Libri 3 (Psalmet 73 – 89)

Psalmi 73: Dilema e besimit

73:1 Këtu po flet Asafi. Dhe më lini të qartësoj një pikë që në fillim. E di në fakt se Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra. E vërteta është aq e dukshme saqë do të mendoni se askush nuk do ta vërë në dyshim.

73:2,3 Por ka qenë një kohë kur fillova të lëkundesha. Pozicioni im u bë shumë i lëkundshëm dhe besimi im gati-gati pësoi një përpëlitje të përkohshme. Fillova të mendoj se sa mirë u vete njerëzve të këqinj – shumë para, plot kënaqësi, asnjë problem – dhe shumë shpejt uroja të isha si ata.

73:4-9 Çdo gjë duket se atyre u shkon mirë. Ata nuk kanë vuajtje fizike sa besimtarët. Trupat e tyre janë të fortë dhe të shëndetshëm (nga ana natyrale – ata mund të shijojnë më të mirën e çdo gjëje). Ata u largohen shumë problemeve dhe tragjedive të njerëzve të ndershëm si ne. Edhe sikur problemi t’i godasë, ata janë tepër të sigurt kundër çdo forme të mundshme humbjeje. Nuk është për t’u çuditur që kanë vetëbesim. Ata janë krenarë si një pallua dhe të pamëshirshëm si një tigër. Ashtu si trupat e tyre duket se tejmbushen me dhjamë, po kështu edhe mendjet e tyre mbushen me skema të pandershme. Dhe janë edhe arrogantë. Ata tallen dhe mallkojnë vartësit e tyre dhe sillen me ta sikur të ishin të pisët, duke i kërcënuar vazhdimisht. Edhe Vetë Perëndia nuk u shpëton ligësisë së tyre. E folura e tyre dallohet për përdhosje dhe ata në mënyrë të paturpshme blasfemojnë kundër Tij. Gjuha e tyre krekoset dhe mburret në tërë tokën, ashtu sikur të thoshin: “Këtu po kaloj unë; hiqmu sysh nga rruga ime”.

73:10-12 Shumë nga njerëzit e thjeshtë mendojnë se ata janë të mëdhenj. Ata përkulen, bien përmbys dhe tregojnë respektin më të lartë. Nuk ka rëndësi se çfarë bëjnë të ligjtë, populli nuk gjen gabim në ta. Dhe kjo vetëm miraton shtypësit në arrogancën e tyre. Ata mendojnë se nëse do të ekzistonte Perëndia, Ai me siguri nuk mund të dijë se çfarë po ngjet. Kështu që ata ndihen të sigurt duke bërë karrierën e pandershmërisë. Dhe ja cilët janë – të zhytur në luks dhe pasurohen tërë kohën.

73:13,14 Kështu që fillova të mendoj: “Çfarë dobie kam pasur të bëja një jetë të hijshme, të ndershme dhe të respektueshme?”. Kohën që kam kaluar në lutje, kohën që kam kaluar me Fjalën, shpërndarja e fondeve për veprën e Zotit, dëshmia aktive për Zotin, si në publik ashtu edhe në fshehtësi: gjithçka që kam përfituar nga kjo ka qenë një dozë e përditshme vuajtjeje dhe ndëshkimi. Çuditem nëse jeta e besimit ia vlen barra qiranë.

73:15 Sigurisht, kurrë nuk i kam ndarë dyshimet dhe mosbesimet e mia me besimtarë të tjerë. Më mirë dija të veproja sesa të bëjë këtë. Shpesh mendoja për njeriun që thoshte: “Më trego për siguritë e tua; unë kam shumë dyshime në veten time”. Kështu që i ruajta tërë dyshimet brenda vetes, që të mos fyeja apo të pengoja ndonjë shpirt të thjeshtë dhe besues.

73:16 Por akoma kjo çështje ishte gangrenë për mua: i pabesi begatohet, ndërsa i drejti vuante. Dukej shumë e vështirë për t’u kuptuar. Në fakt, më gërryente shpirtin të përpiqesha që të zgjidhja problemin.

73:17 Pastaj ndodhi diçka e mrekullueshme. Një ditë hyra në shenjtëroren e Perëndisë – jo në tempullin fizik në Jerusalem, por në atë qiellor. Hyra atje me besim. Ndërsa po i ankohesha Zotit për begatinë e të pabesit në këtë jetë, më erdhi një pyetje fluturimthi në mendje: “Po, por çfarë mund të them për jetën që do të vijë?”. Sa më tepër mendoja për fatin e tyre të përjetshëm, aq më tepër po qartësoheshin gjërat.

73:18-20 Kështu që i thashë Zotit diçka të tillë: o Zot, tani e kuptoj se, pavarësisht nga dukjet e jashtme, jeta e të pabesit është një ekzistencë e pasigurt. Ata po ecin në vende të rrëshqitshme të një humnere të gjerë. Herët a vonë ata do të bien në shkatërrimin e tyre. Në një çast ata do të këputen – do të çohen larg si një valë tmerri shumë e llahtarshme për t’u parë. Ata më duken si në një ëndërr, kur zgjohesh në mëngjes – gjërat që shqetësojnë ëndërruesin kuptohet se nuk janë gjë tjetër veç fantazma.

73:21,22 Kuptoj tani se gjërat që më bënin të isha ziliqar ishin thjesht hije. Jam treguar i marrë që hidhërohesha dhe shqetësohesha me begatinë e dukshme të të paperëndishmit. Duke kërkuar drejtësinë Tënde po veproja më tepër si një kafshë sesa si njeri (Më fal që jam sjellë kështu!).

73:23,24 Pavarësisht nga sjellja ime e marrë, Ti nuk më ke braktisur. Unë jam gjithnjë me ty dhe Ti më ke kapur ashtu si një baba që mban birin e tij nga dora. Gjatë tërë jetës time Ti më ke udhëhequr me këshillën Tënde dhe në fund Ti do të më çosh në lavdi.

73:25,26 Më mjafton që të kam Ty në qiell; kjo më bën tejet të gëzuar. Dhe tani nuk kam asnjë dëshirë për diçka tjetër mbi tokë veç Teje. Të paperëndishmit le ta kenë pasurinë e tyre. Unë jam i kënaqur me Ty dhe gjej tërë mjaftueshmërinë në Ty. Trupi im mund të prishet dhe zemra ime nuk mund të ligështohet, por Perëndia është kështjella e jetës sime dhe kurrë nuk do të kem nevojë apo do të dua gjë tjetër gjatë tërë përjetësisë.

73:27,28 Ata që përpiqen të qëndrojnë larg prej Teje sa më tepër të mundin do të vdesin pa Ty. Dhe tërë ata që largohen prej Teje për perënditë e rreme do të shkatërrohen. Për sa më përket mua, dua të Të afrohem sa më tepër që të jetë e mundur. Kam dorëzuar veten te Ty për mbrojtje dhe dua të tregoj gjithë veprat e Tua të mrekullueshme, cilitdo që do të dëgjojë.

Psalmi 74: Kujto!

Vajtimi prekës sjell ndërmend shkatërrimin e tempullit nga babilonasit nën Nebukadnetsarin. Por gjithashtu parashikon tri tragjedi të tjera të ngjashme në Izrael:

Shkatërrimin e shenjtërores nga Antioku Epifan, vitet 170-168 para K.

Shkatërrimin e tempullit nga Titi dhe legjionet e tij romake, viti 70 pas K.

Shkretimin akoma të ardhshëm të tempullit, ashtu siç profetizohet te Mateu 24:15.

Kur shkatërrimet babilonase përfunduan, u duk sikur Perëndia kishte braktisur popullin e Tij njëherë e përgjithmonë. Ndërsa ata shikonin tymin të dilte nga gërmadhat, me të drejtë e interpretuan katastrofën si një djegie të zemërimit të Tij. Por edhe në ato çaste ata kujtonin Zotin me patos se akoma janë:

Delet e vathës së Tij (v. 1).

Populli i Tij (v. 2).

Fisi i trashëgimisë së Tij (v. 2).

Turtulleshat e Tij të mjera (v. 19).

Të shtypurit (v. 21).

Të pikëlluarit dhe nevojtarët (v. 21).

Ata gjithashtu përsërisin fjalën “Kujto”

Kujto popullin Tënd (v. 2).

Kujto malin Sion (v. 2).

Kujto talljen e armikut (v. 18).

Kujto se si një njeri i paperëndishëm përqesh dhe fyen emrin e Perëndisë (v. 22).

74:1-4 Ashtu sikur Ai të mos dinte se çfarë kishte ndodhur, ata i kërkojnë Perëndisë të vijë dhe të shohë se si ushtarët kaldeas kishin rrafshuar plotësisht ndërtesën e shenjtë. Pastaj japin një rrëfim okular të asaj që ka ndodhur. Pushtuesit e huaj u vërsulën në mes të vendit të shenjtë. Ata kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj, që do të thotë se kanë futur ritet pagane dhe simbolet idhujtare në vendin e adhurimit frymëror të Jehovahut.

74:5-8 Ashtu si pjesa e dendur e një pylli rrëzohet dhe pemët një nga një nga goditjet e shpejta të druvarit, po kështu skulpturat e shtrenjta dhe pajisjet drusore të tempullit po shkatërroheshin nga sqeparët dhe çekanët si vare, të luftëtarëve paganë. Sapo vendi ishte në rrënim e sipër, ata i vunë zjarrin dhe kjo përdhosi më tej shenjtëroren e Perëndisë. Me qëllim që të shkretonin plotësisht Izraelin dhe adhurimin e tij, ata dogjën tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.

74:9 Halli i madh i kombit përmblidhet në tri mungesa dhe katër pyetje. Mungesat janë:

Asnjë shenjë. Ndërhyrjet e mrekullueshme të Perëndisë, të cilat Izraeli i kishte përjetuar në të kaluarën, mungonin dukshëm.

Asnjë profet. Zëri profetik nuk dëgjohej në atë kohë (Eze. 3:26).

Asnjë shpresë për pushim. Nuk kishte asnjë që të dinte deri kur do të vazhdonte mjerimi.

74:10,11 Katër pyetjet janë:

Deri kur do të lejojë Perëndia kundërshtari të tallet?

A do të lejojë Perëndia që emri i Tij të fyet pafundësisht?

Pse dora e Tij është tërhequr për të ndaluar shkatërrimin?

Pse e mban Ai dorën e Tij të djathtë të fshehur në palat e rrobës së Tij?

74:12-17 Por psalmisti gjen shpresë dhe ngushëllim duke rrëfyer fuqinë e madhe të Perëndisë në të kaluarën, në të mirë të popullit të Tij. Si Mbret i Izraelit prej një kohe të gjatë, Ai ka veçuar Veten me çlirimet fantastike që kreu në vende të ndryshme. Për shembull, Ai me forcën e Tij ndau Detin e Kuq për të bërë një rrugë të lehtë për judenjtë që u larguan nga Egjipti. Pastaj kur egjiptianët, përbindëshat e detit, pra ushtarët e faraonit u përpoqën t’i ndiqnin, Ai bëri që ujërat të ktheheshin në vendin e tyre dhe mbyti turmat e armikut. Ai shtypi kokat e Levitanëve, krokodilin e tmerrshëm që simbolizonte fuqinë egjiptiane dhe trupat e ushtarëve, që u lanë në bregun e detit, të cilët u bënë ushqim për korbat dhe bishat e shkretëtirës. Ai bëri të dalin burime e rrëke në shkretëtirë dhe thau lumin Jordan që njerëzit të futeshin në vendin e premtuar. Dita dhe nata janë në kontrollin e Tij dhe dielli, hëna e yjet bëjnë detyrat e Tij. Ai rregulloi gjeografinë e topografinë e tokës dhe stinët kontrollohen nga Ai.

74:18-21 Psalmisti i kujton Perëndisë se edhe Ai gjithashtu përfshihet në shkatërrim. Armiku ka fyer emrin e Tij; po, një popull i pamend e i turpshëm ka treguar përbuzje ndaj Tij.

Por kërkesa e popullit të Tij është e dëshpëruar. Ata i përgjërohen që të mos i braktisë turtulleshat e Tij te bishat babilonase, apo që të mos harrojë përjetë të pikëlluarit. Ata i luten që të respektojë besëlidhjen që bëri me Abrahamin tashmë kur vendet e errëta të tokës së Izraelit janë të mbushur me mizori dhe dhunë. Ata i luten ta kthejë popullin e Tij të shtypur në nder, jo në turp, dhe kjo jep arsye të mëdha që të përlëvdojnë emrin e Tij përsëri për lutje që marrin përgjigje.

74:22,23 Në fund të fundit është kauza e Perëndisë që është në rrezik. Ai duhet të mbrojë nderin e emrit të Tij, sepse të paperëndishmit po tallen me Të tërë ditën. Ai nuk duhet të harrojë përqeshjen e madhe të armiqve të Tij të cilët mbushin anembanë vendin vazhdimisht me sfida.

Psalmi 75: Burimi i përlëvdimit

Lutja e Psalmit 74 merr përgjigje në Psalmin 75. Zoti do të çohet për të mbrojtur çështjen e Tij (Psa. 74:22) dhe do të heqë tërë mosnënshtrimin ndaj Tij. Së fundi, psalmi paraqet çastin e historisë kur Zoti Jezus do të kthehet në tokë për të mbretëruar me drejtësi.

75:1 Para asaj ngjarjeje Shpëtimtari e drejton popullin e Tij të lëvdojë Perëndinë. Tërë mrekullitë e Perëndisë tregojnë se Ai është i afërt për të çliruar të zgjedhurit e Tij dhe për të ndëshkuar armiqtë e Tij. Tërë mrekullitë e Tij të mëdha tregojnë se Ai kujdeset (LB).

75:2 I njëjti Folës thotë: “Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi”. Koha është caktuar nga Perëndia Atë (Mar. 13:32). Kur të vijë ajo kohë, Ai do ta plotësojë profecinë e Isaias: “një mbret do të mbretërojë me drejtësi” (32:1).

75:3 Në kohën vendimtare, kur themelet e qeverisjes njerëzore do të çorientohen, Ai do të bëjë një mbretëri që nuk do të tundet kurrë. Edhe pse shoqëria njerëzore do të bëhet e prishur frymërisht, politikisht dhe moralisht, shtyllat e qeverisjes së Tij janë të forta dhe të sigurta.

