonin një të pestën). Të dhjetat ishin si shtesë e ofertave të shumta dhe ishin një dëftim se çdo gjë i përkiste Perëndisë dhe se Ai ishte Dhënësi i tërë pasurive.

DhR i mëson besimtarët të japin sistematikisht, lirisht, me gëzim dhe sipas asaj që u ka dhënë Zoti, pra, në përpjesëtim. Por nuk përmendet e dhjeta. Për më tepër, ideja është se nëse një jude që jetonte nën ligj jepte të dhjetën, sa më tepër duhet të japë një i krishterë që jeton nën hir!

Shpërblimi për të dhjetën besnike në DhV ishte pasuria materiale; shpërblimi për shërbimin besnik në kohën e tashme janë pasuritë frymërore.

Kështu, Ai u kujton atyre për dështimin në dërgimin e së dhjetës dhe ofertave, duke e vjedhur kështu Perëndinë dhe shkaktonin një mallkim mbi vete. Nëse do të ishin besnikë me të dhjetën e tyre, Ai do t’i bekonte me mbushulli marramendëse, aq shumë sa nuk do të kishin vend të mjaftueshëm ku ta shtinin. Ai do t’i çlironte nga thatësia, plaga, armiqtë e karkalecat dhe do t’i bënte një bekim në tokë.

I. Paditë e rreme kundër Perëndisë (3:13-15)

Përsëri Zoti i padit se ata kanë folur fjalë të ashpra kundër Tij, duke thënë se nuk ia vlen t’i shërbesh Perëndisë apo t’i bindesh Atij. Ata mësonin se krenarët, të ligjtë dhe ata që provokojnë Perëndinë jo vetëm begatohen, por edhe Zoti nuk kërkon llogari nga ata.

[1] Joyce Baldwin, Haggai, Zechariah, Malachi, f. 241.[[1]]




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa