Libri i vogël i Ruthit, i cili bie pas librit të Gjyqtarëve, përbëhet vetëm nga tetëdhjetë e pesë vargje; por këto përbëjnë një kopsht me trëndafila, plot aromë dhe plot kurora lulesh mistike, si ato që udhëtari modern sheh akoma të lulëzojnë dhe të përdridhen rreth rrënojave të vetmuara të Izraelit dhe Moabit, këtej Jordanit dhe përtej tij. Domethënia dhe bukuria e rrëfimit të shkurtër nuk mund të çmohet sa duhet [sepse është një vepër shumë i thellë], si ndaj mendimit që sjell, vlerës historike që shënon, apo formës së pastër dhe mahnitëse në të cilën është krijuar. Paulus Cassel
I. Vendi unik në Kanun
Meriton me të vërtetë vëmendje fakti që dy librat në Bibël që titullohen me një emër gruaje, tregojnë për dy gra: njëra ishte një judease, që u martua me një johebre të shquar (Esteri dhe mbreti Asuero) dhe tjetra ishte një pagane që u martua me një hebre (Ruthi dhe Boazi). Diçka tjetër domethënëse që kanë të përbashkët këto dy gra është se që të dyja ishin pjesë e historisë shpenguese të Perëndisë. Perëndia përdori Esterin për të shpëtuar popullin e Tij nga shkatërrimi fizik dhe e përdori Ruthin si një lidhje të rëndësishme gjenealogjike në pasardhjen mesianike, së pari për Davidin dhe në fund për Krishtin, që do të shpëtonte popullin e Tij nga mëkatet e tyre. Na thuhet te Mateu 1:5 se Boazi ishte një pasardhës i një paganeje me emrin Rahab, duke qenë të sigurt se ishte Rahabi i Jerikos. Tani Ruthi, një pagane tjetër, bën pjesë në gjenealogjinë e Krishtit si gruaja e Boazit. Si Rahabi dhe Ruthi simbolizojnë hirin e Perëndisë, meqë të dyja do të ishin përjashtuar nga pasuria e Izraelit për shkak të origjinës së tyre etnike.
Libri i Ruthit ashtu siç vë re Mekge (McGee) “është në thelb historia e një gruaje dhe Perëndia ka vënë vulën e Tij të miratimit mbi të, me anë të përfshirjes së librit në librarinë hyjnore”{{1}}.
Joshja dhe bukuria e librit ilustrohet më së miri në një ndodhi të Benxhamin Frenklinit, burrin e shtetit dhe shpikësin amerikan. Kur shërbente në oborrin francez, ai dëgjoi disa nga aristokratët “duke ulur poshtë” Biblën si të padenjë për t’u lexuar, pa stil e kështu me radhë. Edhe pse vetë nuk ishte një besimtar, në rininë e tij në kolonitë amerikane kishte zbuluar shkëlqimin e Biblës si letërsi. Kështu vendosi të kurdiste një truk të vogël në frëngjisht. Ai shkroi Ruthin me dorë, duke ndryshuar tërë emrat e përveçëm në emra francezë. Pastaj ia lexoi dorëshkrimin e tij parisë së mbledhur të Francës. Të gjithë shpallën elegancën dhe thjeshtësinë e stilit të kësaj historie prekëse.
“Magjepsëse! Po ku e ke gjetur këtë lloj letërsie, zoti Frenklin?”
“Vjen nga ai Libër që ju e përçmoni” – u përgjigj ai – “Bibla e shenjtë!“. U dukën disa fytyra të skuqura atë natë në Paris, ashtu siç mund të ketë sot në kulturën tonë biblike analfabetë për shkak të lënies pas dore të Fjalës së Perëndisë.
II. Autorësia
Tradita judaike thotë se Samueli është autori i Ruthit, edhe pse libri është anonim. Meqë libri përfundon me Davidin, autori nuk mund ta ketë shkruar para kësaj kohe. Samueli që vajosi Davidin si mbret mund ta ketë shkruar librin për të treguar gjenealogjinë e re të mbretit.
III. Data
Meqë emri i Davidit shfaqet te Ruthi 4:17, 22 si pika më e partë drejt së cilës të çon historia e Ruthit, duket sikur është shkruar gjatë apo menjëherë pas mbretërimit të tij (rreth viteve 1011 – 970 para K.), apo të paktën pasi Samueli e vajosi atë si mbret.
Jenseni shkruan:
Mbase është shkruar para Salomonit, pasuesi i fronit të Davidit, sepse mundësia është e madhe që shkrimtari do të kishte përfshirë emrin e Salomonit në gjenealogji. Kështu autori ishte një bashkëkohës i Davidit{{2}}.
Megjithatë, disa kanë parapëlqyer një datë më të vonë, pjesërisht meqë u ndie një nevojë nga autori për të shpjeguar zakonin e heqjes së sandales në një shkëmbim pune (4:7). Kjo hedh idenë e një farë periudhe kohe midis kësaj praktike dhe shkrimit të librit të Ruthit.
IV. Sfondi dhe tema
Ngjarjet në librin e Ruthit kanë ndodhur gjatë kohës së Gjyqtarëve (1:1). Ndërsa gati pjesa më e madhe e kombit të Izraelit po endej larg Zotit, ishte një zonjë pagane që quhej Ruth, besimi i së cilës ndriçoi si vetëtimë.
Fjala kyç e librit është shpengimi. Një fjalë tjetër kyç është i afërm (KJV) apo kushëri (NKJV), që haset dymbëdhjetë herë. Boazi është një i afërm shpengues, që blen përsëri tokën që i përkiste Elimelekut dhe lë pasardhës për vazhdimin e emrit të familjes. Ai është një simbol i Krishtit, I afërmi i vërtetë Shpengues. Ruthi, moabitja, simbolizon kishën si nusen e Krishtit, të shpenguar me anë të hirit të Tij të mrekullueshëm.
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. QËNDRIMI NË MOAB (1:1-5)
II. KTHIMI NË BETLEM (1:6-15)
III. RUTHI NË FUSHAT E BOAZIT (kapitulli 2)
IV. I AFËRMI SHPENGUES I RUTHIT (kapitulli 3)
V. SHPENGIMI NGA BOAZI (4:1-12)
VI. GJENEALOGJIA MBRETËRORE E DAVIDIT DUKE FILLUAR NGA OBEDI (4:13-22)
[[1]] J. Vernon McGee, Ruth and Esther: Women of Faith, f. 15.[[1]]
[[2]] Irving L. Jensen, Judges/Ruth, f. 80.[[2]]