Ngadhënjimi i Shërbëtorit (Marku 16)

A. Gratë te varri i zbrazët (16:1-8)

16:1-4 Në mbrëmjen e së shtunës, dy Maritë dhe Salomeja erdhën te varri për të aromatizuar me erëza trupin e Jezusit. Ato e dinin se nuk do të ishte e lehtë; ato e dinin se një gur i stërmadh ishte rrokullisur te gryka e varrit; ato dinin për sa i përket vulës romake dhe rojes së ushtarëve, por dashuria i kapërcen malet e vështirësisë për të arritur objektin e përzemërsisë së saj. Shumë herët, në mëngjesin e së dielës, ato po kërkonin me këmbëngulje se kush do ta rrokulliste gurin nga hyrja e varrit. Kur ngritën sytë dhe panë se guri ishte hequr! Sa shpesh ndodh që vështirësitë të largohen përpara se të mbërrijmë tek ato kur kemi qëllim që ta nderojmë Shpëtimtarin. 16:5-6 Kur hynë…në varr, ato panë një engjëll me pamjen e një djaloshi të veshur me të bardha. Ai ua largoi shpejt frikën duke i lajmëruar se Jezusi ishte ringjallur. Varri ishte i zbrazët. 16:7 Pastaj engjëlli i ngarkoi ato që të jepnin lajmin e ringjalljes. Ato duhej t’u thonin dishepujve të Tij dhe Pjetrit se Jezusi do t’i takonte ata në Galile. Vini re se Pjetri, dishepulli që e kishte mohuar Zotin e tij, u veçua për t’u përmendur në mënyrë të veçantë. Shpenguesi i ringjallur nuk e kishte mohuar atë, por e akoma e donte dhe dëshironte aq fort që ta shikonte sërish. Një punë e posaçme ripërtëritjeje nevojitej të bëhej. Delja endacake duhej kthyer në bashkësi me Bariun. I shthururi duhet të kthehet në shtëpinë e Atit. 16:8 Gratë ikën nga varri të tronditura e të pushtuara nga paniku. Ato kishin shumë frikë t’i thonin ndokujt se çfarë kishte ndodhur. Kjo nuk është për t’u çuditur. Mrekullia është që ato kishin qenë aq trime, besnike dhe të devotshme deri tani. Sepse dy dorëshkrime të lashta të rëndësishme të Markut nuk i kanë vargjet 9-20, shumë studiues të sotëm besojnë se ata nuk janë autentik. Megjithatë ekzistojnë argumente të forta për përfshirjen e tyre në tekst:
  1. Gati të gjitha dorëshkrimet e tjera greke dhe shumë etër të Kishës e përfshijnë këtë pasazh.
  2. Vargu 8 do të ishte përfundimi më i çuditshëm e sidomos në greqisht ku fjala e fundit është gar që do të thotë për. Kjo fjalë është vështirë të gjendet ndonjëherë nga fundi i një fjalie, aq më pak nga fundi i një libri.
  3. Në qoftë se mbyllja origjinale e Markut ka humbur, siç mësojnë disa, atëherë fjalët e Zotit tonë për ruajtjen (Mt. 24:35) në dukje kanë dështuar.
  4. Përmbajtja e pasazhit është ortodokse.
  5. Stili dhe sidomos fjalori i shkojnë paralelisht pranë kapitullit të parë të librit [27]. Kjo do të ilustronte strukturën e quajtur kiazëm, në të cilën fillimi dhe fundi i një vepre shkojnë parallel (abcd dcba).

B. Jezusi i shfaqet Maria Magdalenës (16:9-11)

16:9 Për herë të parë, Shpëtimtari iu shfaq Maria Magdalenës. Herën e parë që ajo kishte takuar Jezusin, Ai kishte dëbuar shtatë demonë prej saj. Që atëherë e tutje, ajo i shërbente Atij përzemërsisht me pasuritë e saj. Ajo kishte qenë e pranishme në kryqëzim dhe kishte parë se ku ishte vënë trupi i Tij. Nga Ungjijtë e tjerë ne mësojmë se pasi e gjeti varrin të zbrazët, ajo vrapoi dhe i tha Pjetrit dhe Gjonit. Duke u kthyer me të, ata e gjetën varrin të zbrazët ashtu siç i kishte thënë ajo. Ata u kthyen në shtëpitë e tyre, por ajo ndenji te varri i zbrazët. Ishte atëherë që Jezusi iu shfaq asaj. 16:10-11 Përsëri ajo u kthye në qytet për ta ndarë lajmin e mirë me dishepujt e brengosur. Për ta, ai ishte tepër i mirë për të qenë i vërtetë. Ata nuk i besuan atij.

