Mbretëria e Davidit (1 Kronikave 11-29)

A. Ushtria e Davidit (kapitujt 11,12)

1. Luftëtarët trima të Davidit (kapitulli 11) 11:1-3 Kronikat nuk e përmendin sundimin e shkurtër dhe të pasuksesshëm të Ish-Boshethit (2 i Samuelit 2-4), por kalojnë menjëherë te kurorëzimi i Davidit në Hebron (krahasoni 2 i Samuelit 5). 11:4-9 Urdhri i parë i punës i mbretit David ishte të siguronte një kryeqytet për veten. Këto vargje na tregojnë se si u pushtua Jerusalemi (krahasoni 2 i Samuelit 5:6-10). Nipi i Davidit, Joabi, bir i Tserujahut, ishte gjithashtu komandant i ushtrisë së tij. Ai tregoi guxim dhe trimëri të madhe në pushtimin e Jerusalemit. Në përputhje me premtimin e Davidit ai u bë kryetar i ushtrisë së Izraelit. Edhe pse një luftëtar trim, Joabi ishte një njeri i pamëshirshëm, duke mos u përmendur midis njerëzve trima të Davidit, mbase për shkak të karakterit të tij të paskrupullt. 11:10 Kjo listë e luftëtarëve të Davidit vihet në fillim të mbretërimit të tij. Tek 2 Samuelit 23 vihet në fund të mbretërimit të tij një listë e ngjashme. Këta trima u bashkuan me Davidin në kohë të ndryshme të karrierës së tij. Disa u bashkuan me të kur ishte në shpellën e Adullamit (v. 15-19). Disa u bashkuan kur ishte në Tsiklag (12:1-2). Disa u bashkuan kur Davidi u bë mbret në Hebron (12:23-40). Më pas vjen një listë e disa “luftëtarëve trima” dhe disa prej “bëmave të mëdha”: 11:11Jashobeami: Ky me një dorë të vetme mundi treqind njerëz vetëm me një ushtë. Perëndia i dha atij një fitore të mbinatyrshme kundër armiqve të Izraelit. Njerëzit trima ende mund të kryejnë gjëra të jashtëzakonshme për Perëndinë kur i besojnë Atij dhe ndeshen kundër armikut të shpirtrave të njerëzve. 11:12-14Eleazari, bir i Didos: Vini re para së gjithash se ai ishte me Davidin“. Ai qe besnik ndaj Davidit dhe qëndroi me të kur gjithë të tjerët ikën me vrap. Dhe për çfarë po vinte në rrezik jetën e vet? Për një arë me elb! Parimi dhe jo pasuria ishte në rrezik. Ajo tokë i përkiste Izraelit, sipas premtimit, dhe filistenjtë nuk duhej të kishin as edhe një pëllëmbë nga ajo. Sot të krishterët duhet të kuptojnë se ata i përkasin Perëndisë dhe nuk duhet t’i lejojnë Satanit asnjë pëllëmbë në jetët e tyre, qoftë edhe në një fushë në dukje jo domethënëse. 11:15-19Tre njerëzit në Adullam: Ata ishin me Davidin në vështirësitë e tij dhe njohën dëshirën e zemrës së tij. Ata vunë në rrezik jetën e tyre për t’i çuar atij ujë nga pusi i Betlemit që do të freskonte frymën e tij. Këtë nuk e bënë për nderin që do të merrnin, meqë emrat e tyre nuk përmenden, por për kënaqësinë e Davidit. Ku janë sot burrat e gratë që banojnë shumë afër Zotit Jezus për të mësuar dëshirat e zemrës së Tij? Ku janë burrat e gratë që do të rrezikonin gjithçka për të freskuar shpirtin e Tij, duke i dhënë të pijë nga ndonjë fushë nevojtare misioni? Ata që bëjnë një gjë të tillë me siguri do të numërohen midis trimave të Tij. 11:20,21Abishai, vëllai i Joabit ishte më i nderuar midis të treve [13]. Shkrimi na thotë se Abishai ishte një njeri me një përkushtim të patundur ndaj Davidit. Ai shkoi me Davidin në kampin e Saulit (1 Sam. 26), ai qe me Davidin kur u arratis nga Jerusalemi gjatë revoltës së Absalomit (2 i Samuelit 16), ai mposhti revoltën e Shebës (2 i Samuelit 20), ai e shpëtoi Davidin nga gjigandi Ishbi-Benob (2 i Samuelit 21), dhe në shumë mënyra të tjera tregoi një shërbim besnik ndaj mbretit të tij (2 i Samuelit 10,18; 1 i Kronikave 18). Trimëria joegoiste lidhur me besnikërinë e përkushtuar mund ta bëjë çdokënd mik dhe shërbëtor të vlefshëm të Mbretit të mbretërve. 11:22-25Benajahu: Babai i tij ishte një prift (1 i Kronikave 27:5) dhe një trim. Ai ishte kreu i truprojës vetjake të Davidit. Këtu renditen disa nga bëmat e tij. Më vonë ai zuri vendin e Joabit si komandant i ushtrisë së Izraelit (1 i Mbreterve 2:34,35). Në fitoret e tij shohim një figurë të jetës fitimtare, ku bota (gjiganti egjiptas), mishi (Moabi) dhe djalli (luani vrumbullues) sulmohen dhe munden të gjithë. 11:26-47 Edhe pse nuk përmendet asnjë bëmë te vargjet 26-47, emrat e atyre që i shërbyen Davidit janë përmendur me të drejtë për heroizmin e tyre. Disa nga emrat janë shumë interesantë. Për shembull: Amoniti Tselek (v. 39) dhe Ithmahu, moabiti (v. 46): ata ishin që nga lindja armiq të Izraelit, por këtu shihen në shërbim të mbretit të Izraelit. Që të gjithë jemi lindur armiq të Perëndisë, por me anë të hirit të Tij edhe ne mund të gjejmë një vend në ushtrinë e Mbretit. Uriahu, hiteu (v. 41): ai ishte një pjesëtar i një populli që duhej të ishte shfarosur nga izraelitët kur pushtuan Tokën e Premtuar (LiP. 7:1,2). Por këtu ai është një luftëtar i Davidit. Davidi u soll padenjësisht ndaj besnikërisë së tij, duke e urdhëruar Uriahun të vritej, në mënyrë që t’i merrte të shoqen, Bath-Shebën (2 i Samuelit 11). 2. Ndjekësit besnikë të Davidit (kapitulli 12) Kapitulli 11 fliste për ata njerëz që e njëjtësuan vetveten me Davidin. Ky kapitull flet kryesisht për fiset, bashkë me komandantët që u bashkuan me mbretin. Çdo fis është renditur këtu në kapitullin 12, nga ata që erdhën te Davidi kur po fshihej (v. 1-22), deri tek ata që shkuan në Hebron pas vdekjes së Ish-Boshethit (v. 23-40). “… pjesa tjetër e Izraelit ishte në një mendje për ta bërë mbret Davidin…, sepse Izraeli ishte shend e verë” (v. 38,40). Shumë nga ata që ishin me probleme apo shqetësime kishin shkuar më parë te Davidi për të gjetur mbrojtje (1 Sam. 22:1,2). Por tani këta njerëz erdhën për t’i shërbyer Davidit dhe për ta ndihmuar për të marrë fronin, sipas dekretit hyjnor. Sot mbretëria e Perëndisë ka nevojë për burra e gra që janë të pajisur nga Perëndia (v. 2), të përgatitur dhe të shpejtë (v. 8), të fortë në besim, të aftë të dalin fitimtarë ndaj pabarazive të mëdha dhe ta dëbojnë armikun (v. 14,15), të mbushur me Frymën dhe të përkushtuar pa egoizëm ndaj Jezusit (v. 32) – njerëz që kanë një zemër të vendosur (v. 33)! Davidi i pyeti me të drejtë bijtë e Beniaminit dhe të Judës (v. 17), sepse më parë ai ishte tradhtuar nga njëri prej tyre (1 Sam. 23). Ngjarjet historike te vargjet 19-22 mund të gjenden tek 1 Samueli 29 e 30. Perëndia e parandaloi Davidin nga të luftuarit kundër Izraelit ndërsa ishte me filistenjtë. Ai gjithashtu i dha atij fitoren mbi amalekitët që kishin sulmuar Tsiklagun dhe kishin pushtuar familjen e tij. Fiset lindore erdhën në numër të madh (v. 37), ndërsa ata që ishin afër Hebronit u përfaqësuan nga forca më të vogla – për shembull, Juda, Simeoni etj. (v. 24,25). Tani që Izraeli ishte bashkuar rreth mbretit të caktuar nga Perëndia kishte shumë gëzim, festë dhe bekim (v. 40). Ndarja dhe grindja, shkaktuar nga mosbindja e Saulit, kishin kaluar. Tashmë Izraeli do të gjente pasues të rinj nën bariun e tyre të perëndishëm.

B. Davidi çon arkën në Jerusalem (kapitujt 13-16)

13:1-8 Kapitulli 13 flet për përpjekjen e parë të Davidit për të sjellë arkën në qytetin e tij të ri mbretëror, që e kishte pushtuar vetë. Arka ishte lënë pas dore gjatë mbretërimit të Saulit. Filistenjtë e kishin marrë atë dhe e kishin mbajtur për shtatë muaj, pastaj e kishin kthyer në Kirjath-Jearim, ku ruhej në shtëpinë e Abinadabit, një levit (1 Sam. 4-7). Tani, me nxitjen e Davidit, Uza dhe Ahio e vunë arkën në një qerre të re për udhëtimin në Jerusalem. Shihori i Egjiptit ka gjasa t’i referohet Përroit të Egjiptit (Wady el Arish). 13:9-12 Kur qetë u penguan, Uza shtriu dorën për të mbajtur arkën. Menjëherë Perëndia e goditi dhe ai vdiq. Ligji e ndalonte që të prekej arka përveçse nga priftërinjtë (Num. 4:15). Kur kehathitët e mbanin arkën, ata vinin mbajtëse në shpatullat e tyre, por nuk e preknin vetë arkën. Vendi që në atë kohë e tutje u quajt e Çara e Uzës (Perez Uza). Davidi u hidhërua shumë dhe pati frikë ta çonte arkën në Jerusalem. 13:13,14 Kështu arka u çua në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi, ku mbeti për tre muaj, duke i sjellë bekime të mëdha shtëpisë së tij. 14:1,2 Pasi Davidi u vendos mbret mbi tërë Izraelin, Hirami, mbreti i Tiros, i dërgoi njerëz dhe materiale Davidit për t’i ndërtuar një shtëpi. Ky ishte fillimi i një miqësie të gjatë e të ngushtë që zgjati deri në mbretërimin e Salomonit. 14:3-7Davidi mëkatoi kundër Zotit duke “u martuar me shumë gra“; kjo ishte e ndaluar rreptësisht te Ligji i Përtërirë 17:17. Kronikat, ndërsa flasin për shkeljen, nuk përmendin pasojat e këtij mëkati. Katër bijtë e parë të përmendur në vargun 4 ishin bijtë e Bath-Shebës (1 i Kronikave 3:5). 2 Samuelit 11 flet për lidhjen e paligjshme të Davidit me të. Megjithatë, edhe këtu ne shohim hirin e Perëndisë në veprim, sepse emrat e bijve të kësaj martese shfaqen në gjenealogjinë e Zotit tonë: Nathani (Lluka 3:31), paraardhës i Marisë dhe Salomoni (Mat. 1:6), paraardhës i Jozefit. 14:8-17 Duke dëgjuar se Davidi ishte bërë mbret i tërë Izraelit, filistenjtë u bënë gati për ta sulmuar. Davidi u këshillua me Perëndinë (v. 10) dhe siguroi një fitore të mrekullueshme. Idhujt, që nuk mund t’i çlironin adhuruesit e tyre nga Perëndia i gjallë, u shpërngulën (2 i Samuelit 5:21) dhe u dogjën në zjarr (v. 12). Kur filistenjtë morën veten dhe u kthyen për një sulm të dytë, Davidi u këshillua përsëri me Zotin. Ai nuk hamendësoi se drejtimi i Perëndisë do të ishte i njëjti. Këtë herë Perëndia i dha fitoren përmes një plani beteje krejt ndryshe. Këto fitore shtinë frikë në zemrat e kombeve fqinje. Vini re lidhjen midis vargjeve 16 e 17. “… Davidi bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia . Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet“. 15:1-3 Tre muaj më vonë pas tragjedisë në Perez Uza (kapitulli 13), Davidi u përgatit edhe një herë për ta çuar arkën në kryeqytetin e tij, Jerusalemin. Këtë herë në fillim ai kërkoi me kujdes në ligj dhe pastaj veproi ashtu siç duhej. Një çadër, jo një shtëpi, u përgatit për arkën këtë herë, sepse ky ishte urdhri që gjendej në ligj. Çadra mbase u ndërtua në të njëjtën formë si çadra e përdorur gjatë eksodit të Izraelit (Eksodi 26). Megjithatë, arka ishte pajisja e vetme në çadrën e Davidit, sepse tabernakulli dhe pajisjet e tij ishin në Gabaon (16:39) deri në kohën e Salomonit. 15:4-15Davidi mblodhi krerët e shtëpisë së Levit. Kryepriftërinjtë, Tsadoku dhe Abiathari (1 i Mbreterve 4:4), u thirrën gjithashtu për këtë rast (v. 11). Tani arka mbartej nga njerëzit e duhur dhe në mënyrën e duhur, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu sipas fjalës së Zotit (v. 15). Në fakt, kjo përpjekje doli me sukses (16:1). 15:16-29 Psalmisti i ëmbël i Izraelit gjithashtu përpunoi tinguj të gëzueshëm lavdërimi për të shoqëruar arkën. Disa këndonin, disa u binin veglave muzikore. Davidi kërcente nga gëzimi dhe dëgjoheshin tingujt e borive, brirëve e cembaleve dhe të gjithë ishin të mbushur me gëzim. Megjithatë kishte një notë që stononte në këtë simfoni të lumtur. Mikali, gruaja e Davidit, po tallej (v. 29; krahasoni me 2 i Samuelit 6:16). 16:1-3 Sapo arka u vendos në çadër, u ofruan flijimet. Olokaustet ishin shprehja më e lartë e adhurimit të mundshëm ceremonial (krahasoni Lev. 1). Ai u dogj plotësisht nga flakët dhe u ngjit lart në tym për t’u shijuar vetëm nga Perëndia. Flijimet e tjera të ofruara në këtë kohë ishin flijimi i falënderimit. Këto ishin ofertat e vetme sipas Levitikut në të cilat kishte pjesë çdokush. Dhjami dhe veshkat i ofroheshin Zotit në altar, një pjesë u takonte priftërinjve dhe pjesa që ngelej i jepej ofruesit që ta ndante me familjen dhe miqtë e tij para Zotit (krahasoni Lev. 3). Flijimi i falënderimit simbolizonte përbashkësinë me Zotin dhe një pjesë të gjërave të mira që vinin nga Zoti. Si flijimi i falënderimit po ashtu edhe olokausti ishin të rëndësishëm për kremtimin e festave dhe rasteve solemne, dhe me siguri kjo ishte një ditë festive për tërë Izraelin. Gjithsecili merrte një pjesë nga mishi para se të nisej për në shtëpi (v. 3). 16:4-7 Më pas Davidi bëri të mundur që falënderimi dhe gëzimi para Zotit të kryhej përditë dhe të mos ruheshin për raste të veçanta (krahasoni vargjet 37-42). Levitët u caktuan për të kujtuar, për të falënderuar dhe për të lëvduar Zotin me harpa dhe zë. 16:8-22 Psalmi i regjistruar për këtë rast ka dy pjesë kryesore. Vargjet 8-22 i drejtohen Izraelit dhe vargjet 23-34 tërë kombeve. Vargjet 35 e 36 e mbyllin këtë psalm. Ky është një përbërje e psalmeve 105:1-15; 96:1-13; 106:1,47,48. Te vargjet 8-22 izraelitët nxiten të këndojnë madhështinë e Zotit dhe të kërkojnë fytyrën e Zotit. Ata duhej të kujtoninveprat e Tij, mrekullitë që ka bërë në të shkuarën dhe ata duhej të kujtoninbesëlidhjen e Tij, premtimet pa kushte që u bëri etërve të tyre. 16:23-34 Duke shtrirë perspektivën ndaj të gjithë tokës, psalmisti nxit të gjithë njerëzit të flasin për lavdinë e Zotit. Frika i takon Atij si Perëndia i krijimit. Lavdia, forca dhe madhështia i takojnë Atij si Perëndia i shkëlqimit. Gëzimi i takon Atij si Perëndia që mban çdo gjë dhe mbretëron mbi botën e Tij. 16:35,36 Kjo lutje përmbyllëse është gati e njëjtë me Psalmin 106:47,48. 16:37-43 Davidi u tregua i kujdesshëm në caktimin e levitëve, që të vazhdonin adhurimin e Jehovahut para arkës në Jerusalem dhe gjithashtu në Gabaon ku ndodheshin ende tabernakulli dhe altari i olokaustit. Në Jerusalem ai caktoi këngëtarë, derëtarë dhe borizanë, të gjithë nën Abiatharin. Priftëria e Tsadokut u zyrtarizua në Gabaon. Theksi kryesor në këtë pjesë vihet te muzikantët. Në vargun 38 përmenden dy Obed-Edomë të ndryshëm dhe kemi dy Jeduthunë të ndryshëm në vargjet 38 e 42… . Tani që arka ishte vendosur në Sion, tërë njerëzit shkuan në shtëpi dhe Davidi u kthye për të shpallur një bekim për shtëpinë e tij.

C. Dëshira e Davidit për të ndërtuar tempullin dhe përgjigjja e Perëndisë (kapitulli 17)

Kapitulli 17 ndahet në tri pjesë: Dëshira e Davidit për t’i ndërtuar Perëndisë një shtëpi (v. 1,2), vendosmëria e Perëndisë për ndërtimin e shtëpisë nga Davidi (v. 3-15) dhe lutja përgjigjëse e Davidit (v. 16-27). 2 Samuelit 7 është pjesa paralele. 17:1-4Davidi i tha profetit Nathan se nuk ishte i lumtur që jetonte në një shtëpi luksoze ndërsa arka e besëlidhjes qëndronte në një çadër. Dëshira e tij për të ndërtuar një shtëpi për Zotin ishte në përputhje me miratimin e nxituar të Nathanit. Por më pas Zoti e ndreqi Nathanin: Davidinuk ishte njeriu i zgjedhur për këtë detyrë. 17:5,6 Arka e Perëndisë nuk kishte qenë kurrë në një shtëpi të paluajtshme, por në një çadër. Gjithashtu Perëndia nuk kishte urdhëruarnjë shtëpi e tillë të ndërtohej deri në këtë kohë. Davidi më vonë i zbuloi birit të tij, Salomonit, një fakt që nuk përmendet këtu: atij iu hoq mundësia për të ndërtuar tempullin, sepse ishte përfshirë në shumë gjakderdhje dhe dhunë (22:7,8). Kjo detyrë iu la birit të tij, “njeriu të paqes” (22:9), që ta çonte arkën e Zotit në prehjen e saj. 17:7-15 Ndërsa Perëndia u kishte folur me mëshirë etërve në të shkuarën, kështu tani Ai veçon mbretin-bari të Izraelit për bekim të pamerituar. Këto premtime pa kushte njihen si besëlidhja e Davidit. Te Libri i Dytë i Samuelit 7:12-16 dhe Psalmi 89 flitet për këtë besëlidhje. Xhon Ualvurdi (John Walvoord) përmbledh këtë parashikim: Parashikimi i besëlidhjes së Davidit përfshin… pikat e mëposhtme: 1. Davidi do të bëhej me një djalë, që nuk ka lindur ende, që do të jetë pasuesi i tij dhe do të vendosë mbretërinë e tij. 2. Biri i tij (Salomoni) do të ndërtojë tempullin në vend të Davidit. 3. Froni i mbretërisë së tij do të vendoset përgjithmonë. 4. Froni nuk do t’i hiqet atij (Salomonit), edhe sikur mëkatet e tij të meritojnë ndëshkimin. 5. Shtëpia, froni dhe mbretëria e Davidit do të vendosen përgjithmonë [14]. Kjo besëlidhje, ashtu si tërë besëlidhjet pa kushte që ka bërë Perëndia, luajnë një rol të rëndësishëm në marrëveshjet e Tij me njerëzimin. Kjo përmendet edhe në pjesë të tjera të Shkrimit (për shembull, Isa. 9; Jer. 23,33; Ezek. 37; Zak. 14). Kjo do të përmbushet plotësisht dhe në çdo pikë në Zotin Jezus Krisht, të cilit i përkasin froni dhe mbretëria përgjithmonë. 17:16-27 Pasi i dëgjoi këto gjëra, Davidi shkoi përballë Zotit dhe lëshoi zemrën e tij në një lutje besimplotë. Përgjigjja e tij ndaj Perëndisë tregon dy karakteristika të qenësishme të Davidit: përuljen dhe besimin në Zotin. Vargjet 16 e 17 kanë frymëzuar tregtarin e mëparshëm të skllevërve dhe më pas predikuesin e ungjillit, Xhon Njutonin, për të shkruar këngën e tij të famshme frymërore: “Sa hir madhështor”. Ashtu si Davidi ai kuptoi padenjësinë dhe vogëlsinë e tij të ngritur nga hiri i vërtetë dhe i mahnitshëm i Perëndisë.

