Gjithçka është kotësi (Predikuesi 1:12-6:12)

A. Kotësia e kërkimeve intelektuale (1:12-18)

1:12 Patjetër që ky është përfundimi i Salomonit. Tashmë ai do të kujtojë për ne shtegtimin që ka bërë në kërkim të summum bonum – e mira më e madhe në jetë. Ai na kujton se kishte qenë mbret i Izraelit në Jerusalem, me gjithçka që ajo nënkupton: pasuria, statusi dhe aftësia. Kur Salomoni thotë Unë kam qenë mbret, nuk nënkupton se mbretëria e tij kishte përfunduar. Ai kishte qenë mbret dhe ende është i tillë (v. 1). 1:13 Këtu Salomoni fillon kërkimin e tij për lumturi nën qiell. Së pari, ai vendos të bëjë udhëtimin intelektual. Ai mendon se mund të ishte i lumtur nëse mund të fitonte vetëm njohuri. Kështu mendon të marrë edukim nxënës [që nxë] sa më tepër të ishte e mundur. Ai i kushtohet kërkimit dhe zbulimit, përmbledhjeve, analizave dhe përfundimeve logjike. Por shumë shpejt çmagjepset kur nxë. Për çfarë nxë ai? Të nxësh vetëm që të nxësh? Në fakt, ai thotë se është një punë jo e lumtur me të cilën Perëndia i lejon njerëzit të zihen me punë – ky kërkim i thellë për të gjetur domethënien e jetës. Malkolm Magërixhi (Malcolm Muggeridge), një i ditur i kohëve tona, arriti në të njëjtin përfundim: Edukimi, idhulli i madh dhe mashtrimi i kohëve, nënkupton se do të na pajisë për të jetuar dhe përshkruhet si një rrugëdalje universale për gjithçka: nga faji fëminor deri te pleqëria e parakohshme. Për pjesën më të madhe, shërben vetëm për të shtuar marrëzinë, nxit krenarinë, rrit mosbesimin dhe i lë vartësit e tij në mëshirën e ndërruesve të pikëpamjeve me anë të shtypit, radios dhe televizionit, që kanë në dorë [10]. Kohët e fundit dikush vizatoi me shkumës me shkronja të dukshme dhe të zeza në murin e një biblioteke universitare: SUNDON APATIA. Dikush ka zbuluar atë që Salomoni kishte mësuar shekuj më parë – ai edukim nuk është rruga e sigurt për kënaqësinë, por se, marrë në vetvete, mund të jetë një mërzitje. Kjo nuk do të thotë se qëllimi intelektual nuk mund të lozë një rol të rëndësishëm në jetë. Ai ka vendin e duhur në të, por ai vend është në këmbët e Krishtit. Ajo nuk duhet të jetë një qëllim në vetvete, por një mjet për ta përlëvduar Atë. Referimi ndaj Perëndisë në këtë varg nuk duhet të barazohet me besimin e thellë vetjak. Emri i Perëndisë është ai që Erdmani (W. J. Erdman) e quan emrin e Tij natyror – Elohim [11]. Ashtu siç është përmendur te Hyrja, ky emër e paraqet Atë si Shumë të Lartin që ka krijuar gjithësinë. Por asgjëkund në këtë libër Salomoni nuk e pranon Atë si Jehovahun që ruan besëlidhjen, që u tregon hirin shpengues atyre që e vënë besimin e tyre në Të. 1:14 Nuk ka dyshim që Salomoni mori edukimin më të mirë që mund të merrte në Izrael në atë kohë. Kjo është e dukshme nga pohimi i tij pa ndrojtje se ka parë gjithçka që është bërë nën diell. Kjo nënkupton se ai u bë tejet i njohur në shkenca, filozofi, histori, arte të bukura, shkenca shoqërore, letërsi, fe, psikologji, etikë, gjuhë dhe fusha të tjera të nxënies njerëzore. Por një alfabet titujsh pas emrit të tij dhe një dhomë të mbushur me diploma nuk i dhanë atë që kërkuan. Përkundrazi, ai doli në përfundimin se të gjitha ishin një kërkim për diçka si era. 1:15 Ai ishte i shqetësuar të zbulonte se mësimi i librave nuk zgjidh tërë enigmat e jetës. Ka gjëra të shtrembëtanuk mund të drejtohen dhe gjëra të humbura që nuk mund të numërohen. Robert Lorini (Robert Laurin) ka vëzhguar: Jeta është e mbushur me paradokse dhe anomali që nuk mund të zgjidhen; dhe përkundrazi, i mungojnë shumë gjëra që mund t’i jepnin kuptim dhe vlerë [12]. Njeriu mund të fluturojë deri në hënë, por fluturimi i një blete i sfidon tërë ligjet e njohura të aerodinamikës. Shkencëtarët kanë depërtuar në të fshehtat e atomit, por ata nuk mund të shfrytëzojnë energjinë e rrufesë, apo të ruajnë fuqinë e saj. Sëmundjet si poliomieliti dhe tuberkulozi janë kontrolluar, por e ftohura e zakonshme ende nuk është mundur. 1:16 Pasi ka marrë tërë diplomat akademike, Salomoni në fund shqyrton veten. Ai mund të mburrej se kishte më tepër dituri se të gjithë ata kanë sunduar para tij në Jerusalem (1 i Mbreterve 4:29-31; 2 i Kronikave 1:12). Mendja e tij kishte grumbulluar një sasi të madhe njohurie. Dhe ai kishte fituar dituri gjithashtu; ai dinte se si ta zbatonte njohurinë e tij në praktikë, në çdo çështje të jetës, për të bërë gjykime të shëndosha dhe për të zgjidhur çështje me drejtësi ndaj të tjerëve. 1:17 Salomoni kujtonte se si ishte ushtruar të fitonte dituri nga njëra anë dhe të mësonte rreth marrëzisë dhe budallallëkut nga ana tjetër. Me fjalë të tjera, ai zbuloi të dyja skajet e sjelljes njerëzore, në rast se domethënia e vërtetë e jetës gjendej në njërin apo në tjetrin skaj. Ai ndoqi gamën e përvojave të jetës, por përfundimi i trishtuar ishte se gjithçka ishte një kërkim për të kapur erën. Shekuj më vonë, një djalosh që quhej Henri Martin (Henry Martyn) punoi shumë dhe siguroi një vend në dhjetëshen më të mirë të Universitetit të Kembrixhit. Megjithatë, në çastin e triumfit të tij akademik, tha: “U çudita kur kuptova se nuk kisha arritur gjë tjetër veçse një përpjekje për të kapur erën”. Ky ishte një zhgënjim i bekuar sepse, ashtu siç ka vënë re Xhaueti (J. W. Jowett): “Sytë e tij tashmë ishin drejtuar përtej çmimeve shkollore, drejt çmimit të kënaqshëm në çdo pikë të thirrjes së lartë të Perëndisë në Krishtin Jezus, Zotit tonë”. 1:18 Nëse intelektualizmi është çelësi i kuptimit në jetë, atëherë komplekset e kolegjeve tona do të jenë Kamelotët [kryeqyteti i Mbretit Artur, i cili, sipas legjendës, kishte krijuar një mbretëri model] e paqes dhe të kënaqësisë. Por jo. Për më tepër janë kazanët e tharmit dhe të trazirës. Karikatura e përjetshme e një studenti kolegji, që fashon kokën e tij me një peshqir turk dhe që gëlltit aspirina me filxhanë të mëdhenj kafeje, përkon më së miri me përfundimin e Salomonit në vargun 18: Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen. Me fjalë të tjera: “Sa më i ditur të jesh aq më tepër shqetësime ke; sa më tepër di, aq më tepër të lëndon”. Sipas kësaj, ka një farë të vërtete te fjalët e urta: “Padituria është lumturi” dhe ” Nuk të lëndon ajo që nuk e di “.

