I afërmi shpengues i Ruthit (Ruthi 3)

3:1-5 Naomi kishte ankth që Ruthi të gjente një vend paqeje – pra, një burrë dhe një shtëpi. Prandaj ajo hoqi dorë nga e drejta e saj parësore e martesës dhe e pasurisë dhe në vend të kësaj e këshilloi Ruthin që të zbriste në lëmë një natë kur Boazishihte elbin në lëmë. Ruthit, duke mos i njohur zakonet e izraelitëve, i duhej thënë me hollësi se si duhej t’i kërkonte, sipas zakonit, kushëririt të saj mbrojtje dhe martesë brenda familjes (Shënime të përditshme të Skripçër Juniën {Scripture Union}). 3:6,7 Kështu, pasi Boazi kishte mbaruar punën e tij, hëngri ushqimin e tij dhe u shtri, Ruthi u shtri… në këmbët e tij, në cep të mantelit të tij. Kjo mund të duket jonormale për kulturën tonë, por kjo ishte një praktikë e pranueshme në ato ditë (shikoni Ezekielin 16:8) dhe nuk kishte asgjë të ligë, apo për të shtënë mendime të këqija. 3:8-11 Kur u zgjuar nga mesnata, Boazi pa Ruthin te këmbët e tij. Jo vetëm që nuk e qortoi, por ai e bekoi, pasi ajo i kërkoi të ishte i afërmi i saj shpengues. Fjala krahët te 2:12 është shumësi i së njëjtës fjalë të përkthyer këtu “manteli“. Boazi e lavdëroi Ruthin që kishte kërkuar strehë te Jehovahu. Si mund t’i mohonte asaj strehën që ajo kërkoi nga ai sipas ligjeve të Jehovahut? Përveç të tjerash, ajo ishte një grua e virtytshme, vlera e së cilës është përtej çdo guri të çmuar (Fja. 31:10). Ai e lavdëroi për besnikërinë e saj, duke thënë se mirësia e saj e fundit (përkushtimi i saj vetjak ndaj tij) ishte më e mirë se e para (largimi nga shtëpia dhe familja e saj për të qenë me Naomin). Ligji i Moisiut kërkonte që kur një burrë vdiste pa lënë fëmijë, një i afërm i tij duhej të martohej me vejushën (LiP. 25:5-10), duke ruajtur kështu emrin e familjes dhe duke mbajtur vendin në familje. Ishte shumë e rëndësishme që kur një burrë vdiste pa pasur një djalë, dikush duhej të martohej me vejushën e tij, në mënyrë që të lindte një djalë dhe emri të ngelte. Tashmë Ruthi kishte ngelur pa fëmijë. Meqë Boazi ishte një i afërm i Elimelekut, ai duhej të shërbente si një i afërm shpengues duke u martuar me të. Dhe jo vetëm që ishte i detyruar, por edhe e kishte për zemër. 3:12,13 Por kishte një ndërlikim ligjor: Ishte një fis më i afërt se ai dhe ai njeri kishte të drejtën parësore. Nëse ai që ishte fis më i afërt nuk donte të shërbente si i afërmi shpengues, atëherë do të ishte Boazi i tillë. Kjo çështje do të zgjidhej në mëngjes. 3:14-18 Ruthi qëndroi në këmbët e tij deri në agim. Boazi mbushi mantelin e saj me gjashtë masa elbi. Kjo e siguroi Ruthin për dashurinë e tij të thellë dhe ishte provë për Naomin se ai do ta ndiqte atë çështje pa u vonuar. Ruthi ishte një grua e fisme, qenësisht e denjë për mirësinë e Boazit. Por ne kemi qenë mëkatarë të padenjë. Megjithatë Zoti hodhi mantelin e Tij drejt nesh dhe na mori ashtu siç ishim. Ai na ka ngarkuar me dhuntitë dhe na ka dhënë zemër me kthimin e Tij të premtuar për të shënuar fillimin e martesës. Shpëtimi ynë është një vepër e zgjidhur, e kryer. Por hyrja në harenë e plotë të bashkimit tonë pret kthimin e Dhëndrit. Kur Naomi dëgjoi gjithçka që kishte ndodhur, i tha Ruthit të qëndronte dhe të priste për përfundimin e tërë këtyre ndodhive të ndërlikuara. Kjo është zakonisht pjesa më e vështirë e besimit – kur nuk mund të ndërmerret asnjë veprim dhe nuk mbetet gjë tjetër veç të presim me durim që Perëndia të kryejë vullnetin e Tij. Në këtë çast rriten dyshimet dhe ankthi shpërthen (Shënime të përditshme të Skripçër Juniën {Scripture Union}).