D. Fitoret e Davidit (kapitujt 18-20)

Ngjarjet e përmbledhura në tre kapitujt që vijojnë (18-20) kanë ndodhur historikisht pasi Davidi ishte bërë mbret (kapitulli 12) dhe para se arka të çohej në Jerusalem (kapitujt 13-17). Shumë nga fqinjët e ligj të Izraelit ishin dëbuar nën forcën e tij, ashtu siç kishte parashikuar Perëndia në fillim. Deri në këtë kohë mëkati dhe mosbindja e kishte mbajtur Izraelin nën skllavërinë e atyre vendeve të cilët duhej t’i kishte pushtuar. Tashmë, këto kombe pagane i paguanin haraçe Izraelit si njohje të epërsisë dhe të fuqisë së tij. 18:1-6Filistenjtë, moabitët, sirët dhe edomitët ishin mundur të gjithë, sepse Zoti e përkrahte [“ndihmonte”, NASB] Davidin kudo që ai shkonte. Vargu 4 paraqet një dështim tjetër nga ana e Davidit për të zbatuar ligjet rreth sjelljes së mbretërve të Izraelit (LiP. 17:15-17). Së pari ai kishte shumë gra (14:3) dhe tani shumë kuaj. 18:7-11 Rrjedhimisht u mblodh shumë pasuri. Për shembull, enët prej ari, argjendi dhe bronzi, të marra nga shërbëtorët e Hadarezerit, ai ia shenjtëroi Zotit, të cilat më vonë u përdorën nga Salomoni për të ndërtuar tempullin. 18:12,13Tetëmbëdhjetë mijë njerëzit që i mundi Abishai i atribuohen Davidit në pjesën paralele tek 2 i Samuelit 8:13. Shikoni komentin atje për një përgjigje të kësaj mospërputhjeje në dukje. 18:14-17 Mbi armiqtë e Davidit ra zemërimi e tij, por mbi popullin ai ushtroi drejtësinë. Ai nuk ishte vetëm një gjeneral i mirë, por gjithashtu edhe një administrator i frytshëm. Oficerët dhe zyrtarët e Davidit renditen këtu, ashtu edhe tek 2 Samuelit 8:16-18. Perëndia pëlqen t’u japë mirënjohjen për shërbimin ndaj Tij dhe udhëheqësve të Tij. 19:1-4Nahashi kishte luftuar kundër Izraelit në kohën e Saulit (1 i Samuelit 11). Mbase ai mund të kishte kryer ndonjë shërbim të paregjistruar ndaj Davidit gjatë mbretërimit të Saulit. Për shkak të kësaj, mbreti dërgoi lajmëtarë për ngushëlluar birin e tij, Hanunin, pas vdekjes së të atit. Por Hanuni dëgjoi këshillat jo të mençura dhe u soll me ambasadorët në mënyrë të turpshme. 19:5-7 Duke pasur frikë masakrën e përgjakur mbi ta, bijtë e Amonit rekrutuan mercenarë dhe u përgatitën për luftë. 19:8-15Joabi, bashkë me vëllanë e tij Abishain, mundën forcat e përbëra të amonitëve dhe sirëve. Nxitja e Joabit në vargun 13 i frymëzoi izraelitët dhe tregoi se ai kishte perspektivën e duhur për të ndërmarrë betejën. 19:16-19Sirët u dërguan lajmëtarë kushërinjve të tyre matanë lumit dhe planifikuan të hakmerreshin për të humburit e tyre. Davidi e kuptoi rrezikun. Menjëherë mblodhi forcat e tij dhe filloi sulmin. Ushtria e kapur në befasi, nën drejtimin e Shofakut, nuk mundi të matej me Izraelin dhe sirët krenarë iu nënshtruan Davidit. 20:1,2Joabi u dërgua kundër Rabahut (Amani i sotëm) nga Mbreti David, ndërsa ai vetë qëndroi në Jerusalem (2 i Samuelit 12:1). Rrethimi mbase zgjati dy vjet. Gjatë kësaj kohe Davidi u lidh me Bath-Shebën, gruan e Uriahut, një ndër tridhjetë “trimat” e tij. Libri i Dytë i Samuelit, kapitulli 12, tregon për mëkatin dhe ripërtëritjen e Davidit, por, këtu te Kronikat, mëkati nuk përmendet. Joabi e thirri Davidin kur qyteti ishte gati për të rënë dhe kurora e monarkut të mundur u vu mbi kryet e Davidit. 20:3 Ky varg mund t’i referohet vetëm njerëzve të luftës. Meqë fjalët hebraike janë disi të zymta në këtë pjesë, një përkthim i mundshëm dhënë nga disa komentues është se njerëzit ishin nën punë të detyruar (shikoni shënimin tek 2 Samuelit 12). 20:4-8 Këta gjigantë u vranë gjatë luftërave që Izraeli bëri me armiqtë e përhershëm të tij, filistenjtë. Sibekai vrau Sipain në Gezer, Elhanani vrau Lahmin (i referohet Goliathit tek 2 i Samuelit 21) dhe nipi i Davidit, Jonathani (biri i vëllait të tij, Shimea apo Shamah) goditi një gjigant që kishte gjashtë gishtërinj në secilën dorë dhe gjashtë gishtërinj në secilën këmbë. Methju Henri bën për ne këtë zbatim të këtij vargu: Shërbëtorët e Davidit, edhe pse ishin njerëz të zakonshëm, u treguan shumë të fortë para gjigantëve të Gathit, në çdo përleshje, sepse Perëndia ishte në anën e tyre… . Ne nuk duhet të kemi frikë nga njerëzit e mëdhenj që vihen kundër nesh ndërsa kemi Perëndinë që është me ne. Çfarë mund të bëjë një gisht më tepër në dorë apo në këmbë përballë Gjithëpushtetshmërisë [16]?