B. Kotësia e kënaqësisë, prestigjit dhe bollëkut (kapitulli 2)

2:1 Duke mos e gjetur kënaqësinë në kërkimet intelektuale, Salomoni i kthehet kërkimit të ëndjes. Ai mendonte se ishte e arsyeshme që dikush do të ishte i lumtur nëse do të shijonte mjaft ëndje. Ëndja, nga vetë përkufizimi, nënkupton ndjesitë e gëzueshme që vijnë nga plotësimi i kënaqësive të dëshirave vetjake. Kështu, ai vendos që ta vërë në praktikë një gjë të tillë: mund të përjetonte çdo nxitje të ndjenjave të njohura nga njeriu. Ai do ta pinte kupën e qejfit deri në fund dhe pastaj, në fund, zemra e tij nuk do të kërkonte gjë tjetër. Por kërkimi dështoi. Ai del në përfundimin se ëndjet nën diell janë kotësi. Zhgënjimi i tij jehon në këtë varg: Provova rezervuarët e prishur, o Zot, por, oh, ujërat dështuan, madje ndërsa ulem të pi ato largohen dhe më tallin ndërsa vajtoj [13]. – B. E. A do të thotë kjo se Perëndia nuk do që populli i Tij të shijojë kënaqësi? Aspak! Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Perëndia dëshiron që populli i Tij të ketë një jetë të mirë. Por Ai dëshiron që ne të kuptojmë se kjo botë nuk mund të na sigurojë një kënaqësi të vërtetë. Kjo gjendet mbi diell. “Ka shumë gëzim në praninë” e Tij; “në të djathtën” e Tij “ka kënaqësi në përjetësi” (Psa. 16:11). Në këtë kuptim, Perëndia është hedonisti [prirja e dikujt për të kërkuar vetëm kënaqësi] ose kënaqësidashësi më i madh! Gënjeshtra e madhe që paraqitet nga filmat, TV dhe mediat publicitare është se njeriu mund të krijojë qiellin e vet këtu poshtë pa Perëndinë. Por Salomoni nxori si mësim se gjithçka që mund të ofrojë kjo botë janë puset e ujërave të zeza dhe të sternave, ndërsa Perëndia ofron burimin e jetës. 2:2 Ndërsa sjell në mendje tërë të qeshurit e zbrazët, ai shikon se ishte i marrë dhe tërë kohët e tij të mira nuk i sollën gjë. Dhe kështu është. Pas tërë të qeshurit ka vuajtje dhe ata që përpiqen të zbavitin të tjerët janë zakonisht në nevojë të madhe për ndihmë vetjake. Billi Graham (Billy Graham) shkruan në Sekretin e lumturisë (The Secret of Happiness) për një pacient të shqetësuar që ishte këshilluar me një psikiatër për ndihmë. Ai po vuante nga depresioni i thellë. Ai kishte provuar çdo gjë për ndihmë. Ai çohej zemërlëshuar dhe përtokë dhe gjendja e tij përkeqësohej ndërsa kalonin orët. Tashmë ishte i dëshpëruar; ai nuk mund të vazhdonte kështu. Para se të linte detyrën, psikiatri i tregoi rreth një spektakli në një ndër teatrot aty. Do të luante një kloun italian që e mbante publikun me të qeshura natë pas nate. Doktori e këshilloi pacientin e tij të merrte pjesë në spektakël, gjë që do të ishte një terapi e shkëlqyer për të qeshur për disa orë dhe të harronte problemet e tij. Duhej vetëm të shkonte dhe të shikonte klounin italian! Me një shprehje të pashpresë pacienti murmuriti: “Unë jam ai klouni”. Edhe ai mund të thoshte për të qeshurit: “Marrëzi!”, dhe për gëzimin: “Kujt i shërben?”. Sa shpesh në jetë shikojmë të tjerët dhe imagjinojmë se ata nuk kanë probleme, makthe apo nevoja. Por Robinsoni i shuan shpresat e iluzionit në këtë poezi: “Riçard Kori”: Sa herë që Riçard Kori zbriste në qytet, ne njerëzit në kalldrëm e shikonim: Ai ishte një fisnik nga maja e këmbës deri te koka, shtathollë si princ dhe i pastruar më së miri. Dhe ishte gjithmonë i veshur hollë, dhe ishte gjithmonë njerëzor kur fliste; Por, megjithatë, i rrihte lehtshëm pulsi kur thoshte: “Mirëmëngjes!” dhe vezullonte kur ecte. Dhe ishte i pasur, po, më i pasur se një mbret; dhe ishte i veshur me çdo hir; në mirësi, ne mendonim se ai kishte gjithçka që të na bënte të dëshironim të ishim në vendin e tij. Kështu ne punonim dhe prisnim mëngjesin, dhe shkonim pa mish dhe mallkonim bukën; dhe Riçard Kori, një natë të qetë vere, shkoi në shtëpi dhe i gjuajti kokës së tij një plumb [14]. 2:3 Më pas Salomoni, djali plëngprishës i Dhiatës së Vjetër, i kthehet verës. Ai do të bëhej specialisti i verërave më të mira. Mbase nëse do të përjetonte ndjesitë më të këndshme të shijes, tërë qenia e tij do të qetësohej e kënaqur. Ai ishte mjaft i zgjuar sa për t’i vënë një kufi epikurianizmit të tij. Kjo shprehet me fjalët duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë. Me fjalë të tjera, ai nuk do ta linte veten të mos përmbahej dhe në dehje. As nuk mund të mendohej se ai do të bëhej i prirur pas pijes së fortë. Dhe asgjëkund në kërkimin e tij për realitet nuk thotë se u kap pas narkotikëve. Ai ishte shumë i zgjuar për këtë! Një gjë tjetër që provoi ishte marrëzia, pra, format e padëmshme dhe të gëzueshme të budallallëkut. Ngaqë dituria nuk i dha përgjigjen, ai vendosi të zbulonte të kundërtën. Ndonjëherë njerëzit që janë të trashë duken se janë më të lumtur se ata që janë shumë të zgjuar. Kështu ai nuk deshi ta linte atë gur pa lëvizur. Ai e ktheu vëmendjen e tij te gjërat pa rëndësi, përmbushja e dëshirave të veta dhe kënaqësia. Ky ishte një marifet për të zbuluar rrugën më të mirë për t’u marrë me një punë gjatë ditëve të tij të shkurtra nën diell. Por nuk e gjeti përgjigjen atje. 2:4,5 Kështu Salomoni vendosi të ndërmerrte një program të gjerë ndërtimi. Nëse edukimi, ëndja, vera apo marrëzia nuk e kishin zgjidhjen e problemit, atëherë me siguri pasuritë do ta bënin një gjë të tillë. Ai ndërtoi shtëpi luksoze dhe mbolli vreshta në fusha për vete. Nga ajo që dimë nga programet ndërtuese të Salomonit, jemi të sigurt se ai nuk kurseu asgjë. Ai bëri ndërtesa të stërmëdha me parqe dhe kopshte, parajsa të vërteta. Parqe me drurë frutorë të çdo lloji zbukuronin peizazhin. Është e lehtë ta imagjinojmë atë duke i marrë miqtë e tij në udhëtimet vizituese dhe ndezjen e egos së tij nga shprehjet e tyre të habisë dhe të entuziazmit. Mbase asnjë nga mysafirët e tij nuk kishte guximin t’i thoshte atë që Samuel Xhonsoni (Samuel Johnson) i tha një miliarderi që do të bënte një udhëtim egoist të ngjashëm. Pasi pa tërë luksin dhe madhështinë, Xhonsoni vuri re: “Këto janë gjërat që e bëjnë të vështirë që të vdesë një njeri”. Bota ka pjesën e saj të miliarderëve të zhgënjyer, ashtu si mbreti në përrallën e Andersenit, Rrobat e reja të mbretit. Ky mbret doli para popullit duke besuar se kishte veshur rroba shumë të bukura, por një djalë i vogël mundi të shikonte se ai ishte krejt i zhveshur. 2:6 Këto ndërtime të mëdha kishin nevojë për ujitje gjatë verërave të nxehta dhe të thata. Kështu Salomoni ndërtoi pellgje, liqene dhe hurdha, me tërë kanalet, hendekët dhe vijat për të transportuar ujin. Nëse mbledhja e pasurive mund të siguronte paqen dhe lumturinë, atëherë ia kishte arritur qëllimit. Por ashtu si ne, ai duhet të mësonte se kënaqësia e vërtetë vjen më fort nga vetëmohimi i fisshëm sesa nga mbledhja e shfrenuar. Ai po harxhonte paratë e tij për atë që nuk është bukë dhe pagën e tij për atë që nuk të kënaq (Is. 55:2). 2:7 Batalione shërbëtorësh duheshin për të shërbyer dhe mbajtur pasuritë madhështore të mbretit, kështu që ai punësoi skllevër shërbëtorë e shërbëtore. Për më tepër, ai pati skllevër që lindën në shtëpinë e tij, një status tejet i rëndësishëm në kulturën e asaj kohe. Për Salomonin, ashtu si për pjesën më të madhe të njerëzve, një aspekt i madhështisë qëndron në të qenit i shërbyer. Të ulej në tryezë ishte diçka më e madhe se të shërbente. Njëri më i madh se Salomoni erdhi në botë si Skllavi i skllevërve dhe na tregoi madhështinë e madhe në mbretërinë e Tij në shërbesë (Marku 10:43-45; Luka 9:24-27). Bagëtitë e trasha dhe imëta, më të mëdha të pasura ndonjëherë nga një banues i Jerusalemit, kullotnin në kullotat dhe fermat e Salomonit. Nëse prestigji ishte çelësi i një jete të lumtur, atëherë ai e kishte atë çelës. Por nuk ishte kështu dhe ai nuk e kishte. Dikush ka thënë: “Kërkova çdo gjë që të mund të shijoja jetën; m’u dha jetë që të mund t’i shijoja të gjitha gjërat”. 