75:4,5 Ai u thotë fodullëve: “Mjaft u lëvduat” dhe të pabesëve: “Cilët mendoni se jeni? Mos jini kaq krenarë, vetëbesues dhe të pashtruar. Mos u lëvdoni me mashtrim!”.

75:6,7Lëvdimi i vërtetë nuk vjen nga ajo rrugë. Ai nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, dhe as nga shkretëtira në jug. . . “. Fakti se veriu nuk përmendet mund të jetë ngaqë pushtuesit zakonisht vinin nga veriu dhe kjo donte të thoshte më tepër pushtim sesa lëvdim. Ose ngaqë veriu ndonjëherë shoqërohet me vendbanimin e Perëndisë (Is. 14:13; Psa. 48:2). Sido që të jetë, ideja është e qartë se “ngritja lart” nuk vjen nga burimet njerëzore apo tokësore, por vetëm nga Zoti. Ai është Sunduesi më i Lartë, ul njërin dhe ngre tjetrin.

75:8 Si Ulësi Ai mban në dorë një kupë. Kupa ka brenda verën e gjykimit. Ajo është e shkumëzuar, e kuqe dhe plot me erëza, pra në lëvizje të trazuar dhe shumë e fuqishme. Kur Ai e zbraz, banorët e pabesë të tokës do të detyrohen ta pinë të gjithë – deri llumin.

75:9,10 Në dy vargjet e fundit Zoti Jezus është akoma Folësi. Ai do t’i këndojë lavde përgjithmonë Perëndisë së Jakobit, Perëndisë që ka ngritur lart popullin e Tij të padenjë. Fuqinë e të pabesëve, forcën dhe nderin e tyre, Ai do ta hedhë poshtë, por fuqia dhe lavdia e të drejtëve do të rritet.

Psalmi 76: Zemërimi i njeriut që lëvdon Perëndinë

Në vitin 701 para K. ushtria asire me në krye Senasheribin kërcënoi se do të shkatërronte Jerusalemin. Por para se t’i afroheshin qytetit, Engjëlli i Zotit i vizitoi në fushimin e tyre natën dhe vrau 185 000 trupa.

Kjo fatkeqësi asire kujtohet në poemën epike të Bajronit: “Shkatërrimi i Senasheribit”, e cila citohet plotësisht në komentin e Isaias 37:36. Nëse e shohim Psalmin 76 në dritën e këtij sfondi historik, atëherë do të na shfaqet në një mënyrë të re e të gëzuar. Ia vlen të lexojmë përgjatë këtij psalmi.

76:1 Perëndia është i famshëm në Judë, sepse Ai mposhti në mënyrë të mahnitshme ushtrinë që kërcënonte qytetin dhe shenjtëroren. Emri i Tij është i shquar në Izrael për këtë kapitull të paharrueshëm në historinë e kombit.

76:2-4 Ai e përfytyronte Jerusalemin, qytetin e paqes, si kryeqytetin e Tij; malin e Sionit si vendin ku Ai banon. Dhe në atë vend Ai shtypi ushtritë e armikut – shigjetat, mburojën dhe shpatën e shndritshme të luftës dhe tërë armët e tjera.

Ky qytet i ndërtuar mbi një kodër është më madhështor se malet e presë, që do të thotë qeveritë e mëdha pagane që e kanë plaçkitur. Dhe nga metonimia kjo do të thotë se Perëndia i Jerusalemit është më i lavdishëm se ndonjë fuqi tjetër që mund të ngrejë dorën e saj kundër Judës.

76:5,6 Kjo shihet prej asaj që i ka ndodhur ushtrisë asire. Luftëtarët trima menjëherë hodhën armët. Për një çast u bënë të pafuqishëm. Një fjalë nga Perëndia i Jakobit dhe kalorësit dhe kuajt ranë në shushatjen e vdekjes.

76:7-9 Çfarë Perëndie është! Dhe sa shumë duhet të kemi frikë nga Ai! I gjithë kundërshtimi është i kotë kur ka marrë zjarr zemërimi i Tij. Sapo shpall nga qielli vendimin e Tij, toka dridhet dhe hesht – ashtu siç bëhet bunacë furtuna. Pastaj Perëndia bën një hap para për të bërë të drejta gjërat e gabuara të tokës dhe për të çliruar popullin e saj të shtypur.

76:10 Ai ka një mënyrë të mrekullueshme për ta kthyer zemërimin e njerëzve në lavdi të Tij. Dhe Ai do të bjerë mbi atë që nuk do ta lëvdojë Atë, si shpata e një gjenerali pushtues.

Zemërimi i njerëzve nuk do të lëvdojë Ty,

pjesën tjetër do ta pengosh

dhe nga fatkeqësitë e tokës

fitim të përjetshëm do të nxjerrësh.

Qëllimi i zemrës së ligë të njeriut

vepron sipas planit Tënd Sovran.

Perëndia ynë është ende mbi fron,

prandaj, beso, mos u lëkund.

Mos u lëkund dhe dije se Unë jam Perëndia.

Kjo largon çdo frikë

ndërsa kalojmë këtë skenë mundimi,

Brenge dhe lotësh.

Ai që sundon ushtritë qiellore

mban çdo gjë në duart e Tij,

dhe askush nuk mund të thotë: “Çfarë bën Ti?”,

apo t’i bëjë ballë krahut të Tij.

Anonim

76:11a Duke pasur parasysh madhështinë dhe lavdinë e patregueshme të Zotit, populli i Judës nxitet t’i bëjë zotime Zotit, Perëndisë së tij dhe t’i plotësojë.

76:11b,12 Pastaj kombet pagane që e rrethojnë Izraelin këshillohen t’I çojnë dhurata si haraç Sunduesit më të Lartë – ky Shumë i Lartë që mund t’u tregojë vendin qeveritarëve të tokës dhe t’u bëjë gjëra prej të cilave mund të druhen sunduesit e fuqishëm.

Psalmi 77: Mjekimi për introspeksionin (vetëshqyrtim)

Në dhjetë vargjet e para Asafi ka një problem të madh me introspektim (vetëshqyrtim). Përemrat vetorë e pronorë unë, mua dhe imi gjenden mbi njëzet herë, ndërsa emrat e Perëndisë gjenden vetëm shtatë herë dhe përemrat që i referohen Perëndisë shtatë herë. Por kemi një ndryshim të dukshëm në vargun 10. Në dhjetë vargjet e fundit përemrat vetorë e pronorë që i referohen Hyjnisë përdoren mbi njëzet herë. “Shërbesa e Krishtit me anë të Frymës së Shenjtë heq unë, mua dhe imja“.

Dikush e ka përshkruar rrjedhën e mendimit këtu në katër fjalë: psherëtima (v. 1-6), zhytja (v. 7-10), kënga (v. 11-15), ngritja (v. 16-20)

77:1-3 Së pari, Asafi bën rrëfimin e tij të mjerimit para Perëndisë. Disa probleme të panjohura kanë zënë vend në pragun e tij. Në mjerimin e tij nuk mund të mendojë për asgjë dhe askënd veç vetes. Pavarësisht nga lutja e pareshtur, ai ankohet se i mungon ngushëllimi. Ai e sheh veten në situata jonormale kur mendimet e Perëndisë e bëjnë të mbajë zi në vend që të gëzohet. Sa më tepër mendon thellë, aq më tepër bëhet i trishtuar.

77:4-6 Ai fajëson për pagjumësinë e tij të vazhdueshme vetëm Perëndinë. Fjalët e tij nuk arrijnë të shprehin ankthin e frymës së tij. Ai kërkon ngushëllim duke kujtuar ditët e shkuara të mira kur gjërat shkonin mirë për të. Por sa më tepër merret me veten dhe kërkon të gjejë fitoren në të, aq më tepër fillon të dyshojë për mirësinë e Zotit. Ai sulmohet nga dyshime që shprehen në pesë pyetje mosbesuese.

77:7-10 E para shfaqet si një ide frikësuese se mos Zoti i ka larë hesapet me të një herë e mirë. E dyta kërkon të dijë nëse Perëndia ka reshtur të dojë. Te tjetra ai pyet me çudi se mos Zoti ka harruar premtimet e Tij. Te tjetra, një mendim i paturpshëm kalon në mendjen e tij se mos mbase Perëndia e ka harruar mëshirën. Dhe, së fundi, ai pyet nëse zemërimi i Perëndisë ka ndërprerë rrjedhën e dhembshurisë së Tij. Dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar. Tërë trishtimi i tij mund të gjendet te një ndryshim në qëndrimin e Perëndisë ndaj tij.

77:11-13 Por në vargun 11 ka një pikë kthimi frymërore të krahasueshme me periudhën e përkohshme të Romakëve 7 deri te Romakëve 8. Pasi vetëshqyrtimi e kishte zhytur në thellësitë e dëshpërimit, Asafi i kthen sytë e tij drejt qiellit dhe vendos të mendojë për ndërhyrjet e Perëndisë në të shkuarën në të mirë të popullit të Tij kur ata ishin në kohë të vështira. Kjo e çon atë të pranojë se Perëndia është i shenjtë, se çdo gjë që Ai bën është e përsosur, e drejtë dhe e mirë. Ai nuk bën asnjë gabim.

77:14,15 Në mënyrë të veçantë psalmisti mendon për shfaqjen e habitshme dhe të mrekullueshme të forcës së Perëndisë që çliroi popullin e Izraelit nga skllavëria e Egjiptit. Që nga ky çast ai po fillon të ngrihet lart. Përemrat vetorë e pronorë janë zhdukur plotësisht nga fjalori i tij. Egoizmi i tij i ka lënë vendin Perëndisë.

77:16-18 Me aftësi të mëdha letrare ai paraqet ujërat e Detit të Kuq sikur të shikonin lart dhe të vështronin Krijuesin e tyre, pastaj të tërhiqeshin në tmerr. Tërë natyra shpërtheu në një stuhi të dhunshme. Bubullimat e shiut ranë mbi tokë. Gjëmimet e vetëtimave oshëtinë në tërë vendin. Rrufetë vërshëllenin anembanë qiellit, duke ndriçuar peizazhin. Një furtunë shkatërroi zonën dhe mbarë vendi u trondit nga sulmi i egër.

77:19,20 Vetë Perëndia bëri një rrugë përmes detit. Ishte Ai që e hapi shtegun në mënyrë që populli të kalonte nga ana tjetër. Megjithatë askush nuk i pa gjurmët e Tij. Ashtu siç ka qenë në shumë raste, kishte prova me tepri për praninë dhe fuqinë e Tij, edhe pse Ai Vetë ishte fshehur në hije.

Psalmi mbyllet me një shënim paqësor – Perëndia-Bari që udhëheq Izraelin në shkretëtirë drejt Kanaanit nën kujdesin e Moisiut dhe të Aaronit.

Në fillim Asafi kishte gjasa për t’u çuar në një klinikë psikiatrike. Në fund ai është i qetë dhe i çlodhur. Dhe kështu psalmi është një ilustrim i thënies së mirënjohur: interesimi për veten sjell shqetësim; interesimi për të tjerët sjell zemërlëshim; interesimi për Krishtin sjell gëzim.

Psalmi 78: Një shëmbëlltyrë nga historia

“Udhët e Perëndisë në hir dhe udhët e Izraelit në shthurje” – ja se si e përmbledh Belleti (Bellet) mesazhin e këtij psalmi. Ky psalm është një ndër këngët më të mëdha të historisë së Izraelit. Qëllimi i tij është të tregojë se si të mësojmë nga e kaluara që të mos dënohemi duke e rijetuar.

Ftesa e psalmistit për të mësuar nga historia (78:1-4)

Psalmisti tërheq vëmendjen e popullit të tij (dhe tonën), sepse do të flasë me shëmbëlltyra, pra, do të ketë një domethënie më të thellë poshtë sipërfaqes së asaj që do të tregojë. Ndërsa rrëfen me hollësi kapituj të ndryshëm nga historia e kombit të tij, ka mësime të fshehura që ai i quan “misteret e kohërave të lashta“. Ashtu si prindërit tanë na kanë përcjellë një histori të së shkuarës, po kështu ne jemi të detyruar t’i përcjellim brezit tjetër një rrëfim të marrëveshjeve të Zotit me popullin e Tij në hir dhe qeverisje.

Qëllimi i hirshëm i Perëndisë duke dhënë Ligjin (78:5-8)

Asafi e fillon mësimin e tij me shëmbëlltyra me dhënien e ligjit. Perëndia ia dha Izraelit me udhëzimet që t’u përcillej me frytshmëri brezave që do të vinin më pas. Dëshira e Perëndisë në këtë plan ishte e katërfishtë:

Që populli i Tij të vendoste besimin e tij në Të.

Që ata të mos harronin veprat e Tij të lavdishme.

Që ata të ishin të bindur.

Që ata të mësonin nga e shkuara dhe të mos i përsërisnin rebelimet e paraardhësve të tyre.

Mosbindja, rebelimi dhe mosmirënjohja e popullit (78:9-11)

Por çfarë ndodhi? Nën udhëheqjen e fisit të Efraimit izraelitët dështuan para Zotit. Harkëtarë të zotë kthyen shpinën ditën e betejës. Kjo mund t’i referohet frikës së tyre të mjerë në Kadesh Barnea kur pranuan lajmin pesimist të zbuluesve. Ose mund të jetë një aludim i dështimit të tyre në dëbimin e plotë të kanaanitëve nga vendi. Ka më tepër gjasa të jetë një përshkrim i përgjithshëm i sjelljes së tyre karakteristike. Ata në mënyrë të përsëritur dhe me dashje shkelën ligjin e Perëndisë. Ata zakonisht harruan tërë mrekullitë e çuditshme që kishte kryer për të mirën e tyre.

Harresa prej popullit e çlirimit të tyre nga Egjipti (78:12-14)

Ata e harruan Egjiptin – dhe mrekullinë e çlirimit të tyre nga puna e detyruar skllavëruese në fushat e Tsoanit (Tanis). Si mund të harronin kalimin e Detit të Kuq – kur ujërat qëndruan të palëvizura nga të dyja anët e tyre që ata të kalonin në tokë të thatë? Ishte gjithashtu mrekullia e resë së lavdishme që i drejtoi ata ditën dhe drita e zjarrtë që qëndronte para tyre natën.