E. Regjistrimi dhe murtaja (kapitulli 21)

Kur ky kapitull krahasohet me 2 Samuelit 24, nuk është shumë e qartë se kush qëndronte pas mëkatit të regjistrimit të popullit nga Davidi. 2 Samuelit thotë se Zoti e nxiti Davidin të numëronte Izraelin, sepse zemërimi i Tij u ndez kundër kombit. Këtu na thuhet se Satani e nxiti këtë veprim. Që të dyja pjesët janë, pa dyshim, të vërteta. Perëndia e lejoi Satanin ta tundonte Davidin. Perëndia nuk është autori i së keqes, por Ai e lejon atë dhe bën që ajo të shërbejë për qëllimin e Tij të caktuar. Për ndryshimet midis vargjeve të dhëna në këtë kapitull dhe atyre tek 2 Samuelit 24, shikoni shënimet në fund të këtij libri [17]. 21:1-7Joabi ishte kundër regjistrimit që në fillim dhe nuk ishte shumë i zellshëm në zbatimin e urdhrit të mbretit. Levi nuk u përfshi, mbase ngaqë fisi ishte i shpërndarë në tërë Izraelin e Judën dhe të numëroheshin ata ishte shumë e vështirë. Beniamini mungon ngaqë regjistrimi u ndërpre para se të arrinte tek ai fis (1 i Kronikave 27:24). Kur u bë numërimi, nuk u mblodh asnjë shpengim, ashtu siç urdhëronte Eksodi 30:12. Mosbindja dhe krenaria e Davidit sollën pasoja të rënda. 21:8-15 Edhe pse Davidi kishte bërë një mëkat shumë të madh, ai menjëherë e rrëfeu atë dhe e përuli veten para Zotit. Kur iu dha një zgjedhje para ndëshkimit për gabimin e bërë, ai zgjodhi të binte në duart e Zotit, sepse e dinte se Ai ishte i mëshirshëm. Shtatëdhjetë mijë izraelitë u vranë para se të ndalej murtaja. Për ne ky ndëshkim mund të duket i ashpër. Që të gjithë kemi dobësi dhe mëkate ngacmuese. Davidi përgjithësisht ishte i përulur, por në këtë rast ai ra në mëkatin e lashtë të djallit, krenarinë. Methju Henri bën një zbatim për ne: Ai ishte krenar për numrin e madh të popullit të tij, por Drejtësisë hyjnore iu desh të ndërmerrte një veprim për ta zvogëluar atë. Ajo që merret nga ne, merret me të drejtë, edhe pse na dobëson e hidhëron, për shkak të krenarisë sonë [18]. 21:16,17 Kur Davidi ngriti sytë e tij pa një pamje të tmerrshme: engjëlli i Zotit me një shpatë të zhveshurdrejtuar mbi Jerusalemin. Përgjigjja e tij ishte më e mirë nga ajo e shumë besimtarëve kur kapen në ndonjë mëkat apo mosbindje të madhe. Pika e katërt në përmbledhjen e Henrit, përsa i përket çështjes së durimit të ndreqjes së Davidit, mund të jetë e dobishme për të gjithë ne, sidomos për ata që kanë një vend udhëheqësie. 1. Ai bëri një rrëfim plot pendim për mëkatin e tij dhe u lut me zell për të marrë faljen, v. 8. Tani ai kuptoi se kishte mëkatuar, kishte bërë një mëkat shumë të madh, ishte sjellë marrëzisht, shumë marrëzisht; ai u lut që, jo vetëm të ndreqej, por edhe paudhësia e tij të largohej. 2. Ai e pranoi ndëshkimin e paudhësisë së tij: “Drejtoje dorën tënde kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim (v. 17). I nënshtrohem thuprës, lejomë të jem unë vuajtësi, sepse unë jam mëkatari; mbi kokën time fajtore duhet të bjerë shpata”. 3. Ai e dorëzoi veten në mëshirën e Perëndisë (edhe pse e dinte se Ai ishte i zemëruar me të) dhe nuk ruajti mendime të këqija për Të. Sido që të jetë, më mirë të bija në duart e Zotit, sepse është shumë i mëshirshëm (v. 13). Njerëzit e mirë, edhe kur Perëndia vrenjtet me ta, mendojnë të mirën për Të. Edhe sikur të më vrasë, unë do të besoj në Të. 4. Ai shprehu një shqetësim të ëmbël për njerëzit dhe pati dhembshuri në zemrën e tij kur pa murtajën të binte mbi ta për shkeljen e tij: Por këta, kopeja, çfarë kanë bërë? [19]. 21:18-26 Përmes Gadit Zoti e drejtoi Davidin të blinte lëmin e Ornanit (Araunahut tek 2 Samuelit), një jebusit, që të ngrinte një altar atje dhe të ofronte flijime. Ornani ia ofroi tokën Davidit si dhuratë, por mbreti nguli këmbë ta blinte. Vargu 24 është një parim i rëndësishëm frymëror: flijimi i frytshëm është gjithmonë i shtrenjtë. Ky lëm më vonë u bë vendi ku u ndërtua tempulli (2 i Kronikave 3:1). 21:27-30 Në malin Moriah Abrahami ofroi Isakun (Zanafilla 22). Këtu u ndal plaga dhe kur Zoti e urdhëroi engjëllin, ai e futi përsëri shpatën e tij në mill, ashtu siç lexojmë në këtë kapitull. Këtu qëndroi tempulli. Dhe ne besojmë se në këtë kodër, edhe pse jo në të njëjtin vend, Zoti Jezus vdiq në kryq për mëkatet e njerëzimit. Fakti që vendi i lëmit do të ishte qendra e re e adhurimit mund të ketë ngjallur frikën e Davidit për të shkuar në Gabaon për drejtim.