2:8 Dhe çfarë mund të themi për burimet e tij financiare! Ai kishte argjend dhe ar me bollëk, dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave. Kjo mund të nënkuptojë taksat që mblodhi nga ata nën sundimin e tij apo pasurinë e marrë nga trojet e pushtuara, apo mund t’u referohet objekteve të artit që iu paraqitën nga dinjitetet që e vizituan, siç ishte Mbretëresha e Shebës. Ai provoi muzikën. Thuhet që muzika ka fuqinë të joshë. Kështu që mblodhi këngëtarët më të mirë, këngëtarë dhe këngëtare. Lajmet e Jerusalemit mbase tregonin përmbledhje entuziaste të tërë koncerteve publike. Por, sigurisht, mbreti kishte edhe shfaqje private, muzikën e darkës, ansamblet e dhomës etj. Megjithatë, mendoj se zhgënjimi i tij shprehet nga Samuel Xhonsoni te Historia e Raselës, Princit tëAbisinisë (The History of Rasselas, The Prince of Abyssinia): Edhe unë në të njëjtën mënyrë mund të thërras ljutistin [ai që i bie ljutit, një vegël muzikore me tela] dhe këngëtarin, por melodia që më pëlqente dje më bezdis sot, dhe do të më bezdisë ende nesër. Nuk mund të zbuloj brenda vetes ndonjë fuqi perceptimi që nuk është ngopur me kënaqësinë e duhur, megjithatë nuk e ndiej veten të kënaqur. Njeriu ka me siguri disa ndjenja të fshehta për të cilat ky vend nuk ka asnjë plotësim të kënaqësive, apo ai ka disa dëshira të fshehta të dalluara nga ndjenja që duhet të kënaqet para se të jetë i lumtur [15]. Dhe ai provoi seksin. Jo vetëm verën (v. 3) dhe muzikën (v. 8), por edhe gratë. Vera, gratë dhe muzika! Domethënia e fjalës përkthyer vegla muzikore është e panjohur dhe ky përkthim është zgjedhur kryesisht nga konteksti. Versioni NASB e përkthen shprehjen e fundit “kënaqësitë e burrave, shumë konkubina”. Bibla na thotë, faktikisht (edhe pse nuk e miraton), se Salomoni kishte 700 gra dhe 300 konkubina (1 i Mbreterve 11:3). Dhe a mendonte ai se kjo ishte rruga e lumturisë? Mendoni pak për tërë xhelozinë, thashethemet dhe të përfolurat e mundshme në një harem të tillë! Dhe megjithatë iluzioni i gabuar qëndron ende në shoqërinë tonë të sëmurë se seksi është një rrugë e gjerë për në lumturi dhe kënaqësi. Vetëm brenda kufijve të caktuara nga Perëndia për martesën monogame kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Por keqpërdorimi i seksit çon vetëm në mjerim dhe vetëshkatërrim. Një viktimë e sotme nga joshja e seksit është ndier më pas se ishte mashtruar. Ai shkruan: Mendoja se seksi ishte një kulm marramendës që e bënte botën të ndriçohej si një makinë bilardoje me kleçka, por kur mbaroi gjithçka ndjeva se nuk isha kënaqur. Kujtoj se mendoja: “Kjo është? Kjo është me të vërtetë?” [16]. 2:9 Kështu Salomoni u bë i madh. Ai pati kënaqësinë t’ia kalonte tërë paraardhësve të tij në shkallën e prestigjit, për sa ajo vlen. Dhe dituria e tij natyrore mbeti ende me të pas tërë eksperimenteve dhe përfundimeve të tij. Ai nuk e humbi toruan. 2:10 Në kërkimin e tij për kënaqësi nuk i kishte vënë kufij shpenzimeve të tij. Nëse shikonte diçka që e dëshironte, e blinte. Nëse mendonte se do të bënte qejf, ai e shtynte veten ta bënte një gjë të tillë. Ai gjeti një farë ndjenje kënaqësie në këtë cikël të shkujdesur për t’i pasur gjërat dhe për t’i bërë ato. Gëzimi i tij i shkurtër ishte tërë shpërblimi që mori për përpjekjen e tij në kërkim të kënaqësisë dhe pasurive. 2:11Pastaj pa tërë atë që kishte bërë dhe tërë energjinë që kishte harxhuar dhe cili ishte rezultati? Të gjitha ishin kotësi dhe bosh, një kërkim për të kapur erën. Ai nuk e kishte gjetur kënaqësinë e pafundme nën diell. Ai zbuloi, ashtu si Luteri, se “perandoria e tërë botës nuk është gjë tjetër veçse një kore buke për t’iu hedhur një qeni”. Ai u mërzit nga e gjithë kjo. Ralf Bartëni (Ralph Barton), një karikaturist i shquar, ishte edhe ai i mërzitur. Ai shkruan: Kam disa vështirësi, shumë miq, suksese të mëdha. Kam kaluar nëpër duar grua pas gruaje, shtëpi pas shtëpie, dhe kam vizituar vende të mëdha të botës. Por jam i mbushur me sajime për të mbushur njëzet e katër orët e ditës [17]. Dështimi i kënaqësisë dhe i pasurive për të mbushur zemrën e njeriut ilustrohet më tej nga një karakter i imagjinuar, që vetëm sa duhej të dëshironte diçka dhe e merrte menjëherë: Ai donte një shtëpi dhe e pati me shërbëtorë te dera; ai donte një Kadillak [makinë shumë luksoze] dhe e pati me gjithë shofer. Ai u ngazëllye në fillim, por shumë shpejt filloi t’i bëhej bajate. Ai i tha njërit prej shërbëtorëve të tij: “Dua të shpëtoj nga tërë këto. Dua të krijoj diçka, të vuaj diçka. Do të pëlqeja më mirë ferrin sesa këtu”. Dhe shërbëtori iu përgjigj: “Ku mendon se je?” [18]. Ja ku është shoqëria jonë bashkëkohore, në një ferr materializmi, duke u përpjekur të kënaqë zemrën njerëzore me gjëra që nuk mund të sjellin gëzim të përjetshëm. 2:12 Për shkak të rezultatit shkurajues të tërë kërkimit të tij, Salomoni filloi të shikonte nëse është më mirë të jesh i mençur apo i marrë. Ai vendosi ta shikonte me themel këtë çështje. Meqë jeta është një vrapim pas erës, a ka ndonjë përparësi njeriu që jeton me kujdes ndaj atij që shkon në skajin tjetër duke kaluar një kohë të këndshme në marrëzi dhe budallallëk? Duke qenë një monark absolut dhe një njeri i mençur e i pasur, ai ishte në gjendje të mirë për ta zbuluar. Nëse ai nuk mund ta zbulonte, çfarë mundësie kishte dikush tjetër për t’ia kaluar? Ai që do të zërë vendin e mbretit nuk mund të zbulonte ndonjë gjë të re në lidhje me këtë temë. 2:13 Përfundimi i tij i përgjithshëm ishte se dituria është më e mirë sesa budallallëku në të njëjtën shkallë që drita ka një epërsi mbi errësirën. I mençuri ecën në dritë dhe mund të shikojë rreziqet rrugës. I marri, nga ana tjetër, ecën me shkop në dorë në errësirë dhe bie në çdo gropë dhe kurth. 2:14 Por edhe duke i dhënë atë përparësi (se sytë e të urtit mund të shikojnë ku shkon) çfarë ndryshimi përfundimtar mund të ketë? Që të dy vdesin dhe asnjë masë diturie nuk mund ta vonojë apo ta shfuqizojë atë takim. Ky është fati i të dyve. 2:15 Kur Salomoni e kuptoi se i njëjti fat e priste atë ashtu siç priste budallain, ai habitej pse kishte ngulur këmbë të ishte i urtë gjithë jetën e tij. Cilësia e vetme shpëtuese e diturisë ishte se hedh dritë rrugës. Përveç kësaj, nuk ka asnjë të mirë. Dhe kështu kërkimi i diturisë është gjithashtu një harxhim i madh përpjekjeje. 