Harresa prej popullit e furnizimit të mrekullueshëm nga Perëndia me ujë në shkretëtirë (78:15,16)

Ata shumë shpejt harruan se si Perëndia u siguroi boll ujë duke çarë shkëmbinjtë në shkretëtirë – ajo shpërtheu para tyre sikur të ishte një burim i stërmadh. Lumenjtë e ujit në shkretëtirë – por kujtesa e tyre qe e shkurtër.

Kërkesa e pacipë e popullit për bukë dhe mish (78:17-22)

Ata filluan të provokonin Zotit për dietën e tyre. Të pakënaqur dhe duke murmuritur, ata paraqisnin kërkesa të reja para Shumë të Lartit. Ata hidhnin fjalën se Perëndia i kishte çuar në shkretëtirë për të vdekur nga zia e bukës. Ata dyshuan për aftësinë e Tij për të siguruar ushqim. Duke pranuar me keqdashje se Ai e kishte siguruar ujin, ata vinin në diskutim gatishmërinë dhe aftësinë e Tij për të siguruar bukë dhe mish.

Me të vërtetë e zemëronte Zotin fakti që populli i Tij nuk besonte në Të. Ai ishte me të drejtë i zemëruar fortnuk kishin pasur besim në fuqinë e Tij shpëtuese. Ai shkaktoi zjarrin e zemërimit të Tij që u ndez kundër Izraelit.

Furnizimi i hirshëm i Perëndisë me mana (78:23-25)

Ata donin bukë. Por nuk kishte dyqane të mëdha shumice në shkretëtirë. As nuk kishin lëndë për të bërë bukën. Kështu Perëndia hapi dyert e hambarit të Tij qiellor dhe bëri që mbi ta të binte një sasi e madhe mane. Populli gëzoi me diçka më të mirë se buka; ajo ishte buka e engjëjve, gruri i qiellit.

Furnizimi i hirshëm i Perëndisë me shkurta (78:26-31)

Ata donin gjithashtu mish. Po ku do të mund të gjenin mish për të ushqyer një turmë në shkretëtirë? Perëndia e zgjidhi problemin duke e nxitur erën e lindjes të lëshonte tufa shkurtash drejt e në kampin e izraelitëve. Këta zogj me siguri nuk ishin banorë të shkretëtirës; ata duhet të jenë marrë nga një farë largësie. Por ata u siguruan me bollëk dhe falas.

Ndërsa populli ishte ende duke ngrënë, zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre. Ai dërgoi një plagë që vrau më të mirët e burrave të Izraelit.

Mëkati i vazhdueshëm i popullit dhe mëshira e padështueshme e Perëndisë (78:32-39)

Edhe me tërë provat e dashurisë së Tij, zemrat e tyre ishim ende të pabesa. Perëndia nuk miratonte asgjë që bënin ata. Pavarësisht nga mrekullitë e Tij, ata ishin grindavecë detyrues. Kështu që hera-herës Jehovahu e vizitonte kombin me vdekje dhe shkatërrim. Kjo dukej se u fliste të mbijetuarve për pak kohë; ata ktheheshin te Zoti, pendoheshin për ligësinë e tyre dhe bëheshin ndjekës të zellshëm. Ata kuptonin se Ai kishte qenë një strehë për ta, se si i kishte shpenguar nga tmerret e Egjiptit. Por shumë shpejt ata jetonin një jetë të gënjeshtërt, flisnin me perëndishmëri dhe vepronin me shthurje. Ata ishin të paqëndrueshëm dhe të pabindur.

Zoti tregonte frenim të mahnitshëm. Ngaqë Ai ishte i mëshirshëm, fali përgojimet e tyre të vazhdueshme dhe kursente shkatërrimin që meritonin. Ai mbante mend që ata ishin njerëz të thjeshtë, që sot janë e nesër jo.

Rebelimet, provokimet dhe mosmirënjohja e popullit (78:40,41)

Psalmisti po përsërit edhe një herë historinë (v. 40-48). Nëse ne si lexues mërzitemi duke e lexuar përsëri, mendoni se sa zemërimndjellëse ka qenë për Zotin!

Rebelimet e tyre të përsëritura në shkretëtirë provokuan indinjatën e Tij në zemër. Shumë herë me radhë ata e vunë në provë dhe e munduan të Shenjtin e Izraelit duke e kufizuar.

Harresa e popullit të çlirimit të tyre nga Egjipti (78:42-53)

78:42 Nuk e kujtuan se si e tregoi Ai Veten të fuqishëm për të mirën e tyre, se si i shpëtoi nga armiku. Çlirimi i tyre nga Egjipti ishte shfaqja më e madhe e fuqisë hyjnore në historinë njerëzore deri në atë kohë. Por ata nuk e vunë ujët në zjarr.

78:43 Në vargjet 43-53 kujtohet Egjipti, këtë herë me një theks në gjashtë plagët sipas rendit të mëposhtëm:

Plaga e parë – lumenjtë të kthyer në gjak (v. 44);

Plaga e katërt – mizat (v. 45a);

Plaga e dytë – bretkosat (v. 45b);

Plaga e tetë – karkalecat (v. 46);

Plaga e shtatë – breshri (v. 47,48);

Plaga e dhjetë – vdekja e të parëlindurit (v. 49-51).

78:44 Perëndia i kishte shndërruar lumenjtë e tyre në gjak, që egjiptianët të mos pinin dot në to. Nili, të cilin e shikonin si të shenjtë, menjëherë u ndot. Por uji i izraelitëve mbeti i pandotur.

78:45,46 Të korrat u shkatërruan; ato u prishën. Gjatë tërë kësaj kohe izraelitët nuk panë as krimba, as karkaleca.

78:47,48 Plaga e shtatë përfshinte breshrin, ngricat dhe rrufetë. Ato shkaktuan dëme të mëdha në njerëz, bagëti, kope, vreshta dhe fiq. Por ky ishte një gjykim dallues. “Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin bijtë e Izraelit nuk ra breshër.” (Eks. 9:26).

78:49 Pastaj ndodhi goditja më e fortë e Perëndisë – vdekja e të parëlindurve. Psalmisti flet për të si për një çlirim të zemërimit, indinjatës, inatit dhe fatkeqësisë së egër të Perëndisë, vepra e një turme lajmëtarësh të fatkeqësisë. Në disa pjesë të Shkrimit Vetë Zoti përshkruhet se ka kaluar përmes vendit të Egjiptit për të shkatërruar të parëlindurit (Eks. 11:4; 12:12,23,29), por tek Eksodi 12:23 kemi një referencë të një shkatërrimtari që Ai e përdorte si lajmëtarin e Tij veprues. Psalmisti hedh idenë se ka qenë një grup lajmëtarësh shkatërrues.

78:50-53 I kishte hapur udhën zemërimit të Tij, që të përcëllonte pa kursyer asgjë. Në çdo shtëpi egjiptiane djali i parëlindur u mbërthye nga një plagë pa emër apo murtajë. Lulja e jetës egjiptiane vdiq atë natë. Por shtëpitë e izraelitëve u mbrojtën nga gjaku i qengjit të Pashkës dhe asnjë bir hebreu nuk u vra.

Të gjitha plagët ishin aq dalluese, saqë nuk mund të gjendet asnjë shpjegim natyral. Si mund të reshtnin judenjtë së falënderuari për rrugëzgjidhjen e mrekullueshme që Perëndia kishte bërë për ta?

Ai i nxori ata nga Egjipti si bagëtia dhe i çoi nëpër shkretëtirën e pashkelur. “Ai i çoi ata në siguri duke mos pasur frikë nga asgjë, ndërsa deti përpiu armiqtë e tyre” (Galineau). Kjo ishte një shfaqje e mrekullueshme e dashurisë dhe e fuqisë së Tij!

Harresa e popullit ndaj mirësisë së Perëndisë, që i çoi në Tokën e Premtuar (78:54,55)

Dhe ai i solli kështu në tokën e shenjtë, në malin që dora e djathtë e Tij kishte pushtuar për ta. Sigurisht, banohej nga idhujtarë paganë në atë kohë, kështu që Ai i dëboi kombet para tyre dhe e ndau vendin mes fiseve të Izraelit. Asnjë bari nuk është kujdesur kaq butësisht për delet e tij sa Jehovahu për të Tijtë!

Mashtrimi i popullit dhe idhujtaria në vend (78:56-58)

A ishin ata mirënjohës ndaj Tij? Jo! Gjatë kohës së Gjyqtarëve e provokuan deri atje ku nuk mban më, ngritën krye kundër Tij, përçmuan urdhërimet e Tij. Ashtu si etërit e tyre – po ashtu edhe bijtë – treguan pabesinë e mëtejshme, ashtu si një hark i shtrembëruar, tek i cili harkëtari nuk mund të ketë besim. Ata provokuan Zotin me altaret e tyre të ngritura idhujtare dhe e bënë Atë tejet xheloz me skulpturat e tyre.

Zemërimi i Perëndisë dhe refuzimi prej Tij i Izraelit (78:59-67)

78:59,60 Me një gjuhë poetike psalmisti e paraqet Perëndinë duke dëgjuar mosmirënjohjen e tyre të errët dhe duke shpërthyer në një zemërim të madh. Megjithatë nuk ishte një befasi për Jehovahun; ky ishte kulmi i serisë së gjatë të rebelimeve. Por këtë herë Ai e lëshoi shkatërrimin mbi Izrael, pra, mbi fiset veriore që ishin udhëheqësit në provokimet dhe rebelimet. Ai u largua nga Shilohu si vendi i tabernakullit – vendi në tokë që Ai kishte zgjedhur më parë për të banuar midis popullit të Tij.

78:61-64 Në këtë kohë Perëndia lejoi që forca e Tij, pra arka e besëlidhjes, të merrej rob nga filistenjtë. Simboli i mbuluar me ar i lavdisë së Tij kaloi në duart e armikut (1 Sam. 4:11a). Pati një vdekje të madhe në radhët e popullit të Izraelit; 30 000 ushtarë të këmbësorisë ranë në betejë (1 Sam. 4:10). Me kaq shumë të rinj të përpirë nga lufta nuk pati këngë martese, as kambana dasme për virgjëreshat e tyre. Priftërinjtë u vranë nga shpata ishin Hofni dhe Finehasi, bijtë e korruptuar të Elit (1 Sam. 4:11b). Gratë e reja nuk mbajtën zi zhdukjen e tyre, mbase për shkak të trishtimit të tyre të nëpërkëmbur, sepse arka ishte rrëmbyer nga filistenjtë. Ata kuptuan se lavdia ishte larguar nga Izraeli (1 Sam. 4:19-22).

78:65,66 Për pak kohë u duk se Jehovahu ishte moskokëçarës ndaj kërkesës së popullit të Tij. Por Ai u zgjua me zemërim të madh, duke bërtitur si një njeri që është zënë nga vera. Dhe çfarë shpartallimi për filistenjtë! Ai i goditi në kurriz ndërsa u kthyen për t’u larguar – një mënyrë e turpshme për ta të vuanin mundjen (1 Sam. 7:10,11; 13:3,4; 14:23).

78:67 Megjithatë Perëndia qëndroi i palëkundur në vendimin e Tij për të hedhur poshtë çadrën e Jozefit; Ai nuk do ta zgjidhte fisin e Efraimit. Këtu si Jozefi, po ashtu edhe Efraimi, përdoren për të nënkuptuar dhjetë fiset e Veriut. Pasi Rubeni kishte humbur të drejtën e parëbirnisë, Jozefi trashëgoi pjesë të dyfishtë për sa i përket territorit: përmes bijve të tij, Efraimit dhe Manasit.

Zgjedhja e Judës nga Perëndia, mali Sion dhe Davidi (78:68-72)

78:68,69 Por Efraimi ishte kreu i rebelimit, prandaj Perëndia ia hoqi atij kryesimin dhe ia dha atë nder Judës. Në territorin e Judës Ai zgjodhi malin Sion si vendin për të ndërtuar shenjtëroren e Tij – ngritur si qiejt e lartë dhe e palëvizshme si toka.

78:70,71 Dhe nga Juda Ai zgjodhi Davidin, shërbëtorin e Tij. Ky bari që u bë mbret e kaloi kohën e mësimit midis vathave të dhenve, duke u kujdesur për delet që mëndnin dhe duke mësuar të vërtetat frymërore nga bota e natyrës. Pastaj Jehovahu e mori për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e Tij. Dhe Davidi u bind.

78:72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.

Kështu ky psalm mbyllet me këtë shënim paqësor dhe baritor. Por para se të kalojmë te tjetri, duhet të kujtojmë se historia e Izraelit është vetëm një pasqyrë për ne. Dhe jo për gjë, por ne jemi edhe më fajtorë se ata, sepse privilegjet tona janë më të mëdha. Duke jetuar në kulmin më të lartë të dashurisë së Kalvarit, pse duhet të qahemi, apo të rebelohemi, apo të kufizojmë Zotin, apo të mos jemi mirënjohës ndonjëherë? Megjithatë ne ndëshkohemi. Ne e kemi provokuar të Shenjtin e Izraelit shumë herë. Ne e kemi trishtuar Atë me anë të mijëra rënieve. Ne kemi murmuritur dhe jemi grindur pavarësisht nga bekimet e shumta.

Durimi i Perëndisë është i pashtershëm. Do të vijë koha kur Ai do të na lejojë të shijojmë hidhësinë e zemërpërdaljes sonë. Nëse e përçmojmë hirin e Tij, do të përjetojmë pushtetin e Tij. Nëse nuk pranojmë t’i shërbejmë me besnikëri dhe vërtetësi, Ai do të gjejë të tjerë për të bërë atë që duhet të bënim ne. Ne do të humbim bekimet dhe nuk do të gjejmë një padron më të mirë për t’i shërbyer.

Psalmi 79: Rënkimet e robërve

Psalmi 79 është një “partner” i Psalmit 74. Ai trajton kryesisht shkatërrimin e pasurisë së paluajtshme të Perëndisë – të tempullit. Edhe pse ky merret shkurtimisht me rrënimin e tempullit, trajton më tepër shkatërrimin e popullit të Perëndisë – të izraelitëve. Psalmisti e paraqet çështjen e judenjve me rrjedhshmëri të rrallë dhe kërkon lehtësim dhe gjallërim.

