Shpengimi nga Boazi (Ruthi 4:1-12)

4:1-6 Në mëngjes Boazi shkoi te porta e qytetit, ku uleshin pleqtë dhe ku zgjidheshin çështjet ligjore. Kështu, “ndodhi” – një rastësi tjetër e planifikuar – që ai që kishte të drejtën e shpengimit po kalonte andej në ato çaste. Duke folur me “mikun” [4] dhe duke i kërkuar që të ndalte për pak, Boazi qëndroi para dhjetë pleqve dhe u tha historinë e Naomit dhe Ruthit. Atëherë i dha mundësinë atij që kishte të drejtën e shpengimit për të blerë vendin, atë që i përkiste Elimelekut, që mbase ishte lënë peng kur Elimeleku kishte shkuar në Moab. Deri në këtë pikë i afërmi pa emër ishte gati. Megjithatë, kur Boazi i tha që cilido që blinte vendin duhej të martohej me Ruthin, moabiten, ai u tërhoq, duke i shpjeguar se kjo do të shkatërronte trashëgiminë e tij. Ai duhej të kushtonte kohën dhe energjinë për t’u kujdesur për pronën e Ruthit, mundësisht duke lënë pas dore të tijën. Së fundi, toka do t’u kalonte trashëgimtarëve të Ruthit, dhe jo atij [5]. Duke komentuar për mungesën e emrit të kushëririt më të afërt, Methju Pulli (Matthew Poole) shkruan: Pa dyshim që Boazi e dinte emrin e tij dhe e ka thirrur në emër, por nuk është shkruar nga shkrimtari i shenjtë, pjesërisht ngaqë nuk ishte e domosdoshme për ta ditur, dhe kryesisht për shkak të përbuzjes, siç është zakonisht, dhe si një ndëshkim i drejtë mbi të, që ai që nuk do të ruante emrin e të vëllait do të humbte të tijin [6]. Kushëriri më i afërt merret kryesisht si simboli i ligjit. Dhjetë dëshmitarët (Dhjetë Urdhërimet) miratojnë paaftësinë e tij për të shpenguar mëkatarin. “Ligji nuk mund të shpengojë atë që dënon. Kjo do të ishte kundër qëllimit të tij” [7]. Ligji nuk mund ta shpengojë sepse ishte i dobët për shkak të mishit (Rom. 8:3). Mospranimi i kushëririt më të afërm i dha mundësi Boazit, i cili vinte pas tij, për t’u martuar me Ruthin. 4:7,8 Në atë kohë, tërë shkëmbimet rreth shpengimit dhe këmbimit miratoheshin nga njëra prej palëve e cila hiqte sandalen e vet dhe ia kalonte tjetrit. Ligji shprehte qartë se vejusha duhej të hiqte sandalen e të afërmit që nuk pranonte dhe duhej ta pështynte në fytyrë (LiP. 25:9). Në këtë rast ai që gëzonte të drejtën e shpengimit thjesht hoqi sandalen e tij dhe ia dha Boazit. 4:9-12 Sapo Boazi mori sandalen, shpalli se do ta blinte pronën e Elimelekut dhe se do të martohej me Ruthin, moabiten. Turma e bekoi Boazin, duke i uruar një pasardhje të shumtë si ajo e Rakelës dhe Leas. Përmendja e Peretsit, pasardhësi i Tamarës nga Juda, nuk thekson aspektet e ndyra të asaj historie dhe përqendrohet vetëm në faktin se ishte një rast tjetër martese brenda familjes që përfshinte një izraelit dhe një të huaj.