Ushtrimi në asamble (Titit 2:1-15)

2:1 Jetët e mësuesve të rremë ishin një shpifje. Me anë të sjelljes së tyre ata mohonin të vërtetat e mëdha të besimit. Cili mund të masë dëmin e dëshmisë së krishterë nga ata që rrëfejnë shenjtëri të madhe, por që jetojnë në gënjeshtër? Detyra që iu ngarkua Titit (dhe të gjithë shërbëtorëve të vërtetë të Zotit) ishte të mësonte ato gjëra që përkojnë me doktrinën e shëndoshë. Ai duhej të mbyllte të çarën e tmerrshme midis buzëve të popullit të Perëndisë dhe jetëve të tyre. Kjo është ideja themelore e letrës – të jetuarit praktik i doktrinës së shëndoshë në vepra të mira. Vargjet që vijojnë japin shembuj praktikë se si duhet të jenë veprat e mira.

2:2 Së pari kemi pleqtë – jo pleqtë në kuptimin zyrtar, por njerëzit e moshuar fizikisht dhe të pjekur. Ata duhej të ishin të përmbajtur. Së pari, kjo do të thotë të përmbajtur në përdorimin e verës, por shtrihet edhe në tërë fushën e sjelljes. Ata duhej të ishin dinjitozë, po, por të kuptohet – jo të vrenjtur! Të tjerët kanë mjaft probleme me veten e tyre. Të moshuarit duhet të jenë të urtë, që do të thotë të drejtë dhe të arsyeshëm. Ata duhet të jenë të shëndoshë në besim. Mosha i bën disa njerëz zemërgurë, të hidhur dhe cinikë. Ata që janë të shëndoshë në besim janë mirënjohës, optimistë dhe shokë të mirë. Ata duhet të jenë të shëndoshë në dashuri. Dashuria nuk është egoiste; ajo mendon për të tjerët dhe shfaq veten duke dhënë. Dhe gjithashtu ata duhet të jenë të guximshëm në durim. Mosha ka paqëndrueshmërinë dhe paaftësinë e saj, ndonjëherë e vështirë për t’u duruar. Ata që janë të shëndoshë në qëndrueshmëri durojnë provat e tyre me hir dhe forcë.

2:3Gratë e moshuara të kenë sjellje ashtu si u ka hije shenjtoreve. Na çliro, o Zot, nga gratë mendjelehta, mendimet e të cilave përqendrohen te çështjet pa rëndësi! Ato nuk duhet të jenë shpifëse. Fjala që përdor Pali këtu është fjala greke “djall” (diabolos). Kjo është një fjalë e përshtatshme, sepse thashethemet e liga janë djallëzore në burimin dhe karakterin e tyre. Ato nuk duhet të jenë skllave të pijes. Në fakt, ato nuk duhet të skllavërohen nga ndonjë ushqim, pije apo ilaç. Edhe pse nuk kanë një shërbesë publike në kishë, gratë e moshuara kanë për detyrë të mësojnë në shtëpi. Cili mund të masë fuqinë e një shërbese të tillë!

2:4 Në mënyrë të veçantë, një grua e moshuar duhet të mësojë të rejat. Vitet e studimit biblik dhe përvoja praktike e bëjnë atë të aftë të japë këshilla të vlefshme atyre që sapo kanë filluar jetën. Përndryshe çdo brez i ri është i detyruar të mësojë me vështirësi, duke përsëritur gabimet e së shkuarës. Ndërsa përgjegjësia për mësimin u ngarkohet grave të moshuara këtu, çdo i ri duhet të kultivojë miqësinë e të krishterëve të perëndishëm të moshuar dhe të marrë këshillat dhe ndreqjet e tyre.