79:1 Sulmuesit paganë kishin pushtuar vendin e Izraelit dhe kishin ardhur, si një ushtri që lufton me tanka të shpejta, në kryeqytet. Altari i shenjtë u njollos nga këmbët e tyre të pashenjtëruara dhe qyteti i dashur u shndërrua tashmë në gërmadhë.

79:2-4 Kasaphana është e tmerrshme. Ajri kundërmon nga era e keqe e mishit të kalbur. Trupat e judenjve gjenden gjithandej përtokë, duke vuajtur padenjësinë e fundit të mosvarrosjes. Korbat i shqyejnë dhe bishat mishngrënëse kullufitin gjahun e tyre me epsh. Gjaku ka rrjedhur si ujë rreth Jerusalemit dhe pushtuesit nuk u mërzitën që i lanë pa varrosur. Fqinjët paganë të Izraelit po gëzojnë për fatkeqësinë e kombit.

79:5-7 Është pa dyshim një shenjë e zemërimit të egër dhe e indinjatës xheloze të Zotit, por për sa kohë do të flakërojësi një zjarr kundër Izraelit? A nuk është koha për t’iu kundërvënë johebrenjve? Mbi të gjitha, ato kombe nuk duan ta njohin Jehovahun; ato me dashje nuk pranojnë ta përmendin emrin e Tij. Dhe tashmë ata kanë arritur kulmin e mëkateve të tyre duke vrarë popullin e Perëndisë dhe duke sjellë shkretimin e vendit.

79:8-10 Çdo gjë deri në këtë pikë ka qenë hyrëse. Psalmisti hyn në thelb të çështjes tani kur pranon se mëkati i kombit është shkaku rrënjësor i shkatërrimit. “Mos kujto kundër nesh fajet e etërve tanë“. Sapo ka dalë në sipërfaqe ky rrëfim, ai paraqet argumente të pareshtura për të nxitur në mëshirë Shumë të Lartin. Si fillim, ai kërkon dhembshurinë e Perëndisë: populli kishte nevojë tani më tepër se kurrë. Pastaj e mbështet kërkesën e tij në lavdinë e emrit të Perëndisë. Zoti ka premtuar falje dhe çlirim ndaj atyre që janë të thyer dhe të penduar; tashmë nderi i emrit të Tij është midis dy zjarreve. Dhe, së fundi, është e rëndësishme të heshtin talljet e armikut. Ata po thonë se Perëndia i Izraelit nuk ekziston. Kjo është mundësia e Tij e madhe për të vërtetuar ekzistencën e Tij, duke lëshuar hakmarrjen mbi ta për të çuar në vend gjakun e derdhur të shërbëtorëve të Tij besnikë.

79:11,12 Psalmisti i kërkon Perëndisë të dëgjojë rënkimin e dhimbshëm të robërve dhe të shpëtojë ata që janë të dënuar me vdekje në një mënyrë që është e denjë për fuqinë e Tij të madhe. Dhe Ai kërkon që armiqtë do të korrin shtatëfish për të gjitha talljet e sakrilegjet që kanë hedhur kundër Zotit.

79:13 E tërë kjo do të thotë paqe për Izraelin dhe lavdi për Perëndinë. Tufa e Tij e dashur nuk do të reshtë kurrë se falënderuari Atë. Brez pas brezi do të çohet dhe do t’i këndojë lavdinë Atij.

Psalmi 80: Njeriu i dorës së djathtë të Perëndisë

Brenga dhe psherëtima që ndërfuten në shumë psalme vazhdojnë edhe këtu. Në fillim me figurën e kopesë, pastaj me atë të hardhisë, Izraeli lutet për falje dhe ripërtëritje.

80:1-3 Kërkesa i drejtohet bariut Izraelit, një emër i Perëndisë që shfaqet në bekimin e Jakobit dhënë Jozefit – “Bariu dhe shkëmbi i Izraelit” (Zanafilla 49:24). Ai e drejtoi Jozefin si një kope nga Egjipti në Kanaan. Ai që me renë e lavdishme u kurorëzua mbi kerubinët që mbulojnë pajtuesin në Vendin Shumë të Shenjtë. Por tashmë duket se Ai e ka braktisur Izraelin dhe shenjtërorja është shkatërruar, prandaj kemi lutjen që Ai të shkëlqejë në mëshirë dhe në favor të Efraimit, Beniaminit dhe Manasit. Këta qenë tri fiset që ishin në krye të varganit kur kehathitët mbanin arkën. Këtu ata paraqesin tërë Izraelin. Ata dëshirojnë me dëshpërim që Perëndia t’u përtërijë fuqitë (mbase ne mund të themi: “të shtrijë muskujt e Tij”) dhe të shkojë t’i shpëtojë. Ata luten që Ai t’i përtërijë nga robëria. Nëse vetëm fytyra e Tij do të shkëlqejë mbi ta me dhembshuri, çlirimi i tyre do të ishte i sigurt.

80:4-7 Një largësi e tmerrshme ekzistonte midis Izraelit dhe Zotit, Perëndisë së ushtrive (Jehovah Elohim Sabaoth). Ai është i zemëruar jo vetëm me mëkatet e tyre, por edhe me lutjet e tyre. Për të ngrënë, Ai u kishte dhënë atyre një dietë vajtimi dhe për të pirë, një rrëke lotësh. Ai i kishte bërë ata një mjet mosmarrëveshjeje dhe zënkash për fqinjët johebrenj dhe ata ishin qendra e shakave mizore midis armiqve të tyre. Kishte vetëm një zgjidhje – që Perëndia i ushtrive (Elohim Sabaoth) të hedhë mbi ta vështrimin me hir dhe shpëtim.

80:8-11 Perëndia e çoi Izraelin jashtë Egjiptit si një hardhi të butë. Që ta mbillte atë në Tokën e Premtuar, Ai dëboi kombet kanaanite. Ashtu si pronari i vreshtit ka të drejtën ta pastrojë tokën dhe ta kultivojë, kështu dhe Zoti hoqi shumë me popullin e Tij. Transplantimi qe i suksesshëm. Hardhia lëshoi rrënjë të thella dhe popullsia u shumua dhe e mbushi dheun. Hardhia u bë e harlisur, më e lartë se malet në lavdi e forcë dhe se cedrat. Dredhat e saj arritën në detin Mesdhe nga njëra anë dhe lumin Eufrat nga ana tjetër. Nën mbretërimin e Salomonit Izraeli pushtoi toka deri në lidhje me Eufratin (1 i Mbreterve 4:21,24), por kjo ishte shumë e përkohshme.

80:12,13 Por Perëndia uli muret e Tij mbrojtës dhe i lejoi kombet plaçkitëse që të shkulnin hardhinë. Derri i egër dhe egërsirat e tjera vërshuan dhe e shkretuan – së pari Egjipti, Asiria e Babilonia, pastaj vite më vonë Persia, Greqia e Roma. Duke përdorur figurën e një derri të egër, psalmisti shkroi diçka përtej njohjes së tij, sepse shekuj më vonë Izraeli u rrënua nga ushtria romake, me shfaqje krenarie një derr të egër si shenja e saj ushtarake.

80:14,15 Përsëri populli iu përgjërua Perëndisë së ushtrivekthehej tek ata me bekime. Ata donin që Ai të shikonte nga ledhet e qiellit dhe të tregonte mëshirë për këtë vresht që ata e përshkruajnë si: “drurët që mbolli e djathta Jote dhe filizin që e ke forcuar për Ty“. Targumi [një përkthim i DhV në gjuhën Aramaike] një fakt mjaft interesant, e përkthen këtë: “…dhe Mbretin Mesi që ke vendosur për Veten Tënde”. Në vargun 15 duket më i pajtueshëm fakti se vreshti dhe filizi i referohen Izraelit. Dy vargje më pas Mesia ndërfutet në mënyrë të pagabueshme.

80:16 Vreshti është prerë dhe u dogj nga armiqtë pushtues. Ata meritojnë të vdesin nga një dënim nga Zoti.

80:17,18Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, mbi njeriun ti e ke bërë të fortë për ty“. Njeriu i dorës së djathtë të Perëndisë është Zoti Jezus Krisht (Psa. 110:1; Heb. 1:3; 8:1; 10:12). Biri i njeriut është titulli me anë të të cilit e paraqiti më tepër Veten në ungjij. Bekime të plota dhe me mbushulli do t’i vijnë Izraelit kur Atij do t’i jepet vendi i duhur. Atëherë Izraeli nuk do të përdalet më. Të gjallëruar nga Zoti, ata do të kërkojnë emrin e Tij.

80:19 Refreni i njohur mbyll psalmin. Bariu nxitet të përtërijë delet e Tij të humbura. Me një buzëqeshje nga Zoti, Perëndia i ushtrive dhe i Izraelit do të shpëtojmë.

Psalmi 81: Festa e Borive

Angëri (Unger) e përshkruan këtë festë judaike si vijon:

[Festa e Borive] kremtohej si një ditë feste, e para, duke pushuar nga çdo punë, dhe, e dyta, duke kujtuar rënien e borive që thirri një mbledhje të shenjtë. Në kohët e mëvonshme, ndërsa oferta e pijes së flijimit derdhej, priftërinjtë dhe levitët këndonin Psalmin 81, ndërsa në flijimin e mbrëmjes Psalmin 29. Gjatë tërë ditës, nga mëngjesi deri në darkë, boritë binin në Jerusalem. … Rabinët [rabbis] besonin se në atë ditë Perëndia gjykonte tërë njerëzit dhe se ata kalonin para Tij ashtu siç kalon një kope delesh para bariut [52].

Festa e Borive është një figurë e të mbledhurit të Izraelit në vendlindjen e tij pas të mbledhurit të Kishës.

81:1-5a Në vargjet e para populli i Izraelit thirret të bashkohet në këngën e lavdërimeve për Perëndinë, që është burimi i forcës së tyre, dhe të lëshonin britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit, pra, Perëndinë e çdo hiri. Levitët ftohen të bashkohen me korin e lumtur me veglat e tyre muzikore dhe priftërinjtë shënojnë mbërritjen e shtatë të hënës së re duke u rënë brirëve të deshve. Kjo është një festë e caktuar nga Perëndia për kombin e Izraelit (Lev. 23:23-25; Num. 29:1). Ai e caktoi te Jozefi (këtu Jozefi paraqet tërë Izraelin), kur doli kundër vendit të Egjiptit. Këtu domethënia duket se është që Perëndia e urdhëroi këtë festë pas përballjes me Egjiptin dhe pasi populli i Tij doli nga ai vend.

81:5b Në fund të vargut 5 lexojmë: “Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja” dhe duhet të shohim nëse si folës është psalmisti, Izraeli apo Perëndia.

Nëse po flet psalmisti apo Izraeli, gjuha mund t’i referohet:

1. Gjuhës së huaj të egjiptianëve (Psa. 114:1).

2. Perëndisë që po i flet Izraelit në shpengimin nga Egjipti, një zbulim i ri i Perëndisë ndaj shpirtrave të tyre.

3. Orakullit të Perëndisë, që gjendet në vargjet vijuese të psalmit.

Nëse Perëndia është folësi, atëherë mendimi do të jetë:

Dëgjova një gjuhë (të egjiptianëve) që nuk e njihja (në kuptimin e “pranimit”). Ashtu siç thotë edhe Uilliamsi (Williams): “Ai nuk i pranoi egjiptianët si delet e Tij”.

Në përkrahje të mendimit të fundit është fakti se përemri “Unë” në pjesën tjetër të psalmit gjithmonë i referohet Perëndisë.

81:6,7 Perëndia kishte lehtësuar shpatullat e popullit nga barra e punës angari nën egjiptianët. Duart e tyre e kishin lënë së mbajturi shportën të mbushur me baltë dhe tulla. Ai i çliroi nga tërë problemet e tyre kur ata i klithën. Ai u përgjigj i fshehur në bubullimë – një referim për renë që i drejtoi dhe mbrojti ata apo dhënies së ligjit në malin Sinai. Ai i vuri në provë në ujërat e Meribas ku Moisiu goditi shkëmbin dhe ngjalli pakënaqësinë e Perëndisë.

81:8-10 Ai i kishte paralajmëruar se shtegu i bekimeve qëndron në besnikërinë ndaj Tij si Perëndia i vërtetë. Ndalimi prej Tij i idhujtarisë ishte i pagabueshëm. Pasi u kujton atyre se si i ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, bën një premtim të mrekullueshëm që nëse ata do të hapnin gojën e tyre, Ai do ta mbushte. Ky premtim disa herë është përdorur gabimisht nga predikuesit dembelë për të përligjur mungesën e tyre të përgatitjes; ajo që duhet të bëjnë është vetëm të hapin gojën dhe Zoti do t’i japë atyre një mesazh. Por nuk është kjo domethënia! Ideja është se nëse ata shkojnë te Perëndia me kërkesa të mëdha, Ai do t’i plotësojë të gjitha. Nuk ka asgjë të mirë që Ai nuk do ta bëjë për një popull të bindur. Gebëleini (Gaebelein) ka shkruar me të drejtë:

Cili është i aftë të kuptojë domethënien e plotë të fjalisë! Ai është Zoti i gjithëfuqishëm; nuk ka asgjë të vështirë për Zotin. Hape gojën tënde, thotë Ai, sa më shumë të mundesh dhe do ta mbush. Kërko çdo gjë në Emrin Tim, thotë Ai në Dhiatën e Re, dhe unë do ta bëj. Ajo që kërkon Ai është vetëm bindja ndaj Tij, nënshtrimi i zemrës dhe vullnetit [53].

81:11-16 Por populli i Perëndisë e bëri veshin e shurdhët ndaj zërit të Tij dhe Izraeli nuk i është bindur. Kështu Ai i la në rrugën e tyre dhe i braktisi në mjerimin e këshillave të tyre. Por kjo braktisje nuk ishte pa dhimbje në zemrën e Perëndisë. Ai mban zi për marrëzinë dhe kryeneçësinë e tyre të vazhdueshme. Nëse ata do ta dëgjonin, Ai do të poshtëronte menjëherë armiqtë e tij. Kundërshtarët e tij do të vijnë të strukur nga frika para Tij dhe begatia e Izraelit nuk do të njohë prishje (AV). Ai do ta ushqejë popullin e Tij me grurin më të mirë – pra, me ushqimin më të mirë frymëror dhe fizik, dhe me mjaltin më të shijshëm del nga hojet e shkëmbit të Palestinës.

