Malakia është si një mbrëmje e vonuar që mbyll një ditë të gjatë; por është gjithashtu agimi i mëngjesit që sjell një ditë të lavdishme në gjirin e tij.Nagelsbach
I. Vend unik në Kanun
Malakia (lajmëtari Im, mbase një formë e shkurtuar e Mala’k–iyyah, lajmëtar i Jehovahut) shquhet si profeti i fundit dhe si urë midis dy dhiatave, duke parë qoftë nga Gjon Pagëzori, qoftë nga Zoti Jezu Krisht.
Çuditërisht shumë besojnë se profecia e Malakias është anonime dhe se emri është thjesht një titull për Esdrën apo ndonjë shkrimtar tjetër. Disa etër të kishës mendonin madje se shkrimtari ishte një engjëll, meqë në greqisht (dhe hebraisht) e njëjta fjalë mund të nënkuptojë engjëll apo lajmëtar{{1}}!
Malakia ka gjithashtu një stil të veçantë dialektik (pyetje – përgjigje), që i ka shtyrë disa ta quajnë atë “Sokrati hebre”.
II. Autorësia
Edhe pse tradita judaike thotë se Malakia i përkiste “Sinagogës së Madhe” dhe se ishte një levit nga Sufa, në Zabulon, nuk dimë asgjë të përcaktuar rreth profetit veçse nga libri i tij. Ka arsye bindëse për ta pranuar atë si një shkrimtar të guximshëm, zakonisht të ashpër, që bashkë me Hagain dhe Zakarian u bënë thirrje judenjve pas mërgimit të ktheheshin në marrëdhënien me anë të besëlidhjes me Perëndinë.
III. Data
Është e qartë se Malakia ka shkruar pas vitit 538 para K., meqë ai përdor ekskluzivisht fjalën e epokës pas mërgimit të judenjve për qeveritar{{2}}. Është gjithashtu e qartë se ai ka shkruar më vonë se dy profetët e tjerë “të vegjël” pas mërgimit, Hagai dhe Zakaria, meqë te Malakia tempulli kishte mbaruar, ritet ishin vendosur përsëri dhe, në fakt, kishte kaluar shumë kohë për ardhjen e rënies frymërore. Gjithashtu, muret e Jerusalemit ishin ndërtuar përsëri.
Mbase libri i Malakias duhet të datohet midis viteve 470 e 460 para K.
IV. Sfondi dhe tema
Problemet te Malakia janë të njëjta me ato te Nehemia: martesat e përziera me paganët, praktikat e padrejta financiare, mospagimi i së dhjetës në shtëpinë e Perëndisë dhe apati e përgjithshme frymërore. Ose janë të njëjtat probleme të përmendura te Nehemia, ose një përsëritje apo vazhdimësi e tyre jo shumë gjatë pas kësaj kohe.
Për shkak të jetës fetare të ndryshkur të judenjve pas mërgimit, Malakia u përpoq t’i nxiste ata duke përdorur këtë metodë të gjallë të dialogut me një popull të pabesë.
Është theksuar se Malakia e ka marrë me të drejtë emrin “lajmëtari Im” apo “lajmëtari i Jehovahut” (versioni NKJ, Zot), sepse në këta katër kapituj të shkurtër profeti përshkruan tre lajmëtarë: priftin e Zotit (Mal. 2:2); Gjon Pagëzorin (Mal. 3:1a) dhe Vetë Zotin tonë (Mal. 3:16).
Malakia flet për kërkesën e fundit të Jehovahut drejtuar popullit të Tij në periudhën e DhV. Pas kësaj zëri profetik do të qëndrojë i heshtur për katër shekuj deri në ardhjen e Gjon Pagëzorit.
Ia vlen të përmendim se pavarësisht se sa “vonë” mund ta datojnë disa kritikë librin e Malakias apo profecitë e tjera, këto shkrime janë shkruar përfundimisht shumë kohë përpara ngjarjeve të Gjonit dhe Zotit Jezus. Prandaj, ato janë profeci të vërteta dhe jo “histori e shkruar si profeci”, siç pohojnë disa kritikë shkatërrues.
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. PADITË E ZOTIT KUNDËR IZRAELIT, PËRGJIGJET E TYRE DHE GJYKIMET E TIJ KËRCËNUESE (1:1-3:15)
A. Mosmirënjohja (1:1-5)
B. Sakrilegji i priftërinjve (1:6-14)
C. Dënimi i priftërinjve (2:1-9)
D. Ndarja dhe martesat e përziera (2:10-16)
E. Mohimi i shenjtërisë dhe i drejtësisë së Perëndisë (2:17)
F. Parantezë: ardhja e Mesias në gjykim (3:1-6)
G. Zemërpërdalja e popullit (3:7)
H. Vjedhja ndaj Perëndisë e të dhjetave dhe ofertave (3:8-12)
I. Paditë e rreme kundër Perëndisë (3:13-15)
II. BEKIMI I PJESËS SË MBETUR DHE GJYKIMI I TË PABESËVE (3:16-4:6)
A. Përtëritja e pjesës së mbetur (3:16-18)
B. Gjykimi i të pabesëve (4:1)
C. Ardhja e Mesias për pjesën e mbetur (4:2,3)
D. Nxitja përfundimtare për bindje, me premtimin e ardhjes së profetit Eli (4:4-6)
[1] Fjala jonë engjëll vjen nga fjala greke angelos (lajmëtar apo engjëll). Emri i librit vjen nga fjala hebraike mala’k, me të njëjtin kuptim.[[1]]
[2] Joyce Baldwin, Haggai, Zechariah, Malachi, f. 241.[[2]]