C. Jezusi u shfaqet dy dishepujve (16:12-13)

16:12 Përshkrimi i plotë i kësaj shfaqjeje gjendet te Luka 24:13-31. Këtu ne lexojmë se Ai iu shfaq në një trajtë tjetër dy dishepujve në rrugën për në Emaus. Marisë Ai i ishte shfaqur si një kopshtar. Tani Ai u duk si një bashkëudhëtar, por ishte i njëjti Jezus në trupin e Tij të përlëvduar. 16:13 Kur dy dishepujt u kthyen në Jerusalem dhe dëshmuan miqësinë e tyre me Shpëtimtarin e ringjallur, ata gjetën të njëjtin mosbesim me të cilin ishte ndeshur Maria.

D. Jezusi u shfaqet të njëmbëdhjetëve (16:14-18)

16:14 Shfaqja para të njëmbëdhjetëve ndodhi të njëjtën të diele mbrëma (Luka 24:36; Gjoni 20:19-24; 1 e Korintasve 15:5). Megjithëse flitet për të njëmbëdhjetë dishepujt, vetëm dhjetë ishin të pranishëm. Thomai mungonte në këtë rast. Jezusi i qortoi të Tijtë për refuzimin e tyre për të pranuar dëshmitë e ringjalljes së Tij nga Maria dhe të tjerët. 16:15 Vargu 15 shënon porosinë që u dha nga Zoti në prag të Ngritjes së Tij. Kështu ekziston një interval midis vargjeve 14 dhe 15. Dishepujt u urdhëruan që t’i predikonin ungjillin gjithë krijesës. Qëllimi i Shpëtimtarit ishte ungjillëzimi i botës. Ai synoi ta realizonte këtë me njëmbëdhjetë dishepuj që në të vërtetë do të braktisnin gjithçka për ta ndjekur. 16:16 Do të kishte dy rezultate nga predikimi. Disa do të besonin, do të pagëzoheshin e do të shpëtoheshin; disa nuk do të besonin e do të dënoheshin. Vargu 16 është përdorur nga disa për të mësuar nevojshmërinë e pagëzimit me ujë për t’u shpëtuar. Ne dimë se kjo nuk mund të ketë këtë kuptim për arsyet vijuese:
  1. Vjedhësi në kryq nuk ishte pagëzuar; megjithatë ai u sigurua për të qenurit në Parajsë me Krishtin (Luka 23:43).
  2. Paganët në Cezare u pagëzuan mbasi ishin shpëtuar (Veprat e Apostujve 10:44-48).
  3. Jezusi Vetë nuk pagëzoi (Gjoni 4:1-2), një kapërcim i çuditshëm po qe se pagëzimi do të ishte i nevojshëm për t’u shpëtuar.
  4. Pali e falënderoi Perëndinë që vetë kishte pagëzuar shumë pak veta nga korintasit (1 e Korintasve 1:14-16), një falënderim i pamundur nëse pagëzimi do të ishte thelbësor për shpëtimin.
  5. Afërsisht 150 pasazhe në DhR pohojnë se shpëtimi është vetëm përmes besimit. Asnjë varg apo pak vargje nuk mund ta kundërshtojnë këtë dëshmi dërrmuese.
  6. Pagëzimi është i lidhur me vdekjen dhe varrosjen në DhR e jo me lindjen frymërore.
Çfarë do të thotë atëherë vargu 16? Ne besojmë se ai e përmend pagëzimin si shprehje të jashtme të parashikuar të besimit. Pagëzimi nuk është një kusht për shpëtimin, por një shpallje e jashtme që personi ka qenë shpëtuar. 16:17-18 Këtu Jezusi përshkruan disa mrekulli që do t’i shoqëronin ata që besojnë në ungjillin. Ndërsa lexojmë këta vargje, sigurisht që pyetja është kjo: “A ekzistojnë sot këto shenja?” Ne besojmë se këto shenja kryesisht ishin menduar për epokën apostullore, përpara se Bibla e plotë të ishte e gatshme në trajtë të shkruar. Shumica e këtyre shenjave gjendet te Libri i Veprave:
  1. Do të dëbonin demonët (Veprat e Apostujve 8:7; 16:18; 19:11-16).
  2. Do të flisnin gjuhë të reja (Veprat e Apostujve 2:4-11; 10:46; 19:6).
  3. Do të kapnin gjarpërinjtë (Veprat e Apostujve 28:5).
  4. Do të pinin helm pa i shkaktuar dëm (nuk shënohet te Veprat, por i atribuohet Gjonit dhe Barnabës nga Eusebi, historiani i Kishës).
  5. Do të vinin duart mbi të sëmurët për shërim (Veprat e Apostujve 3:7; 19:11; 28:8-9).
Cili ishte qëllimi i këtyre mrekullive? Ne besojmë se përgjigjja gjendet te Hebrenjve 2:3-4. Përpara se DhR të ishte e gatshme në trajtë të plotësuar, njerëzit do t’u kërkonin apostujve dhe të tjerëve prova që ungjilli ishte hyjnor. Për të vërtetuar predikimin, Perëndia dha dëshmi me shenja, çudi dhe dhunti të ndryshme të Frymës së Shenjtë. Në ditët e sotme, nevoja për këto shenja nuk ekziston më. Ne kemi Biblën e plotë. Nëse njerëzit nuk do t’i besonin Biblës, ata nuk do të besonin në asnjë mënyrë. Marku nuk tha se mrekullitë do të vazhdonin. Fjalët “deri në mbarim të botës” nuk gjenden këtu sikurse janë te Mateu 28:18-20. Megjithatë, Martin Luther dha idenë se “shenjat për të cilat flitet këtu janë për t’u përdorur sipas nevojës. Kur del nevoja dhe kur Ungjilli shkelet rëndë (i bëhet presion i rëndë), atëherë ne sigurisht që duhet t’i bëjmë këto shenja përpara se të lejojmë që Ungjilli të përgojohet e të hidhet përtokë.”