Psalmi 82: Sunduesit e tokës në gjyq

82:1 Gjyqi është thirrur që të fillojë gjykimin. Gjykatësi ka zënë vendin e Tij në fron. Ai është Vetë Perëndia. Ai ka thirrur në një seancë të veçantë këshillin hyjnor që të qortojë sunduesit dhe gjykatësit e tokës. Ata quhen perëndi, sepse janë përfaqësuesit e Perëndisë, të caktuar nga Ai si shërbëtorët e Tij për të ruajtur një shoqëri të rregullt. Sigurisht, ata janë vetëm njerëz si ne. Po për shkak të pozitës së tyre janë të vajosurit e Zotit. Edhe nëse nuk e njohin Perëndinë personalisht, ata janë zyrtarisht shërbëtorët e Perëndisë, dhe për këtë janë këtu të denjë për emrin e perëndive. Domethënia bazë e këtij titulli është të mëdhenjtë.

82:2 Në fillim Perëndia i qorton për shpërdorim detyre. Ata janë fajtorë për ryshfetet dhe korrupsionin. Nën administrimin e tyre, i pasuri është favorizuar, ndërsa i varfri është shtypur. Kriminelët kanë shpëtuar pa u dënuar dhe të pafajshmit vuajnë humbjen financiare pa asnjë shpërblim ligjor. Peshorja e drejtësisë është kthyer në peshore të shtypjes.

82:3,4 Pastaj Gjykatësi i tërë tokës i kujton ata edhe një herë tjetër për përgjegjësitë e tyre në fushën e drejtësisë shoqërore. Ata duhet të përkrahin të drejtat e të dobëtit dhe jetimitmjerit dhe nevojtarit. Ata duhet të jenë ndihmësit e tërë atyre që janë pa gjë dhe të shtypur.

82:5 Por pavarësisht nga paralajmërimet e Zotit, duket se nuk ka shpresë përmirësimi. Ashtu si në një bisedë mënjanë, Ai sheh se ata dështojnë që të veprojnë me njohje dhe dituri. Meqë ata vetë ecin qorrazi në terr, ka një shpresë të pakët për ndihmën e tyre ndaj të tjerëve që kanë nevojë për drejtim. Dhe si rezultat i dështimit të tyre për të vepruar me drejtësi dhe mençuri, themelet e shoqërisë po luajnë. Ligji dhe rendi nuk ekzistojnë më.

82:6,7 Edhe pse të ngritur në qiell për nga privilegjet, ata do të ndëshkohen. Fakti se Perëndia i quan perëndi dhe bijtë e Shumë të Lartit nuk u jep atyre imunitetin nga gjykimi. Ata do të trajtohen njësoj si njerëzit e tjerë dhe do të bien si çdo i fuqishëm tjetër. Shkalla e ndëshkimit të tyre do të jetë e madhe, sepse të mëdha kanë qenë privilegjet e tyre.

Zoti ynë citoi vargun 6 në një nga ballafaqimet e Tij me armiqtë e Tij (Gjon. 10:32-36). Ata e kishin paditur për blasfemi, sepse Ai e quajti Veten të barabartë me Perëndinë.

Jezusi iu përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: ‘Unë thashë: Ju jeni perëndi’? Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë), ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: ‘Unë jam Biri i Perëndisë’?”.

Për mendjet perëndimore, argumenti nuk mund të duket i qartë a bindës, por në mënyrë të qartë kishte fuqi të madhe te dëgjuesit e Tij. Ata e kuptuan se Jezusi po fliste nga më i vogli te më i madhi. Forca e mendimit është si vijon:

Në Psalmin 82, sunduesve dhe gjykatësve Perëndia u drejtohet si perëndi. Ata nuk janë hyjnorë, por për shkak të pozitës së tyre si shërbëtorë të Perëndisë, ata kanë dinjitetin e emrit të perëndive. Dallimi i tyre më i madh është se fjala e Perëndisë iu dha atyre, pra, ata u caktuan zyrtarisht nga Perëndia si fuqia më e lartë rreth qeverisjes dhe drejtësisë (Rom. 13:1).

Nëse emri perëndi mund t’u shkojë shumë pak përshtat njerëzve si ata, sa më plotësisht dhe me përpikmëri do t’i shkonte përshtat emri i Perëndisë Zotit Jezus. Ai ishte shenjtëruar dhe ishte dërguar në botë nga Perëndia Atë. Kjo nënkupton se Ai ka jetuar me Perëndinë Atë në qiell nga tërë përjetësia. Pastaj Ati e ka çuar më vete për një mision në tokë dhe e dërgoi Atë të lindte në Betlehem.

Judenjtë e kuptonin më së miri se Ai po e barazonte veten me Perëndinë dhe ata u përpoqën ta kapnin, por Ai u shpëtoi (Gjon. 10:39).

82:8 Por tani le të kthehemi te vargu i fundit i psalmit:

Çohu, o Perëndi, gjyko tokën,

sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.

Është Asafi që po thërret Zotin për të ndërhyrë në çështjet e njerëzve, për të sjellë drejtësi dhe paanshmëri, për të zëvendësuar korrupsionin dhe pabarazinë. Lutja do të marrë përgjigje kur Zoti Jezus do të kthehet për të mbretëruar mbi tokë. Në atë kohë, ashtu siç kanë parathënë profetët, “i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte” (Is. 32:16). Toka do të shijojë një kohë drejtësie dhe lirie shoqërore nga ryshfetet dhe mashtrimi.

Psalmi 83: Psalmi i Luftës Gjashtëditore

Më 28 maj 1967 Gamal Abdel Naseri, presidenti i Republikës së Bashkuar Arabe, tha: “Ne po planifikojmë të ndërmarrin një sulm të ri kundër Izraelit. Qëllimi ynë kryesor është shkatërrimi i Izraelit”. Kur lufta filloi më 5 qershor, me Republikën e Bashkuar Arabe u bashkua dhe Jordania, Siria, Iraku, Algjeria, Sudani, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Maroku. Përpjekja e kësaj besëlidhjeje për ta hedhur Izraelin në det qe e pasuksesshme. Për gjashtë ditë lufta mbaroi. Izraeli ishte fitimtari i padiskutueshëm.

Për shumë njerëz që e duan Biblën, Psalmi 83 mori një domethënie të re pas Luftës Gjashtëditore. Dhe mbase do të ketë përmbushje të tjera para se thirrja e Izraelit për në vendin e premtuar të jetë vendosur në mënyrë të patjetërsueshme nga ardhja e Zotit Jezus për të mbretëruar si Mbret.

83:1-5 Gjuha është pa dyshim ajo e Izraelit të rrethuar, i cili thërret Perëndinë që të mos qëndrojë i heshtur dhe që të veprojë me vendosmëri. Edhe pse populli po lutet për sigurinë dhe ruajtjen e tyre, ai e paraqet rastin e tij sikur të ishte çështja e Perëndisë dhe jo vetëm e tyrja: “Armiqtë e Tu…, ata që të urrejnë…, kundër popullit Tënd …, atyre që Ti mbron kanë lidhur një besëlidhje kundër Teje“. Ata do t’ia kujtojnë gjithmonë se armiqtë e Izraelit janë edhe armiqtë e Tij.

Hollësitë janë të natyrshme. Armiqtë janë në pështjellim – një përshkrim i gjallë i kërcënimeve të forta të kundërshtarëve. Ata paraqesin plane dinake – të përkrahur në prapaskenë prej këshilltarëve nga Bashkimi Sovjetik. Ata këshillohen së bashku – duke u bërë tashmë të njohur si takimet e Konferencës Arabe. Ata kërcënojnë shfarosjen e Izraelit. Ata formojnë një federatë të tmerrshme kombesh – pjesa më e madhe e njerëzve që janë afër kushërinjve të izraelitëve.

83:6-8 Kur përpiqemi të njëjtësojmë ato kombe, kemi vështirësi. Ne e dimë se Asiria është e njëjtë me Irakun e sotëm dhe se ismaelitët, pasardhës nga Abrahami dhe Agari, ishin paraardhësit e arabëve. Ne e dimë se edomitët dhe amalekitët ishin pasardhësit e Esaut dhe moabitët dhe amonitët nga Loti, por t’i njëjtësosh me ndonjë komb tani është tepër e pamundur. Filistenjtë banuan në zonën e njohur tani si rripi i Gazës. Qyteti i Tiros ndodhej në atë zonë që njihet sot si Libani. Gebali është i njëjti me Gublanin apo Biblosin e lashtë, i vendndodhur në Feniki. Disa burime i rendisin hagarenët si pasardhësit e Agarit dhe për këtë janë pjesë e ismaelitëve, por njëjtësimi nuk është tepër i saktë. Meqë ka kaq shumë errësirë rreth këtyre emrave, është mirë të mos përpiqemi t’i lidhim ato me vendet aktuale në Lindjen e Mesme, por thjesht t’i shohim si përfaqësuesit e armiqve johebrenj të Izraelit.

Si mund të qëndronte Izraeli i vogël para një besëlidhjeje kaq të madhe? Një pjesë e përgjigjes gjendet në faktin se populli i Perëndisë është ai “që Ti mbron” (v. 3), “të fshehurit” e Tij (AV), “të çmuarit” e Tij (LB), apo “ai që Ai do” (Galineau). Në çastin e rrezikut, Ai në mënyrë të mrekullueshme i mbrojti ata dhe e bëri forcën e Tij të përsosur në dobësinë e tyre. Kur padrejtësitë u kundërvihen, Ai dërgon një fitore që sfidon çdo shpjegim njerëzor.

83:9,10 Tani populli i rrethuar thërret Jehovahun që të merret me këtë kërcënim, ashtu siç bëri me armiqtë e Tij në tri raste të ndryshme në të shkuarën.

Jabini, mbreti i Kanaanit dhe Sisera, komandanti i tij, u vranë pa lavdi në Endor, pas një mundjeje shkatërruese në Kishon (Gjyq. 4). Kërmat e tyre të kalbura u bënë pleh për tokën e Izraelit.

83:11,12 Orebi dhe Zeebi, dy princa të Madianit u vranë dhe iu prenë kokat (Gjyq. 7:23-25). Sipas Isaias (10:26) ajo ishte një vrasje epike.

Dy mbretërit e Madianit, Zebahu dhe Tsalmuna, kishin kërcënuar se do të pushtonin “kullotat e Perëndisë“. Ata u përgatitën të largoheshin nga izraelitët kur Orebi dhe Zeebi u vranë, por edhe ata u kapën dhe u ekzekutuan nga Gedeoni (Gjyq. 8).

83:13-18 Në lutjen e tij të guximshme për gjykimin e Perëndisë mbi armiqtë e Tij, Izraeli nuk i lë gjë mangët imagjinatës hyjnore. Këtu kemi të specifikuar hollësitë e ndëshkimit. Le të bëhen njëlloj si pluhuri i vorbullës, ose ashtu siç e përkthejnë disa, si gjembaçi rus. Le të jenë si kashta e shtyrë nga era. Le të ndiqen ashtu si zjarri përhapet në pyll dhe të treten si një holokaust i tërbuar. Le të tmerrohen nga uragani i Zotit. Le të mbulohen me turp që njerëzit të kërkojnë Zotin. U ngatërrofshin në fatkeqësi në mënyrë që njerëzit të mësojnë se vetëm Jehovahu është Sunduesi Sovran mbi gjithë dheun.

Gjuhë e fortë? Po, e fortë, por jo e padrejtë. Kur bëhet fjalë për nderin e Perëndisë, dashuria duhet të jetë e qëndrueshme. Morgani shpjegon:

Këta këngëtarë të popullit të lashtë ishin të gjithë të frymëzuar prej së larti me një pasion për të nderuar Perëndinë. Për ta, ashtu si për profetët, shtysat egoiste ishin të panjohura. Egoizmi nuk këndon këngë dhe nuk sheh vegime. Nga ana tjetër, një pasion për lavdinë e Perëndisë është i aftë për vendosmëri, po ashtu edhe për butësi të madhe [54].

Psalmi 84: I përmalluar për Qiellin!

Nuk vihet në dyshim interpretimi parësor i Psalmit 84. Ai paraqet mallin e thellë e të paduruar të judenjve të mërguar për t’u kthyer përsëri në tempullin në Jerusalem.

Ai mund t’i shkojë përshtat, sigurisht, edhe të krishterit sot që deri diku pengohet nga pjesëmarrja nëpër takimet e përbashkësisë vendore. Ai digjet në zemrën e Tij nga dëshira për t’u kthyer me popullin e Perëndisë ndërsa ata takohen për të adhuruar Zotin.

Por zbatimi që më pëlqen më tepër është ai i shtegtarit të perëndishëm që është krejt i përmalluar për qiellin. Le ta shohim psalmin nga ky pikëvështrim.

81:1,2 Çfarë vendi mund të krahasohet në dashuri me vendbanimin e Perëndisë?! Ai është një vend me një bukuri të pakrahasueshme, me një shkëlqim unik dhe lavdi të pafund. Por le të qartësohemi në këtë pikë. Vendi përdoret, me një figurë gjuhësore të njohur si metonimi, për Personin që jeton atje. Dhe kur psalmisti thotë: “Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit” ai dëshiron me të vërtetë të ndodhet me Vetë Zotin. Ai thotë të njëjtën gjë në fjalinë tjetër: “…zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë së gjallë“.

84:3 Shtegtari e krahason veten me një rabeckë apo dallëndyshe. Në një psalm tjetër harabeli përdoret si figurë e vetmisë së madhe: “…si harabeli i vetmuar mbi çati” (102:7). Dhe dikush që ka parë ndonjëherë një dallëndyshe e di se çfarë krijese e papërtuar është, duke lëvizur si shigjetë dhe duke fluturuar lart në ajër. Që të dyja janë përshkrime të drejta të popullit të Perëndisë duke shtegtuar në shkretëtirë; ata janë të vetmuar dhe pa prehje. Vendi i vetëm ku mund të gjejnë prehje dhe siguri për vete dhe familjet e tyre është pranë altareve Zotit.