2:16,17 Ai vazhdon idenë e tij në vargjet 16 e 17. Pas funeralit, si i mençuri ashtu edhe i marri, harrohen shpejt. Sa të kalojë një brez apo dy dhe do të jetë sikur nuk kanë jetuar kurrë. Emrat dhe fytyrat që duken aq të rëndësishme sot do të zhduken në harresë. Për sa i përket famës së përjetshme, njeriu i urtë nuk është më i mirë se njeriu budalla. Ndërgjegjësimi rrëqethës se fama është kalimtare dhe se njeriu harrohet shpejt e bëri Salomonin që ta urrente jetën. Në vend që të gjente kënaqësi dhe përmbushje të dëshirave në veprimtarinë njerëzore nën diell, ai gjeti vetëm trishtim. Ishte shqetësuese për të kur kuptoi se çdo gjë ishte kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën. Një ish-atlet që kishte fituar famë tha: Dridhma më e madhe e jetës sime ishte kur bëra golin vendimtar në një lojë të madhe dhe dëgjova brohoritjet e turmës zhurmuese. Por në qetësinë e dhomës sime, po atë natë, një ndjenjë kotësie e saj më mbërtheu. Mbi të gjitha, për çfarë vlejti? A nuk kishte gjë tjetër më të mirë për të jetuar sesa të bëje gola? Mendime të tilla ishin fillimi i kërkimit tim për kënaqësi. Kuptova në zemrën time se askush nuk mund ta plotësonte nevojën time veç Perëndisë. Menjëherë gjeta në Krishtin atë që nuk mund ta gjeja në botë [19]. 2:18 Një ndër padrejtësitë më të mëdha që e mërzitnin Salomonin ishte se ai nuk lejohej ta gëzonte pasurinë që kishte mbledhur. Stjuarti (C. E. Stuart) ka shkruar: Vdekja është një krimb në rrënjën e pemës së kënaqësisë. Ajo dëmton kënaqësinë, ftoh gëzimin, sepse e vret njeriun kur duhet të ulet pas vitesh mundimi për të korrur frytin e punës së tij [20]. Dhe kështu ai duhet t’ia lërë trashëgimtarit të tij. 2:19 Për t’u trishtuar është fakti se trashëgimtari mund të mos jetë i urtë. Ai mund të jetë një shkapërderdhës, një manekin, një don zhuan, një njeri që rri kot, por megjithatë do të trashëgojë pasurinë. Ai do të drejtojë harxhimin e kotë të një pasurie për të cilën as nuk ka punuar, as ka menduar. Kjo e zemëronte me të vërtetë Salomonin. Mbase ai kishte parandjenjën se kjo mund të ndodhte në familjen e tij. Mbase Salomoni parashikonte se biri i tij, Roboami, do ta shkapërderdhte me marrëzinë e tij gjithçka që ai e kishte mbledhur me mund. Historia tregon se Roboami e bëri një gjë të tillë. Duke mos pranuar të dëgjonte këshilltarët e tij të moshuar, ai qe nxitësi i ndarjes së mbretërisë. Kur egjiptianët e pushtuan Judën, ai u dha ryshfet, duke u dhënë thesaret e tempullit. Mburojat prej ari shkuan që të mbushnin arkat e Egjiptit dhe Roboami bëri në vend të tyre mburoja prej bronzi (shikoni 2 i Kronikave 12:9,10). 2:20 Perspektiva e të lënit të mundit dhe pasurisë së tij të jetës një pasuesi të padenjë e zhyti Predikuesin në errësirë dhe shqetësim nervor. Dukej aq e pakuptimtë dhe zemërlëshuese. E bëri të ndihej se tërë përpjekjet e tij nuk vlenin për asgjë. 2:21 Tërë ideja e shqetësonte, që një njeri që ngre burime financiare me anë të investimeve të mençura, vendimeve mendjeholla të tregtisë dhe lëvizjeve të afta detyrohet me anë të vdekjes t’ia lërë dikujt tjetër që kurrë nuk ka bërë asnjë punë për të, apo nuk ka harxhuar asnjë qindarkë. A nuk është kjo veçse një absurditet dhe një e keqe e madhe? Pavarësisht nga zbulimet e Salomonit, prindërit në mbarë botën harxhojnë pjesën më të mirë të jetëve të tyre duke mbledhur pasuri që do t’u lihet fëmijëve të tyre. Ata e përshkruajnë në mënyrë altruiste si detyrimin e tyre moral. Por Xhemisoni (Jamieson), Foseti (Fausset) dhe Brauni (Brown) hedhin idenë: “Egoizmi është në rrënjën e së ashtuquajturës përkujdesje të prindërve të botës për fëmijët e tyre” [21]. Mendimi i tyre i parë është të sigurojnë gjëra luksoze për vetveten në moshën e tyre të thyer. Ajo që fëmijët trashëgojnë është vetëm rezultati i vdekjes së prindërve dhe i ligjeve të trashëgimisë. Nga këndvështrimi i krishterë, nuk ka arsye që prindërit të punojnë, të ulin shpenzimet, të kursejnë dhe të sakrifikojnë për t’u lënë para fëmijëve të tyre. Trashëgimia më e mirë për t’u lënë është frymërore dhe jo financiare. Paraja e lënë me testament ka shkaktuar zakonisht xhelozi serioze dhe ndarje në familje të lumtura dhe të lidhura. Fëmijët janë prishur frymërisht e moralisht duke u bërë menjëherë trashëgimtarë të një pasurie të madhe. Të këqija të tjera vijnë gati në mënyrë të pashmangshme. Përfitimi frymëror është t’i vëmë paratë tona në veprën e Perëndisë tani dhe jo t’ua lëmë fëmijëve që janë ndonjëherë të padenjë, mosmirënjohës dhe madje jo të shpëtuar. Martin Luteri mendonte se mund t’ia besonte familjen e tij Perëndisë, ashtu siç i kishte besuar veten. Në amanetin e fundit dhe në testamentin e tij shkruan: O Zot, Perëndi, të falënderoj, sepse Ti ke dashur të më bësh të varfër në tokë. Nuk kam as shtëpi, as tokë, as para për të lënë pas. Ti më ke dhënë gruan dhe fëmijët, që tani po t’i kthej Ty. O Zot, ushqeji, mësoji dhe ruaji, ashtu siç ke bërë me mua. 2:22 Salomoni e mbyll se njeriu nuk ka asgjë me një vlerë të përjetshme si rrjedhojë e tërë mundit të tij dhe dhimbjes së zemrës nën diell. Ai mundohet, ngulmon, shqetësohet dhe turbullohet, por për çfarë? Çfarë ndryshimi do të ketë pesë minuta pas vdekjes? Sikur të mos kishim zbulesën, ne do të dilnim në të njëjtin përfundim. Por e dimë nga Fjala e Perëndisë se jetët tona mund të jetojnë për Perëndinë dhe përjetësinë. Ne dimë se gjithçka që është kryer për Të do të shpërblehet. Puna jonë nuk do të jetë e kotë për Zotin (1 Kor. 15:58). 2:23 Megjithatë, për njeriun që nuk ka shpresë pas varrit, është e vërtetë se ditët e tij janë të mbushura me dhimbje e punë të mërzitshme dhe netët e tij duke u përpëlitur në shtrat. Jeta është një mundim i stërmadh, mbushur me brenga dhe dhimbje zemre. 2:24 Ky është një rast filozofie jete për njeriun e tërë ekzistenca e të cilit është nën diell dhe është të gjejë kënaqësi në të ngrënin, të pirit dhe në mundin e tij. Predikuesi nuk po përkrah grykësinë dhe dehjen, por më tepër gjetjen e kënaqësisë ku të jetë e mundur, në gjërat e zakonshme të jetës. Edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë, që njerëzit të shijojnë mëshirat normale të jetës, shijen e ushqimit të mirë, freskinë e pijeve të tryezës dhe kënaqësinë që vjen nga puna e ndershme. Njeriu nuk ka fuqi për të shijuar nëse nuk i jepet kjo nga Perëndia. Një predikues i mëvonshëm, apostulli Pal, e miratoi pikëpamjen e Salomonit. Ai tha se nëse nuk ka ringjallje nga të vdekurit, atëherë gjëja më e mirë është: “Le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim” (1 Kor. 15:32). Salomoni shton se aftësia për të ngrënë dhe gjetur kënaqësi në gjërat e tjera vjen nga Perëndia. Pa Të, nuk mund të shijojmë kënaqësitë më të zakonshme. Ne varemi nga Ai për ushqimin, oreksin, kujtesën, shëndetin, maturinë dhe gjithçka që është përvojë e pëlqyeshme. 2:25 Në vargun 25 ai shton se ishte i aftë të gëzonte tërë këto gjëra më tepër se çdo njeri tjetër. Xhon Rokfeleri (John D. Rockefeller) kishte një të ardhur prej njëqind milion lekësh në javë, megjithatë tërë doktorët e tij e lejonin që të hante ushqim me një vlerë prej tridhjetë lekësh. Një ndër jetëshkruesit e tij tha se ai jetonte me një dietë që një i vobektë do ta përçmonte: Duke peshuar më pak se dyzet e pesë kilogram, ai provonte gjithçka (në mëngjes): një gllënjkë kafe, një lugë me bollgur, një pirun vezë dhe një kafshatë bërxolle sa një bizele [22]. Ai ishte njeriu më i pasur i botës, por nuk ishte i zoti të shijonte ushqimin e tij. 2:26 Së fundi, Predikuesi ndiente se kishte vënë re një parim të përgjithshëm në jetë që Perëndia shpërblen drejtësinë dhe ndëshkon mëkatin. Njeriut që i pëlqen Atij, Perëndia i jep dituri, njohje dhe gëzim. Por mëkatarit të rëndomtë i jep barrën e detyrës së rëndë: të mbledhë dhe të bëjë stivë, duke e parë më pas që e merr dikush tjetër sipas dëshirës së Perëndisë. Çfarë mund të ketë gjë më të pafrytshme dhe munduese sesa kjo?