E. Ngritja e Shërbëtorit në të djathtë të Perëndisë (16:19-20)

16:19 Dyzet ditë mbas ringjalljes së Tij, Zoti ynë Jezus Krisht u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë. Ky është vendi i nderit dhe i pushtetit. 16:20 Në bindje ndaj urdhërimit të Tij, dishepujt dolën si zjarre flakëruese, duke predikuar ungjillin dhe duke fituar njerëz për Shpëtimtarin. Fuqia e Zotit ishte me ta. Shenjat e premtuara shoqëronin predikimin e tyre, duke vërtetuar fjalën që ata thonin. Këtu mbaron tregimi – me Krishtin në qiell, me disa dishepuj të angazhuar në tokë, të ngarkuar me detyrën e ungjillëzimit të botës, duke e dhënë veten e tyre tërësisht për këtë si dhe me rezultate të rëndësisë së përjetshme. Ne na është besuar Mandati i Madh në brezin tonë. Detyra jonë është t’i çojmë ungjillin çdo personi. Një e treta e njerëzve të të gjitha kohëve jeton sot. Nga viti 2000 do të jetë duke jetuar gjysma e njerëzve të të gjitha kohëve. Ndërsa rritja e popullsisë shpërthen, detyra sa vjen e rritet, por metoda është gjithnjë e njëjta – dishepuj të devotshëm me dashuri të pakufishme për Krishtin që mendojnë se nuk ka sakrificë tepër të madhe për Të. Vullneti i Perëndisë është ungjillëzimi i botës. Çfarë jemi duke bërë ne për këtë? BIBLIOGRAFI Alexander, Joseph Addison. The Gospel According to Mark. Edinburgh: The Banner of Truth Trust, 1960. Coates, C. A. An Outline of Mark’s Gospel and other Ministry. Kingston-on-Thames: Stow Hill Bible and Trust Depot, 1964. Cole, Alan, The Gospel According to St. Mark. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, 1961. Erdman, Charles R., The Gospel of Mark. Philadelphia: The Westminster Press. 1917 Ironside, Harry A.. Expository Notes on the Gospel of Mark, Neptune, NJ: Loizeaux Brothers Publishers, 1948. Kelly, William. An Exposition of the Gospel of Mark. London: C.A. Hammond, 1934 Lenski. R.C.H. The Interpretation of St. Mark’s Gospel. Minneapolis: Augsburg Publishing House, 1946 Swete, Henry Barclay. The Gospel According to St. Mark. London: MacMillan and Company, Limited, 1902.


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Shih më tej Historical Introduction to the Study of the Books of the New Testament, George Salmon, fq 144-151. ↵ Kthehu mbrapa