Në tabernakull dhe tempull kishte dy altare. Njëri ishte altari i bronztë dhe tjetri altari i artë. I pari ishte një figurë e vdekjes së Krishtit dhe i dyti i ringjalljes së Tij. Marrë së bashku, ata përfaqësojnë veprën e përfunduar të Shpëtimtarit tonë. Këtu është vendi ku shpirtrat tanë, si dallëndyshet, mund të prehen dhe këtu ne mund të sjellim gjithashtu fëmijët tanë për të gjetur prehje. “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote” (Veprat e Apostujve 16:31).

84:4 Pastaj në një shpërthim që mund ta quajmë xhelozi të shenjtëruar, i mërguari thotë: “Lum ata që banojnë në shtëpinë Tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht“. Kur mendojmë për lumturinë e të dashurve që kanë shkuar me Zotin, nuk mund të trishtohemi për ta. Për ne është humbje, por për ta fitim i përjetshëm. Ata janë më mirë se ne.

84:5 Në vargjet 5-7 kthehemi përsëri nga bekimet e atyre që janë tashmë në qiell te bekimet më të ulta të atyre që janë rrugës. Disa gjëra përmenden rreth tyre. Para së gjithash, forca e tyre është në Zotin dhe jo në veten e tyre. Ata janë të fortë “në Zotin dhe në forcën e fuqisë së Tij” (Efesianeve 6:10). Pastaj në zemrat e tyre ndodhen rrugët për në Sion. Bota nuk është shtëpia e tyre. Edhe pse ndodhen të, ata nuk janë sajët. Ata kanë në zemër rrugët e tua.

84:6,7 Gjëja e tretë është se kur kalojnë luginën e vajtimit, sepse ky është kuptimi i fjalës Baka, ata e shndërrojnë atë në një vend burimesh. Këta shpirtra të pamposhtur mund të këndojnë në mes të brengave dhe të shquajnë ylberin përmes lotëve të tyre. Ata i kthejnë tragjeditë në triumfe dhe i përdorin fatkeqësitë si pikë mbështetjeje për gjëra më të mëdha. E fshehta e fitores së tyre mbi rrethanat gjendet në fjalinë tjetër: dhe shiu i parë e mbulon me bekime“. Shiu merret zakonisht si figurë e Frymës së Shenjtë dhe këtu Ai shihet në shërbesën e Tij të freskisë, duke siguruar bekime të freskëta, ujë të freskët për udhëtarët e shkretëtirës. Ne e marrim ujin si figurën e Fjalës së Perëndisë (ashtu si te Efesianeve 5:26). Kjo shpjegon se si ata kalojnë nga një forcë te tjetra. Në vend që të dobësohen ndërsa udhëtim zgjat, ata bëhen më të fortë me kalimin e kohës. Edhe pse natyra e jashtme po prishet, natyra e brendshme po përtërihet çdo ditë (2 Kor. 4:16). Dhe pastaj kemi një shënim të mrekullueshëm sigurie: Ata në fund paraqiten para Perëndisë në Sion. Nuk kemi asnjë pikëpyetje rreth kësaj: udhëtimi përmes shkretëtirës do të kurorëzohet në fund me gëzimin që do të shohin Mbretin në bukurinë e Tij.

84:8 Tani psalmisti shpërthen në një lutje të zjarrtë. Ajo i drejtohet së pari Zotit, Perëndisë së ushtrive, pastaj në frymëmarrjen tjetër Perëndisë së Jakobit. Si Zoti, Perëndia i ushtrive, Ai është sovrani mbi turmën e madhe të qenieve engjëllore. Si Perëndia i Jakobit, Ai është Perëndia i të padenjit, Perëndia i mashtruesit. Mendoni pak! Perëndia i engjëjve të panumërt në mbledhjen festive është gjithashtu Perëndia i krimbit Jakob. Ai është jashtëzakonisht i lartë, është gjithashtu tepër afër. Dhe kjo është arsyeja e vetme pse ju dhe unë kemi hyrë në praninë e Tij.

84:9 Dhe si mund të shkojmë atje? Shiko, o Perëndi, mburojën tonë dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd. Pranimi ynë i vetëm është përmes Personit dhe veprës së Zotit Jezus.

Perëndia shikon Shpëtimtarin tim dhe pastaj më shikon mua:

në të Dashurin, të pranuar dhe të çliruar.

84:10 Si është të jesh në qiell? Një ditë në oborret e Tij vlen më tepër se një mijë gjetiu: është një mënyrë tjetër e të shprehurit që do të thotë se kjo nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Ne thjesht nuk mund ta kuptojmë lavdinë, gëzimin, bukurinë, lirinë e të qenit atje ku është Jezusi. Dhe është një gjë e mirë që nuk mundemi. Përndryshe nuk mund të ishim të lumtur ndërsa qëndronim këtu dhe vazhdonim punën tonë.

Më mirë të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, sesa të banoj në çadrat e të pabesëve. Ashtu siç ka thënë Spërxhëni (Spurgeon): “Më e keqja e Perëndisë është më e mirë se më e mira e djallit”. Dhe jo vetëm më e mirë, por edhe më e durueshme. Vini re ndryshimin midis shtëpisë së Perëndisë tim dhe çadrat e të pabesëve. E para është një banesë e qëndrueshme, ndërsa tjetra ngrihet për një kohë relativisht të shkurtër.

84:11 Sepse Zoti Perëndi është diell që siguron ndriçim në mes të errësirës dhe mburojë për mbrojtje kundër nxehtësisë përvëluese gjatë rrugës. Zoti do të japë hir përgjatë rrugës në çdo çast nevoje dhe lavdi në fund të udhëtimit ndërsa mirëpret bijtë e Tij të shpenguar në shtëpinë e Tij të përjetshme. Në fakt, shtegtari ka sigurinë se nuk do t’i mungojë asgjë gjatë kohës që është këtu e derisa të shkojë në qiell, sepse Ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt. Nëse është mirë për ne, Ai nuk do ta refuzojë; nëse e refuzon, nuk është e mirë. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” (Rom. 8:32).

84:12 Nuk është çudi që psalmisti e mbyll me thirrjen që gufon prej zemrës: “O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!“. Së cilës zemra ime i përgjigjet: “Po, o Zot, jam përjetësisht mirënjohës që jam një i krishterë”.

Psalmi 85: Na gjallëro përsëri!

Kjo lutje për gjallërim ndahet në katër pjesë krejt të dallueshme:

Një çast i shkuar i gjallërimit të Izraelit (v. 1-3).

Një lutje që Perëndia ta përsërisë atë gjallërim (v. 4-7).

Një pushim për të dëgjuar se si do të përgjigjet Zoti (v. 8,9).

Një premtim i përtëritjes së ardhshme (v. 10-13).

Është e pamundur të tregojmë me saktësi cila përtëritje e veçantë e Izraelit përshkruhet këtu. Nuk mund të jetë përtëritja pas robërisë babilonase meqë ky është një psalm i bijve të Koreut dhe ata kanë jetuar shumë kohë para robërisë. Por njëjtësimi i ngjarjes nuk është i rëndësishëm. Ajo që ka me të vërtetë rëndësi është se Perëndia i ka përtërirë. Dhe nëse Ai i ka përtërirë një herë, me siguri që do ta përsërisë prapë.

85:1-3 Gjallërimi përshkruhet si një kohë kur Zoti ishte treguar i mbarë me tokën dhe kur përtëriu pasuritë e Jakobit. Kjo u bë me tre hapa: I pari qe rrëfimi i mëkatit. Edhe pse kjo nuk pohohet në mënyrë të qartë, rrëfimi është një domosdoshmëri e pashmangshme morale para se të ndodhin gjërat e tjera. I dyti ishte falja e paudhësisë popullit të Tij dhe i treti një mënjanim i zemërimit të Perëndisë.

85:4 Shfaqja e përparme e mëshirës falëse të Perëndisë është baza për një lutje që Ai e përsërit. Besimi nuk kënaqet me historinë; ai kërkon ta shohë Perëndinë në ngjarjet e sotme. Edhe pse psalmisti nuk ndërmerr rrëfimin, kjo gjë nënkuptohet në lutjen: “Na përtëri…“. Kur Perëndia përtërin, Ai së pari e çon popullin e Tij në pendim, më pas i fal mëkatet e tyre dhe pastaj mbyll ndëshkimin që u shkaktua nga zemërimi i Tij.

85:5 Çdo kohë e harxhuar larg Zotit duket si një përjetësi mjerimi. Por lutja prekëse e vargut 5 merr një domethënie të veçantë në buzët e kombit të Izraelit gjatë shekujve të tij të përndjekjes dhe shpërndarjes: “A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi?“.

85:6 Tatëpjeta frymërore çon në mënyrë të pashmangshme në një humbje të gëzimit. Përbashkësia e thyer do të thotë se kënga e besimtarit nuk këndohet më. Ngazëllimi nuk mund të bashkekzistojë me mëkatin e parrëfyer. Kështu këtu lutja merr krahë drejt qiellit: “A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?“. Ripërtëritja e Frymës bën që të bien përsëri kambanat e gëzimit. Çdo gjallërim i madh shoqërohet gjithnjë me këngë.

85:7 Kur Perëndia përtërin popullin e Tij, kemi të bëjmë me një shfaqje të mëshirshme të mirësisë së Tij. Por marrëveshjet e Tij nuk mbeten pas. Është një dashuri që na ndëshkon, na disiplinon, na ndreq dhe që në fund na kthen pas. Dhe sa e qëndrueshme është ajo dashuri që duron endjet, zemërpërdaljen dhe mosbindjen tonë. Nuk ka dashuri si dashuria e Zotit.

Dhe gjallërimi është një dhuratë e shpëtimit nga Zoti – nuk bëhet fjalë për shpëtimin e shpirtit, por për çlirimin nga tërë pasojat e pabesisë – shpërndarjes, robërisë, pikëllimit, dobësisë dhe fatkeqësisë.

85:8,9 Duke e paraqitur lutjen e tij për përtëritje para fronit të hirit, psalmisti pret përgjigje, duke pasur besim se do të marrë një përgjigje paqeje dhe se do të vijë shpejt. Besimi i tij mbështetet në faktin se Perëndia, që ruan besëlidhjen gjithmonë, u jep paqe atyre që kthehen tek Ai me zemrat e tyre dhe i çliron ata që kanë frikë prej Tij, duke mos u kthyer si njerëz pa mend. Dhe përfundimi i pashmangshëm është se lavdia do të banojë në vend. Lavdia këtu nënkuptohet si lavdia e Perëndisë dhe ideja është se te Zoti mund të kemi besim që banon në mes të popullit të Tij kur ata janë në përbashkësi me Të.

85:10 Përgjigjja ndaj lutjes për gjallërim jepet në vargjet e fundit. Ato përshkruajnë kushtet idilike që do të mbizotërojnë kur Zoti Jezus do të mbretërojë mbi Izraelin e përtërirë në epokën e ardhshme të lavdisë. Por në një kuptim më të gjerë poetik ato thonë se çfarë ndodh kur digjet zjarri i gjallërimit.

Mirësia dhe e vërteta u takuan. Në çështjet njerëzore përkrahja e rreptë e kërkesave të së vërtetës zakonisht pengon shfaqjen e dashurisë së mirësisë. Por Perëndia mund të derdhë dashurinë e Tij të qëndrueshme mbi popullin e Tij, sepse tërë kërkesat e së vërtetës janë plotësuar nga Zoti Jezus në kryq. Në të njëjtin kuptim drejtësia dhe paqja janë puthur njëra me tjetrën. Besimtarët gëzojnë paqen me Perëndinë, sepse tërë kërkesat e drejtësisë hyjnore janë plotësuar nga vepra zëvendësuese e Shpëtimtarit:

Mëkatet tona mbi kokën e Jezusit u vunë.

Në gjakun e Tij u pagua borxhi ynë.

Drejtësia e rreptë nuk mund më të kërkojë

dhe mëshirë kërkesat e saj mund të shpërndajnë.

Albert Midlane

85:11-13 E vërteta, apo besnikëria, do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli. Ndërsa besimtari i qëndron besnik të Dashurit të tij të Përjetshëm, qiejt përgjigjen me të drejtë me bekime të shumëfishta. Zoti, besnik ndaj Fjalës së Tij, jep atë që është e mirë. Ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin me drejtësi (Psa. 84:11). Kushtet e thatësirës dhe të zisë reshtin dhe toka prodhon një të korrë të bollshme. Ndërsa Zoti viziton vendin e Tij, rruga e Tij e çon midis një populli, jetët e drejta të të cilit janë moralisht të përgatitura për praninë e Tij.

Psalmi 86: Lutje me arsye të bashkëngjitura

Një nga gjërat me vlerë të këtij psalmi është se Davidi jep një arsye për gati gjithçka që thotë, qoftë kur kërkon qoftë kur adhuron. Ne mund ta ilustrojmë këtë me rregullimin e mëposhtëm:

KËRKESAARSYEJA
86:1Zoti të dëgjojë.Paaftësia dhe nevoja e psalmistit.
86:2a Për ruajtje (vini re përsëritjen e titullit “shërbëtor” në v. 4 dhe 16).Pozicioni i tij si një i shenjtë.
86:2b Për shpëtim të përkohshëm.Nuk jepet ndonjë arsye e qartë, por mund të nënkuptohet në fjalinë “Ti je Perëndia im“.
86:3 Për konsideratë të hirshme.Davidi është këmbëngulës në lutje tërë ditën.
86:4 Për gëzim dhe ngazëllim.Shpresa e tij është në Zotin dhe në asnjë tjetër.
86:5Ky varg mund të japë një arsye shtesë për kërkesat e mëparshme. Ose mund të çiftohet me lutjen në vargun 6.
Mirësia, gatishmëria për të falur dhe mëshira e Zotit derdhen ndaj gjithë atyre që e kërkojnë Atë.
86:6 Që Zoti të dëgjojë. 
86:7 Për ndihmë në ditën e fatkeqësisë së tij.Fakti që Perëndia dëgjon dhe do t’i përgjigjet lutjes.

