Është e dobishme të dallojmë folësit në katër kapitujt e fundit, nëse bëhet fjalë për Zotin apo për Osean.
Zoti: 11:1-12:1
Osea: 12:2-6
Zoti: 12:7-11
Osea: 12:12-13:1
Zoti: 13:2-14
Osea: 13:15-14:3
Zoti: 14:4-8
11:1-4 Me dashuri Perëndia e thirri… Izraelin… nga Egjipti (Eks. 12; kjo i zbatohet gjithashtu Zotit Jezus te Mateu 2:15). Sa më tepër i thërriste Ai, që më tepër u larguan pas idhujve. Ai u soll me butësi e me dashuri edhe me Efraimin, por ky i fundit nuk e kuptoi që Ai po e shëronte.
11:5-8 Për shkak të largimit të tij nga Perëndia, populli i Tij nuk do të çohej në Egjipt, por do të mërgohej në Asiri. Zemra e Perëndisë rrihte kur mendonte ta bënte Izraelin të shkretë si qytetet e fushës, Admahun dhe Tseboimin.
11:9-12:1 Këto vargje i përkasin së ardhmes. Perëndia kishte planifikuar përtëritjen dhe bekimet për popullin e Tij dhe Ai nuk do ta shkatërrojë përsëri Efraimin. Në Biblën hebraike vargu 12 është vargu i parë i kapitullit 12. Mund të nënkuptojë, ashtu si në versionin KJ dhe KJV, se, ndërsa Izraeli ishte plot me gënjeshtra dhe mashtrim, Juda ende po besonte në Zotin në kohën e Oseas. Ose mund të nënkuptojë, ashtu si në versioni NASB, se Juda i ngjante Izraelit në mosnënshtrimin e saj.
12:2,3 Shprehja “Efraimi ngopet me erë“ do të thotë që ai besoi në aleancat e tij me Egjiptin dhe Asirinë. Perëndia është në grindje me Judën. Edhe pse mëkati i Efraimit ishte më i madh, Ai, gjithashtu, do ta ndëshkonte Jakobin.
12:4 Këtu flitet për patriarkun Jakob. Edhe pse në disa vende të tjera ai shihet në një dritë të pafavorshme, këtu paraqitet si shembulli i një njeriu që ka siguruar fitore duke u kthyer te Perëndia.
12:5-7 Engjëlli në vargun 5 njëjtësohet si Zoti, Perëndia i ushtrive dhe Zoti në vargun 6. AI është i njëjtë me Engjëllin e Zotit që iu shfaq Agarit (Zanafilla 16:7-11), Abrahamit (Zanafilla 18:1-33; 22:11,15,16) dhe Jakobit (Zanafilla 31:11-13; 48:16). Shikoni gjithashtu Eksodin 3:2,6-15 dhe Numrat 22:22-35. Ungjillorët besojnë, përgjithësisht, se Ai është Personi i Dytë i Trinisë në një shfaqje para mishërimit.
Efraimi paralajmërohet që të imitojë Jakobin, duke u varur më fort në forcën e Perëndisë sesa në të tijën (shikoni Zanafilla 32:28).
12:8,9 Por Efraimi është një tregtar që mban në dorë kandarë jo të saktë [10] (një kanaanit mashtrues), një mashtrues, një mburravec plot vetëbesim, që mendon se nuk mund ta zbulojnë.
12:10 Zoti i kujton atij se ia detyron Atij që e ka nxjerrë nga Egjipti begatinë e vet. Nëse vetëm do të bindej, Perëndia do ta bëjë që të banojë ende në çadra si në ditët solemne (të Kasolleve [tabernakujve]).
12:11-13 Jehovahu kishte folur në mënyrë të përsëritur me anë të profetëve, por më kot. Galaadi dhe Gilgali, dy pjesët e Mbretërisë së Veriut, ndarë nga Jordani, do të asgjësoheshin për shkak të idhujtarisë së tyre. Pararendësi i kombit, Jakobi, ishte një i arratisur në Siri dhe një bari dhensh në Mesopotami.
12:14 Por Perëndia nxori me hir pasardhësit e Tij nga skllavëria në Egjipt me anë të profetit Moisi.
12:15 Duke mos e mbajtur këtë gjë në mendje, Efraimi e kishte provokuar Zotin në zemërim me anë të idhujtarisë së vet dhe kishte bërë që mbi vete të bjerë gjaku i derdhur. Perëndia do ta kthejë turpin e tij mbi të.
13:1 Para karrierës idhujtare të Efraimit, ai e lartonte vetveten në Izrael… kur fliste…, por kur u bë fajtor me Baalin, ai vdiq.
13:2,3 Tani populli ishte zhytur thellë e më thellë në idhujtari, duke u thënë njerëzve të puthin viçat. Për këtë ata do të jenë të përkohshëm si reja e mëngjesit apo si vesa… në mëngjes. Ata do të zhduken shpejt, si byku që e merr era nga lëmi, apo si tymi që del nga oxhaku.
13:4-8 Ishte Zoti që i kishte shpëtuar nga Egjipti dhe ishte përkujdesur për ta në shkretëtirë. Por ata e kishin harruar Atë dhe ishin kthyer tek idhujt. Tani Perëndia do të kthehet nga ata si… bishat e fushave.
13:9-13 Kur Zoti ta bëjë një gjë të tillë, kush do të mund t’i shpëtojë ata? Mëkati i Efraimit është mbyllur dhe mbajtur për ditën e gjykimit. Dhimbjet e grave që lindin do të vijnë mbi të, por ai nuk e paraqet veten atje ku dalin fëmijët, pra, në gojën e barkut për lindje. Kjo do të thotë se Efraimi nuk u pendua pavarësisht nga gjykimet e Perëndisë.
13:14 Versioni RS e përkthen pjesën e parë të këtij vargu si pyetje: “A do t’i shpengoj nga pushteti i Sheolit? A do t’i shpëtoj nga vdekja?”. Përgjigjja e nënkuptuar është: “Jo”. Në vend të kësaj, Ai do ta padisë Vdekjen për murtajën e saj dhe Sheolin (varrin) për shkatërrimin e tij, sepse pendimi është fshehur nga sytë e Tij. Megjithatë, ky varg citohet në një kuptim tjetër tek 1 Korintasve 15:55.
13:15,16 Këtu parashikohet shkatërrimi i tmerrshëm i Izraelit dhe i Samarisë nga asirianët mizorë (“era e lindjes“).