C. Kotësia e ciklit të jetës dhe vdekjes (kapitulli 3)

3:1 Si një student kërkues i jetës dhe sjelljes njerëzore, Salomoni vuri re se ka një stinë të paracaktuar për çdo gjë dhe një kohë të caktuar për çdo gjë që ndodh. Kjo do të thotë se Perëndia ka programuar çdo veprimtari në një kompjuter gjigand dhe, ashtu siç thotë spanjolli: “Que sera, sera”: Ajo që do të ndodhë, do të ndodhë! Do të thotë gjithashtu se historia është e mbushur me modele ciklike dhe këto ndodhin me një rregullsi të pandryshueshme. Kështu njeriu është i mbyllur në një model sjelljeje që përcaktohet nga disa ligje apo parime të paluajtshme. Ai është një skllav i orës dhe kalendarit fatalist. Te vargjet 1-8 Predikuesi numëron njëzet e tetë veprimtari që mbase kanë si qëllim të simbolizojnë tërë rrjedhën e jetës. Kjo mendohet nga numri njëzet e tetë, që është numri i botës (katër) shumëzuar nga numri i plotësisë (shtata). Lista përbëhet nga gjëra të kundërta me njëra-tjetrën. Katërmbëdhjetë janë pozitive dhe katërmbëdhjetë negative. Në një farë mënyre ato duken se fshijnë njëra-tjetrën, kështu që rezultati përfundimtar është zero. 3:2 Ka një kohë për të lindur. Vetë njeriu nuk e ka në dorë këtë, edhe prindërit duhet të presin nëntë muaj, derisa formohet cikli normal i lindjes. Ka gjithashtu një kohë për të vdekur. Periudha e caktuar e jetës për njeriun është shtatëdhjetë vjet, sipas Psalmit 90:10, por, pavarësisht nga kjo, duket se vdekja është një takim i paracaktuar tek i cili nuk mund të mos shkosh. Është e vërtetë se Perëndia i njeh caqet e jetës sonë në tokë, por për të krishterin kjo nuk është as jonormale as fataliste. Ne e dimë se jemi të pavdekshëm derisa të mbarojë puna jonë. Dhe pse vdekja është një mundësi, nuk është një siguri. Shpresa e lume e kthimit të Krishtit frymëzon besimtarin të presë më fort Shpëtimtarin sesa vdekjen. Ashtu si predikuesi Piter Pell (Peter Pell) e përshkruan me shumë ngjyra: “Nuk po pres sipërmarrësin (e varrimeve), por Atë që do të më marrë lart!“. Një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë. Me këto fjalë Salomoni duket se mbulon tërë fushën e agrokulturës, lidhur ngushtë me stinës e vitit (Zanafilla 8:22). Dështimi për të vëzhguar këto stinë në mbjellje dhe korrje mund të shqiptojë vetëm shkatërrimin. 3:3Një kohë për të vrarë dhe një kohë për të qeshur. Komentuesit e Biblës përpiqen të shpjegojnë me ç’të munden se kjo nuk i referohet vrasjes, por vetëm luftës, ndëshkimit me vdekje apo vetëmbrojtjes. Por duhet të kujtojmë se vëzhgimet e Salomonit mbështeteshin në njohjen e tij nën diell. Pa një zbulim hyjnor jeta për të dukej se ishte qoftë një thertore, qoftë një spital, një fushë beteje apo një stacion i ndihmës së shpejtë. Një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar. Në fillim ekipi i prishjes vjen për të shembur ndërtesat që u ka kaluar koha dhe që nuk janë më të banueshme, pastaj ndërtuesit fillojnë të ngrenë komplekse moderne dhe të sistemojnë zonën e dëmtuar. 3:4Një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur. Jeta duket se gërshetohet midis tragjedisë dhe komedisë. Një herë vesh maskën e zezë të tragjedisë, më pas fytyrën e ngjyrosur të lolos. Një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle. Karvani mortor kalon me vajtuesit e tij, që qajnë me trishtim. Por nuk kalon gjatë dhe të njëjtët njerëz kërcejnë në një dasmë, duke kaluar menjëherë nga brenga e tyre e mëparshme. 3:5Një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët. Marrë ashtu siç e lexojmë, kjo do të thotë se ka një kohë për të pastruar tokën për mbjellje (Is. 5:2), më pas për të mbledhur gurë për të ndërtuar shtëpi, mure apo projekte të tjera. Nëse i marrim fjalët në mënyrë të figurshme, ashtu siç bëjnë komentuesit modernë, mund të ketë një referim për veprën e martesës. Kështu, versioni TE parafrazon: “Një kohë për të bërë seks dhe një kohë për të mos bërë”. Një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar. Në fushën e dashurisë ka një kohë për joshje dhe një kohë për t’u larguar. Ka kohë kur dashuria është e pastër dhe një kohë kur është e ndaluar. 3:6Një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur. Kjo na bën të mendojmë për ciklet e tregtisë me përfitimet dhe humbjet e tyre të lëkundura. Në fillim tregjet janë gjithnjë në rritje me të ardhurat në qiell. Më pas bien tatëpjetë dhe kompanitë futen në detyrime. Një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje. Pjesa më e madhe e grave shtëpiake e njohin shumë mirë këtë rregull kureshtar. Për muaj të tërë, madje për vite, ato mbledhin gjëra në banjë, depo dhe papafingo. Pastaj me një zell të zjarrtë për të rregulluar shtëpinë i spastrojnë dhe thërrasin ndonjë shoqatë bamirësie për t’i marrë ato. 3:7Një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur. A ishte duke menduar Salomoni për ndryshimet e vazhdueshme në modat e veshjes? Disa stilistë të njohur të modës së veshjes udhëzojnë një modë të re dhe në mbarë botën palat lihen të gjata apo shkurtohen. Sot modat janë të çartura dhe tërheqin vëmendjen. Të nesërmen kthehen në stilet e çuditshme të festës së nënës. Një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur. Koha për të heshtur është kur kritikohemi në mënyrë të padrejtë, kur tundohemi të kritikojmë të tjerët, apo të themi gjëra që janë të pavërteta, jo të këndshme apo jo ndërtuese. Ngaqë Moisiu foli i pamatur me buzët e tij u ndalua të futej në tokën e premtuar (Num. 20:10; Psa. 106:33). Koha për të folur është kur ndonjë parim apo çështje e madhe është në rrezik. Mardokeu e këshilloi Esterin se kishte ardhur koha që ajo të fliste (Est. 4:13,14). Dhe ai mund të shtonte me Danten: “Vendet më të nxehta në ferr janë ruajtur për ata që rrinë asnjanës në një kohë krize të madhe morale”. 3:8Një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer. Ne nuk duhet të përpiqemi t’i futim me forcë këto fjalë në një kontekst të krishterë. Salomoni nuk po fliste si një i krishterë, por si një njeri i botës. Dukej për të se sjellja njerëzore lëkundej midis periudhave të dashurisë dhe atyre të urrejtjes. Një kohë për luftën dhe një kohë për paqen. Historia nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje luftërash mizore e të pamenduara, me hapësira të shkurtra paqeje midis tyre. 3:9 Pyetja që qëndron në mendjen e Salomonit ishte: “Çfarë fitimi të përhershëm ka ai që punon për tërë mundin e tij?”. Për çdo veprimtari ndërtuese ka një tjetër shkatërruese. Katërmbëdhjetë veprat pozitive shkatërrohen nga katërmbëdhjetë negative. Kështu formula matematikore e jetës është katërmbëdhjetë minus katërmbëdhjetë, baras zero. Njeriu në fund të jetës nuk ka gjë tjetër veç zeros. 3:10 Salomoni kishte kryer një vëzhgim të madh të të gjitha veprimtarive, punësimeve dhe zbuloi se Perëndia ia ka dhënë njeriut që të zërë kohën e vet. Ai na ka dhënë një katalog të këtyre gjërave në vargjet 2-8. 3:11 Ai del në përfundimin se Perëndia e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet, ose, më mirë, se ka një kohë të përshtatshme për çdo veprimtari. Ai nuk po mendon shumë këtu për bukurinë e krijimit të Perëndisë, po për faktin se çdo veprim ka kohën e vet të caktuar dhe se në kohën e duhur përshtatet për bukuri. Madje Perëndia ka vënë përjetësinë në mendjen e njeriut. Edhe pse duke jetuar në një botë të kohës, njeriu ka ndjesitë e përjetësisë. Në mënyrë instinktive ai mendon për “të përtejmen”, edhe pse nuk mund ta kuptojë konceptin, ai kupton se përtej jetës është mundësia e oqeanit pa breg të kohës. Megjithatë veprat dhe rrugët e Perëndisë janë të panjohura për njeriun. Nuk ka mënyrë me anë të së cilës mund të zgjidhim enigmën e krijimit, të parashikimit apo konsumimit të gjithësisë pa një zbulim. Pavarësisht nga përparësitë e stërmëdha të njohjes njerëzore, ende shohim përmes një xhami të errët. Shumë shpesh duhet të rrëfejmë me një psherëtimë: “Sa pak që e njohim!”. 3:12 Ngaqë jeta e njeriut qeveriset nga disa ligje të patundura dhe ngaqë tërë veprimtaritë e tij duken se e lënë atje ku fillon, Salomoni vendos që politika më e mirë është të jesh i gëzuar dhe ta shijosh jetën sa më tepër të jetë e mundur. 