Psalmisti kthehet për të lavdëruar në vargjet e mëposhtme.

LAVDËRIMARSYEJA
86:8 Pabarazia e Personit të Zotit dhe e veprave.
86:9 Për dinjitetin e Tij për t’u adhuruar nga tërë kombet (kjo do të përmbushet gjatë Mijëvjeçarit).
86:10
Perëndia është i madh. Veprat e Tij janë të mrekullueshme. Nuk ka Perëndi tjetër.
KËRKESAARSYEJA
86:11 Për mësim në rrugën e Zotit.Në mënyrë që psalmisti të mund të ecë në bindje ndaj së vërtetës së Perëndisë
për një zemër që është plotësisht e përkushtuar për të nderuar dhe për t’iu bindur Zotit.
LAVDËRIMARSYEJA
86:12,13 Këtu Davidi thjesht shpreh vendosmërinë e tij për të lëvduar Zotin me tërë qenien e tij dhe për ta përlëvduar emrin e Tij përjetë.Për mirësinë e madhe të Perëndisë kur e ka çliruar nga Sheoli. Nëse ia zbatojmë këtë psalm Mesias, atëherë ky është një referim për ringjalljen e Tij.

86:14-16 Vargjet që mbeten përshkruajnë rrezikun që i kanoset psalmistit. Një turmë arrogantësh, njerëzit e dhunës kanë thurur një komplot për të marrë jetën e tij. Këta njerëz nuk kanë kohë për Perëndinë. Por Davidi e njeh Zotin dhe në çastin e tij vendimtar ngushëllon vetveten në njohjen se Perëndia është i mëshirshëm dhe i dhembshur, që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë. Prandaj ai është i sigurt duke i kërkuar Zotit për t’u kthyer tek ai në mëshirë, për ta forcuar dhe për ta shpëtuarbirin e shërbëtores së Perëndisë. Disa mendojnë se shprehja “birin e shërbëtores sate” është një figurë e ligjërimit që nënkupton “prona jote” si në rastin e birit të një skllaveje. Ata që e quajnë psalmin si mesianik e shohin këtë si një referim të mundshëm për të Virgjërën Mari.

86:17 Së fundi, psalmisti kërkon që Zoti t’i japë atij disa shenja të përcaktuara të favorit të Tij. Pastaj armiqtë e tij do të kuptojnë se e kanë pasur gabim kur të shohin se si Perëndia ka ndihmuar Davidin dhe se si e ka ngushëlluar.

Ne përmendëm në fillim se psalmi ishte i veçantë, sepse jep arsye për pjesën më të madhe të lutjeve apo të lavdërimeve të tij. Ka dy veçori të tjera unike që duhen përmendur. Së pari, Davidi ka cituar pjesë nga Shkrime të tjera; ai tashmë po lutet apo po lavdëron me gati tërë përmbledhjen e vargjeve të Biblës të marra dhe të vëna në këtë psalm. Së dyti, emri hyjnor “Adonai” përdoret shtatë herë (përkthehet “Zot” në vargjet 3,4,5,8,9,12 e 15). Judenjtë që kishin frikë nga Perëndia zakonisht e përdornin këtë titull më tepër se fjalën Jehovah. Soferimët, apo ruajtësit e Tekstit të Shenjtë, e ndryshuan emrin Jehovah në Adonai 134 herë kur e lexonin me zë të lartë, sepse kishin një nderim të thellë për Emrin e mrekullueshëm “Jehovah” [55].

Sa i përket bashkimit të zemrave tona për të pasur frikë nga emri i Zotit (v. 11b) Grenti (F.W. Grant) shkruan:

Kjo është me të vërtetë gjithandej mungesa e madhe midis popullit të Perëndisë. Megjithëse jeta jonë nuk harxhohet duke bërë vetëm të keqen, një pjesë e madhe harxhohet më kot dhe humbet në shthurje të parëndësishme e të kota që prishin në fakt anën pozitive të dëshmisë së tyre për Perëndinë! Sa të paktë janë ata që mund të thonë me apostullin: “Këtë gjë bëj!”. Ne jemi në rrugën e drejtë…,por rendim për të kapur flutura nëpër lëndina dhe nuk kemi një rritje serioze. Sa shumë duhet të habitet Satani kur na shikon që kthehemi nga “mbretëritë e botës dhe lavdia e tyre”…, e megjithatë e lëshojmë veten të shkujdesur në vogëlsira të pafundme, më të lehta se pushi i mëndafshtë i një gjembaçi, pas të cilit fëmija harxhon tërë fuqitë e tij dhe ne qeshim me të. Sikur të shqyrtonin jetët tona me kujdes…, sa shumë duhet të kuptojmë masën e anktheve të kota, të detyrave të vetimagjinuara, të rehative të lejuara, të vogëlsirave “të pafajshme”, të cilat në mënyrë të panevojshme na shmangin nga ajo që vetëm sjell dobi! Sa pak vetë, mbase, interesohen të përballen me një shqyrtim të tillë të historisë së pashkruar të përditshme të jetëve të tyre! [56].

Psalmi 87: Psalmi i regjistrimit mbretëror

Kryetari i bashkisë së Jerusalemit, Tedi Kolek (Teddy Kollek), dhe bashkautori tjetër shprehin çudi të natyrshme me madhështinë mahnitëse të qytetit të tyre të vjetër 4 000 vjeçar:

Arkeologët dhe historianët janë çuditur prej kohësh pse Jerusalemi duhej të vendosej aty ku është dhe pse duhej të bëhej i madh. Nuk gëzon asnjë nga veçoritë fizike që favorizojnë përparimin dhe begatinë e qyteteve të tjera të rëndësishme në botë. Nuk është i vendosur përbri ndonjë lumi të madh. Nuk ka ndonjë port të madh. Nuk ka ndonjë autostradë të madhe apo ndonjë udhëkryq. Nuk është afër burimeve të bollshme të ujit, që është zakonisht arsyeja kryesore e vendbanimit, edhe pse një burim natyral plotëson një kërkesë të vogël. Nuk ka pasuri minerale. Nuk ka rrugë kryesore tregtie. Nuk është pikë strategjike për pushtimin e zonave të gjëra të fituara nga perandoritë e lashta luftuese. Në të vërtetë nuk u bekua qoftë me virtyte ekonomike apo topografike të veçanta, që mund të shpjegojnë pse duhej të ishte më tepër se një fshat malor i vogël, anonim, pa asnjë ndryshim me fatin e çdo fshati bashkëkohor që është zhdukur me kohë [57].

87:1-3 Arsyeja e madhështisë së tij, sigurisht, ishte se u zgjodh nga Perëndia. Ai e themeloi atë mbi malet e shenjta dhe Ai i do portat e tij më tepër se tërë qytetet e tjera në vend. Dhe lavdia e tij e madhe është ende në të ardhmen – kur do të jetë kryeqyteti i Mbretërisë Mesianike, qyteti mbretëror i Mbretit të shumëpritur. Ky psalm hedh vështrimin para, drejt asaj dite kur gjëra të lavdishme do të thuhen për Sionin, qytetin e Perëndisë.

Ka një kuptim sipas të cilit do të jetë vendlindja e shumë kombeve:

Do të ndodhë në ditët e fundit mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majë të maleve dhe do të ngrihet përmbi kodrat; dhe tërë njerëzit do të shkojnë drejt tij. Shumë njerëz do të vijnë dhe do të thonë: “Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij” (Is. 2:2,3).

87:4 Kjo është ajo që duket në vargun 4. Sioni (duke folur si një njeri) thotë se midis atyre kombeve që e njohin si nënë janë Egjiptin në jug dhe Babiloninë në veri. Gjithashtu njerëzit do të flasin për Filistinë, Tiron dhe Etiopinë si të lindura në Jerusalem. Këta do të jenë midis kombeve që do ta njohin Sionin si kryeqytetin frymëror, politik dhe ekonomik të botës dhe do të shkojnë për të adhuruar atje dhe do t’i çojnë haraçin e tyre Mbretit të Madh (Is. 60:5-7). Kombet që nuk do të pranojnë të shkojnë për të kremtuar Festën e Kasolleve do të vuajnë nga thatësira dhe plagët (Zak. 14:16-19).

87:5 Sioni do të llogaritet si vendi ku kombet do të përjetojnë rilindjen frymërore, sepse vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm në atë vend të sovranitetit universal.

87:6-7 Do të jetë një kohë feste dhe kremtimi. Këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë njëzëri: “Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti”. Jerusalemi nuk do të jetë më vendi i lotëve dhe brengave, por do të jetë burim bekimesh, një burim freskie dhe një shtëpi frymërore për tërë kombet e tokës.

Por para se të mbarojmë me psalmin, ka një zbatim vetjak që duhet bërë. Është ky: Po vjen koha kur Perëndia do të bëjë regjistrimin e njerëzve. Do të ndodhë regjistrimi i banorëve të qiellit. Faktori i madh dhe i vetëm që bën të mundur një gjë të tillë do të jetë lindja e re. Vetëm ata që janë lindur sërish do të shohin apo do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë (Gjon. 3:3-5). Kështu kur Perëndia do të thërrasë njerëzit, do të thotë: “Ky njeri është rilindur në këtë e atë vend”.

A do të mund ta thotë këtë gjë Ai për ty?

Ka një rrugë që të bën të mundur të gëzosh qytetarinë qiellore. Kjo rrugë paraqitet te Gjoni 1:12:

Por të gjithëve atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij.

Psalmi 88: Psalmi më i trishtuar

Kur mbërrijmë te Psalmi 88 kemi arritur pikën më të dobët të brengës dhe vuajtjes njerëzore. Duket se psalmisti këtu rrëmon fjalorin e gjysmerrësirës dhe të hidhësisë për të përshkruar lutjen e tij të pashpresë. Rasti i tij është një rast plotësisht i fundmë; ai ndihet sikur të ishte në listën kritike në pavijonin e izoluar të një spitali për sëmundje të pashërueshme. Gjëja e vetme që ka mbetur është morgu dhe është vetëm një çështje kohe para se çarçafi të mbulojë fytyrën e tij dhe të mbartet.

88:1,2 E vetmja rreze drite në psalm është emri i Perëndisë me të cilin fillon psalmi – “O Zot, Perëndi i shpëtimit tim“. Gebëleini (Gaebelein) e quan atë rrezen e vetme të dritës që del nga errësira, yllin që tejshpon errësirën e mugët të mesnatës.

Por menjëherë shkrimtari hidhet në një përshkrim të pikëlluar të gjendjes së tij të dëshpëruar. Ditë e natë ai ka thirrur Zotin, por nuk ka marrë qetësim. Kur do ta thyejë Perëndia rrugën qorre duke dëgjuar lutjen e tij dhe të japë një rrugëdalje?

88:3-7 Jeta e tij është një masë e dukshme e mbushur me të keqen dhe po shkon në mënyrë të pandalshme drejt vdekjes dhe Sheolit. Ai e ka llogaritur veten si të vdekur – tashmë i përfshirë si një viktimë. Çdo fuqi që ka pasur është tkurrur. Tashmë ai është braktisur midis të vdekurve, si një ushtar i pavetëdijshëm në një betejë trup më trup, apo si një viktimë lufte me të tjerët në një varr të përbashkët. Ai ndien se Perëndia e ka harruar dhe për këtë mendon se i është prerë çdo shpresë e ndihmës hyjnore. Ashtu si robi i dorëzuar në një burg të nëndheshëm, po kështu edhe ai është braktisur nga Perëndia në gropën më të thellë, në dhomën e tmerreve, errësirës ogurzezë. Mund të ketë vetëm një shpjegim; ai ndien se Perëndia është zemëruar me të dhe ai është përfshirë nga valët e larta të gjykimit hyjnor.

88:8,9 Miqtë e tij e kishin braktisur sikur të ishte i lebrosur. Ata silleshin me të sikur të kishte një paraqitje të shëmtuar ose si të ishte ” diçka e mallkuar” (Knox). Ai është mbyllur në një qeli nga e cila nuk ka shpëtim. Sytë e tij, dikur plot shkëlqim dhe plot shprehi, kishin humbur vezullimin e tyre. Dhe lutja duket e pafrytshme. Çdo ditë ai i kërkonte Zotit me duart e tij të ngritura në lutjen e tij të vendosur, por asgjë nuk ndodhte.

88:10 Pastaj me një seri pyetjesh ai sfidon Perëndinë për të thënë se çfarë të mire do të sillte për Të vdekja e psalmistit. Pyetjet zbulojnë njohjen e papërsosur që kishin shenjtorët e DhV rreth vdekjes dhe jetës pas saj dhe na bën ne tejet mirënjohës për sigurinë se të vdesësh do të thotë të jesh me Krishtin, gjë që është gjëja shumë më e mirë (Fil. 1:23). Ja, pra, ku janë pyetjet:

A do të bëjë vallë Perëndia mrekulli për ata që kanë vdekur? Përgjigjja e nënkuptuar është “Jo”. Për një jude që jetonte sipas ligjit, vdekja ishte një zonë e dyshimtë e harrese ku nuk ndodhte asgjë ndërtuese.

A do të ringjallen “hijet” për ta lëvduar? Ata që kanë shkuar shihen si shpirtra të ngjashme me hijet që nuk mund të lavdërojnë Zotin.

88:11,12 A do të shpallet dashuria e qëndrueshme e Perëndisë në varr apo besnikëria e Tij në vendin e shkatërrimit?

Meqë besohej se asnjë veprim apo fjalë nuk ishin të mundura në vendin gri, zgjyrë dhe me pluhur të Sheolit, ishte me siguri në interesat e veta të Perëndisë të mbante gjallë sa më tepër të ishte e mundur ata, lavdërimet serioze të të cilëve i pëlqenin gjithmonë Atij [60].