Një e re duhet të mësojë ta dojë burrin e saj. Por kjo do të thotë më tepër sesa ta puthësh atë kur kthehet nga puna. Ajo përfshin shumëllojshmëritë e mënyrave me anë të të cilave ajo mund të tregojë se me të vërtetë e respekton atë – duke pranuar udhëheqjen e tij në shtëpi, duke mos marrë asnjë vendim të rëndësishëm pa të, duke mbajtur një shtëpi të rregullt, duke i kushtuar vëmendje paraqitjes së saj të jashtme, duke u rrëfyer menjëherë, duke falur me hir, duke ruajtur kufijtë e komunikimit gjithmonë të hapura, duke u përmbajtur që të mos e kritikojë apo kundërshtojë burrin e saj para të tjerëve dhe duke qenë e durueshme kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Ato duhet të mësojnë të duan bijtë e tyre – duke lexuar dhe duke u lutur me ta, duke qenë në shtëpi kur ata kthehen nga shkolla apo kur luajnë, duke i disiplinuar me qëndrueshmëri dhe me ndershmëri dhe duke i përgatitur për shërbimin e Zotit më tepër sesa për botën dhe ferrin.

2:5 Të rejat duhet të mësojnë të jenë fjalëpakë. Kjo do të thotë të kenë një kuptim të mirë për atë që është e përshtatshme për to si të krishtera dhe të shmangin gjërat e tepërta. Ato duhet të jenë të dëlira, besnike ndaj burrave të tyre dhe të shmangin papastërtinë në mendime, fjalë apo veprime. Ato duhet të jenë shtëpiake të mira. Ato duhet të kuptojnë se ky shërbim hyjnor bëhet për lavdinë e Perëndisë. Të moshuarat duhet të përpiqen të ngulitin nderin e madh të shërbimit ndaj Zotit në shtëpi si një grua dhe nënë më tepër sesa të punuarit në industri apo biznes dhe duke lënë pas dore kështu shtëpinë dhe familjen. Të rejat duhet të mësojnë se si të jenë të mira – të jetojnë për të tjerët, të jenë mikpritëse, të jenë të hirshme dhe bujare dhe jo të jenë egoiste dhe zotëronjëse. Ato duhet të jenë të bindura ndaj burrave të tyre, duke i pranuar ata si kreun e shtëpisë. Nëse një grua është më e dhënë pas gjërave frymërore dhe më e aftë se burri i saj, në vend që të sundojë mbi të, ajo duhet ta nxisë dhe ta ndihmojë atë të jetë më veprues në udhëheqësinë e shtëpisë dhe në shërbimin në kishën lokale. Nëse tundohet të sundojë, ajo duhet t’i bëjë ballë tundimit dhe ta lavdërojë burrin. Të gjitha këto shërbejnë që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet apo poshtërohet. Përmes kësaj letre, Pali është i vetëdijshëm për qortimin që ka prekur çështjen e Zotit nga jetët e paqëndrueshme të popullit të Tij.

2:6 Pali nuk nxit Titin të mësojë të rejat. Për shkak të opinionit kjo shërbesë u lihet të moshuarave. Por Titit i thuhet të nxisë të rinjtë dhe paralajmërimi i veçantë është se ata duhet të ishin të matur dhe të kontrollonin veten. Një fjalë me vend kjo meqë rinia është koha e zellit të madh, energjisë së pareshtur dhe vrullit që përvëlon. Në çdo fushë të jetës, ato duhet të mësojnë qëndrueshmërinë dhe vetëkontrollin.

2:7 Gjithashtu Pali ka ca këshilla të veçanta gjithashtu dhe për Titin. Si i ngarkuar për shërbesën në publik nëpër kisha, Titi duhej të kishte kujdes për të paraqitur një shembull të qëndrueshëm veprash të mira. Duhet të ekzistojë një paralelizëm i ngushtë midis doktrinës dhe sjelljes së tij. Mësimi i tij duhej të karakterizohej nga pastërtia, dinjiteti dhe paprishshmëria. Pastërti do të thotë se mësimi duhet të përkojë me besimin e shenjtorëve. Me dinjitet Pali këmbëngul se mësimi duhet të jetë i denjë dhe i arsyeshëm. Paprishshmëria, një virtyt fatkeqësisht i fshirë këtu në shumë versione moderne të Biblës [3], ka të bëjë me mësuesin e sinqertë që nuk mund të prishet në udhën e së vërtetës.

2:8Një e folur e shëndoshë e të paqortueshme është e lirë nga çdo lloj qortimi. Ajo duhet të jetë e lirë nga problemet anësore, risitë doktrinore, trillet, ashpërsitë dhe gjëra të tilla. Kjo lloj shërbese është e papërballueshme. Ata që i kundërvihen doktrinës së shëndoshë turpërohen, sepse ata nuk mund të gjejnë një të çarë në armaturën e besimtarit. Nuk ka asgjë më të frytshme sesa një jetë e shenjtë!