3:13 Ai nuk nënkupton që jeta duhet të jetë një orgji dehjeje, shthurjeje dhe çoroditjeje, por se është një dhuratë e Perëndisë për njeriun të shijojë ushqimin dhe pijen e tij dhe të gjejë kënaqësi në punën e tij të përditshme. Është një paraqitje e ulët e jetës dhe plotësisht jo e krishterë në pikëpamjen e saj, por duhet të kujtojmë vazhdimisht se pikëpamja e Salomonit këtu ishte e lidhur plotësisht me jetën në tokë. 3:14 Ai kuptoi në mënyrë të saktë se dekret e Perëndisë janë të pandryshueshme. Atë që ka vendosur Perëndia do të qëndrojë dhe njeriu nuk mund ta ndryshojë, qoftë duke shtuar, qoftë duke hequr. Është marrëzi për krijesat të luftojnë kundër rregullave të Krijuesit të tyre. Për më tepër duhet respektuar dhe i duhet nënshtruar kontrollit të Tij. 3:15 Ndodhitë e tashme janë thjesht një përgjigje e asaj që ka ndodhur më parë dhe asgjë nuk do të ndodhë në të ardhmen veç asaj që ka qenë më parë. Perëndia i rregullon gjërat në një proces rrjedhës në mënyrë që gjërat përsëriten me kalimin e kohës. Ai përsërit atë që ka ndodhur në të shkuarën dhe kështu historia përsërit veten. Shprehja: “Perëndia heton atë që ka kaluar” përdoret shpesh për të theksuar faktin se për mëkatet e së shkuarës duhet të jepet llogari nga jobesimtarët. Ndërsa është e vërtetë, kjo është forca e kësaj pjese. Këtu Perëndia shihet më tepër si përsëritës i ndodhive të shkuara për të formuar një cikël tjetër të historisë. Sprauli (R. C. Sproul) e quan atë temën e përsëritjes periodike. “Kjo ide mbështet atë se në një kohë të pafund ka cikle periodike, në të cilat gjithçka që ka ndodhur përsëritet edhe një herë. Drama e jetës njerëzore është një lojë me bis, njëri pas tjetrit” [23]. 3:16 Midis gjërave të tjera që e mundonin Predikuesin ishin padrejtësia dhe paudhësia. Ai gjeti prishjen në gjyqet ku duhej të përdorej e drejta dhe pandershmëria në ciklet qeverisëse ku duhej të praktikohej drejtësia. 3:17 Këto pabarazi të jetës e shtynë të besojë se duhet të ketë një kohë kur Perëndia do të gjykojë njerëzit, kur gjërat e gabuara të tokës do të bëhen të drejta. Salomoni nuk thotë qartë se kjo do të ndodhë pas vdekjes, por është një përfundim i paracaktuar, meqë në këtë botë janë të pashpërblyera shumë pabarazi. Përfundimi i tij pasqyron një emocion të përgjithshëm në zemrat e njerëzve të drejtë. Mirësjellja [ndershmëria] dhe paanshmëria kërkojnë një kohë kur llogaritë janë zgjidhur dhe kur e drejta është çuar në vendin e saj. 3:18 Në vargjet e fundit të kapitullit 3 Predikuesi kthehet te tema e vdekjes dhe e shikon atë si planprishësen e zymtë, që përfundon tërë ambiciet, veprat dhe kënaqësitë më të mira të njeriut. Ai e shikon atë saktësisht ashtu si ne nëse nuk do të kishim Biblën për të na ndriçuar. Vini re se e fillon pikëpamjen e tij me fjalët: “Thashë në zemrën time“. Nuk është një çështje e asaj që Perëndia i ka zbuluar atij, por ai doli në përfundim në mendjen e tij. Ky është arsyetimi i tij nën diell. Prandaj, kjo nuk është një pjesë nga e cila mund të ndërtojmë një doktrinë të përshtatshme të vdekjes dhe jetës pas saj. Dhe këtë kanë bërë saktësisht shumë nga kultet e rreme. Ata i përdorin këto vargje për të mbështetur mësimet e tyre të gabuara të fjetjes së shpirtit dhe asgjësimit të të vdekurve të ligj. Në të vërtetë një studim i kujdesshëm i pjesës tregon se Salomoni nuk po përkrahte asnjë nga këto pikëpamje. Në thelb ajo që po thotë është se Perëndia i vë në provë njerëzit me anë të jetëve të tyre të shkurtra në tokë për t’u treguar se sa të brishtë dhe të përkohshëm janë: si kafshët. Por, a po thotë ai se njeriu nuk është më i mirë se një kafshë? 3:19 Jo, çështja nuk është se njeriu është një kafshë, por se në një pikë, nuk ka përparësi ndaj një kafshe. Ashtu siç u vjen ngordhja kafshëve, po kështu vjen edhe vdekja për njeriun. Të gjithë kanë po atë frymë, dhe kur vdesin ajo frymë shkëputet. Kështu jeta është po aq e zbrazët për njeriun sa edhe gjërat më të ulta të krijimit. 3:20Të gjithë pësojnë të njëjtin fund në varr. Që të dy [kafsha e njeriu] shkojnë në të njëjtin vend: në pluhur. Të dy erdhën prej tij; të dy do të kthehen tek ai. Sigurisht, kjo hamendëson se trupi është gjithçka që kanë në jetën njerëzore. Por ne e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Trupi është vetëm çadra në të cilën jeton një njeri. Por nuk mund të presim nga Salomoni që të dinte tërë të vërtetën e gjendjes së ardhshme. 3:21 Padituria e Salomonit për atë që ndodh në kohën e vdekjes është e dukshme nga kjo pyetje: “Kush e di nëse fryma e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe nëse fryma e kafshës zbret poshtë në tokë?“. Ky nuk duhet të merret si një fakt doktrinar. Kjo është pyetje njerëzore, jo siguri hyjnore. Nga DhR ne dimë se fryma dhe shpirti i besimtarit shkon për të jetuar me Krishtin pas vdekjes (2 Kor. 5:8; Filip. 1:23) dhe trupi i tij shkon në varr (Veprat e Apostujve 8:2). Fryma dhe shpirti i jobesimtarit shkojnë në Hades dhe trupi i tij shkon në varr (Luka 16:22b,23). Kur Krishti të vijë në ajër, trupat e atyre që kanë vdekur në besim do të ngjallen në formë të përlëvduar dhe do të ribashkohen me frymën dhe shpirtin (Filip. 3:20,21; 1 Thes. 4:16,17). Trupat e të vdekurve jobesimtarë do të ngjallen në Gjykimin e Fronit të Madh e të Bardhë, të bashkuar përsëri me frymën e me shpirtin, duke u hedhur më pas në liqenin e zjarrit (Zbulesa 20:12-14). Në kuptimin e ngushtë të fjalës, kafshët kanë trup dhe shpirt, por nuk kanë frymë [24]. Në Bibël nuk thuhet asgjë rreth jetës pas vdekjes së kafshëve. 3:22 Me aq sa njihte rreth vdekjes dhe me aq sa nuk njihte, Salomoni parafytyron se gjëja më e mirë që njeriu mund të bëjë është të shijojë veprimtaritë e tij të përditshme. Mbi të gjitha kjo është pjesa e tij në jetë dhe duhet të bashkëpunojë me të pashmangshmen. Ai duhet të gjejë kënaqësi duke pranuar atë që nuk mund të ndryshojë. Por mbi të gjitha ai duhet ta shijojë jetën ashtu siç vjen, sepse askush nuk mund t’i thotë atij se çfarë ka për të ndodhur në tokë pasi të jetë larguar.

D. Kotësia e pabarazisë së jetës (kapitulli 4)

Robert Bërnsi ka thënë: “Çnjerëzimi i njeriut ndaj njeriut bën të kota mijëra zi!”. Zemrat e ndjeshme në çdo epokë janë trishtuar kur kanë parë shtypjen që është kryer nga njerëzit kundër njerëzve të tjerë. Kjo e mundonte edhe Salomonin. Ai trishtohej kur shikonte lotët e të shtypurve, forcën e shtypësve të tyre dhe dështimin e kujtdo që mbronte të shtypurin. Forca ishte nga ana e shtypësve të tyre dhe askush nuk guxon ta sfidojë atë fuqi. Nga kjo pikë epërsie duket se: “E vërteta [ishte] përgjithmonë në podiumin e vdekjes, e gabuara përgjithmonë në fron”. Ai nuk mund ta shikonte se “përtej së panjohurës së errët qëndronte Perëndia në hije, duke vëzhguar të Tijtë” [25]. 4:2 Kështu në brengosjen e tij ai del në përfundimin se të vdekurit janë më mirë se të gjallët. Për të vdekja siguronte shpëtim nga tërë përndjekjet dhe mizoritë e kësaj jete. Ai nuk shqetësohej për çastin me nënkuptimin më të thellë të vdekjes, se një njeriu që vdes në mosbesim i është caktuar një vuajtje më e ashpër sesa shtypja më e keqe në tokë. Për të çështja nuk është: “A ka jetë pas vdekjes?”, por më tepër: “A ka jetë pas lindjes?”. 4:3 Cinizmi i Salomonit arriti kulmin me vëzhgimin se edhe pse të vdekurit janë më mirë sesa të gjallët, të palindurit janë edhe më tepër për t’u pasur zili. Ata nuk kanë lindur ende për t’u marrosur nga shtypjet nën diell. Ata kurrë nuk kanë pasur rastin të përjetojnë “atë tallje të tmerrshme të lumturisë që quhet jetë”. 4:4 Kishte diçka tjetër që e bënte të marrë: fakti se veprimtaria dhe aftësia njerëzore shtyhet nga dëshira për t’ia kaluar njëri-tjetrit. Ai pa se rrota e jetës shtyhet nga fryma e konkurrencës. Dëshira për të pasur rroba më të mira dhe një shtëpi më luksoze duken aq boshe dhe të pavlera për njeriun krijuar në shëmbëlltyrën dhe ngjasimin e Perëndisë. Kur Mikelanxhelo dhe Rafaeli morën detyrën të përdornin talentet e tyre artistike për stolisjen e Vatikanit, një frymë e thellë rivaliteti shpërtheu midis tyre. “Edhe pse secili kishte një punë të veçantë për të bërë, ata u bënë aq xhelozë saqë në fund nuk i flisnin fare njëri-tjetrit” [26]. Disa janë të zotë të fshehin zilinë e tyre në krahasim me këta gjeni, por i njëjti qëndrim i rivalitetit është në thelb të pjesës më të madhe të veprimtarisë bashkëkohore. Një cinik modern ka shkruar: “Kam provuar gjithçka që mund të më jepte jeta, por ajo që kam parë është vetëm një djalë që përpiqet t’ia kalojë një tjetri në një përpjekje të kotë për lumturi” [27]. 4:5 Në dallim me atë, shtysa dhe shpërblimi i të cilit janë zilia, është budallai, përtaci i trashë dhe i marrë. Ai rri me duar të kryqëzuara dhe jeton me aq pak ushqim sa ç’mund të gjejë pa shumë mundim. Mbase ai është më i mençur se fqinjët e tij që shtyhen në mënyrë të pamëshirshme nga zilia dhe lakmia e tyre. 4:6 Ndërsa ata përreth tij mundohen duke punuar në një garë të shfrenuar, ndjenjat e të marrit janë: Vlen më tepër një grusht me pushim sesa dy grushte me mundim, duke u përpjekur të kapësh erën. Ose, ashtu siç e parafrazon H. C. Leupoldi: “Më mirë të kem rehatinë time, edhe pse kam pak, sesa të fitoj më shumë dhe të kem tërë shqetësimin që duhet për t’i pasur”. 4:7,8 Kishte edhe një lloj tjetër marrëzie që e shastiste Predikuesin. Ishte marrëzia e pamend e njeriut që është vetëm, që punon dhe mbledh pasuri. Ai nuk ka as bir as vëlla, as kushërinj të afërt. Ai ka më tepër para nga sa ka nevojë. Megjithatë, ai e mundon veten ditë pas dite dhe i mohon vetes kënaqësitë e thjeshta të jetës. Nuk ndodhte asnjëherë që të pyeste veten: “Për kë po lodhem dhe e lë veten pas asnjë të mirë?”