F. Përgatitjet për Tempullin (kapitujt 22-26)

1. Materialet, njerëzit dhe shtysat (kapitulli 22) 22:1-5Davidi kuptoi se lëmi (21:28) ishte vendi i ardhshëm i tempullit dhe i altarit të olokaustit. Prandaj ai filloi të përgatitej për ndërtimin, edhe pse e dinte se Salomoni ishte ai që do të kishte privilegjin e ndërtimit të tempullit. Të huajt e përmendur në vargun 2 ishin kanaanenjtë që mbetën në vendin e Izraelit (1 i Mbreterve 9:20,21). Izraeli duhej t’i kishte shfarosur ata, por, duke mos e bërë një gjë të tillë, judenjtë tashmë i nënshtruan me punë të detyruar. 22:6-13 Në një bashkëbisedim formal me Salomonin, Davidi tregoi me hollësi dëshirën e tij për të ndërtuar tempullin, paaftësinë e tij për ta bërë një gjë të tillë për shkak se kishte qenë një njeri që kishte derdhur gjak dhe për premtimin e Zotit se do të ishte biri i tij, Salomoni, ai që do të ndërtonte shtëpinë e Perëndisë. Ai kërkoi që Zoti të ishte me Salomonin, duke i dhënë atij dituri dhe zgjuarsi dhe e nxiti Salomonin t’i bindej ligjit të Perëndisë. 22:14-16 Së fundi, Davidi i foli Salomonit rreth punës që kishte ndërmarrë për të përgatitur materiale dhe për punëtorët. Ai mbaroi me këshillën që tërë të krishterët do të bënin mirë t’ia vini veshin: “Çohu, pra, dhe futju punës, dhe Zoti qoftë me ty!“. 22:17-19 Pastaj mbreti nxiti krerët e Izraelit që të bashkëpunonin me Salomonin. Vini re se ndërtimi për Perëndinë është, pikësëpari, një çështje zemre, pastaj vepre: “Prandaj tani bëni që zemra të kërkojë Zotin dhe ndërtoni shenjtëroren”. 2. Ndarjet dhe detyrat e levitëve (kapitujt 23-26) 23:1-3 Afër fundit të mbretërimit të Davidit u bë një regjistrim i levitëve tridhjetë vjeç e lart, mosha në të cilën mund të fillonin shërbimin e tyre. 23:4,5Tridhjetë e tetë mijë njerëzit u ndanë në katër grupe të mëdha: njëzet e katër mijë mbikëqyrës në tempull, gjashtë mijë magjistratë dhe gjyqtarë, katër mijë derëtarë dhe katër mijë muzikantë dhe këngëtarë për të adhuruar vazhdimisht para Zotit. Këto udhëzime ishin të frymëzuara nga Perëndia dhe iu komunikuan Davidit me anë të profetëve të tij (2 i Kronikave 29:25). 23:6-24 Te vargjet 6-23 jepen përsëri gjenealogjitë e levitëve: gershomitët (v. 7-11), kehathitët (v. 12-20, duke përfshirë Moisiun dhe Aaronin, levitët më të famshëm që kanë ekzistuar) dhe meraritët (v. 21-23). Disa funksione priftërore i ishin caktuar vetëm Aaronit dhe bijve të tij përjetë (v. 13). Temjani, shërbesa ndaj Zotit në Vendin e Shenjtë e në Vendin Shumë të Shenjtë (vetëm për kryepriftin) dhe bekimi në emër të Jehovahut (Num. 6:23-27) ishin ruajtur vetëm për priftërinjtë. 23:25-27 Më pas paraqiten detyrat e levitëve. Kështu levitët nuk do ta mbartnin më tabernakullin dhe pajisjet e tij, ashtu siç ishte urdhëruar nga Moisiu, meqë tempulli do të ishte një shtëpi e qëndrueshme për Perëndinë. Davidi, duke dhënë porositë e fundit, e uli moshën minimale deri në njëzet vjeç e lart, sepse ishte e nevojshme një fuqi më e madhe për shërbimin në tempull. 23:28-32 6 000 gjyqtarët ishin shpërndarë në tërë Izraelin, ndërsa levitët e tjerë shërbenin në lidhje me tempullin. 24 000 mbikëqyrësit e punës në tempull duhej të ndihmonin priftërinjtë në detyrat e renditura te vargjet 28-32. 24:1-19 Në kapitullin 24 na thuhet se si u formuan klasat e priftërinjve dhe levitëve. Kishte njëzet e katër shtëpi apo klasa priftërinjsh (v. 1-19) dhe njëzet e katër klasa levitësh (v. 20-31). Çdo klase i ishte caktuar një turn, sipas rregullës së rrotullimit, për të shërbyer në tempull, duke u dhënë kështu të gjithëve mundësinë për të shërbyer afërsisht dy javë çdo vit. Zakaria (Lluka 1:5) i përkiste turnit të tetë, atij të Abijahut (v. 10). Nga shtëpitë e dy bijtë të Aaronit, Eleazarit dhe Ithamarit, duke përfshirë priftërinë, gjashtëmbëdhjetë klasa i përkisnin të parit dhe tetë të dytit (v. 4). Shorti u hodh në prani të Davidit, të parëve të Izraelit dhe priftërinjve Tsadok e Ahimelek; rezultatet u regjistruan nga shkruesi Shemajah, me kujdes të veçantë. 24:20-31 Levitët hodhën gjithashtu shortin e tyre para Davidit dhe prijësve. Në pamje të parë shorti përcaktoi klasën që iu caktua çdo njeriu. 25:1-7 Në kapitullin 25 paraqiten bij të tjerë të Levit, këngëtarë e muzikantë, sipas turnit të caktuar për të kryer shërbesën e tyre. Këta janë bijtë e Asafit (v. 2), Jeduthuni (v. 3) dhe Hemani (v. 4,5). Këta dyqind e tetëdhjetë e tetë njerëz u caktuan të këndonin në shtëpinë e Zotit, shoqëruar nga cembale, harpa dhe qeste (v. 6,7). 25:8-31 Ata u caktuan sipas njëzet e katër turneve me anë të shortit, ashtu siç tregohet në vargjet 8-31. 26:1-19 Më pas jepen hollësi rreth derëtarëve dhe dyerve, sipas shortit që u hodh për to. Këtu shohim kehathitët (v. 1), “… detyra e tyre ishte të parandalonin hamendësinë sipas së cilës etërit e tyre ishin fajtorë (Num. 16). Të tilla janë udhët e Perëndisë” [20]. Këtu gjithashtu shohim Obed-Edomin, që strehoi arkën, pas vdekjes së Uzës (13:14). Perëndia nuk e kishte harruar besnikërinë e tij. Vargu 18 do të thotë se ishin katër derëtarë apo roje të tempullit në rrugicën që lidhte dyert dhe dy të tjerë në fund të rrugicës që të çonte në Parbar, mbase një oborr apo shtyllnajë që shtrihej në perëndim të tempullit [21]. 26:20-28 Disa levitë u caktuan për të ruajtur thesaret e tempullit dhe ofertat vullnetare që i ishin shenjtëruar Zotit. 26:29-32 Një grup i tretë i levitëve u veçua si magjistratë dhe si gjyqtarë një mijë e shtatëqind në perëndim Jordanit dhe dy mijë e shtatëqind në krahun lindor të lumit në Galaad.