2:9 Udhëzime të veçanta u jepen tani skllevërve. Ne duhet të kujtojmë se Bibla pranon ekzistencën e institucioneve të cilat nuk i miraton domosdoshmërisht. Për shembull, DhV flet për jetë poligamike të shumë prej patriarkëve, megjithatë poligamia nuk ishte kurrë vullneti i Perëndisë për popullin e Tij. Perëndia nuk ka miratuar kurrë padrejtësitë dhe mizoritë e skllavërisë. Ai do ta quajë të zotin përgjegjës në ditën e gjykimit. Në të njëjtën kohë DhR nuk përkrah rrëzimin e skllavërisë me një revolucion force. Por dënon dhe heq abuzimet e skllavërisë me anë të fuqisë së ungjillit. Historia tregon se ligësitë e skllavërisë janë zhdukur atje ku fjala e Perëndisë është predikuar dhe është mësuar gjerësisht.

Por ndërkohë, atje ku ekziston akoma skllavëria, një skllav nuk përjashtohet nga më e mira në krishterim. Ai mund të jetë një dëshmitar i fuqisë shndërruese të Krishtit dhe ai mund të stolisë doktrinën e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë. Shumë vend në DhR i lihet skllevërve më shumë se kryesuesve të kombeve! Kjo mund të jetë një fill drejtues i rëndësisë së tyre në mbretërinë e Perëndisë. Shërbëtorët e krishterë duhet të binden, veç rastit kur kjo nënkupton mosbindje ndaj Zotit. Në këtë rast, ata nuk duhet të pranojnë dhe duhet të vuajnë me durim pasojat si të krishterë. Ata duhet t’i kënaqin zotërinjtë në çdo rast, që do të thotë, të jenë të frytshëm si nga ana sasiore ashtu edhe cilësore. Një shërbim i tillë duhet të bëhet si për Krishtin, shërbim i cili do të shpërblehet nga Ai. Ata nuk duhet t’i kundërshtojnë me fjalë apo të jenë të pafytyrë. Shumë skllevër kanë pasur privilegjin e çuarjes së zotërinjve të tyre te Zoti Jezus në ditët e hershme të krishterimit, për shkak se ndryshimi midis skllevërve paganë dhe atyre ishte shkëlqyes.

2:10 Një nga ndryshimet e dukshme ishte se të krishterët nuk binin në mëkatin cënues të skllevërve të tjerë, që quhej përvetësimi i gjësë së huaj. Etika e krishterë i detyronte ata të ishin tepër të ndershëm. A është për t’u çuditur që skllevërit e krishterë vlerësoheshin me një çmim më të lartë në tregun e shitjes? Në përgjithësi ata mësoheshin të tregonin besnikëri të plotë dhe të vërtetë. Ata duhej të ishin plotësisht të besueshëm dhe për këtë, që në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, në çdo aspekt të jetës dhe shërbimit të tyre. Ajo që ishte e vërtetë për shërbëtorët e Perëndisë në atë kohë duhet të jetë e vërtetë dhe për çdo punonjës të krishterë sot.

2:11 Katër vargjet që vijojnë formojnë një përshkrim dekorativ të shpëtimit tonë. Por, duke pranuar këtë margaritar me tërë kuptimin e fjalës, ne nuk duhet ta ndajmë atë nga dekori i saj. Pali kishte kërkuar sjellje të qëndrueshme nga të gjithë pjesëtarët e familjes së Perëndisë. Tani tregon se një nga qëllimet e mëdha të shpëtimit tonë është të prodhojë jetë shenjtërie të papërdhosur.

Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq. Këtu hiri i Perëndisë është sinonim virtual me Birin e Perëndisë. Hiri i Perëndisë u shfaq kur Zoti Jezus vizitoi planetin tonë dhe sidomos kur dha Vetveten për mëkatet tona. Ai u shfaq për shpëtimin e gjithë njerëzve. Vepra e tij zëvendësuese është e mjaftueshme për shpengimin e gjithë njerëzve. Një ofertë e vërtetë faljeje dhe pastrimi është bërë për të gjithë. Por vetëm ata që e pranojnë Atë me të vërtetë si Zot dhe Shpëtimtar janë të shpëtuar. Nuk ka ndonjë sugjerim këtu apo në ndonjë pjesë tjetër të Biblës se në fund të fundit gjithsecili do të shpëtohet. Shpëtimi universal është një gënjeshtër e djallit.