. Çarls Brixhsi (Charles Bridges) në shtjellimin e tij komenton: “Skllavi i mjerë i mamonit (i cili e meriton këtë emër) rritet si një argat i munduar, i sfilitur dhe i rraskapitur!”. Emri i tij është i mjerë dhe ashtu si emri i tij është edhe ai vetë, i mjerueshëm. Çfarë mënyre boshe dhe e prishur jetese, mendonte Salomoni. Me siguri Samuel Xhonsoni e kishte mirë kur tha: “Dëshirimi i arit, i pandjeshëm dhe pa brengë, është prishja e fundit e njeriut të rënë”. 4:9 Vetmia e të mjerit e shtyn Salomonin të tregojë përparësitë e përbashkësisë dhe bashkëpunimit. Ai përdor katër ilustrime për ta theksuar tezën e tij. Para së gjithash, dy punëtorë vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse me anë të bashkëpunimit ata mund të prodhojnë më me bollëk. 4:10 Gjithashtu nëse ndodh ndonjë aksident në punë, njëri mund të ndihmojë tjetrin. Por sa keq njeriu që bie përtokë kur është vetëm. Nuk ka asnjë përreth që ta thërrasë për ndihmë. 4:11Dy veta në një shtrat në një natë të ftohtë janë më mirë sesa një, sepse ata ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u ngrohur. Ne mund të gjejmë të meta në këtë argumentim duke përmendur bezdinë shkaktuar nga bashkëshorti që ka këmbë të ftohta, apo që e tërheq për vete jorganin, apo kontrollin më të mirë të nxehtësisë që vjen nga çarçafi elektrik. Por mbetet fakti se ka kënaqësi dhe përfitime nga miqësia dhe shoqërimi, që janë të panjohura për atë që jeton i vetëm. 4:12 Ilustrimi i tretë ka të bëjë me mbrojtjen ndaj sulmit. Një hajdut zakonisht mund të mposhtë një viktimë, por dy mund t’i bëjnë shumë mirë ballë vjedhësit. Së fundi, një litar i përbërë nga tri fije është më i fortë se një me një apo dy fije. Në fakt, tri fije së bashku janë tri herë më të forta se ato të marra veç e veç. 4:13-16 Marrëzitë dhe kotësitë e jetës nuk kufizohen me argatët; ato gjenden zakonisht në pallatet e mbretërve. Salomoni përshkruan një mbret që ka mposhtur varfërinë dhe një burgosje me ngritjen e tij në fron; megjithatë, kur tashmë është i moshuar, ai është kokëfortë. Ai nuk i dëgjon këshilltarët e tij. Do të ishte më mirë të kishe një të ri që nxë, edhe pse mund të jetë i varfër, për të mbretëruar në vend të tij. Salomoni mendonte rreth tërë të gjallëve që ishin vartës të mbretit dhe rreth të riut që është i dyti në rangun e komandës, pamja e trashëgimtarit. Ata janë lodhur me sundimtarin plak dhe duan një ndryshim, duke shpresuar për një administrim më të mirë. Megjithatë ata që do të vijnë më pas nuk do të jenë të lumtur prej tij. Kjo paqëndrueshmëri e shtyn Salomonin të kuptonte se edhe nderet më të larta të botës janë kotësi. Edhe kjo është një përpjekje për të kapur erën.

E. Kotësia e fesë dhe e politikave popullore (5:1-9)

Njeriu është fetar instinktivisht, por kjo nuk është domosdëhoshmërisht e mirë. Në fakt, mund të jetë pozitivisht e keqe. Feja e tij mund t’ia fshehë nevojën e shpëtimit si dhuratë e hirit të Perëndisë. Përveç kësaj, feja e njeriut nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një sharadë [pretendim qesharak], një shfaqje e jashtme pa realitet të brendshëm. Kotësia mund të rrjedhë në jetën fetare po ashtu si edhe në ndonjë fushë tjetër, madje edhe më tepër. Kështu, në kapitullin 5, Salomoni parashtron disa këshilla për t’u ruajtur kundër formalizmit dhe shtirjes në marrëdhënien me Krijuesin. 5:1 Para së gjithash ai i këshillon njerëzit të ruajnë hapat e tyre kur shkojnë te shtëpia e Perëndisë. Ndërsa kjo mund t’i referohet nderimit në përgjithësi, këtu shpjegohet të qenurit më gati për të mësuar sesa të përfshihesh me një të folur të ngutshme. Premtimet e ngutshme janë flijimi i të marrëve. Njerëzit që nuk mendojnë para se të veprojnë nuk kujtojnë se veprojnë keq. 5:2 Adhuruesit duhet të shmangin shkujdesjen në lutjet, premtimet apo rrëfimet e përkushtimit ndaj Perëndisë. Prania e Shumë të Lartit nuk lë vend për të folur të shpejtuar apo të rrëmbyer. Fakti se Perëndia është tejet i lartë mbi njeriun, ashtu siç është qielli mbi tokën, duhet ta mësojë njeriun të përmbajë të folurën e tij kur i afrohet Atij. 5:3 Ashtu si një mendje tepër aktive prodhon zakonisht ëndrra të egra, po kështu edhe një gojë tepër aktive prodhon një mori fjalësh të marra, edhe gjatë një lutjeje. Aleksandër Poupi (Pope) shkruan se “fjalët janë si gjethet dhe atje ku janë më të shumta, gjendet shumë pak thelb mendimi në to”. Salomoni nuk kishte ndërmend që vargu 3 të ishte një shpjegim i plotë dhe shkencor i origjinës së ëndrrave; ai po tregon thjesht atë që atij i dukej se kishte një lidhje midis vidave gumëzhitëse të mendjes së tij gjatë ditës dhe ëndrrave të pamëshirshme që shikohen zakonisht gjatë natës. 5:4 Në çështjen e betimeve ndaj Perëndisë ndershmëria e thjeshtë kërkon që ato duhen të plotësohen ashtu siç duhet. Perëndisë nuk ka ç’i duhet kokëtrashi që flet me zë të lartë duke rrahur kraharorin, pastaj nuk e mban fjalën. Kështu fjala është: “Plotëso zotimin që ke marrë“. 5:5 Nëse nuk ke qëllim të mos i plotësosh zotimet, në radhë të parë mos i merr. Sa mirë e njihte Predikuesi prirjen e njeriut për të bërë pazar me Perëndinë kur zihet në një situatë të ngushtë dhe të dëshpëruar: “O Zot, nëse më nxjerr nga kjo situatë, do të të shërbej përgjithmonë”. Por pastaj vjen prirja për të harruar menjëherë sapo kalon kriza. Edhe në çaste gjallërimi frymëror është e lehtë të marrim një betim përkushtimi apo beqarie, apo varfërie, apo gjëra të tilla. Perëndia nuk ka kërkuar asnjëherë betime të tilla nga populli i Tij. Në shumë raste, si në rastin e beqarisë, do të ishte mirë të mos i bënim betime të tilla. Por nëse bëhen, duhen mbajtur. Me siguri betimi i martesës njihet në qiell dhe nuk mund të shkelet pa pasoja të shtrenjta. Betimet bërë para kthimit duhen mbajtur, përveç në rastet kur dhunojnë Fjalën e Perëndisë. 5:6 Pra, rregulli i përgjithshëm nuk është të lejojmë gojën tonë të na çojë të mëkatojmë me anë të betimeve të paplotësuara. Dhe të mos përpiqemi ta përligjim veten para lajmëtarit të Perëndisë duke thënë se ishte gabim dhe se nuk e kishit me tërë mend. Ose mos mendoni se oferta mekanike e një flijimi para Tij do të shlyejë shkeljen e shkujdesur të betimeve. Lajmëtari i Perëndisë mund t’i referohet priftit, meqë betimet e shkelura duhej të rrëfeheshin para tij (Lev. 5:4-6). Por kjo hamendëson një njohje të ligjit të Moisiut, ndërsa Salomoni po flet këtu përtej fesë së zbuluar. Kështu, mbase jemi më të sigurt ta kuptojmë atë si nënkuptim të dikujt që shërben si një përfaqësues i Perëndisë. Mendimi bazë është se Perëndia është tepër i pakënaqur nga mossinqeriteti në të folur. Pse të themi atëherë gjëra që do ta zemërojnë Atë me siguri? Kjo, pa dyshim, do ta shtyjë Atë të pengojë, tërheqë dhe shkatërrojë gjithçka që përpiqeni të bëni. 5:7 Ashtu siç ka pavërtetësi në ëndrrat e shumta, po kështu në fjalët e folura pa mend ka kotësi dhe rrënim. Ajo që duhet bërë, thotë Salomoni, është të kesh frikë nga Perëndia. Megjithatë, ai nuk nënkupton besimin e dashur tek Jehovahu, por frikën për të mos ngjallur pakënaqësinë e Shumë të Lartit. Kembëll Morgani (G. Campbell Morgan) na kujton se kjo është frika e një skllavi, jo e një biri. Nëse nuk shikojmë këtë, i japim të drejtë Salomonit për një shpërthim më të madh të mendimit frymëror nga sa kuptohet këtu. 5:8 Më pas Salomoni kthehet te tema e shtypjes së të varfrit dhe e dhunës të së drejtës. Ai këshillon kundër dëshpërimit nëse shohim këto të liga në provincë. Mbi të gjitha, ka hallka komande në qeverisje dhe ata në shkallë më të larta i shikojnë vartësit e tyre me sy shqiponje. Por a veprojnë me të vërtetë kështu? Shumë shpesh sistemi i llogarive dhe bilanceve falimenton dhe çdo nivel zyrtarizmi merr pjesën e vet të ryshfetit. Kënaqësia e vetme që njerëzit e drejtë kanë është që dinë se Perëndia është më i lartë se pushtetet më të larta dhe Ai do të shikojë se tërë hesapet do të lahen një ditë. Por nuk e dimë nëse Salomoni i referohet kësaj gjëje këtu. 5:9 Vargu 9 është vargu më i zymtë i Predikuesit. Arsyeja është se hebraishtja origjinale është e pasigurt. Kjo mund të shihet nga larmia e shumtë e përkthimeve: Versioni JND: Për më tepër toka është e leverdishme në shumë pika: (vetë) mbreti varet nga prodhimet e fushës. Versioni NASB: Mbi të gjitha, një mbret që kultivon prodhimet e fushës është një përfitim për vendin. Versioni TE: Madje edhe mbreti varet nga të korrat. Versioni NKJ: Toka ofron përfitime më të mëdha se çdo gjë tjetër dhe vetë mbreti shërbehet nga fusha. Mendimi i përgjithshëm duket të jetë se edhe zyrtari më i lartë varet nga prodhimi i fushës dhe kështu nga providenca [përkujdesja hyjnore] e Perëndisë. Të gjithë varemi nga Perëndia.