G. Udhëheqësit ushtarakë dhe qeverisës (kapitulli 27)

27:1-15 Ushtria, ashtu si levitët, u nda në divizione. Njëzet e katër mijë njerëz ishin në detyrë çdo muaj. Tërë komandantët janë renditur midis trimave të Davidit (kapitulli 11 dhe 2 i Samuelit 23). 27:16-22Fiset janë renditur sipas një rendi të caktuar. Në fillim janë renditur bijtë e Leas, sipas rendit të tyre: rubenitët, simeonitët, levitët, Juda, Isakari dhe Zabuloni. Më pas bijtë e Rakelës: Jozefi (përfaqësuar nga bijtë e tij Efraimi e Manasi) dhe Beniamini. Bijtë e Bilbahut jepen, por jo sipas rendit kronologjik: Neftali dhe Dani. Bijtë e Zilpahut (Gadi dhe Asheri) nuk përmenden këtu. 27:23,24 Ata që ishin më pak se njëzet vjeç nuk u llogaritën në regjistrimin që kishte urdhëruar Davidi. Regjistrimi nuk mbaroi kurrë, sepse zemërimi i Zotit ra para se Joabi ta mbaronte atë. Davidi, mbase i turpëruar për mëkatin e tij, urdhëroi që rezultati i regjistrimit që solli gjëmën nuk duhej të vihej në regjistrimet publike. 27:25-34 Davidi kishte dymbëdhjetë zyrtarë që kishin detyrën e punëve të tij shtëpiake. Ai gjithashtu kishte këshilltarë dhe miq të ngushtë që e këshillonin. Historia e trishtuar e Ahithofelit jepet tek 2 Samuelit 15 e 17. Ashtu si Joabi, ai ishte një njeri me privilegj të madh, por me karakter të ulët. Sa më shumë i fisëm ishte Hushai, miku i mbretit. Ahithofeli ishte një interesaxhi, por Hushai ishte një shërbëtor vetëmohues. Secili korri atë që kishte mbjellë (shikoni 2 i Samuelit 15-17). Që të dy i shërbyen mbretit, por secili kishte shtysa të ndryshme. Interesaxhiu punon për lavdinë e tij, por shërbëtori për atë të të zotit.