88:13-18 Si me një intensitet të ripërtërirë, psalmisti hahet me Zotin. Për sa është gjallë, çdo mëngjes dëgjon lutjen e tij të zjarrtë. Ai shpreh mëdyshje të mëtejshme se Perëndia do ta braktisë dhe nuk do ta shohë me mëshirë apo hir. Qysh në rini jeta e tij kishte qenë një histori e pandërprerë vuajtjeje dhe vështirësie. Tani në vorbullën e tmerreve hyjnore ai është i asgjësuar dhe pa shpresë. Zemërimi i zjarrtë i Perëndisë e ka gëlltitur si një valë e rrymës dhe tmerret e Tij e kanë lënë pa gojë. Përmbytja e egër e ka rrethuar dhe është e pafalshme; valët përplasen në të si një sulm i bashkuar. Është sikur Perëndia të ketë bërë që miqtë dhe të njohurit e tij ta kenë braktisur. Shoku i tij i vetëm është errësira.

Dhe në këtë mënyrë mbyllet psalmi më i trishtuar. Nëse habitemi pse ndodhet në Bibël, mund të dëgjojmë dëshminë e Darbit (J. N. Darby). Ai ka thënë një herë se ky psalm kishte qenë Shkrimi i vetëm që kishte qenë një ndihmë për të, sepse ai kishte parë se dikush kishte qenë më poshtë se ai para tij. Klarku (Clarke) citon një burim anonim:

“Ka vetëm një psalm si ky në Bibël për të bërë të njohur përvojën më të rrallë, por njëkohësisht ai e siguron të pikëlluarin më të dëshpëruar se Perëndia nuk do ta braktisë atë” [61].

Psalmi 89: Besëlidhja e Perëndisë me Davidin

89:1,2 Që në fillim Ethani shpall gëzimin e tij vetjak për dashurinë e qëndrueshme dhe besnikërinë e Jehovahut, siç shprehet dhe në besëlidhjen me Davidin. Ai është i vendosur t’u këndojë mirësive të Zotit, sepse ato zgjasin përjetë.

89:3,4 Besimi me nderim kujton Perëndinë e besëlidhjes që bëri me Davidin. Meqë Davidi ishte shërbëtori i Tij, Ai ishte betuar se të gjithë pasardhësit e Davidit do të uleshin në fron dhe se mbretëria e tij do të zgjaste për të gjitha brezat. Një dinasti e paprishur në një fron të përjetshëm!

89:5 Pastaj besimi rrëfen me hollësi mrekullitë e Zotit që kishte bërë besëlidhjen. Është njësoj sikur Ethani po i kujton Zotit se nderi i emrit të Tij është në rrezik.

89:6-8 Ai është më i madh se ushtritë engjëllore në qiell. Moritë sipër thirren për të lavdëruar mrekullitë dhe besnikërinë e Tij. Asnjë engjëll nuk është i njëllojtë me Të; Ai është më i lartë se çdo qenie tjetër qiellore. Qenia më e madhe qiellore bie përmbys në nderim para Tij; ato pranojnë se Ai është më i madh në çdo pikë. Askush nuk është i madh se Zoti, Perëndi i ushtrive, që shkëlqen në besnikërinë e Tij.

89:9,10 Por nuk mbaron këtu. Perëndia është i madh në krijim, në providencë dhe përsosmëri morale (v. 9-15). Një çast dramatik i madhështisë së Tij në krijim është mënyra se si Ai sundon tërbimin e detit dhe bën që valët e tij të qetësohen. Ai e bëri këtë në detin blu të Galilesë shumë vjet më parë dhe Ai e bën këtë vazhdimisht në jetët e stuhishme të popullit të Tij. Për sa i përket madhështisë së Tij në providencë, çfarë shembulli tjetër më i mirë mund të parashtrohet para pushtimit të Tij të Egjiptit (Rahabit) në kohën e eksodit? Ai e dërrmoi atë komb krenar si një luan dërrmon eshtrat e viktimës së vet; Ai ka shpërndarë armiqtë e Tij si gjethet në erë.

89:11-13 Qiejt dhe toka janë të Tijat, sepse Ai i ka krijuar; bota dhe çdo gjë që është në të i përket Atij, sepse Ai i ka krijuar. Veriu dhe jugu janë vepër e Tij. Mali Tabor dhe Hermon çojnë lart kryet e tyre sikur t’i japin mirënjohjen e gëzueshme Atij si Krijuesi i tyre. Krahu i Tij është tejet i fuqishëm dhe dora e Tij është e fortë përmbi çdo gjë, e epërme në botën e fuqisë.

89:14 Për sa i përket përsosmërisë së Tij morale, froni i Tij mbështetet në parimet e dyfishta të drejtësisë dhe të drejtës. Mirësia dhe e vërteta derdhen gjerësisht kudo ku Ai shkon.

89:15-18 Duke treguar me hollësi madhështinë e Perëndisë që bën besëlidhjen, Ethani tani përshkruan bekimet e popullit të Tij: “Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit“. Për judeun e perëndishëm britma e gëzimit ishte thirrja festive e popullit ndërsa ecte për në Jerusalem për ditët tepër të shenjta të kalendarit fetar. Për ne, bëhet fjalë gjithnjë për britmën e gëzimit të ungjillit. Disa gjëra nënvizohen rreth këtij populli të lumtur. Ai do të ecë në dritën e fytyrës së Tij; pra, ata do të ecin në favorin e Tij dhe do të drejtohen nga prania e Tij. Ata gjejnë në Të burimin e tërë gëzimit të tyre dhe kurrë nuk reshtin së ngazëllyeri në drejtësinë e Tij. Ata nuk mburren në fuqitë e tyre, por vetëm në Të. Vetëm me favorin e Tij shtohen fuqitë e tyre, pra, bëhen më të fortë. Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.

89:19 Dhe kjo e çon Ethanin te besëlidhja që Jehovahu bëri me Davidin (v. 19-37). Shumë vite më parë, Perëndia i kishte folur shërbëtorit të Tij besnik në vegim. Fjala Të dashurit mund t’i referohet Samuelit (1 Sam. 16:1-12), Nathanit (2 Sam. 7:1-17), ose mbase Shërbëtorit të Jehovahut, Zotit Jezus Krisht. Ai bëri një besëlidhje pa kushte hiri, duke vënë kurorën mbi një të fuqishëm dhe duke përlëvduar një të zgjedhur nga populli. Në shumë nga këto përshkrime të Davidit, ne ndiejmë gati në mënyrë instinktive përtej Davidit ardhjen e Mesias Mbret.

89:20-24 Jehovahu kishte zgjedhur Davidin midis vëllezërve të tij dhe, përmes Samuelit, e vajosi me vajin e shenjtë që përdorej për mbretërit. Besëlidhja garantonte që dora e Perëndisë do të ishte gjithnjë mbi Davidin dhe trashëgimtarët e fronit të tij duke i ruajtur dhe mbrojtur dhe krahu i Tij do të siguronte tërë forcën e nevojshme. Armiqtë e mbretit nuk do të ishin të aftë ta shtypnin, as të ligjtë nuk do ta pikëllonin. Zoti garantonte se do të shtypte armiqtë e tij dhe do të godiste ata që e urrenin. Besnikëria dhe mirësia e Zotit nuk do të largoheshin nga ai dhe shtëpia e Davidit do të merrte forcë nga Ai.

89:25 Në përputhje me premtimin bërë Abramit (Zanafilla 15:18), kufijtë e mëvonshëm të mbretërisë do të shtriheshin nga Mesdheu deri në lumin Eufrat. Te Zanafilla 15 thuhet nga lumi i Egjiptit deri në Eufrat, por meqë lumi i Egjiptit rrjedh në Mesdhe, kufijtë janë të njëjtët.

89:26,27 Davidi e pranon Jehovahun si Atin e tij, Perëndinë e tij dhe kështjellën e tij të strehimit. Perëndia sipas radhës do ta bëjë atë të parëlindurin e Tij, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut. Fjala “të parëlindurin” ndonjëherë do të thotë i parë në lidhje me kohën, ashtu si Maria solli në jetë Birin e saj të parëlindur (Lluk. 2:7). Por nuk mund të vlejë për rastin e Davidit, sepse ai ishte djali i fundit që i lindi Isait. Këtu do të thotë i pari si renditje apo për sa i përket nderit, ashtu siç shpjegohet në pjesën tjetër të vargut: “më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut“. Kjo është ajo që Pali nënkupton kur i referohet Zotit Jezus si “i parëlinduri i çdo krijese” (Kol. 1:15). Nuk do të thotë se Jezusi ishte qenia e parë e krijuar, ashtu siç mësojnë disa sekte, por se Ai ka epërsinë përmbi tërë krijimin.

89:28,29 Asgjë nuk do ta ndryshojë dashurinë e Perëndisë për Davidin dhe asgjë nuk do ta prekë besëlidhjen që ka bërë Ai. Do të ketë gjithmonë një fron të Davidit dhe pasueshmëria mbretërore do të zgjasë përjetë.

89:30-32 Besëlidhja nuk do t’i përjashtonte bijtë e Davidit nga ndëshkimi kur ata do të mëkatonin. Çdo shkelje e ligjit do të trajtohej me drejtësi. Historikisht, kjo është ajo që ka ndodhur. Pasardhësit e Davidit kanë qenë të pabesë ndaj Jehovahut dhe Ai i ka ndëshkuar ata me thupër dhe me dënimin e robërisë babilonase.

89:33 Por besëlidhja është përsëri e vlefshme dhe, edhe pse mbretëria ishte në rënie për një farë kohe dhe nuk ka asnjë mbret që të mbretërojë në Jerusalem, Perëndia po ruan ende në mënyrë të mrekullueshme farën mbretërore dhe Ai do ta rivendosë mbretërinë në kohën e Tij të volitshme.

89:34-37 Me gjuhën më të fortë të mundshme, Perëndia përsërit paprekshmërinë e besëlidhjes dhe vendosmërinë e Tij për të mbajtur premtimin e Tij ndaj Davidit. Pasueshmëria e Davidit do të ekzistojë përjetë dhe froni i tij për aq kohë sa do të ekzistojë dielli dhe hëna në qiell.

89:38,39 Në pamje të parë mund të dukej se Perëndia e kishte harruar besëlidhjen bërë me Davidin. Juda ishte pushtuar nga babilonasit dhe ishte mërguar. Askush nuk ishte ulur në fronin e Davidit që nga ajo ditë. Por Perëndia nuk kishte harruar. Gati dy mijë vjet më parë Zoti Jezus lindi në qytetin mbretëror të Davidit. Ai qe biri i birësuar i Jozefit dhe meqë Jozefi rridhte nga mbretërit e Judës, Jezusi trashëgoi të drejtën ligjore për fronin e Davidit përmes tij (Mt. 1). Jezusi qe biri i vërtetë i Marisë dhe meqë Maria rridhte drejtpërdrejt nga Davidit përmes Nathanit, Zoti ynë është nga fara e Davidit (Lluk. 3:23-38). Kështu, besëlidhja përmbushet në Zotin Jezus Krisht. Froni i Davidit bëhet i përjetshëm përmes Tij dhe meqë Ai jeton në fuqinë e jetës së pafund, do të ketë gjithmonë një pasardhje të Davidit që ulet mbi fron. Një ditë, mbase së shpejti, Ai do të kthehet në tokë për të marrë vendin e Tij që i takon me të drejtë në fronin e Davidit dhe do të mbretërojë si Biri më i madh i Davidit.

Ethani mund të mos e ketë parë këtë, sigurisht. Atij i dukej sikur besëlidhja ishte prishur. Dëgjojeni se si qahet se Perëndia ka braktisur dhe refuzuar prejardhjen mbretërore, se Ai ka qenë i zemëruar kundër mbretit që Vetë kishte vajosur. Për Ethanin nuk kishte shpjegim tjetër pse Perëndia nuk kishte përmbushur premtimin e Tij bërë Davidit dhe pse kishte hedhur kurorën e tij në pluhur. Ethani e dinte thellë në zemrën e tij se Perëndia nuk mund ta mohonte premtimin e Tij, por megjithatë dukej sikur kishte ndodhur një gjë e tillë.

89:40-45 Muret e Jerusalemit ishin çarë dhe kalatë e tij ishin shembur. Udhëtarët që kalonin pranë merrnin plaçkën e pambrojtur dhe fqinjët johebrenj jodashamirës ngërdhesheshin para lutjes së Judës. Kundërshtarët e Izraelit ngrinin dorën e tyre dhe gëzonin fitoren e tyre mbi ta. Armët e popullit të Perëndisë ishin të padobishme në betejë; ushtarët nuk ishin të aftë t’i bënin ballë armikut. Mbreti ishte rrëzuar dhe froni i tij rrënuar. I përulur dhe mbuluar me turp, ai u bë një plak i pjekur para kohe.

89:46-48 Zoti që kishte bërë besëlidhjen dukej se po fshihej nga populli i Tij. Zemërimi i Tij kundër tyre po digjte si zjarr. Thirrja vajtuese “Deri kur?” merr krahë drejt rrugës për në qiell. Ethani i kërkon Perëndisë të kujtojë se sa shkurtër e ka bërë Ai jetën njerëzore, se sa i brishtë është njeriu, dhe sa pa domethënie është. Në ditën e tij, çdo njeri mund të ishte i sigurt për vdekjen e tij; pushteti i Sheolit në fund të fundit do të dilte fitimtar mbi të. Ne kemi një shpresë më të mirë se Ethani: ne e dimë se jo të gjithë do të vdesin, por të gjithë do të ndryshojnë kur Zoti Jezus do të kthehet për të marrë kishën e Tij në qiell (1 Kor. 15:51; 1 Thes. 4:13-18). Por e tëra kjo ishte një e fshehtë për shenjtorët e DhV.

89:49-51 Kërkesa e Ethanit është shumë e guximshme dhe e zhurmshme. Ai pyet se çfarë ka ndodhur me mirësitë që Perëndia i kishte garantuar Davidit me fjalët më të forta të mundshme. Ai është tepër i ndjeshëm për përqeshjet dhe talljet therëse të armiqve të Izraelit, se si e tallnin vetë Ethanin dhe qeshnin mbretin e mërguar ndërsa shkonte e vinte.

89:52 Por në vargun e fundit triumfon besimi. Megjithëse Ethani nuk mund të shohë përgjigjen e dyshimit të tij, ai mund të bekojë ende Jehovahun. Është njësoj sikur të thoshte: “O Zot, nuk kuptoj pse po ndodhin këto gjëra, por ende kam besim në Ty”. Kështu, ai mbyll lutjen e tij me një hov entuziazmi: “I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!“.