2:12 I njëjti hir që na shpëton gjithashtu na përgatit në shkollën e shenjtërisë. Ka “Jo”-ra në atë shkollë, gjëra nga të cilat duhet të mësojmë të heqim dorë. E para është pabesia, që do të thotë të mos besosh. E dyta është lakmia e botës – jo vetëm mëkatet seksuale, por gjithashtu lakmia për pasuri, fuqi, kënaqësi, famë, apo çdo gjë tjetër që është në thelb të botës.

Nga ana pozitive, hiri na mëson të rrojmë me urtësi, me drejtësi ndaj të tjerëve dhe me perëndishmëri në dritën e pastër të pranisë së Tij. Këto janë virtytet që duhet të na karakterizojnë në botë, ku çdo gjë tjetër rreth nesh do të shpërbëhet. Ajo është vendi i shtegtimit tonë dhe jo shtëpia jonë përfundimtare.

2:13 Ndërsa jetojmë si të huaj në botë, ne frymëzohemi nga një shpresë e mahnitshme – të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Me këtë a mos duhet të kuptojmë Rrëmbimin, kur Krishti do të shfaqet në lavdi për kishën dhe ta çojë atë në qiell (1 Thes. 4:13-18)? Apo i referohet ardhjes së Krishtit për të mbretëruar, kur ai të shfaqet në lavdi para botës, të vendosë këmbët e Tij dhe mbretërinë e Tij (Zbulesa 19:11-16)? Kryesisht ne besojmë se Pali po flet për të parën – ardhjen e Krishtit për nusen e Tij, kishën. Por qoftë ardhja e Tij si Dhëndri apo si Mbreti, besimtari duhet të jetë gati duke pritur ardhjen e Tij të lavdishme.

2:14 Ndërsa presim Kthimin e Tij ne kurrë nuk harrojmë qëllimin e Ardhjes së Tij të Parë dhe vetëflijimin e Tij. Ai dha veten jo vetëm për të na shpëtuar nga faji dhe ndëshkimi i mëkatit, por për të na shpenguar nga çdo paudhësi. Do të kishte qenë një shpëtim i lënë përgjysmë nëse ndëshkimi i mëkatit do të ishte fshirë, por sundimi i tij në jetët tona do të lihej i pahequr.

Ai gjithashtu dha Veten për të pastruar për vete një popull të veçantë. Versioni Mbretit Xhejms i vitit 1611 [4] çuditërisht thotë “një popull karakteristik”. Zakonisht ne jemi një popull karakteristik, por jo si kishte ndërmend Ai! Ai nuk vdiq për të na bërë një popull që nuk e ka shokun apo të çuditshëm, por një popull që i përket Atij në një mënyrë të veçantë – jo botës por vetvetes. Dhe Ai dha veten për ne që të jemi të zellshëm në vepra të mira. Ne duhet të kemi entuziazëm për të kryer vepra mirësie në emrin e Tij dhe për lavdinë e Tij. Kur ne mendojmë për zellin e njerëzve për sportin, politikën dhe biznesin, ne nuk duhet të na zërë gjumi natën dhe të shtyhemi drejt veprave të mira.

2:15Këto janë gjërat që Titi u ngarkua të mësonte – çdo gjë të shtjelluar në vargjet që kaluam dhe në mënyrë të veçantë qëllimet e misionit të Shpëtimtarit. Ai duhej të këshillonte apo të nxiste shenjtorët në jetë perëndishmërie praktike dhe të qortonte çdo njeri që kundërshtonte mësimet apostullore si me fjalë ashtu edhe me jetë. Dhe ai nuk duhej të kërkonte falje për kryerjen e një shërbese aq autoritare. Ai duhet ta kryente detyrën me çdo pushtet dhe me guxim në Frymën e Shenjtë. Askush mos të përçmoftë. Titi nuk duhej të ngurronte për shkak të rinisë së tij, sfondit të tij johebre, apo ndaj çdo paaftësie natyrore. Ai po fliste fjalën e Perëndisë dhe kjo ishte gjithçka.