H. Ditët e fundit të Davidit (kapitujt 28,29)

28:1-8Davidi mblodhi në Jerusalem tërë krerët e divizioneve të ndryshme, të parët e fiseve dhe komandantët. Edhe një herë tjetër ai shpjegoi dëshirën e tij për të ndërtuar një shtëpi për Zotin dhe arsyet pse nuk ishte lejuar ta bënte një gjë të tillë. Por ai ishte zgjedhur dhe ishte vendosur mbretIzrael dhe biri i tij, Salomoni, ishte zgjedhur të ishte pasuesi i tij. Meqë froni i Davidit ishte caktuar i qëndrueshëm nga Perëndia, njerëzit duhej t’i bindeshin Zotit përmes Salomonit, ashtu si përmes Davidit. 28:9,10 Më pas Davidi i drejtohet birit të tij. Vargu 9 përmban një urdhër, një premtim dhe një paralajmërim. Urdhri:“Ti Salomon, biri im, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë”. Premtimi:“Në rast se ti e kërkon, Ai do të të lërë ta gjesh”. Paralajmërimi:“Por në rast se ti e braktis, ai do të të hedhë poshtë përjetë”. Meqë Zoti e kishte caktuar Salomonin për të ndërtuar tempullin, ai duhej të merrte zemër dhe t’i futej punës. 28:11-19 Por Salomoni, ashtu si Moisiu para tij, duhej të ndërtonte sipas shembullit të dhënë nga Fryma, mbase me anë të një vegimi. Nuk ka vend për imagjinatën apo naivitetin njerëzor, sepse tempulli është një simbol i Krishtit. Davidi i dha Salomonit projektin që kishte përgatitur me anë të frymëzimit të Frymës. Ai gjithashtu kishte mbledhur materialet jo të gatshme që do të përdoreshin për çdo pjesë të mobilimit (më tepër hollësi jepen tek 2 i Kronikave 2-4). Qerrja, domethënë, kerubinët prej ari (v. 18), sipas Ungerit, mbase do të thotë: “Kerubini si qerrja mbi të cilën hyn apo është kurorëzuar Perëndia” [22]. 28:20,21Salomoni tashmë kishte projektin; materialet u mblodhën; shërbëtorëve të tempullit, levitëve, u ishin dhënë detyrat e tyre. Perëndia ishte me të dhe nuk do ta braktiste; prandaj ati i tij e nxiti përsëri: “Ji i fortë dhe përvishju punës”. 29:1-9 Edhe pse mbreti David e kishte përgatitur pothuajse tërë punën e tempullit, megjithatë, si një ofertë përfundimtare dhe si një shembull për popullin, ai përkushtoi më tepër argjend dhe ar nga fondet e tij private dhe e nxiti popullin për të dhënë lirshëm. Përgjigjja e tyre bujare shkaktoi gëzim në zemrat e tyre dhe në zemrën e mbretit. 29:10-19 Më pas Davidi ofroi një lutje të mrekullueshme adhurimi dhe falënderimi. Ai ngriti lart Zotin, të denjë për tërë lavdinë, të ngritur sovran mbi gjithçka dhe si Burimin e tërë pasurisë dhe lavdisë. Ai pranoi se ai dhe populli i tij ishin të padenjë t’I jepnin Perëndisë dhe çka I kishin dhënë Atij ishte marrë gjithsesi nga Ai. Ai u lut që përkushtimi i tashëm (një zemëre drejtë, v. 17) i popullit të tij të bëhej një karakteristikë e përhershme (një zemëre përqendruar në Perëndinë, v. 18) dhe që biri i tij të kishte një zemër të ndershme (v. 19) në ndërtimin e tempullit. 29:20-22a Kur ai i bëri thirrje asamblesë të bekonte Zotin, ata u përkulën dhe ranë përmbys përpara Zotit dhe mbretit. Të nesërmen ata flijuan 3 000 kafshë dhe hëngrën dhe pinë me gëzim të madh para Zotit. 29:22b-25Salomoni u bë mbret për herë të dytë (v. 22; krahasoni 23:1); pastaj, pas vdekjes së Davidit, ai u ul në fron, duke gëzuar bekimet e Zotit dhe miratimin e njerëzve. Mbretëria e tij e lavdishme projekton shkëlqimin e mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit mbi tërë tokën. 29:26-30 Libri i Parë i Kronikave mbyllet me një përmbledhje të shkurtër të mbretërisë së Davidit. Ai vdiq shumë plak (ishte shtatëdhjetë vjeç), i ngopur me ditë, me pasuri dhe lavdi.
SHËNIME
[[1]](Hyrje) Prandaj kur Zoti ynë flet për gjakun e Abelit (Zanafilla 4:10,11) deri te gjaku i Zakarisë, birit të Berekiahut (2 i Kronikave 24:20,21), Ai po thotë “nga Zanafilla te Malakia” (apo Zbulesa).[[1]] [[2]](Hyrje) Duket sikur shkrimtari i Kronikave mbushi atë që lanë pas dore librat e Samuelit dhe të Mbretërve.[[2]] [[3]](Hyrje) Nëse librat e Kronikave do të ishin të ngjashme me librat e Samuelit dhe të Mbretërve, atëherë pa dyshim që do të kritikoheshin si të tepruara.[[3]] [[4]](Hyrje) William Kelly, Lectures on the Books of Chronicles, f. 13.[[4]] [[5]](Hyrje) William Kelly, Lectures on the Books of Chronicles, f. 13.[[5]] [[6]](Hyrje) Versioni Septuagint e përkthen shikues. Fjala hebraike që përkthehet shikues është shumë afër me emrin Hozai.[[6]] [[7]](Hyrje) W. Graham Scroggie, Know Your Bible, Vëll. 1, The Old Testament, f. 86.[[7]] [8] (1: Hyrje) Versioni i Ri i Mbretit Xhejms (New King James Version), tekstin e të cilit komenton ky komentar, i poshtëshënon këto ndryshime më plotësisht në shumë botime, megjithatë botuesi i DhV, po ashtu edhe botuesi ekzekutiv, përkthyesit dhe komiteti rishikues, të gjithë mbajnë pozicionin e pagabueshmërisë së tekstit origjinal. [9] (2:1-5:23) H. A. Ironside, The Continual Burn Offering, lexim nga komenti i 12 marsit. [10] (7:13) Jatsiel dhe Shalum ilustron emrat që janë paksa ndryshe nga shqiptimi i tyre te Zanafilla 46:24 (Jahtseel dhe Shilem, krahasoni shënimet fundore te NKJV). [11] (8:29-40) Pjesa “bosheth” e emrit të Mefiboshethit (krahasoni Ish-Bosheth) do të thotë “turp”. Në vend që të shqiptonin emrin e një hyjnie pagane (këtu Baal), judenjtë e përkushtuar e zëvendësonin atë me këtë fyerje ndaj idhujtarisë. [12] (10:1-5) C. H. Spurgeon, Spurgeon’s Devotional Bible, f. 265. [13] (11:20,21) Versioni Sirian shkruan “tridhjetë” (shikoni shënimet fundore të versionit NKJ). [14] (17:7-15) John Walvood, cituar nga J. Dwight Pentecost, Things to Come, f. 101,102. [15] (17:16-27) Samuel Willoughby Duffield, English Hymns: Their Authors and History, f. 166. [16] (20:4-8) Matthew Henry, “1 Chronicles”, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, II:887. [17] (21: Hyrje) Mospërputhjet në dukje përsa u përket numrave midis 2 Samuelit 24 dhe 1 Kronikave 21 mund të pajtohen si vijon: 2 SAMUELIT 24 1 KRONIKAVE 21 1. Numrat sipas regjistrimit
800 000 burra të fortë të Izraelit që përdornin shpatën (v. 9) 1 100 000 – tërë njerëzit e Izraelit që përdornin shpatën (v. 5)
500 000 burra të Judës (v. 9) 470 000 burra të Judës që përdornin shpatën (v. 5)
1 300 000 burra 1 570 000 burra
Por vini re klasifikimet e ndryshme: burrat e fortë përbri tërë Izraelit; burrat e Judës përbri burrave të Judës që përdornin shpatën. Numrat domosdoshmërisht përfshijnë klasa të ndryshme. 2. Vitet e zisë shtatë vjet (v. 13) tre vjet (v. 12) Shtatë vitet mund të përfshijnë zinë trevjeçare të shkaktuar nga vrasja e gabaonitëve nga Sauli (2 i Samuelit 21:1). Nëse Davidi zgjodhi tre vite të tjera, çdo pjesë e një viti ndërmjetës do të llogaritej si një vit dhe kështu periudha e përgjithshme e zisë do të ishte shtatë vjet. 3. Çmimi paguar Araunahut (Ornanit) 50 sikla (v. 24) 600 sikla (v. 25) Pesëdhjetë siklat ishin për lëmin dhe qetë. Gjashtëqind siklat ishin për “sipërfaqen e lëmit” (v. 22), tërë zona përreth ku bënte pjesë edhe lëmi. [18] (21:8-15) Henry, “1 Chronicles”, II:889. [19] (21:16,17) Henry, “1 Chronicles”, II:889. [20] (26:1-19) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 236. [21] (26:1-19) Ekziston një teori tjetër që Parbar ishte një periferi e Jerusalemit. Ky term është i paqartë përsa i përket domethënies. [22] (28:11-19) Merrill F. Unger, Unger’s Bible Dictionary, f. 190.
BIBLIOGRAFI
Henry, Matthew. “1 Chronicles” dhe “2 Chronicles”, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible. Vëll. 2, ribotim, McLean, VA: MacDonald Publishing Company, nuk dihet data. Keil, C. F. “The Books of the Chronicles”, te Biblical Commentary on the Old Testament. Vëll. 9, Grand Rapids: Wm. Kelly, William. Lectures on the Boks of the Chronicles. Oak Park, IL: Bible Truth Publishers, 1963. Payne, J. Barton, “I and II Chronicles”, te The Wycliffe Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1962. Sailhamer, John. First and Second Chronicles. Everyman’s Bible Commentary. Chicago: Moody Press, 1983. Zöckler, Otto. “The Books of the Chronicles”, te Commentary on the Holy Scriptures, Critical, Doctrinal, and Homiletical. Vëll. 4, ribotim (24 vëll. në 12), Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1960.