F. Kotësia e pasurive kalimtare (5:10-6:12)

5:10 Njerëzit që duan paratë nuk ngopenkurrë; ata gjithmonë duan më shumë. Pasuria nuk e blen kënaqësinë. Përfitimet, interesat, kamatat dhe fitimet e kapitalit për më tepër nxisin oreksin. E gjitha kjo duket bosh. 5:11Kur pasuritë e një njeriu rriten, duket se ka një rritje që i përgjigjet numrit të parazitëve që nxjerrin bukën nga pasuria e tij, qoftë këshilltarët e drejtimit, të taksave, llogaritarët, avokatët, punonjësit shtëpiakë apo kushërinjtë që jetojnë si parazitë. Një njeri mund të veshë vetëm një kostum në një kohë të caktuar dhe ka një kufi për sa mund të hajë në një ditë. Kështu përfitimi kryesor i pasurisë së tij është të jetë i aftë të shikojë librat e llogarive bankare, aksionet e obligacionet dhe të thotë me të pasurit e tjerë të marrë: “Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo” (Luka 12:19). 5:12 Për sa i përket gjumit të shëndetshëm punonjësi ka përparësinë. Sido që të jetë: ka pasur një gosti apo një vakt me pak gjëra, ai mund të prehet pa e vrarë mendjen. Nga ana tjetër e qytetit i pasuri po kalon një natë me një gjumë me copa, duke u shqetësuar për tregun e aksioneve, duke u çuditur për vjedhjet dhe përvetësimet dhe duke gëlltitur kundëracid [sodë ose ndonjë ilaç tjetër] për të qetësuar detin e tërbuar të dispepsisë [problemin me tretjen] që është në stomakun e tij. 5:13 Salomoni pa se pasuritë e grumbulluara rrisin pasojat shkatërrimtare. Këtu kemi një njeri që kishte rezerva të gjëra pasurie, por në vend që t’i përdorte ato për qëllime ndërtuese, i mbante ato mënjanë. 5:14 Papritur pati një fatkeqësi, siç mund të jetë rënia e papritur e tregut, dhe tërë paraja humbi. Edhe pse ai njeri e kishte të birin, ai nuk kishte asgjë për t’i lënë. Ai mbeti pa një kacidhe ne xhep. 5:15 Duarzbrazur ka dalë nga barku i nënës, duarzbrazur e lë tani këtë botë. Pavarësisht nga tërë paratë që kishte mundur të grumbullonte gjatë jetës së tij, ai vdes si i vobektë. Sisël Roudsi (Cecil Rhodes) harxhoi vite duke shfrytëzuar burimet natyrore të Afrikës Jugore. Kur ishte gati për të vdekur, ai bërtiti me keqardhje: Gjeta shumë në Afrikë. Diamantet, ari dhe toka janë të miat, por tani duhet t’i lë të gjitha pas. Asgjë nga ato që kam fituar nuk mund ta marr me vete. Nuk kam kërkuar thesaret e përjetshme, prandaj tani nuk kam asgjë [28]. 5:16 Salomoni thotë se kjo është një e keqe e vajtueshme, një fatkeqësi e vajtueshme, që mund t’i kishte përdorur paratë e tij për përfitime të përjetshme. Në vend të kësaj ai largohet bosh, ashtu siç erdhi, duke mos pasur asgjë për të treguar për punën e tij. Ai është munduar për erën. 5:17 Tragjedia përbëhet edhe nga fakti se ditët e fundit të jetës së njeriut janë të mbushura me errësirë, hidhërime, shqetësime, sëmundjedhe telashe. Jeta e tij ka qenë një histori si ajo e Hirushes, por anasjelltas: nga pasuria në varfëri. Sigurisht, është e kuptueshme që çdo njeri që vdes lë gjithçka. Por këtu Predikuesi duket se po tregon marrëzinë e grumbullimit të parasë kur mund të përdoret më fort për qëllime të dobishme, sesa ta humbasësh të gjithën dhe duke mos pasur asgjë për të treguar për një jetë të kaluar në punë. 5:18 Kështu strategjia më e mirë është të shijosh veprimtaritë e zakonshme të jetës së përditshme: të ngrënit, të pirit dhe punën. Pastaj, çfarëdolloj gjëje të ndodhë, askush nuk mund t’i vjedhë dikujt kënaqësitë që ka shijuar tashmë. Jeta, në më të mirin e rasteve, është shumë e shkurtër, kështu, pse të mos gëzohet kur e ke mundësinë? 5:19 Salomoni mendonte se ishte ideale kur Perëndia i jep një njeriu pasuri dhe të mira dhe, kur në të njëjtën kohë, i jep dhe aftësinë për t’i gëzuar, për t’u kënaqur me fatin e tij të jetës dhe për të gëzuar punën e tij. Kjo ndërthurje e rrethanave është një dhuratë e Perëndisë, apo, siç mund të themi: “ajo që duhet”. 5:20 Një njeri i tillë nuk e vret mendjen për shkurtësinë e jetës së tij apo tragjeditë dhe pabarazitë, sepse Perëndia i përgjigjet mendjes së tij me gëzimin e rrethanave të tashme. 6:1,2 Ka një ironi mizore në jetë që përbën një barrë të rëndë për njerëzit. Ajo ka të bëjë me dikë që Perëndia i ka dhënë gjithçka që mund të dëshirojë zemra e tij: pasuri, të mira dhe lavdi, por, fatkeqësisht, Perëndia nuk i jep aftësinë për t’i gëzuar këto gjëra. Vini re se Salomoni fajëson Perëndinë për pengimin e të shijuarit të pasurisë së dikujt. Pastaj vdekja e parakohshme i merr këtij njeriu fuqinë për të shijuar pasuritë e tij. Ai ia lë gjithçka një të huaji, as të birit apo një kushëriri të afërt, të paktën. Kjo me siguri e bën jetën të duket si një flluskë sapuni apo sëmundje e ligë. 6:3 Edhe në qoftë se dikush ka një familje të madhe dhe jeton deri në një moshë të thyer e të moçme, këto mëshira të larta nuk nënkuptojnë asgjë nëse ai nuk mund ta shijojë jetën, apo nëse nuk varroset në një varr të hijshëm në fund. Në fakt, një dështim duhet ta kesh më tepër zili se atë. 6:4 Lindja e papritur ka ardhur më kot dhe po ikën në anonimitet. Emri i tij mbulohet në zymtësinë e atij që nuk ka lindur dhe nuk ka vdekur asnjëherë. 6:5 Edhe pse dështimi nuk e shikon kurrë diellin, apo nuk njeh asgjë, megjithatë ai shijon më shumë pushim sesa i mjeri. Ai nuk përjeton kurrë shthurjen e marrë të jetës. 6:6 Edhe sikur i mjeri të jetonte dy herë një mijë vjet, çfarë të mire do të kishte nëse nuk do të mundte të shijonte gjërat e mira të jetës? Ai ka të njëjtin fat si dështimi, duke shkuar në varr. 6:7 Arsyeja kryesore e punës së njeriut është për të blerë ushqim për vete dhe familjen e tij. Por e çuditshmja është se ai kurrë nuk ngopet. Sa më tepër të rriten të ardhurat e tij, aq më tepër do të blejë. Ai nuk kënaqet kurrë dhe zhgënjehet gjithmonë. 6:8 Kështu, në këtë kërkim të kotë, i urti nuk ka ndonjë përparësi ndaj budallait. Edhe sikur një i varfër të dijë se si ta përballë jetën më mirë se pjesa tjetër e njerëzve, ai nuk ua kalon atyre. 6:9Është më mirë të kënaqesh me ushqimet që të vihen përpara sesa të dëshirosh diçka tjetër. Kjo puna e lakmisë së përhershme për më tepër është po aq e marrë sa edhe përpjekja për të kapur erën. Ashtu siç ka thënë Leupoldi, është si “endja [vërdallosja] plot dëshirim nga një gjë te një tjetër në kërkim të kënaqësisë së vërtetë” [29]. 6:10,11Ajo që është njeriu, i pasur apo i varfër, i mençur apo i marrë, i plakur apo i ri, prej kohe ka marrë emrin e njeriut. Njeri këtu përfaqëson fjalën hebraike adam dhe do të thotë “baltë e kuqe”. Si mund të hahet balta e kuqe me Krijuesin? 6:12 Fakti i thjeshtë, sipas Predikuesit, është se askush nuk e di se çfarë është më e mira për të në këtë jetë të kotë hijesh. Dhe askush nuk e di se çfarë ka për të ndodhur në tokë pasi të jetë larguar.
[previous][next]